Nuk është vetëm afërsia me një vend të shenjtë, varrin e Abas Aliut në çukë të Tomorit, që e bën Kulmakun të nderë velin mistik për udhëtarin që vjen aty nga rrëmujat urbane, nga llangosjet e Tiranes, Durrësit a Beratit, nga pluhuri i Lushnjës a i Fierit, ku edhe ujët duket se rri me “pishmënd”. Në ajër ka tharm dodone, kokrra magjike dëllinje, zjarr mareje, udhësa bektashinj në Gusht, shpalosje madhështore të mishrave të pjekur për kurbanët që shpojnë hundët e njeriut qysh prej blatimeve të tymit erëmirë për hyjnitë (pra të epokës së zjarrit – Prometeu na solli dhe tymin, majanë e zjarrit me pak shqopë a hikori), lëkurët që i dhurohen teqesë së Kulmakut me të cilat mund të shpalosen vela për njëmijë udhës të tjerë, lundërtarë të paepur të shpatit të shenjtë.
      Por unë Kulmakun e kam dashur shumë edhe pa udhës e udhëtim të shenjë, qysh në kohët kur ky i fundit ishte herezi dhe kur vargjet e Naimit “Engjëll që m’u qase pranë…” ishin të lidhur më tepër me atë pamje madhështore të Tomorit nga Kulmaku, se sa me fushën e Qerbelasë, emri i të cilës filloi të shfaqet shpesh si Karbala në lajmet e CNN-it apo FOX-it, një denaimizim i shpifur për shqipon mërgimtar në fqinjërinë e vet bezdisëse me historitë ala Irak, të cilat tash për vite me radhë na i fusnin me përdhunë nëpër shtëpitë tona, bashkë me ajrin eterik dhe alergjitë e rrugës.

     Ajri t’i rreh ndryshe mushkritë në Kulmak dhe shkëmbinjtë sikur sapo u ftohën e u ngurtësuan prej magmës; bari është më i gjelbër, uji më kristalin. Koha ka ndaluar atje ndoshta qysh se hyrjes jugore për në lëndinën e bekuar iu vu emri karakoll. Emrat e vjetër janë kokrra majaje që mpiksin kohën; ushtarë turq mund të dalin nga ish-pikëvrojtimi ushtarak, nga karakolli, duke shkundur myshk të murrmë nga supet. Ato pamje alpine s’të lejojnë të mërzesh me me gjëra të kota e të rëndomta prej gromësime vapash. Jo, aty dëgjon për shpella ku fshatarët venë kosin në shakuj që të kullojë e të bëhet salcë. Shpellat e errëta gjithë fshehtësi, ku krahas lëngut të shakujve kullon edhe ai i shekujve. Amvisat sot lëkurët e shakujve i zëvendësojnë me napa dhe shpellat e ftohta dhe të errëta ku varen shandanë stalaktitesh me kutiçkat ftohëse, të bardha, me zbehtësi neoni, drejtvizore e sterile, me emra markash si llastime. Edhe koha në këto kutiçka matet ndryshe, me javë të pastërizuara, me data skadimesh. Jo si atje sipër, ku shekujt janë ende në fermentim. Ku gryka pusesh shkojnë nën dhe e të nxjerrin larg. Legjenda vendore thotë që një vrasës preu një kokë dhe e hodhi në një pus të atillë natyror dhe koka u shfaq diku në Bogovë. Edhe ndërtimet bashkëkohore sikur janë prekur nga virusi i të pazakontës: vila-tunel të ish udhëheqjes komuniste që do drejtonte vendin prej aty në rast lufte. Termi “kryeqytet në rast lufte” përmendej gjithnjë me një zjarmi të brendshme nga vendasit, të cilët ndiheshin të respektuar ngaqë burrat e shtetit u kishin dhënë të atillë besim, sa t’i kishin fqinjë në rast agresioni amerikan, rus, grek, jugosllav, anglez, Allahu na ruajt – zviceran, dhe gjithë koalicionet e tyre të mundëshme e traktatet ekzistuese. Një varr i dhunuar shenjtori, teqe, bejte dhe histori të vjetra me tespie qelibari, baballarë, myhypë e dervishë – këto bien si pluhur kozmik mbi visoren, si një psherëtimë që del nga grykat shkëmbore, ja Abas Ali… Dhe natyrisht, sa për ta bërë mistikën tokësore, nuk mungojnë kaçakë me mjekër, nga ata që dilnin firarë dhe s’i zinte dot dovleti, se fshiheshin këtyre ckërkave, me shpresën që s’do kapeshin për 25 vjet, kohë që turku i falte e u jepte gradën kapedan. Fama e një komiti të tillë me emrin Shasho Gjergjova, që u vra tradhëtisht prej mikut të vet firar pas 24 vjet e gjysëm arrati, pra gjashtë muaj para se ti kurorëzohej “ëndërra amerikane” e firarllëkut, s’është shuar as sot.
      Në fakt ligji njerëzor sikur nuk ekziston në Kulmak. Ka vetëm ligj natyre. Sot mendoj që atje me shpinte pikërisht një ndjesi e tille. Isha i mërzitur sa më s’ka nga realiteti mashtrueso-delirant i parrullave të gjithëgjendëshme, që do të ta kujtonin se s’bën se në ç’pikë të hallit jetoje, edhe kur mendja, sipas mekanizmave të vet mbrojtës, kërkonte përmes harresës të vetpastrohej nga helmi. Isha i dokëndisur sa më s’ka nga fytyrat vazhdimisht solemne të agjitatorëve të komiteteve gjithfarësh, të partisë, të rinisë, të frontit, të gruas. Isha i kastiguar nga vërejtja e përhershme e shefes së kuadrit që unë duhej të lidhesha më shumë me masat, qysh pas refuzimit nga ana ime të pjesëmarjes në një mbrëmje tematiko-dëfrimi me punëtorët. E kisha një shkak për refuzimin që s’ia thoshja shefes groteske me emrin Parime, me politikë kuadri në duar, veshë, supe, zë, xhaketën burrërore “për raste”, në kordat zanore të së cilës, gjithëdija e marrë në shkollën e partisë përftonte timbrin didaktik, për mbledhje dhe plenum në si bemol maxhor, vetmohimin pothuaj prekës, ah, do mundohemi me ju, t’ua pastromë lakrat, do lodhemi, por do t’ia dalim mbanë, s’ka kala që s’e marrin komunistët, lidhja me masat, me punëtorët, djersa e ballit e ndershme… Femrat punëtore, kur unë u kaloja pranë, thoshin me zë të ulët aq sa t’a dëgjoja: “si mafishe osht, llakum, e kullufitsha të gjithin, jarabi!” me një epsh agresiv, dhëmbët vampirës të të cilit i ndjeja pothuaj fizikisht mbi lëkurë. Hallit si t’ia bëjmë, Shefe Parimè, ti do lidhje me masat, por unë s’kam me se…

       I cingërisur nga të gjitha këto, unë sajoja shërbime pune dhe ikja me qejf në Kulmak, ku kishte vetëm “natura viva” dhe njerëz jo-komitetorë, interesantë në vetminë e tyre mes virgjërive. “Lark, lark, nga qyteti, nga brengat, thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti”. Ishte pikërisht vendi që e mendoja krejt të pandikuar nga sistemet shoqërore të qytezës socialiste, që s’bëhej dot polis e as agora. Edhe Zotat ishin më pranë teje atje, në këmbë të Olimpit shqiptar, Dodonës, Baba Tomorit.

