Në shoqërinë shqiptare fjala 'intelektual', veçanërisht në periudha tranzicioni ka pasur dhe ka fat tragjikomik: është mbivlerësuar si fjalë me fuqi gati hyjnore dhe njëherazi është zhvlerësuar gati krejtësisht nga inflacioni. Sidomos gjatë fushatave zgjedhore drejtuesit e partive politike i paraqesin në publik si 'intelektualë shumë të shquar', si 'intelektualë brilantë', si 'njerëz me gjen intelektuali' të gjithë kandidatët për deputetë, për kryetarë bashkie e komune dhe deri ata për kryepleq lagjesh në qytete ose në fshatra. Në situata të tilla politike e psikoshoqërore karakterizimi 'intelektual' përdoret me dendurinë më të lartë, si diçka që i jep dritë personalitetit të kandidatit, që ia pastron atij të kaluarën edhe nëse është ndotur me njolla korrupsioni e të krimeve të tjera, që do të rritë efektivitetin e veprimtarisë së tij në funksionet politike që pritet të ushtrojnë etj. Natyrshëm shtrohen pyetjet: Sa përkojnë përfytyrime të tilla të shqiptarëve për intelektualin me konceptet më të përhapura në vendet më të urbanizuara të Perëndimit? Nga se përcaktohen përafrime e dallime të tilla dhe çfarë problemesh sociale e psiko-kulturore krijojnë ato? Çfarë statusi kanë pasur dhe kanë intelektualët në shoqërinë shqiptare, së paku nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona? A e kanë kryer dhe e kryejnë intelektualët misionin e tyre në shoqërinë shqiptare? Çfarë profilesh të veçantë kanë statusi dhe rolet e intelektualëve në shoqërinë shqiptare të ditëve tona? etj. 

Gjatë shekullit XX, dhe veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, në literaturën sociologjike dhe përgjithësisht në atë sociale, është trajtuar intensivisht edhe problematika shumëdimensionale, mjaft komplekse e grupimit shoqëror të inteligjencies, të intelektualëve, sidomos çështjet e statusit dhe të rolit të tyre për funksionimin e shoqërive moderne shumë të industrializuara ose pasindustriale. Rritja e interesimit teorik, për shumëçka që ka të bëjë me këtë grupim shoqëror, përcaktohet në një masë të madhe nga rritja e rolit të tij në shoqërinë moderne. Një nga studiuesit më të kualifikuar të inteligjencies dhe veçanërisht të botëkuptimit e të veprimtarisë së mjaft prej personaliteteve më të shquar të mendimit shoqëror, të karakterizuar si "shpirtra të lirë, aventurierë të mendimit", Paul Johnson, ndër të tjera, ka shkruar: "Ndikimi i intelektualëve ka ardhur duke u rritur gjatë dyqind viteve të fundit deri në atë pikë sa lindja e intelektualit laik ka qenë një faktor vendimtar në formimin e botës moderne... intelektualët kanë luajtur rol gjithnjë në rritje në modelimin e qëndrimeve dhe të institucioneve tona... Intelektuali laik mund të ishte deist, skeptik ose ateist, por ishte i gatshëm, jo më pak se një peshkop ose kardinal, t'i mësonte njeriut se si të sillej. Që në fillim ai e shpalli vetëm si martir i sakrifikuar për interesat e njerëzimit dhe i veshur me misionin ungjillor për ta përmirësuar (njerëzimin) nëpërmjet mësimeve të tij"(2009: 7, 8). 

Problematika e intelektualëve veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore është trajtuar në këndvështrime të ndryshme. Mjaft prej këtyre trajtesave kanë synuar të përcaktojnë edhe konceptet "inteligjencie", "specialist me arsim universitar ose pasuniversitar" dhe veçanërisht "intelektual". 

Reflektime të zhvillimeve kontradiktore të kohës në përcaktimet e konceptit "intelektual" 
Disa sociologe mendojnë se pas koncepteve "kulturë" dhe "shoqëri", nocionet "inteligjencie" dhe "intelektual" kanë, jo vetëm denduri të lartë përdorimi në jetën e përditshme e në literaturën sociokulturore, por edhe një histori të përshkuar nga kundërthëniet e konfuzioni, në të cilat janë reflektuar ndjeshëm betejat politiko-klasore, dy luftërat botërore dhe e ashtuquajtura "luftë e ftohtë" . 

