“E gabuara nuk pushon së qëni e tillë sepse shumica e mbështet” Leo Tolstoy – Një Rrëfim – 1880

Zgjedhjet parlamentare që po afrojnë janë kryefjala e ditës. Jemi zgjuar nga zhurma dhe rrëmuja e mitingjeve, debateve, akuzave mes frikës dhe shpresës për të nesërmen. Ushtarët politikë të partive janë organizuar më së miri ku natyrisht armët kryesore janë mesazhet audio vizuale në mediat tradicionale e sociale, mitingjet dhe eventet publike. Është e qartë se ata kërkojnë të bindin shumicën duke respektuar principin bazë të demokracisë. Por në vitin 2013 demokracia përfaqësuese greke (në themel të sistemit) është shndërruar në një mekanizëm manipulimi dhe përfitimi që po shfrytëzohet më së miri nga elitat politike për të ardhur apo konsoliduar pozitat e saj në pushtet. Në kohën e Sokratit nuk kishte mjete të komunikimit masiv. Ndërsa sot sasia dhe densiteti i informacionit është rritur në mënyrë dramatike. Asnjëherë më parë informacioni nuk ka qenë kaq i lehtë për t’u arritur. Dhe elitat e kanë kuptuar këtë duke kontrolluar rrjedhën e informacionit nëpërmjet kontrollit të burimit të tij: mediave kryesore dhe me anë të tyre bombardojnë shoqërinë me mesazhe të forta politike. Si rrjedhojë nëpermjet efekteve të qëllimshme audio-vizuale të transmetuara në mediat e kontrolluara nga elitat politike, infomacioni humb vlerat e analizës dhe debatit duke u kthyer në një mjet propagande për masën e madhe, të stërvitur prej vitesh për tju përshtatur ideologjisë së partisë apo elitës politike ku mendojnë se përkasin

Ndoshta shumica e shqiptarëve, qofshin të majtë apo të djathtë, mendojnë se jetojnë në një sistem demokratik ku pushteti i përket njerëzve. Liderët supozohet që të jenë edhe ‘shërbëtorët’ tanë, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për të plotësuar nevojat e dëshirat e shoqërisë duke marrë vendime që janë për të mirën e ‘shumicës’. Por kujdes, pasi në këto kohë fushate gjithçka që shihni në media është e drejtuar jo nga e vërteta, por nga interesat politike dhe qëllimi për të marrë sa më shumë vota. Në fund të fundit mbetet luftë për pushtet, jo luftë për drejtësi apo vërtetësi.

Në fakt, ndryshe nga çthuhet, demokracia nuk ka të bëjë shumë me lirinë e zgjedhjes së sundimtarit apo pushtetarit të rradhës, por me lirinë e informimit për të bërë zgjedhjen e duhur. Në këtë kuadër, burimet e informacionit alternativ qëllimisht janë kufizuar duke detyruar shoqërinë të bëjë zgjedhje të painformuara, e shpesh të gabuara. Distancimi gjithmonë e më tepër i qeveritarëve nga njerëzit e thjeshtë ka krijuar një demokraci artificiale televizive që shpesh ska lidhje aspak me realitetin dhe jetën e njerëzve. Dhe ‘shumica’ janë vetëm viktima të trukeve psikologjike të propagandistëve dhe besojnë, duke cënuar deri në rrënim pakicën e informuar. Njerëzit ngurshëllohen me faktin se i kanë zgjedhur liderët vet. Por qytetarët ndihen disi ‘të pavarur’ vetëm aq kohë sa të zgjedhin liderët, e më pas të bien sërisht në varësinë që kanë ndaj elitave, në apati dhe frikë.

Duhet të kuptojmë se niveli i demokracisë së nje vendi shkon në proporcion me nivelin e kontrollit apo manipulimit të informacionit. Nëse duam të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku demokracia është vetëm fasadë, por në të vërtetë ka atributet e diktaturës, atëhere jemi në rrugën e duhur: beso pushtetarët, mbështet verbërisht politikat zyrtare, merr overdozën e përditshme të informacionit nga gazetat dhe TV kryesore dhe voto një herë në 3 apo ka vjet majtas apo djathtas, duke jetuar në një botë virtuale të krijuar e zhvilluar nga demagogë politikë dhe media të kontrolluara. Por ndërkohë keni marrë në qafë edhe minoritetin e informuar, që shikon më larg se sa një fjalim politik apo një reklamë urrejtjeje në TV kombëtare.

