Qyteti i vjetër

 

M’u plakën miqtë,

e veten s’e shqova,

pa flokë e pa dashnore.

Rrugët e zgjatën,

se ne u plakëm,

e ditët u shkurtuan,

kur vitet nisën të masin, një njeri, 

kut më kut një njeri të vetëm.

 

Të dashurat e vjetra janë trashur,

fëmijët e shumtë të trenave,

më vranë vetminë me panik;

në orën time të vetme,

kur lumturia matet:

Me ujë e me bukë frigoriferi,

një berretë e vogël,

dhe një ditë e nesërme,

kur mendoj për punën...

Shtëpia  më mban brenda,

me orën kur koha të bjerë,

mbi një kalendar pa vlerë, me foto

me femra me gjinj silikoni pa qumësht,

ku duket qyteti nga pas mbathjeve të holla,

si një qyqar i saktë, e i fundit.

Duket aq pak, sa një lëkundje tërmeti.

 

Dhe pa u shembur as unë,

qyteti i vjetër,

si kocka e fundit e trupit pa kalbur,

pa erën e ndyrë,

të qeseve të zeza me plehra,

në të zezën orë 5, mëngjesit të dimrit,

a vapës së gushtit, në pesë,

me dritën e bardhë të diellit me aromë deti,

përzier me tymin e ziftit që shkrin mbi çati,

ma mëkon krenarinë,

e një ekzistence tjetër,

që nuk shkruhet dot në letër,

që nuk matet me bojë.

Oho, krenarinë e turpshme,

të një historie që s’është ç’është imja,

por e jetës së tij.

 

New York 1999

 

 

Dita e dytë

 

-dita e dytë nuk i takon dyshimit-

 

Dyshimi nisi pas ditës së parë.

Kur ora e profetëve kish ndalur.

Dita ishte treg, (por tregu ish larg).

Dashuria mall për shitje, (blerës nuk ka).

Kur shqisat masnin e nuk gabonin,

ne me ndjenjat godisnim padijen.

 

Pas ditës së parë ranë monedhat.

Tringëllinë dritën nëpër mure.

Mbetën poshtë mes pëllëmbës,

e cila priste një fat të çuditshëm.

 

Një lagje me zhurma,

nisi t’i ngjajë qytetit të afërt,

kur këpucët mbaruan,

kur këmbët kishin pendë engjësh,

që nuk fluturonin, e nuk rrisnin kallo.

Rripeshin si lëkurë gjarpri, 

Si çorape të bardha pambuku me push. 

 

Dita e dytë nisi kur ne,

me të tjerë të panjohur,

pa pirë e pa ngrënë,

vendosëm të quajmë atdhe,

një lloj toke çfarëdo.

 

Janar 1998, Brooklyn, NY

 

Kur ne të dy nuk kishim adresë

 

U puqën dy skajet e materies,

u ndez një dritë e fortë si dyshim,

dhe ne vendosëm të ndahemi,

dy lëvozhga që rrojnë,

mbi ujë të qetë pasdite.

Asgjë nuk u mat me humbjen tonë,

asgjë nuk u rrit.

Kufijtë e caktuar nga ne,

si fëmijë u rritën,

bënë nga ne, atdhe me një emër,

ku ne të dy nuk kishim adresë.

 

Atje në një vend pa sy,

si në website të dy ne,

qamë për një humbje më të lumtur.

Për një orë tjetër,

për një sahat të ndërtuar ndryshe,

që ti maste rrugët tona,

si një masë e re,

ku koha nuk ka humbje.

 

1998, North Carolina, High Point

 

Kafe 6-shta

 

Gjumi i arsyes, pjell përbindësha

Francisko de Goya

 

Më zë gjumi me një kafe në dorë,

me çizme lëkure të rënda,

rrugëve që qelbin akoma,

erën e fytyrave të dashnoreve të vjetra,

dhe peshkut të prishur.

Kafe e 6-shtës e zezë,

më vret mëlçinë edhe më pak,

se pushka e armikut që më ra,

kur isha zgjuar.

Kafe e 6-shtës më vret të dashurën e re,

me dashje. Vrasje me paramendim.

