Sa realiste dhe sa e dobishme është për një vend të vogël dhe ende pak të zhvilluar, si vendi ynë, që ta masivizojë arsimin e lartë pa asnjë kriter? Pavarësisht dëshirës së mirë për të pasur sa më shumë njerëz me arsim universitar, cilat janë, realisht, nevojat tona për njerëz me këtë nivel arsimor? Sa e zhvilluar dhe sa e diversifikuar është ekonomia shqiptare për të justifikuar një masivizim të mëtejshëm të arsimit të lartë për nevojat sotme e të nesërme të saj? Sa e përgatitur është shoqëria shqiptare, në përgjithësi, për të absorbuar në treguan e punës ata dhjetëramijëra kuadro e specialistë që diplomohen çdo vit në shkollat e larta të saj? Ç’kapacitete pedagogjike, shkencore e infrastruktururore dhe ç’kushte fizike kanë, në fund të fundit, vetë universitetet dhe shkollat tona të larta për të akomoduar dhe përgatitur cilësisht, siç kërkohet sot e për të ardhmen, një popullsi me arsim universitar numerikisht më të madhe se deri më sot?

Le të jemi realistë dhe ta themi troç. Ne nuk i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve. Ne nuk dimë se ç’përqindje e GDP-së sonë kombëtare prodhohet nga sektori i dijes, në ç’masë, pra, ekonomia shqiptare është sot një “eknomi e dijes”. Fjala vjen, sot llogaritet se rreth 50 për qind e GDP-së së Shteteve të Bashkuara prodhohet nga “knowledge economy”; për vendet e Bashkimit Europian kjo përqindje varion nga rreth 42-45 për qind e GDP-së së tyre (vendet nordike, Gjermania, Hollanda, Britania e Madhe dhe Franca), në rreth 30-35 për qind e saj (Italia dhe Austria). Për Kinën, kjo përqindje është shumë më e ulët. Kush mund të thotë se sa është, madje qoftë edhe se si llogaritet se ç’përqindje e GDP-së sonë kombëtare investohet për zhvillimin e dijes (SHBA investon mbi 6.6 për qind të GDP-së së saj për zhvillimin e dijes; për Gjermaninë kjo shifër është 3.9 për qind e GDP-së së saj, për Francën dhe për Britaninë e Madhe 3.7 për qind, për Italinë 2.4 për qind). Ne nuk dimë se ç’nevoja ka sot, dhe ç’nevoja do të ketë vendi ynë 10, 20 ose 30 vjet më vonë për mjekë, për inxhinierë ndërtimi, inxhinierë gjeologë, mekanikë, elektrikë apo elektronikë, për informaticienë, sociologë, arkitektë, agronomë, dentistë dhe juristë, për specialistë të financës, për mësues të matematikës, të historisë apo të letërsisë etj.

Argumente për një analizë

Numrat e studentëve që ndjekin ose mbarojnë shkollat e larta kanë, pa dyshim, rëndësi, por efektet e tyre mund të jenë pozitive ose negative; ato mund të sjellin dobi shoqërore, por mund edhe të krijojnë probleme të mëdha shoqërore. Më poshtë përpiqem të evidentoj e të analizoj shkurtimisht disa prej problemeve dhe rreziqeve që përmban një qendrim tërësisht laissez-faire përsa i përket masivizimit të arsimit të lartë në përgjithësi dhe, në kushtet e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë.

Skarcitet kulturor dhe ekspertizë fiktive

Nëse vazhdohet edhe më tej, si deri më sot, që të licensohen e të akreditohen shkolla të larta private që nuk përmbushin as kriteret më minimale për të qenë të tilla, nëse lejojmë të rritet përtej kritereve, mundësive dhe nevojave numri i studentëve në universitetet publike dhe nëse nuk mendojmë seriozisht e nuk marrim masa për ta modernizuar stidtemin e arsimit të lartë, rrezikojmë (madje edhe kemi filluar) të prodhojmë, përveçse kapital kulturor dhe ekspertizë profesionale, edhe mjaft skarcitet kulturor dheekzpertizë fiktive. Si në shumë prej vendeve në zhvillim, edhe në Shqipëri po shohim dita-ditës të shtohet numri i studentëve të pamotivuar, të zhveshur nga çdo kuriozitet intelektual, krejtësisht të pakualifikuar dhe gjysmë-analfabetë. Për këto arsye, një pjesë e mahd e tyre janë të papunësueshëm.

