Studimi i çdo vepre arti zanafillon me pyetjen rreth ekzistencës së saj, apo më saktë, rreth mënyrës së ekzistencës së saj, pyetje e cila mund të formulohet si në rrafshin ontologjik, ashtu edhe në atë fenomenologjik. Por në këtë shkrim, i cili është hyrja e një teksti studimor më të gjerë rreth tablosë Motra Tone, do t'i lemë mënjanë për momentin këto këndvështrime, të cilat vështirë se mund t'i shmangësh në analizën e një tabloje, dhe do të përqendrohemi në idenë lehtësisht të pranueshme se ekzistenca e një tabloje përshkon një trajektore në kohë e cila të varet nga shumë faktorë. Siç thotë J. Maritain në librin Creative Intuition in Art and Poetry : "Me ekzistencë kuptojmë atë situatë kur përmes një akti të mëvetësishëm një vepër shfaqet prej asgjësë." Pikërisht ky do të jetë objekti i studimit të këtij shkrimi: rrethanat në të cilat "u shfaq… përmes një akti të mëvetësishëm… prej asgjësë" tabloja Motra Tone e Kol Idromenos. Ndërsa përcaktimi përmes metodës krahasuese i variantit më të besueshëm të rrëfimeve që qarkullojnë rreth këtyre rrethanave, do të jetë objektivi kryesor i shkrimit. 

Pyetja tingëllon, më e pakta, e vonuar. Kritika jonë duhej ta kishte studiuar prej kohësh, në mënyrë shterruese këtë tablo, përfshirë këtu edhe rrethanat në të cilat u krijua, sepse bëhet fjalë për kryetablonë e artit tonë pamor, një vepër së cilës këtë vit i përkujtuam 130 vjetorin. Si tabloja e parë e artit tonë pamor laik tabloja Motra Tone ka të njëjtën moshë me të dhe natyrshëm, një vepër e tillë zgjon edhe kureshtjen për të ditur se në çfarë rrethanash u pikturua, duke hulumtuar kësisoj të gjithë larminë e marrëdhënieve njerëzore që shoqërojnë krijimin e një vepre me vlera të spikatura artistike dhe historike. 

Historia e artit tonë pamor laik fillon me një kryevepër e cila ende sot nuk është sfiduar seriozisht nga asnjë vepër tjetër. Po ashtu, edhe Tonia e pikturuar mbetet modeli më i famshëm i pikturës tonë laike, aq sa togfjalëshi Motra Tone përdoret natyrshëm në bisedat mbi të. Është rasti tipik kur simulakrumi zëvendëson referentin. Tonia e pikturuar zëvendësoi me togfjalëshin e titullit emrin e gruas që që shërbeu si model për tablonë. 

Por mjerisht, rëndësia e kësaj vepre nuk qëndron në përpjestim të drejtë me interesin e historisë dhe kritikës tonë të artit. Paralelisht me heshtjen e kritikës kanë qarkulluar histori të ndryshme të treguara nga pasardhës të fiseve Idromeno dhe Skanjeti, por edhe nga miq të piktorit, në të cilat, për shkak se vijnë nga burime të shkëputur nga njëri - tjetri, gjen fakte kundërthënëse dhe mospërputhje me data dhe dokumenta që lidhen me rrethanat kur u pikturua tabloja Motra Tone. 

E tepërt të thuhet se të gjithë dëshmitarët sypamës, bashkëkohës të Kolë Idromenos dhe Tones, kanë ikur prej kohësh nga kjo botë. Po ashtu edhe fëmijët e tyre. Madje edhe fëmijët e këtyre të fundit. Sot mund të bisedojmë vetëm me brezin e katërt të pasardhësve të Andrea Skanjetit (Scagnetti) dhe Antonia Idromenos. Ngaqë nuk u pyetën me seriozitetin e historianit të artit, ata morën me vete shumë të dhëna me vlerë të humbura përgjithmonë. Ata vërtet u kanë përcjellë besnikërisht familjes apo të afërmve rrethanat në të cilat u krijua tabloja ashtu siç i kanë dëgjuar, por ndryshe do të kish qenë nëse do t'u duhej të rrëfenin kujtimet e tyre një historiani apo kritiku arti. Mos harrojmë që kalimi i një ndodhie nga brezi në brez bëhet duke bjerrë pashmangësisht diçka nga rrëfimi origjinal. Pra, jemi vonë. Sigurisht që historia e tablosë Motra Tone është përmendur në artikuj dhe shkrime të ndryshme, por gjithmonë si pjesë e jetëshkrimit të Kolë Idromenos dhe jo si subjekt i mirëfilltë i një studimi. Vlen të përmendet në mënyrë të veçantë libri i Mikel Prenushit me titull Kolë Idromeno, një stacion i detyruar për këdo që studion jetën e mjeshtrit shkodran, i cili siç do ta shohim e trajton në librin e tij edhe tablonë që është objekt i këtij shkrimi. 

