“Kam një jetë që aktroj në skenë, por ‘vdekja’ ime ka qenë roli më i vështirë”

Nuk i ka kaluar akoma zemërimi për atë që ndodhi në muajin mars të këtij viti. Lajmi i rremë për vdekjen e tij, i shfaqur në një televizion dhe më pas i publikuar në të gjitha mediat e tjera dhe rrjetet sociale, e ka tronditur vërtet Artistin e Popullit Demir Hyskja. 

Në jetë duhet të luash role të vështira dhe të përballesh me çdo situatë, por rasti në fjalë kërkon një profesionist – vetëm një artist i madh si Demir Hyskja mund ta kthejë dramën në një komedi, duke injoruar vdekjen dhe duke i buzëqeshur jetës deri në fund…

JU FLET “I VDEKURI” 

Po flasim me një të vdekur. Tre muaj, pasi televizionet informative dhe media sociale shkruanin: “Ndahet nga jeta Artisti i Popullit Demir Hyskja”, ne e gjejmë në verandën e shtëpisë së tij, në lagjen “Aqif Pasha”, në Elbasan. Refuzon të flasë për gazetarët. Dhe në refuzimin e tij ka pak inat, humor, cinizëm, urrejtje për “racën tonë”. “Unë për komunitetin tuaj jam i vdekur dhe një i vdekur nuk mund të flasë”, shprehet aktori në mes kësaj gjendjeje të lëkundur emocionale. Bashkëshortja, me dhembshurinë e një gruaje, e bind që të flasë. Mbase për të bindur të tjerët që është ende gjallë. Demiri është serioz dhe fjalëpak. Flokët e thinjur e fisnikërojnë akoma më shumë. Mustaqet vendevende janë zverdhur nga tymi i cigares. Jeton vetëm me bashkëshorten. Kanë tri vajza dhe një djalë. Njëra prej vajzave jeton shumë pranë banesës së tyre. Nuk kalon ditë në të cilën ajo të mos vijë për t’i parë prindërit dhe për t’u shërbyer me ç’të mundet. Dy të tjerat u telefonojnë dhe i vizitojnë sa herë munden në shtëpinë e tyre private. Por, aktori e ka një brengë që mposht edhe dhimbjen prindërore dhe përmes trishtimit, e bën publike: “Djalin e vogël e rrita, por nuk arrita ta gëzoj”. Ishte gëzimi më i madh për të që vinte në jetë pas tri vajzave. Ndaj edhe e vuan vërtet mungesën 17-vjeçare të tij. Në vitin 1996 djali emigroi drejt Gjermanisë dhe që prej atij viti jeton dhe punon atje.