Që nga viti 1860 deri në ditët tona përcaktimet teoriko-sociologjike të nocioneve "inteligjencie" dhe "intelektual" janë të shumta. Këta interferohen, ndryshojnë në masë të konsiderueshme dhe disa prej tyre, në mjaft aspekte, kundërshtojnë njëri - tjetrin. Po të shpreheshim me gjuhën e sociologut të shquar bashkëkohës, Raymond Williams një begati e tillë përcaktimesh të nxit të mendosh se ka pothuajse aq përcaktime të nocioneve "inteligjencie" dhe "intelektual" sa ka edhe studiues të shquar të këtyre grupimeve sociale (1982:10-11).Edhe në këtë karakterizim shprehen qartë kontradikta të shumëfishta në kuptimin dhe interpretimin e nocionit të intelektualit. 

Sidomos që nga mesi i shekullit XIX deri në ditët tona studiues të ndryshëm kanë analizuar edhe kundërthëniet në statusin social, në botëvështrimet e intelektualëve. Ata kanë qëndruar dhe qëndrojnë ndërmjet klasës punëtore dhe fshatarëve, nga njëra anë, dhe pronarëve, nga ana tjetër. Të lakmuar dhe të dyshuar nga klasat kryesore të shoqërisë, sidomos në periudha shndërrimesh shoqërore rrënjësore, intelektualët, përgjithësisht, janë më të ekspozuar ndaj lëvizshmërisë shoqërore: në sajë të punës profesionale të kualifikuar ose shumë të kualifikuar një pjesë e intelektualëve "ngjiten" në statusin e pronarëve, ndërkohë, më të shumtë janë ata që rrezikohen, "zbresin në terrenin e vështirë" të statusit të punëtorëve, së paku në rrafshin ekonomik. Të ndodhur ndërmjet dy klasave me interesa themelore të ndryshme, deri krejt të kundërta në disa aspekte, intelektualët, shpesh, janë konfuze e kontradiktore në opinionet dhe teoritë që formulojnë për zhvillimet shoqërore e politike, ekonomike e kulturore. 

Në vendet më të urbanizuara të Perëndimit, sidomos që nga mesi i shekullit XIX, është përdorur më dendur termi "intelektual". Ndërsa koncepti inteligjence është vënë në qarkullim për herë të parë në Rusi që në vitet '60 të shekullit XIX dhe përfshin njerëzit me arsim universitar, të cilët janë të angazhuar profesionalisht në punë profesionale të kualifikuara dhe jo në punë fizike (Bottomore T., 1964: 64). Kjo traditë konceptuale është përhapur nga Rusia veçanërisht në ato vende, të cilat, pas Luftës së Dytë Botërore, instaluan regjimet totalitare të orientimit socialist. 

Përgjithësisht, në vendet ish-socialiste të Lindjes ka qenë mbizotëruese prirja për t'i zgjeruar "kufijtë" e grupimit social të inteligjencies, për të identifikuar konceptin "inteligjencie" me atë të "nëpunësit". Sociologët, që i përmbahen këtij orientimi, përfshijnë tek inteligjencia të gjithë punonjësit e angazhuar profesionalisht me punë jo fizike, domethënë përveç njerëzve të angazhuar profesionalisht me punë mendore mjaft të kualifikuar, edhe punonjës me arsim të mesëm të sektorit të shërbimeve, si arkëtarët, telegrafistët, shitësit, faturinot etj. Nëpërmjet koncepsioneve të tilla, që i frynin artificialisht radhët e inteligjencies me punonjës të sferës së shërbimeve, synohej të provohej se pas vitit 1970 inteligjencia ishte shtresa sociale, e cila luante rol kryesor jo vetëm në përparimet tekniko - shkencore, por edhe në çdo proces social. 

Veçanërisht përgjatë viteve 1960-1990 në studimet sociologjike janë formuluar jo pak përcaktime të dyfishta ose eklektike të nocionit të inteligjencies. Për shembull, sociologu rus Mihail Rutkeviç, i cili ka shqyrtuar për një kohë të gjatë këtë çështje, mbron pikëpamjen se në shtresën e inteligjencies, në kuptimin e gjerë të fjalës, përfshihen të gjithë njerëzit që kryejnë punë jofizike, dhe, në kuptimin e ngushtë, vetëm punonjësit e punës mendore të ndërlikuar, të kualifikuar dhe shumë të kualifikuar, specialistët me plot kuptimin e fjalës (1977: 23-34). 