Dhe shoh në ëndrra gjëra të tmerrshme,

si puna në minierë me lopatë pa bisht,

si javë pa rrogë,

sa nis kafe e 6-shtës.

Pas kafes, përditë një arab i panjohur,

më jep punë me fjalë,

pas punës porosi si të punoj.

Kur unë i afrohem zgjimit,

trembem dhe vendos,

përditë të jetoj pa ëndrra.

Jeta më nis,

sa vë kokën në jastëkun tim me djersë gjumi.

Në tokën e askujt.

Ndodh që me ditë, takoj ato që dua,

me ditë, disa më mungojnë.

Zgjas duart të mbahem,

diku, kufijve, mes orës pesë të zgjimit,

dhe ngjyrës së zezë të kafes,

por përherë ndodh të më zërë gjumi,

në kafen e 6-shtës,

kur lind, dielli i të tjerëve.

 

1998 mars, NY

 

*Marrë nga vëllimi "Lëng argjendi"

 

Intervistë me autorin 

20 Komente

sa mire bera qe e lashe ne fund kete!

Rud, keshtu te dua, bro.

Libri eshte shitur 6 kopje ne librarite me te mira te tiranes (3). librarite e tjera nuk e moren. njera nga libraret qelloi poetin me librin me poezin ne koke, pastaj i tha: librat me poezi nuk i marrim se nuk shiten. me pas e njohu si fytyre, e lidhi si emer, dhe i tha: me fal. nuk te njoha se nuk do te gjuaja me liber ashtuuu.

Cimo rrofsh, Elo, rrofsh e qofshi te dy!!!! te shkruash ne shqip eshte turp ndaj qenies njerezore.

nqse shkruan, je shqiptar, boton, dhe keto ndodhin ne cerekshekullin e pare te shek 21, kjo do me thene qe je specie tjeter tashme. "sensoret" ndaj trashesise se gjindjes rrethuese te kane vdekur. artin e masave dhe per masat ia fale nje dite me shume gezim dreqit qe e shpiku, mbeshtjelle me leter dhuratsh dhe fjongo roze si vetedije per kancer. kembeve me te nje duhan, cigaren e tij (djallit te gjindjes pra) e bere me shurre dhe e thave, qe t'i duket i forte, si partizan blloku e tarabosh. e ka ate veti azoti (i pajeti) i shurres ne vecanti. edhe zgjodhe ate qejfin tend, me kokerr te kuqe, qe bie ne fund te gotes piramide me koke poshte te pijes me emer ekzotik, por qe njesoj te deh si rakia me ... nitrat (ja prap azoti, por i plehut kete radhe qe eshte pak a shume e njejta gje me ate amoniakun nje valentor te urines... por nejse)... por ama zgjedhjen e dehjes e bere vete, se ne qejf ka rendesi e dehura dhe jo e pira e piranikut, emer i cili vjen nga djegia ne greqisht. Edhe the ne te semes te shkojne lexuesit qe si Shqiperia, nuk e morem vesh si qene, si jane (nuk jane me sakte) e si do te jene, dhe emri bestseller te dha te vjellen e radhes... apo ish azoti i plehut... c'rendesi ka, kur ke neveri rendesi ka e vjella e jo lloji i azotit qe e shkaktoi. kshu pra, i dashur rud, e kisha fjalen qe ne rastin me te pare librin do ta blejme, ose ruaje nje kopje per kollajllek per mua, ne ndonje qosh ku as vend s'te ze, por as evlati nuk e demton, se mund qe dua kohe te vij aty, por mund edhe qe vjen dikush e ta kerkon per mua, kjo e dyta me e mundur. cheers. dhe urime!

cimo kom vu re (verejtur se) i kom trash llafet, i kam bere fjale edhe pastaj nuk u shkon permbare... ne pergjithsi. ti rrofsh se mbeshtetja : si tha i kallom kashte gruni qe e mori eraaaa smiley

librin e ke, une nuk e kom qit per tu qit e per tu shit. e kom shkruuuujt. ktu e kisha me muujtjen smiley

 

rrugëve që qelbin akoma,

erën e fytyrave të dashnoreve të vjetra,

 

me tingellon keq kjo. me shume respekt per kujtimet e bukura.