Standarde të ulta mësimdhënieje dhe kërkimi

Masivizimi pa kriter i arsimit të lartë ka pasoja negative serioze në cilësinë e mësimdhënies, të kërkimit shkencor dhe të mësimnxënies. Edhe pse thuajse çdo universitet privat në Shqipëri pretendon se është një  institucion që ofron “ekselencë” (shihni reklamat e tyre në shtyp, në televizion dhe në stendat e rrugëve), shumica e tyre janë të standarteve nga më të ultat, ose nuk plotësojnë as edhe standardet minimale të mësimdhënies. Nëse shtimi i numrit të studentëve në universitete nuk shoqëroret me rritjen e financimeve dhe të investimeve publike ose private për arsimin e lartë, do të kemi një raport gjithnjë e më negativ të numrit të studentëve për një pedagog, gjithnjë e më pak vëmendje individuale ndaj studentëve, vështirësi më të mëdha në përdorimin e metodave efektive të mësimdhënies dhe kushte fizike (salla leksionesh, laboratore, biblioteka, bazë materiale) gjithnjë e më të pamjaftueshme e më të këqia. Qysh sot, Universiteti i Tiranës ndjen se ka nevojë për të dyfishuar numrin e pedagogëve në të gjitha fakultetet e tij. Fakulteti i Ekonomisë, më i madhi në këtë universitet, ka sot mbi 10,000 studentë (më shumë se Universiteti i Princtonit, një prej universitete të Ivy League në SHBA, me rreth 7,500 studentë). Dhe ndërsa 7,500 studentëve të Princtonit u japin mësim mbi 1,170 pedagogë (pra 1 pedagog për 6-7 studentë), 10,000 mijë studentëve të Fakultetit Ekonomik të UT-së u japin mësim vetëm 150 pedagogë, pra 1 pedagog për më shumë se 65 studentë. Ky raport është tipik për universitete të “Botës së Tretë”.

Inflacion dhe çvlerësim i diplomës universitare

Nëse numri i njerëzve të diplomuar në universitete është shumë më i madh se mundësitë shoqërore për punësimin e tyre, diplomat universitare, njëlloj si paraja “e tepërt”, në treg krijojnë inflacion. Masivizimi përtej mundësive dhe nevojave të shoqërisë pengon edhe vetë arritjen e qëllimeve që kanë institucionet e arsimit të lartë për të formuar njerëz të ditur dhe ekspertë në fusha të ndryshme të ekonomisë e të veprimtarisë shoqërore. Përveç kësaj, çvlerësimi i diplomës nxit korrupsionin në sistemin e arsimit të lartë duke e bërë më të lehtë marrjen e një diplome universitare në mënyrë të pamerituar, në kurriz të atyre që e fitojnë atë me aftësi dhe përpjekje serioze.

Shpërdorim i resurseve publike dhe pengesë për zhvillimin e talenteve të vërteta

Më pak universitete dhe universitete publike më të mira do të thotë një shpërndarje dhe përdorim më efektiv i fondeve publike për zhvillimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor. Nëse resurset e pakta të shoqërisë në dispozicion të arsimit të lartë “shpërdorohen” për arsimimin e një numri shumë më të madh studentësh nga sa janë nevojat e shoqërisë, ne u heqim mundësinë që të përfitojnë më shumë arsim të lartë pikërisht atyre që përpiqen dhe meritojnë më shumë. Në këtë mënyrë pengohen zhvillimi i talenteve të vërteta dhe zhvlerësohet parimi i meritokracisë.

