Një autobus i vogël pret të mblidhen njerëzit dhe t’i shkarkojë në Kamëz. Anipse njerëzit mungojnë. Të pakët, pagojë brenda mikrobuzit, presin t’u bashkohen dhe të tjerët. S’pitëtin asgjë. Sheshi i Valiasit alias “Demokracia” mbledh sot dy klube të shumëdukshme, një platformë të vockël braktisur anash, ca ndërtime 2-3 katëshe fantazmë dhe pas hyrjen në minierë. Kjo është e gjithë butaforia. Po të qëndrosh në mes të sheshit orientohesh lehtë në gjeografinë e vet. Vendi mblidhet nga fusha e Kamzës nga Lindja, në Veri ‘të ndalon’ Kruja, kurse nga Perëndimi vjen Preza dhe më në jug Laknasi.

Se quan dot shesh fshati, sepse të 300 metrat katror ta pengojnë këtë gjykim, por ama se quan dot shesh qyteze sepse s’është i tillë. As më shumë e as më pak, Valiasi është një nga vendet e shumta fantazmë, mbetur pas komunizmit të pafatë kombëtar, 30 minuta larg Tiranës.

Ndoshta këtë e ka llogaritur mirë kryeministri i vendit, Berisha, që pak ditë më parë në mbledhjen përkujtimore për Grevën e Valiasit, nuk erdhi këtu. Po ç’të vinte! Këtu s’ka më frymë optimizmi. Këtu s’ka jetë. S’ka asgjë. Veç ca bagëti, që kullosin ku t’u vi për mbarë dhe minatorët e kthyer në lopçarë. Kuptohet se Berisha e ruajti solemnitetin. Zgjodhi Tiranën të fliste për Valiasin edhe pse bastioni i militantëve të kudogjendur kamziotë është pak minuta më tutje. 

“Ç’të vi m...”, më thotë një burrë që e heq pak skiç beretën dhe nuk më lë ta fotografoj. “Ku m...do të vinte!”. I hap duart të më rrëfejë me gjestikulacione se do ishte budallallëk të vinte. Po. Me burrin është e pamundur të flasësh. Po me ato që më thotë në një rrëfim monoton, ku stërkalat e pështymës garojnë me tonalitetet e fjalëve, kuptoj se ka qenë njëri syresh që më Maj 1991 bashkë me mijëra minatorë të tjerë valiasianë, ngritën flamurin e rezistencës me grevën e tyre të urisë, kundër qeverisë socialiste të asaj kohe, që u logjikua si bartëse e të kaluarës. Valiasi u bë shembull i rezistencës dhe atë kohë flaka që lindi nga ky vend do t’i jepte shpirt të madh idealist lëvizjes sindikaliste...

 

Në Valias

Këtë përfytyrim idilik dhe atë që mundohem ta përafroj me atë kohë në Tiranë më prishet shpejt. Sejdin Sulejmani me tre lopët e tij pas një gëmushe, para njërës prej pallateve 2-3 katëshe, jep e merr. “Hë çfarë ke?!”. Ka një fytyrë që më duket se nuk shikon shumë drejt. Asgjë-ia bëj me shenjë. Po fotografoj (I tregoj aparatin). “Këtu e gjete. Po punoj”. Në fakt, 61 vjeçari i rrumbullakët po shtyn kohën dhe pastron lopët, që duken bajagi të trajtuara. Pak rezistencë. Bie. Muhabeti nis ndryshe. Ka qenë minator por në sipërfaqe dhe si shumica syresh këtu, ka ardhur prej Skraparit. Pjesa tjetër si ai, erdhën me vite nga Korça, Burreli etj. Pak më tutje, shikoj dy gra të reja, veshur njësoj, që punojnë duke nderur rroba. Burri më kap vështrimin dhe s’më lë të largohem. Shfryhet. Mbyllja drastike e minierës, që nuk mund ta shtynte me atë nivel prodhimi, bëri që mijërat e punëtorëve të marrin udhët. Shumë u kthyen nga erdhën, një pjesë iu ngjitën emigracionit, të tjerë ikën në Bulqizë, shumë në Tiranë. Të tjerët? E ku ta dish! Qëndrestarët, ose më saktë ata që bënë pasaportizimin këtu, ‘patën’ fat sepse me ligjin 7501 morën tokë nga ferma. 1.6 dynymë për frymë, i bëri të kuptojnë se do t’i ktheheshin jetesës së të parëve. Bujqësi e blegtori. Morën lopë. Morën bagëti. Mbollën jonxhë. Kjo e mban sot Sejdinin dhe njerëzit e tij. Duhej të isha në pension prej minierës prej kaq vitesh dhe nga bujqësia prej një viti, por ja punoj, më sqaron. Ia del? “Eh, ç’të them. Jetojmë kot. Jemi aq keq sa nuk ta merr mëndja. Jemi kthyer në fshatarë të varfër”-ma bën...