Seriozitetin e zakonshëm e harron sa herë që flet për të birin. Kjo largësi e ka ndrydhur zemrën e aktorit. Telefonatat e shpeshta me të birin duket se nuk ia plotësojnë aq sa duhet nevojën për ta pasur pranë vetes. Udhëtimin që ka bërë me bashkëshorten pak vite më parë drejt Gjermanisë e ruan si një ndër kujtimet më të bukura. Nuk e fsheh krenarinë që ndjeu kur pa se dyqani i të birit në Berlin mbante emrin “Skampa”, emrin e vjetër të qytetit të Elbasanit. “Më bëhej zemra mal sa herë që e shihja atë reklamë, më dukej sikur të isha në qytetin tim”, tregon mes kënaqësisë 76-vjeçari. Aktori dëshiron të tregojë sa më shumë për familjen e tij të madhe, ndaj edhe nuk heziton të çohet, ndonëse me vështirësi, për të na treguar kujtime të familjes. Lëvizjet e pakta nëpër shtëpi për aktorin shoqërohen gjithmonë nga një shkop i zi, i gdhendur bukur. Hapat janë vërtet të lehta e të ngadalta, por dëshira e tij për të jetuar çdo ditë ndryshe mposht pleqërinë e padëshiruar. Në muret e shtëpisë gjen kudo foto dhe kujtime që rishfaqin fragmente jetësore, në të cilat ka dominuar gëzimi. Po të mos kishin qenë problemet shëndetësore, ai do vazhdonte të ishte në skenë. E dëshiron skenën, ndaj edhe nuk do të hezitonte, sikur të mundte, të ishte qoftë edhe për herë të fundit zot i saj. Llojshmëria e sëmundjeve nga të cilat vuan e kanë sforcuar energjinë e dikurshme. Ditën e nis me ilaçet që pi për diabetin dhe mbrëmjen e mbyll me ato të tensionit. E megjithatë, Demiri nuk ka frikë as nga sëmundja dhe as nga vdekja. Ndonëse doktori ia ka ndaluar prej kohësh të konsumojë cigare, duket e pamundur që aktori të heqë dorë prej vesit të tij të hershëm. “I shërbej vetë shëndetit se jam i sëmurë, pi një thes me ilaçe, edhe këtë pak takat që kam, e ruaj që të më shërbejë për të jetuar”, thotë aktori teksa shkund cigaren. Leximi i gazetave i është kthyer në një ritual tashmë. Informohet për gjithçka, por me gazetarët ka krijuar një distancë të qëllimshme. S’mund të shtiret. Për ta ai tashmë është i “vdekur” dhe si i tillë, ai zgjedh vetëm të heshtë…

“RINGJALLJA” E AKTORIT 

Goditjet e forta në derën e shtëpisë e kishin shqetësuar. Nga pamundësia që ka për të bërë lëvizje të shumta, kishte qenë bashkëshortja e tij që kishte hapur derën. Nipi, djali i vajzës, mes tensionit dhe trishtimit të atij lajmi të gënjeshtërt, i ishte hedhur në qafë. Demiri nuk po kuptonte asgjë. Aktori nuk e dinte se ndërkohë që ai ishte në shtëpinë e tij shëndosh e mirë, në televizione atë e quanin të vdekur. Tronditja dhe dëshpërimi kur kishte mësuar lajmin kishte qenë e fortë. Më shumë sesa lajmi, Demirin e kishte tronditur fakti që pas portës së tij kishin ardhur një mori qytetarësh, miq, shok të aktorit për të kryer ngushëllime. Mes indinjatës dhe tronditjes ishte përpjekur që këtë situatë ta kalonte sa më qetë. Ishte ngritur ashtu avash-avash dhe me ndihmën e shkopit kishte shkuar deri te dera. Ishte përballur i vetëm me habinë dhe çoroditjen e kujtdo që e dinte të vdekur. I kishte ftuar brenda të gjithë dhe me bujarinë që e karakterizon, u kishte ofruar të gjithëve diçka për të pirë. Mes batutash dhe ironisë, kishte arritur t’i “bindë” të tjerët se ishte vërtet gjallë. Edhe pse i papërgatitur, Demiri po luante mbase rolin më të çuditshëm në jetën e tij; atë të të vdekurit të ringjallur. “Kam një jetë në skenë dhe kam luajtur me qindra role, por të them të drejtën ‘vdekja’ ime ka qenë roli më i vështirë i jetës. Njerëzit të shihnin dhe më pas fërkonin sytë, se nuk e besonin që isha gjallë”, e mbyll këtë rrëfim aktori.

***

Demir Hyskja, një jetë në skenë dhe miqësitë me aktorët e mëdhenj. Nga teatri “Skampa” në rolet kinematografike

