Poetja shkruan nga përtej oqeanit për nivelin e poezisë shqipe që nuk i është dhënë akoma një vizë për në botë, kufizimet që vendos standardi, për kaosin që vjen prej grumbujve pa identitete dhe për jetën, dashurinë, vetminë dhe vdekjen.

Poetët duhet të flasin sa më pak të jetë e mundur për poezinë! Kur fillon e shterret poeti, fillon e shpjegon shterjen e tij, teksa kujton se po rrëfen sekretet e poezisë. Poezia nuk ka sekrete, madje edhe poeti është një njeri pa sekrete”, shkruan Elinda Marku nga përtej oqeanit, poetja që jeton me poezinë dhe muzat, me ujin, shiun. Kur do t’i vidhet vetmisë që aq shumë e do, shkon pranë varreve të të ikurve, në strehëza që i pjell imagjinata. Ajo e Markut është një poezi që i shkruhet ndjesive, përjetimeve, kujtesës dhe vjen me fuqinë e emocionit, si atëherë kur shpirti i komunikon shpirtit, pa të bërtitura, pa artifice, pa sforcime gjetjesh për t’u dukur e bukur. Ndërron shpesh tematikë, hapësirë, kohë. Uji në natyrë dhe varret e të ikurve gjenden gati kudo në vargje, gjithçka tjetër ndodh në çast sepse ajo “i beson poezisë”, kështu që e shkruan siç vjen; edhe kur nuk vjen e plotë, e respekton “paplotësinë” e saj. “E lë poezinë të ndodhë. Nuk e vras mendjen si do t’i duket lexuesit. Si do të më duket mua. Unë shijoj pafundësisht ndodhjen e saj”, shprehet. Më tej tregon se ka poezi të cilat vijnë me gjithë praninë e emrit të Zotit, një tjetër motiv i pranishëm në krijime. Elinda pranon: “Unë besoj! Të besuarit, ndoshta quhet Zot”. Thotë kështu dhe kush ia ka lexuar poezitë, e di që besimi i saj është i brendshëm dhe intim, pa priftërinj dhe hoxhallarë rreth e rrotull… Kujton edhe njëherë se poezi është e veçanta dhe origjinalja, ajo që josh, grish, rrëmben sepse koha nuk fal asgjë, ajo di vetëm të zbehë dhe venisë. “Nuk kujdesem aspak për ato që shkruaj, kujdesem të jetoj çdo çast…. edhe duke e shkruar. Jetoj disafish të njëjtin sekondë. Tani po flas, po ha peshk, flas me disa njerëz të gjallë në botë që më lënë rehat….. e ku di unë çfarë tjetër jam duke bërë njëherësh”, shkruan në postën elektronike dhe duket se pikërisht ky ritëm e mban të kthjellët, e mban të bukur. Për bukurinë e jetës me poezi vijon të flasë në intervistën e dhënë për “Fenix”, që kujdeset t’i ftojë njerëzit e letrave (të afirmuar ose jo) të kenë këndin e tyre për t’u shprehur dhe për të komunikuar me lexuesin, edhe në rastin e krijuesit kryeneç si Elinda që nuk i pëlqen të botojë.

Znj. Marku edhe pse vihet re që poezia juaj është kaq origjinale, e ndjerë, e frymëzuar, e çastit, zor se ka të ngjashme, kureshtja shtyn për të mësuar se cila është ajo kohë e poezisë shqipe ku gjeni muzat, modelet?