Me dëshirën për t'u njohur me historitë që qarkullojnë mbi rrethanat në të cilat u pikturua tabloja Motra Tone, u takuam me disa persona, të cilët për shkak të lidhjeve të tyre farefisnore me familjen Idromeno apo Skanjeti, ruajnë në kujtesë variante të këtyre rrethanave, të dhëna që i kanë dëgjuar nga të afërm të tyre. Variantet e personave të intervistuar janë, për aq sa dimë, më të njohurit që i dëgjon edhe nga të tjerë që u shtojnë apo u heqin diçka. Po cili prej tyre është më i besueshmi? Siç e përmendëm më lart, qëllimi kryesor i këtij shkrimi do të jetë pikërisht gjetja e variantit më të besueshëm. 

Duke mos dashur të cënojmë apo të vemë në dyshim sinqeritetin dhe integritetin e të intervistuarve, (të cilët i falënderoj me mirënjohje për informacionet) le të vendosim në itinerarin e rrëfimit disa pika orientimi të palëvizshme, të cilat duke qenë prova të dokumentuara, mund të shërbejnë si kriter vlerësimi. 

I tillë është akti i lindjes së piktorit që gjendet në Regjistrin e lindjeve 1847 - 1862, nr. 504. Në të thuhet : Shkodër, më 16 gusht 1860: dje lindi Nikolla, djali i Arsen Idromenos dhe Roza Filip Saraçit. Emri i parë Nikolla, emra të dytë Rrok dhe Spiridon. Pra, nga ky dokument del qartë se Kolë Idromeno ka lindur më 15 gusht 1860. Kjo datë vërteton pohimin e njohur se Idromeno e pikturoi tablonë e njohur në moshën 23 vjeçare. 

Një pikë e sigurt referimi është pa dyshim nënshkrimi i Kolë Idromenos në cepin e tablosë Motra Tone : N. Idromeno, 2 fruer (shkurt) 1883, fakt që mund ta vërtetojë kushdo që shikon tablonë e ekspozuar në Galerinë Kombëtare. 

Të pakundërshtueshme si pika referimi të pranuara nga të gjithë dëshmitarët janë edhe viti i lindjes së Tones (1859), dhe i vdekjes së saj (1890). Këto të dhëna përforcohen edhe nga fakti tjetër i njohur se ajo ndërroi jetë në moshën 31 vjeçare. 

Po ashtu, një pikë tjetër referimi e besueshme është akti i martesës së Antonieta Idromenos (Tones) me Andrea Skanjetin (Scagnetti) që gjendet në Regjistrin e Martesave të qytetit të Shkodrës në gjuhën italiane të viteve 1848-1884, ku rezulton se Andrea Skanjeti (Scagnetti) është martuar me Antonieta Arsen Idromeno në datën 20 maj 1877. Dëshmitarë martese kanë qenë Pietro Tonietti dhe Sciani Catrina. 

Kjo e dhënë ofrohet me përgjegjësi nga Zef Skanjeti, stërnip i Tones, të cilin e falënderoj me mirënjohje për ndihmën e paçmuar që dha gjatë këtyre kërkimeve. 

Pra, le t'i renditim të dhënat kryesore: lindja e Idromenos 15 gusht 1860; realizimi i tablosë Motra Tone 2 fruer (shkurt) 1883; viti i lindjes së Tones, 1859, viti i vdekjes 1890; martesa e Andrea Skanjeti t(Scagnetti) me Antonieta Arsen Idromenon më 20 maj 1877. Le t'i pranojmë këto data si pika të padiskutueshme referimi. 

Bisedën e parë e zhvillova me Ndoc Gurashin , një ndër artistët e brezit të dytë të piktorëve të Shkodrës, i cili në një dhomë të mbushur deri në tavan me piktura, me shumë dashamirësi dhe plot pasion tregoi për rreth një orë detaje me mjaft vlerë nga jeta e Idromenos. Në këtë shkrim do të përmenden vetëm ato pjesë që lidhen me pyetjen kryesore të shkrimit se në ç'rrethana u pikturua tabloja Motra Tone, duke e lënë lëndën tjetër për një studim të mëvonshëm. 

