Përballë sfidave që ka vendi, kërkohet një rritje më e lartë ekonomike. Për një periudhë relativisht të gjatë ajo ka qenë 5-7% e GDP-së, ndërsa për një periudhë jo të shkurtër ajo vazhdon të jetë anemike, 1-2%. Kur vendi ka rritje ekonomike, ka më shumë aktivitet ekonomik dhe më shumë punësim, të ardhurat mblidhen më lehtë. Problemet bëhen të vështira kur rritja ekonomike bie, në këtë rast aktiviteti ekonomik tkurret dhe të ardhurat e individëve, biznesit dhe të buxhetit bien. Fillon rritja e borxheve dhe ekonomia hyn në një cikël të vështirë, ku rritja ekonomike arrin deri. negative, ndërsa rritja e deficitit dhe borxheve bëhet e pashmangshme. 

Rritja më e lartë ekonomike do të kushtëzohet kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimit privat. Këtu një impakt të konsiderueshëm ka edhe prerja e zinxhirit të borxheve të këqija, që duhet të fillojë nga borxhet që buxheti u ka individëve dhe kompanive private. Këto borxhe janë të shumëllojshme dhe shpesh të vështira për t’u njohur saktë. Pjesa më e madhe është borxhi që buxheti u ka kompanive private për mallra, shërbime dhe kryesisht punime publike të bëra prej tyre dhe të pafinancuara/ papaguara akoma. Por kriza e likuiditeteve përfshin edhe mosrimbursimin e TVSH-së dhe të vendimeve gjyqësore të fituara nga biznesi ndaj institucioneve shtetërore. 

Studime të Bankës Botërore vlerësojnë se rritja e borxhit të buxhetit ndaj bizneseve është një risk mbi stabilitetin e financave publike, që në disa vende ka shërbyer edhe si fitil i një krize më të rëndë buxhetore dhe ekonomike. Aktualisht ka angazhim të kolegëve, të ekspertëve dhe gazetarëve ekonomikë në diskutimet publike për domosdoshmërinë e zgjidhjes dhe për opsionet alternative, të cilat janë të ndryshme nga autorë të ndryshëm. Pse duhen paguar detyrimet ndaj biznesit? 

Së pari – sepse janë detyrime ligjore (verifikimi i tyre është hapi i parë i detyrueshëm), shteti ka përfituar pa i paguar akoma mallra, shërbime dhe punime – investime publike. 

Së dyti – shteti nuk duhet të ketë pozicion abuzues që ndërsa me ligj gëzon të drejtën deri në konfiskim të pronës së privatit kur ata nuk paguajnë detyrimet për taksa, tatime, sigurime shoqërore etj. mund të zvarrisë në mënyrë të paligjshme dhe abuzive detyrimet e tij ndaj biznesit privat. 

Së treti – çdo vonesë në pagimin e detyrimeve të prapambetura e përkeqëson krizën e likuiditetit të bizneseve duke i çuar ato drejt një falimentimi, çka sjell pasoja të rënda në ekonomi. 

Së katërti – shlyerja e detyrimeve, qoftë edhe nëpërmjet një grafiku pagesash, lejon njohjen e plotë të tyre dhe të nivelit real të deficitit dhe borxhit publik, duke i bërë transparentë këta tregues të rëndësishëm për stabilitetin e financave publike. Mosnjohja dhe mospagimi i detyrimeve të prapambetura pengon saktësimin e situatës kritike dhe vështirëson përllogaritjen e saktë të shkallës së ndërhyrjeve. 

Së pesti – mospagesat, qoftë edhe të përkohshme, kanë rritur efektin zinxhir të borxheve të biznesit privat ndaj bankave, bizneseve të tjera dhe ndaj punonjësve për pagat, përfitimet dhe sigurimet. Zgjidhja e këtij zinxhiri sjell efekte pozitive në pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, ul nivelin e kredive të këqija, ul përmasat dhe koston e financimit nga tregu informal, çka lehtëson financimin e ekonomisë. 

