Unë quhem Ervin Qafmolla. Jam 33 vjeç dhe ndërkohë nuk po rinohem. Kjo e fundit thënë për referencë ndërgjegjësimi dhe jo për kompleksin e plakjes. Në fund të fundit, të gjithë plakemi dhe vdesim. Siç thoshte Kiko në hajkun e tij të vdekjes:

“Çka çel

vyshket – fati i mishit

në këtë botë lulesh”

Unë jam droguar shumë herë në jetën time. Jam droguar në puthjen e parë kur një mbidozë adrenaline dhe feromonesh më goditën trurin, duke më lënë shakull në krahët e asgjësë. Jam droguar kur kam pirë për vdekje në mbrëmjen e maturës dhe kur humba virgjërinë një natë me shi. Jam droguar me poezi, me muzikë, me lule, me romane aventurash ndër perëndime dielli. Jam lartësuar mbi jetë-vdekjen e përditshme duke vendosur kokën në sexhde dhe duke kërkuar paqen e Zotit nga zemra ime, kur rrezja e parë e agimit cekte kupolën e xhamisë. Njerëzit janë qenie racionale me inteligjencë shumëfish superiore ndaj krijesave të tjera të këtij planeti të përveçëm, por ne jemi edhe më të evoluuarit në ndjeshmëri. Të ndjesh është të jetosh, të vetëdijësohesh që ekziston në pafundësitë e rrathëve të vuajtjes e haresë: të përjetosh përballë harresës së sigurt.

Dhe sigurisht që kam tymosur edhe marijuanë, të paktën çdo verë për pushime plazhi, kur cigarja e dredhur qarkullon një rreth të rastësishëm njerëzish. Të notosh lakuriq në mesnatë me bossa novën e valëve dhe sirena imagjinare të vajzave të vërteta që pluskojnë kujtime të së nesërmes në krahët e tu me diej në zemrat tona.

Kjo është çka në raportet e medias së shkruar dhe televizive, njihet formalisht si Cannabis Sativa. Unë njoh njerëz që janë rrënuar nga droga, kam parë të shpuar krahëve me shiringa, njerëz që e djegin të kuqen duke e tymosur, prostituta pa dhëmbë që punonin si fshesa me korrent për një “vingëll të shpejtë”. Kam parë njerëz të lajthitur nga acidet, apo që përdorin pastrues furnelash për të “shkuar lart”. Unë jam i ndërgjegjshëm për tragjedinë e drogës, e cila më vete nuk mbart asnjë aspekt romantik. Marijuana, nga ana e saj – në jetën jotelevizive i referohemi si “bar” – ka efekte të provuara negative në shkaktimin e skizofrenisë në persona me njëfarë prirjeje ndaj kësaj patologjie, aktivitet nën mesataren intelektuale të njerëzve që tymosin çdo ditë dhe lënie pas dore të gjërave. Nuk shkakton: vdekje të qelizave në tru, efekte dhune apo humbje totale kontrolli, psikopati, histeri, vdekje dhe çmenduri. Nuk të bën të rrahësh gruan, të përdhunosh, të vrasësh një plakë për t’i marrë pensionin që ta bësh drogë. Nuk shkakton varësi kimike, pra trupi yt nuk vuan kur nuk e ke. Por, abuzuesit kronikë budallallepsen.

Diskutimi mbi drogën dhe përjetimin është më universal se kryqëzata kundër një barishteje që i bën njerëzit të jenë pak më të rehatuar. Dhe sigurisht që nuk mund të bëhet sebep që të dënosh një gjimnaziste me 5 vjet sepse u kap me 5 gramë bar. Këtë, vetëm maskarenjtë, të pacipët, injorantët dhe të korruptuarit mund ta bëjnë. Ata që falin kamionët e kokainës, vrasësit serialë me vetëm një vit e ca burg, njerëzit që hapin zjarr mbi turma dhe të pafetë që zhdukin vendbanime nga harta e dheut.