Pjesa I e plotë Dita

Difuzimi i “bombës sociologjike”

Situata në të cilën ndodhemi nuk është e pashpresë dhe “bomba sociologjike” që eventualisht mund të rezultojë nga masivizimi i mëtejshëm i arsimit tonë të lartë mund të difuzohet përmes një kombinimi masash që kërkohet të mbështeten (a) në njohjen më të mirë të realitetit shqiptar dhe të nevojave reale të vendit, (b) në njohjen më të mirë të eksperiencave më të përparuara në botën e sotme, si edhe (c) në ekzpertizën dhe integritetin e atyre që mbajnë përgjegjësinë të formulojne politikat tona arsimore dhe zhvillimore. Për të qenë më konkret, propozoj:

(1) Përmirësimin e ndjeshëm të standardeve të pranimit në universitetet publike dhe në ato private. Ka ardhur koha që pranimi në universitete të bëhet nga vetë universitetet, përmes provimeve të pranimit (entrance examinations), dhe të mos jetë Ministria e Arsimit ajo që luan rolin e “dispeçerit” të dhjetëramijëra maturantëve që mbarojnë shkollat e mesme çdo vit, duke përcaktuar dhe detyruar se në ç’degë do të studiojë çdonjëri prej tyre. Siç ndodh kudo, vetë universitetet do të duhet të zgjedhin studentët e tyre të rinj, në bazë të aftësive të tyre dhe në përputhje me standarde, të cilat, konkurrenca në fushën e arsimit të lartë ka prirjen t’i ngrejë, jo t’i ulë.

(2) Një planifikim më të mirë të fushave dhe të programeve të studimit në përputhje me nevojat aktuale e perspektive të zhvillimit të vendit. Kjo kërkon domosdoshmërisht një planifikim dhe bashkërendim të veprimtarisë së universiteteve me sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me ndërmarrje, institucione dhe organizata të ndryshme (në formë partneritetesh) për t’i njohur dhe bërë nevojat e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit pjesë të kurrikulave universitare. Këto të fundit kërkohet të strukturohen në atë mënyrë dhe të ofrojnë njohuri teorike e praktike, që të jenë sa më të vlefshme për shoqërinë, sa më pranë nevojave të tregut dhe sa më të aplikueshme. Planifikimi nuk është një element komunist; ai është një element modernizues. Në Shtetet e Bashkuara, në Japoni, në Kanada, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Francë, në Hollandë, në Suedi dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, partneritetet mes kompanive të mëdha dhe universiteteve janë një dukuri e njohur. Në një botë që globalizohet gjithnjë e më shumë, në të cilën jo vetëm njerëzit, paraja dhe mallrat, por edhe idetë dhe informacioni lëvizin e difuzohen gjithnjë e më shpejt, universitetet mund të mbeten shumë shpejt shumë pas zhvillimeve ekonomike, shkencore, teknologjike e shoqërore të sotme dhe atyre të pritshme. Në rrethana të tilla, Komisioni Europian vlerëson se, “që Europa të udhëheqë me shembullin e saj në fushat e inovacionit dhe të ekonomisë, ajo duhet të përmirësojë dialogun mes sektorit të arsimit [të lartë] dhe tregut. Faktori kryesor për ta arritur këtë është bashkëpunimi midis [institucioneve të] arsimit të lartë dhe biznesit për të krijuar kurrikulat dhe aftësitë që kërkohen për sukses”. Ky bashkëpunim është i dobishëm si për arsimin e lartë, ashtu edhe për bizneset, pasi ai “inkurajon transferimin dhe shkëmbimin e dijes, ndihmon në krijimin e partneriteteve dhe oportuniteteve aftagjata dhe përmirëson perspektivat për punësimin e ardhshëm të studentëve”. Shembuj nga mund të mësohet në këtë drejtim ka jo vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë nga vendet e Bashkimit Europian, por edhe në rajonin tonë, siç është, fjala vjen, partneriteti i universiteteve bullgare me kompaninë e madhe shumëkombëshe Hewlett-Packard, i cili synon aftësimin e studentëve bullgarë të inxhinierisë në fushën e teknologjisë së informacionit.

