Termi stigmë e ka origjinën në Greqinë e lashtë kur një skllav, tradhtar, kriminel ose thjesht një person i mënjanuar nga shoqëria damkosej fizikisht për të nënvizuar aspektet «jonormale» dhe të kritikueshme (të bartësit): atëherë, ashtu si sot, ambienti rrethues përcaktonte njësitë matëse të «normalitetit», nga i cili përjashtohej «e ndryshmja». Natyrisht, sot, stigma është transferuar nga damkosja fizike tek kategorizimi shoqëror – i cili është «produkti ynë», i aftë të modelojë identitetin – duke trashëguar nga përdorimi origjinal atributet thellësisht përçmuese ndaj «Tjetrit». Tre janë grupet kryesore të stigmave: deformimi/problemi fizik, përkatësitë komunitare – raca, kombi, vendlindja, feja, bindjet politike, etj – dhe fenomenet e kritikueshme të sjelljes – si pasojë e sëmundjeve mendore, e alkoolizmit, e pirjes së duhanit, e patologjive me sfond seksual, etj. Tek dy grupet e fundit individi mund t’i ekspozohet diskreditimit të jashtëm, nga njëra anë, si rezultat i zgjedhjeve personale, në rastin e konsumit të drogës, alkoolit, të bindjeve fetare, ideologjike, etj., e nga ana tjetër për shkak të një realiteti të trashëguar – raca, vendlindja, etj. – ose të fituar në mënyrë të pavullnetshme – sëmundjet mendore. Kuptohet që në rastin e dytë individi është pothuajse totalisht i përjashtuar nga ato shkaqe të cilat prodhojnë kategorizimin nga jashtë. Grupi i parë, ku hyjnë deformimet, problemet, mangësitë fizike, me përjashtim të disa rasteve, shoqëron njerëz të cilët sigurisht nuk ndodhen në këto kushte për shkak të zgjedhjes apo dëshirës së tyre, sepse askush nuk dëshiron dhe nuk zgjedh të jetojë si i/e paralizuar, verbër, etj.

Sistemi i raportit «normalitet»/«jonormalitet» dhe sjellja ndaj minorancës së damkosur si e tillë nga shumica varet nga kontekstet kulturore, territoriale dhe kohore. Është fakt që ne shqiptarët trashëgojmë gati në mënyrë arketipale, kryesisht si rezultat i padijes, handikapin kolektiv të stigmave me sfond psiko-fizik dhe ideologjik me kosto të ulët ose gratis fare. Pothuajse një shekull më parë Edith Durham vërente se si në malet e veriut ndalej pushka mes dy grupeve kur kalonte një femër. Kjo sigurisht nuk ishte në respekt të «jetës së tjetrit», pasi Kanuni i Lekë Dukagjinit vlerësonte nderin (ekskluzivisht të klanit të mashkullit) dhe jo jetën e as individualitetin. Më shumë se krim, vrasja e femrës së huaj – se ajo e shtëpisë ishte objekt riprodhimi ose «shakull per me bajtë» – konsiderohej «paburrëri», stigma më e frikshme për një burrë që kërkonte të ishte më shumë se mashkull. Automatikisht koncepti i burrërisë e përjashton femrën: ajo nuk meriton as stigmën e «paburrërisë». Maksimumi vlera e femrës merrej/t në legjendat me kështjella, tip Rozafa, ku shpesh harrojmë që e përkujtuara ka hyrë në memorien kolektive pas një sakrifice, pas tradhtisë dhe pas kategorizimit siobjekt që mund të spostohet nga shtrati tek kuzhina e deri tek themelet e murit; merrej gjithashtu edhe në transgenderizmin kanunor ku femra e padhuruar mund të (gjysmë)burrërohej nga pantallonat dhe virgjëria. Imagjinojmë pastaj sa i predispozuar ndaj stigmës ishte një individ që shëndeti ia pamundësonte «burrërinë».