Këtë mund ta bëjnë vetëm të ligjtë. Vetëm policët e prokurorët e ndyrë mund të falsifikojnë provat për një djalë, duke e bërë të firmosë një dokument që thotë se nuk u gjetën gjurmë THC-je në gjakun e tij, vetëm për ta akuzuar më pas për shpërndarje ngaqë “nuk e përdor vetë”. Gjykatësit e ligj e dënojnë. Doni të flasim për dëmin shoqëror dhe ndyrësinë? Hajde flasim!

Hajde të flasim për hidrocentrale të energjisë së mjerimit që na ka kapluar, nga ai lloji që nuk e eksportojmë dot. Le të flasim për ata që varin veten ngaqë nuk kanë me se të ushqejnë familjen, për skamnorët apo fëmijët e politikanëve që bredhin me “Cayen”. Le të flasim për laviret publike që pikturojnë realitetin e gëzueshëm apo premtimin e tij, në varësi të krahut: majtas apo djathtas dhe ftojnë miletin të votojë. Le të flasim për poshtërsinë që quajmë “demokraci shqiptare” dhe për të gjithë pjellat e ndyrësisë që propozohen si profetë. Le të flasim për këtë apo të paktën, ju lutem, për dashurinë që na mungon si njerëz. Le të fillojmë të meditojmë mbi çka do të thotë të jemi njerëz, sepse njeri vetëm lindesh dhe bëhesh njëkohësisht. Le të fillojmë të perceptojmë paqësisht.

“Nëse dyert e perceptimit do ishin të pastruara, çdo gjë do t’i shfaqej njeriut ashtu siç është, e pafundme”, citohet William Blake në çelje të librit të Aldous Huxley, “Dyert e perceptimit”. Ky i fundit shkruan:

Kur, për çfarëdo arsye, burrat e gratë nuk arrijnë të transcendentojnë vetet nëpërmjet mënyrave të adhurimit, veprave të mira dhe praktikave shpirtërore, ata priren për të gjetur strehim te surrogatet kimike të religjionit – alkool dhe pilula marrosëse në Perëndimin modern, alkool dhe opium në Lindje, hashash në botën muhamedane, alkool dhe marijuanë në Amerikën Qendrore, alkool dhe kokainë në Ande, alkool dhe barbiturate në rajonet më të modernizuara të Amerikës së Jugut. Në “Poisons Sacres”, Ivresses Divines Philippe de Felice ka shkruar gjatë dhe me një dokumentim të pasur për marrëdhënien e stërlashtë ndërmjet religjionit dhe përdorimit të drogës. Të përmbledhura ose në citim të drejtpërdrejtë, po japim këtu përfundimet e tij. Përdorimi i substancave toksike për qëllime religjioze është “jashtëzakonisht i përhapur… Praktikat e studiuara në këtë vëllim mund të vëzhgohen në çdo rajon të botës, mes primitivëve jo më pak, se ndër ata që kanë arritur një shkallë të lartë qytetërimi. Nuk po merremi pra me fakte përjashtuese, të cilat në mënyrë të justifikueshme mund të tejkalohen, por me një fenomen të përgjithshëm dhe njerëzor, në kuptimin më të gjerë të fjalës; lloji i fenomenit i cili nuk mund të shpërfillet nga askush që përpiqet të zbulojë se ç’është religjioni, dhe cilat janë nevojat e thella që ai duhet të përmbushë”.