(3) Përpunimin dhe zbatimin e strategjive inovative për zhvillimin e arsimit universitar. Nuk ka dyshim se, për të realizuar misionin e tyre në përputhje me kushtet dhe nevojat e shekullit të 21-të, institucionet e arsimit të lartë kërkohet të jenë inovatore në përballimin e sfidave që shoqërojnë masivizimin e tyre. Përvojat në këtë drejtim nuk mungojnë. Ato përfshijnë inkurakimin e diferencimeve institucionale, diversifikimin e burimeve financiare, rritjen e autonomisë menaxhuese të institucioneve publike të arsimit të lartë përsa i përket zbatimit të politikave, një përcaktim të ri të rolit të qeverisë në raport me arsimine lartë etj. Studimi i sipërpërmendur i revistës The Economist sugjeron Shtetet e Bashkuara si modelin më të mirë për organizimin e arsimit të lartë, duke konkluduar se suksesi i arsimit të lartë në Amerikë “nuk është thjesht rezultat i parasë, por është rezultat i organizimit”. Dhe nëse përvoja amerikane mund të duket shumë larg kushteve dhe nevojave tona për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë, ka edhe përvoja të tjera nga të cilat mund të përfitojmë, ndër të tjera, për të ndryshuar disa nga praktikat e derisotme të financimit e të drejtimit të universiteteve, për të krijuar mekanizma më të mira vlerësimi dhe akreditimi, për të reformuar kurrikulat universitare dhe për të futur në procesin mësimor teknologjitë e reja. Mjafton që këto përvoja t’i njohim dhe t’i zbatojmë në përshtatje me kushtet dhe nevojat tona.

(4) Mbylljen e atyre institucioneve tashmë të licensuara të arsimit të lartë që nuk përmbushin kriteret dhe standardet për të qenë të tilla dhe moslejimin e krijimit të shkollave të tjera të larta jashtë kritereve dhe standardeve rigoroze. Të kërkosh sot mbylljen e një apo disa institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri nuk është blasfemi. Përkundrazi, mbyllja e institucioneve të tilla që kanë programe nën standardet e kërkuara, që s’kanë pedagogë mjaftueshëm në numur dhe me kualifikimet e duhura, që s’kanë resurset e duhura njerëzore e materiale dhe që veprojnë si skema piramidale, duke pranuar studentë që s’meritojnë të vazhdojnë arsimin e lartë vetëm për të mbijetuar me tarifat e tyre, që manipulojnë dokumentacionin dhe shesin diploma, nuk duhet të na shqetësojë. Institucione të tilla po bëhen gangrenë për sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Vende të tjera e kanë bërë këtë kur kanë kuptuar dëmin e madh që i vjen shoqërisë nga universitete të tilla fantazmë. Në vitin 2011, qeveria e Koresë së Jugut, një vend shumë herë më i zhvilluar se ne, vendosi mbylljen e 15 për qind të 346 universiteteve private të krijuara në atë vend. Universitete private, ose programe të ndryshme në universitete publike janë mbylluar edhe në vende të tjera: në Britaninë e Madhe, në Kanada, në Australi, në Indi, në Vietnam etj., kur është gjykuar se ato nuk përmbushin standardet.

(5) Forcimin e auditit institucional dhe të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre nga një agjenci publike, si APAAL (Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë), e cila të mos jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të ketë ekspertizë dhe komptetenca më të mëdha. Kontrolli i vazhdueshëm i cilësisë së arsimit të lartë mbetet një ndër problemet e pazgjidhura të sistemit tonë arsimor. Edhe ky, natyrisht, nuk është një problem vetëm shqiptar. Sidoqoftë, ne mund të përfitojmë në këtë drejtim nga eksperianca e vendeve të tjera, veçanërisht nga ajo e Britanisë së Madhe, ku universitetet publike janë subjekt i një inspektimi të detajuar nga një agjenci publike siç është Agjencia për Sigurimin e Cilësisë (Quality Assurance Agency).