Miniera

E aprovoj, por e kam të vështirë që ky burrë në dukje mirë, të vuajë aq shumë. Do doja të më thotë si është përshtatur. Por, e ka më lehtë ankimin. Lopët tregojnë se ka pak kamje. Një burrë i vjetër lëviz që andej. Tregohet indiferent. Se kush e thërret: ”O Bektash, nga po shkon?”. Ai i hedh një vështrim shpërfillës dhe çapitet me një kapele të stërpërdorur pas bagëtisë së vet. Ndahem me burrin. I afrohem sheshit të Valiasit, që zgjerohet teksa afrohem. Nuk pitëtin pothuaj asgjë dhe kronika e këtij vendi është tashmë një pikatore në kronikën e jetës kombëtare. Ah, sikur një djalë të mos kishte vrarë të atin, pak ditë më parë. Histori papunësie dhe realisht e dhimbshme. Një ditë më parë kam parë një fotografi të Kastriot Islamit, Azem Hajdarit dhe Fiqiri Xibrit. Mundohem të përcaktoj këndin, ku kanë qenë. S’orientohem dot. Eh, çfarë paradoksesh ka ky vend! Islami ardhur nga dera komuniste-socialiste është sot i PD-së, Fiqiriu është në një formacion që i është bashkuar PS-së, kurse Azem Hajdari në varr, me mal akuzash mbi vete dhe një heshtje, që nuk do të zbulohet kurrë. Këndin se gjej dot, por e hamendësoj. Një ditë më parë, Berisha ka bërë një aktivitet të madh, me sindikalistët dhe ka kujtuar këtë ditë. Kuptohet pa banorët e Valiasit. Njërin prej tyre, kryeplakun e fshatit, e gjejmë bash në klubin e vet. Fadili e menaxhon por edhe e drejton lokalin. 48 vjeçari e ka bërë një biznes krejt familjar. Ka bërë një lulishte të mirë, por jo aq të mbajtur; ka një pikë loto brenda, që ia menaxhon i nipi dhe po ndjen stresin pa fund. Është krizë, i themi. Kjo dihet. Po, por në kokë ai mban imazhe të shkuara, ato që e bënë këtë vend vërtetë një qendër. “Kishte gjallëri dhe shteti nuk e mbylli edhe pse ishte me humbje”, na thotë. Gjykon drejt dhe është shumë i saktë. Merr përsipër të na rrëfejë mbi minierën. Ka qenë punëtor aty, por ajo që ka kuptuar me kalimin e kohës është se kishte një logjikë, që justifikonte gjithçka. Sot, vetë ka tokë, ka këtë lokal, por sërish thotë se jeta është tejet e vështirë. Të gjithë punojnë tek ai. Ai vetë, të bijtë, e shoqja, nipi. Është tejet mikpritës dhe një njeri i qartë. “Nuk di të zbukuroj. Një pjesë e banorëve kanë tokë por jeta është vështirë. Bëjnë lloj-lloj punësh dhe minatorët e djeshëm janë kthyer në bujq”. Ajo që i mban të gjithë është ideja se do hapet kampusi i një universiteti dhe kjo do shërbejë dhe për ata të jetojnë. Si? Këtë s’ma thotë askush. “Dhe, ka toka ende të pandara”. Vendin e mësynë shumë të ardhurit, por ai vetë futet në valiesianët e vërtetë. Familja, rrëfen, ka zbritur nga Kruja rreth 120 vjet më parë. E përshkojmë bashkë sheshin ‘Demokracia’. “Eh dikur, 4000 minatorë punonin në këtë vend. Kishte nga të gjitha gjërat që sot i ka një qytet dhe mbase shumë më tepër. Jetonim të gjithë. Sot. Ah sot?” Miniera, ku ka punuar dhe ai, është fill pas lokalit të vet, rreth 150 metra tutje. Në këtë shesh e bëj më mirë lidhjen, se ku është bërë edhe ajo fotoja interesante e këtyre personazheve. Miniera ka hapësirë të madhe, por togjet e dherave, hendeqet, platformat e prishura, të pengojnë ta këqyrësh. “ Kjo është fabrika e pasurimit. Vinte qymyri dhe shkonte te sillozet. Sipërfaqja mund të jetë 12 ha ose 13 ha e gjithë minierës. Nuk e di me saktësi Kishte 4000 punëtorë. Nga kohët e fundit kur po vinte demokracia, këtu  punëtorët vinin, me planifikim, që të mos bridhnin më rrugëve”. Largohem dhe mundohem t’i marr në largësi objektet. Ai shpjegon qetë.“Këtu ishin avaro-shpëtuesit. Këtu dilte qymyri dhe vinte.. . Bitumi shkarkohej andej dhe vinte këtu (Tregon me shenja). Ishte treni. Këtu ishin dushet dhe pihej dhe qumështi. Ndërkohë që vinte për pak minuta. Këtu vinin punëtorët dhe andej matanë dilte qymyri”. Qëndrojmë mbi një platformë, nga ku minatorët futeshin në minierë. “Andej ishte organello për ashensorin. Është një pus tjetër matanë që vinin punëtorët...”.