Nëse nuk i ngjaj askujt, kjo nuk ndodh vetëm prej faktit e fatit që kam pasur për të mos i ngjarë askujt, por që tashmë më pëlqen aq shumë kjo mosngjashmëri. Kam shkruar vjersha (më duket) qysh para se kam filluar të mësoj shkrim e këndim. Poezia shqipe! Nuk e di nga ka ardhur një bindje ndër letrarët shqiptarë që u dashka me patjetër shkollë që të bëhesh poet. Le më pastaj kur dëgjoj shpikje të tipit “shkollë poetike”. Vetëm shteramanët mund të mendojnë se poetin e bën shkolla. Jo! Poezia nuk ka nevojë për shkollë. Poezia është i vetmi art që nuk mësohet, madje as të lexosh poezinë nuk mund të mësosh, jo më ta shkruash. Si mund t’i ngjitësh një njeriu shpirtin nëse nuk e ka?! Askund në botë nuk mund ta gjesh shpirtin e poezisë si në Shqipëri. Shqiptarët janë pothuaj të gjithë poetë (përjashto politikanët). Nuk i vjen dëmi poezisë nëse të gjithë shqiptarët shkruajnë poezi! Dëmi i vjen nëse të gjithë shqiptarët shkruajnë për t’u bërë poetë, e jo se janë poetë! Ajo që duhet të na bëjë të lumtur në lidhje me poezinë, është pasja e saj. Poezia është gjuha e shpirtit dhe shpirti i gjuhës. Shqipja dhe Shqipëria i ka këto te dyja. Madje i ka si pasuritë më të patundshme e më të vlefshme. Pasja e tyre mund të lindë arte të tjera, përveç atij të fjalës.

Si e dëmton standardi poezinë?

Gjuha shqipe është një gjuhë vetvetiu tejet poetike. Shqipja ka poezinë më të bukur, por kemi të shkruarit jo fort të favorshëm. Jo vetëm standardi për të cilin kemi ankesa, por çdo lloj standardi e dëmton poezinë. Poezia ndihmon çdo standard, e shpërthen çdo limit që “shkenca” e gjuhës vë, krijon. Në fund të fundit, një gjuhë pa poezinë është një gjuhë që ka fund. Poezia është përtej “fundit” të gjuhëve. Poezia ëshë dhimbja që në fillim u shkrua në “oh”. Poezia e ka shpikur gjuhën…. nevojën e njeriut me u tregu. Të mendohet sikur njeriu të ishte një bluzë e bukur, të cilën e shikon vetëm për së “mbari”. Poezia e kthen njeriun nga brenda jashtë, pra e kallzon njeriun tejpërtej. Shumica e poetëve këtë rrëfim e bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme, ato janë edhe poezitë më të bukura. Gjuha shqipe ëshë një gjuhë e vjetër të cilën e ka zhveshur prej moshës origjinale, standardi.

A keni pasur ndonjë rast personal penalizimi kur e shkruara në dialekt është bërë pengesë për botimin e ndonjë vepre?

Jo, nuk kam pasur asnjë rast penaliteti, sepse une nuk shkruaj për të botuar. Tre librat janë botuar pothuajse pa dijeninë time. Madje janë kthyer në standardin që nuk e zbatoj. Nuk e zbatoj jo për inat të standardit apo për dobësinë e dialektit të “penalizuar”, por se poezinë e shkruaj siç vjen. Madje kam një “ves”. I humb poezitë që shkruaj nga frika se po t’i lexoj, i “prek” nën pretendimin se po i redaktoj, rregulloj. Njeriu ka shpikur operacionet plastike për të korrigjuar bukurinë e vet. A e ka korrigjuar? Kështu mund të ndodhë edhe korrigjimi që mund t’i bëhet poezisë. Poezia është bukuri që nuk korrigjohet. O është e bukur, o nuk është e bukur.

Ç’mendoni për nivelin e poezisë bashkëkohore shqipe? A është e zonja të njihet jashtë kufijve, të ballafaqohet me të tjera nivele?

Poezia shqipe nuk ka marrë ende vizë për në botë. Po kjo nuk e bën atë më pak të bukur se poezinë botërore. Përkundrazi. Poezia botërore ka pasë përkushtimin, kurse ajo shqipe ka esencën. Po t’i përkushtoheshim poezisë shqipe, jo poetëve, por poezisë, bindem se poezia shqipe është absolutisht nënë dhe bija e poezisë në tërësi.