Në studimet sociologjike amerikane të pas Luftës së Dytë Botërore është mjaft i përhapur përcaktimi i sociologut Seymour Lipset për intelektualët. Ai përfshin në nocionin e "intelektualëve" të gjithë ata që krijojnë, përhapin dhe përdorin kulturën si përbërëse të domosdoshme të veprimtarisë së tyre profesionale. Si krijues të kulturës ai konsideron shkencëtarët e filozofët, shkrimtarët e artistët, gazetarët dhe disa botues. Te përhapësit e kulturës Lipset përfshin mësuesit, reporterët etj. Ndërsa në grupin e intelektualëve që përdorin kulturën si pjesë të pandarë të veprimtarisë së tyre profesionale ai përllogarit mjekët, juristët etj. Vlen të theksohet se të tri kriteret, në të cilat bazohet ky përcaktim (krijimi, përhapja dhe përdorimi i kulturës si përbërëse e domosdoshme e veprimtarisë profesionale), nuk janë të përcaktuara rigorozisht, sepse në kushtet e zhvillimit të shoqërive industriale shumë të zhvilluara, pasindustriale, të rritjes së pandërprerë të shkallës së përdorimit të pajisjeve tekniko - teknologjike gjithnjë më të sofistikuara, të ngritjes së ndjeshme të nivelit arsimor e tekniko - profesional të shumicës së punonjësve, masa e njerëzve të angazhuar shumë a pak me krijimin, përhapjen dhe sidomos me zbatimin sistematik të dijeve kulturore në punën e përditshme është më e gjerë se shtresa e inteligjencies. Lipset përjashton nga radhët e inteligjencies inxhinierët, dhe të gjithë specialistët e tjerë me arsim të lartë, të cilët shërbejnë si drejtues në prodhim dhe në veprimtari të tjera shoqërore. Sipas koncepsionit të sociologut Lipset të gjithë nëpunësit e angazhuar profesionalisht në veprimtarinë drejtuese e administrative nuk konsiderohen intelektualë (1971: 311). Ndërkohë në vendet ish-socialiste të Lindjes inteligjencia drejtuese-administrative konsiderohej si një nga "repartet" kryesore, në mos kryesori i të ashtuquajturës inteligjencia popullore, e cila përbëhej edhe nga inteligjencia arsimore, inteligjencia mjekësore, inteligjencia tekniko-ekonomike, inteligjencia e institucioneve kërkimore-shkencore, inteligjencia e institucioneve artistike etj.

Sikurse në mjaft prej vendeve ish-socialiste të Lindjes, edhe në shtetin shqiptar të viteve 1945-1990, te shtresa e inteligjencies përfshiheshin të gjithë punonjësit që nuk merreshin profesionalisht me punë fizike, por me punë drejtuese, organizuese e krijuese si drejtuesit administrativë dhe organizatorët e prodhimit e të veprimtarive të tjera të të gjitha niveleve, nga brigadierët deri te ministrat, mësuesit e specialistët e shëndetësisë, personeli inxhiniero-teknik dhe ekonomistët, studiuesit dhe ndihmësit e tyre, shkrimtarët dhe artistët e të gjithë profileve, gazetarët e juristët, personeli komandues i të gjitha niveleve në ushtri dhe në struktura të tjera të ruajtjes së rendit etj. Specialistë të tillë mund të ishin me arsim të lartë, të mesëm ose gjysmë të mesëm. Në botimet statistikore të realizuara gjatë periudhës së regjimit socialist totalitar jepen me përparësi të dhëna që dëshmojnë dinamikën e rritjes së numrit të specialistëve me nivele të ndryshme arsimimi dhe kualifikimi. Sipas statistikave zyrtare të publikuara, përgjatë 40 viteve 1951-1990 mbaruan shkollat civile të larta, të mesme të përgjithshme dhe të mesme profesionale përkatësisht 80 652 vetë, rreth 150 000 vetë dhe 401 336 vetë (Drejtoria e Statistikës, 1991:83; përllogaritje të autorit). Punonjësit me arsim të lartë dhe shumica dërrmuese e punonjësve me arsim të mesëm, që nuk punonin drejtpërdrejt në prodhim, përfshiheshin te shtresa e inteligjencies. Ndërsa te nëngrupimi i inteligjencies krijuese përfshihej një numër fare i vogël shkrimtarësh, artistësh dhe punonjësish me grada e tituj shkencore. Sipas statistikave zyrtare të publikuara në vitin 1990 në shtetin shqiptar kishte vetëm 2135 punonjës me grada e tituj shkencor (po aty; përllogaritje e autorit). 

Përtej interesave politikë të regjimit socialist totalitar për ta rritur artificialisht numrin e inteligjencies, që konsiderohej si një përparësi e rendit socialist në krahasim me atë kapitalist, në opinionin e kulturuar të shoqërisë shqiptare edhe në vitet 1945-1990 intelektualë të vërtetë konsideroheshin vetëm ata punonjës me shkollë të lartë, me grada ose tituj shkencorë që merreshin me punë të mirëfilltë krijuese në fushën e arteve, të shkencave dhe të përparimeve teknike. 

