Të ofrosh në kohën tonë një model të organizimit apo riorganizimit të shoqërisë, do të thotë të japësh një mënyrë organizimi përballë krizës monetare e financiare e shpërfaqur me gjithë nënrenditjet e saj si, krizë e kredive të pakthyera, si krizë e ngurtësimit të investimeve në shtëpi apo në pasuri të tjera imobiliare që ka shpënë në pafuqinë për tu kthyer bankave detyrimet kreditonjëse, si krizë e rënies së ritmit të zhvillimit, e papunësisë dhe uljes së investimeve, si krizë që ka vizatuar lakore të rrezikshme për fate parash botërore dhe që tronditjet e thella në qendrat imperiale të tregut kanë shpënë falë rrathëve tektonikë të financës në shkundje të periferisë që ka borxhe dhe nuk është se bujonë në një rritje që gëzon me shëndoshje të financave publike, ndaj pafuqia provinciale paguan me tregje dhe pasuri kombëtare. Të dy modelet shoqërore, Liberaldemokrate dhe Socialdemokrate, ngado që të sillen; nga ky shteg do duhet të kalojnë, qoftë duke mbetur fanatik të ideologjisë së tyre, qoftë duke pranuar dobishmërinë e masave që janë detyrime shtrënguese të kushteve dhe që tejkalojnë programet partiake, profilin, që rëndomë njihen si të djathtë; apo të majtë. Kriza ka rrëzuar principe të thella si, tregu drejtohet nga “duart e fshehta” të Adam Smithit, dhe politika vendimmarrëse ka ndërhyrë jo thjesht për tregun e paekuilibruar, por edhe për fatin e sistemit dhe jetëgjatësinë e mekanizmit, kreditim(pushteti bankar) investim(risku)-kthimi i kredisë(detyrimi fatal). Kur ky mekanizëm u zgjerua duke futur në lojë rreth 4 miliardë njerëz, shifër e konstatuar nga analizat që iu parashtruan mbledhjes së ‘G20’ në Samitin për krizën në hyrje të saj, ndoqa fare pak vite më parë dhe po i pamë të kredituarit si adult, do të thotë prindër fëmijësh, kështu që në një farë kuptimi i gjithë njerëzimi është në lojën e të qenit e kredituar. Realiteti i shkallëzuar tregon se bankat kredituan bankat falë BOT (Building Operation Transfer), e ato më tej tregun e letrave me vlerë, biznesin prodhues, dhe njeriun me iniciativë në treg për investime. Si rrjedhojë erdhi një moment që paratë nuk po ktheheshin.

Procesi spiraloi deri në kapilarë duke u bllokuar. Imperialiteti i tregut, globalizmi financiar pësoi krisje. Ishte tronditur thellë, është ende në situatë të pastabilizuar dhe jo i sigurt plotësisht, aq sa është në diskutim sistemi dhe jo disa elemente të tij. Nuk është si “kriza tregtare” e viteve 20-30, por është një tejet e thellë, është “krizë financiare”. Realiteti ynë social-ekonomik, si ai parazgjedhor, si zgjedhor dhe si ai paszgjedhor, nuk mund të dalë jashtë nga diagramat e këtyre boshteve globale. Ne jemi pjesë e tregut global, e themi apo nuk duam ta pohojmë, e dimë (masa e gjerë antropologjike) apo nuk ka interesa dhe kulturë të mjaftueshme për ta kuptuar. Është e domosdoshme të dimë se cila është traseja, cilat janë shinat, dhe cili është treni i fatit tonë të përbashkët. Nëse flitet jashtë modelit, kjo sjell pasoja të rënda. Aventura të tilla të arnimeve dhe të “revolucioneve” në gotën e ujit, janë përpjekje afatshkurtra që rrëzohen qysh në ndeshjen me puhizën dhe jo më me furtunën. Kriza ka bërë që dhe modelet të vetëshihen me korrigjim, të rimodulohen dhe të kapërcejnë kufijtë tradicionalë të identitetit konservativ ideor dhe të shkollave politike përkatëse. Lypet shërimi i gjendjes. Në këta kushte, nuk ka vetëpengime për mbajtje fanatike të tipareve të llojit dhe të traditës kulturore ideologjike. Kapërcimet janë bërë të modës. Përdorshmëria e shembullit zbret në histori deri në vitin e largët 1795, kur u dogj Kopenhageni, por se përvoja daneze është e tillë që nuk lejojnë krizë të kredive të pakthyera për shtëpi në vitin 2008 e në vazhdim, sepse kishte një legjislacion preventiv mjaft efikas, që quhet POB-Principle of Balance, e që kishte zënë rrënjë nga ajo ngjarje e largët dhe tragjike! Garanti për kreditim është bondi i blerë. Aktualisht në SHBA po punohet që të implementohet në legjislacionin amerikan përvoja daneze. 