Ku e mbështesni këtë që thoni? 

Në leximet dhe dashurinë time. Ndoshta ngaqë lexoj në dy gjuhë e shkruaj vetëm në një. Kemi poezi shqipe e nuk kemi poetë shqiptarë!! Ose kemi fare pak poetë (nuk e kam fjalën vetëm për të afirmuarit)

Nuk të tundon anglishtja? 

Jo! Nuk tundohem! Ose unë ose poezia jemi xheloze ndaj gjuhës. I besohemi vetëm shqipes.

A ka identitet poezia e ditëve tona? A është ajo e lirë për të komunikuar? 

Një poet i “madh” i vërtetë nuk është bërë i madh se ka mundur të shkruajë në më shumë se në një gjuhë, e pasi e kemi parë sa i madh është dhe e kemi përkthyer në të gjitha gjuhët që dimë dhe të tjera përveç asaj të poetit, jo në të mirën e poetit, por në të mirën e lexuesve. Madje poeti jo vetëm që shkruan në një gjuhë, por brenda asaj, krijon gjuhën e tij individuale, personale.

Për të bërë këtë pyetje frymëzojnë edhe vargje tuajat: “Tani në vend të fjalës së lirë shenjtëron heshtja. Dhe poezia rri palë në arkën e sendeve të vdekurve të gjallë!”. 

Këto vargje i kanë thyer limitet e personales pa dashjen time. Sepse kur e kam shkruar, nuk e kam pasur me askënd, pos me veten. Dikur kur nuk isha e “lirë” për të shkruar poezi, kur kisha “turp” të ma dinte njeri se unë dashuroj e shkruaj, shkruaja gjithë kohës. Tani që jam e lirë të shkruaj poezi, e nuk kam më turp as frikë të shkruaj…. shkruaj më rrallë (të shkruarën e shenjtëron heshtja).

A kemi ne një komunitet njerëzish të letrave që komunikojnë përmes poezisë dhe e kanë atë mënyrë jetese? Sa afër ndihesh me të?

Në fakt njerëzit nuk kërkojnë njeri-tjetrin, kërkojnë poezinë. Unë gjithë kohën kërkoj poezi. Poezia më gjen njerez…! Poezia është shpëtimtarja ime. Më gjen mua dhe gjithë ç’më duhet. Të gjithë njerëzit me të cilët komunikoj, janë vetëm të bukur sepse të gjithë m’i ka gjetur poezia. Arti nuk ka komunitet, nuk e bën komuniteti! Arti ëshë tmerrësisht intim, tmerrësisht personal.

Të ndalemi pak te motivet që lindin poezinë tuaj. Jeta dhe vdekja, sikur ecin ngjitur. Mjaft të përmendim ujin dhe varret që gjenden aq shumë nëpër vargje…

Sekretet e ujit! Vetëm po ta përmend ujin më vjen të përlotem. Kur isha fëmijë, pa e pasur idenë se shiu është i bukur, unë i vidhesha nënës Dile e dilja e rrija në cirkë (në rrjedhën e çatisë)…. e më shijonte aq shumë qielli…. toka…. vetja…. ashtu njësh me të tria.

Vdekjes nuk i druhesh…

Jo! Vdekja ëshë kryevepra e atij që krijoi gjithësinë, Zoti mbase. Njeriu (për mua) nuk vdes se plaket, as se ngopet me jetë, as se është i pafuqishëm t’i thotë vdekjes jo. Njeriu vdes nga kureshtja. Njeriu lind nga dashuria e vdes nga kureshtja. Unë kam dashuri për vdekjen dhe një kureshtje që nuk e le të më mundë…. por që nuk e lë as të më lërë. A t’ju them një sekret? Unë nuk kam frikë nga asgjë. Çuditërisht nuk kam frikë nga asgjë. Ose e vetmja gjë që kam frikë, asht vdekja e atyre që dua.