Kundërkonformizmi konstruktiv - tipar qenësor i intelektualit 
Në morinë e përcaktimeve të nocionit "inteligjencie" dhe, veçanërisht, të atij "intelektual" rilevohen edhe ata që theksojnë shpirtin kritik të kësaj kategorie specialistësh të mirarsimuar. Në studimet sociologjike, shpesh, veçanërisht nga Richard Hofstadter, nocioni "intelektual" është identifikuar me atë të protestës politike, shoqërore e morale. Madje është theksuar herë pas here se intelektualët e vërtetë nuk kënaqen kurrë me gjendjen reale, por kërkojnë ndryshimin e zhvillimin e saj të pandërprerë. Kësisoj, edhe sipas Raymond Aronit, intelektualët janë të infektuar nga sëmundja profesionale e shpirtit kritik ndaj realitetit ekzistues (shih: Encyclopedia of Sociology, 1992: 937-939). 

Në botën fluide të miteve e të legjendave, ku ne shpesh kërkojmë shëmbëllimet e para të prototipeve sociale të ditëve tona, ndoshta, personazhi më i përafërt, që i paraprin figurës së intelektualëve, do të mund të konsiderohej Prometeu. Në një numër gati të pafund veprash të natyrave të ndryshme, që janë krijuar e po krijohen për Prometeun, i rilevohen, përgjithësisht, dy merita kryesore: lufta e tij e paepur për të përballuar furinë kundërnjerëzore të perëndive dhe një nga shërbimet më të vyera për njerëzimin - dhurimi i fuqisë transformuese të zjarrit. Këto janë, ndoshta, dy pamjet më të dukshme të personalitetit, të veprimtarisë së gjithanshme humane të Prometeut. Më pak e dukshme, më pak e interpretuar, por jo më pak e rëndësishme është përpjekja titanike e Prometeut për t'u dhënë njerëzve dritën e dijes, për t'u ofruar atyre modelet më të përparuara mendore për zgjidhjen e problemeve më të ndërlikuara tekniko-teknologjike të bujqësisë, të zejtarisë, të ndërtimtarisë, të kultivimit të të menduarit përmes shkrimtarisë etj. (Dhama, T., 1987: 210). Ndoshta kjo anë e personalitetit dhe e veprimtarisë së mitit Promete është realizuar në luftë më të ashpër kundër errësirës së paditurisë dhe pushtetmbajtësve injorantë e xhahile (të tillë ka pasur dhe ka me tepri para dhe pas Prometeut, deri në ditët tona) dhe ka ndikuar më shumë në zhvillimin e shumanshëm e të përshpejtuar të shoqërisë njerëzore. 

Nga shqyrtimet analitike del se në personalitetin dhe në veprimtarinë profesionale e shoqërore të intelektualëve të vërtetë ka, si të thuash, doza të konsiderueshme të shpirtit vizionar, kundërkonformist të mitit prometean, si në përfytyrimet e tyre për rolin e statusin e vet në shoqëri, ashtu edhe në veprimtarinë e tyre praktike. Ndër përcaktimet që theksojmë këtë aspekt spikat edhe formulimi i mendimtarit të shquar francez në shkencat sociale, filozofike e artistike Zhan - Pol Sarter (1905-1980). Në përcaktimin e tij evidentohet kryesisht aspekti instrumental, ose më konkretisht, përgjithësohen funksionet sociokulturore kryesore të intelektualit në shoqërinë moderne bashkëkohore. Sartri mendonte se për t'u cilësuar intelektual nuk mjafton të jesh specialist i shquar ose, edhe më i madhi në një fushe të caktuar të dijes për kohën në shqyrtim. Për të fituar statusin e të qenit intelektual një dijetar i tillë është e domosdoshme të jetë kundërkonformist në gjithë veprimtarinë e tij, jo vetëm profesionale, por edhe shoqërore, është e domosdoshme të zhvillojë shpirtin kritik kundër çdo padrejtësie shoqërore, kundër të gjitha veseve dhe plagëve të shoqërisë, asaj bashkëkohore, të së kaluarës madje edhe vizionet për të ardhmen t'i parashtrojë në mënyrë kritike, si të thuash, të jetë mishërim i vetëdijes kritike dhe vizionare për të ardhmen. "...s'mund të quhen 'intelektualë' - nënvizon Sartri - shkencëtarët që punojnë në fushën e atomit për t'i perfeksionuar armët bërthamore: ata janë vetëm shkencëtarë. Mirëpo, nëse po këta shkencëtare të vetëdijesuar për fuqinë shkatërruese të armëve që i kanë zbuluar vetë, bashkohen dhe nënshkruajnë një manifest për të nxitur opinionin që t'i kundërvihet përdorimit të bombës atomike, ata bëhen intelektualë" (1986: 96). Gjithashtu, intelektuali dyshon, konteston dhe mohon çdo dukuri negative në jetën e shoqërisë. Ideali shkencor i skepticizmit të organizuar, i cili sipas sociologut të shquar bashkëkohës Robert King Merton, e udhëheq intelektualin në veprimtarinë profesionale, lipset ta udhëheqë atë edhe në veprimtarinë shoqërore (1994:74). Si të thuash, intelektuali i vërtetë është i pajisur me shqisën ose me lentën e skepticizmit, që e ndihmon atë të depërtojë më në thellësi të çështjeve, të zbulojë atje mangësitë, t'i kundërshtojë ato me profesionalizëm për të përsosur realitetin. 

