Japonezët nuk duan ta dijnë kush-me-kë përplaset për pushtet në vendin e shqipeve. Nuk dërgojnë vëzhgues, nuk kanë interesa, nuk paguhen nga qeveria shqiptare, nuk i njohin dy anët dhe vetvetiu nuk mbajnë asnjërën prej tyre. Megjithatë ata nuk lenë pa mbajtur shënim çfarë bën vaki mbi sheshet e kësaj bote.

U mrekullova nga një kampion i teknologjisë, që japonët duarartë po futin në treg në vitet që vijnë e që unë e hasa në një ekspozitë marramendese, në vizitën e shkurtër në Tokio, teksa erëra të nxehta elektorale fshikullojnë këto ditë në Shqipëri.

Ajo që pashë, ishte një ëndërr… Le të zgjohesh sa të duash, prapë në ëndërr mbetesh! Ishte një lloj makine kompiuterike me një stampë ku shkruhej Miyako Monozukuri … Kish edhe disa gërma e shënja të tjera, që nuk i shënova dot. Një mrekulli! Themi ne, që janë përpara gjermanët, kinezët, amerikanët, por në atë ekspozitë bëheshe qesharak ta zije në gojë këtë. Sapo u njoha me makinën, në tri ditët më pas, nuk iu ndava.

Ishte një aparaturë që merrte dhe përpunonte miliarda e miliarda të dhëna, emra, shënja… Interpretonte zhvillime, tendenca, rezultate dhe shpesh fuste koeficiente të papriturash dhe ja, mrekullia: të jepte në pëllëmbë të dorës historinë e botës dhe të shteteve të veçantë, deri në gjashtëmbëdhjetë vjet avancë! E pabesueshmja të dukej një bizhdile e papërfillshme. Të dukej se befas të jepej të shijoje të pamundurën. Këta japonët famëmëdhenj nuk të thërrisnin aty të testoje shpikjen… Jo-jo, ishe ti që testoheshe nëse mund ta mbaje peshën e ngjarjeve që vijnë, nëse e duroje dot, apo përfundoje i goditur, sikurse jam tani edhe unë, nga këto që po matem të rrëfej.

Nuk po ndalem, se cila aventurë më shpuri dhe si u gjenda atje. Më lejoni veç t’ju tregoj se ç’pashë. Natyrisht u përqëndrova te vendi që më interesonte dhe e gradova kërkimin në të gjashtëmbëdhjetin vit që këtej në terrenin tonë të 2029-ës. Pashë foto fantastike, njerëz që njoh, por këtë herë më të vjetër, dhe që unë vetë ndoshta atëherë do të kem mbyllur sytë e nuk do arrij t’i shoh ashtu. Ishte një si paradhënie, si biçim privilegji, që më bëri ajo aparaturë japoneze që rend e rend përpara në kohë. Pashë video lloj-lloj, pamje qytetesh, me ca ndryshime natyrisht, ura, rrugë të reja (bile edhe ndonjë inaugurim të tyre, herë herë). Pashë mbledhje të parlamentit. Më zuri syri dhe Fahri Balliun mes deputetëve. Më së fundi, Fahrikja! … Parlamenti mblidhej në atë ndërtesën që mblidhet sot, vetëm se e lyer ndryshe. Gazeta elektronike me tituj të mëdhenj të jepnin idenë e ndryshimeve.

Vetëm në majë të pushtetit nuk kish ndryshim. Qeverinë e kishte ende Partia Demokratike… Dhe aty nënvizohej se qëkur lideri i saj i atëhershëm vodhi votat më 2009, pushteti nuk qe lëshuar më, sado që vëzhguesit ndërkombëtarë në çdo katër vjet kishin vërejtur se zgjedhjet e mëpasme kishin bërë nga një hap më përpara. Tani kryetar i Partisë Demokratike qe bërë Kastriot Islami, zgjedhur me unanimitet. Dhe bile kish marrë edhe postin e kryeministrit, e që ditën e parë kish kërcënuar se rebelëve opozitarë do t’u thyente kafkat. Linte përshtypjen e një specialisti kafkash… Berisha ishte kryetar nderi tani, i plakur natyrisht… Nuk lëvizte shumë. Kur do të kalonte ai nëpër bulevard, trafiku ndalej dy ditë përpara, snajperët zinin vend mbi terracat e ministrive dhe në katër pesë vende, si rastësisht, shfaqeshin tanket. Përpara godinës së kryeministrisë ish ngritur një shtatore e lartë për të, dhe në ballë të piedestalit lexohej me gërma prej bronxi një e thënme lapidare e zonjës Topalli:

“PD është Sali Berisha! Ne themi Partia dhe nënkuptojmë Berisha! Ne themi Berisha dhe nënkuptojmë prapë Berisha! Ne nuk themi asgjë dhe nënkuptojmë po atë!” Një fotografi e madhe tregonte ditën e zbulimit të shtatores. Shiritin e priste vetë ai, shtatorja prej mishi, plaku Sali, i Berishajve. Jozefina kishte ngjyer leshrat. Ishte bërë ministre e mbrojtjes tani, dhe në kartvizitën e saj qe vizatuar një flakëhedhëse.

Kalova një sy mbi listën e ministrave të tjerë… I kulturës qe bërë Petrit Beci, i jashtëm Polloja, i brendshëm Artan Hoxha. Selami ish emëruar prefekt i qarkut të Elbasanit dhe rezidencën e kish kërkuar në Librazhd. Një video tregonte një manifestim të fuqishëm, ku një turmë kërkonte hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Në një gazette i kërkonin llogari mikut tim, Maks Velos, se si e qysh në këtë zhdukje, krehje dhe fshehje dokumentash, artisti i shquar Velo, me një mllef të pashuar kadarejan, ngulte këmbë që Arshi Pipa paskej qenë bashkëpunëtor i maskuar i diktaturës. Ca komentatorë Maksit këtë ia quanin pacipësi… Stessa spiaggia, stesso mare!…

Ishte viti 2029, qershor, stinë votash, si tani… Kryetari plak premtonte përsëri vizat me ShBA-të në prag të heqjes. Duhej bërë durim edhe katër vjet, përgjërohej ai. Këtë e thosh para mikrofonit, pa grumbuj me flamurë përpara. Nuk u vinin më njerëz nëpër sheshe. Çfarëdo koalicion të shfaqej në tribuna. Duhej mundim i madh t’i mblidhje.

Të gjitha gazetat e një dite jepnin lajmin se do të jepej kësti i tretë I shpërblimit të të përndjekurve, si edhe kësti i parë për të tëra përmbytjet që ndodhnin çdo vit, prej njëzet vjetësh. Fushata ish e ndezur. Ilir Meta me trupin e dhjamur, lëvizte me një karrocë me rrota. Ai ish kthyer përsëri në koalicion me demokratët. “Ju votoni, ne ju punësojmë!” ishte sllogani i ri i LSI-së. “Ramës jepini ujë në bisht të lugës!”, ulurinte kryelësëisti. Tërë kryesia e partisë besonte se këtë radhë posti në krye të ministrave, nuk do t’i shpëtonte nga dora Ilirit. Katërvjeçar pas katërvjeçari, Ed Rama kish rënë, ish ngritur, rënë prapë dhe pat ardhur përsëri në krye të PS-së, pasi kish mposhtur rivalët e herëpashershëm, Majkon, Malajn, Blushin. Këtë radhë i binte kryq e tërthor vendit, jo me një, por me tre autobuza mavi. Në një shpallje televizive ai premtonte me be dhe rrufe, se vota ishte e shenjtë! Dhe këtë radhë, këtë radhë, këtë radhë …ajo do të mbrohej si kurrë ndonjëherë! Në Rinas pat zbritur grupi i vëzhguesve, që kryesohej për herë të tretë nga një Grossruk. Jo nga ai i pari, as nga djali i tij, ishte i nipi tani. Për koincidencë, edhe nga Departmenti i Shtetit kishte ardhur, po ai, Jonathan Moore, që mbante po atë post dhe po ato syza. Tullac, këtë radhë. Binte në sy një deklaratë e tij në konferencën e shtypit: “I gjithë preokupimi që ka Shtëpia e Bardhë dhe Presidentja Çellsi Kllinton, është që të pranohet rezultati”. Një gazetar, Ad Thano, e pat pyetur: “edhe po të vidhen votat përsëri, paturpësisht, hapur?!!”. Zoti Moore i ish përgjigjur prerë: “ne, në Uashington, ku lëvron demokracia më e përparuar mbi glob, kemi mendimin top, se mospranimi I rezultatit është faj shumë më i rëndë se vjedhja e hapur e votave!”

