Dy anëtarë të një ekipi fushate debatonin pak ditë më parë për një shkrim të Friedman-it sesa ngushtë qëndron e lidhur ekonomia me politikën dhe anasjelltas. Të këndshëm, veshur bukur, me artikulime të qarta, ndoshta debatin mund ta bënin po kaq mirë edhe në anglisht, të dy djemtë, mundoheshin t’i mbushnin mendjen njëri-tjetrit se kush dominon sot në këtë kohë krize: politika apo ekonomia... Mjaftoi një zile tek një nga i-Phone t’ua ndërpriste bisedën. Shefi u kërkonte llogari se pse karriget s’ishin vendosur mirë, posterat ishin shtrembër, dhe se kush i kish thirrur ato fytyrat e murrëtyera që rrinin te cepi... Episodi i treguar gjendet në fushatën e sotme, ku slogane bombë, premtime, shprehje ekonomike me artikulime boshe për të ardhmen e vendit, i lënë vendin njëra-tjetrës. Pa qenë ekonomistë, juristë dhe pa formim të shkencave politike, Rama dhe Berisha të dy mëtonjësit e ardhshëm të kreut të vendit, duket se nuk e dinë ose më saktë nuk kuptojnë se çfarë mund t’i flasin realisht, në këtë kohë krize, publikut krejt të lodhur nga tranzicioni i pafund. Ndaj, imazhet e fundit, të ngulitura më saktë në mendjet e publikut janë thjesht dajrja e pretendentit për kryeministër Rama dhe fyelli i kryetares së ditëve të saj të fundit të Kuvendit, Topalli.

Në çdo ditë, ekipe të tëra të rinjsh dhe stafesh ndjekin sipas stilit alla-shqiptar dy pretendentët për kryeministrin e ri të Shqipërisë, post Qershor ’13. Berisha me pafytyrësinë më të madhe kërkon mandatin e tretë edhe pse e ka zhytur vendin në një varfëri skajore, kurse tjetri pa fare modesti e kërkon mandatin e parë me pretendimin se do ndryshojë gjithçka me pathosin e personazheve të romaneve të realizimit Socialist. Edhe pse, ky i dyti, ka luksin në fushatë ngaqë lundron me ndihmën e lodhjes së një Shqipërie krejt të drobitur, papunësie masive, presioni të paparë ndaj njerëzve, biznesesh të asfiksuara, dhe probleme sociale gati të ngjashme me vendet më të pasme të Botës së Tretë.

Por, në shtegun për të rrëmbyer karrigen e Njëshit, Rama dhe Berisha, si dhe kolegët e tyre të partive të tjera më të vogla, po na tregojnë qartë se administrimin e Shqipërisë nuk e kanë asfare seriozisht. Pasi shkëlqimit që të lëbyr sytë prej reklamave milionëshe; poteres tallava, që shoqëron retorikën e dy pretendentëve; premtimeve të parealizueshme, mungon sjellja ndaj krizës dhe veprimi real në fushatë në kushte si të tilla. Që do të thotë, që të dy palët mund të ishin më të kursyera në skenografitë e lëbyrshme milionëshe dhe shpenzimet e tjera marramendëse të fushatës. Për ironi, këtë e kanë bërë me kujdes në vitet e fundit të gjitha simotrat evropiane të Majta e të Djathta, kudoqoftë, që politikanët tanë përpiqen t’i imitojnë.

Berisha premton tashmë viza amerikane (ndërkohë po bien sërish kambanat për kthimin e vizave nga Evropa) dhe 250.000 vende pune, e nuk na thotë akoma, sesi do të lajë borxhet mbytëse që janë krijuar në mandatin e tij, ndërsa kolegu i tij kundërshtar i fushatës Rama shton se do zgjidhë si Demokleu pronat, turizmi do shtohet, do rishikohen taksat, do rivitalizohen zonat rurale etj. E sesi mund t’i zgjidhë, e di vetëm ai, pasi vendi e ka të pazgjidhshëm problemin themelor të pronave (sot mbushur me shumë gjak), apo të dytin ku shpërngulja pakriter e popullsisë i bën të pamjafta idetë për vitalizmin e zonës rurale, që tashmë është larguar masivisht, një element që po ndodh edhe në të gjitha vendet e Ballkanit apo turizmit që infrastruktura reale shqiptare nuk i zgjidh dot edhe për disa dekada të tjera. Premtimet, megjithatë s’ndalen.