      Ngaqë veja shpesh në Kulmak, me kohë kisha zënë shoqëri me vendasit. Njerin prej tyre, Rrethimin, e kisha njohur në shkollë në Tiranë. Konviktor Rrethimi. Domethënë njeri që përdita përdorte fjalën “latë” dhe mencë. Megjithë emrin avdall, ai u bë interesant qyshse një polic konviktesh e kishte kapur përjashta me të dashurën konviktore pas orarit të lejuar. I mbante polici të dy shtrënguar dhe po ecte rrugës krenar që i mbërtheu zogjtë në faj. Por vajza, pasi bëri ca isharete me shoqet, të cilat po i vështronin nga dritaret e konviktit dhe i hapën ndërkaq nga brenda portën Skee të ndërtesës Nr. 3, gjuajti një çast volie dhe rrufeshëm i shpëtoi nga panxha policit. U fut vrikthi në konvikt, nën duartrokitjet e brohorimat triumfuese të femrave konviktore me pizhama. Bravooooo! Polici u xhindos, sepse gjithë vlera e mbërthimit të shkelësve ishte te dyshja kopuluese, te dashuria që ata po bënin kriminalisht pas pemëve dhe orës së lejuar nga rektorati. Një i vetëm mund të thoshte edhe se po bënte shurrën, dhe përmjerja përjashta kurrë s’ngrinte aq peshë sa dashuriçkat studentore. Polici me një shkop i binte studentit “në vënt të lik”, dhe i hakërrehej: “e shkërdheve, e shkërdheve”? Rrethimi u bë i famshëm se pavarësisht goditjeve, vetëm qeshte, nuk fliste dhe sfidonte hapur. Kurrë s’u mor vesh a s’i dhembte vërtet, apo ishte thjesht përndezje mpirëse nervore.
      Sidoqoftë, nga ai episod, Rrethimi u fut në kategorinë e interesantëve. U habita kur e pashë për herë të parë në Kulmak. “Ky shoku vjen nga ministria”, gënjeu ai si pa të keq fare. Unë kujtova se ishte keqkuptim dhe doja ta ndreqja, por shikimi plot kumt i Rrethimit më ndaloi. Arsyeja ishte e thjeshtë fare. Një të ministrisë i piqej një mish në hell tak-fak, me motivin që delja “theu këmbën”, kurse njërit që vinte nga një institut kërkimor si puna ime, as që ia varte kush torbën dhe do t’i duhej ta kalonte me dhallë. Aty përqendrohej komploti, zgjuarsia, fantazia…. kush ish i zoti “i zinte gjë dhëmbi”. Mbase dhe barinjve nuk u mbushej mendja nga “syfeti” im që isha mall ministrie, por bënin sikur e hanin dhe ata, “rroftë sebepi” për të lëpirë një kockë. Ishin barinj tjetërlloj, që nuk ushqeheshin me mish; se s’kishte. “Ballin ma mban lart/ sytë e zes përdhe/ hallit si t’ja bëjmë/ hanko Selime/ ti kërkon fustan/ unë s’kam me se”. S’kam me se! S’kam se kë! S’kam! Mjerim i pamendueshëm i mishngrënies së lavdishme shekullore shqiptare. Mua sidoqoftë m’u lezetua kjo puna e ministrisë, sepse ata mishrat në hell apo mishrat “në bidon” ishin si jo të kësaj bote. Sëkëlldia nga tërheqja me përdhunë në “kulturën e komplotit dhe të të hedhurit” për një copë mish (Xh. Londoni sikur kish shkruar dicka me këtë titull, mbi një boksier që humbi ndeshjen nga mungesa e mishit), kompensohej nga cilësitë kulinare. Të mëkatosh në këmbë të Tomorit është dyfish njerëzore. Mungesa t’i bën edhe më të dëshirueshme gjërat. Për më tepër, lezetuar nga kripa dhe trëndelina e kullotës. Nga shafraja e Kulmakut. Meze të përbrendëshmesh. Kukurrec. Kakërdhi. Shqipëri e Jugut. Kaba. Iso. “Ktheje me funt”! Zjarr i dëllinjës farfurin në muzg.

     Mishi në bidon ishte një triumf i teknikës mbi traditën, i presionit të avullit mekanik njutonian mbi nxehtësinë graduale të zjarrit prometejan, i aluminit të bidonit mbi drurin e hellit. Legjenda rurale thotë se dikur, një çoban diku kishte parë a dëgjuar mbi kusitë me presion, që e tresnin mishin fare, e ndanin nga kocka dhe e mbanin çdo gjë brenda, i bënin dejet fërtele, s’u humbiste asgjë kot në zjarr, asnjë pikë dhjamë e dyll, që me hellin pikonte mbi prush. Çobani novator nga kusia e presionit kaloi në bidonat e alumintë të qumështit që frëngu i kish bërë tamam sa për të futur një dele, dash apo qingj pirës, si t’m’i doje. Harroi vetëm një detajth, që ajo kusia e presionit kishte një vrimë të vockël që e nxirrte avullin e presionin e tepërt me tertip. Kurrë mos u shfokuso nga vrima! Nga tertipi. Mos e humb mendjen! Se e di se ç’ndodhi? Delja më për së mbari u ther, u rop, u bë gati me erëza e ku di unë ç’të tjera nasihate, u fut në bidon, kapakun e bidonit e mbyllën mirë me aletet që frëngu i kish bërë të mos derdhej pikë qumështi, dhe direkt e në zjarr për shtatë palë qejfe. Koha e hellit kish perënduar. E mundimit disa orësh duke e dredhur e spërdredhur. Dhe që, kur larg qoftë e meazallah, qëllonte hell i shkurtër, rrezik piqeshe ti e mishi s’piqej për qamet. Helli nuk duhet i shkurtër, ngordhalaq. Helli duhet të të tundë e shkundë mirë, të të mbërthejë e rrotullojë mbi zjarr, të të nxehë sa tym të dalë nga hundët e nga sytë, ta bëjë punën mirë, të përcëllojë, por të mos digjet. Mishi i ka të ngatërruara punët. Kënaqësitë e mishit nuk janë aq të thjeshta sa duken. Bidoni mbi zjarr u tejnxeh, presioni nga brenda u bë i pambajtshëm, dhe luftën titanike midis zjarrit dhe aluminit e fitoi i pari, pasi bidoni plasi si bombë nga presioni, kapakët e aletet e frëngut s’i bënë dot ballë zjarrit të shqopës shqiptare, dhe mishi u zhduk pa nam e nishan përposh’ në lëndinë. Vetëm era e mirë që mbeti pas dëftente për mrekullinë e humbur. Mish bidoni. U desh të kalonin shumë aksidente të tillë, dhe që përvojat të përcilleshin gojë me gojë, deri sa të vinte momenti i lumnueshëm që kapakut ti hapej një vrimëz dhe mishi i bidonit të fitonte status si ai i hellit.

      Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me esera, me blogje. Por kudo, pak është rrahur prishja që i bëri komunizmi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin. Balancat mishngrënëse të prishura në ekosistemin pellazgo-baritor. Komunistët duhet ta kishin ditur që me mishin s’duhet ta krruajë njeri. Etnosi ynë është thellësisht karnivor. Nuk i thuhet një populli të tillë hani bar. Është si ti thuash bandillit bëhu murg. Kur vajzat e reja po i shpon elbi!
      Ne e dashurojmë mishin. Edhe në USA janë ustallarë për “beef”-in e famshëm, por dashuria e amerikanëve është më tepër teknike. Vini re se si thonë ata për gradën e pjekjes së mishit, “medium rare” apo “medium well”, a thua se po flasin për ndonjë indeks ekonomik. Shqipot e duan mishin në mënyrë epiko-lirike, ju fërgëllon zemra, japin art, ritual, traditë, lashtësi. Ka diçka pothuaj erotike në atë dashuri. Një lab në kullotën e Shashicës në Vlorë më bëri të mendoj kështu tek po hante një kokë bagëtie. Në i pastë parë kokat e femrave me të njëjtin adhurim e përkushtim të tipit “jam yti” si shikonte atë kokë të pjekur, lum ato gra. Sytë i shkëlqenin. Puthja filloi nga pjesët e nofullave. U shndërrua në kafshim plot afsh. Pastaj gjuhët u ngjitën si me mastiç. Nuk i mjaftonte ajo gojë e mbyllur, e donte puthje-kafshimin më të plotë. I hapi nofullat e kokës së pjekur dhe futi kokën e vet gjithë epsh midis tyre. Nuk pa gjakun që i kullonte mbi faqe nga gërricja e thellë e dhëmbëve të kokës së pjekur. Ekstaza ishte aq e fortë, sa që labit edhe po ti ishte prerë ndonjë vesh nuk do ndjente gjë. Van Gogh i dashurisë për mishin. A ka orgazmë ta realizojë këtë jerm? A ka Marilyn Monroe?