Pyetjes standard se cili është burimi i informacionit mbi tablonë ai iu përgjigj : "Këto të dhana i kam prej babës, Kolë Gurashit. Ai ka kenë nji ndër miqtë ma t'ngushtë të Kolë Arsenit. Kola hyjte e delte te na si n'shpi t'vet. Rrijshin bashk jo vetëm se ishin kojshi ; Kola banojte nja dy shpija ma andej ; porse i lidhte piktura dhe muzika. Shkojshin bashk gjithandej, ndër pikniqet e shumta që baheshin asokohe; babai i binte mirë harmonikës, ndërsa Kola ishte violinist i mbaruem dhe i lunte bukur të gjitha kangët shkodrane. Kola në pikniqet që banin me shokët te Lugu i Kusarëve, Shkambi i Ulqinit (pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare) apo gjetkë, bashkë me kasetën e violinës merrte edhe kasetën e pikturës. Të dy luanin edhe n'orkestrën e shoqnisë Rozafat. Tue ndejë gjithnji bashkë, babai mësoi prej Kolës si me pikturue dhe në odën ngjitë kam një kopje e Dasmës shkodrane që baba e ka bamun n'moshë të thyeme. Baba mësoi prej Kolë Idromenos me pikturue, se kur mësojte motra eme, Pina, rrinte edhe baba, se siç e thashë ishin shumë miq, e tue pa si msojte vajza e vet, mësoi edhe baba me pikturue." 

Më tutje ai vazhdon: - Kaq shumë ishin miq e kaq shumë rrijshin bashk sa nji ditë Kola (Idromeno) po i thotë babës: s'ban kshtu, edhe ti Kolë, edhe unë Kolë. Emnin po e mbaj vet, kurse ty po të thrrasim Lec." E kështu i thirrshin njani-tjetrit kur ishin bashkë. Kola ka pas punue edhe si butaforist, organizojte karnavalet n'Shkodër. Të tana maskat për karnavale i ka pas bamun vetë. Ka pas , me sa di unë, edhe nji ndihmës, Gjok Zadrima i thojshin, njeri i besuem i shpisë, edhe ai dijte me ba gjithçka. Punojte si butaforist dhe fotograf e pas vdekjes së Kolës e mbajti dyqanin hapun deri në fund. Ma pas, kur vdiq ai, e mori dreqi nj'at punë, shumë xhama fotografish u thyen e unë vet i vogël kam pas lujt tuj pa diellin me me xhamat e fotografive. Shumë prej tyne e di mirë se kan hupë. Pra, baba e ka njoft mirë Kolën ato që po t'them i kam ndigjue prej tij. 

Sa për rrethanat se si asht pikturue piktura Motra Tone muj me thanë se : Tonia u martue me Andrea Shkanjetin. Shkanjetët ishin italianë prej Trentos. Me sa di unë kishin luftue kundër austriakëve dhe me që ishin mujtë prej tyne, disa erdhen n' Shkodër. Andrea pat edhe nji motër, Ninjën. Ma vonë Andrea muer vajzën e Arsenit, motrën e Kolës, Tonen, e u ba dhandrri i shpis. Por vuni nji kusht : nusen e due t'ma gatitni allafranga dhe jo me kostum popullor. Due që tash e mbrapa t'vishet gjithnji ashtu, allafranga. Ishte diçka e pandigjueme, sepse asokohe të gjitha gratë vesheshin me rroba popullore, si në shpi, ashtu edhe jashtë. Gjyshja eme, nana, dhe t'gjitha gratë ashtu visheshin. Kështu tha: "E marr me kët kusht, që nusen t'ma nisni allafranga." Kushti u pranue. 

E ktu due me shtu diçka. Baba thojte se Kolë Idromenos i pat mbet merak që nuk e pikturoi motrën t'veshun me kostum shkodran. Baba kish folë me Kolën bash për kët punë. "Po pse po e ke kaq zor? " i kish thanë baba. "Kur t'vijn Tonia për pasí (zakoni i kthimit të vajzës te shtëpia e prindërve një javë pas martesës) ia ban nji portret. Kohë ke boll, mrenda nji jave ia ban portretin. Teshat popullore i ka." Se i kishte ba gati Tonia rrobat, ani pse nuk arriti me i veshë si nuse. Mirë e ke, ia ktheu Kola. 