Gjithë krijimtaria teoriko-filozofike e letrare dhe veprimtaria shoqërore në jetën e përditshme e Sartrit përbën një nga modelet më të spikatura të kundërkonformizmit idealist dhe mjaft veprues të shekullit XX. Me idetë largpamëse dhe veprimet e tij praktike, Sartri përkrahu energjikisht dhe pa rezerva të gjitha doktrinat dhe lëvizjet kundërkonformiste përparimtare të kohës. Ai ka qenë i vetmi mendimtar në historinë e botës moderne që, jashtë çdo detyrimi shtetëror, refuzoi çmimin Nobel, i cili që nga fillimi i shekullit XX deri në ditët tona ka qenë dhe është çmimi më prestigjioz për mendimtarët më të shquar në fushën e shkencave natyrore, ekonomike e mjekësore, në krijimtarinë letrare dhe në veprimtari bamirëse e për konsolidimin e paqes politike e shoqërore (Edhe vlera monetare që shoqëron këtë çmim është më e lartë se çmimi tjetër. Ajo është rritur në rrjedhën e viteve dhe aktualisht është 8 milionë korona suedeze ose rreth 1.1 milionë dollarë amerikanë (en.wikipedia.org/wiki/Nobel_Prize). Sartri refuzoi vetëm ngaqë në atë kohë ishte përhapur pakëz mjegull dyshimi se edhe akordimi i këtij çmimi mjaft dinjitoz ndikohet disi nga manipulimet politikë ose, së paku, nga interesa politike në rrafsh me të gjerë. Një refuzim i tillë i çmimit Nobel do të "vuloste" karakterin e paepur të kundërkonformizmit të Zhan-Pol Sartrit. Në vitin 1958 çmimin Nobel për letërsi e ka mohuar shkrimtari sovjetik Boris Pasternak, i detyruar nga strukturat përkatëse të shtetit Sovjetik të mos pranonte një çmim të tillë të ofruar nga borgjezia ndërkombëtare, e cila konsiderohej armike e regjimit socialist. Edhe në vitin 1973 politikani vietnamez Le Duk Tho e refuzoi çmimin Nobel për paqe, i detyruar nga opinioni politik brenda dhe jashtë vendit që nuk e konsideronte atë si kontribuuesin kryesor për realizimin e paqes në Vietnam pas një lufte shumëvjeçare (Pata, V., 2003: 20). Kësisoj ndër tre refuzuesit e çmimit Nobel, vetëm Sartri u motivua së brendshmi, nga vetëdija e tij kundërkonformiste. 

Gjithashtu, me veprimtarinë teorike e artistike, publicistike e praktike Sartri përkrahu energjikisht lëvizjet studentore të fundit të viteve '60 dhe të fillimit të viteve '70 të shekullit XX, të cilat ushtruan ndikim të shumanshëm për zbutjen ose zgjidhjen e mjaft kontradiktave, të problemeve ekonomike e socialkulturore, për demokratizimin e humanizimin e shoqërive të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit. 
Shpirti, veprimtaria teorike e praktike kundërkonformiste e intelektualëve shpërfaqet në dy trajta kryesore. 