Lart e poshtë Shqipërisë shihje ndryshime, por jo shumë të dukshme. Ja, ishte përshëmbull një degë e Universitetit Kristal, në Panaja, dhe dy universitete private në Bilisht. Nëpër tërë qytetet e vendit shihje fabrika çimentoje. Qe ngritur një kombinat zift-betoni për për nevoja të shtrimit të rrugëve, se rrugëndërtuesit shqiptarë merrnin porosi nga tërë Europa, falë kualitetit të tyre të mirënjohur që nga viti 2013. Në atë kombinat ishin punësuar rreth 300 vetë në tentativën e njëherenjëkohëshme për të punësuar 300 mijë të papunët. Shifra nuk qe mbushur, sadoqë qenë hapur fronte si agrodistileria gjigande e pijeve të forta, që mbante emrin e Fatos Nanos, dhe zgjerimi i poligonit “Ndrea Prendi”, më i madhi në Ballkan për përgatitjen e snajperëve. Qenë punësuar me shumicë, mjekë, infermjerë dhe sanitarë, sidomos kur qe ngritur spitali i madh onkologjik “Tritan Shehu” dhe dymbëdhjetë çmendinat moderne, anekënd atdheut. Por ai, numri I premtuar për punësim në qershor të 2013, nuk qe arritur dot…

Si përfundim, këtë futuroreportazh unë do ta dërgoj për botim, por jam i bindur që nuk do t’ia shijoj efektin, se e ndjej që në Japoni u godita rëndë, dhe ca pushim në njërën nga çmendinat e pakta që kemi hëpërhë, nuk do të më bënte aspak keq. Përkundrazi! Nuk do të kem as rast të lexoj në fund të shkrimit komentet dashamirëse të të ngarkuarve me punë natë e ditë nëpër gazetat opozitare. Po gjithsesi unë e di se çfarë do të më thonë militantët e prapaferrave: do thonë që jam mosmirënjohës, që e kam dredhur, që kam qenë bashkëpunëtori Sigurimit, që pres nga zgjedhjet të lëpij ndonjë kockë… Po mirë, o burra, po edhe këtë herë?! Edhe këtë herë, që po jap lajmin me garanci shkencore japoneze, se do të vazhdoni përjetësisht ta milni lopën tonë të lodhur?!

17 Komente

Ishte viti 2029, qershor, stinë votash, si tani… Kryetari plak premtonte përsëri vizat me ShBA-të në prag të heqjes. Duhej bërë durim edhe katër vjet, përgjërohej ai. Këtë e thosh para mikrofonit, pa grumbuj me flamurë përpara. Nuk u vinin më njerëz nëpër sheshe. Çfarëdo koalicion të shfaqej në tribuna. Duhej mundim i madh t’i mblidhje.

Duhet te kete qene me difekt ajo aparatura Japoneze.

 

Shume i bukur shkrimi. Bravo Pellumb

Ilir Meta me trupin e dhjamur, lëvizte me një karrocë me rrota.

