Ligji për amnistinë nuk kaloi në seancën e së enjtes – duke qenë kjo një fitore shumë e brishtë e gjithë atyre – kryesisht pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe deputetëve që vepruan me ndërgjegje – që e kundërshtuan logjikën, e me të edhe përmbajtjen e tij. 

Fitorja është brishtë, ngase koalicioni qeveritar i ka numrat, dhe mund ta kalojë ligjin kurdo që ia merr mendja, porse veç me pak më shumë kujdes në seancën që vjen. Arroganca e fuqisë së numrave do të ketë qenë siguria me të cilën Qeveria kishte dalë para Kuvendit – duke e shkelur Rregulloren e vet, duke mos e qitur ligjin fare në diskutim publik; duke mos u konsultuar ama bash me askënd, pos me vetveten dhe me ndonjë të huaj që duket se e ka shkruar ligjin, ngase thuhet se versioni origjinal na ishte në anglishte; duke i dhënë ligjit karakter urgjence që nuk e ka, ngase nuk pamë të na ketë vërshuar Nili, a të na jetë shkatërruar ndonjë fshat nga erupsioni i Popocatepetlit, që hyri në aksion para disa ditësh.

Por, është fitore e rëndësishme, ngase ishte e gjithë vëmendja që iu dha temës së kontrabanduar, ajo që preku ndërgjegjen e madje 23 deputetëve që votuan kundër (dy syresh në fakt abstenuan) që e prishën komoditetin e një votimi në favor që pritej të kalonte pa ndonjë dilemë të madhe. Pa dyshim se këtij rezultati i ndihmoi fakti se PDK-së i mungonin madje 9 deputetë e AAK-së 5, së bashku pak më shumë seç nevojitej që të sigurohej shumica prej dy të tretave. Dhe mbi të gjitha, i ndihmoi fakti se madje tri vota kundër dhe një abstenim erdhën nga LDK-ja, duke ia shpëtuar kështu fytyrën vetë partisë më të madhe “opozitare”: po të kishin votuar të gjithë deputetët e saj “për”, ky projektligj do të miratohej me më shumë vota të LDK-së (23) sesa të PDK-së (22)... Dhe vetë ky fakt e përshkruan më së miri se sa absurde është loja që luhet në Kuvendin e Kosovës e që kemi qejf ta quajmë demokraci.

Mbase kësaj radhe vlen të theksohet se në Kuvend nuk pati ambasadorë të huaj të ulur në lozhë për ta bërë presionin psikik me vetë qëndrimin e tyre... madje nëpër kuluaret e Kuvendit flitej se vetë përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Prishtinë nuk e ndanin të gjithë mendimin e njëjtë nëse ky tekst duhej përkrahur apo jo, përderisa asnjëri nuk kundërshtonte faktin se duhej të kishte Ligj të amnistisë, ashtu që të zbatohej marrëveshja që nuk është marrëveshje, por që tash është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Dhe çka ndodhi tutje? Qeveria me ngutí e mori Projektligjin në ripunim, dhe vendosi t’ia heqë plotësisht nenin tre, i cili parashihte zbutjen e dënimeve deri ne 20% atyre që ishin dënuar si dhe amnistinë nga ndjekja penale e atyre që do të ndiqeshin në të ardhmen, për ndonjë vepër penale që do të kenë kryer deri më 20 qershor 2013. Lehtësia me të cilën u hoq ky nen, vetëm sa e zbulon perfiditetin e propozuesit të tekstit: po të miratohej projektligji ashtu çfarë ishte, ky nen do t’i lironte plot do njerëz që kanë bërë vepra penale, ndoshta edhe jo aq të rënda, kur i krahason me ato të përkufizuara në nenin 5 -- pra propozuesi do të mund të llogariste në një numër të konsiderueshëm votuesish të falënderueshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Më tej, ky nen u arsyetua nga zëvendëskryeministri si “nen i balancës” -- pra, disi e tha, që të mos e akuzonin se ligjin po e bënte vetëm për serbët, kishte paraparë që të liroheshin edhe disa shqiptarë e që të gjithë të jenë të kënaqur... Dhe, e fundit, ky nen tash del të jetë xhokeri për ta kaluar ligjin që edhe pa këtë nen, vazhdon të jetë i keq dhe amnistues jo vetëm i serbëve në veri, por edhe i kriminelëve potencialë në jug e që janë shqiptarë. Kjo, ngase askush më nuk mund të thotë se “Qeveria nuk i dëgjoi zërat mospajtues të shoqërisë civile”, dhe se nuk ua bëri qejfin duke e hequr nenin të cilin disa deputetë e kontestuan dhe madje kërkuan që të hiqej në leximin e dytë, duke e paragjykuar kështu edhe votën tyre.