E kështu, kur vjen Tonia për pasí, mjeshtri iu vu punës e mrenda shtatë apo tetë seancash e kryu portretin, veç mos me harrue se edhe ma vonë i ka vu dorë pikturës, gjithnji, rrijte e punojte n'te ka pak. Kur e kryu portretin po i thrret Kola njerzit e t'shpisë e po u thot: "Hajde shifeni. " - Të gjithë u çuditen. "Ia paske lujt fenë", tha nji grue : "Tone t'paska ba tamam si mretneshë. " tha nji tjetër. Tonia qeshi e tha : "A m'ngjan përnjimend mue?" E kshtu. Po Tonia qe pafat e shkreta, vdiq e re, s'di çfarë viti, po aty rreth të tridhjetave. Pikturën e saj Kola e ka pasë mbajt gjithmonë n'odë të vet. Nuk ia dha Andrea Shkanjetit, burrit të saj; edhe mbas vdekjes së motrës e mbajti po vet. 

Nji dit, ca kohë pasi kish dekë Tonia, vjen Andrea e po i thot: "Kolë, gruen ma pikturove me rrobe shkodrane, por due të më bash edhe nji si ltine (si latine, italiane shën. im) për mue. Dhe Kola ia bani nji portret me rroba allafranga dhe ia çoi Andreas n'shpi t'vet. Ma tutje nuk di me ju thanë se ku hupi ajo tablo." (Ky portret i Motrës Tone sot ndodhet në Galerinë e Arteve në Shkodër). 

Tonia kish dekë kish nji vjet a ma shumë kur Kola i pat thanë babës: Sa mirë mor Lec, të paktën Tonen e kam gjithmonë me vedi." Kaq, ma tepër s'di për kët punë." 

Padyshim, dëshmia e z. Gurashi është mbresëlënëse dhe tepër e çmuar sepse vjen nga kontakti i drejtpërdrejtë me një dëshmitar sypamës i cili e njihte shumë mirë mjeshtrin. Por nëse i kemi vënë vetes detyrë të gjejmë se cili variant është më afër të vërtetës duhet të hulumtojmë me kujdes dhe me paanësi çdo detaj. Qysh në fillim bie në sy se mëtimi sipas të cilit tabloja është pikturuar një javë pas martesës nuk i qëndron dot ballafaqimit me pikat e referimit për të cilat folëm më lart. 

Në dokumentin e përmendur më sipër të ofruar nga Zef Skanjeti (II) jepet data e saktë e martesës: 20 maj 1877. Një fakt kokëfortë i cili nuk lë shteg për dyshime. Nëse tabloja do të ishte pikturuar pas kthimit të Tones në shtëpinë e babait, Arsenit, për pasí (zakoni i kthimit në gjini një javë pas martesës), atëherë tasbloja duhej të mbante një datë që do të sillej rreth periudhës maj-qershor 1877, kohë që hidhet poshtë nga nënshkrimi i Idromenos në tablo që shënon qartazi si datë të përfundimit 2 shkurtin e 1883-shit. Midis këtyre dy datave krijohet një ndryshim kohor prej gati gjashtë vjetësh i cili nuk mund të përligjet kurrsesi. Mbetet pa dyshim me shumë vlerë e gjithë pjesa tjetër e dëshmisë së z. Gurashi, përveç rrethanës në të cilën është pikturuar tabloja e mirënjohur e cila nuk mbështetet nga faktet. Pra, nisur nga faktet e mësipërme mund të përjashtojmë me siguri mundësinë e pikturimit të tablosë Motra Tone një javë pas martesës. 

Intervistën e dytë e kryem me Terezina Vasinë, pasardhëse e familjes Idromeno, e cila dukej shumë e kënaqur të fliste për dajë Kolën dhe për kujtimet shumë të shtrenjta që e lidhnin me të. 