      Kulmakun e freskonte flladi i luleve dhe barit të njomë, kur ne mbërritëm dhe kaluam karakollin. Mirë se të gjej, vend i bekuar! Grupi ynë e kishte marrë me makrella – fjalë alà Kulmak kjo, që i ka humbur origjina dhe që tregon ngenë, ngadalësinë dhe rahatin. Grupi me vendallinj ishte në formë. Këta njerëz nuk ngacmojnë, por xhugasin; nuk venë në lojë, por savisin. Kishim udhëtuar tre-katër orë në këmbë, kishim marrë dozën e duhur etimologjike pasi kaluam bri vendeve me toponime paraosmane, si “Varri i Janit” apo “Bregu i kishës”, shoqëruar me skatologjinë që mund të sjellin emra të tillë si “Vidhi i Shemes”, “Guri i Çyçkës” apo “Gropovëth”. Ishim gati për Kulmak. Na prisnin. Shprehja mikpritëse “po nga u hapën këto rrugë, more!” ishte si gjithnjë magjiplote. Bashkë me Rrethimin ishte edhe Sigurimi, për të cilin thoshin që ishte teleshmën (diçka midis avdallit të javashëm dhe “dedèsë”), megjithëse ishte me shkollë të lartë: agronom Kamze. Buono per Kulmak.
      Savitja e rradhës - Sigurimi sapo ishte martuar dhe e kishin bindur se çdo dhëndërr i ri duhet të hante për 15 ditë para dasmës 2 kg arra dhe mjaltë në ditë, për të qenë në formë atë ditën e bekuar, kur “do hynte sulltani në Stamboll”. S’ka dhëndërr që s’e bën këtë, i thanë. S’beson? Po ti qenke prapa bote, a derëmbyllmë. S’e ke dëgjuar kurrë? Na mo, të marr në telefon Luftimin. O Luftim! Hë? Pa hajde një çikë o, se kam një llaf. Çuàr, o? Sigurimi s’ditka gjë për atë punën e mjaltit. Jo, mor, jo! Mor të betohem që s’di. Dale, mo, se erdha… A je në vete, o? Si mor s’di gjë ti? Po ti s’je nga Hëna, e! Ju po talleni më duket… Kush tallet, o? Po ne për ty e kemi, mo lla, se për vete ne e hëngërrm mjaltin tonë me kohë e me vakt… Apo do që nusja të të bënj një pordhë e të kthenj kurrizë? Por po s’besove mua, hajt të pyesim Lavdërimin. O Lëvdim…
     Vjet savitja kish qenë më e padëmshme. Sigurimi kishte përdorur një fjalë të madhe, dëgjuar në leksionet në Kamzë, dhe pikërisht shprehjen “konduktivitet hidrik”. Sa përçohet një sasi uji për një kohë të dhënë në tokë. Jo aq, po kaq. Jo është e mundur, jo s’është e mundur. Si ta provojmë? Po mirë, meqë ujë s’kemi këtu afër, unë po bëj shurrën dhe të shohmë sa thellë do shkonjë për një minutë. 5 cm, jo 10 cm… jo ti, jo unë… Shurra u bë, “minuti” kaloi dhe Sigurimi gërryente me gisht dheun e lagët që të gjente konduktivitetin e Kamzës. Por mua këto savitje më dukeshin lule sepse sapo vija nga Trebeshina, ku barinjtë e Tepelenës që qethnin bagëtinë, në tre fjalë, dy i kishin të ndyra dhe të thëna me zë të lartë, kurse të tretën e kishin të ndyrë me zë të ulët. Flokët e leshit të qethur të shpërndara andej këtej frymëzuan njerin prej tyre që thërriste në çdo dy minuta si i ndërkryer: “Floqe, floqe, ulërin p… për loqe”! Barinjtë e Skraparit ishin më me terbiet.
      Ngjarja që kalonte gojë më gojë këtë rradhë ishte me temë qytetëse, nga Çorovoda. Kryetari i këshillit ishte kapur në “flagrancë” (sa më bënte përshtypje kjo fjalë e shqiptuar ashtu, natyrshëm, mes tërë atij deti fjalësh të vjetra e turke!) si klient i një shtëpize të vogël publike të fshehtë. Kënga s’mungoi të qarkullonte të nesërmen, natyrisht. Asnjëherë! Mund të besoje që dielli s’do lindte në mëngjes, por jo kënga. E krijuar nga samarxhiu, kovaçi, berberi, xherahu, fshatari Kalo, bujku Isuf, bariu Pertef, nga dikush që muzat e donin dhe i donte, ashtu fshehur, si gjithë dashuritë djegëse:

Ne të dinim kryetar këshilli
Ti na dolle kryetar p…

     Bidoni në zjarr po përgatiste mrekullinë. Një tjetër dele “kishte thyer këmbën”. Ne ishim ulur rreth një zjarri plot prush dhe po hanim si për paralojë të përbrendshme që i piqnim vetë. I vinim mbi thupra të ngulura në tokë, të cilat nga pesha e mëlçive, shpretkës a veshkave, përkuleshin aq sa duhej mbi zjarr. Shumica nuk kish durim dhe i hante gjysëm të pjekura dhe pa u ftohur fare, duke shtrembëruar fytyrën më keq se nga rakija që mbiu në zijafet në formën e një shisheje me etiketën “Vaj Luledielli”, mbyllur me një gozhutë të gjatë misri. Secili e hiqte nga e njëjta shishe.
- O Sigurim, a po e punon mirë tokën?
- Tokën e sat ëme!
- Bo, bo, bo… nuk thonë kot që dhëndërrit të ri mo i dil përpara.
- Sigurimi s’është i atilli. Ka namuz ky ore.
- E ç’namuz llafos, a derëzi. Nuset s’duan namuz. Nuset duan… Po thuaj që Sigurimi s’e navas dot më duket…
- Do të gjejë si ajo punë e kurbetlliut që i nisi letër e shoqja:

“Te ara me dy çatallë,
Mbeti toka batall,
Ja hajde ta punonç vetë,
Ja do ta lëshonj me të tretë…”

