"Gabimi më i madh, mëkati kur bëhet me qëllim, është glorifikimi i këtij rezultati [të LSI-së]. Elozhet ndaj bërësit të mbretit. Idolatria ndaj forcës dhe zhdërvjelltësisë së tij. Duartrokitja, pa shqetësim, vetëm për shkak të shifrave."

Që pas rezultatit surprizë të 23 qershorit, një e vërtetë e përgjysmuar ka nisur të imponohet lidhur me suksesin e LSI-së në këto zgjedhje. Është e vërtetë se partia e Ilir Metës e katërfishoi numrin e deputetëve të saj. Është gjithashtu e vërtetë se me mbi 180 mijë votat, ajo theu rekordin e çdo force politike “të tretë” në këto dy dekada pluralizëm. Nuk duhet mohuar madje as fakti, që këta numra marrin një peshë disafish më të madhe po të mendosh një ligj elektoral të miratuar pas marrëveshjes amorale PD-PS, që parashihte vetëm shfarosjen e kësaj partie. Të gjitha këto janë të vërteta dhe ato e kanë bërë shumë kënd, këto ditë, të flasë për uraganin Meta, bërësin e mbretit, të cilin e ndjek nga pas fitorja, gurin e peshores së pushtetit në Shqipëri, etj. Madje ka pasur edhe opinionistë me mëditje, që gati të ekzaltuar nuk lënë javë pa përmendur suksesin e një njeriu “që i di mirë punët e veta”.

Dhe, në fakt, këtu duket që se qëndron problemi. Sepse punët dhe fati personal i liderit të LSI-së i intereson vetëm atij vetë dhe klientëve të tij jo të pakët. Por, të tjerëve, pjesës më të madhe të publikut dhe sidomos gardianëve të interesit të tij, duhet t’i interesojë një gjë tjetër. Duhet t’i shqetësojë pyetja themelore se ç’do të thotë për të nesërmen, që në qeverinë e së majtës është katapultuar më e fortë dhe më me shumë peshë, një pjesë e pushtetit katërvjeçar të Berishës.

Pavarësisht nga përbetimet, ne nuk kemi sot asnjë garanci se me LSI-në në koalicionin e ri, do t’i vihet fre abuzimeve me pushtetin. Ne nuk mund të vëmë dot bast se deputetët e saj do të ngrenë zërin ndaj nëpërkëmbjeve të pritshme të opozitës dhe opozitarëve. Ne nuk mund të jemi të qetë se dikush mund t’i thotë ndal privatizimeve klienteliste dhe koncesioneve për faqe të zezë.

Katër vitet e dhimbshme që sapo mbyllëm, janë vite të spektakleve alla Dritan Prifti, të papara ndonjëherë me zë dhe figurë në zyrat e shtetit. Ato janë vitet e shkatërrimit nepotik të diplomacisë. Ato janë vitet e dhënies së hidrocentraleve për miq dhe farefis. Ato janë vitet e shndërrimit të spitaleve në ndërmarrje bojatisjeje dhe gjelbërimi.

Ato janë gjithashtu periudha kur në vend gati u shuajt protesta, sepse ata që kishin marrë plumbin ballit, akuzoheshin për flokët e palarë. Periudha kur vota që ishin dhënë ditën për diell,  zhbëheshin natën nga KQZ-ja. Periudha kur gjykatat u shndërruan në shtojca të qeverisë, aq sa e gjithë bota filloi të ngrejë zërin për kultin e pandëshkueshmërisë.

