Në Shqipëri u vritka me armë zjarri, me thikë, ose me mjete të forta, mesatarisht një njeri në ditë. Po aq është shifra tragjike e qytetarëve që humbin jetën nga aksidentet në rrugë, në punë, ose nëpër spitale e maternitete nga “pakujdesia” e mjekut që operon gabim, apo e infermieres që jep “padashje” ilaçin e gabuar. Pra, në një vit, kronika e zezë “pasurohet” me gati shtatë qind e ca viktima, shifër kjo tragjike, e denjë për kohë lufte dhe jo paqeje. Ditët e fundit, a thua se ka ndikuar vapa, njerëzit sikur janë çmendur.

E jo vetëm nëpër qytete të mëdha, ku është nakatosur popullsia urbane me atë rurale, por edhe në periferi, nëpër fshatra të largëta “ku pula ha gurë”...Për një fjalë goje ekzekutohen ditën për diell me kallashnikov në plazh, në arë, në Bllok, apo në stacion të trenit, njerëz të pafajshëm, kalimtarë, kë të zërë plumbi...Tanimë vdekja, vrasjet, krimi, përdhunimet, rrahjet, helmimet, grindjet mund të të vijnë edhe me rikoshet, duke qenë mirë e bukur, teksa je në rrugë, në punën tënde, në autobus, në plazh, në një dasmë apo edhe në gjumë.

Vëllai vret vëllanë, djali babën, ose nënën, ose të dy bashkë, e anasjelltas; nusja ekzekuton vjehrrën ose vjehrrin, komshiu komshiun për një vijë uji, për një ngastër, për një parkim, për një gërvishtje të makinës; e sidomos “për motive të dobëta” njeriu mund të bëhet papritur e pakujtuar merhum...Mund të jesh edhe mjek në spital e të të mësyjnë në mes të natës dasmorët e dehur që të rrahin gjithë ekipin e urgjencës, si ndodhi në Korçë!...Por mund të shtypet në autostradë edhe polici i trafikut rrugor!...

Gjithçka mund të bëjë vaki, ububutë ndër ne nuk paskan të sosur! Të gjithë fajtorët ikin më pas “në drejtim të paditur”; policia vihet në ndjekje të tyre, pastaj “zbardh ngjarjen”, jep njoftimin përkatës me zëdhënës të veshur me uniformë, teksa viktimat varrosen aty ku u takon...Në varrezat e kryeqytetit zor të gjesh një parcelë të lirë, pa paguar nën dorë. Sikur nuk mjafton vetëm rropama e vdekjes! E gjithçka harrohet e mbulohet të nesërmen nga një tjetër krim, edhe më i rëndë...

Nuk besoj të quhet tepri po të thuhet se tanimë jemi përshtatur e përditësuar me idenë e vdekjes së papritur e të pamerituar, me lajmet e vrasjeve e aksidenteve, me dhunën e krimet, me sharjet, sherret e shpifjet, po aq sa popujt që janë prej vitesh në anarki e në luftë, si afganët, irakenët a palestinezët...Kuvendi dhe politika na e kanë krijuar edhe këtë mundësi...Secili e quan veten me fat, sa kohë nuk e ka pllakosur fatkeqësia...Askush nuk është i mbrojtur.

Sigurisht përveç zyrtarëve të lartë e biznesmenëve miliarderë që kanë bërë si kanë bërë dhe, duke sakrifikuar, i kanë larguar bashkëshortet, fëmijët apo dhëndurët jashtë, ca për studime, ca nëpër ambasada që t’i shërbejnë sa më mirë atdheut të dashur. Ndërsa për vete kanë imunitet deputeti, badigardë, vila të siguruara me telekamera, domosdo edhe makina dhe këmisha antiplumb. Të gjithëve na ka ndodhur, jo vetëm nëpër dasma, por edhe në vdekje, pas pyetjeve rutinë “Si ndodhi?”, të fillojnë debatet për politikën: E dëgjuat ç’tha mbrëmë Saliu?...Po Rama si iu përgjigj ?...Kush ka të drejtë?...Kush u bë ministër? Dhe harrohet vdekja e i ndjeri shkon me të shumtët, sikur ta ketë merituar kobfatin.