Kundërkonformizmi i hapur... dhe realiteti shqiptar 
Si kundërshtim tërësor i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Këta janë, përgjithësisht, kundërshtarë të hapur të regjimeve politike ose edhe disidentë të deklaruar. Përvoja historike dëshmon se me gjithë sakrificat deri vetëmohuese të këtij grupimi intelektualësh, fuqia kundërshtuese e tyre nuk ka efektet e dëshiruara, sidomos në ndeshjet me sisteme shoqërore, ekonomike e politike totalitare të orientimit të djathtë ose të majtë, që kanë funksionuar gjatë shekullit XX, si qindravjeçari më i traumatizuar prej luftërave e politikave të skajshme. Vetëm në dy luftërat e përbotshme të shekullit XX (në Luftën e Parë Botërore (1914-1918) u vranë, u zhdukën ose u plagosën rëndë 45 milionë njerëz dhe në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945) u vranë mbi 60 milionë njerëz ose 2.5 për qind e popullsisë së botës në ato vite) u viktimizuan disa herë më shumë se në luftërat e çdo shekulli pararendës (en.wikipedia.org/wiki/world-war-I_causalities; en.wikipedia.org/`iki/world_ war_II-causalities). Ndërkohë diktaturat fashiste e naziste dhe diktaturat socialiste kanë funksionuar si diktaturat më totalitare se të gjithë diktaturat pararendëse në historinë e shoqërisë njerëzore, të cilat kishin më shumë mundësi dhe pajisje teknike për të kontrolluar jo vetëm veprimet, por edhe mendimet e nënshtetasve dhe për të goditur kundërshtarët dhe mendimet e tyre). Veçanërisht në shekullin XX përballja e intelektualëve me diktaturat e orientimit të majtë dhe të djathtë ka qenë në problematike, më e rëndë dhe më me shumë viktima ndër kundërshtarët e diktaturave dhe të mendimeve të tyre. Intelektualë të tillë, kundërshtarë të totalitarizmave më të skajshme fashisto-naziste dhe socialiste, shpesh janë krahasuar me luanë fattragjikë, që ndeshen me muret e kështjellave diktatoriale dhe jo rrallëherë izolohen në bodrumet e tyre ose kalojnë para kohe në botën tjetër. Për këtë çështje një nga sociologët më të shquar bashkëkohës, Ralf Dahrendorf, ndër të tjera, ka shkruar: "Disa i bënë ballë tundimit totalitar. Një numër i madh syresh e paguan me kokë. Arkipelagu Gulag i Sollzhenicinit na përfton, mes emocioneve të tjera, edhe një ndjenjë për ata që emrat u janë harruar, por që veprat duhet t'u mbahen mend" (1997:104). 

Edhe në shtetin shqiptar përgjatë viteve 1945-1990 ka pasur shkrimtarë, artistë e mendimtarë kundërshtarë ndaj sistemit socialist totalitar. Këta ishin të pakët. Diktatura e proletariatit që u instalua në Shqipëri në fundnëntori 1944 i qëroi hesapet me kundërshtarët e hapur ideopolitikë brenda 4-5 viteve të para të funksionimit të saj. Krijimtaria letrare, artistike, filozofike e sociologjike veçanërisht përkthimet e mendimtarëve që kundërshtonin hapur regjimin socialist totalitar u ekskomunikua, u shfrytëzua fshehurazi në forma të ndryshme dhe u përvetësua nga artistët ose studiuesit e veshur me "mantelin e kuq të ideologjisë", nga shërbëtorët ideologjikë të regjimit në fuqi etj. Shumica dërrmuese e artistëve ose e studiuesve kundërshtarë u pushkatuan, u dënuan me heqje lirie ose u internuan për shumë vite, u caktuan të punojnë në fronte të vështira të punës fizike, në kooperativa bujqësore, në ndërtim, në miniera etj. Praktikisht atyre u lejohej të komunikonin me një rreth shumë të kufizuar njerëzish të afërm. Në rrethana të tilla artistët dhe mendimtarët që kundërshtuan ose që u konsideruan si kundërshtarë të hapur të regjimit socialist totalitar nuk mund të kishin veçse pak ndikim në luftë kundër tij. 