Ne si qenie njerëzore shumë sociale, priremi të kërkojmë dhe gjejmë ata njerëz që ndajnë mendime e pikëpamje të përafërta. Por shpesh kjo tendencë bëhet shkak për manipulim tek ata që e kuptojnë mekanizmin psikologjik që qëndron pas dëshirës për të qenë pjesë e një grupi të caktuar. Shpesh oligarkët e tiranët e shfrytëzojnë këtë për të gënjyer njerëzit duke u kërkuar të braktisin individualitetin bashkë me kreativitetin, për të mirën e grupit apo një ideali abstrakt.

Aktualisht jetojmë në një mjedis ku të gjithë ata që kundërshtojnë pikëpamjet e shumicës, mund të etiketohen të çmendur. Por në fund të fundit “shumica” është asgjë më shumë se një konstrukt matematik kuantitativ, ku teorikisht më shumë se gjysma relative bien dakort mbi një çështje. Po a mund të thuhet se ata kanë bërë zgjedhjen e duhur? Historia është e mbushur me shembuj ku minoriteti i ‘drejtë’ ndëshkohet nga shumica ‘e gabuar’. Kjo ka ndodhur në politikë, shkencë apo ekonomi. Në rastin e Shqipërisë kjo bëhet edhe më shqetësuese duke parë se gati gjysma e popullsisë nuk merr pjesë në votime (2001 – 45%, 2005 – 50%, 2009 – 52%) duke përcaktuar fituesin bazuar në një shumicë jo të vërtetë.

Si rrjedhojë zhvillimi i një kulture sociale të shëndetshme mund të prishet duke u shndërruar nga një komunitet individësh sovranë, në një tufë delesh injorante pa kreativitet e kapacitet intelektual, të drejtuar nga një elitë mediokër. Ideja e pikëpamjeve të shumicës më kot i jep njerëzve ndjesinë se janë pjesë e grupit dhe në të njëjtën kohë i jep iluzionin se janë të informuar.

Si pasojë e monopolit të medias kryesore nga grupe apo individë të caktuar, bën që shumica e njerëzve te jenë të keqinformuar. Shumë prej nesh e shohin ‘pjesmarrjen në shumicë’ si një rrugë e sigurt për të qenë ‘të ditur’ pa qenë nëvoja të kërkojnë të vërtetën, madje as të mendojnë apo analizojnë. Në këtë kontekst elitat janë të famshmë në përdorimin e turmave si mburojë ndaj veprimeve të tyre arbitrare dhe të padrejta. Kur kjo ndodh elitat pretendojnë se u bë për të mirën e shumicës, apo në interes të vendit.

Në realitet duket se situata sociale / ekonomike nuk lidhet drejtëpërdrejtë me vetëdijen politike. Ndryshe revolucioni social do të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Nëse shumica e popullsisë beson se dicka është e vërtetë atëhere bazuar në ‘ligjin statistikor’ është automatikisht e vërtetë. Në anën tjetër ata që nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje me shumicën janë kundër ligjit të ‘statistikës’ e rishtaz mund të stigmatizohen nga shoqëria si të prapambetur, devijantë të sjelljeve sociale, ose thjesht… të cmendur.

Në demokracinë e sofistikuar të kohëve moderne, delegimi i pushtetit tek një elitë qeverisëse nënkupton edhe heqien dorë nga vendim-marrja, opinioni dhe të drejtat të cilat lehtësisht mund të preken si pasojë e ‘interesit të shumicës’ apo të Kombit. Të drejtat individuale sduhet të jenë kurrsesi subjekt i votimit publik, dhe në themel të demokracisë është pikërisht mbrojtja e minoriteteve nga shumica – minoriteti më i vogël në tokë është individi.