E nëse bie fjala për krimin, do të jepet e do të gjendet një zgjidhje e vetme: “Të kapet e të varet fajtori në mes të qytetit, pastaj të shohim në do të ketë më krime e kriminelë!”...Kërkohet rikthimi i dënimit me vdekje, -madje me varje publike!-që do të thotë, sipas këtij arsyetimi, se krimi mund të lahet me krim, dhuna me kundërdhunë...Herë pas here këtë e kërkojnë para kamerave madje edhe të afërm të vrasësit. Jo se e kanë seriozisht, as pse e dinë që kjo nuk mund të ndodhë, sa kohë dënimi me vdekje është hequr, por me atë deklarim shpresohet se mund t’i shpëtojnë hak/gjakmarrjes së nesërme nga familjarët e viktimës.

Nisur nga kjo mendësi, që buron nga diktatura e që i jep fuqi absolute ndëshkimit, duke e kërkuar shpëtimin e shoqërisë nga masat më ekstreme, u ndryshua ditët e fundit të Kuvendit edhe Kodi Penal për krimet, sidomos për ato brenda familjes. Kanë hyrë në fuqi, si thuhet nga mediat, edhe ndryshimet në Kodin Rrugor për kundërvajtjet rrugore, duke i bërë patentat me pikë...Por a pati përmirësim të klimës sociale? Në asnjë vend të Evropës, madje as tek fqinjët ballkanikë, prania e forcave të policisë dhe e patrullave të ndërhyrjes së shpejtë, nuk është si tek ne. Krimi, a thua se po jep një kundërpërgjigje të qëllimshme, në vend që të ulte kokën, të strukej e të trembej, pas ndryshimeve ligjore të cilat do të na sillnin medemek shpëtim e rehati, paqe e siguri jete, bashkëjetesë dhe harmoni, si na u tha dhe si na u premtua nga deputetët, u bë edhe më i egër e monstruoz. Ka patur ditë që janë vrarë e masakruar nga bashkëshortët jo një, por disa gra...

Madje në një OJF të kryeqytetit, që prej vitesh merret me trajtimin e grave të dhunuara, u zunë dhe u rrahën e u kacafytën mes vendi edhe drejtueset e shoqatës... Si ka mundësi? A thua të jetë e vërtetë ajo që po thuhet këto ditë me dëshpërim se ne shqiptarët jemi gjaknxehtë dhe se nuk kemi respekt të vetëmjaftueshëm për jetën e njeriut?...Se jemi aq të pakulturuar e kultivuar sa gjëja që për ne vlen më pak, ndonëse kushton më shtrenjtë, është jeta e tjetrit, rrjedhimisht edhe ajo vetjake? Dhe se, për hir të mungesës së kulturës demokratike dhe mbijetesës së gjatë nën diktaturë, homos albanicus është deformuar, është bërë agresiv e posesiv, përjashtues e mosbesues ndaj jetës në komunitet?

Po të pranosh si të mirëqena këto teori, detyrimisht do të biesh jo vetëm në dëshpërim, por edhe në albanofobi. Nëse në argumentet e mësipërme ka ndonjë të vërtetë, ato gjithsesi nuk e shpjegojnë dot dukurinë si tërësi, pasi i japin krimit në Shqipëri ngjyresë gati-gati gjenetike, të pafrenueshme, specifike...Kaq mjafton, besoj, për të hedhur poshtë paragjykimin e mësipërm racist. Krimi dhe mafia nuk kanë lindur tek ne, as gjallojnë vetëm tek ne...Por kjo nuk do të thotë të mos kërkohen arsyet burimore të rritjes së krimit vitet e fundit, në përmasa kaq tragjike, sa nganjëherë të duket sikur nuk ka polici e qeveri të vërë situatën nën kontroll e të rivendosë rendin.