Tek ne flitet për heqjen e TVSH-s së vezës dhe për rrezikun që ka ardhur nga dyfishimi e çmimit të vajit, apo rritjes së çmimit të miellit, si një “zbulim”; dhe shpejtohet të jepet si “model” ai që do të korrigjojë me masa kujdestarie çmimet e ushqimeve. Këto janë naivitete. Sa larg dhe sa anash jemi atyre që diskutohen dhe aplikohen në botën globale përballë krizës. Ndërhyrja e modeleve tek njëri-tjetri është i evidentuar dhe artikuluar, ndaj pikat zero të fillimit apo rifillimit, të përmbysjes apo të “ringjalljes”, janë tregues emocionalë. Ciklet ekonomike, vijueshmëria institucionale, detyrimet korente brenda dhe jashtë vendit, në veçanti ndaj institucioneve financiare e bankare, e sjellin tablonë të tillë që nuk mund të bësh si mendon, si dëshiron apo si imagjinon ti forcë politike apo koalicion qeverisës. Ke detyrime të bartura kur vjen në pushtet, që si një inerci detyruese të shtrëngojnë të bësh atë që se ke thënë, nuk e ke premtuar. Mund ta nisësh pa dëshirën tënde me të kundërtën e asaj që ke thënë dhe ke premtuar në një fushatë elektorale. Mund të dojë Socialdemokracia të injorojë principet Liberaldemokrate, por se nuk ka nga shkon, duhet të respektojë parimet e saj si: Demokracia pluraliste me shtet-ligjor. Pushtetin politik që bazohet në kushtetutshmëri, dhe sovranitetin popullor i organizuar në bazë të principeve të shumicës demokratike. Mund të dëshirojë Liberaldemokracia “komandën e tregut”, në një “laissez faire” pa kufij, por se kriza e detyroi të djathtën tradicionale europiane të vepronte me autoritet shtetëror parcial në secilin vend anëtar, dhe intershtetëror institucional në kuadrin komunitar, përballë pasojave të krizës financiare. Porse përtej këtyre rrënjëve, ka dallime të konturuara dhe të shprehura në modelimin e shoqërisë si një proces zhvillimi, në kushtet dhe rrethanat e një krize globale financiare. Zgjerimi formal i vlefshmërisë për të drejtat civile dhe liritë, si edhe propozohen nga Liberaldemokracia (V.o për marrëveshje fjale e “djathta”), është i pamjaftueshëm, nga pozicioni dhe këndgjykimi i tyre prej socialdemokracisë(e majta). Sipas Socialdemokracisë së sotme moderne, pabarazia ekonomike mund të shpjerë në marrëdhënie të varësisë dhe nënshtrimit, në kushte jo humane të punës (rasti ynë; puna ç’njerëzore e grave, fëmijëve dhe minatorëve të kromit); si dhe mundësitë e pabarabarta për të ushtruar të drejtat politike të qytetarisë. Ky aspekt i fundit është mjaft i theksuar në vendet në zhvillim si edhe është Shqipëria, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për grupe shoqërore, por edhe për zona të tëra që kanë dallime të thella në zhvillimin e përgjithshëm, duke u krijuar në vite dy grupime të mëdha antropo-institucionale, atë të njerëzve me edukatë dhe vetëdije civile, që janë të përgjegjshëm për sovranitetet, dhe grupin ndoshta më të madh të njerëzve, që përpëliten në zgrip, në nevojë, të cilët nuk kërkojnë sigurim të të drejtave prej qytetari, në kuptimin më të gjerë, por se lypin një shteg dalje në zgjidhjen e halleve dhe nevojave të momentit si mbijetesë, përballë varfërisë dhe pasigurisë së jetës. 