(6) Krijimin e rrjeteve dhe partneriteteve të bashkëpunimit mes universiteteve publike e private të vendit në formën e konsorciumeve, me synim përdorimin më të mirë të resurseve njerëzore e materiale, shkëmbimin e përvojave më të mira, maksimizimin e avantazheve dhe të dobisë shoqërore të tyre. Shqipëria është një vend ende relativisht i varfër dhe me resurse njerëzore e materiale të kufizuara dhe, unë mendoj se, pavarësisht konkurrencës për një status më të mirë në hierarkinë e sistemit të arsimit të lartë, ose thjesht për mbijetesë në këtë sistem, vendi ynë nuk e ka luksin që universitetet e tij më të mira t’i mbajnë xhelozisht “për vete” shkencëtarët dhe pedagogët më të mirë. Unë nuk shoh asgjë të keqe nëse profesorë të shquar në një universitet shqiptar (publik ose privat) lejohen t’u japin leksione edhe studentëve në universitete të tjera. Madje as mbajtja e dy posteve pedagogjike (njëri full-time dhe tjetri part-time), në dy universitete të ndryshme, ose në dy departamente, nuk do të ishte një sakrilegj. Kjo është një praktikë e njohur në Perëndim.

(7) Riorganizimin e universiteteve ekzistuese, për të njëjtat arsye të shtjelluara më sipër, kryesisht për një përdorim më të mirë të resurseve njerëzore e materiale dhe të përvojave më të përparuara. Për një vend të vogël si Shqipëria, për të cilin, me infrastrukturën rrugore që tashmë është krijuar dhe që do të përmirësohet edhe më tej, proksimiteti gjeografik nuk përbën ndonjë problem, mendoj se nuk mund të justifikohet më ekzistenca e disa shkollave të larta dhe, sidomos e disa “filialeve” universitare në qytete që janë jo më larg se një apo dy orë nga Tirana. Kostoja për mbajtjen e tyre është shumë e lartë, ndërsa produkti i tyre i dyshimtë.

(8) Zhvillimin, zgjerimin, diversifikimin dhe modernizimin e arsimit të mesëm profesional. Ky mbetet një ndër problemet më serioze dhe më të ngutshme të sistemit arsimor në vendin tonë. Ka ardhur koha që t’i rikthehemi përvojës së mirë që ka ekzistuar tek ne lidhur me arsimin e mesëm politeknik e profesional, së pari, për të evituar një situatë katastrofike që mund të rezultojë nga humbja e disa profesionave të domosdoshme (të cilat nuk mësohen më në shkolla të mesme profesionale) dhe, së dyti, për të ulur ndjeshëm presionin që ushtrohet ndaj universiteteve tona, kapacitetet e të cilëve nuk janë pa limit.

(9) Regjistrimin e të papunëve me arsim të lartë në zyra të punës dhe krijimin e skemave për punësimin eventual të tyre, në përputhje me profesionin apo specialitetin e fituar në shkollë.

Përfundim

Edhe pse toni me të cilin janë shprehur mendimet e mësipërme mund të duket pesimist e alarmant, parashikimet dhe sugjerimet e bëra janë realiste. Unë kam theksuar më sipër se situata në të cilën ndodhemi nuk është e pashpresë. Siqoqoftë, nuk mund të jem optimist nëse në këtë fushë nuk veprohetmenjëherë, me urtësi dhe me vendosmëri. Sigurisht, jo çdo synim dhe jo çdo reformë mund të realizohen lehtë dhe menjëherë. Por mund të fillohet nga ato që janë më të lehta e më urgjente, pra duke marrë masa aftashkurtra dhe afatmesme. Këto kanë efekte afatgjata mbi sistemin e arsimit të lartë dhe mbi vetë shoqërinë tonë.

 

Pjesa II e plotë, gazeta Dita

15 Komente

Jo vetëm kaq, por kush do të bëhet marangoz, elektriçist, mekanik, bukëpjekës, e të tjera zanate të nderuara që pak i zotërojnë në vendin tonë universitar?

Nuk eshte se shqetesohem aq per ate pjese. Nese oferta e ketyre zanateve ne treg zvogelohet atehere do rritet rroga/fitimi i tyre, kshuqe ato zanate gjithmone do i bej dikush per aq kohe sa jane edhe me te lehta te mesohen.

Por nga ana tjeter qe po rrisim nje brez injorant sidomos nga univ shqiptare as qe diskutohet. 