Sigurisht, ashtu si nuk funksionoi ashpërsimi i Kodit Penal dhe atij Rrugor për të ulur nivelin e kriminalitetit, këtë, afërmendsh, nuk mund ta bëjë as një polici e specializuar. Nëse dëshirohet të ketë rilindje, jo me fjalë dhe me propagandë elektorale, në shoqërinë tonë duhet të kryhen reforma të tilla, të cilat do të duhet të zbutin ndarjen e thiktë klasore mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve. Të ardhur nga shoqëria e barazitizmit absolut, kur edhe divanët ishin të njëjtë, ne, për 20 vjet (që janë shumë pak), kaluam në diferencim absolut të popullsisë, kur jo vetëm midis dy komshinjve, por edhe midis dy vëllezërve ka dallime të tilla, sa njëri jeton në luks të paparë, tjetri në mjerim pa dalje...Si mund të ndjehen dy të rinj, kushërinj, kur njëri shkon përnatë në Bllok me fuoristradë BMV x 5 e tjetrit i urdhërohet të kullosë lopën, që të nxjerrë bukën e gojës? Çfarë mendon e si ndjehet një vajzë e periferisë së Tiranës, apo, ca më larg, e katundeve të Skraparit a të Tropojës, kur shikon sfilatat e modës të Tiranës, apo programet me pulla të kuqe të dixhitalit? Ka një konflikt të egër e të papërballueshëm mes reklamës dhe mundësisë, dukjes dhe gjendjes, mes dëshirës dhe realizimit, mes nepsit dhe parasë, mes rurales dhe urbanes, mes moralit dhe trashëgimisë, mes paragjykimeve dhe modës euroamerikane, e cila vjen e gëlltitet tek ne më shpejt edhe se në Paris apo në Londër.

Për të ilustruar sa më sipër, ia vlen “të zbardhet” vrasja në plazhin e Vlorës. Një vajzë që kishte shkuar të bënte plazh në resortin ku ndodhi krimi, paska marrë në telefon vëllanë dhe i ka kërkuar ndihmë se...se “disa çuna i kanë kërkuar adresën e “Facebookut”... Kaq mjafton dhe për të vënë nderin e familjes në vend, vëllai jo vetëm që shkon e përleshet, por rrëmben automatikun dhe qëllon ku të mundë..A mund të përfytyrohet kjo tragjedi, me motive kaq banale, me tre të vrarë të pafajshëm e disa të plagosur, në ndonjë vend tjetër të Europës? Sigurisht që as vëllai, as motra dhe as “çunat” nuk janë kriminelë të lindur. Por ata janë shqiptarë.

Duhet të sillen jashtë shtëpisë si evropianë të lirë, ndërsa brenda familjes si “shqiptarë të ndershëm e të zakonit”. Që do të thotë: Një vajzë e sotme, edhe me “namuz familjar”, nuk mund të rrijë mbyllur në shtëpi; ajo do të vishet me minifund, do të shkojë në plazh e në disko, por ama me kufi, me moral, me nder...Po cili është kufiri? Ku është kufiri i lirisë time dhe tënde? Të rinjtë ruralë atë e shohin me sy tjetër, në mos po do ta gjykojnë si një prostitutë, si një qejfleshë të dalë nga kontrolli; mjaft t’i kërkohet adresa e “Facebook”-ut e numri i celularit dhe...Këtë paragjykim ka edhe vëllai...E pra, nuk ka polici që mund të parashikojë e parandalojë një përplasje të tillë qytetërimesh, mundësish e mendësish.  Po kush atëherë e ka për detyrë të vendosë rregull e harmoni në këtë përplasje të egër mes rurales me urbanen, të modernes me patriarkalen, të mundësisë që të ofron reklama me pamundësinë që të jep familja?...