Filozofi John Mill mendon se ‘shumica’ jo domosdoshmërisht përfaqëson shoqërinë. Ai thotë se tirania e shumicës mund të jetë forma më e keqe e represionit, sepse nëse ‘shumica’ ndërmerr një akt të padrejtë, ska kthim mbrapa e lë pak shanse për pakicën, duke nënshtruar mendimet dhe sjelljen saj.

Duhet theksuar se jo të gjithë njerëzit janë të barabartë në moralin dhe në kapacitetin e tyre intelektual që nevojiten për të ushtruar pushtetin politik. Si rrjedhojë jo të gjithë janë të aftë të kuptojnë propagandën, mashtrimet e liderëve politikë në fushatë apo mos të revoltohen nga gjuha e urrejtjes që po rritet dita ditës. Mesazhet e shpërndara në kuadër të kësaj fushate tregojnë më së miri nivelin e shumicës së shoqërisë shqiptare. Jo më kot kryeministri kërkoi që 16 vjeçarët të votojnë këtë vit. Ishte një përpjekje për të marrë vota të lehta pasi mendjet dhe dëshirat e tyre ende naïve, të pafajshme dhe të paskalitura nga politika mund të manipulohen shumë thjesht.

Si pasojë e mediatizimit të jetës politike një socialist nga një demokrat në Shqipëri gjithmonë e më shumë po duken si 2 specie nga planete të ndryshme që skanë asgje të përbashkët. Fushata elektorale po polarizohet në krijimin e 2 modeleve jo vetëm politike por edhe sociale. Viktimat janë ata që nuk përkasin në asnjërin pol, por janë të shtrënguar të bëjnë një zgjedhje aspak komode: rruga e vuajtur por më e sigurt duke u nënshtruar, apo dëshpërimi duke varur veten apo duke i vënë flakën me benzinë.

Në këtë marrëdhënie aspak të sinqertë midis autoritarizmit dhe lirisë, sipas filozofit John Mill, duhet të dalë në pah rëndësia e individit, jo si pjesë e turmës por për atë që ai vërtet është dhe vlen, me kapacitetet e tij/saj intelektuale, ndjenjat dhe filozofinë për jetën. Aktualisht demokracia mbetet e polarizuar midis dy oligarkëve. Prandaj ti shqiptar i vuajtur, e ti njeri i nënshtruar, hidhe votën majtas apo djathtas në datën 23 qershor. Në fund të fundit, pavarësisht rezultatit, dihet se zëri jot sdo të dëgjohet për 4 vjet deri në zgjedhjet e ardhshme… por me siguri do të dëgjohet zëri i politikanëve në media dhe fjalimet publike boshe që përfaqësojnë ‘shumicën e manipuluar’.

Tashmë kemi dy lloje shqiptarësh të indokrinuar. Por askush sdo tja dijë për atë ‘pakicë’ të shqiptarëve që nuk përket në asnjërin model, që duhet të përballet me tiraninë e shumicës… dëshpërimin… e nënshtrimin ndaj injorancës dhe gënjeshtrës.

19 Komente

Gjipeja eshte para a pas Jalit?

Tashmë kemi dy lloje shqiptarësh të indokrinuar. Por askush sdo tja dijë për atë ‘pakicë’ të shqiptarëve që nuk përket në asnjërin model, që duhet të përballet me tiraninë e shumicës… dëshpërimin… e nënshtrimin ndaj injorancës dhe gënjeshtrës.

!!!

+1 Vetem se un nuk do flisja per pakice por per nje pjese qe fatmiresisht ka fatin te jete e lire ne menyren si gjykon, dhe ka kurajon per te thene STOP!

Shumcica eshte me popullore se pakcica. - N.N, xhibist.

lool smiley

 

STAND UP FOR WHAT YOU BELIEVE IN, EVEN IF YOU STAND ALONE!!

Tashmë kemi dy lloje shqiptarësh të indokrinuar. Por askush sdo tja dijë për atë ‘pakicë’ të shqiptarëve që nuk përket në asnjërin model, që duhet të përballet me tiraninë e shumicës… dëshpërimin… e nënshtrimin ndaj injorancës dhe gënjeshtrës.

pa asnje lloj sensi , madje denigrues fyes e rracist ky perfundim .