Ka lindur në ditën e parë të vitit 1937, në Elbasan, djalë i dy prindërve punëtorë. Demiri u shkollua në qytetin e tij të lindjes, ku përfundoi gjimnazin për teknik ndërtimi. Rrugën e artit e nisi menjëherë pasi përfundoi gjimnazin, por duke qenë se të ardhurat ishin të pakta, u detyrua ta braktiste shkollën dhe të punonte, ndërkohë që ishte bërë edhe prind. Dëshira për aktrimin ka qenë gjithmonë e madhe, por mundësitë në atë kohë mungonin. Ndryshimi i madh në jetën e tij do të vinte në vitin 1962, kur mori jetë teatri “Skampa”, në qytetin e Elbasanit. Aktivizimet në këtë teatër e bënë Demirin të lidhej një herë e përgjithmonë me botën e artit. Brenda pak kohësh ai u bë aktori më i rëndësishëm i këtij teatri, duke luajtur me dhjetëra role. “Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë që puna ime të bënte për vete aq shumë njerëz dhe kur e provova si ndjesi, më besoni, u gjenda i papërgatitur përpara gjithë atij respekti dhe konsiderate që të gjithë shfaqnin për mua”, tregon aktori. Ai ka luajtur në sa e sa filma, mes të cilëve mund të përmendim: “Kur zbardhi një ditë”, “Mëngjese lufte”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Gjyshi partizan”, “Dhe vjen një ditë” etj. Aktori nuk dëshiron të bëjë diferencime në rolet që ka luajtur, për të veçuar ndonjë prej tyre, por shprehet me siguri se në secilin ka dhënë maksimumin. “Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi kanë qenë kolegët e mi në disa filma, por për mua ata kanë qenë shumë më shumë. Ata ishin shkolla ime”, thotë Demiri. Teatri “Skampa” është dashuria më e madhe për Demirin. Për të ai përlotet. Mendohet dhe zgjedh me kujdes çdo fjalë që do të shprehë për institucionin që i ka dhënë shpirtin dhe frymën e tij prej artisti. “Ato vlera që i jep Elbasani Shqipërisë, teatri t’ia pasqyrojë artistikisht sa më bukur çdo spektatori që ulet në çdo stol të atij teatri. Është përgjegjësi shumë e madhe, privilegj do të thosha, për këdo që të interpretojë në atë skenë, ndaj edhe çdo artist duhet ta vlerësojë maksimalisht këtë fakt”, thotë me zë të dridhur aktori 76- vjeçar. Sa herë që kujton teatrin “Skampa”, Hyskja nuk rri dot pa përmendur aktorin dhe kolegun e tij të ngushtë, Astrit Çerma, me të cilin Demiri bashkëpunoi në ndërtimin dhe vënien në skenë të sa e sa karaktereve dhe personazheve.

12 Komente

Kshu ja kane pas bo dhe nji professoreshes qi kam pase ne shqipni. Kuptohet qe une nuk kam pase gisht, se kam pase better things to do, things e çfare things thuaj ti! Lol

'Ky rol kerkonte nje profesionist- thote' haha. Ska faj Demiri. Rol I veshtire. Rendesi ka qe skish vdek me verte. lol

smiley Gezohem qe eshte shendosh e mire.  Na ka ra ne qafe politika thote korpusi gazetaresk. 

Ne mos gaboj, m'duket se nje artikull per "vdekjen" e tij smiley e kemi lexuar edhe ketu tek Peshku, ose mund ta kem lexuar ne ndonje gazete , dhe me duket sikur e kam lexuar ketu smiley

gjera qe ndodhin..  rendesi ka qe z. Demir gezon shendet te plote!

 

p.s  ku e ka gjetur kete kapelen qe shkon tepke me ngjyren e mustaqeve... kombinim origjinal!smiley

ushtar lamja eshte shoku yne

shoku Mali.. ju ketu?!

dhe ne me ndodhte gje mua... juuu... nuk do ta vazhdoni luften tone?

ps ne vazhdim te kushtores, dmth what-if scenarios:

ne m'u kalbt-o rripi pushkes, neno moj ne shi e n'ere, do ta lidh ne balle te luftes, do ta lidh ne balle te luftes, me gershetin tim te prere, o mori naaaan...

 

emo,  meqe permendem filmin...  paskesh vdekur Minella Borova, lexova para ca ditesh..

ku e lexove mo , se keto lloj gazetaresh te qajn per se gjallmi.

Viktimizimi-Sport Kombetar !!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).