Në shprehjen e opinionit, që është nga format më demokratike të komunikimit dhe lirisë së shprehjes, mes Liberaldemokracisë dhe Socialdemokracisë ka ndryshime që, duhen vizatuar qartazi dhe me vija të dallueshme e të ngjyrosura në kontrast. Qëndrimi i Liberaldemokracisë është i tillë “që shteti të mos bëjë asgjë për kufizimin e të drejtës së fjalës”, dhe kjo duket shumë e hapur dhe tejet liridashëse, por se këndvështrimi Socialdemokrat nënvizon se; “Shteti duhet të marrë vendime dhe hapa të mëtejshme dhe aktivitete që promovojnë mundësi reale dhe të barabarta në shprehjen e opinioneve”. 

Në këtë “pazarin tonë të fjalës” shikojmë raste që media kombëtare publike kanë prishur dukshëm ekuilibrat e informimit në pluralitet gjithëpërfshirës të opinioneve. Ndërsa disa nga mediat private janë të pozicionuara thekshëm nga interesa tregu si edhe nga rreshtimi në oligarkitë politiko-ekonomike. Shpesh ato paraqiten qartazi si “organe mediatike partish”. Ne kemi opinionistë pa hesap. Kemi të tipit rural-kulturë, të ritualit nënurban dhe të profilit urban. Kemi me gjysmë kulturë, me pak ose fare pak kulturë, por kemi edhe të shitur dhe të blerë disa herë dhe nga disa pronarë. Për fatin tonë jo të mirë institucion të opinionit pluralistë dhe të barabartë e gjithëdrejtimor, në shërbim të opinionit publik dhe atij social, ende nuk kemi. Grupime të gjëra shoqërore nuk gjejnë hyrje në shprehjen e opinionit të tyre. Ata ose lihen në haresë, ose për to flasin të tjerë, sipas interesave të tyre. Në kësi rrethanash shumica e grupimeve apo individëve të profesioneve të lira, janë të dëmtuar dy herë, edhe si të pa konsideruar në të drejtën e shprehjes së opinionit të tyre; edhe si “viktima” të opinionit të deformuar nga ato subjekte partiake ose mediatike-partiake, që nuk reken nga marrëveshja me të vërtetën, por nga tymnaja propagandistike që ka veshur kostumin gjoja të “lirisë së medias në informim” dhe “të opinionizmit pa kufij”. Kështu për shkencëtarët dhe shkencën flasin “opinionistët”, për monetarizmin dhe bankat flasin gazetarë, për historinë flasin politikanë, për njerëzit në nevojë flasin ata që e kanë xhepin të mufatur nga paratë dhe kontot me begati në bankat jashtë Shqipërisë, për burimet natyrore flasin psedufilantropët, dhe për lirinë e shprehjes flasin pronarë mediash që nuk paguajnë rogat e punonjësve. Opinionizmi tek ne është një rrëmujë e organizuar vetëm me një qëllim, mosmbajtjen e marrëveshjes me të vërtetën, shitjen e kallpës për sadef dhe të vulgares për mendim elitar. Opinion përçart që flet dhe nuk thotë atë që duhet. Kjo ka sjellë kakofoninë në opinion dhe harresën për shumë shtresa dhe grupe shoqërore. 

Liberaldemokracia e Socialdemokracia (tek ne nuk) veprojnë bazuar në parime të qarta dhe të tipologjisë së tyre ideo-programore. Dallimet e tyre janë edhe më të dallueshme në lidhje me objektivat që kanë të bëjnë me rendin ekonomik. Kryesori është në kuptimin dhe vlerësimin që e djathta dhe e majta japin për tregun. Liberaldemokracia- e djathta “i kupton tregjet si një shprehje të lirisë dhe prandaj përpiqet për vetrregullimin e tregjeve në mënyrë të pavarur”. Socialdemokracia-e majta, në të kundërt thekson se “liria e tregjeve në tërësi mund të shpjerë në rezultate të cilat janë të padëshiruara për shoqërinë si një tërësi.” Kriza financiare që filloi në vitin 2008 dhe që ende vazhdon është një shembull që provon këtë përfundim. Socialdemokracia prandaj bën thirrje për kultivimin e tregjeve sociale që nënkupton një kuadër të imponuar politik dhe rregullim shtetëror të tyre. E djathta dhe e majta dallojnë dukshëm në çështjet e politikave ekonomike. Liberaldemokracia bazohet tek prona pa detyrime sociale, tek vetërregullimi i tregjeve, kufizimin e demokracisë tek fusha politike, tek vlefshmëria formale e të drejtave të njeriut, mbështetjen e lirive dhe të drejtave civile edhe negative. Në rastin tonë tipike është iniciativa për investime individuale e familjare mbi baza jo ligjore dhe zaptimi i tokave të tjerëve që ka sjell një realitet të zonave shumë të gjëra informale. 