Rud, dje po flisja me dikë për arsyen e heshtjes, apo shterimit të shumë pendave tona, dikur aq shumë premtuese. Ma do mendja, dhe këtë po përpiqesha të artikuloja në bashkëbisedim, se një nga arsyet pse në shqip shkruhet aq shumë dobët e aq pak mirë, se një nga arsyet që kush shkruan mirë, apo ka premtuar të shkruajë më mirë, nuk shkruan më a e ka mbyllur atë punë, është qasja e gabuar ndaj subjektit. Për dikë që poezia është mënyrë jetese, siç është ta zemë të dëgjuarit muzikë, apo ndonjë aktivitet tjetër, mungesa e të cilit do e varfëronte edhe më këtë jetën tonë të ngratë; pra për dikë që i qaset poezisë thjesht e natyrshëm si gruas p.sh., për të nuk ka as zhgënjime e as "kryrje" t'asaj pune, pasi është pjesë e cilësisë së jetesës së tij. Shpesh ndodh të shtrohet ajo pyetja aq absurde: "Pse shkruan?". Është njëlloj si të pyesin pse flet, apo pse ngrihesh nga gjumi, apo pse pi kafe e cigare. Shkruajmë se pse të mos e bëjmë, kur na pëlqen? Gjithkush bën diçka: rreh gruan a vë baste për gara qensh; o do shkruash, o do bësh diçka tjetër; kështu shtrohet çështja. Ndaj edhe në u shitën, apo në u lexuan librat, nuk luan ndonjë rol të madh, për sa kohë nuk ka asgjë për të fituar në këtë mes. Por ti ke bërë shumë mirë, sidoqoftë, që e ke botuar këtë libër, pasi i ke dhënë shansin të jetë i lirë në botë.

 

Mirazh smiley mik i mire se kisha harruarr te them se poetet, edhe paguajne te botohen, nga kadegoria Laqi me Divjaken, deri te gruja me dashnoren presidenciale, CLIRIMTARET nuk mund edhe te vazhdojne te "paguajne " lirine. kam bere mire keq, njerezishem kam bere gabim taktik.

Mendoj se gabohesh kur thua se ke gabuar. Tani ndoshta lekët e botimit ju vrasin ju atje, por nga ana tjetër shikoje sikur të "kishe hongër mish Brazili n'Mullet me ca poet t'dorës tonë e t'kishe pagu tavolinën" smiley

kur te them qe jam gabuar nuk e kam per librin qe kam shkruar. e kam per botimin e librit. edhe kryesisht per pagimin e librit. shume turp qe poete e shkrimtare te paguajne per botime, po njelloj me piktore e skulptore per ekspozitat, me qellimin qe te mbajne gjalle nje jete kulturore te pamerituar per  nje popull 8 milionesh ku nuk blihen nobelistet e perkthyer me dhjetra apo as me qindra kopje. fjali e gjate nervash per te nderkallur diku te drejten.

Mirazh : pak a shume diktatura komuniste ka sjelle mire. Iu ka dhene me detyrim te lexojne letra, qe sot pas 10 vjetorit te dyte nuk i shohin as tek ato kaushet bamires te bajemave me kripe. (besoj bajamet me te shtrenjta se ate qe mban njerezia ne fyt smiley 20Cent 4 kokrra). sa mishin e brazilit ne mullet smiley si stil i im batute smiley do te kishte qene me mire.

si i thone : ku di dhia se c'eshte tagjia! edhe keshtu duhet te jete!!!! po mori vesh dhia se si eshte tagjia - s'ka mocarela smiley

ne qe po i harxhojme leket e botimit, ndoshta nuk na vrasin "FInancirisht" ") na vrasin me thelle.

Shumë e bukur poezia e dytë, "Dita e dytë". Pothuaj krejt tjetër gjë.

Vihe librin të shitet online. Nuk e di kurrë çfarë ndodh. Unë do e kisha blerë si të parin.

 

Ndodh që me ditë, takoj ato që dua,

me ditë, disa më mungojnë.