Ti nuk je i vetmi që nuk shqetësohesh për atë pjesë, dhe kjo është e keqja. Ato zanate zotërohen nga pak njerëz. p.sh. ti gjen gjithmonë një elektriçist në Shqipëri, por nuk e di se sa do zgjasë "vepra" e tij, sepse shpesh s'ka asnjë kualifikim, është "i bom vet"...

Më vjen mirë që paska dhe kurse për zanate...Shpresoj të ketë njerëz që i ndjekin.

Kete pra po perpiqem te them, qe duke supozuar se ka kurse dhe mund ta marresh relativisht shpejt ate zanat, gjithmone do kete dikush qe do jete i gatshem ta bej sepse rroga dhe perfitimi qe merr do e siguroj kete gje. 

Imagjino sikur ne nje qytet te kishte vetem nje elektricist. Ai do ishte me shume gjasa njeriu me i paguar i atij qyteti, qe do te motivonte te tjere ti hynin atij zanati. 

 

....ahhhh ta kishim dittttttt....
pishman...pishmannnnnnn....
400€ me nderru i brave te qelbet...8€ i pale taka, 10€ i zinxhir pantallonash, 110€ me te gjet pozicjonin e sacit me kap eutelsat per digitalbin....futjaaaa kottttttttttttttttt.....

e ku eshte problemi nese nje elektricikt apo nje zdrukthtar te jete me universitet?  ka ikur koha kur shkolla e larte behej per ''status''.  puna eshte te cilesia e mesimdhenies dhe jo tek fakti qe tarifa i GDP-se(fatosnanizem i lodhur) nuk do te dallohej me ne mes te turmes se universitetizuar

ky ishte ai hajduti i ambasades shqiptare ne usa

Shqiperia duhet fillimisht te ngreje arsimin 2 vjecar prefesional.Po te isha ne buke te hyqymetit do te merrja specialiste gjermane e do te ngrija sistemin profesional nga A ne Z sipas modelit te atyre ne menyre qe te prodhoje punetore te kualifikuar qe i pergjigjen kerkesave te prodhimit modern..persa i perket arsimit te larte mire a keq universiteti shteteror ka pothuaj 60 vjet , eshte shume prapa universiteteve te tjera te botes qe kane qidra vjet tradite.Gjithe resurset shterore e donacionet private duhet te fokusohen ne te vecanerisht ne dege si bioteknologjia , informatika etj.Pyetja qe duhet te kene parasysh drejtuesit e arsimit eshte smileya perqind e graduateve te dale nga shkollat tona jane te punesueshem nga kompanite e huaja?India megjithe suksesin e saj e kishte 1 ne 4.Kina megjithe bumin ekonomik vetem nje perqindje e vogel e graduateve te saj kishin cilesite e nevojshme si vetebesimi, marrja e rrezikut, gjykimi analitik , aftesite udheheqese etj te nevojshme per te konkurruar ne ekonomine moderne.

Alba2265, s'ka nevoje te marresh specialiste gjermane per te ringritur sistemin profesional arsimor siç thua, se Shqiperia ka plot specialiste, plot, por duhet te ndryshosh sistemin e arsimit, dhe per kete duhet thjesht vetem vullneti i mire nga politika. Specialistet shqiptare e dine shum mire, vetem duhen ndihmuar financiarisht pakez ne fillim, dhe politikanet shqiptare te mos i pengojne.  

Ashtu eshte specialiste kemi plot te te gjitha fushave qe i dine te gjitha.

Keta qe jane vete-pergatitur jane edhe me mire se i dine te gjitha si autodhidakt qe jane.

vetem ketu te peshku ke nje perqindje shume te larte qe kane mbaruar shkollat tona dhe punojne ne kompani te huaja, mbase je edhe ti pjese e kesaj kolonie.

Kjo bombë socioligjike do përgadisë terrene fondamentale, s'do ketë barriera mbrojtëse për shumë sulme të përgaditura mirë që në unison me politikanët mjeranë aktualë që ka Shqipëria do regresojmë deri afrër viteve 600 vjet pas Krishtit..

+∞

Lekundjet kane vite qe po duken, po tragjedia e vertete do duket ne dekadat ne vijim. Sa per ekstremitetet fetare pavaresisht denominacionit... "gjejne shesh e bejne pershesh".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).