***

Për politikën dhe elitat intelektuale 

Nuk mund të mos pyetej poetja edhe për realitetin që ekziston në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Një realitet të cilit i është larguar këtu e 20 vite më parë. Ja cili është opinioni i saj: 

Shohim shumë shëmti në politikën shqiptare dhe “prostitucion” me okë. Çfarë mendoni se duhet ndryshuar? A duhet besuar te ndryshimi?

Që të jem e sinqertë, kam frikë të flas për politikën. Politika është një e keqe e pa ndryshueshme. Njeriu mund të ndryshojë. Po qe se ne do presim, besojmë, shpresojmë se politika do të ndryshojë, tmerrohem nga parandjenja ime. Duhet të ndryshojë votuesi. Të cilin gjithmonë e ndryshon politika në favorin e saj. Tashmë ka ardhur koha që votuesi të bëhet i pavarur prej politikës. Politika në Shqipëri tashmë është një shaka e neveritshme. Një tallje e madhe me votuesin, para e mbas votës. Vetëm në Shqipëri ndodh që votuesi nuk e do votën e tij. E pra këtë e ka arritur politika, e cila as kjo nuk e do këtë votë, por thjesht i duhet. Nëse në Shqipëri votuesi zgjohet e shkon të hedhë votën në filan kuti nga inati që ka për filan tjetër kuti, kjo votë as ky votues nuk vlen.

Po ku na shkoi dinjiteti, pse elitës intelektuale nuk i ndihet zëri? 

Sepse intelektuali është bërë ose indiferent, ose është vrarë me gjithë indiferencën. Plus është kthyer në modë që secili të shfaqet si intelektual, punë e madhe se aspak s’mund të jetë askush intelektual.

Të themi që po shuhet kjo elitë? Apo do duhej t’i ndihej zëri po të ishte? 

Ka elitë. Por ka një elitë që në Shqipëri i është shpallur një luftë e kahershme. Për të bërë këtë elitë funksionale duhet një tjetër “elitë” që e kërkon elitën, që t’i duhet elita. Në Shqipëri fjala elitë përdoret më së shumti në vetën e parë numri njëjës, koha e tashme. Vihet re një “luftë” për ta shpallur elitën e kohës së shkuar duke i bustuar (bustuar, ngrit buste), pa i njohur. Njëri ngre një bust të filanit në filan shesh, tjetri rrëzon një bust në filan shesh. Bustet nuk e ndryshojnë Shqipërinë.

Po shoqëria pse është kaq kaotike kundrejt vlerave dhe moralit? 

Nuk ka shoqëri. Nuk duhet të besohet në shoqëri kur mungon secili individ. Mania jonë për t’i përkitur një shoqërie na ka vrarë individualitetin. Shqiptarët kanë frikë me qenë veç e veç, në vetën e tyre. Ku ta di unë si erdhi e hyri kjo sëmundje brenda nesh. Ndoshta nga sistemi, që duhet të ishim të gjithë të partisë që të na zinte gjumi. Tani duhet patjetër të jemi në një shoqëri pa qenë askush vetja e vet, madje as shoqnia vetë. Kaosi vjen prej grumbujve pa indentitete.

Për gruan dhe dashurinë

Biseda me poetet që jeton në Detroit mbyllet me pak pyetje për dashurinë, vetminë, vuajtjen dhe vdekjen, të cilat natyrshëm që i sheh ndryshe nga shumica…

Ju ndodh shpesh të dashuroni? 

Po, çdo sekondë të gjalljes jam në dashuri… bie ne dashuri…. çdo sekondë. Edhe atëherë kur dukem sikur jam duke rebeluar, urryer. Biles aq të nevojshme e kam të bie n’dashuri, sa jo rrallë më duhet të krijoj sende, njerëz, çaste për t’i dashur.