(2001 – 45%, 2005 – 50%, 2009 – 52%)

Qafsh injorancen, si i nxore keto statistika?  Po pershtatur per emigracionin sa del perqindja? 

Shqiperine e mori vota i vu zjarr dhe oiii te tjera.  Po ec e qajme ne artikullin e radhes. 

eshte Esse smiley

Montaigne i thote "rrofsh o bir".

Ca e ka Ylli Baken ky? 

well kto lloj teoricienesh po na heqin petllen, sikur vijne nga kozmosi. 

Ju sugjeroj ktyne, ti bashkengjiten vullnetarisht sa per eksperiment nje force politike cfaredo dhe te shkojne ne tour dhe te shofin pak nga realiteti, ti njofin njerezit dhe te kuptojne mekanizmin e votes, vendimarrjes, dhe perfaqesimit.

c'jane kto viktimizime idiote mer. 

me ngjan me veten time kur i kemi rrekelly tri kater shishe vere, ene ja bojme : eh na myten katunaret  !  Por nje qendrim pasiv tavolinash pas mesnate smund te jete kurresesi nje qendrim publik  !

Shkoni beni ndonje kokerr pune , ate beni !

Puna e ndreq ket vend me shume se cdo gje tjeter

Shi shi , po ne qe edhe punojme edhe jemi nga kozmosi si quhemi maj ruzhe smiley 

lene fare smiley

E lash po ik te bej noj pun se vota e bardh me ka shperqendru pak , rrezik me heqin nga puna smiley

fiks kte po thoja dhe une smiley

viktime iniorante je ti Ruzhe  se ky ka lexu edhe Leo Tolstoy ....

Leni llafet Shabono; ndaj mendjen e shko voto. Aty po bohen muhabete reale, legalizimi, taksa, shnetsia, arsimi, ti i bo wikin Xhon Millit.

Rruzhe nga e morem vesh qe ky tipi eshte i papune? Mua me duket se deri diku kjo eseja mund te lidhet natyrshem ose si shtojce me lajmin per NSA. Manipulimi i masave, kontrolli i te dhenave ,indoktrinimi etj jane pjese e te njejtes gje, per mua.

Gjysma e pare eshte goxha e mire, nje fare diagnoze. Gjysma e dyte pastaj haperdahet dhe bardh-e-zi-ohet ne funksion te konkluzionit qe autori duket se e ka si teze ne mendje; e kjo gjithmone e prish nje ese. 

P.sh. nje njeri nje vote eshte parim qe ngado ti qasesh s'e kundershton dot, ashtu sic nuk mund ti thuash ca tipave mos beni femije se s'jeni ne gjendje ti rrisni si duhet. 

Prisja qe autori te dilte tek dicka konkrete, p.sh. nxitja per te votuar; per nje parti te madhe a te trete, apo qofte dhe per nje vote me kryq (packa se une jam kunder saj) apo qofte kunder nje partie etj, apo per pjesmarrje dhe ndergjegjesim etj. Por te thuash qe "sistemi i shumices" eshte difektoz dhe duhet prishur, eshte rrahje uji ne hava at this point in history (of the world). 

Hiq menjane kritikat per sport te peshqve, une prap do sugjeroja qe shkrime origjinale si ky (qe per mua e kalojne 7-en, te pakten krahasuar me shumicen e opinioneve te medias) duhen promovuar nga Peshku (nese artikulli eshte botuar se pari ketu) dhe me vjen mire qe Peshku e ka vecuar. Se paku jane nje qasje 'ndryshe' nga sallata e perditshme e mediave, te cilat rrobi i lexon dhe gjetiu. Plus qe Peshku, sado qe s'eshte nga faqet me dominante shqip ne internet, besoj se ka nje profil mjaft pozitiv dhe te favorshem per te promovuar artikuj/prurje origjinale dhe ne publicistike (si ne letersi p.sh.) dhe mendoj se ne total do ja rriste vlerat faqes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).