Sigurisht shteti. Por, një shtet social që krijon besim te qytetarët e vet, si arbitër i paanshëm dhe i besueshëm dhe jo një shtet klasor, diktatorial apo anarkik, si ky i sotmi, i cili hapur e pa pikë turpi mban anën e më të fortit, të atij që ka më shumë pushtet e para. Fatkeqësisht qytetarët shqiptarë në këto 100 vjet me shtet të mëveçëm nuk kanë mundur të kenë besim te shteti i vet, sepse asnjë qeveri, e majtë apo e djathtë, nuk ka mundur të ngjallë besimin dhe bindjen se të gjithë qytetarët janë të barabartë, pavarësisht nga fuqia, emri, origjina, posti apo pasuria...Prandaj e kanë aq të kollajtë t’i drejtohen vetëgjyqësisë, si e vetmja rrugë për vetëmbrojtje e shpëtim të pronës e dinjitetit....

Shqiptarët, pavarësisht nga niveli kulturor, kur punojnë e jetojnë jashtë Shqipërisë i respektojnë vijat e bardha, nuk hedhin as bishtin e cigares në rrugë, se e dinë që aty qytetarët autoktonë kanë aq besim te shteti i tyre, sa mund të t‘i telefonojnë policisë që të ndëshkohet fajtori...Kurse tek ne, kriminelët përherë “ikin në drejtim të paditur”, nguten, parakalojnë, shajnë, rrëmbejnë, shkelin ligjet, trafikun, pa u hyrë gjemb në këmbë...Po edhe kur kapen me “presh në dorë”, gjyqet dështojnë “për procedurë”, për mungesë dëshmitarësh (të cilët kanë frikë të hapin gojën edhe kur iu është vrarë para syve familjari...), por edhe për mungesë avokatësh, si është rasti “Dajti”, unikal në botë.

Në këtë klimë ç’mund të bëjë një i pafajshëm kur i bien më qafë dhe i shkelen të drejtat më themelore? Ja pra përse krimet nuk mund të shuhen, as të eliminohen vetëm me masa policore dhe ashpërsim të ndëshkimit ligjor, pa i zbutur e pa i sheshuar më së pari konfliktet e dallimet e thikta sociale. Por a do ta kryejë dot këtë mision të vështirë qeveria e re me djem e vajza të reja?

38 Komente

Ja pra kjo eshte Shqiperia sot kur ende mend per punet na jep Kico Blushi. Dhe perse te mos jape? Kush te jape ne vend te tij?

Ne Shqiperi nuk mund te jepen mend se mend kane te gjithe.  Autori (kushdo qofte) po shpreh mendimet, shqetesimet e veta per nje fenonem.  S'po ben thagme.  Le te supozojme per hir te fenomenit (nese na shqeteson) per nje moment se autori i artikullit eshte anonim. 

Ne lidhje me artikullin, ne temen ketu, u diskutua siguria e femijeve.  Finis permendi femije ne motor pa kaske.  Dhe rrjedhimisht u diskutua mungesa e ndeshkueshmerise sikur edhe ne forme gjobe.  

Keto dite te fundit, dy te mitur gjeten vdekjen, nje ulur ne preher te te atit ne makine, dhe femija tjeter, pasagjer i te atit, pa rrip sigurimi.  Si do ia behet?

"Nisur nga kjo mendësi, që buron nga diktatura e që i jep fuqi absolute ndëshkimit..."

Secili/a eshte i/e lire te merret edhe me ate fenomen.  

Rama mund edhe te kishte vene Kico Blushin, fjala vjen, per minister te brendshem, meqe ky i ka idete e qarta, por vuri Tahirin qe kerkon keshilla ne Facebook. Mund te thuash ti, qe Blushin mund ta kishte vene minister te ekonomise, a te mireqenies sociale, po pse jo te drejtesise?

Monda, te lutem te mos keqkuptohemi, une nuk po paragjykoj qeverine e ardhshme, shqetesimi eshte tek ideologjia: kush jane ideologet e Shqiperise sot? A mund te jene dot propagandistet e dikurshem? Sepse duket qarte se ideologe kerkojme (si e perse eshte teme tjeter).

