Djalthi i gjetur 

Djalthi i humbur moçalit të shkretë, 
prirë nga një dritë q'u derdh, 
zuri e po qan; por Zoti, gjithnjë pranë, 
si i ati me të bardha i erdh. 

E puthi fëmijën & e mori përdore 
dhe mëmës ia çoi pastaj, 
që leshkorrë-e-zbehtë, luginës së shkretë, 
kërkonte të birin në vaj. 

 

Tigri 

Tigër! Tigër! shkrumb shkrepëtire 
nëpër pyje errësire, 
ç'dorë a ç'sy që vdekje s'di 
gatoi këtë ngjethëse simetri? 

Nëpër ç'qiej në ç'abys 
u ndez zjarri atyre sysh? 
Përmbi ç'krahë hovi mbi dhenë? 
Cila dorë rroku rrufenë? 

Cili sup dhe cili art, 
pejzat e zemrës t'i përçart? 
Dhe kur nis zemra të uturijë, 
ç'dorë-llaftari? ç'këmbë-lebeti? 

Cili zinxhir? cila varé? 
Në ç'furrë truri yt na qe? 
Dhe ç'kudhër? ç'darë-tmerr guxoi 
t'kobshmit terrore t'i ngallmojë? 

Tek yjzit shtizat flaknin thellë 
dhe me lotë lagnin t'lumin Qiell, 
kur veprën pa, nënqeshi ky? 
Kush bëri Qengjin të bëri ty? 

Tigër! Tigër! shkrumb shkrepëtire 
nëpër pyje errësire, 
ç'dorë a ç'sy që vdekje s'di 
guxoi këtë ngjethëse simetri? 
 

Kopështi i dashurisë 

Hyra në Kopështin e Dashurisë, 
dhe pashë çka sytë s'kishin parë: 
ngrehinën e një Kishe midis, 
ku unë dikur lodroja përmbi bar. 

Qepenat Kishës kyçur i qenë, 
dhe "Ti NUK duhet" qe gdhendur në derë; 
ndaj shkela në Kopështin e Dashurisë 
që lule aq t'ëmbla pat lerë; 

dhe me varre e pashë mbjellë, 
rrasa varresh në vend luleve kish 
dhe Priftër rraso-zezë vërtiteshin serbes, 
më lidhnin ferra e gjëmba në gaze & në ënda. 

 

Vajtim foshnjëror 

Ime ëmë rënkoi! im atë u dënes. 
Brofa në botën rrezikzezë: 
cull, i pazoti, shamataxhi: 
një djall i fshehur në vranësi. 

Bërë urë në duar të tim et, 
brenda shpërgënjsh - gati që shket, 
lidhur-e-lodhur thashë volis 
turinjtë t'i var te e mëmës sisë. 

Pema e helmuar 

Iu zemërova unë një miku: 
mërinë shpalla, e shkoi e iku. 
U zemërova me hasmin tim: 
mëria u shtua se e mbajta mërinë. 

Edhe frikë i dhashë të pi 
ditë & natë me lotë të mi; 
me buzëqeshje e përdiella, 
dredhi të-rrejshme-të-këndella. 

Pa u shtua natë e ditë, 
gjer një mollë polli që shndrit; 
dhe ia pa hasmi shkëlqimin, 
dhe e diti q'ishte imi. 

Pa në kopështin tim u vodh 
nata polin kur mbështoll: 
në mëngjes pashë, gjithë gëzim, 
përmbys nën pemë hasmin tim. 

Imazh hyjnor 

Mizoria ka Zemër Njerëzore, 
dhe Fytyrë Njerëzore Cmira; 
Terrori Njerëzoren Trajtë Hyjnore, 
dhe Petk Njerëzor ka Fshehtësira. 

Petku Njerëzor farkohet Hekur, 
Trajta Njerëzore një Farkë përvëlí, 
Fytyra Njerëzore Furrë e vulosur, 
Zemra Njerëzore Gurmazi i saj që s'u ngi. 