Sido që të jetë, ajo që sot propozon Qeveria të jetë teksti i ri i ligjit, është përafërsisht kjo: një tekst ligjor që vazhdon të jetë i pakufizuar me saktësi në kohë dhe në territor. Është ligj i cili në fakt amniston krimet e listuara në të gjithë territorin e Kosovës, përderisa dihet shumë mirë që ky ligj është kusht për zbatimin e marrëveshjes që s’është marrëveshje dhe se është pakt i arritur në Bruksel, e që i referohet ekskluzivisht veriut, pra për pasojë serbëve të dyshimtë për kryerje të veprave penale. 

Tutje, neni pesë sanksionon lirimin e plotë nga ndjekja penale apo nga vuajtja e plotë e dënimit, kryesit e edhe të këtyre veprave, sa për të marrë ndonjë shembull: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike; Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike; Tregtia e ndaluar; Shmangia nga tatimi; Kontrabandimi i mallrave; Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore; Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike; Falsifikimi i dokumenteve zyrtare; Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare; Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, e të ngjashme. E këtu, qëllimisht nuk po i përfshij ato ekstremisht të rënda e që lidhen me integritetin territorial, me rendin kushtetues e të ngjashme. Duke mos e kufizuar territorin, pra duke mos e cekur konkretisht se ky ligj do të vlente për banorët e katër komunave veriore, që janë autorizuar ta themelojnë Zajednicën, këto nene mund të gjejnë zbatim në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, për pasojë të gjithë ata që janë përfshirë në vepra penale sikur do të ishte edhe trafikimi i organeve.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri kishte theksuar se neni 5 i referohet veriut, por në fakt ligji nuk e thotë këtë gjë – veriu as që përmendet kudo në tekst, e nuk përmendet as në titull, e as në qëllim të tij. Pra, deklarimi se ky ligj i referohet veriut nuk mjafton – për shkak se deklarata e kryeministrit nuk është as nen e as ligj, dhe kur të votohet, as që do t’i kujtohet kujt se çfarë ka thënë..., se edhe ashtu thotë aq shumë gjëra, dhe aq shumë prej gjërave që i thotë nuk i përmbush e as nuk i respekton saqë më njerëzit kanë filluar t’ia humbin fijen. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, që thotë se e ka shkruar ligjin vetë, duke e marrë gjithë barrën e përgjegjësisë mbi supet e tij, thotë se neni 5 është punë e kryer dhe janë gjërat për të cilat është negociuar dhe është arritur pajtimi në Bruksel dhe se kot e kanë ata që ankohen, se ky ligj kaloi se kaloi.

E për të na bindur se ligji duhet të kalojë, Qeverisë i erdhi në ndihmë Philip Reeker, zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit, i cili në konferencë për shtyp tregoi se kuvendarët nuk e kishin kuptuar ligjin dhe rëndësinë që ka ai (ofendimi numër një); që disa media kishin bërë zhurmë të panevojshme rreth këtij ligji (ofendimi numër dy) dhe se nuk do të takohej me përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” derisa këta të mos mësoheshin të silleshin si njerëz, ngase krejt çfarë paraqitnin tash ishin palaço (ofendimi numër tre). Është më se e qartë që votimi i djeshëm në Parlament e kishte nevrikosur atë tej mase, aq sa e përfundoi konferencën duke thënë se ky nuk ishte qëndrim personal tij, por i administratës amerikane, të cilën ai dhe ambasadorja Jacobson e përfaqësonin.

Pa dashur fare ta kontestoj një gjë të tillë, megjithatë nuk kam se si të mos e kthej kujtesën te paraardhësi i zonjës Jacobson, i cili dyshoj shumë se e ka përfaqësuar shtetin dhe administratën tij kur ka dërguar sms për ta zgjedhur Pacollin kryetar, ose për ta nxjerrë Jahjagën nga zarfi – për shkak se administrata amerikane me siguri se ka punë shumë më të mençme sesa të merret me një banana-republikë në të cilën ambasadori i saj e quante veten “Big Daddy” (demek baba) që i nënshtronte të gjithë “vullnetit të Amerikës”, përkatësisht vullnetit të tij. Njëkohësisht, me automatizëm, më shkoi mendja prapa në kujtime, te zoti Robert Gelbard, i cili më 1998 i kishte quajtur “banditë dhe terroristë” pjesëtarët e UÇK-së..., po ata të cilët sot, e udhëheqin qeverinë e këtij vendi, të cilin pa dyshim se nuk ishte bërë shtet po të mos kishte qenë Amerika. Mirëpo kjo, nuk do të thotë se gjithçka na thuhet të bëhet është e mirë për ne – e këtë e kemi argumentuar shumë herë deri tash – marrëveshja për veriun është e keqe, dhe do ta disfunksionalizojë Kosovën tashmë në formë institucionale; do ta ndajë gjyqësorin në baza etnike dhe përfundimisht do ta hapë kaptinën e secesionit të veriut brenda një periudhe jo fort të gjatë kohore. Nëse ky paska qenë qëllimi, krejt kjo ka mundur të bëhej edhe më herët, me siguri me më pak dhimbje dhe humbje.