Gjithmonë në hapësirën e stigmatizimeve ndaj personave që damkosen për shenja dalluese të pazgjedhura, në vitet e regjimit të Enver Hoxhës e kultivuam këtë fenomen duke e ekstremizuar në disa aspekte. E ç’ishte tjetër njolla në biografi? Fëmija arrinte në mohimin e prindit për të evituar anatemat publike, apo për t’i shpëtuar burgut; një person me biografi të njollosur nuk shkollohej më tej se arsimi alfabetizues dhe nuk shpresonte në një punë të përshtatshme. «Armik i popullit» ishte lebra shoqërore e injektuar nga enverizmi, por regjimi sanksioni thjeshtësinë me të cilën çdo individ mund të identifikonte «Tjetrin» – armik ose jo –, që për kohën përkthehej në “mundësi për t’ia nxirë jetën tjetrit, që unë të përfitoj”, dhe kënaqësinë sadiste në njollosjen e «Tjetrit». Në jetën e përditshme, fjala bie, ishte edhe një metaforë ndaj fëmijëve të jetimores, ndaj “mallit pa zot”. «Jonormaliteti» i tyre ishte mungesa e familjes biologjike, të cilën e zëvendësonte Shteti. Aftësi e madhe t’i vësh në dukje tjetrit, në këtë rast fëmijës, diçka për të cilën ai nuk është fajtor: akoma sot qarkullon dendur fjalakopil, që jokopili ia adreson «Tjetrit», thuajse akuzuesi e ka zgjedhur të ketë një familje biologjike, e për rrjedhojë të këtë një superioritet të fituar. Kjo do të dukej madje “normale” nëse mendojmë që në Kanunin e sipërcituar ekziston përcaktimi «vllá i shpifun», pra fëmija «i cili i lén nânës me burrë të dytë».

Sot paradigma enveriste është modifikuar në “stigmatizim gratis, që unë të vetëvlerësohem”. Pasi imitojmë nga Perëndimi konsumizmin dhe konformizmin me modelet televizive, ku të jesh i/e bukur është vlerë, dhe dihet që bukuria fizike nuk fitohet, përveçse me plastikë, një dalje e «Tjetrit» nga norma e momentit, me këtë substrat që kemi trashëguar, na shndërron në të gjithëpushtetshëm. Nuk është një sistem raportimi me bazë vlerash, por fatin: fatmirësia ime, ndaj fatkeqësisë tënde. Kjo mundëson dhunën psikologjike e jo rrallëherë fizike ndaj «Tjetrit». Është normalitet tek ne të dëgjosh shprehjet «me syze qorrash», drejtuar një bartësi me probleme të pazgjedhura me shikimin, e kështu me radhë «gagaç», «shurdh», «kopil», «dorëcung», etj. Një problem i thjesht shqisash ose gjymtyrësh, gjithmonë i pazgjedhur, merr nuancat ekstreme e të menjëhershme të «invalidit», që rrezikon të shndërrohet në identitetin kryesor të «Tjetrit». Natyrisht, këto probleme fiziologjike duhet/mund të kategorizohen, por «fatmiri», në të kundërt, nuk limitohet tek problemi, ai identifikon personin(«fatkeq») me problemin e tij.

Ajo çka vërehet në vendet e qytetëruara është normaliteti publik i personave me nevoja të veçanta. Hasen individ me sindromën Daun të qarkullojnë pa shkaktuar rrotullimin e kokës së vëzhguesit, apo ndonjë nënqeshje superioriteti tallës, individë me maskë oksigjeni, të tjerë në karrocë, vetëm apo të shoqëruar; njerëz që edhe pse në kushte të rënda shëndetësore ambienti përreth ua njeh dinjitetin e jetës. Tek ne? Evitojnë rrugën për t’i shpëtuar dy ekstremeve: shikimeve inferiorizuese dhe mëshirëssë tjerëve. E pra s’kanë nevojën e mëshirës, por të dinjitetit dhe barazisë njerëzore. Fundja, mungojnë deri edhe trotuaret për të shoqëruar persona të tillë, por të mos thotë njeri që fajin e ka bashkia e kësaj apo e asaj partie, sepse edhe në ato hapësira ku ka vende për të lehtësuar lëvizjen gjen një makinë të parkuar, një tezgë frutash, një tufë indiferentësh që aty kanë vendosur të bëjnë mbledhje, një tufë tjetër, kalimtarësh, që shikon me kuriozitet: në mos janë këto substrati i partive, janë elektorati i tyre.

Sidoqoftë, ideja që bota perëndimore ka qenë e tillë kudo dhe përherë është iluzion. Mjafton të kujtojmë këtu trajtimin e zezakëve në SHBA-të e demokracisë deri në vitet ’60; shndërrimin e problemeve fizike në atraksione cirku; fatin e këtyre individëve në Gjermaninë hitleriane, etj.

