Pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Tiranës, Namazgjaja si objekt publik me funksion të caktuar social dhe kulturor do të mbetet dhe për disa kohë në memorien kolektive të këtij qyteti. “Tiranasit babaxhanë të marrin hasrat nën krahë e të dalin për falje”, siç thoshte A. Klosi në një artikull i shqetësuar mbi fatin e saj, nuk do t’i përfytyrojmë dot më, pasi atje tiranasit dhe të tjerë do të falen në tapetë të gjerë dhe nën kubenë e lartë. Megjithëse ka një zgjim qytetar somnambulik për atë se çfarë vlerash përfaqëson dhe përmban ky vend, ditët e saj të bukura me histori duket se kanë mbaruar shumë më herët nga sa na shiten. E kam fjalën për ndalimin në fillimet e diktaturës komuniste të funksionit të saj parësor, atë të celebrimit publik të ngjarjeve festive të kalendarit islamik. Ndërkohë, në këtë këndvështrim, goditjen më të fortë, më tepër se nga ndalimi i dhunshëm nga komunistët, Namazgjaja e mori nga braktisja në liri e hapësirës së saj; qytetarët me hasra u panë aty vetëm në pak raste sporadike. Ringjallja e traditës fetare nga bashkësia e gjerë e besimtarëve u kërkua kudo nëpër detaje, por rrallë në frymë.

Namzgjanë e mbaj mend si një park publik jo të ngjashëm me të  tjerët në Tiranë. Dy gjëra e bënin të çuditshëm; relievi i pjerrët veri-jug, i lënë ashtu në formë të çrregullt, që nënkupton se ky park ekzistonte më herët se sa  Tirana të urbanizohej maksimalisht, dhe së dyti prania e dendur aty e selvive shekullore, vegjetacion që mungonte, fjala bie, tek “Parku Rinia” dhe gjetkë. Nuk dëshmohet ende nëse janë prekur selvitë gjatë ndonjë sistemimi të hershëm në Namazgja, por ato që ndodheshin në anën lindore te saj u prenë gjatë zgjerimit të fundit të Rrugës së Elbasanit, para gati një dekade. Siç duket kjo pemë, relike shekullore, e zorshme për transplantim në trupin e ngrehinës urbane moderne me beton dhe pluhur, është dënuar në heshtje me linçim publik. Kështu mori fund selvia madhështore, ndoshta më e vjetra në Tiranë, ajo pranë truallit të ish xhamisë së Sulejman Pashës, djegur plotësisht gjatë disa seancave afshi mesnate nga fshesarët që dremitnin mbi shqopa. Ndërkohë, selvia me yllin e dikurshëm në majë, ajo që ndodhet ende tek vendi më të njëjtin toponim, ashtu e sakatuar, është barrikaduar dhunshëm pas disa ngrehinash mjerane. 

Namazgjaja tashmë e shkatërruar e Elbasanit ka pasur fatin të ketë një historik të sajin në artet figurative, disi të rrallë për një monument natyror në Shqipëri. Ferid Hudhri na sjell një artikull të vlefshëm mbi këtë temë titulluar “Selvitë e Elbasanit”, në të cilin na rendit një galeri interesante tabllosh me subjekt pikërisht selvitë e saj. Piktorë të ndryshëm, disa prej të cilëve të njohur botërisht, e të ndodhur në këtë cep të Ballkanit kanë realizuar tablo apo skica, ku selvitë janë sjellë në kënde, prespektiva dhe dritëhije të ndryshme. Artikulli i Hudhrit përmend si ndër më impresionueset tablonë e austriakut Ludvig Hesshaimer, ku majat e selvive shfaqen në formë ovale, dhe yjet e një nate vere qëndrojnë të shpërndarë mes tyre. Ky imazh i sjellë në vëmendjen tonë përngjet me një nga kompozimet me të famshme me këtë subjekt: “Nata me yje” e Van Gogut. Piktori hollandez ka një numër të shumtë tablosh realizuar në Francën mesdhetare ku qëndror mbetet motivi i selvisë, por kompozimi në fjalë konsiderohet si një nga më madhështorët e krijuar nga ai. Bëhet fjalë për një qiell apokaliptik me shpërthime të fuqishme yjesh, ku paralelisht qëndrojnë selvitë e errëta mbizotëruese dhe qyteza rrëzë malesh me këmbanaren që shquhet. Të gjitha këta elementë me simbolikat përkatëse kozmologjike thurin një barazpeshë mes peizazhit dhe qellores, format e pazakonta rrethore të trupave qellorë të mbërthejnë me çudi, dhe vitaliteti  harbues i selvive është gjithashtu tronditës. Sugjeruar nga kritika si një imazh i hyjnores dhe i përjetësisë, ky vizion i shigjetimit të selvisë drejt qellit flakëritës këmbëngul se vdekja nuk është fundi, por shtegu drejt jetës së pafundme në univers.