- Asaj i them grua unë. Na pesë e ma del.
- Keq puna. Po ç’bëri ai kurbetlliu pastaj.
- Eh, ja si emigrantët. Para hiç, llonxhë hiç.
- Si kolonjarët thuaj.
- A?
- “Të varfërit kolonjarë, vanë për p… dhe gjetën k…”
- S’e mora vesh unë këtë.
- Eh, sa ta marrç vesh ti këtë, e hëngërrn kolonjarët. Hi hi hi…
- Unë e dija që vanë për fiq e gjetën arrë.
- Mo na i përmend arrët tani. Sigurim, si shkoi ajo kura?
Zjarri kërciste shkëndia herë pas herë.
- Ore, ai gomari i Fitimit si shumë po i vardiset asaj zdërres (gomares) së Pajtimit.
- Oooo, jepi ore jepi….
- Zdërr-zdërr …. zdërr-zdërr ….
- I paska vajtur në çaçkë të kokës gomarit.
- O Fitim, po lere a derëzi gomarin të bëjë qejfin e tij.
- Jo, jo, se më lodhet gomari mua. Është kollaj të flaç me gjënë e tjetrit.
- Fitim, po mos u bëj dhe ti me gomar se gomari. Lere të bëjë qejfin e tij. Mendo si për veten tënde. Mo u bë shpirtkazëm.
- Shiko, për hatrin e këtij mikut nga Tirana, se s’ka parë si e bëjnë gomerët.
- Leri, leri, leri….
- Mirë, hajt, prishur mos qoftë. Për hatrin e këtij shokut të Ministrisë…
Çifti i gomerëve, rrethuar nga burrat shikues të arenës, bëri ç’i thosh natyra. Reality Island. Pesë minutësh arti absurd, erotic blue, playboy, qejfi të ndaluar, përvjedhje ndaj ligjit e orientimeve të vyera të Partisë, gjithçka që mund të ofronte show business nga Hollivudi në Indi. Në atë bashkim të çartur gomerësh. Një disidencë veshgjatësh të ndezur!
- Ore, shiko mos u digjet mishi, a ju vraftë qulli…..
- Se mo e bën llaf nga Tirana ç’pe në Kulmak, se na nxore bojën ore…
Unë natyrisht nuk e bëra llaf. Por nga skena që pashë, m’u përzie. Nuk e hëngra dot mishin e bidonit atë rradhë. Sidoqoftë, ma mblojtën në një copë gazete Zëri i Popullit.
- Mos e bëj kaq hall, ore…
- Hajt se të shkon shpejt. Të dhemburit e burrit, si të dhemburit e gjurit….
Tomori vështronte me qortim. Porn gomerësh. Për njerëz që s’kishin asnjë argëtim. Zdërre fatale…
Ndjeva keqardhje për ta, për veten time… një keqardhje të hapët, pa objekt. Ia kisha marrë dorën atij lloj pikëllimi. Isha mpirë. S’dhimbte aq shumë. Po largohesha nga Kulmaku, të cilit m’u duk se sapo iu prish virgjëria. Dhe mori hiret e gruas.

[Më prit herën tjetër Kulmak. Ndoshta kthehem shpejt. Kjo është “ndoshta” më e sigurtë e jetës sime. Një dëshirë pa bërë premtim, vuajtje pa patur halle, sakrificë pa përbetim, dashuri për shtojzavalle.]
 

__________

Shënim: Requiem për Peshkun dhe peshqit e dikurshëm; dëshmi për autoktoninë e dashurisë sime për Skraparin :)

91 Komente

Po .qe eshte dashuri autoktone kjo eshet me e sigurte se ajo ndofta...Ai requiem si i tepert ...na shyqyr gjalle e shndosh smiley na n'shkoder kena pas thane:"dashnia txen edhe n'breshke".....

ne fund prisja nje happy ending. kulmaku e meriton ta kishte. te gjitha adetet ja beri vizitorit, i ofroi me te miren, me dhe pa vetedije. gomeret ne natyre nuk e zhbejne dot kenaqesine e mishit. delja kembethyer eshte fakire ne tavolinen e shtepise parafabrikat, e perzier me karbonin e gazetes. nga perjetime me ndjenja mix, gjithmone ngelen kujtimet me te bukra.

kulmaku eshte nje cep i botes qe ekziston ne te vertete, po ne e harrojme ose e neglizhojme me marrezira endrrash te pakuptimta.

 Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me esera, me blogje. Por kudo, pak është rrahur prishja që i bëri komunizmi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin. Balancat mishngrënëse të prishura në ekosistemin pellazgo-baritor. Komunistët duhet ta kishin ditur që me mishin s’duhet ta krruajë njeri. Etnosi ynë është thellësisht karnivor. Nuk i thuhet një populli të tillë hani bar. Është si ti thuash bandillit bëhu murg. Kur vajzat e reja po i shpon elbi!
      Ne e dashurojmë mishin. 

    smiley gabimi fatal i komunisteve, popullin  mishngrenes donin ta transformonin ne barngrenes.

Ne fillim ishte mishi.Pastaj edhe ai mishi tjeter qe mungonte smiley

" .... Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me esera, me blogje. Por kudo, pak është rrahur prishja që i bëri komunizmi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin. Balancat mishngrënëse të prishura në ekosistemin pellazgo-baritor. Komunistët duhet ta kishin ditur që me mishin s’duhet ta krruajë njeri. Etnosi ynë është thellësisht karnivor. Nuk i thuhet një populli të tillë hani bar. Është si ti thuash bandillit bëhu murg. Kur vajzat e reja po i shpon elbi! Ne e dashurojmë mishin. Edhe në USA janë ustallarë për “beef”-in e famshëm, por dashuria e amerikanëve është më tepër teknike. Vini re se si thonë ata për gradën e pjekjes së mishit, “medium rare” apo “medium well”, a thua se po flasin për ndonjë indeks ekonomik. Shqipot e duan mishin në mënyrë epiko-lirike, ju fërgëllon zemra, japin art, ritual, traditë, lashtësi. Ka diçka pothuaj erotike në atë dashuri. Një lab në kullotën e Shashicës në Vlorë më bëri të mendoj kështu tek po hante një kokë bagëtie. Në i pastë parë kokat e femrave me të njëjtin adhurim e përkushtim të tipit “jam yti” si shikonte atë kokë të pjekur, lum ato gra. Sytë i shkëlqenin. Puthja filloi nga pjesët e nofullave. U shndërrua në kafshim plot afsh. Pastaj gjuhët u ngjitën si me mastiç. Nuk i mjaftonte ajo gojë e mbyllur, e donte puthje-kafshimin më të plotë. I hapi nofullat e kokës së pjekur dhe futi kokën e vet gjithë epsh midis tyre. Nuk pa gjakun që i kullonte mbi faqe nga gërricja e thellë e dhëmbëve të kokës së pjekur. Ekstaza ishte aq e fortë, sa që labit edhe po ti ishte prerë ndonjë vesh nuk do ndjente gjë. Van Gogh i dashurisë për mishin. A ka orgazmë ta realizojë këtë jerm? A ka Marilyn Monroe?..." 

 

smileysmileysmiley je i madh i dashur smileysmiley 

Rrethim,Sigurim s'besoj se jane fiction.Ne nje lokal ne Corovode, te zotin e quanin Historian.Sa here e therritnin, shterngoja nofullat per me myt te qeshmen, qe ishte gati me plas.smiley

Edhe Asamble ose Aleanca.

Imagjino, djaloshin corovodas verter, me sy rrezuar mbi kepuce, dhe duke ia thene ne gjuhe te huaj, si me kollaj: ijo... tjamo...  Asamble...

smiley

Emo na kenaqe. Kam qesh me lot me ate pershkrimin e ngrenies se kokes nga labi. Humorin e ke me taban smiley. Tu shtofte frymezimi.

Datamining ne Peshk ee, eshte peshku si pucetat e trotuareve, po te rremosh ne to do mesosh shume per gjindjen qe kalon aty pari.

Ai kulmaku eshte gjith shqiperia juglindore, ose gurkusari sipas Zanes. Po kishte dhe nje te vertete aty qe gurkusarin nuk e ben hic pexhorativ, fakti qe edhe turqit nuk e mohonin dot, reality show i koheve te hershme, dilja te mbijetosh si kusar per 24 vjet dhe shnderrohesh ne Kapidan, fair enaugh. 

Nje detaj, Labi lugines se Shashice ka nje bicak te vogel qe e mban gjithmone me vete, me ate bicak ai e kruan koken e dashit der te ato mikro vrimat ku kalojne venat dhe nervat. ngrenja e kokes eshte art me vete. 