 

 

Përpara godinës së kryeministrisë ish ngritur një shtatore e lartë për të, dhe në ballë të piedestalit lexohej me gërma prej bronxi një e thënme lapidare e zonjës Topalli:

“PD është Sali Berisha! Ne themi Partia dhe nënkuptojmë Berisha! Ne themi Berisha dhe nënkuptojmë prapë Berisha! Ne nuk themi asgjë dhe nënkuptojmë po atë!”

http://www.youtube.com/watch?v=-AZaQThgm4g

Ndersa shkodra ka nxjerre shume gra e burra te kulturuem kjo qyqe nuk eshte nje nga ata.

NN-ne nuk ma zuri syri. Ndoshta do kete qene ambasador ne Japoni dhe shoqeronte Pellumbin.

 Shume thumbues si shkrim.smiley Po gjithsesi unë e di se çfarë do të më thonë militantët e prapaferrave: do thonë që jam mosmirënjohës, që e kam dredhur, që kam qenë bashkëpunëtori Sigurimit, që pres nga zgjedhjet të lëpij ndonjë kockë…-edhe ne 2029  me teorine : O me mua , o kundra meje !

ca ka shpik budisti !!!!!!!smiley

Si përfundim, këtë futuroreportazh unë do ta dërgoj për botim, por jam i bindur që nuk do t’ia shijoj efektin, se e ndjej që në Japoni u godita rëndë, dhe ca pushim në njërën nga çmendinat e pakta që kemi hëpërhë, nuk do të më bënte aspak keq. Përkundrazi! Nuk do të kem as rast të lexoj në fund të shkrimit komentet dashamirëse të të ngarkuarve me punë natë e ditë nëpër gazetat opozitare. Po gjithsesi unë e di se çfarë do të më thonë militantët e prapaferrave: do thonë që jam mosmirënjohës, që e kam dredhur, që kam qenë bashkëpunëtori Sigurimit, që pres nga zgjedhjet të lëpij ndonjë kockë… Po mirë, o burra, po edhe këtë herë?! Edhe këtë herë, që po jap lajmin me garanci shkencore japoneze, se do të vazhdoni përjetësisht ta milni lopën tonë të lodhur?!

Të lumtë pena zotëri! 

 Ja, ishte përshëmbull një degë e Universitetit Kristal, në Panaja, dhe dy universitete private në Bilisht. 

Po pse jeni kunder arsimit te shqiptareve mor zotri? Po pse, t'i leme ne shqiptaret injorante si ne kohen e baballareve tuaj? Po jo mo zotri. Nuk mund ta mbani peng Shqiperine ju. Nuk e leme ne Shqiperine ne dore te bllokmeneve te rinj. E di qe ju dhemb kur shikoni qe sot shqiptaret jane te arsimuar, qe jane ne NATO, qe levizin pa viza ne Evrope, Amerike, Azi dhe me gjere, por kjo eshte puna juaj mor zotri.

Ne ju themi te shkoni ne Panaja dhe ne Bilisht, dhe kerkojini falje shqiptareve qe i keni fyer kolektivisht. Jo mor zotri. Askush nuk ka te drejte te fyeje shqiptaret kolektivisht mor zotri.

hahaha, na shkrive fare...

ai e ka fjalen qe Universitetet e shumta po i kthejne shqiptaret ne Injorante me shpejtesi...

/po kthejne dhe ca italiane ne injorante

// ti dhe petro do keni ndonje universitet privat

/// sa e ke shpine? 2+1! - Po pse nuk e hap dhe nje universitet privat?

Pse pikerisht 2029 dhe jo 2044 smiley

Aq me teper dite qershori tafuto!!!!!!!

Keshtu e ka nxjerre Miyako Monozukuri .

Sapo mora dieni se zotni Kulla nuk e ka botimin të plotë. Redaksia e gazetës "Dita", ja ka prerë disa pjesë që ajo ka menduar se cënojnë kodin e etikës. Gjithashtu, edhe autocesura ka ndikuar për të hequr copëza me vlerë, përmes të cilave shqiptarve ju është mohuar njohja me karierrat e tjera të elitës tonë intelektuale, si psh. atë të NN. Adminët e peshkut mundt të hyjnë në lidhje me Kullën për t'ja botur te peshku ato që i mohoi "Dita"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).