Socialdemokracia bazohet në të drejtat ekonomike dhe sociale themelore. Në një kushtetutë që garanton të drejtat bazike, si pjesëmarrjen e rregulluar, sigurime sociale të rregulluara ligjërisht, në shpërndarjen e bazuar në drejtësi. Për të djathtën e drejta absolute e pronës shkon kundra qëndrimit të së majtës për pronën me detyrime sociale. Vetërregullimi tregjeve, teza e së djathtës është e ndryshme nga teza e së majtës, “se tregjet janë të inkorporuar në mënyrë sociale”. E djathta e kupton tregun si një institucion me të drejta të plota për sigurimin e lirisë dhe ky qëndrim principal është i kundërt më vlerësimin e së majtës që, përpiqet të mbajë nën kontroll tensionet mes demokracisë dhe tregut. E djathta refuzon demokratizimin ekonomik, ndërsa e majta e pranon demokratizimin ekonomik. 

Nëse i referohemi Socialdemokracisë Gjermane, një nga më të konsoliduarat në Europë dhe më gjerë, është me interes tu adresohemi tezave të një programi afatgjatë, të njohur si “Programi i Hamburgut”. Në këtë program shkruhet si më poshtë, e citoj:” Në vlerësimin tonë tregjet janë formë e kordinimit ekonomik dhe me alternativë superiore. Tregjet janë të lejuar në aktivitetet e tyre, gjithsesi ata janë së bashku me verbëritë sociale dhe ambientale. Ata nuk janë në gjendje në vetvete të ofrojnë të mira publike në një sasi të kënaqshme. Në qoftë se tregjet janë që të plotësojnë potencialet e tyre, ata kanë nevojë për rregullimin nga shteti, i cili është në gjendje të aplikojë sanksione, ligje efektive dhe çmime të drejta.(Programi Hamburgut, 2007:17) 

Çështja e modeleve nuk mund të anashkalohet, edhe në një vend me demokraci të brishtë si edhe është Shqipëria. Rregullat dhe programet drejtuese të shoqërisë nuk janë vetëm detyrim vendor, por edhe obligim në përputhje me institucionalizmin ndërkombëtar. Një shoqëri pa model është shprehje e një loje pa rregulla, ku raportet ndërpushtetore si pavarësi dhe bashkëpunim plotësonjës çekuilibrohen; ekzekutivi dhe tregu me lidhje të hapura dhe të fshehura, shëndrohen në oligarki sundonjëse. Individi humbet lirinë dhe pavarësinë, publikja nëpërkëmbet, socialja deformohet në favor të privates, dhe demokracia i nënshtrohet tregut dhe kapitalizmit duke u bjerur deri në formalitet. Të paraqesësh modelin para zgjedhësve, do të thotë të kesh pika referimi, detyrime të artikuluara, njësim krahasues, përgjegjësi programore dhe detyrime raportimi të kontrollueshëm nga zgjedhësit në mënyrë të pandërprerë. 