Kete vit provuam me dy shoke te mi cdo te djele te hame koka qingji, ne fillim e cuam dem se nuk dinim ta hanim pastaj filloj te zgjohej ujku qe eshte brenda nesh dhe qerimi filloi te behej evident megjithate ngele ne nivel amatori pa ju afruar fare niveleve te profesionistit.

qenke komplet i kolesterizuar. koka eshte nder vendet e para...mund te jete nder me te ndjerat qe ka shkru em...kulmaku .E me çudit se em nuk eshte i lindur...thjesht origjine.Ndonese mjaft e lidhur kohet e fundit ime bije nuk ka me pase kurre kete lloj ndjeshmerie per Shkodren

Qi të t'heq marakun e kolesterolit, njajo maqineria e palestres ne hollande ma qiti moshen metabolike 29vjec.
Sa për kokën më hipi dëshira kur po shikoja një tip në plazh që po hante një kokë dhe gjerbte pak raki. Ai dukej njeriu më i lumtur në plazh. Dhe meqë ushqimi.hyn te kënaqësitë divine nuk asht mëkat ta kërkosh i fije.

Kjo nuk eshte e dhene e kolesterolit...makina ne palester nuk eshte laborator...Pra qenke me i madh ...e pra nga sa shkrun nuk i difton hiç vitet ...dukesh krejt i ri...hahahaha

Shkodra ka dek që kur zdrypën malsort e Zhelefinës, me t'kap fryka me ec rrugve se hin n'gjak.

Asht ma e rancishme qi ash ba Venec' e dyte. Ju t'tjert jeni t'tane n'nyça e gjeloza per Shkoderlocen. Uje 25 ore n'dite, turizmi varkar asht zhvillu en maksimum e tesh t'vjen krapi fill ke shpia, s'asht hiç nevoja me shku me gjujt n'liqen.

thone per njerin qe e denuan te hante vetem nje gjelle gjithe jeten e vete e se mund te zgjidhte cilen donte, edhe ky zgjodhi koken e dashit ose te deles.

Pavarsisht tallonit te mishit komunizmi shqiptar per punen e te ngrenit ishte mishngrenes (per te mos thene kufomangrenes), kulti i qoftes se zgarres ose i berxolles i takon atij (formula universale "birre, gjyspanine, berxolle").

Martesat ishin kryesisht festa kanibale qe hapeshin me "edhe nje here e prehu shpaten...", dhe pastaj dynjaja yxhym mamlyk mbi mezet si te babezitur. Me pas, mbasi rrokelleheshin dopjot e rakise, e mes nje tymi duhani qe nje "i jashtem" mund te mbytej pa kundragaz, kerciste ahengu me kenge jevgjish "kush kercen naplonin é, vajza e kapitonit é", qe e ben tallavane e sotme te duket muzike aristokratike. E vetmja kenge intelektuale ishte avazi korçar "te rashe pas moj te rashe pas, rruges kur shkoje ne gjimnaz", kenduar si pellitje me fytyre te skuqur e te djersire. Po te veshtroje sallen pa marre pjese ne aheng, nuk merrej vesh nese dasmoret po vuanin apo po benin qef. Me nje fjale gjendje barbare.

Nuk ka asgje per tu mburrur me ngrenien e kermes, eshte thjesht kulture e te ushqyerit e kushtezuar nga rrethanat malore ku ka super prodhim proteinash dhe mungese karbohidratesh. Pare nga pikpamja kulturore mania e mishngrenies eshte primitivizem, per te mos thene barbari, sepse kultura fillon me bujqesine, e cila ndryshoi edhe blegtorine.

Dyfish primitivizem, bile edhe i demshem si vetvrases, eshte adhurimi i kermes edhe ne kushtet e jetes se sotme (aq me teper qytetare) ku jetohet ne nje kontekst krejt ndryshe nga katunaria e atehereshme. Cudia me e madhe eshte se kjo injorance ndeshet edhe nga ata qe i dine mire keto gjera si te zanatit.

1/3 e popullsise se Indise eshte vegjetariane, dhe jo per injorance si mendojne studentet e Harvardit qe mundohen te mbajne dieta te modes te deshtuara ne menyre fatale. Ne Amerike perdorimi i barerave popullore eshte barazuar me barnat sintetike. Gjithnje e me teper behet e njohur sherimi i semundjeve nepermjet ushqimit, dituni e lashte popullore kineze. E kush e di se sa dituri te tjera, qe nuk eshte se nuk dihen, por ç'ti bejme reflekseve te kondicionuara te Pavllovit. Megjithse me duket se ishte edhe Miçurini me ca molle, po hajt mo kush i ma men te gjitha ato qe kemi mesuar ne rrethin e natyralisteve te Pallatit te Pionerit. 

  

ca leshin je duke thene? ca derdimenlleqesh jane kto qe shkruan?

Pranej iku ne Stiv Xhobsi se qe vegjetarian.
Nuk ndertohet bota pa proteinë. S'bo dot i sport pa proteinë. Po bie dakort që në kulinari jemi.primitivë në gatimet e mishit po kjo ka arsyet e veta, mendoj që më e lehtë ta konsumosh mishin sipas nevojës sesa ta ruash. Prandaj ne shqiperi nul procesohej hiq korçën e veriun e shqipërise që e thante mishin

Njeri nuk mer vesh se çfar jam duke thene, tjetri ja kput katunit sikur un po bej propagande vegjetariane per Stiv Xhobsin dhe Stiverivs Zgjebsin. Ne fakt po tregoj se ka kultura popullore (edhe ne vendin tone, por une komentoj, nuk shkruaj artikull) qe vlersojne edhe bimet. Gjithashtu po tregoj se ekziston nje ndergjegjsim per keto lloj kulturash popullore, dhe kjo pothuajse mungon ne Shqiperi (biles edhe mergimtaret, me keq per arsye nostalgjie), megjithse per te tjera gjera po e ndrisim, te gjitha i dime, demokraci, politike, ekonomi, kulture, art, kamasutra.

ne raste normale do bija dakord me kto qe ke thene, por duke qene se i thua ti e kam shume kshtu te veshtire te mos them 'kujt i plasi trapi per kto qe thua?, se ben ca kauza krejt kot, heretik pa kauze, ose heretik pa lidhje.

Pse pa kauze? Une kam kauze, une jam me "ne" kunder "jush", por ne fund fare "jam me ate qe fito"!

ku ehste kauza tek te dhjefsha dasmen, te q.... dreken, te pshurrsha darken? s'e shoh as kauzen as kazmen, lere pastaj sarkazmen.

Te gjitha keto bukuri qe ke thene ne komentin me siper jane rezultat i te vertetes post-moderne: ku ka te vertete mer jau?, kush e ka thone mer jau?, ku eshte shkrujte mer jau?. Njoni thote keshtu mer jau e tjetri thote ashtu mer jau, çdo gje eshte relative mer jau. Qe si rezultat perfundimtar do te thote: ku ka kauze sot MER JAU!

Jo gjithcka eshte relative, ka edhe te verteta universale.. psh njeriu zgjedh kamjen ne vend te varferise. Zgjedh nderin ne vend te poshterimit, zgjedh aftesine fizike ne vend te shendetit te lig e dhimbjes. Zgjedh harrene ne vend te zemerimit, zgjedh stimulimin fizik, ndjesor e intelektual ne vend te monotonise e letargjise. Kto nuk jane te verteta relative por universale., edhe nuk jane bukuri qe jane shpikur, e as eliminuar, me ardhjen e post-lesh-leshit por kane qene aty qe ne vitin 1 e do jene aty deri ne fund te kohes.

Ou?, po sikur pak me pare ndegjova te Verteten e te Vertetave me Universale:

"Me plasi trapi se çfar po thua!", mjafton qe ta pjekim heretikun ne zjarr se gurmazi yne ka nevoje per proteina.

ajo te drejtohej ty, nga une.. dmth edhe nese eshte e vertete, qe me teper ne fakt eshte nje reflektim i menyres si reagoj une ndaj atyre qe ke shkruajtur.. ajo ishte prej meje, e drejtuar nje njeriu qe ne dukje eshte nje heretik pa kauze.. kshtu qe s'mund te jete e vertete universale, por nje reagim i nje individi, kundrejt nje fare qendrimi te vecante. faktikisht njerzve u plas shume trapi se cfare thone/mendojne te tjeret sepse hapesira eshte e pafund dhe njerzit skane pike reference, i.e. Zot, qe t'u thote psh 'mos e rruaj ca thot filani'.