Përktheu Arben Dedja

Milosao

______

Shënim i përkthyesit: Për Blake-un në shqip 

Ky libërth përmban disa nga lirikat më të bukura të gjuhës angleze. Oxhakfshirësi apo Trëndafili i sëmurë; Tigri, Zuzari i vogël, Pema e helmuar etj janë krijuar nga poeti i çuditshëm William Blake. Përveçse poet, Blake-u qe piktor, gdhendës dhe... profet. Si profet mbetet i vetmi që ka nxjerrë ujdhesa britanike, si piktor disa nga punët e tij, të përmasave të vogla, por me një forcë të madhe vizionare, mund t'i admirojmë ende muzeve më prestigjozë të botës. Për Blake-un gdhendës le të ndalemi ca. Asikohe, ilustrimet e librave prodhoheshin duke e gërvishtur më parë vizatimin mbi pllaka bakri (intaglio). Kjo metodë ilustrimi kërkonte kohë dhe qe zeje e vështirë. Blake-u zhvilloi një teknikë të re gdhendjeje të quajtur: gërvishtje në reliev (relief etching), poaq e ndërlikuar dhe e vështirë, por më ekspresive. Ç'ishte më e rëndësishme për të, i lejonte kontroll të plotë mbi procesin krijues dhe prodhimin përfundimtar të shtypshkrimit. Siç dihet, kjo metodë iu ndërmendësua Blake-ut saje fanepsjes së të vëllait të vdekur, që i kallzoi si ta realizonte krejt procesin. Ndaj e quajti illuminated printing. Bëhet, si të thuash, e kundërta e ç'bëhej më parë: në vend të gdhendej vizatimi tek lastra e bakrit, hiqej sfondi i vizatimit, teksa vizatimi vetë rrinte në reliev. Kjo realizohej duke vizatuar (dhe shkruar) mbi lastër me një lëng acidorezistent (Blake-u përdorte brusha e penelë të posaçëm) që lihej pastaj të thahej. Më pas lastra zhytej në acid, i cili gërryente pjesën e papunuar të bakrit duke lënë të paprekur ilustrimet dhe tekstin. Imagjinoni që gjithçka, sidomos teksti, duhej shkruar si në pasqyrë, që të lexohej siç duhet kur të shtypej! Pastaj lastrat ngjyroseshin me dorë dhe faqja shtypej me një presë të posaçme. Edhe sfondi duhej ngjyrosur. Si mbaronte procesi i shtypshkrimit, Blake-u, i ndihmuar nga Catherine-a, e shoqja, i "iluminonte" fletët një e nga një, duke i dekoruar me akuarel. Këto "iluminime", punime të mirëfillta arti, Blake-u i konsideronte si pjesë të poezive. Shpesh ato shpjegonin krejt poezinë, apo i jepnin asaj kuptime të reja. Blake-u, këtë djallo punë e quante thjesht: "një metodë të shtypuri që bashkon piktorin me poetin". 

William Blake-u qe poeti që me plot kuptimin e fjalës përdorte daltën për të shkruar. Të paktë qenë ata që e njohën dhe e vlerësuan në të gjallë. Kështu ai merrej, pra, me gdhendjen e librave të vet. Po, Blake-u merrte në dorë daltëzën dhe i botonte librat në lastra të holla bakri lidhur për qejf. E filloi me poezitë, vazhdoi me krijimtarinë e mëvonshme, nja një duzinë libra, të ashtuquajturit Librat profetikë, sot e gjithë ditën të errët, enigmatikë, terren pjellor interpretimesh të ethshme e të kundërta nga kritika. Kur Këngët e Pafajësisë dhe të Përvojës i bashkoi për herë të parë në një ble të vetëm në vitin 1801 prodhoi plot... 4 kopje. Në fakt termi kopje është i pavend, sepse kemi të bëjmë me 4 vepra unike arti. Bash ky libërth (gjithsej 46 poezi: 23 Këngë të Pafajësisë dhe 23 Këngë të Përvojës - këto të fundit një pasqyrë satirike dhe mizore, një kundëraltar i Këngëve të Pafajësisë) është vendi ku ne prekim dhe ngjërojmë idetë tipike të Blake-ut, simbolet, alegoritë, shkrepëtimat veguese. Gjithçka e shkruar me një gjuhë të kulluar, për fëmijët (Blake-u vetë nuk pati fëmijë) që janë lexuesit e tij të vërtetë, dhe ku portretet e tyre janë të pashlyeshme, ngashëryese; këta fëmijë të sëmurë, të munduar

2 Komente

Arben, je i madh! Perkthime te mrekullueshme. Urime!

Tigër, tigër, që shndrin flakë

Nëpër pyje, nëpër natë,

Ç'e pavdekshme dorë dhe ç'sy

Të fal frikshëm kaq simetri?

 

Në ç'thellësi a qiej përtej

Syri yt mund të shkëlqej?

Ç'krah guximi të përmbushi?

Ç'dorë guxon të prekë prushin?

 

Cili art dhe cila shpatull

zemrës pejzat t'i sjell rrotull?

Kur zemra filloi rrahu,

Ç'tmerr këmba dhe ç'tmerr krahu?

 

Kush çekan? çfarë zinxhiri?

Në ç'furrë truri të hyri?

Cila kudhër? ç'darë e tmerrshme

Guxon kapjen vdekjesjellse?

 

Kur yjet shtizat goditën

Dhe me lot qiellin ujitën;

Kur pa punën, buzqesh Ai?

Kush bë qingjin bë dhe ty?

 

Tigër, tigër, që shndrin flakë

Nëpër pyje, nëpër natë,

Ç'e pavdekshme dorë dhe ç'sy

Guxon frikshëm kaq simetri?

 

LK

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).