 

Të tjerët

Burri që e ndjek nga larg diskursin tonë afrohet. Bektashi mban një kapele me strehë të vogël. Kullot bagëtinë i patrazuar. Ish-minatori është 74 vjeç dhe i bën përshtypje që vinë ende njerëz. Oh, sa njerëz ka pasur, më thotë. “Nuk mbaronin. Mizëri”. Befas gjallërohet. “A do ndryshojë ndonjë gjë? Kur do bëhet universiteti?” Më bën disa pyetje , pasi më pyet gjerësisht për familjen e të gjitha bashkë. O Zot, a ka më vend në Shqipëri për universitete, kujtoj? Me sa duket ka...Ndahem me plakun. Por, Ademi, pak më tutje më shikon me një vështrim qesëndisës. Ka zënë vend nën njërën prej platformave 8-9 metërshe dhe shikon i qetë punën e vet. Ka dhi të racës burri nga Macukulli. Është ende i fortë dhe është nga të shumët tani që kanë zbritur afër Tiranës, por pas grevës së 1991. S’ka qenë në minierë. Po atje në Mat është më mirë sesa këtu, i them. “Ikën të gjithë vendosa të ikja dhe unë”, më sqaron. Dhe? Çtë them ka shkuar atje ku s’mban më. Shiko dhe gjyko vetë! Faktet flasin vetë. “Në këtë vend është punuar deri më 186 metra, më sqaron Fadili. Punohej me turne, por kishte gjithçka që mund të kishte një qytezë e vërtetë”. Po tani? E lemë fare. “Ka arrit varfëria atje ku s’mban më. Por, njerëzit janë të qetë dhe të gjithë shohin punët e tyre”, më sqaron.

Të mendosh se këta ishin të parët që e ngjitën në pushtet Berishën dhe njerëzit e tij dhe të mendosh sot se pas 22 vjetësh, kryeministri nuk ka bërë asgjë për Valiasin, të bën të kuptosh nivelin e premtimeve të politikanëve. Por ironia shkon edhe më tutje. Ata mbajnë një  medalje, e cila quhet  ‘Pishtar i Demokracisë’ , por me kohë janë kthyer në simbol të vërtetë varfërie. Pa punë, pa të ardhme deri edhe me ujë të kufizuar. Burri më shpjegon shumë detaje dhe vështirësitë e shumta, që janë si dy pika uji me të gjithë vendin.

Po pse kështu është demokracia?-ma pret një burrë, i cili ka punuar gati 15 vjet në minierë. Po pse vuajtëm ne? Nuk di ç’të them më? 

 

Në vend të epilogut

Por kjo ka pak rëndësi. Të paktën në këtë kohë. Valiasi është i mbushur me flamuj. Kuptohet jo me orgjinë e shtyllave të Kamzës. Fadili më thotë se dasitë politike nuk ndikojnë dhe ata shkojnë mirë!! Nuk ka probleme. Po varfëria? Po të gjithë jemi të varfër! Në fakt, vetëm pak ditë më parë, njëri ka vrarë të atin sepse i thoshte të punonte. Por, kjo është Shqipëria. Autobuzi i vogël është bërë gati të ngjitet, kurse Sejdini  është sërish në të njëjtin vend. Largohemi. 

Një orgji flamujsh na shoqëron në Kamzën laramane. Nga shtatë flamuj për çdo shtyllë..

Pranverë 2013.

7 Komente

Beme pa fat dhe hidhma reportazhin tek Peshku ne te njejten dite me reportazhin e Pjerit, i thone kesaj.

It's all about timing, - thote nje kenge

Valiasi as qe desh hapur fare. "Qymyrin" e kishte me shume dhe. 

Reportazhi/pershtypjet mbi Valiasit ishin nje shkrim i domosdoshem, nje shkrim aktual, dhe nje shkrim i ndjeshem qe autori Ben na ka sjelle. Pershkrimi me pelqeu, kishte gjera qe ne emigrantet nuk i dinim dhe i mesuam pikerisht fale ketij pershkrimi. 

Ne maj une pashe nje debat ndermjet sindikalistit Kalaja dhe nje tjetri, nje debat pa respektuar kohen, tjetrin, flisnin te dy njekohesisht, ndonse Kalaja ia kalonte debatuesit perball, fliste vend e pa vend, nuk mund ta percaktoja dot se kush kishte te drejte, se flisnin per çeshtje qe nuk i njihja (ne emigrantet nuk i njohim te gjitha ujrat qe kane rrjedhur), por me vone pyeta per Kalane dhe sindikalizmin ne Shqiperi se pse ishte aq dobet dhe me thane se Kalaja ishte pasuruar nga disa privatizime, kishte prona dhe e kish ulur zerin e sindikalizmit. Pra ishte ngopur, fryre, dhe nuk i vinte zeri ndaj qeverise. Para qeverise ai rrinte si pule ndersa ndaj te tjerve rrinte si kokosh. 

ja te pyesim njeher , se qenj rugesh marshallah kina plot ne lagje smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).