...u rrahën e u kacafytën mes vendi edhe drejtueset e shoqatës...

nicely done Kico, nicely done!
Kico eshte i fundit qe po konstaton. Vecse qasja e re ka rreshqit nga "krimet e Berishes" te "shkeljet e trafikut"

Në këtë klimë ç’mund të bëjë një i pafajshëm kur i bien më qafë dhe i shkelen të drejtat më themelore?

smiley

Nese shteti nuk e ve njeriun ne vendin e njeriut as njeriu nuk e ben.nese ti nxjerr ligj per kujdestarin e apartamentit dhe une nuk paguaj per sherbimin qe marr, kujdestari nuk ka gjykate administrative ku te drejtohet qe une te gjobitem dhe te fus leke ne arken e shtetit por dhe te nxe mend atehere sa here me sheh kujdestari thote 'maloket' e une nxjerr koburen e vras. That's it! Ne nuk jemi njerez te keqinj!ne jetojme ne papunesi dhe anarshi!

+11, 

Kico Blushi është ndër të paktët në Shqipëri, që dine të shkruajnë artikuj. 

Ee po kur jane rrahur e zene edhe drejtuesit e shoqates per Urtesi e Paqtim smiley vaj hallit si do shkoje me te tjeret smiley

 ne Itali ku kam fatin te jetoj me vite keto fenomene jane te shumta dhe me e keqja eshte se dhunuesit "delinqunt-tet"jo vetem qe nuk arrijne ti kapin po edhe ato qe kapin ne me te shumten e rasteve behen te famshem.

qeveria e re "Rilindja"do te beje nje vrime ne uje

Kjo qeveri e pa betuar ka nisur bërjen e vrimave në ujë, madje ka një duzinë rastesh të tilla...

Kriminaliteti i sotem i ka rrenjet qe nga fundi i viteve 80 kur diktatures filluan ti bien dhembet.ka 23 vjet qe shqiptaret jane praktikisht pa shtet dhe eshte mrekulli e perendise qe gjysma e tyre nuk jane shuar duke vrare njeri tjetrin.

Kjo ndoshta për krushqinë që kemi në 28.000km katrorë.

fukarallek - maskarallek..smiley  perdite te vrare sikur jane bere ne gare me njeri-tjetrin kush do vrase i pari??

Fundi botes , njeriu po ha njeriun , dhe gjaku u kthye ne uje

ky rasti i sotshem tregon se as ndeshkimi nuk pi uje. vrau gruan dhe ndeshkoi vete veten. nuk priti drejtesine d.m.th. bilanci 2 viktima.

parandalimi, ne rast se do te merrej seriozisht: bilanci mbase 0 viktima.

shqiptaret skane nevoje per ndeshkim, 

shqiptaret jane semure, kane nevoje per sherim

kane, kane.

qe kane kane

por dhe derman duan ama

s'osht se s'din. s'dun.

 

s'dun se s'man ma , edhe kur s'man s'di ka t'ja mash , kur iken bleta te rrofte kosherja

ta kishe shkrujt ne fb aty ku ishte pytja

ka dyvjet ndoshta me shume qe ne Itali ndodh i ashtuquajturi femminicidio,pra nje numer i papare me pare femrash vritet nga meshkuj gjithnje afer tyre ,burra qe nuk pranojne mbarimin e historive ne shumicen e rasteve.Vitin e shkuar ishin me shume se dyqind.Me sa duket nuk eshte thjesht çeshtje kulture ,eshte me tej ,te  tete parit te femres si send qe posesohet...per me teper as ligji nuk ndihmon.Nuk ka me burg per i stalker......(duhet me i thirre mendjes ,me e rudh gojen se po m'shifni ne TG)smiley

bejini pytjen vetes: pse jetohet aq paqsisht dhe me kulture qytetare ne Corovode? Njerez jane dhe ata, si ne.

Nderkohe...

 

Bëhet me dije gjithashtu se Kreu i LSI-së, Meta ka zhvilluar më herët një takim kokë më kokë me deputetin e PS-së në Qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima. Menjëherë pas tij, Meta është takuar në selinë e LSI-së me 5 ministrat. http://www.balkanweb.com/bw_lajme2.php?I...