Modeli i organizimit shoqëror mund të mos t’i japë të gjitha pasojat pozitive apo jo të tilla menjëherë dhe brenda mandatit/teve qeverisës/se, por në një hark kohor shumë më të gjatë; aq sa ndodh që frytet e një investimi të një krahu politik, mund t’i përftojë një tjetër krah. Këtu nuk ka asgjë për të ligështuar sepse në fund të fundit fiton shoqëria, fiton individi, përfiton zhvillimi e prosperiteti. Modeli krijon edhe tipin e antropoindividit. Nëse modeli vë në qendër zotërimin dhe shtimin e tij të shfrenuar dhe të pakontrolluar, atëherë arsyeton Erich Fromm: “Marrëdhëniet e ndërsjellta…janë të vështira, të rënda, të mbarsura me konflikte dhe shpërthime xhelozie… Bazën e përgjithshme të marrëdhënieve midis individëve… sipas parimit të zotërimit, e bëjnë ndeshja, antagonizmi dhe tmerri.” Kjo lloj deviance në realitetin tonë shoqëror dhe politik ku nënkultura si klimë e përgjithshme vizaton tiparet, ka bërë që gjithçka si gjatë fushatës elektorale, por edhe para apo pas saj, të jetë thekshëm konfliktuale. Ky rivalitet, kjo lloj ndeshje, ky ballafaqim dhe ky antagonizëm nuk bëhet për modelin dhe modelimin e shoqërisë, një përballje e tillë nuk mund të krijojë një filozofi të tillë sjellje. Gjithçka është më e thjeshtë, kush do të ketë radhën e zotërimit si pushtet parlamentar, si pushtet ekzekutiv, si pushtet gjyqësor dhe mediatik, dhe falë tyre kush do të shtojë më shumë zotërimin. Nuk bëjnë sens, të “djathtë” që përunjen duke folur për politika asistenciale të majta dhe njëherësh të “majtë” miliarderë që as kanë dëgjuar dhe as janë të “takëmit” të solidaritetit njerëzor e social.

Ndryshimi në shoqëri, përpos zëvendësimit të modeleve, kur ndërrohen krahët politik, shtron dhe zgjidh një tjetër raport, më thelbësor dhe gjenerues, atë mes të vjetrës, të provuarës dhe të resë, premtueses. Ky raport është mjaft kompleks dhe kundërvepronjës, aq sa duket se nxit apo pengon ndryshimin njëherësh. Në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme në vetëdijen dhe nënvetëdijen e qytetarit, zgjedhësit, dialogojnë “siguria dhe rreziku”. Për psikologjinë spontane dhe ritualin antropologjik, “vetëm e vjetra e sprovuar është e sigurt, ose të paktën na duket kështu. Çdo hap i ri fsheh për një pjesë të shoqërisë rrezikun e disfatës dhe kjo është një nga shkaqet që njerëzit i tremben lirisë.” Njeriu ka frikë se mos humbësi atë që ka, ndaj bëhet agresiv (e rreh barbarisht një kandidat për deputet të një partie tjetër ), sillet ashpër (le të shohim gjuhën e fushatës), i dyshimtë (lëvizshmëria në kahe të ndryshme politike), por njeriu bëhet edhe i mbyllur, egocentrik, vetëm e vetëm që të siguroi atë që ka në zotërim. Ky tip antropologjik në pozitën e votuesit, është ai që e rrezikon demokracinë. Nuk arsyeton dhe nuk shef përtej të sotmes dhe në interes të zhvillimit të përgjithshëm dhe “demokratizimit të demokracisë”. Ndërsa njerëzit entuziazmohen me ata që janë në gjendje të projektojnë të renë si zhvillim dhe jo thjeshtë si ndryshim, si përfitim shoqëror dhe social dhe jo si akomodim të përgjithshëm infrastrukturor, sepse ai që nuk ka makinë dhe vilë në “gjirin e ngrohtë të plazhit”; Nuk pyet për rrugën dhe cilësinë e saj. Ai do ushqim për fëmijët, spital human, shkollë të ngrohtë ku edukohen nxënësit, gjykatë që jep drejtësi, dhe pension që nuk të lë si qyqar në fundin e jetës, paçka se mund të kesh punuar një jetë të tërë. Njerëzit, e në mënyrë të veçantë brezat e rinj dhe gratë, qytetarët korrekt, akademikët, studiuesit dhe elitarët, artistët dhe krijuesit, ata që vuajnë dhe lypin rrugë të ndershme, ata që presin të marrin pronat familjare, gjyqtarët që japin drejtësi dhe janë të pa korruptuar, mësuesi i ndershëm dhe aspirant i ri; etj nuk tremben të shkojnë përpara, sepse nuk kanë frikë nga liria, ata e duan atë. Kjo sjellje e bën njeriun aktiv, krijues dhe energjik. Ndryshimi si zhvillim real vjen nga ky tip antropologjik, dhe jo nga premtimet partiake apo llogaritjet antikundërshtar, pavarësisht se nga cili krah vijnë. “Unë bëj ai nuk bën”, kjo filozofi sjelljeje nuk krijon energji ndryshimi, sepse kjo fuqi shoqërore në kuptimin popullor, është gjithnjë sinergji, pavarësisht se për kë voton individi, qeveria u shërben të gjithëve.