Meqe te dukem pa kauze, pa na e thuaj ti kauzen tende, se deri tani kauza jote me rezulton te jete ti thuash ketij apo atij: "na çave trapin!". Nuk eshte ndonje gabim i madh jo xhanem, si gjithe te tjeret!

problemi nuk eshte se je pa kauze, por se je heretik pa kauze. kauza eshte justifikim qe ka sens e i ben apel arsyes, per nje qendrim te caktuar. ti ca kauze ke te jesh heretik, ose te mohosh si te vlefshme nje praktike shoqerore sic eshte psh dasma. me thuaj nje qendrim timin dhe do mundohem te te jap kauzen.

''Nuk ka asgje per tu mburrur me ngrenien e kermes, eshte thjesht kulture e te ushqyerit e kushtezuar nga rrethanat malore ku ka super prodhim proteinash dhe mungese karbohidratesh. Pare nga pikpamja kulturore mania e mishngrenies eshte primitivizem, per te mos thene barbari, sepse kultura fillon me bujqesine, e cila ndryshoi edhe blegtorine.''

 

ku i gjen keto shprehje aman? s'ka as per tu mburrur as per tu cmburrur. eshte thjeshte dicka qe te pelqen apo jo.

une p.sh. s'jetoj dot pa mish. u mundova ta heq po ishte e pamundur pasi te duhet te hash gjera te tjera me shumice qe te shendoshin. s'ja vlen domethene.

ha ca mish, ca djathe, ca zarzavate dhe fruta dhe je ne rregull.

 

p.s. c'do me thene kulmak?

une isha nje here tek shpia e nje mikut tim qe jeton ne ferme.. edhe po shihja gjithe ato kafshe, kishte edhe zogj pule te vegjel, vraponin sa andej ktej.. shume gje e bukur.. edhe po mendohesha sa mire do ishte te behesha vegjetarian sepse po me ngacmonte ideja qe ne kete bote duhet te jemi ne paqe e harmoni me kafshet.. edhe ne ate moment vjen nje pulbardhe edhe kap nje zog pule e kaperdin direkt, zogu ishte akoma gjalle edhe po levizte tek gusha e pulbardhes. pastaj po mshihte pulbardha kshtu sikur donte te thoshte 'mua smplas trapi ca mendon ti per mua'.

e deshe nje mesim nga pulbardha!?

mesim the? direkt botekuptimi me kokeposhte.

having said that, une jam me heretikun se e ardhmja e njerezimit eshte vegjetariane.. mirepo do shume shekuj kjo, jo se ndergjegja nuk eshte prezente sot, por mundesite ekonomike diktojne dieten mishore per te pakten disa shekuj qe vijne.

dhe e forta eshte se kafshet qe do hahen me teper do jene minjte e haleve, sepse kta jane me eficientet, kta hane mbetjet njerezore dhe i bejne mish.. edhe nuk i gjen gje. kafshe optimale riciklimi nutrientesh.

po ta shofesh nga ajo ane, edhe riprodhohen ne menyre eficiente, biles me shume se aq. ja dhe nji tjeter requirement qe permbushin.

po me mire, mos te shtyjme deri atje.

    smiley (per pulebardhen) 

Alba1, nuk ke ndonje dyshim qe edhe pelqimi mund te jete çeshtje kulturore?

Pastaj ku dreqin e shihni qe une jam kunder ngrenies se mishit? Menjehere e doren ne kobure sa degjohet ndonje gje qe ve ne dyshim menyren standard te jeteses. 

varet c'kupton me kulture. e shikon ti, sa vjen heretik kulturmadhi ketu, une nxjerr koburen, (besoj se te kujton dike kjo koburja e nxjerre keshtu, pam pam)

dhe per sqarim; une s'thashe qe heretiku i herezise eshte pro ose kundra ngrenies se mishit, organik ose jo.

Alba, ne menyre specifike nuk me kujton asnje qe nxjerr koburen pam pam, por ne pergjithsi ata qe hane shume mish e kane per zanat pam pam-in e kobures. Derisa sa gjejne nje tjeter kaubojs qe ka ngrene me teper mish dhe e ka doren me te shpejte dhe kalojne ne gurmaz te korbit. Kjo eshte shkruajtur edhe ne Kuran edhe ne Bibel.

Megjithse me thone te drejten qe kur ka dale hamburgu shef verdalle vetem te dhjamosur 100 kilsh qe enderrojne te ngasin nje tank Tiger te Dolfit.

nuk di si ta hash mishin, heretik. vertet qe mishi ka helme, po pas mishit t'ja fusesh me kos, eshte gjeja me e mire, pasi i minimizon helmet ne trup.

dhe hamburgeret jane tjeter gje; plot hormone, dhjamra, buke te bardhe e te tjera pislliqe. mishi per te qene nuk te shendosh, por te dobeson dhe te jep energji. por nqse di si ta hash ama. 

Alba Kulmak eshte nje zone ne mailn e Tomorrit. Alba.. eshte Herezi mos ta dish.. atje ku nuk mund te mbash gishtin ne burim me shume se 1 min se te "pret" , Atje ku mishi i qengjit vjene era trendeline smiley

oh, tani e mora vesh.

vec nga skrapari fryjne ererat ne qiellin e botes shqiptare. tani  per tani te pakten.

une kujtoja se ishte ndonje lloj gatimi, kulmak-kacamak.

Kulm-maje.. eshte ne maje te malit te Tomorrit..

''gjendje barbare...'  looool

po te shofesh dasmat sot nuk eshte me mire; gjithmon fillojn me "koka ne stamboll e trupi..." veshjet jan sh banale (sidomos femrat) gërrnetisti vjen vetem ne kanatjere nderkoh shoku i ngusht i dhendrrit hedh 2.000€ ne dasem(qe i merr sazexhiu per te bler nje kanatjere te re)...   i them keto ngaqe kam lokal dasmash .

Po autori shkrimit nuk e glorifikon hic fare kete kulturen e mishngrenies.Tregimi ka brenda te verteten ( mishi me tallona si fundi komunizmit) dhe ironine e holle me kulturen dhe kultin e mishit. Popull blegtor.Mishin e kishte dhe buke dhe gjelle.pastaj erdhi patatja. Tani eshte koha e pickes, ene buke, ene gjelle.

Nuk e kam studjuar me lupe shkrimin, por nqs shkrimi ironizon kultin e mishit si thu ti i nerumi Spiritus, shume mire atehere, bravo i qofte Emigrantit.

Une do te thosha se tani nuk eshte vetem koha e p....s, por edhe e k....t. Gje qe duket sheshit.

opss, sorry, lapsus, duhet:  pica , tani po e shof

ironia e ktyre popujve blegtore more spiritus eshte se kta te shkretet hane mish 1 here ne 6 muaj.. me teper jetojne me miser edhe qumesht, dhe kjo ehste e vertete ne shume vende te botes. te pakten kshtu e kam pershtypjen une.

shume  e vertete kjo twintip. mish hanin kur gremisej ndonje dhi ne shkrepa , per bajramllek dhe ndonje dasem. as qumesht jo.hirren e djatthit ene icik gjize shakulli. bagetia ishin te shenjta dhe te shtrenjta si lopet e indise, me ato mbaheshin.

edhe sa gjynah e, sa vente nanjeri mik direkt e thernin nje, biles me te mirin, si xha brahua me qengjin qe kishte ruajtur per djale.

ky eshte kulti MIKUT. therja e gjese se gjalle si sakrifice per mikun.Kam qene nja katermbedhjete vjec kur shkova mik , pa pranine e prinderve,  e u ther keci per nderin tim .desh me ben dhe dhender smiley

edhe hengre bishtin e? smiley

mir o mire, bishti me i madh se koka ime smiley ja, e mbaj mend, po te ishte ndryshe kujtesa nuk do ta kishte regjistruar.