Projekte të tilla do merrnin jetë dhe do ishin të besueshme kur partitë do na rrëfenin sesi do shkurtonin t’ardhurat në xhepat e tyre. Dhe, kjo do dukej nga një fushatë e bërë thjeshtë dhe transparente apo nga transparenca e duhur e donacioneve të biznesmenëve që po e sponsorizojnë gati anonimisht këtë tallava publike. Të paktën, këta të fundit, sikur të mendonin dhe të ishin kaq bujarë edhe për të punësuarit e tyre në këtë mënyrë, do kishim shumë më pak shqetësime sociale. Dhe, ndaj ndodhin paradokse të tilla në Shqipëri, kur bëhen Konventat e PS-së dhe PD-së me shpenzime të mëdha, të ngjashme me aktivitetet në vende që kanë prosperitete shekullore, shtuar me forume apo show gati të përditshme, ndërsa nuk mund të gjeneroheshin dot edhe ato pak mijëra dollarë që kishte nevojë të vazhdonte jeta e një fëmije (bërë publike në News 24)! Apo mblidhet PDIU me një aktivitet të jashtëzakonshëm dhe e përcjell PR-ja me një të tillë, me përfaqësime gati modeste në parlament.

Kjo të bën të besosh se forcat e sotme politike, që nuk i japin dot as përmbajtjen më thelbësore humane idesë së programit të tyre, nuk mund të krijojnë kurrë modele ekonomike, që ta zhvillojnë vendin. Jo më kot, Shqipëria në 23 vjet, ka treguar se është e njohur për mungesë modeli. Të mendosh mjaftoi kriza në Greqi e Itali të kuptoje se përsiatjet e ekonomistëve dhe sidomos politikanëve tanë kryesorë (shpesh profanë në ekonomi) ishin thjesht bllofe, pasi ekonomia jonë mbetet e bazuar totalisht në punën e emigrantëve, si dhe ato pak punë të tjera që lidhen me trafiqet, do shprehej një nga ekonomistët më të njohur të vendit. Thjesht rënia ekonomike e fqinjëve grekë dhe italianë që solli mungesën e të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e trafiqeve të të  gjitha llojeve, prej punës së mirë të disa qeverive në këtë drejtim dhe kontrollit më të madh të komunitetit evropian ndaj këtyre trafiqeve, e zhyti vendin në krizë.

Ja pse në vitin 2013 partitë kryesore shqiptare duhet t’i tregonin elektoratit shqiptar se e kishin me gjithë mend drejtimin e vendit në këtë kohë krize dhe jo mbijetesën e racës së tyre deputetore, mbushur me kushërinj, biznesmenë dhe njerëz të paaftë e të turpshëm. Një fakt që na e bën edhe më të vështirë daljen tonë nga kriza, që edhe pas Qershorit pritet të jetë e avashtë, ndikuar edhe nga zhvillimet ekonomike në Bashkimin Evropian, rajon e më gjerë.

Ekonomistët klasikë politikë si Smithi dhe Rikardo kurrë se përdornin thjesht termin “ekonomi” të veçuar nga koncepti politik, bisedonin djemtë e fushatës, por pa mundur t’i shpjegonin shefit që mëton pushtetin, se kriza e vendit do t’ua tregojë sërish shpejt fytyrën në mandatin e ardhshëm. Atëherë kur s’do kenë më ç’të premtojnë por do trokasin si lypsarë për borxhe. Friedman këtë e shpjegon me mungesën e legjitimitetit financiar, kurse politikanët tanë, praktikisht... me mungesën e përgjegjësive reale për vendin e tyre.

6 Komente

Sot kam një lajm të mirë dhe një lajm të keq

good news - bad news Spahiu, gjynah qe politikane te tille s'bejne prokopi n'vendin tone smiley

Perfytyro nje kryeminister qe e fillon konferencen e shtypit me kete fraze dhe ben nje pauze pas saj; suspance, pritshmeri, pëshpëshpëshe ne salle dhe ne shtepite dhe barkafenete shqiptare kudo si jane...ka lezet.

Vendi une po vdes nga suspancemungesat. Sipas nje studimi te Instatit, gjate fushatave elektorale grate shqiptare i tradhetojne burrat 37% here me shume nga mungesa e suspances dhe ndihen te zhgenjyera ne 68% te rasteve nga mungesa e suspances gjate tradhetise.

si more shiten biletat neper oborret e selive?!

Bukur smiley me pelqeu. Di gje njeri se ne ç'gazete apo me sakte ne ç'vend punon Ben Andoni, ti jap nje kafe me bisht smiley

E dija qe do ta pelqeje kete shkrim Pjer.  Vetem njerzit me kapacitet dine te vleresojne kesi shkrimesh, kur thjeshtoret bujkrober e milidele merren me floket e lyera dhe botoksin qe ben Berisha per spotin elektoral.

nuk mund të krijojnë kurrë modele ekonomike, që ta zhvillojnë vendin. Jo më kot, Shqipëria në 23 vjet, ka treguar se është e njohur për mungesë modeli.

sakte. shkrim i mire , po kembanat i degjon njeri smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).