Disidencë e afishuar, por me ndikim anemik. Pse? 
Përgjatë më se dy dhjetëvjeçarëve (1991-2012) në media të ndryshme, veçanërisht në gazetat letrare ose në programet e radiove e të televizioneve për letërsinë e artin, është diskutuar dendur edhe për disidencën në periudhën e regjimit socialist totalitar. Jo pak artistë të privilegjuar nga regjimi edhe apologjistë të zellshëm të tij, por me shpirt pragmatik vulgar të paskrupullt, bënë gjithfarë përpjekjesh deri në caqet më qesharake të absurdit për t'u vetëparaqitur si disidentë. Nga ana tjetër, një grupim tjetër shkrimtarësh dhe artistësh, ndonëse më të pakët në numër, të cilët me veprat dhe qëndrimet e tyre kanë shprehur rezerva dhe kritika për çështje thelbësore të funksionimit të regjimit socialist totalitar dhe që janë ndëshkuar në forma të ndryshme si heqja e të drejtës për të ushtruar profesionin dhe për të botuar ose ekspozuar veprat për shumë vite, transferim nga qyteti në fshatra të largët për të punuar jashtë profesionit, kryesisht në sektorin e vështirë e më të keqpaguar të bujqësisë, dëbimi nga qytetet e mëdha me jetë kulturore e artistike më intensive etj., nuk pranojnë se janë disidentë. Njëri prej poetëve më të njohur, që ka përjetuar persekutime të kësaj natyre përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, i ka dhënë një intervistë revistës "Mapo" të datës 28 gusht 2011. Ndër të tjera revista i drejton edhe pyetjen: "Ju vetë keni marrë një dënim të gjatë. A e shikon vetëm në disidencën shqiptare?" Ai i përgjigjet: "Jo, nuk kam qenë disident. Kam qenë inkorfomist, kritikues i prapështive, burokratizmit, padrejtësive të oleleshme të diktaturës, i artificialitetit, prepotencës, nepotizmit, karrierizmit, siç jam edhe sot kritik kundër imoralitetit politik, dyfytyrësisë, korrupsionit pa konotacione politike, babëzisë për para të fituara sipas parimit makiavelist se qëllimi justifikon mjetin, pa pyetur e pa u shqetësuar se, "turpi dhe nderi nuk plaken kurrë". Vetvetiu kam qenë për socializmin human evropian dhe jo për socializmin administrativ e komandues stalinist. Moto ime ishte dhe është: liri të aftit, garanci të dobëtit. Ai që di të notojë, le t'i bjerë me not oqeaneve dhe t'i arrijë brigjet e Eldorados, kurse të dobëtit, atij që s'di not, por ka vullnet për të notuar dhe vizion për të arritur brigjet europiane, le t'i jepet një salvaxhente që të mos mbytet. Ne nuk duam të mbytet qoftë dhe një njeri që aspiron caqet e brigjeve euro-atlantike..." (f.30). 

Ky grupim shkrimtarësh dhe artistësh kishin njëfarë ndikimi kundërdiktatorial, sepse herë pas here botonin vepra letrare, ekspozonin piktura e skulptura, kompozonin ose interpretonin këngë e vepra të tjera artistike, nëpërmjet të cilave përhapnin idetë e tyre të profiluara sipas standardeve të socializmit demokratik te një rreth më i gjerë njerëzish sepse strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar u lejonin më shumë hapësirë komunikimi të drejtpërdrejtë me njerëzit. Përgjithësisht ky grupim shkrimtarësh, artistësh e mendimtarësh mbrojnë idenë se në periudhën e regjimit socialist totalitar në Shqipëri nuk ka pasur disidencë të vërtetë. Njëri prej tyre, tanimë në moshë të pjekur, rreth të tetëdhjetave është shprehur publikisht: "Unë nuk njoh ndonjë disident në socializëm" (Po aty: 19). Ne jemi të mendimit se edhe në shoqërinë shqiptare nën regjimin socialist, ndoshta më totalitari në të gjithë vendet ish-socialiste të Lindjes, ka funksionuar disidenca, ndonëse e vogël në numër dhe kryesisht me profil letrar e artistik.

Ky grupim disidentësh përbëhej nga ish-anëtarë të njësiteve guerile të qyteteve ose ish-partizanë që kishin sakrifikuar disa vjet nëpër male, duke luftuar për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesit fashisto-nazistë, nga ish-komunistë të grupeve komunistë para themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare etj. Megjithëse me një të kaluar të admirueshme në luftën çlirimtare të popullit shqiptar, kjo disidencë pati shumë më pak ndikim në luftën politiko-shoqërore kundër sistemit socialist totalitar se sa homologet e saj në vendet e tjera ish-socialiste të Lindjes. Pse? Së paku për disa arsye kryesore: 

E para. Pothuajse të gjithë disidentët e deklaruar u dënuan me heqje lirie për shumë vite. Në vendet e vuajtjes së dënimit ata jetonin në kushte më çnjerëzore se në çdo burg të vendeve të tjera ish-socialiste. Veç kësaj, ata i angazhonin në punë të rënda fizike në miniera, në sektorin e bujqësisë, të ndërtimit etj. Në rrethana të tilla disidentët shqiptarë e kishin shumë të vështirë, në mos të pamundur, të krijonin vepra letrare dhe aq më pak vepra artistike të llojeve të tjerë si piktura, skulptura etj. 

E dyta. Në vendet e vuajtjes së dënimit krijuesve disidentë u kontrollohej sistematikisht krijimtaria. Me qëllim që kontrolluesit politikë të paditur, fanatikë e xhahilë të mos kuptonin përmbajtjen kundërdiktatorale të veprave të tyre, shkrimtarët dhe artistët disidentë detyroheshin shpesh t'i shkruanin ato me gjuhën e kodeve të sofistikuara vetjake. Një pjesë e konsiderueshme e veprave të tilla mbetën jashtë qarkullimit artistik, intelektual, sepse pas vdekjes së autorit askush nuk mund të deshifronte mesazhet ideoartistike që përmbante gjuha e tyre e koduar brenda caqeve të komunikimit vetvetor. 