ai mishi i brinjve.. ajo si cipe qe mbulon brinjet, tek keci, edhe tek shelegu... lere lere

Meqë jemi te miku dhe te bishti, në ato kohra i vjen një beu Vlonjat miku vet nga Gjirokastra, urdhër ky të theren 7 desh dhe bishtat mikut me shpurë. Pas ca kohësh shkon ky te miku në gjirokastër dhe i thonë argatët beut gjirokastrit ka ardhë miku jot nga vlora, ça të shtrojmë që ta nderojmë, u thotë ky vrap te kasapi bleni 7 bishta.
Moralin qitjani vet, po lale si vlonjati s'ka një vlonjat që patët në krye nderoi gjith shqipërin Ismail Beu. S'latë më pa provuar po si ai ska

Marrëdhënia me mishin e pjekur vazhdoi problemore, doktrinare dhe fetishe, si ndodh me çdo gjë të madhe dhe specieformuese; judat, skizmat, herezia, dhe mosmirënjohja nuk munguan. Fitorja e vërtetë, ajo e para me prushin e me kërkushin, që habitej sesi gjaku zhdukej me magji dhe ngjyra e kuqe bronxohej me cërritje erëmirë, u harrua shpejt. E shpallën mishin e pjekur (tash që e shtinë në dorë) kryearmik, krijuan sekte vegjetarianësh me joshje emrash të mëdhenj, Tolstoi, McCartney, mishi i kuq thanë që është vdekjeprurës, të sklerozon, të bën impotent (ah, djalli di ku godet), e shumëzuan rrezikun me dambllara shpendësh e gripe derrash e derra të mallkuar, shkuan deri atje sa i çmendën lopët dhe fëminitë i mbushën me frikën e gjithfarë oksiurësh e shiritash me fytyra skëterre, me thonj llahtari e gremça të përbindshëm parazitë që mezi ç’prisnin të nguleshin në brenditë e buta të zorrëve tona. Sallam i derrit, harram i Ferrit! Mos e ha pa skuqur!!! Zhapat e kërcta të pulave, ato kuintesenca shijesh e pothuaj qëllim jete, na i bënë të frikshme si t’ishin mantel centauri e jo zhapa pule; dy binjakë, Koli dhe Steroli, patrullonin si SS në dimër. Escher-ichia Koli. Kushëriri gri. Zotat po hakmerreshin vonë me të pamishtët e vjetër.

nga 'Qingj bunkeri'

Nderet tym i verdhë squfuri mbi prroskat e ckërkat me zhur kripe që rrëgjon të butët. Vjen nga Juga e thellë një vet’imë rreziku prej qirinjsh dhe hojesh. Dhjamë e dyllë të pikova, por dot besën s’ta ndërrova... po piqej një njeri në hell nga Jusuf Arapi. Zjarri merrte hak njeriu. Para se të shkrinte metale, zjarri piqte; ajo përralla e gurëve-minerale pranë tij që filluan të shkrijnë nga nxehtësia, edhe pse jo e pamundur, është shumë e pagjasë. Zjarri u bë Zjarr vetëm ngaqë poqi. Zotat në orgjira i gëzoheshin hajeve, sepse vdekatarët e thjeshtë atje poshtë as që e kishin idenë që ato ekzistonin - ekskluziviteti mposht dhe perënditë. Ndaj dhe u zemëruan aq shumë me tradhtinë e zjarrit. "Hanko rënkimadhe, o Hava, moj Erë. Copa copë ia bënë mëlçinë... edhe zëmrënë".

po aty.

Ngrënia e mishit ishte aksioni i parë demokratik që i pruri njerëzit një hap më pranë me shefat atje lart, apo që i zbriti shefat atje lart një çikë më poshtë drejt tokës. Nuk ishte vetëm punë shije. Më shumë se gjuha, prej shijes së re u habitën nofullat, ngaqë aspak nuk u lodhën me ushqimin e ri. Energjia nuk u shua në krahët e nofullave të poshtëme, por kaloi ndanë tyre dhe të sipërmeve, dhe u fut për herë të parë në kthinën e kafkës, ku gjendej një muskul i ngordhur, i bardhë. 

po aty.

Emigrant, perveç ketyre paragrafeve artistike, nuk mund te na thuash edhe ndonje gje shkencore. Jo per gjo, por me duket se e ke hutuar fare te nerumin Spiritus.

heretik ne hell me cove/shkove

dhe inatin dot se nxorre .....po c'ke mor evlat , c'ke q m bi ne qafe.Une token time leroj.

"Une token time leroj".

Jo mer SpirituS se e ke braktis katunin per qytetin, e meqe nuk e kap dot thelbin e qytetit per nje brez, je kthyer ne epoken e gjetjes se ushqimit nepermjet gjuetise.

Une i kom inot te gjithe ne fillim, pastaj vjen shprehja qe perdorin hipokritet qe me te paren: "Ju dua te gjitheve!". Une hyj ne shoqni si Stendali, ne fillim me skandal.

 

Nuk mundja me pare, Heretik. OK. Vazhdojme:

Një shkencëtar çifut thonë se ka gjetur mjetin për të zhdukur urinë e përbotshme. Është një bimë magjike. Quhet "sojë". Patjetër bimë e sojme. Eksperti erdhi nga qendra, nga një institut bujqësie. Quhej Selim Vora. Erdhi fill pas zviceranit. Këtij nuk i bënë mish. Ky nuk kish nevojë për përkthyes… të shumtën e herëve. Le që t’i bënin mish kjo do ishte tallje, sepse ai pikërisht për atë po vinte. Me magjinë e sojit të sojës. Përvoja të vjetra të përbotshme, tha. Si dhe shkencë bashkëkohore. Sikur gjithë ç’harxhojmë për blegtori, këto jonxhishte pa fund e keto misërishte t’i mbillnim sojë, vazhdoi, do i themi çdo problemi tutje. Fjala fukarallëk mbeti varur në dorezën e dritares së sallës së mbledhjes. Si këmishë vape. Do i kemi të gjitha, tha Selimi, qumësht soje, djathë soje (këtij i tha edhe emrin, por nuk e mbaj mend), qofte soje, bërxolla soje… Në sytë e tij përshkënditi një ngazëllim i qashtër. Ai ishte vërtet një misionar. Gjindja e dëgjonte e nemitur. Në sytë e grave plaka vizllonte e përkorë “si të thuaç ti, o bir”.

po aty

   Komplimenti Em, shkruar me shume dashuri ,valle eshte megjith'mend aq bukur atje,apo tashti qe sa me shume kalojne vitet dhe shume trishtime mbushin shpirtin tone,ne menyre te pavetedishme çdo gje qe kalon na duket aq e bukur?!

emrat Parime dhe Rrethim jane te sajuar apo vertet influenca komuniste kishte pasojat e saj deri ketu?

Emrat jane te vertete, Xhen. Dmth kane ekzistuar.

une mbaj mend njerin donte te ndryshonte emrin mirepo s'lejohej se s'kishte mbushur moshen edhe spo i durohej deri sa te mbushte.. e kishte emrin durim..

smiley sikur s'pershtaten te dyja .apo jo?

haha.. po pra.. edhe perfundimisht i mbushi 18 edhe e ndryshoi e ra ne qetesi.

smiley e si ja thone emrin nashi?

Shpetim.. smiley

mos je dora vet ti,  ai  durim-shpetimi?

ehuu sa pyetje ben ti pse ktu do rri une?

ok mu duk sikur ishte i njejti person qe po pyeste smiley

jo s'jam une ai, eshte nje tjeter, eshte nje cun tjeter.