Van Gogu në letrat e tij drejtuar të vëllait e konsideron imazhin e selvisë sipas rethanave të kompozimeve të tij, herë si simbol të funeralit e të melankolise, herë si simbol të fuqishëm natyror, si simbol të natës, por shpesh e përmend atë si simbol të vdekjes. Duke e lënë artistin e turbulluar në ngërthimin e realiteteve ekzistenciale, selvinë si një pemë të qëndrueshme shumëshekullore e gjejmë të kudondodhur në peizazhet e nxehta mesdhetare. Jo rastësisht në këtë klimë që bashkëndahet brigjeve të detit legjendar, por edhe më tej, pavarësisht nuancave kulturore lokale, selvia ndodhet rëndom pranë varrezave, tyrbeve, manastireve dhe faltoreve të ndryshme, si një shëmbëllim konkret i përjetësisë dhe si një simbol që natyrshëm të orienton lart drejt saj. Në traditën islame, traditë që inkurajon vështrimin e shenjave të Zotit në natyrë, motivin e selvisë si  kategori simbolike e hasim tek poetët e mëdhenj mistikë. Xhamiut, me një imagjinatë të fuqishme mbi bukurinë e përhershme hyjnore, bukuri e cila qëndron në zemër të natyrës të së bukurës si e tillë, përmes së cilës ndizet dashuria (ashk), selvia i shëmbëllen kështu:

Selvia dha një aluzion të trupit të Tij të hijshëm/ dhe trëndafili lajmëron mbi bukurinë e fytyrës së Tij.

Çuditërisht selvinë dhe trëndafilin i gjejmë dhe tek Rumi, në këtë rast si manifestime befasuese, që bindin për fuqinë e fjalës hyjnore si shkak i krijimit. Në këto vargje pasi renditen cilësitë që dallojnë disa elementë simbolikë të krijimit, poeti i shkrirë në njohjen mistike, aludon se e gjithë ajo që ndodhet e veçantë në thelbin e tyre, gjithashtu është brendashkruar në qenien e tij prej vullnetit hyjnor.

Fjalët që bënë trëndafilin të çelë, m’u thanë gjithashtu dhe mua/ fjalët e thëna selvisë të rritet e fortë dhe e drejtë.

Selvia dhe trëndafili, të palëvizshëm tek Xhamiu, përgatisin zemrën e mistikut për të depërtuar përtej së dukshmes, për të gjetur në krijim simbolet e atributeve hyjnore, ndërsa te Rumi, fjala është ajo që lëviz dhe gjallon krijimin në veçoritë e tij, manifestim i prekshëm i fuqisë hyjnore të pakufi.  Eshtë e tepërt të gjurmojmë se si në të dy rastet në fjalë, tek poetët e mëdhenj, gjejmë në të njëjtin varg bimët krahasimisht  të kundërta në formë dhe në simbolikë, por për t’u rikthyer tek “Nata me yje”, yjet flakaritës në një natë si ajo e tablosë, mbase zëvendësojnë në harmoninë kozmike trendafilin tokësor, simbolin aq të fortë të bukurisë hyjnore. 