LSI-ja ka qenë për katër vite pjesë e kësaj farse. E megjithatë ajo u votua. U votua shumë dhe bindshëm. U votua nga ata që i besuan me naivitet filozofisë së Ramës, se në sistemin që ai do të ngrinte, edhe mëkatarët do të bëheshin më të mirë. U votua nga ata që i besuan shkeljes së syrit të Berishës, që gjatë gjithë fushatës dukej sikur thoshte: ata përsëri me ne do të vijnë. U votua nga ata që i besuan premtimeve për vende pune në administratë dhe nga ata që një herë në katër vite u vjen rasti i artë për të bërë pazar me politikanët. Arsyet e kësaj vote mund të jenë edhe më shumë se kaq. Për të kuptuar këtë surprizë, do të duhej fillimisht një sondazh i detajuar e një studim më shterues se cilat qenë arsyet e vërteta të rendjes së mbi 180 mijë njerëzve drejt kësaj vote pragmatike.

Por, gabimi më i madh, mëkati kur bëhet me qëllim, është glorifikimi i këtij rezultati. Elozhet ndaj bërësit të mbretit. Idolatria ndaj forcës dhe zhdërvjelltësisë së tij. Duartrokitja, pa shqetësim, vetëm për shkak të shifrave. Sepse ta komentosh atë vetëm duke u nisur nga përmasat dhe të shmangësh pasojat që do të ketë në qeverinë e nesërme, është të thuash vetëm një pjesë të së vërtetës. Atë pjesë që më së paku i intereson publikut.

23 Komente

Po mire, por pasi e shave LSI dhe Ilir Meten, beni nje analize te thjeshte e te sinqerte. Ku i moren votat? Nga kush i moren votat? Cfare pune ne terren beri LSI per te marre ato vota? Perse elektorati e votoi LSI?  Se kshu per analiza, e dhene mend jane te mire te gjithe.

analisti nuk ka kohe te beje edhe analistin edhe gazetarin. smiley ka bojatis faqen me marr rrogen. duhet sontazh, kete po, u lodh nje jave per ta menduar.

Votat i blenë. Votat i blenë dhe nga partitë e tjera të koalicjonit. Puna në terren e LSI -isë ishte egërsisht e fortë për ti shplarë e ri-shplarë trutë e njerëzve që të votonin LSI, sipas standarteve, kush për 50 €, kush për 100, e kush për një "vend pune"! Përse elektorati e votoi unë nuk e kam akoma të qartë, këtu ndodhin aq shumë gjëra paradoksale saqë të bësh një analizë logjike nuk vlen. Mbase sepse elektorati e vlerëson vërtet I.Metën si politikan, mbase besoi vërtet se ato që premtoji do ti realizojë. Premtoji punë dhe sot kjo fjalë është më e shenjtë sesa Trinia e Shenjtë. E votoji sepse S.Berisha ja kishte sjellë në majë të hundës, etj.

Meta, eshte lakmusi,ai testi, qe na nxerr te gjitheve ne,me barre. smiley

fol per vete... smiley

po t'ishte per mua...une s'do e beja dhender per nje mije vjet...tha mami i Elses, duke shkarkuar doren e djathte mbi te majten. smiley

Nje ze i mekur, qe guxon me lojera fjalesh dhe gjysme aludime te pozicionohet pak fare, jo krejtesisht i rreshtuar me fitimtaret! smiley

Megjithate, ne kakofonine e lepirjeve shurdhuese te ketyre diteve, te nje morie maskarenjsh qe duhen shporrur nje ore e me pare, ky Bushati meriton sidoqofte nje lavderim.

 

Bushati padyshim meriton pike per esell-sine e tij.

Plus nje high five per ate kunjin qe i ka futur Zhejit, i cili i fryn n'bythe me shume nga te gjithe propogandes I di Meta punet e veta.

Patjeter, po Zheji eshte i shit me gjithe lecka ka vite, sepse ka stil jetese above his means keshtu qe i duhet nje padron ta financoje

E drejte. Vetem per krehjen e mjekres kushesi sa fonde i duhen.

P.S. Nje nga ato ditet post-votimeve qe pashe disa tv shqiptare live ne internet shof dhe Zheji qe drejtonte emisionin e News 24, disa here debat me te ftuarit ne studio e disa here duke pyetur gazetaret ne teren per te rejat me te fundit, si gjithe te tjeret.