Pyetjes se ç'lidhje farefisnore kishte me Tonen dhe kush është burimi i të dhënave të saj mbi rrethanat e pikturimit të tablosë ajo iu përgjigj: 
"Unë jam mbesë e Orsolinës, vajzës së vogël të Tones (e mbetur pesë javëshe jetime dhe e bijësuar prej Kolë Idromenos) dhe vajza e Gjyzepinës, (bija e Orsolinës). Tonia pra, është stërgjyshja ime. Ato që di mbi rrethanat e pikturimit të tablosë Motra Tone i kam dëgjuar shumë herë nga gjyshja ime Orsolina, nëna ime Gjyzepina dhe nga daja im, monsinjor Çoba. Jam rritë në shtëpinë e Kol Idromenos, kam jetue aty nga mosha 40 ditëshe deri 13 vjeç. Portretin Motra Tone e mbaj mend qysh se mund të mbajë mend nji fëmijë, mbase nga mosha nji vjeç. Ka qenë i varun përballë shtratit ku flija me tezen time, Xhulianën. Në krah të majtë rrijshin në tre rreshta Vetportreti, (i cili ndodhet në Galerinë Kombëtare), portreti i dajës tim, monsinjor Çobës, pastaj në rresht me të ishte portreti grues së Kolës, Cinës, (edhe ky pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare), mandej një portret tjetër gruaje, dhe ngjatë tij ishte portreti i një plaku. Kola u takue me një plak 83 vjeç e gjatë bisedës ai po i thotë se nëse don, mujsh me takue babën tem që i ka kalue të njiqindat. Kola vajti e takoi dhe i bani portretin (edhe ky portret gjendet në Galerinë Kombëtare). E ky portret rrijte ngjat portretit të Cinës. Mandej vinte nji peizazh, Shkambi i Ulqinit (sot gjendet në Galerinë Kombëtare), dhe Portret i mbesës. (Vajza që ka pozuar është Gjyzepina, e bija e Orsolinës, vajzës më të vogël të Tones. Pra, lypset bërë një korrigjim : modeli i paraqitur, Gjyzepina nuk është mbesa, por vajza e vajzës së Tones, pra, stërmbesa e Kolë Idromenos, shënimi im.). "Ngjatë tyne - vazhdon me dëshminë e saj Terezina - ishte nji tapet ku paraqitej Moisiu i vogël me dy vajzat e faraonit, ndërsa afër nji pasqyre të stërmadhe ishte vu portreti Arapi i Beledijes, i njoftun për historinë e pikturimit fshehtas prej Kolës. 
Historinë se si e pse asht pikturue Motra Tone e kam ndigjue shumë herë prej njerëzve të shtëpisë, si të thuash jam rritë me të. Ishte si me thanë, nji gja që e dinin t'gjithë. Daja (Kol Idromeno) e bani portretin kur muer vesh se Tonia ishte sëmurë randë e pa shpresë sepse u ftoh kur lindi Orsolinën dhe, kur u ba randë thirren mjekun spanjoll, i cili tha se i kan mbet veç shtatë ditë jetë. Arsyen e pikturimit e kam ndigjue nga një bisedë që daja (monsinjor Çoba) ia tregonte një mikut të vet, prift edhe ai. "E kam ba me një trishtim të tmerrshëm" kish thanë Kola. Si i thonë asaj fjalës, më jep një dhimbje, të të jap një kryevepër. Këtë e kam ndigjue plot herë ta thonë si Orsolina, gjyshja eme, ashtu edhe nana me tezen. Të gjitha thojshin të njajtën gja, që portreti asht bamun javën e fundit të Tones. E shtojshin gjithmonë se Kola dhe të shpis e mbajtën Tonen me limona deri sa e mbaroi portretin për nji javë. Daja u pikëllue shumë për vdekjen e Tones. Deri nji muaj pas vdekjes së Tones Kola nuk foli me askënd. Për nji kohë të gjatë nuk zuri penel me dorë dhe bante vetëm foto te oda me xhama." 

Edhe kjo dëshmi bart mjaft vlera për të dhënat që sjell. Megjithatë, nëse e shqyrtojmë me vëmendje këtë rrëfim do të vërejmë një mospërputhje të dukshme datash. Nënshkrimi i Idromenos tregon qartë se piktura ka përfunduar më 2 shkurt 1883, një datë kjo e largët me vitin 1890, vit kur ndërroi jetë Tonia. Përsëri një diferencë e madhe kohore, plot shtatë vjet, që e bëjnë të pamundur pranimin e këtij version si të vërtetë. 