E treta, një pjesë e krijimtarisë ideoartistike të disidentëve të burgosur nuk arriti të dalë jashtë qelive, jashtë hekurave të burgut, veçanërisht përgjatë periudhës së hetimit, e cila zgjaste jo rrallë edhe 2-3 vjet. Në vitin 1947 u arrestua edhe Petro Marko, pjesëmarrës me pushkë e me penë në frontin e përbashkët të popujve kundër fashizmit në Spanjën e viteve 1930, i internuar nga nazistët në ishullin e Ustikës, pjesëmarrës me armë e me penë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Ai vuajti dënimin në burgun e Tiranës deri më 15 maj 1950. Nuk i lejohej të komunikonte në asnjë formë me asnjë të afërm, mik ose shok. I lejohej vetëm të fejuarës së tij Safos t'i dërgonte ushqim, por nuk i lejohej ta takonte. Për komunikimin tejet të kufizuar me të fejuarin Petro, Safo Marko në ditarin e saj, ndër të tjera, shkruan: "Petroja gjeti mënyrën si të komunikonte me mua. Ai gërvishte mbi kapakun prej alumini të enëve të ushqimit..." (Gazeta "SHQIPTARJA.com", 29.08.2012:19). Sado të sofistikuara të ishin shenjat e një kodi të tillë, ishin mjaft të kufizuara dhe nuk mund të përcillnin jashtë hekurave të burgut atë pasuri të pallogaritshme idesh humane e humanizuese dhe vlerash artistike që zienin në vetëdijen e traumatizuar të artistit të fjalës, të idealistit shpirtmadh, të atdhetarit dhe të internacionalistit Petro Marko. 

E katërta, edhe pasi dilnin jashtë hekurave të burgut, shkrimtarët dhe artistët disidentë kishin shumë pak ndikim në opinionin publik, sepse ata rrethoheshin psikologjikisht nga muret e padukshme të izolimit, të një izolimi torturues e shpërfytyrues. Nën trysninë e persekutimeve prej organeve përkatëse të regjimit socialist totalitar shumica dërrmuese e të afërmve, madje edhe vëllezër e motra, pothuajse të gjithë shokët dhe miqtë më të afërt u shmangeshin komunikimeve me artistët disidentë që kishin kryer dënime me heqje lirie ose edhe me internim. Qëndrime të tilla vinin në kundërshtim me një prirje kulturore të konsoliduar në shoqërinë tradicionale shqiptare. Faik Konica ka shkruar se shqiptarët i respektonin shumë burrat që kishin kryer dënim me heqje lirie për motive politike. Madje në kodin e pashkruar, që, si të thuash, normonte kulturalisht procedurat e një nderimi të tillë për ish të burgosur politikë, ndalohej rreptësisht t'ia përmendje drejtpërdrejt ose edhe të aludoje tërthorazi për dëmin e tij. Sipas Konicës, edhe përmendja fare e paqëllimtë ose thjesht nga pakujdesia e dënimit në shoqërinë shqiptare të 3-4 dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX, konsiderohej si ridënim i të burgosurit politik. 

Po t'i referohemi kësaj tradite të vyer të popullit shqiptar, e cila ka qenë imponuese deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, artistët disidentë përgjatë viteve të regjimit socialist totalitar, edhe pasi kryenin dënimin me heqje lirie, ridënoheshin çdo ditë, madje disa herë brenda ditës, sepse dënimi u kujtohej me përpjekjet sistematike, të qëllimshme të të afërmve, të bashkëpunëtorëve, të shokëve, të miqve më të afërt për t'iu shmangur.

 

Milosao

4 Komente

Po peshqit a jane intelektuale duke qene se prodhojne komente si pjese e shkrimtarise virtuale? smiley eh, dhe Enveri ka bere nje sprove te tille per statusin dhe rolin e intelektualit ne shoqeri. E verteta eshte qe ky vend intelektualet i ka marre me gure ne cdo kohe. Eshte me skolle ky thoshnin, dmth pak i rrjedhur.

Intelektual! Intelektual!

O fitore o skandal!

me pyeste nje mik, intelektualet jan me formim shoqeror apo edhe tekknik shkencor. apo na shohin syt vetme intelektual nga fushat humaniste ngase kta kan me shum pordh apo koh per te harxhuar?

ai miku do ta vlersonte shum pergjigjen tuaj, mendoj, meqe un nuk dita ti pergjigjem.

smiley no pergjigje no fani!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).