Namazgjaja jonë nuk ka pasur fatin e njëjtë më atë të Elbasanit, të jetë subjekt i penelatave të artistëve, qoftë vendas a kalimtarë, por një dëshmi e një momenti të shkuar, afër imagjinarit për një vend të veçantë që mbledh besimtarët, e gjejmë tek një foto e realizuar me gjasë në dekadën e dytë ose të tretë të shekullit që kaloi. E rrallë për llojin e saj, për ngjarjen që përcjell, fotoja  dëshmon një ceremoni fetare në Namazgja, ceremoni larg të pëngjasuarit me një të tillë bashkohore. Fotografia, “gramatikë dhe etikë e vështrimit”, siç thotë Sontag, ngrin në një çast të dhënë një shumësi informacioni dhe ndjesish, të cilave u kthehesh shpesh për t’i riparë dhe rifituar këto të dhëna. Fotoja në fjalë është në kufinjtë e mitikes, gati e pakohë, sepse për atë që na përcjell, mund ta vendosim në cilëndo datë duke fillur nga përhapja e fotografisë si teknikë dokumentimi, deri në dhjetvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Sigurisht që largësia në kohë e fotos së shkrehur i jep edhe një fotografie amatore dimensione të forta artistike, por me rastin në fjalë nuk ndodh kështu. Njerëzit janë mbledhur për të përkujtuar ritualisht Zotin në një ditë feste; solemniteti dhe dramaciteti i këtij kremtimi është e gjitha ajo që përmbledh dhe përcjell ndodhinë e dokumentuar aty. Me shpinën e kthyer nga aparati fotografik, masa është drejtuar për lutje, ose në parapërgatitje për të, dhe dendësia e qelesheve të bardha me këndet e çrregullta sipas vendosjes së tyre në krye, si kompozim, është i papërsëritshëm. Nga mijëra koka me dritë që shquhen në një dinamikë zvogëluese në perspektivë, gati si yjet e panumërt në qiell, vetëm njëra kureshtare është e kthyer për të parë nga shkrepësi i fotos. Në atë harmoni mistike që përçohet prej aty, ndoshta kjo “çrregullsi” dëshmon qëllimisht mosperfeksionin e natyrës njerëzore, sado që përulësia, përpjekja dhe rregulli imponojnë tjetër sjellje. Ndërkohë, në krye të rradhëve duken dinjitaret e fesë që udhëheqin ceremoninë, një grup ky prej më pak se dhjetë burrash me turbanë karakteristikë dhe në një vend më të ngritur nga të tjerët. Përballë masës së madhe të njerëzve, qëndrojnë muret e gurta dhe në dy rreshta të kithët një tog selvish të moçme, jo të plota në fokusin e objektivit. Njeriu, këtu si shembulli më i lartë i krijimit hyjnor, në anonimatin madhështor që na serviret, drejtuar me modesti ndaj së vërtetës, është dëshmia më e fortë e bukurisë së krijimit mbetur në negativin e fotos. Kontrasti i fortë dhe harmonik në foto mes të bardhës dhe të zezës, si një shkartisje ritmike huazuar konceptualisht nga jin-jangu oriental, fton të njohim dimensonin e jetës dhe të vdekjes, thelbit të së vërtetës absolute që bashkëndahen në vendin ku periodikisht madhërohet  Ai, krijuesi dhe zotëruesi i tyre.

Selvitë dhe muret rrethues ka kohë që nuk ndodhen aty, gjithashtu masa e njerëzve që popullon foton është një brez i të kaluarës tashmë. Qeleshet dhe çallmat e tyre të bardha, thjesht si imazhe, mund të na shëmbëllejnë dhe si gurët e bardhë të varrezave myslimane që do të duan patjetër në sfond hijeshinë e selvive trupdrejta, peizazh përherë e më i rrallë në hapësirat tona. Përkundrejt njerëzve, të cilëve ua dëshmojmë jetët dhe vdekjet e tyre, është e paqartë se si vdesin selvitë shekullore të patrazuara, mbase shpesh janë viktima të rrufeve që e kanë të lehtë për t’i mbërritur. Në rastin e Namazgjasë së Tiranës, me shuarjen e brezave që e gjallëronin me hare atë hapësirë, dhe me fshirjen e selvive shekullore, aktorë të palëvizshëm aty, Namazgjaja e mbetur vetëm si emërtim do të flejë tashmë në fjalorët që shënojnë etimologjitë e vjetra, etimologji gjithnjë e më të pakuptimta për bashkohësit tanë.

e-zani i nalte

13 Komente

Këtë Vinsentin e ke fut kot në ezandhanjen e sipërshkruar..

Namazgjaja e Elbasanit  - Zbulime te periudhes osmane .

Qyteti Elbasanit ka nje histori te lashte dhe te rendesishme per te gjithe ne dhe shume here me habit me lashtesine e bukurite e tij. Plus qe eshte edhe qyteti im i zemres smiley

http://www.youtube.com/watch?v=WCQ_rFQv5qg

Sidomos rëndësinë e tij ky qytet i bardhë e mori në kohën e ballokumes harrove të shtoje..lol (shaka kjo)

Tashti kjo pjesa osmane asnjëherë s'më ka pëlqyer tek ky qytet Elbasani..Historia e tij e lavdishme mendoj se është para periudhës së errët otomane, kjo është e rëndësishme të theksohet.

eh mer habibi, allahu u ka ndriçu nga te gjitha anet.

 

ps. Si i thoni "ndriçu" ne arabisht, se e kam harru?

Duke e lënë artistin e turbulluar në ngërthimin e realiteteve ekzistenciale, selvinë si një pemë të qëndrueshme shumëshekullore e gjejmë të kudondodhur në peizazhet e nxehta mesdhetare. Jo rastësisht në këtë klimë që bashkëndahet brigjeve të detit legjendar, por edhe më tej, pavarësisht nuancave kulturore lokale, selvia ndodhet rëndom pranë varrezave, tyrbeve, manastireve dhe faltoreve të ndryshme, si një shëmbëllim konkret i përjetësisë dhe si një simbol që natyrshëm të orienton lart drejt saj.