Së gjashti – ringritja e ekonomisë kërkon rritjen e kërkesës së përgjithshme në ekonomi, e cila lehtësohet apo pengohet edhe nga kostoja e parasë në ekonomi, sidomos kostoja për sektorin privat. Ndaj sot bankat qendrore në shumë vende janë duke aplikuar politika monetare jokonvencionale të mirëkuptuara për situata jonormale. Nga uljet e kostos të parasë nga Banka e Shqipërisë kemi ulje të interesave të instrumenteve të borxhit të qeverisë, sidomos për bonot e thesarit. Ndërsa pak ose shumë pak janë ulur kostot e larta të kredisë për individët dhe bizneset. Pagesat e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet bonove apo obligacioneve do bëhej me kosto të ulët, kosto të bonove të thesarit aktualisht variojnë nga 4-6%. (http://www.minfin.gov.al/minfin/ Rezultatet_e_Ankandeve_71_1.php). Ndërsa kostoja e kredive që paguajnë kompanitë private që janë në krizë likuiditeti nga mospagimi i buxhetit, është deri në 10% dhe bashkë me penalitetet dhe kamatëvonesat, është rreth 2.5 herë më e lartë. Pra, është më mirë për ekonominë të financojë një borxh më të lartë me një përqindje 2.5 herë më të ulët, apo të fshehim borxhin dhe t’i detyrojë kompanitë private që të financojnë krizën e tyre të likuiditeteve nga sektori bankar apo edhe nga ai informal/fajde me një kosto edhe 300% më të lartë se kostoja e bonove të thesarit? 

Së shtati – ndërprerja e borxheve të këqija për pagesat e prapambetura për rimbursim të TVSH-së dhe taksave dhe për mospagim të vendimeve të gjyqeve të fituara ndaj shtetit, është parakusht për të prerë presionet korruptive ndaj administratës publike e përfshirë në ketë cikël vonesash e pagesash. Ndërsa zgjidhjet rast pas rasti e mbajnë gjallë korrupsionin. 

Së teti – rigjallërimi i ekonomisë do të kushtëzohet ndjeshëm nga pritshmëritë e publikut, konsumatorit dhe investitorit ndaj qeverisë së re. Zvarritja e zgjidhjes së detyrimeve të prapambetura, nënvlerësimi i domosdoshmërisë së zgjidhjes dëmton ekonominë dhe buxhetin më shumë së kostoja e shtuar e borxhit të pagesave ligjore të prapambetura. Zgjidhja duhet të vijë nga një proces konsultimi i qeverisë me biznesin, bankat tregtare, Bankën Qendrore dhe ekspertë vendas e të huaj. 

Destinacioni i detyrueshëm dhe i kontrolluar i pagesave të prapambetura nga buxheti duhet të jenë shlyerja e detyrimeve ndaj punonjësve, ndaj kredive të këqija dhe i detyrimeve ndaj buxhetit. Kështu, efekti pozitiv në ekonomi rritet. I gjithë procesi duhet të rregullohet me një akt ligjor dhe duhet të jetë plotësisht transparent. Zgjidhja duhet të jetë e njëjtë për kompanitë vendase dhe të huaja, për kompanitë e vogla dhe të mëdha. Diferencimet ushqejnë abuzimin dhe korrupsionin. Do të duhet jo vetëm zgjidhje e situatës konkrete, por edhe plotësimi i një kuadri ligjor që parandalon dhe qartëson përgjegjësitë ligjore të ripërsëritjes së krizave të borxheve.

4 Komente

Nga do ja mbajë Rama tashti që ka oponencë Malajn?

Si pedagog Malaj nuk do ishte keq, pasi ne teori te thaka piten. Por meqe u lodh duke dhene orjentimet se cfare duhet te beje qeveria, nuk na thote se sa eshte ky "borxh qe qeveria e hitlerit sali i ka privateve? Kjo do te ishte me me shume vlere sesa ky pergjithesim teorik. Per mua gjerat nuk zgjidhen ohpshe, por nje e nga nje, pasi cdo transaksion pezull apo fature e papaguar, apo TVSH e parimbursuar mund te permbaje ne vehtvehte detaje interesante qe nuk do te neglizhohen nga qeveria e re. Eshte kollaj te thuash se duhen paguar punet/faturat e papaguara te bizneseve qe na paskan bere pune boterore per qeverine, por une nuk arrije te kuptoj sesi keto biznese vazhdonin me zell te punonin per muaj dhe vite te tera pa u paguar per situacionet qe dergonin per financim. A thua kishin moton "ne njeren dore kazmen dhe ne tjetren pushken atdheun ndertojme?" Prandaj them se gjerat duhen analizuar nje e nga nje e imtesisht nga kontrollore te pavarur, pasi qeverise qe shkoi nuk u duhet besuar as edhe nje gje. 

Jo keq, mire. 

Po Pjer, nisi te beje rolin e Hoxhe Kavajes, Arbeni.?..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).