Si çdo fenomen edhe stigmatizimi ka kulmin e vet. Tek ne arrihet përmes diskutimeve të politikës,duke qenë pjesë e saj ose simpatizant, dhe sa më shumë që ngjitemi në hierarkinë e imazhit publik të aktorëve, aq më i prekshëm është kulmi. Mbase ndikon fakti që duke perceptuar veten me pushtet – politik e mediatik – mbi masën, mund të diskreditohet «Tjetri» në mënyrë të natyrshme. Jemi në fushatë elektorale dhe shembujt janë të freskët. Në komedinë e fushatës është kthyer çdo mesazh në cinizëm, madje edhe fatkeqësia e pazgjedhur e «Tjetrit». Rilindja e Shkodrës i është besuar një kandidati që fjalën «kopil» e ka shndërruar në diskurs publik. Nuk është metodë provinciale, sepse disa ditë më parë Spartak Ngjela, në një emision televiziv, shkoi edhe më tej: u argëtua duke etiketuar presidentin si «invalid». Ka kohë që gazeta Tema ushqen këtë qasje me shpjegime të ndryshme metaforike dhe po nga mllefi antiberishian i këtij organi botues Ardian Ndreca na rikujtoi «kufizimet e tija [Bujar Nishanit] të dukshme fizike», që ndonëse autori nuk i konsideron si probleme përballë «paaftësisë së tij morale» në mbrojtjen e pavarësisë së institucionit të presidentit, ai e ka të pamundur përdorimin e “njollës” fiziologjike. Në thelb nuk kursehet asgjë në denigrimin e kundërshtarit, qoftë edhe përmes diskreditimit fizik të aleatëve ose besnikëve të tij. Të paktën të diskreditohen zgjedhjet dhe jo fatkeqësitë, pasi natyrisht nuk është meritë e diskredituesit që shikon, mbase përkohësisht, nga Olimpi.

5 Komente

Shume mire, deri ku ben lidhjen me paragjykimet politike; aty behet lidhje disi e sforcuar, pasi, edhe pse ka elemente te perbashket (p.sh. harbuterina dhe mungesa e respektit per te tjeret) tek paragjykimet ne lidhje me gjerat qe zgjedh individi (p.sh. perkatesia e sotme politike) ato s'jane njesoj me paragjykimet 'natyrore', ose ne pergjithesi me paragjykimet per gjera te cilat individi s'i ka ne dore njeriu per veten e vet, si rraca, ngjyra, kombesia, probleme fizike/mendore, apo qofte dhe biografia e familjes ne monizem.

Oooooo me ne fund nje teme e hajrit . Shume e vlefshme pavarsisht vemendjes se publikut . Po i kthehem edhe njeher t'a ri-lexoj .

Tre janë grupet kryesore të stigmave: deformimi/problemi fizik, përkatësitë komunitare – raca, kombi, vendlindja, feja, bindjet politike, etj – dhe fenomenet e kritikueshme të sjelljes – si pasojë e sëmundjeve mendore, e alkoolizmit, e pirjes së duhanit, e patologjive me sfond seksual, etj. Tek dy grupet e fundit individi mund t’i ekspozohet diskreditimit të jashtëm, nga njëra anë, si rezultat i zgjedhjeve personale, në rastin e konsumit të drogës, alkoolit, të bindjeve fetare, ideologjike, etj., e nga ana tjetër për shkak të një realiteti të trashëguar – raca, vendlindja, etj. – ose të fituar në mënyrë të pavullnetshme – sëmundjet mendore. Kuptohet që në rastin e dytë individi është pothuajse totalisht i përjashtuar nga ato shkaqe të cilat prodhojnë kategorizimin nga jashtë. Grupi i parë, ku hyjnë deformimet, problemet, mangësitë fizike, me përjashtim të disa rasteve, shoqëron njerëz të cilët sigurisht nuk ndodhen në këto kushte për shkak të zgjedhjes apo dëshirës së tyre, sepse askush nuk dëshiron dhe nuk zgjedh të jetojë si i/e paralizuar, verbër, etj.

Stigma vazhdon edhe me termat e pedorura me tekst.

Eshte pak e konfuzuar ne rastin togfjaleshit ( qe do t;a quaja jo me vend i perdorur, nqs jepet nje shpjegim me i qarte atehere po) --> fenomenet e e kritikueshme te sjelles smiley

Mund te na e shpjegoje njeri se cdmth ky togfjalesh >??

sepse psikolgjia njeh - social behavior, or anti-social behaviour , por ky kategorizimi shqip qe per ironi flet per stigmen ne argument , me rrudhi mendjen

help ?

Duhet te jesh vete jasht kesaj kategorie qe ta kuptosh se ç'eshte kjo kategori zonja Elba. Pastaj qe te kerkosh ndihme nuk mjafton, duhet edhe deshira per te dale prej andej.

........po flet per gjera qe skane aspak lidhje njera me tjetren!!!!Kthjellohu ne mendime....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).