Demokracia është gjithëpërfshirje dhe jo sundim i një pjese ndaj pjesës tjetër, i fituesve ndaj humbësve. Një kandidat për deputet shkruante këto ditë në rrjetin social ‘Fb’ se “nëse njerëzit do të ishin si toka, me kaq punë sa kemi bërë, do duhej të na jepnin dy herë prodhim. Nuk e di se si do të na e shpërblejnë në fund”,- e mbyllte shënimin ky deputet i mundshëm. I shkruajta se: “Nuk ka tokë të keqe, thoshte Miçurini, por ka njerëz që nuk dinë ta punojnë atë. Sigurisht nëse ju e dini se kush ishte Miçurini do ta kuptoni përgjigjen time”. Problemi që ngre ky kandidat i “shqetësuar” se mos nuk bëhet deputet, shtron një çështje mjaft komplekse dhe delikate. Ajo njihet në antropologjinë socio-institucionale si “krijimi besimit përmjet komunikimit.” Në muajin Mars 2013 në një forum botëror janë përcaktuar tezat dhe problemet e “Antropologjisë së Shekullit”.(Kam fatin dhe privilegjin që dokumentet e këtij forumi të më vinin on-line të adresuara nominalisht). Antropologu Dan Sperber, në parashtrimin e tij të plotë “Arsyetimet për arsyen” e trajton në këtë gjerësi argumentuese çështjen e besueshmërisë në komunikim. Bazuar në tezën e gjithëpranuar njeriu nga natyra është bashkëpunues madje edhe jo ksenofob, Zoti Sperber nënvizon se, e citoj: “… pjesë e asaj që e bën këtë bashkëpunim të mundshëm është se; Ne jemi vigjilent të ndershëm, në lidhje me qëllimet e të tjerëve, për kompetencat e tyre, për vullnetin e tyre të mirë, e kështu me radhë. Unë nuk jam duke thënë se ne jemi paranojak, është pikërisht një vetëdije që njerëzit e kanë për shumëllojshmërinë e motivimeve”. Trinomi është pra, qëllimet-kompetencat-vullneti. Ja pra zoti kandidat që e krahason zgjedhësin me tokën e punuar, se çfarë u dashka. Nëse njerëzit që do të votojnë konsiderohen në masë e si pa aftësi orientimi, ose të manipulueshëm vetëm emocionalisht, është gabim. Njeriu mesatar por edhe ai i zakonshëm, ka të krijuar në ritualin e tij në breza “vigjilencën epistemike”. Për kandidatin/tët, po e them më thjeshtë, “vigjilenca e njohurive”. Kjo gjendje gatishmërie dhe analize për tu siguruar, merr një shumëllojshmëri formash kulturore. Ndaj në komunikim do duhet të jesh i aftë të dallosh se cilët njerëz të besojnë, ku dhe si; dhe cilët nuk. Çështja e besimit në kultura të ndryshme merr forma të ndryshme, sepse lidhet me traditën, kulturën, antropo-institucionalizimin, dhe besueshmërinë institucionale. Besimi i vërtetë është më thelbësori. “ Në këndvështrimin e atij që komunikon, thelbësore-thotë Dan Sperber,- është mënyra si të bindësh njerëzit të cilët nuk do të besonin se je duke thënë të vërtetën. Nga këndvështrimi audiencës, thelbësore është mënyra e vlerësimit të argumenteve dhe arsyet që njerëzit të japin ty. Të arsyetuarit kuptohet si mjeti parë dhe kryesori për komunikimin. Që nga koha e Aristotelit, retorika kërkon dhe logjikë, kështu krijohet ‘arti i bindjes’(art of persuasion)”. Dekarti, por dhe Hobsi përpunuan tezën ndriçonjëse se “arsyeja bëhet nga “llogaritja e pasojave”. Ky është universiteti i ritualit të jetës që është ushqyer nga përvoja në breza. Pa model nuk ka sistem. Pa zgjedhje të përgjithshme që e ruajnë sistemin duke alternuar modelin në bazë të rezultateve të pamohuara të zgjedhjeve të certifikuara edhe ndërkombëtarisht, nuk ka demokraci funksionale. Modeli në kushtet e vendit tonë do të duhet të përballojë pasojat e krizës dhe të sigurojë ngritjen dhe zhvillimin, do të duhet të rigjallërojë demokracinë institucionale, do të duhet gjithë po aq, të ndryshojë ndjeshëm jetën e njeriut në të gjitha nivelet. “Quidquit delirant reges, plectuntur Achivi”-(Është populli ai që vuan gabimet e qeveritarëve.) 

