Kreu i PS, Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar dje në “Pallatin e Kongreseve” në kryeqytet, me titullin “Tirana e të gjithëve”, premtoi legalizim falas të ndërtimeve informale.

“Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Për lagjet informale legalizimi do të jetë falas”, - premtoi Rama. Mandej kreu i PS i cilësoi gënjeshtra deklaratat e kryeministrit Berisha, se ai i ka quajtur “shpellarë” të ardhurit nga veriu i Shqipërisë. “Saliu gënjen për shprehjen shpellarë. Largohem nga Shqipëria dhe ju kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve dhe ju zotohem se nuk kthehem në Shqipëri. Nëse kjo provë nuk ekziston, më lind e drejta t’ju them se të gjithë tropojanëve dhe të ardhurve nga veriu se ky burrë kërkon t’ju mbajë peng në shpellën e mendësisë së tij, duke shfrytëzuar traditat vlerat dhe besnikërinë tuaj”, - u shpreh Rama. 

Ndërkohë i ftuar në emisionin “Bugajski Hour” në “Albanian Screen” lideri i opozitës deklaroi se nuk iu beson monitoruesve të huaj të mbërritur në vendin tonë për vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Gazeta Shqiptare” boton sot pjesët më pikante të intervistës së Ramës dhënë për gazetarin Janush Bugajski.

A po ecën Shqipëria përpara apo mbrapa në këtë performancë zgjedhore? Si janë këto zgjedhje krahasuar me ato të mëparshmet? 
Do të nxirrja në pah një ndryshim pozitiv. Ka një mori transmetimesh televizive direkte dhe shumë hapësirë që njerëzit të shprehen dhe të dëgjojnë alternativat. Për pjesën tjetër, pra institucionalisht, ne s’jemi as atje ku kemi qenë, por kemi bërë hapa mbrapa. Sepse kemi humbur institucionin qendror të zgjedhjeve, KQZ-në, të cilën partia qeverisëse e ka shndërruar në një organizatë partiake. 
A do të jetë KQZ-ja në gjendje të përmbushë mandatin, meqenëse nuk ka 7 anëtarë? Dhe nëse nuk i ka, a do të minonte kjo legjitimitetin e zgjedhjeve? 
Standartet s’janë plotësuar akoma, sa i përket pjesës së organizimit. Por le të shpresojmë se KQZ-ja nuk do të luajë rolin që ne e kemi parë të luajë në të kaluarën, sidomos në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës dy vjet më parë, sepse kjo do të ishte katastrofale dhe pasojat janë të paparashikueshme. 
Pyetja më e madhe që shtrohet në SHBA, në Uashington, është: A do të jenë këto zgjedhje plotësisht legjitime? Jo vetëm mjaftueshëm të lira dhe të drejta, por dhe të pranuara nga popullata shqiptare, nga të gjitha partitë, si dhe ndërkombëtarisht?
Kjo është një pyetje që bëhet nga gjithkush, përveç Kryeministrit. Pra, kjo është diçka që mbetet për t’u parë dhe është një çështje që çdokush do të duhet t’i përgjigjet kur zgjedhjet të jenë kryer. Pra, kuadri është thyer, por le të shpresojmë se vullneti i popullit nuk do të deformohet sërish dhe zgjedhjet nuk do të preken sërish nga manipulimet dhe nga fshirja e vijës ndarëse ndërmjet pushtetit dhe shtetit. 
A ka shenja se ka manipulime? A i druheni ndonjë mashtrimi, apo ndonjë gjëje të ngjashme? 
Thjesht shpërndarja e mandateve sipas vitit 2009 është një mashtrim më vete. Sulmi brutal mbi KQZ-në që minoi Kushtetutën dhe pavarësinë e këtij Komisioni, dhe transformimi i saj në një organizatë partie, është mashtrim. Ç’është mashtrimi, fundja fundit? Ne nuk kemi përse të presim... shpresojmë që jo... ushtrinë, apo shërbimet sekrete, apo policinë të shkojnë në qendrat e votimit e të rrahë njerëzit, e të mbushë kutitë e votave. E pamë këtë në vitin 1996 në kohën e “Sali Berishës së Parë”. Shpresojmë të mos ndodhë e njëjta gjë në kohën e “Sali Berishës së Dytë”. Por përtej kësaj, them se këto zgjedhje nuk janë ato zgjedhje që një vend anëtar i NATO-s apo një vend kandidat për në BE duhet të ketë. 
Ka patur një rast të agresionit fizik ndaj një kandidati zgjedhor në jug të Shqipërisë, si dhe disa kërcënime ndaj disa kandidatëve të tjerë. A është kjo diçka që ju e dëshmoni në mbarë vendin? 
Ai ishte një rast jashtëzakonisht i shëmtuar në një zonë ku disa vjet më parë një deputet i PS-së u vra. Hetimet s’kanë nxjerrë akoma asnjë të dhënë lidhur me këtë vrasje. Ka fakte mjaft shqetësuese si dhe dëshmitarë në lidhje me banda të mbështetura nga qeveria dhe nga disa ministra. Pra, e shoh rrahjen e një kandidati si pjesë të së tërës. 
Ju po thoni se është e orkestruar nga qendra, apo bëhet fjalë për “koka të nxehta” apo fanatikë?
 