Dhe deklarimi im i sërishëm se kjo marrëveshje është e keqe e ka rrënjën te frika se hapi i ardhshëm që do të mund të ndërmerret si koncesion nga ana e kësaj Qeverie është që të legjitimohen të gjitha vendimet gjyqësore të gjykatave paralele serbe që kanë punuar vetëm sipas ligjit serb deri tash. Kjo nënkupton që lëvizjet në pronë dhe të gjitha gjërat e tjera që vendosen me vendime gjyqësore, do të legalizohen dhe të shpallen të përfunduara ligjërisht, për shkak se është rregull nga e drejta romake se rasti i gjykuar njëherë nuk mund të rigjykohet. Kështu, edhe në këtë formë, do të legjitimohet realiteti dhunshëm i imponuar në terren, dhe shqiptarët që dikur kanë qenë pronarë të tokave dhe të shtëpive në veri, do të mbeten në rrugë për shkak të marrëveshjes. Hap përcjellës i këtij koncesioni do të ishte edhe legalizimi i të gjitha dokumenteve administrative të miratuara nga komunat që ne i quajmë ilegale, e që serbët i vulosin me vulat e Republikës së Serbisë në territor kosovar, me ç’gjë gjithashtu do të vulosej gjendja ekzistuese në terren. 

Kjo frikë pra, nuk ka të bëjë me antiamerikanizëm, por thjesht me zhgënjimin se e gjithë kjo, madje edhe vetë marrëveshja, do të kishte mundur të ishte shumë më ndryshe, po qe se këtë shtet do ta udhëhiqte një klasë tjetër politike. Një klasë politike e pashantazhueshme, dhe e painteresuar për të kaluar ligje sikur që është ky i amnistisë, e me të cilin i krijon vetës hapësirë për ta amnistuar edhe vetën dhe të gjithë bashkëpunëtorët që e mundësuan shkatërrimin ekonomik të këtij vendi dhe ngufatjen e demokracisë dhe votës së lirë me vjedhje industriale. E, që për fat të keq, ka përkrahje ndërkombëtare – për shkak se është e dëgjueshme dhe e përdorshme për t’i kryer punët që kanë mbetur të hapura për një arsye ose tjetrën. 

Ligji për amnisti nuk ka dyshim se është diskriminues ndaj të gjithë atyre që nuk kanë kryer vepra penale dhe që kanë treguar lojalitet ndaj shtetit, duke qenë qytetarë shembullorë dhe të rregullt me përmbushjen e obligimeve ndaj tij. Po na thuhet se na qenka i domosdoshëm për ta arritur paqen në veri dhe për t’i dezintegruar strukturat paralele – hajde ndoshta edhe qenka ashtu..., por a do të thotë kjo se patjetër duhet të pajtohemi që me këtë ligj të shpëtojnë të gjithë keqbërësit e veriut, e në krah të tyre edhe bashkëpunëtorët e tyre të jugut, duke i përfshirë edhe grupet e tjera të organizuara për të bërë krime. Nëse kjo është ajo që synohet, atëherë qysh tash kualifikohem në mesin e atyre që janë kundër vendimeve të kësaj qeverie të përkrahur nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë. Kualifikohem në mesin e atyre që besojnë fuqishëm se veç eliminimi i treshit nuk mjafton, dhe se pesëshi kërkon shumë më shumë përpunim sesa një “jemi marrë vesh në Bruksel”. 

Prapë jemi ne ata që do t’i vuajmë pasojat e legalizimit të krimit në këtë formë.

1 Komente

Po ti moj Flake,pse behesh budallice dhe i paguan taksat atij shteti te poshter?Demek,vrame sa vrame,preme sa preme,vodhem sa vodhem,shkaterruam sa shkaterruam... hajt tash shko thirri per darke!

Ah Leka i vjeter,Leka i mire :e dikton kat'narin te dera,e nxjerre çiften e ia qet trute ne toke.S'ka mbet tjeter.Keshtu -ashtu,ligji per amnestine vlen per te gjithe!

Fare e poshter!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).