Po ashtu duhet thënë se Tonia e tablosë nuk duket aspak e sëmurë, apo se po jeton javën e fundit të jetës. Dihet se të pozosh për një portret është punë sa e mërzitshme, aq edhe e lodhshme, e cila përballohet me vështirësi edhe nga njerëz të shëndetshëm, jo më pastaj nga dikush që është i sëmurë rëndë. Dëshmia e Terezina Vasisë është e paçmuar për hollësitë interesante që jep nga jeta e saj në shtëpinë e mjeshtrit, por kjo pikë e rrëfimit, mjerisht, nuk i qëndron krahasimit të datës së "shfaqjes nga asgjëja", ardhjes së tablosë në këtë botë dhe datës së largimit të Tones prej saj. 
Një variant tjetër të rrethanave në të cilat u realizua tabloja Motra Tone e propozon Mikel Prenushi në librin me titull Kolë Idromeno të vitit 1984, ku ofrohet një kuadër i plotë i jetës së mjeshtrit shkodran. Referimet e tij janë të larmishme dhe dokumentat që ka shfrytëzuar kanë qenë të shumta. Zef Skanjeti (II) nip i Andrea Skanjetit (II) dëshmon se njëri nga burimet e të dhënave për Mikel Prenushin ka qenë xhaxhai i tij: "Mbaj mend nga bisedat me axhën tim Andrea rreth 30 vjet më parë të më ketë thënë se Mikel Prenushi po shkruan një libër për Kolë Idromenon dhe se vjen shpesh ta takojë në shpi për ta pyetur rreth figurës së tij dhe "personazheve" të librit. Pasi libri u shtyp dhe axha me siguri e kishte lexuar, mbaj mend të më ketë thënë se Kola del në libër se ka qenë ateist, por nuk është e vërtetë, sepse ai ka qenë fetar madje. Axha (1906-1992) në atë kohë ka qenë nja 77-78 vjeç dhe mendjekthjellët. Axha Motrën Tone e ka pasë gjyshe nga baba, dhe në atë kohë ishte dëshmitari më i vjetër i familjes Skanjeti dhe Idromeno që jetonte." 

I njëjti version mbështetet edhe nga një pasardhëse tjetër e Tones, Elena Zorba, e cila pohon: […] Prendushi kur ka shkruar librin është konsultuar shpesh me Andrea Skanjetin dhe me tim atë (Zef Zorba, shënimi im.), të cilët sigurisht kanë ditur më shumë se unë sot.

Gjatë punës për librin Motra Tone jam ndeshur në Arkivin e Shtetit me të njëjtat dokumenta që ka përdorur dhe Prenushi dhe bie në sy që ai i ka cituar gjithmonë me saktësi dhe përgjegjësi profesionale. Tingëllojnë të stisura nga halli pohimet e tij për pothuaj "ateizmin" dhe antiklerikalizmin e Kolë Idromenos, apo lidhjen e tij të ngushtë me shtresat e varfëra të qytetit, e cila, edhe në pastë qenë e vërtetë, nuk kishte ngarkesën ideologjike që i jep Prenushi. Por megjithë retorikën konformiste të detyruar dhe tipike për kohën, studimi i tij duket i saktë dhe i besueshëm. 

Në librin e sipërpërmendur ai shprehet shkurtimisht për rrethanat e pikturimit të tablosë: "Motra Tone ishte e vetmja motër e piktorit, një vit më e madhe në moshë, pra, 24 vjeçare kur pozoi për këtë portret. Ishte e martuar, nënë me dy fëmijë të vegjël." Për fat të keq Prenushi nuk na e thotë se nga e ka marrë këtë informacion (burim i mundshëm mund të jenë Andrea Skanjeti dhe Zef Zorba), kështu që na duhet të hulumtojmë për të zbuluar nëse varianti i tij i ngjarjes mbështetet apo rrëzohet nga pikat e referimit që përcaktuam në fillim. 

Zbrazëtinë e informacionit për këtë pikë na e plotëson Elena Zorba duke shtuar një fakt që nuk përmendet nga Mikel Prenushi. 

Pyetjes se ç'lidhje farefisnore ka me Tonen dhe Andrea Skanjetin dhe cili është burimi i informacioneve ajo iu përgjigj: Tone Idromeno, përndryshe emri i pagëzimit Antonia, është stërgjyshja ime në linjën e babait. Gjyshja ime, Elena Skanjeti, ishte njëra nga pesë vajzat e motrës Tone (e treta). Andrea Skanjeti (i parë) ishte burri i motrës Tone dhe stërgjyshi im, ndryshe babai i gjyshes time Elena Skanjeti (Zorba). […] një pjesë të këtyre të dhënave i kam në kujtesë nga shumë biseda që kam zhvilluar me gjyshen time Elena dhe nga im atë, Zef Zorba." 