Ndoshta kjo është një kulturë tepër akademike për gardianët kriminelë ordinerë, që zyrtarisht janë caktuar të mbikëqyrin moralin shoqëror. Por është, të paktën, një realitet i argumentuar. Në një çështje shumëkëndore dhe kaq të debatueshme si kjo, të mos hidhet guri i parë me yrysh, sidomos kur kjo bëhet apo lejohet nga maskarenj. Le të jemi njerëzorë, të përpiqemi të jemi mirëkuptues, të pranojmë se njeriu nuk është thjesht një “makineri e zgjuar” dhe se misteret e shpirtit duhen toleruar edhe përballë një debati kimik. Sepse, të gjitha ndjesitë, dëshirat, përjetimet e njëmendta përballë hiçit matematik të jobesimtarëve, mbeten më së paku, poezi të vdekjes, ku:

 

“Si pikëz vese

mbi gjethen e lotusit

unë zhdukem”.

9 Komente

Nuk të bën të rrahësh gruan, të përdhunosh, të vrasësh një plakë për t’i marrë pensionin që ta bësh drogë. Nuk shkakton varësi kimike, pra trupi yt nuk vuan kur nuk e ke. Por, abuzuesit kronikë budallallepsen.

Nuk eshte e vertete.

Mbaj mend ne shkolle disa persona qe e frekuentonin cdo dite perfundoshin si ne keto statistika ne probleme madhore violente here pas here , derisa njera e la fare shkollen.

 

Dmth njerezit drogohen sepse "nuk arrijnë të transcendentojnë vetet nëpërmjet mënyrave të adhurimit, veprave të mira dhe praktikave shpirtërore", por kete "gardianet kriminele ordinere" nuk e kuptojne dhe ne vend qe te japin nje dore ne pastrimin e dyerve te perceptimit, a me se paku mirekuptuar "hiçin matematik të jobesimtarëve", ata hedhin "gurin e pare me yrysh"?

Nuk eshte qasje e keqe kjo, gjithsesi risi nga Qafmolla. Lidhja me titullin dhe poezite ishte teper mistike, ndoshta celes interpretimi per nje artikull tjeter. Ketu lexohet vetem si "lerini te vdesin" dhe kete apel une nuk e kuptoj.

Marijuana, nga ana e saj – në jetën jotelevizive i referohemi si “bar” – ka efekte të provuara negative në shkaktimin e skizofrenisë në persona me njëfarë prirjeje ndaj kësaj patologjie- 

 

ku bazohet kjo ?

http://www.rcpsych.ac.uk/mentalhealthinfo/problems/alcoholanddrugs/cannabis.aspx

  • Schizophrenia

Three major studies followed large numbers of people over several years, and showed that those people who use cannabis have a higher than average risk of developing schizophrenia. If you start smoking it before the age of 15, you are 4 times more likely to develop a psychotic disorder by the time you are 26. They found no evidence of self-medication. It seemed that, the more cannabis someone used, the more likely they were to develop symptoms.

Why should teenagers be particularly vulnerable to the use of cannabis? No one knows for certain, but it may be something to do with brain development. The brain is still developing in the teenage years – up to the age of around 20, in fact. A massive process of ‘neural pruning’ is going on. This is rather like streamlining a tangled jumble of circuits so they can work more effectively. Any experience, or substance, that affects this process has the potential to produce long-term psychological effects.

Recent research in Europe, and in the UK, has suggested that people who have a family background of mental illness – and so probably have a genetic vulnerability anyway - are more likely to develop schizophrenia if they use cannabis as well.  

aty te william blake u binda tamam c'esht e drejta. edhe isha mire me ate timen, deri kur dul "hiç matematik i jobesimtarëve". jo per gjo, por kam qen mire ne matematike. me ate jom mburr si me thon. me u mburr pa pi, thojn korcaret, ose pa mor drog, sipas qafmolles. po kur s'do, s'do. pa fat gjithnji.

Mendoj se çështja e përdorimit të substancave të ndaluara, është dicka për të cilën nuk flitet dhe aq sa duhet publikisht.