Historia vazhdon!

2 Komente

 Artikull shum interesant, dhe habitem se si u ka shpetuar syrit te komentatorve ketu. Si duket lexuesit e Peshkut duan artikuj me tituj bombastik dhe me permbajtje vetem politiko-sallore. 

 " .... Në këtë “pazarin tonë të fjalës” shikojmë raste që media kombëtare publike kanë prishur dukshëm ekuilibrat e informimit në pluralitet gjithëpërfshirës të opinioneve. Ndërsa disa nga mediat private janë të pozicionuara thekshëm nga interesa tregu si edhe nga rreshtimi në oligarkitë politiko-ekonomike. Shpesh ato paraqiten qartazi si “organe mediatike partish”. Ne kemi opinionistë pa hesap. Kemi të tipit rural-kulturë, të ritualit nënurban dhe të profilit urban. Kemi me gjysmë kulturë, me pak ose fare pak kulturë, por kemi edhe të shitur dhe të blerë disa herë dhe nga disa pronarë. Për fatin tonë jo të mirë institucion të opinionit pluralistë dhe të barabartë e gjithëdrejtimor, në shërbim të opinionit publik dhe atij social, ende nuk kemi. Grupime të gjëra shoqërore nuk gjejnë hyrje në shprehjen e opinionit të tyre. Ata ose lihen në haresë, ose për to flasin të tjerë, sipas interesave të tyre. Në kësi rrethanash shumica e grupimeve apo individëve të profesioneve të lira, janë të dëmtuar dy herë, edhe si të pa konsideruar në të drejtën e shprehjes së opinionit të tyre; edhe si “viktima” të opinionit të deformuar nga ato subjekte partiake ose mediatike-partiake, që nuk reken nga marrëveshja me të vërtetën, por nga tymnaja propagandistike që ka veshur kostumin gjoja të “lirisë së medias në informim” dhe “të opinionizmit pa kufij”. Kështu për shkencëtarët dhe shkencën flasin “opinionistët”, për monetarizmin dhe bankat flasin gazetarë, për historinë flasin politikanë, për njerëzit në nevojë flasin ata që e kanë xhepin të mufatur nga paratë dhe kontot me begati në bankat jashtë Shqipërisë, për burimet natyrore flasin psedufilantropët, dhe për lirinë e shprehjes flasin pronarë mediash që nuk paguajnë rogat e punonjësve. Opinionizmi tek ne është një rrëmujë e organizuar vetëm me një qëllim, mosmbajtjen e marrëveshjes me të vërtetën, shitjen e kallpës për sadef dhe të vulgares për mendim elitar. Opinion përçart që flet dhe nuk thotë atë që duhet. Kjo ka sjellë kakofoninë në opinion dhe harresën për shumë shtresa dhe grupe shoqërore..."  

Nuk ka për ta lexuar njeri fatkeqësisht. Sepse është i dendur si tekst, dhe shpreh mendime. Nuk është mësuar njerëzimi i këtushëm të cilit i pëlqen:

 Opinionizmi tek ne është një rrëmujë e organizuar vetëm me një qëllim, mosmbajtjen e marrëveshjes me të vërtetën, shitjen e kallpës për sadef dhe të vulgares për mendim elitar. Opinion përçart që flet dhe nuk thotë atë që duhet. Kjo ka sjellë kakofoninë në opinion dhe harresën për shumë shtresa dhe grupe shoqërore..."  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).