Elena jo vetëm mbështet variantin e Prenushit por siç thamë, shton edhe një fakt tjetër: "Portreti është bërë kur Tonja ishte 24 vjeçe, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, një djali, Zefit, lindur më 1881, dhe një vajze të porsalindur, Domenikës. Zakonisht bijat mbasi lindnin fëmijën vinin të kalonin disa ditë në familjen atërore. Mund t'ju them me siguri që sipas një zakoni të Shkodrës, gruaja mbasi lindte dhe kishin kaluar 40 ditët e para, shkonte në gjini, pra, tek prindërit, ku rrinte rreth dy javë. Ky ka qenë një zakon i cili është respektuar gjithnjë në Shkodër. [...] pikërisht gjatë këtyre ditëve (dy javë) është realizuar piktura." Bindjen e saj Elena Zorba e mbështet edhe në faktin se: "[...] kjo ishte koha më e gjatë e qëndrimit në gjini, mbasi zakonisht shkohej për dreka në raste festash, ose rrihej më gjatë kur martohej ndonjë vëlla apo motër, gjë e cila nuk ka ndodhur në kohën kur u bë piktura, mbasi Kola është martuar në vitin 1884. 

[…] bazuar në një çertifikatë të lindjes së gjyshes time Elena e lindur në vitin 1887, [...] ajo ishte fëmija i katërt e Motrës Tone. Gjithashtu gjyshja tregonte se të gjithë fëmijët kishin nga dy vjet diferencë me njëri - tjetrin, me përjashtim të diferencës një vit mes dy më të voglave, Katerinës […] dhe Orsolinës […] e cila ishte vetëm 40 ditëshe kur i vdiq e ëma, Tonja. Fëmija i parë Zefi, lindi më 1881; më pas vjen Domenika, 1883; Matilda, 1885; Elena, 1887; pastaj Katerina, 1889 dhe Orsolina, 1890. Këto data janë të shënuara dhe në albumin e familjes me foto të vjetra që kam në shtëpi. " 

Dëshmia e Elenës e mbështetur mbi dokumenta provon variantin e Prenushit pasi nga lista e lindjeve duket qartë se Domenika, vajza e parë ka lindur pikërisht në vitin 1883, pra, në vitin i cili tregohet nga nënshkrimi i Idromenos në cepin e tablosë si viti i përfundimit të portretit. Çka e bën shumë të mundshëm variantin e Elena Zorbës (i cili pjesërisht mbështet variantin e Prenushit) se portreti mund të jetë pikturuar në kohën kur Tonia ka shkuar për të ndenjur dy javë në shtëpinë e prindërve pas lindjes së vajzës Domenika. Fakti që të gjithë të intervistuarit bien një mendje se portreti u pikturua brenda një jave është një provë më shumë në mbështetje të variantit të Prenushit dhe Elena Zorbës. 

"Baba im (Zef Zorba, shënimi im) - vazhdon intervistën Elena - më thoshte se Idromeno, i cili në atë kohë kishte filluar të merrej edhe me fotografinë artistike, ja plotësoj dëshirën së motrës që t'i bënte një foto me kostumin shkodran, por si duket, nga veshja dhe poza që ajo kishte marrë në çast, i lindi dëshira ta kthente në portret. Dhe poza që kishte marrë Tonja ishte për arsye se tamam në këtë moment hapet dera dhe hyn i shoqi, ajo instinktivisht çon dorën dhe mbulon pak fytyren si e zënë në faj.......mendoj se ky gjest e ka bërë edhe më artistike pamjen në sytë e piktorit. Ndërsa për portretin Motra Tone (kostum), ajo ka pozuar gjatë disa ditëve për këtë portret." 