 

Jane tane kushrij nder vedi,ne mos kushrij ,krushqij ,ne mos krushqinj te LSI.Nuk ka vend per kundershti...

mire, dakord, po pse thon atehere qe konkurrenca mes te ngjashmeve eshte me e forte?

me duket se ne tjeter vend flen lepuri.

Denimi me vdekje eshte hequr zyrtarisht ne 1998 apo 1999 (nuk jam sigurte) me nje vendim te Gjykates Kushtetuese. Ne fakt nuk zbatohej qe ne 1993, i pezulluar. Shpallja antikushtetues (cenon jeten e njeriut, jete qe kushtetuta e mbron - ky ishte argumentimi) te ligjit te denimit me vdekje ne legjislacionin shqiptar eshte nje shembull i paster i abuzimit te pushtetit nga politika. Po them politika, sepse Gj. Kushtetuese bente cfare orientonte politika. Heqja e denimit me vdekje eshte bere pas presionit te Bashkimit Europian. Politika shqiptare ju pershtat kesaj kerkese. Por ne vend ta merrej mendimi i popullit, me nje referendum bie fjala, i mire apo i gabuar eshte mendimi i popullit, politika e mori kete inisiative vete.

c'i keni keto per denimin me vdekje? harrojeni, pune e mbaruar, s'ia vlen as ta diskutosh me. 

Vrasja e gruas ne Itali eshte e lidhur nendheshem me kulturen katolike.

mahhh

Zbulimi i vrasjeve eshte ne dore te te policise .deri diku kete detyre policia shqiptare e ka kryer mire deri sa shumica e autoreve jane kapur.parandalimi i vrasjeve eshte ne dore te popullit e jo te policise.shefi i policise se qytetit ku banoj po thoshte njendizaj ne TV se edhe po te vendosim nga nje polic ne cdo living room prape nuk kemi per ta parandaluar dot krimin e vrasjes plotesisht.ku si cfare ka ndodhur ne trute e shqiptareve qe gjate diktatures rrinin si te dhjere ne breke tani ta heqin me kobure kokes per nje fjale goje eshte ceshtje e komplikuar qe do nete dimri te ftillohet.

..." po kush atehere ka per detyre te vendose rregull e qetesi ne kete perplasje te eger mes rurales dhe urbanes....?"
E ke shume gabim more qytetari Blushi! Gjendja e kriminalizuar e kesaj shoqerie e cila per kete fakt, per gjendjen e kriminalizuar, dallon shume shume pake me te tjeret, nuk vjen pse po perplasen " dy mentalitetet, dy lloj kulturash" por se kjo shoqeri ndroi sistemin ne forme, por njeheresh ndryshoi tmerrsisht per keq ne permbajtje.Populli, per 22 vite pa qeverrisje bandite, te korruptuara, kusare.Ekonomia e trasheguar, mundi dhe sakrifica e nje populli te tere u baderdis nga mafjoze dhe klane kriminale.Populli dhe sidomos rinia e ketij vendi, mes se ciles jane edhe ata qe shfrejne ne krime te tmerrshme NUK KANE ASNJE SHPRES. Tek ky sistem i tmerrshem qe ben 55 miliardere dhe te milione e nenteqind e dyzet e pese ...te fryjne syte! Ky eshte burmi i krimit.Padrejtesia ne perfitimet, qe solli ky sistem dhe qeverrisjet mafioze, jane buri et kryesore te krimeve dhe jo perplasjet kulturore mes urbanes dhe rurales.Sepse ne fund te fundit sistemi i zbatuar ne menyren me kri minale....fshatarzoi zonat urbane..
Qe te luftohet krimi efektshem duhen reforna te thella ne sistem dhe jo ashpersime denimesh...

Personalisht besoj se me kicon-salat nuk ja vlen te merresh me ! smiley

per ta m'posht jo, po do ta pakesonte.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).