 

vazhdon të më ndodhi...

 

 

 

Good to see you again petlla smiley

Të dashurat e vjetra janë trashur

ehhhh smiley

smiley

Rudi, mua me erdhi libri yt para ca javesh, nuk e kam lexuar dot me seriozitet akoma. Vizatimi me mallengjeu. Nga vjershat ketu ajo me atdheun, qe quajme cilindo toke, me la me shume pershtypje, por edhe "Kafe 6-shta". Ne pergjithesi sikletosem me menyren bisedore te te folurit, kur ajo dominon perseri e perseri, nese pranohet kritika e llojit fast food.

Ku di dhia* c\eshte tagjia.

Oh, poet i qiejve te am-shuar dhe aksidentalisht i derdhur  jashte  hapsirave trashendentale.

*dhia eshte lexuesi.

dhia e kam per poetin, ne kete rast per veten. jo per lexuesin. dhe kurre si te shkon mendja ty.

ps. e thashe kete qe te mos kete ndonje keqkuptim me te gjere. ti kuptoje si ta kesh qejfin. shendeti ne radhe te pare. mbetem me te njejtin mendim, qe : nuk duhet te botojme me librat tane. PIKE.

Shume gabim ke bere ne qofte se ke paguar, Rud. Nese te duhet te paguash edhe ti qe je ne jo pak antologji, nga me te mirat te poeteve te pas 90-es, atehere mjere ne.

Lulo, keshtu funksionon sistemi ketu tek ne... shtepite botuese nuk te marrin persiper asgje. Kjo ndodh vetem me blendi fevziun, Fari Balliun, Ed Ramen apo Ben Blushin, kur vete shtepite botuese u bojne edhe pak reklame negativiste, me qellim qe te rrisin kesherine e njerzve, tamam si Xherri Fini tek Ruaza e katert. Pra petlla eshte mundu vetem thjesht per veten e vet e jo per lexuesin, po keshtu edhe Emi, po keshtu edhe Grava, shkinaksi po ashtu, te pakten per peshqit tane qe kane marre mundimin per te bere diçka....

kurse per poezite e pettles, si shume po plakeni para kohe, ju ka kapur nje vale vetplakje apo qofte edhe nje fare vetflijimi, tamam edhe shkinaksi kishte bere nje poezi te ketij lloji... bie ere melankoli apo edhe pak pesimizem brenda....

Fuck the system, atehere. Rudi e njef sistemin, e njef edhe tregun, e di qe edhe vendin e vet e ka te garantuar nder zerat e poezise shqiptare. Per cfare duhet te paguaj? Per t'u lexuar? As qe nuk ia vlen me botimi. Me shume lexohet online poezia sot sesa neper objekte te prodhuara nga shtepite publike (dhe mos me thuaj jane "shtepi botuese" dhe jo "shtepi publike," se e di shume mire cfare flas). E nese duhet patjeter neper libra, ka software faqosjeje sa te duash, gjithe e gjithe 32 faqe nuk te kushtojne me shume se 100 lek te reja po ta besh me forcat e tua e nuk te del cilesia hic me e keqe se c'ofrojne shtepite publike.  

Të paguarit vetë ka edhe anën e tij të mirë: nuk i ke borxh kujt asgjë e të fal njëfarësoj pavarësie ndaj botuesve, redaktorëve, lexuesve irritues që u duket se u ke ndonjë hak për të larë, me argumentin se po të lexojnë, apo se ti po kontribuon, a duhet ta bësh për zhvillimin, prosperitetin etj.; jo së fundmi edhe pavarësi ndaj vetes. Pasi vetë po e shkruan, vetë po e boton: merreni ose lëreni zotërinj, aq na bën. E nuk është ky as nihilizëm e as zhgënjim, por thjesht një formë embrionale e lirisë vetjake. Është një mënyrë që po përhapet së fundi edhe në perëndim: shumë autorë të njohur i botojnë tashmë gjërat e tyre vetë në internet.

 

 

Kafe 6-ta, shume e bukur! E, ku ka si kafe 8-ta 9-ta ne Shqiperi! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).