Si dashuron një grua si ju? 

Si merimanga! Unë i vras merimangat, i fshi mureve të mia, më duket nga inati dhe xhelozia që kam për to, më shumë se nga neveria ndaj tyre. Merimanga e krijon atë fijen e hollë me të cilën rrethon sendet dhe fluturakët më të vegjël se vetja e saj. Ku ta dimë se merimanga nuk e bën nga dëshira për të fluturuar, jo nga nevoja për të jetuar.

A tradhtoni porsi një grua? 

Askush nuk tradhton tjetrin! Paçka se të tjerët thonë se u tradhtuan prej nesh. E vetmja gjë që bëhet vetëm ndaj vetes e askujt tjetër është tradhtia. Unë e dua veten mbi tradhtinë! Unë ndoshta kam një koncept vetmitari mbi tradhtinë dhe jo vetëm atë. Megjithatë vetmia nuk është vetëm e dëmshme. Ose une e kam shndërruar në të dobishme!

Cila është pikëpamja juaj lidhur me feminizmin? Dhe si mendoni, në cilin nivel është diskutimi në Shqipëri?

Feminizmi nuk ka nevoje për mbrojtje. Kemi nevojë të mbrohemi prej feminizmit. Nuk ka gjë më të fortë se gjërat delikate! Feminizmi nuk është delikatesë! Është elegancë e mençurisë! Në Shqipëri ende nuk është shpikur matësi i shpirtit të njeriut. E pra mua më duket se shoqëria shqiptare më së shumti është gjallë në saj të shpirtit femëror. Po ta vësh re me vëmendje, burrat më të fortë në Shqipërinë e dikurshme, në Shqipërinë e tanishme, përjashtoj Shqipërinë e 50 vjetëve në komunizëm, ishin ata të cilët brenda tyre kishte atë gruan e vetme të secilit. Kur u zëvendësua, e kur zëvendësohet gruaja me partinë, burri kthehet në diçka tjetër që nuk është burrë-njeri.

Modeli juaj frymëzues?

Të gjitha gratë shqiptare jane model, përpara secilit burrë që nuk arrin të rritet, pikërisht nga kujdesi i tepërt për atë prej të cilit në fakt duhet të kujdeset, feminitetit. Do të merret me mendjemadhësi të them modelin e gruas sime. Mua më duket vetja Evë, e para grua e njerëzimit. Prej se sapo kam lindur unë, nëna ime shkoi. Të gjitha gratë e tjera ishin të shumta për model. Unë isha e vogël të zgjidhja njërën, më të mirën, edhe pse fëmijëve të gjithë njerëzit u duken të mirë. Më vonë, askush s’më bëhej modeli. Dhe vendosa të krijohem. Të bëhem grua, madje të bëhem grua model. Aq shumë jam marrë me krijimin e vetes, sa më duket se mos kam lindur nga ndonjë fletë libri. Përndryshe, për të mos e besuar frikën se mos kam lindur prej ndonjë libri, kam një lidhje të pashpjegueshme, magjike, të gjallë me varrezat. Sigurisht prej varrit të nënës, besoj!

Përse u duhet grave 30 perqindshi në vendimmarrje? 

Përse u duhet grave 30 përqindshi? (qesh) ! 30% nuk u duhet grave, u duhet burrave e burrërisë politike!

Po dhimbja, vuajtja, dëshpërimi si luftohen? Vetmia po ashtu? Apo juve ju kënden çastet vetmitare?

Është e tmerrshme ta mohosh shijen e dhimbjes. Krejt sekreti është të dish të dhimbesh bukur. Pa u zvarritur! Pa të nëpërkëmbur urretja! Lufta më e zorshme mendoj unë është lufta që bën njeriu për të shëruar dhimbjen me dashuri në vend të hakmarrjes.

Ju i takoni familjes po aq sa poezisë. Kur shkruani? Si u vidheni detyrimeve?