Më kujtohet që për herë të parë tematikën e përdorimit të drogës për qëllime rekreative (jo-të lidhura me ndërhyrje mjekësore) e kam konstatuar jo pa cudi tek Aleksandër Dumas, - Konti i Monte Kristos. Madje, mund të thuhet që në këtë roman voluminoz gjejmë disa përshkrime fantastike për përdorimin e drogës. Madje, mund të thuhet që përshkrimet e kapsulave të drogës (me origjinë bimore dhe vajore) të Dumas, shquhen për të tillë luks dhe ekzotikë, saqë t’i shpërfillin ndoshta të gjitha përshkrimet e tjera të romanit “Konti i Monte Kristos”. As ekzotika e ‘të dashurës’ së re enigmatike të Dantesit (Haide, e bija e Ali Pashës, e shpëtuar nga Dantes) dhe as luksi i jetës së re të Dantesit nuk mund të barabiten me ekzotikën e këtyre hapave dhe me luksin e mbajtjes së tyre (kutitë që ruheshin ato ishin më të shtrenjtat e më të çmuarat). Dumas, madje do ta përdorë drogën (drogat) si një fill të tërë të romanit të tij për të thurur intrigën dhe hakmarrjen ndaj njërit prej rivalëve të dikurshëm. Ai do të luajë me vdekjen dhe me iluzionin e vdekjes për t’u hakmarrë ndoshta më egër se në çdo rast tjetër. Hakmarrja më e egër është ajo që luan me fatalitetin dhe me mungesën e fatalitetit, ndaj konsideratat e Dumas për drogën nuk mund të anashkalohen kurrsesi. Pra, përdorimi i drogës lidhet me një sens hakmarrjeje të fshehtë, që luan disi me fatalitetin. Por, cështja është sa një Morel dhe një Valentinë moderne, do të mund të shpresonin në një mbyllje të tillë të aventurës së tyre me drogën, si ajo e gjetur në roman.

sex, drugs & ronck'n'roll! smiley

altamontin ton them ta bojm anej nga qaf krraba. hells angels do jene vullnetare nga linza e shkopeti, shkopeti e bradasheshi, bradasheshi e velipoja, velipoja e bubullima, ndihmesmjeke e montatore, montatore dhe punonjes se radiove lokale shkoder e gjirokaster, punonjes se radiove lokale dhe veprimtare te dalluar te perhapjes se kultures se bleteve, nga bubullima e shkopeti, donofrosa e lapardhaja...

Emigrant,

Romani “Konti i Monte Kristos” ka një fjali përmbyllëse që është pa asnjë domethënie, ose me asnjë domethënie për vetë librin. Si të thuash, një fjali filozofike në fund të një libri të qepur vetëm me fantazi. Një lapsus, një stonaturë, një epigram? Çfarë të ketë qenë vallë ajo fjali e fundit e librit? A mos vallë ka qenë një test për të sprovuar aftësinë e lexuesit për ta lexuar nga fillimi në fund. Për të hetuar, nëse ai e ka lexuar librin të tërë. Për t’i thënë, mos shpërdoro besimin tim si autor, e mos e vendos vend e pa vend këtë fjali. Pra, një lexues që nuk do ta kishte lexuar librin fund e krye, do të tundohej, që ta përdorte fjalinë, si të lidhur me të. Cdo fjali e ka këtë funksion. Mund të jetë libri i vetëm, që edhe pse unik, ka një fjali që nuk përputhet... Interesante, apo jo?

P.s. Të paktën Dyma e ka luksin t’i lejojë vetes të tilla fjali të palidhura...

kjo kerkesa domosdo per lidhje, me kujton ate fragmentin e fotosintezes ne kohen e zogut dhe te partise.

kam pas pershtypjen qe mungesa e lidhjes ka qene jo vetem shenje futjakoti dhe avdalleku, te cilat i kemi "by default", por edhe e nje fare orvatjeje shume vulnerable per afrimitet.

por s'eshte e thene, vjen verdalle murtaja (edhe kjo pa lidhje direkte, por Beluli nuk besoj qe do mendoje ashtu). smiley

fundjave te mire.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).