Selvia-qiparisi sipas mitologjise greko-romake ne nje version ose ne tjetrin perfshin nje dre te shenjte, Apolonin, Kiparisos, pak homo-erotizem, Kiparisos qe vret gabimisht drerin e qe do ta vajtoje ne perjetesi e qe Apoloni e transformoi djalin ne peme, me ujthin qe del nga trungu ne forme loti.  Simbolikisht perfaqeson vajtimin, ndaj dhe gjendet prane varrezave, e meqe varrezat gjendeshin prane objekteve te besimeve te ndryshme ndaj shihet edhe prane atyre objekteve. 

Po ashtu, edhe ne fene krishtere simbolizon perjetesine.  Ne kultura te tjera selvi-qiparisi ka kuptime te ndryshme simbolike. 

Mund te gjenden ne Mesdhe legjenda te tjera me lokale.  Mbaj mend ne Korfuz, ku eshte peme mjaft e perhapur vendasit thoshin se mbillnin qiparis kur lindte nje djale, dhe nje peme tjeter (s'me kujtohet) kur lindte nje vajze a dicka e tille. 

Impressionuese!!! U ka detyru Berisha me u bo eksperte pyjesh qe kur filloj te permendte arroret, vetem qe te jeni nje hap para tij. Duhet t'ja dini per nder!

Sigurisht, sigurisht, eshte ai pa jemi na. 

Dhe nje pyetje ne pergjithesi per temen, pertej kengeve "shtat-selvi", Namazgjase, nja dy manastire sa e perhapur eshte kjo peme?  (Ne Dhermi ka, por s'mbaj mend tjeter.)

Kemi plot selvi gjithandej, prandaj shiko dhe gjej nje menyre tjeter per te sulmu te Madherishmit!!! smiley

Perpara se te them ndonje gje per shkrimin, se me duhet te mendohem pak, meqe me pelqeu, pashe verdalle nga vjen fjala selvi dhe origjina, fjala ardhur se fundmi nepermjet turqishtes, tek ajo prej burimeve perse e arabe, eshte nga gjuhet e hershme semitike, aramaikja, deri tek akadishtet e lashta. Apologjia e selvise.

Artikull interesant. 

Gjeja me e bukur e shkrimit eshte qe ndersa kendon kengen e selvise, ai eshte gjithe kohen duke kerkuar trendafilin.

Gjesti i fqinjesise, per disa i vellazerise, eshte aq i prekshem sa qe pamundeson perqeshjen e zakonshme harbute apo cinike qe e ka merak kjo faqe. Teknikisht ndihmon qe lexohet arti, ndihmon qe piktori eshte evropian dhe qe permendet poeti mysliman me i dashur ne perendim, ndihmon edhe qe flitet per te kaluaren dhe per qytetin - per kete dominon prej kohesh nostalgjia - dhe qe selvia vete, perjetesia vete, jane send, simbol dhe koncept universal. Qe shkrimi funksionon ne dy nivele, iu flet dy grupeve, duke i sjelle bashke tek ai, eshte vlere per tu theksuar dhe mua me vjen shume mire qe e kemi.

Gjynah te shkaktoj polemike ne kete teme kaq paqesore, por kam dy dite qe e mendoj: per kohen qe jetojme futja brenda e besimtareve eshte sherbim i madh qe i behet ndergjegjes profane, per te cilen feja duhet te jetohet ne menyre private, ndergjegje e cila jo pak here, te pakten dy here ne vit, mund te jete tronditur nga forma masive njerezore e besimit, thua se nga nje shfaqje force. Kur u mboll me bar Sheshi Skenderbej e diskutuam me sinqeritet friken e pushtetit nga trupi kolektiv njerezor. Nje paqtim i tille kaq rastesor.

Do vecoja ne kete shkrim edhe nje lloj spiritualizmi, mistike qe haset rralle ne shkrime te kesaj tematike, duke kerkuar paraprakisht ndjese per mosdijen neqoftese ekzistojne levrime te kesaj tematike ne shqip. Shkrimtaret sufiste Rumi, Xhami te permendur ne shkrim jo vetem si "poeti myslim me i dashur ne perendim" (Rumi, cit. tropizma) pervec se perplotesojne persiatjen e Hatibit, evokojne terthorazi edhe nje aspekt tjeter, ate te "ekologjise spirituale."

Ky nocion, ose "etimologji gjithnje e me te pakuptimta per bashkohesit tane" s'ka se si te jete i kuptimte kur ekologjia e bashkohesit eshte per t'u vajtuar, por edhe spiritualiteti eshte viktime e "ringjalljes se tradites fetare ne detaje por rralle ne fryme".   

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).