S’ka “kokë të nxehtë” që mund të rrahë me paramendim një kandidat për deputet pa patur lidhje të forta me qendrën. 
Cila është pikëpamja juaj mbi Misionin e ODIHR-it dhe atë të OSBE-së? 
Kam një këndvështrim të përzier. Dhe kjo sepse unë i kam parë ata të dështojnë në vitin 2009. I kam parë ata të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në vitin 2011. Pra, s’e di se si funksionon. S’e di përse. Por kam parë dy përvoja të ndryshme. 
A mendoni se ka një numër të mjaftueshëm vëzhguesish në Shqipëri për të mbuluar të gjithë territorin? 
Nuk e di. Por nuk besoj në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. 
Nuk besoni? 
Jo! E kam thënë dhe më parë! Është opinioni im personal! Nuk besoj në monitorim në termat e nevojës për të parandaluar atë që mund të ndodhë. Sepse ajo çfarë ka ndodhur më parë ka qenë gjithnjë një fakt i kryer. Një fakt i kryer i shoqëruar me një ndjesi të tmerrshme dobësie nga ana e komunitetit ndërkombëtar përballë asaj që ka ndodhur. Pra, monitorët më duken si spektatorë në një mort. Dhe shpresoj se s’do të ndodhë kështu. Ne kemi zgjedhje që janë edhe më shqetësuese, për sa folëm më parë: shpërndarja e mandateve dhe një KQZ që nuk funksionon. Pra, çfarë sjellin tek e fundit këto raporte? Problemi është se nëse nuk gërshetohen me një trysni mjaft të qartë e konstruktive nga ana e komunitetit ndërkombëtar që thotë: Dëgjoni, ky është vendi juaj. Ju takon juve të bëni zgjedhje, e jo neve. Por mos harroni se nëse dëshironi të jeni anëtarë të familjes sonë të NATO-s dhe të BE-së, dhe të familjes së botës demokratike, nuk është kjo mënyra se si bëhen zgjedhjet. Pra, ose mjaft me kaq, ose ju do të keni telashe me ne. Kjo është mënyra, pra! Nëse nuk bëhet kështu, unë e kam të pamundur ta ndryshoj. Pra, nuk fajësoj askënd, dhe mendoj se kjo është arsyeja përse këto misione tekembramja s’kanë impaktin e duhur që duhet të kenë. 
Si gjykoni, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në këtë fushatë elektorale? 
Siç jua thashë, ka një gjë që është pozitive. Ka më tepër transmetime televizive direkte. Kjo është gjë e mirë. Për pjesën tjetër, nuk shoh ndonjë përmirësim. Them se po përkeqësohet! 
Njëra prej çështjeve që ka shqetësuar gjithnjë shqiptarët dhe ju në zgjedhjet e kaluara, ka qenë procesi i numërimit. A do të jetë ky proces mjaftueshëm i hapur, transparent, i monitoruar e i pranuar nga të dyja palët? 
Mbetet për t’u parë! S’e di! Shpresoj që po! Ne jemi tejet të interesuar që procesi të shkojë sa më mirë dhe duam që gjithçka të ecë në paqe. Sondazhet tona na bëjnë të ndjehemi të qetë. Ne e dimë se kush i fiton zgjedhjet. Dhe si fitimtarë të zgjedhjeve ne jemi më pak të interesuarit për të patur telashe në numërimin final. Por në krahun tjetër, ashtu siç ne kemi sondazhet tona, edhe pala tjetër ka sondazhet e veta. Dhe ata e dinë si mos më mirë se do të humbasin, por ata nuk dinë të humbasin. Dhe Saliu nuk është aspak nga ata që dinë të humbasin. Gjithçka mund të ndodhë! 
Ç’doni të thoni me gjithçka? 
Gjithçka mund të ndodhë! Kemi parë shumëçka në këtë vend gjatë këtyre njëzet viteve. Uroj që asnjëra prej tyre të mos përsëritet, por e kam të vështirë të shohë Kryeministrin të pranojë humbjen. Ai ka për të humbur thellë. 
Ç’do të bëni ju nëse ngjiteni në detyrë? A do të pushoni nga puna një pjesë të gjykatësve, a do të arrestoni politikanë? 
Nuk ia fillohet nga gjykatësit, ia fillohet nga qeverisja me drejtësi. Unë besoj fuqimisht se s’mund të kërkosh drejtësinë në dyert e sistemit të drejtësisë në një vend që qeveriset me padrejtësi. Dhe s’e kam fjalën tek politikat e padrejta. Por e kam fjalën tek drejtësia si e tillë. Pra, te hartimi i deritanishëm i ligjeve që thjesht përdhunojnë vendin, që thjesht i transformojnë një grup njerëzish në njerëzit më të pasur dhe lënë të gjithë të tjerët përtokë. 
Di që opozita është ankuar për disa grupe lobimi që janë punësuar nga qeveria e tanishme. Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje? 
Është e tmerrshme. Doni ta dini arsyen? Jo për faktin që qeveria ka punësuar një firmë lobuese, një firmë lobuese tepër të madhe, të rëndësishme dhe me ndikim, por se kjo firmë lobimi po paguhet me paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe ajo që e bën krejtësisht të papranueshme, imorale, të padrejtë dhe të përçmueshme është se paguhen nga të gjithë shqiptarët dhe punojnë kundër opozitës shqiptare. 
Ju, PS, a keni punësuar një kompani lobimi? 
Jo, kemi përdorur… kemi bërë operacione krejt të vogla vetëm për të na ndihmuar, por vetëm për zgjedhje të drejta e të ndershme. Asgjë më shumë se kaq. 
Nëse vini në pushtet, s’do tentoni të punësoni një grup lobimi? 
Mendoj se mjafton të qeverisësh mirë, të kesh marrëdhënie të mira me SHBA-në, si qeveri, por s’do pranoja kurrë, që unë si person, madje as vlerat e mia etike s’më lejojnë të harxhoja paratë e qeverisë kundër opozitës së këtij vendi. Betimi më i rëndësishëm imi është se pas 23 qershorit s’do ketë më asnjë person që paguhet nga qeveria shqiptare që të sulmohet nëse merr pjesë në aktivitetet e opozitës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).