Pra, mund të themi me siguri, mbështetur në të dhënat e mësipërme, se tabloja është pikturuar në kohën kur Tonia është kthyer në shtëpinë e prindërve pas lindjes së vajzës së parë, Domenikës. Dikush me të drejtë mund të pyesë po mirë, ç'del nga kjo? Dihet se kur studion një vepër arti ajo trajtohet sipas qasjesh apo këndvështrimesh të ndryshme historike, antropologjike, psikologjike, formale, filozofike etj. E njëjta rrugë po ndiqet edhe në rastin e studimit të tablosë Motra Tone. Teksti i mësipërm është veçse hyrja e tij. Vërtetimi i rrethanave të mësipërme e brendashkruan krijimin e pikturës së Idromenos në konceptin e antropologut të shquar belg Arnold van Gennep të njohura si Rite të Kalimit, në të cilët ai përfshin lindjen, martesën, vdekjen dhe ritualet e tjera që shoqërojnë kalimin e njeriut nga një status shoqëror në një tjetër. Sipas Gennep-it shoqëria njerëzore ngjan me një ndërtesë në të cilën njeriu kalon nga njëra dhomë në tjetrën dhe gjithmonë ky kalim shoqërohet me një ritual i cili vulos pranimin nga ana e shoqërisë të statusit të ri. NJë proces ku ai dallon tre ku faza liminale (pragnore) është më e rëndësishmja. 

Duhet thënë që të tre variantet që u diskutuan: i Ndoc Gurashit, i Terezina Vasisë dhe i Mikel Prenushit (të cilit i shtohet pohimi i Elena Zorbës se tabloja është pikturuar gjatë qëndrimit në shtëpinë e prindërve pas lindjes së Domenikës) mund të klasifikohen si rite kalimi. Madje me keqardhje më duhet të pranoj se dy variantet e para (i Gurashit dhe i Vasisë), për mua si studiues si ngjarje janë më prekëse dhe më interesante se sa varianti i Prenushit që përkon me datat e dokumentuara. 

Por sidoqoftë, edhe varianti që me provat dhe dokumentat që kemi pranohet si më i besueshmi, i plotëson të gjitha kushtet që të nisim analizën antropologjike të tablosë Motra Tone duke e parë si pjesë të një riti kalimi. Kjo do të na krijojë mundësinë që shqyrtimi i rrethanave të "shfaqjes nga asgjëja" të tablosë së mirënjohur të na shërbejë si "kapja e fijes së duhur" për të hulumtuar me kujdes strukturën e thurimës së ndërlikuar të marrëdhënieve të larmishme njerëzore, kulturore dhe historike që përmban kjo vepër e spikatur e traditës së pikturës tonë laike. 

Shënime 
1 J. Maritain, Creative Intuition in Art and Poetry, Pantheon Books, New York, 1953, f. 8. 
2 Arkivi i Kom. Ekz. KP të rrethit Shkodër. Regjistri i lindjeve 1847 – 1862, nr. 504. Cit. Mikel Prenushi, Kolë Idromeno (1860 – 1939), Jeta dhe Veprat, Shtëpia botuese 8 Nëntori, 1984, f. 13. 
3 Intervistë me piktorin Ndoc Gurashi, Shkodër, 11 gusht 2011. 
4 Intervistë me Terezina Vasinë, 18 maj 2013. 
5 Tekst i dërguar me e-mail më datë 24. 05. 2013 nga Zef Skanjeti. 
6 Intervistë me Elena Zorbën, maj, 2013. 
7 Intervistë me Elena Zorbën, maj, 2013.

 

Marre nga suplementi i Gazeta Shqiptare, MILOSAO

 

11 Komente

material i bukur smiley

ehh  moj moter Tone,  te paskan  lene vetem......,me nje koment..smiley

 

p.s  Ceno, e  lexove  vertet   te gjithe  materialin?smiley

Po e e lexova , ato deshmitaret ne fjale i njoh smiley

jo  zanafillon, more  autor/redaktor, por  zë  fill

smiley

Ose ka zanafillen smiley

Motres Tone, apo Moter Tones? smiley

U bana shume kurioz per versionin "alla franga" qe Idromeno e kishte punu me kerkese te Andrea Skanjetit. E dijsha mire qe e kisha diku. lol

I vetmi imazh qe gjeta eshte kjo foto bardhe e zi, nga "ARTI I RILINDJES SHQIPTARE  | 1883-1945" nga Ferid Hudhri, qe e skanova tashi shpejt e shpejt. 

Shume interesant ky artikulli mbi krijimin e grekut te Shkodres.

 

Mos ua vri zemnen shkodranve smiley se e mbajne edhe si birin ma te iluminuem te shkodres, madje e pandehin edhe per katolik, tashme qe e nxorrre ti ( une e kam dit me kohe) prit kur te sulen ta urrejne sic urrejne Migjenin.

ps. nuk dihet me saktesi cfar jane idromenot, por dihet siguro qe vijne nga greqia e sotme. Mund te jene edhe shqiptare te trevave te greqise.

E si eshte e verteta me pak fjale ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).