Familja nuk janë njerëzit që numëron në tavolinën e darkës, as krevatet që rregullon në mëngjes. Familja është këmbëngulja e njeriut vetë i dytë, për t’i dhënë frymë më shumë se tënden dashurisë. Të shkruarit në mua ndodh. Vjen të shkruarit e më vjedh mua. As vetë nuk e shpjegoj sesi. Thjesht shoh se të shkruarit ka ndodhur edhe tani që po shkruhem. Është e vetmja gjë që di ta bëj, pa e menduar, planifikuar …. madje nuk e di a më duhet a nuk më duhet kjo e shkruarit.

Ju jeni poezi? 

Jam padashje, nëse jam.

 

Biografia e Elinda Markut: “Jetët e vështira janë edhe jetët më të shijuara!”

Historia nis me Fierzën e Rubikut ku u lind më 20 shkurt 1969. Po çfarë  është  për të vendlindja? “Eshtë si poezia më e bukur e që nuk shkruhet, që gjynah të shkruhet. Poezitë e bukura (nëse më ka ndodh të kem shkruar ndonjëherë) më vjen gjynah që i kam shkruar, që mund t’i shkruaj”. Rrënjët përmenden shpesh në poezi, diku është Fierza, në një tjetër janë kujtimet e gjyshes, e në tjetrën akoma janë historitë njerëzve që të mbajnë mbërthyer. Në Shqipëri Elinda Marku jetoi deri më 1999, kohë kur kishte mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. S’do donte të ndryshonte asnjë sekondë të rinisë së saj edhe pse të jetuar në komunizëm. Sepse “komunizmi nuk ka lidhje me rininë tonë, ka lidhje me endrrat tona të atëhershme. Por unë nuk hoqa dorë nga ëndrrat…. e kështu ndoshta mbeta e re”, tregon. Pa ikur nga Shqipëria ishin botuar veprat poetike: “Dy herë e virgjër” dhe “Struktura e ferrit”, ndërsa “Macja blu@POEZI.com” u botua po në Lezhë me 2003, kohë kur ajo jetonte në Detroit, Michigan. Aty jetoi pasi fitoi llotarinë amerikane bashkë “me të gjitha humbjet” dhe nuk pranon të ketë ikur kurrë nga Shqipëria, madje në kontinentin tjetër “e jeton më dendur , më seriozisht, më dashurisht Shqipërinë!” dhe nuk ka ikur për një jetë më të mirë sepse “Jetën nuk e bëjnë të mirë vendet. Të jetosh mirë nuk do të thotë të kesh ujë e drita e gjëra që dikund tjetër  mungojnë”. “Nuk i do” poezitë e botuara, kështu që i shkruan dhe nuk ka rëndësi nëse ruhen sepse arti e “ka bërë detyrën”. Veç poezisë, koha e saj ndahet edhe me “Kuvendin” një revistë e përmuajshme e ngritur bashkë me botuesin Pjetër Jaku. Fillimisht është botuar në Lezhë më 1993 dhe tani botohet në Michigan, ku ka një komunitet prej afro 175 mijë shqiptarësh të të gjitha trevave. “Po të them se e botuam revistën për dobinë e komunitetit, nevojën e komunitetit, ose për të mirën e shqipes nuk më duket se do të isha krejt e sinqertë. Ne e botuam si një lutje që të mos na harronte Shqipëria dhe gjuha shqipe. Më vonë kjo revistë u bë e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Michigan”, nuk rresht së qëni e çlirët Elinda Marku, ashtu siç di ta shkruajë poezinë për vetën dhe për të tjerë.