Shperthim smiley 

shume i gjete ky shrim po duhet me i hedh nje sy se emigranti meriton te lexohet

ps,akoma se kam lexuar

laura L, me fal, po ti perse ke frik nga gjatsia?

u sa inat i kisha kenget labe nje her e nje kohe, tani kenaqem kur i degjoj

Kenga iso polifonike eshte echoja e korit te athines.

Eshte lidhja jone direkte me Antikitetin, puna eshte qe gjate komunizmit u abuzua shume me te, i kendohej cdo gjeje. Po megjithate ajo mbijetoi dhe njerezit e kane qef. Ka dhe nga ato te merzitshet fare me tekste idjote po ne pergjithesi jane te bukra

Ja nje tjeter e bukur

http://www.youtube.com/watch?v=bWPB0rOIko8

emigrant eshte vertet kenaqesi te lexosh shkrimet e tua ku gjen shume detaje qe gati gati i kemi harruar dhe per me teper jane shkruar  me nje gjuhe shume te pasur letrare  dhe me ndodh gjithmone te mendoj qe nuk je ti ai qe i shkruan, sepse ne komentet e tua shoh nganje here nje lloj agresiviteti qe bie  ne kundershtim me emigrantin e prozes dhe te poezis qe eshte kaq i ndjeshem dhe arrin me ndjeshmerine e tij te me bej mua te enderroj te kaluaren te me marre malli per vendin tim per njerezit e mi, me ben shume eshe te qesh

ps mu kujtua edhe nje emer qe kam degjuar ne ato kohe (Komunist) i shkreti njeri qe quhej komunist

 

emigrant eshte vertet kenaqesi te lexosh shkrimet e tua ku gjen shume detaje qe gati gati i kemi harruar dhe per me teper jane shkruar  me nje gjuhe shume te pasur letrare  dhe me ndodh gjithmone te mendoj qe nuk je ti ai qe i shkruan, sepse ne komentet e tua shoh nganje here nje lloj agresiviteti qe bie  ne kundershtim me emigrantin e prozes dhe te poezis qe eshte kaq i ndjeshem dhe arrin me ndjeshmerine e tij te me bej mua te enderroj te kaluaren te me marre malli per vendin tim per njerezit e mi, me ben shume edhe te qesh

ps mu kujtua edhe nje emer qe kam degjuar ne ato kohe (Komunist) i shkreti njeri qe quhej komunist

 

Laura,poetet vetem lexoi, me mire mos i njif, ne pergjithesi them,se kam me Emin qe s'e njof,mgjt nuk eshte agresiv,eshte politika jone aq  problematike dhe perçarese si dhe lavazhi qe na eshte bere per shume vjet,qe na e ben te veshtire komunikimn me njeri tjetrin,pazienza cara,,,sa te behemi njerez te liresmiley

po ke te drejte Xheni zihemi e grihemi kot ne fund fare te gjithe ja duam te miren shqiprise dhe ma do menja qe pjesa me e madhe nuk ka asnji perfitim nga politika

Perfitim nga politika nuk ka kur ben llafe pazari, por ka fitim nga grindja sepse sherri çliron energji nga ferri e cila eshte shume e çmueshme per mbarevajtjen e jetes, per tretjen e proteinave dhe karbohidrateve.

Imagjino se çfare jete te mjere do te kishin Peshqit po te mos ti thoshin njerit tjetrit te pakten nje here ne dite: "kriminel komunist", "tradhetar fashist", "gjakprishur", "i shitur tek grek muti dhe serb kaka", etj, etj, dhe sharja me e tmerrshme nga te gjitha: "militant"!

po por militant eshte bere 'mudus vivendi' 

e ketu eshte plot me militant (shumica te edit por nuk mungojn as te saliut) qe vishen me kostume diplomatesh,artistesh,biznesmenesh, por mbi te gjitha intelektualesh.

smiley sigurisht qe jo per ne qe kalojme kohen,per parlamentaret ndryshon puna,eshte buke,fitim,pushtet,maskarallik,fodullik e ca ik-a qe s'me vijne ne mensmiley

Po o Xhen po, jemi duke kalu kohen. Une sot kam humb gjithe pasditen duke komentu tek kjo teme, zakonisht si mesatare nuk bej me teper se dy komente ne dite. Mendo qe shumica e Peshqeve e ke dite e nate duke çaprashit ne disa tema njekohesisht. Jo kalim kohe, por humbje kohe. 

Emigrant ke shkuar  ndo1here ne Gjerbes??(e kam vizituar Skraparin shume-here.Mikpritje  dhe ushqimi i fresket nga gjiri i natyres.Ce do qe infrastruktura eshte e dobet,,,Me pak investim ajo zone ja kalon dhe Dardhes per nga fama dhe frekuentimi).smiley

Kam kaluar, por nuk kam ndenjur. Madje kerkova edhe foto; nuk i gjeta dot.

Emo na cmalle me Kulmakun...Kur lexoj keto rreshtat me vjen nen hunde ajo aroma e qengjit te pjekur dhe ai perroi i akullt...Ne maje te Kulmakut vetem makinat IFA mund te ngjiteshin asojkohe(flasim rreth viteve 93-95) smiley

gjermano-lindore, mos gaboj? 

Po Emo gjermano lindoret, te cilat ende mund iti shohesh sot neper rruget e Shqiperise smiley... Kam qene 2 here ne pelgrinazhin e Kulmakut, nje nga eksperiencat me te bukura qe kam pasur gjate jetes sime ne Shqiperi...Eh ai perroin si i mbante birrat, nuk te hynte ne pune frihgoriferi fare. Ai sfondi i atyre vargmaleve madheshtore te conte ne nje bote tjeter jashte katrahures tipike Shqiptare.... perballe atij pejsazhi mu duk vetja teper i vogel..mikroskopik. Megjithese parajsa nuk mund te ngelesh pa u dhunuar nga derrat, vitin e pare ishte nje qetesi apsolute ne Kulmak por vitin tjeter qetesia u thye nga krismat e pistoletave te shpellareve...Kishin ardhur Doktor sula,Azemi,Tritani dhe disa nga kyesia e qeverise asojkohe se bashku me gjithe batalionin e civileve te gardes te cilet pasi u dehen filluan te qellonin ne ajer me pistoleta si cowboys....Nuk kishte gje me te shemtuar te shikoje te shoqen e Tritanit, Aiden(asojkohe zedhense e Berishes me duket) e cila rrotullone pistoleten si Clint Eastwood dhe qelonte...Flasim te shtena per 2-3 ore rresht pa pushim smiley  Qe prej asaj kohe nuk kam shkelur me ne ate copez parajse

Na myti skrapari me. Ngado te kthesh koken. Na eshte bo si benci 250 qe e sheh cdo 5 sek ne tirone. Ore sa banore ka ky skrapari se ne harte e mora vesh ku bie 

Koko, me duket e e kam sjell nje here ket histori, po meqe me dole ne shteg po te qelloj.....

dikur, kur ishte hap tregu ushqimor tek ish fusha e begsave, ku sot eshte SHIK-u, dolen me shit te gjithe ata qe kishin met pa pune. Me syre ishte dhe nje shoku im, Gjergj T, i cili as qe e kishte shku nder men me bo ate pune, ishte çun i fisshem. Vellai im, ne ate periudhe prodhonte Raki, por raki te mire, pasi edhe perzjerjen e bente me raki te mire, njesoj si e kerkonte procedura teknologjike, e ambalazhonte ne shishe, i njiste dhe nje etikete Raki Skrapari dhe me vrap ne treg. Vje ky shoku im nje dite te tregu me taku tim vella, per ti dhone raki me shit..... duke shku tek ai, kalon ne reviste te gjitha mallratt dhe tregetaret e tregut. Dhe a e di se cila gjo i ra ne sy...??? 80% e rakise qe shitej aty, kishte etiketen Raki Skrapari. Kur takoi tim vella.. llafin e pre i tha.... Ore po ky Skrapari  sa Stalingradi qenka....., me kaq raki sa prodhoka....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).