Bo ca arrogance Zheji me keta 'te vegjelit', gazetaret ne terren, qe ne fakt i sillnin lajmet e fresketa beut qe i drejtohej atyre si qehajai sherbetoreve. Xhanem jo vetem tek ai ky fenomen, por nuk e di pse ai me la nje shije aq te keqe...

Bravo Bushati.
Vetë fakti që spo të përfill peshku trego se ke gjet telin e duhur.
Rilindjes po i del kallaji që pa e vënë në zjarm. Përtej të majtës e të djathtës

Gaia ka thene qe #Rilindja duhet gjykuar vetem gjate mandatit te trete, se mandati i pare do kaloje duke rakorduar programet dy makinistat, kurse mandati i dyte duke vene ne vend gjerat qe ka levizur Berisha.

Plus qe dhe Swed po ju thote disa here qe te mos nxitoheni. Prisni ta shikoni nese do shkoje Meta me Ramen tek perkujtimi i te vrareve te 21 janarit apo jo. Ose te pakten prisni te shikoni nese deri ne janar do jete bere drejtesi per 4 ramvideokorrupsiondeshmoret, si dhe per nene Feridene. Me pas gjykoni po deshet.

Po nene Ferideja ca ka bere? Mos eshte ajo plaka mbi 80 vjece qe mbillte droge dhe ishte denuar me burg?

Po pra, ajo ka qene partizane e hashashit para Azbiut, po atehere vetem Rama dhe Peshku e mbeshteti, te tjeret e injoruan smiley

Hahaha, xhibo,

Nga ideologjia qe mbron dhe menyra percart dhe mallkuese e te folurit, ky Azbiu, se me ke me ngjan me njerin ketu tek peshku. Fakti qe ka dhe nje badge me emrin Warren Webber ma shton shume dyshimin se eshte kapteri qe ka amerikanizuar emrin kur ka shkuar ne Ju Es ev Ei.

 

Po ky, Bushati, pati thene ne 2009 se .."fituesi nuk gjykohet.."! 

Fakti qe LSi doli me 17 deputete ne mbare vendin, do te thote qe nje pjese e mire e elektoratit te majte shqiptar, kur u eshte dashur te zgjedhin mes PS dhe LSI, mes Edi Rames dhe Ilir Metes, kane zgjedhur kete te dytin. Ashtu sic nuk perjashtohet mundesia qe nje pjese e votes se LSI kane qene te pakenaqurit e elektoratit demokrat qe hodhen nje vote proteste per Berishen, por nuk deshen te votonin per Edi Ramen.

Po ta lexosh me vemendje rezultatin e zgjedhjeve, numri i zgjedhesve shqiptare te pakenaqur me lidershipin e Berishes e Rames eshte ne rritje. Prandaj sot Shqiperia dhe Kuvendi i Ri eshte tri-polar. Po te mbledhesh mandatet e te gjitha partive te vogla ne te dy koalicionet e medha, kemi te bejme me 25 mandate. I bie gati 18% e deputeteve te Shqiperise, nuk do ti perkasin me dy partive te medha te vendit, PD dhe PS, dhe ky eshte nje precedent i ri per politiken dhe institucionet shqiptare. Asnjehere me pare ne vitet e pluralizmit nuk ka bere vaki nje gje e tille.

Ishte pune paraje .LSI eshte nje organizate mafioze e cila ne vend te droges trafikon vende pune ne admninstrate, tendera etj.

Meta, gjysëm e vërteta

pse jo: Meta, gjysem genjeshtra.... do pyeste NNsmiley

Andi eshte djale optimist.

Me shume transparence per popullin

Ilir

 

nuk ka gje me te keqe sesa nje gjysem e vertete,mbase  me keq mund te jete nje gjysem miku.

po çfitore mo damlla me gjithe ilir koklopen? fituesi ishte caktu me kohe,per tjua vertetuar kete jua sollen para surratit shqiptareve ne 1 Prill !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).