 

Marrë nga Gazeta Fenix

15 Komente

Bravo signora, bravo, aplausi, te gjitha mire i ke, vetem ne nje vend ke gabuar, qe poezia (dhe ca te tjera te ngjashme, se nuk eshte vetem poezia de, ka edhe zanate te tjera) ka lindur nga frike e vdekjes, si njelloj bari magjik qe e mposht ate, dhe frike nga vdekja kane te gjithe, edhe guximtaret qe japin jeten per ide, din dhe atdhe, por nuk kane nga ja mbajne, sepse pjesa duhet lojtur deri ne fund te skeçit dhe skenarit qe diktohet nga Autori (sufleri ndihmon per te kujtuar pjesen e harruar).

Dhe ne kte interviste,i gjithe rrefimi qenka poezi. smiley

nuk e lexova akoma intervisten, lor me pohimin qe ben ne titull ka te drejte! nuk ka poete, tashme, ne Shqiperi. rasti "Mati i ri" e verteton kete.smiley

Ti e ke ba te udhes me ba komente pa i lexu gjanat.VQ-ja asht shembulli tipik sinjifikativ. smiley

smiley

 

Eli asht nje nder zerat me te mire te poezise shqiptare sot. nje nga ata qe mund te ishin poete. 

vetem se eli asht shume me nerva, po shume shume. 

kaq shume nerva te shkaterrojne. edhe poezine ta shkaterrojne. murit me kry nuk i bihet el. jane dashte mija vjet me u formulu kjo fjala e urte, cka do te thote se ka pase plot qe i kane ra murit me kry para teje, sic do kete edhe mbas teje. por, fatkeqesisht, perhere fiton muri. me dahste me shkaterru murin duhen leva, cekice, mjete. jo direkt bam me kry

Vetë e the; një nga ata që mund të ishin poetë. Pra ju po thoni qartë që s'është, mund ti kishe kursyer vetes lodhjen e rreshtave të mëposhtë shkruar smiley

e thashe. por une edhe gaboj. sa here kam gabu ne jete, fiuuuu!

personalisht mendoj se ka poezi te elinda qe jane te jashtezakonshme. por pastaj ka te tjera qe jane te lodhshme, te lodhura. diskursi filozofik i saj eshte i lodhshem dhe i paqarte. besoj se mundem te kuptoj dicka prej elindes duke qene se ndajme disa gjera te perbashketa, si qyetin e lezhes, poezine dhe simpatine per njeri tjetrin. smiley une elin e du fort, per te gjitha sa e njoh (virtualisht dhe ne thashetheme njerezish) dhe nuk i heq asnje presje, por po te mundte ajo t'i jetonte gjerat e saj, pa dashte me ju imponu te tjereve se ajo ka te drejte, por thjeshte duke i jetu, do te ishte e mrekullueshme. 

ndoshta eli eshte poete, dhe e madhe bilez, por fakti qe eshte me nerva, e ben njeri, njeri te thjehste e kaq. por, dhe poetet njerez jane. 

Kemi nevojë të mbrohemi prej feminizmit. Nuk ka gjë më të fortë se gjërat delikate! Feminizmi nuk është delikatesë! Është elegancë e mençurisë! 

apapaa, mu derdh filxhani kafes nga kenaqsia. Kjo qenka Macja Blu? Do ti kthehem prape pasi te shkoj te paguaj faturen e dritave.

...poetë pa poezi do ishte shumë më e saktë. Meqë poet mund t'i thotë vetes kushdo e poezi nuk mund të shkruajë kushdo.

Kurse une mendoj se me Fjalen mund te behen lodra fjalesh sa te duash, mjafton t'i xhirosh sa andej-kendej, frazat e fillimit i nxjerr te fundit, dhe anasjelltas, mjafton te mos humbi kuptimi, por edhe po humbi kuptimi nuk prish shume pune se ke bere art modern, biles edhe filozofi moderne, biles biles edhe logjike moderne qe eshte nje lende qe behet ne filologjik.

Ca ti bojme , Moli ne France , Cimi ne Amerike , ka ngel poezia jetime , iku ajka...iku...

smiley

keni behar gjoken atje, mer. mos u ligshto.

edhe behar meren. ca do mo ti?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).