Çdokush prej nesh, teksa punon e lipset të verifikojë një emër apo një datë, i falet Wikipedia-s në Internet. Për një grusht profanësh, më duhet të kujtoj se Wikipedia është një enciklopedi on line, e cila shkruhet e rishkruhet prore, nga vetë përdoruesit e saj. Ia vlen të përmendim se kur ju kërkoni një zë, bie fjala, "Napoleoni" dhe vëreni se të dhënat janë të paplota apo të pasakta, mund të regjistroheni, t'i korrigjoni dhe ky zë pastaj ruhet ashtu, sikurse e ndryshuat ju.

Natyrisht, kjo u krijon mundësinë dashakeqëve apo të marrëve që të përhapin të dhëna të rreme, por sigurinë na i ofron fakti se këto të dhëna kontrollohen nga miliona përdorues. Në rast se dikush ndërhyn në keqbesim dhe bën korrigjimin se Napoleoni nuk vdiq në Shën Elenë, por në Santa Domingo, miliona dashamirës do të ndërhynin menjëherë dhe do ta korrigjonin këtë ndryshim dashakeq (pastaj, besoj se pas disa orvatjesh ligjore të personave që cënohen nga shpifjet e dikujt, një lloj redaksie do ta bënte një verifikim, të paktën për korrigjimet me përmbajtje të qartë shpifëse). Në këtë kuptim, Wikipedia do të ishte një shembull i bukur i asaj që Charles Sanders Peirce e quante Komuniteti (shkencor), i cili falë një vetë-ekuilibri fatlum i fshin gabimet dhe ligjëson zbulime të reja, duke çuar përpara pishtarin e së vërtetës, sikurse e quante ai.

Por nëse kjo syçeltësi kolektive mund të funksionojë për Napoleonin, a mund të themi të njëjtën gjë edhe për një Filan Fisteku, cilido qoftë ai? Le të marrim shembullin e një personi pak më të njohur se Filan Fisteku, por më pak të njohur se Napoleoni, sikundër jam unë. Fillimisht ndërhyra për të korrigjuar sa shkruhej për mua, ngaqë vërejta të dhëna të gabuara dhe njoftime të rreme (për shembull, thuhej se isha i pari ndër trembëdhjetë vëllezër, fakt që s'ka të bëjë me mua, por me tim atë). Mandej hoqa dorë sepse, sa herë më shtynte kureshtja të kontrolloja të dhënat e vëna në emrin tim, gjeja qyfyre të reja, që s'dihet kush i vinte. Njëherë ca miq më njoftuan se Wikipedia shkruante se isha martuar me vajzën e botuesit tim, Valentino Bompiani. Ky lajm nuk ishte asfare shqetësues për mua, po mbase mund të prekte mikeshat e mia të dashura, Ginevra dhe Emanuela, ndaj ndërhyva fill dhe e fshiva.

Në rastin tim as që mund të bëhet fjalë për një gabim të kuptueshëm (si historia e trembëdhjetë vëllezërve), as për të besuar thashetheme të rëndomta: s'besoj që dikush ta ketë shkuar në mendje që unë mund të akaparoja një martesë të tillë. Kështu që, bashkë-autori i panjohur i Wikipedias besoj se ka ndërhyrë për të publikuar thjesht një fantazi të tij, pa i shkuar fare ndërmend që t'i verifikonte të dhënat, të paktën nga ndonjë burim tjetër.

Atëhere, sa mund t'i besojmë Wikipedias? Po ua them menjëherë që unë e besoj, sepse profesioni i studjuesit më ka mësuar përdorimin e disa teknikave: një argument të caktuar, pasi e konsultoj në Wikipedia, shkoj pastaj dhe e krahasoj me të dhënat e dy ose tri site-ve të tjera. Nëse rezultatet përkojnë të tria herët, atëhere ka shumë gjasa që e dhëna të jetë e vërtetë (por kujdes, site-t që konsultojmë nuk duhet të jenë parazitë të Wikipedia-s, sepse kësisoj gabimi do të përsëritej). Një mënyrë tjetër është që, i njëjti zë, të shihet si në italishte, ashtu edhe në ndonjë gjuhë tjetër (po e keni të vështirë me gjuhën urdu, me siguri do ta gjeni në anglishte). Zakonisht të dy zërat përkojnë (janë përkthime të njëra-tjetrës), por nganjëherë edhe ndryshojnë dhe mund t'ia vlejë barra qiranë nëse gjenden kundërthënie. Kjo mund t'ju shtyjë (përkundër besimit tuaj tek virtualja) që të çoheni dhe të konsultoni një libër enciklopedie.

Solla shembullin e studjuesit, i cili ia ka marrë dorën ballafaqimit të burimeve të ndryshme. Po të tjerët? Si t'ia bëjnë ata që besojnë kollaj? Po djelmoshat që i turren Wikipedias për të bërë detyrat e shtëpisë? Mbani parasysh që sa thamë vlejnë edhe për çdo site tjetër, ndaj kohë më parë sugjerova, edhe për grupet rinore, ngritjen e një qendre monitorimi të Internetit, përmes një komiteti të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, në mënyrë që site të ndryshme të kontrolloheshin (ose on line, ose nëpërmjet botimeve të shtypura) dhe të bëhej një vlerësim për besueshmërinë dhe plotësinë e tyre. Por le të marrim, shpejt e shpejt, një shembull dhe le të mos kërkojmë emrin e një figure historike si Napoleoni (për të Google ofron 2.190.000 site), por të një shkrimtari të ri, Paolo Giordano, autor i "Vetmia e numrave prim", i cili u bë i njohur kohët e fundit, pikërisht kur fitoi çmimin Strega 2008. Sitet që flasin për të janë 522.000. Atëhere si i bëhet hallit për t'i monitoruar të gjitha?

Njëherë i dhamë karar të monitoronim vetëm site-t që lidheshin me autorë, të cilat paraqitnin interes më të madh për studentët tanë. Por, po të marrim fjala vjen Peirce-n, që e përmenda më sipër, për të na japin informacion plot 734.000 site.

Ja pra, një goxha problem që ende nuk ka gjetur zgjidhje.

 

Shkrim i vitit 2009, por aktual

 

16 Komente

Po qe i fejuar, i fejuar ke qene ti.. ate mbaje smiley

interneti eshte lufte!  si tha Shota  per Azemin dikur: une  jam martuar me lufte, jo me burre..smiley

 

Por nëse kjo syçeltësi kolektive mund të funksionojë për Napoleonin, a mund të themi të njëjtën gjë edhe për një Filan Fisteku,

jam kurioz,  si  e kane shqiperuar ''Filan Fistekun''  nga italishtja,  dmth si ishte ne italisht?smiley

Figlio di Fistecco me duket i thone.

smiley

"Ma se questo controllo collettivo potrebbe funzionare su Napoleone potrà funzionare su un John Smith qualsiasi? "

faleminderit!smiley

i perafert shqiperimi.smiley   cudi, spaska  nje emer  italjan , ''compatible'', per te tilla raste..  ndersa shqipja si gjithmone goxha e pasur.. per vec ''filani....'', kemi edhe Trakua dhe Memua.. etj..

sig. bianchi smiley 

Artikulli i Umbertos ishte interesant, dhe ketu mesuam se Wikipedia u manipuloka kollaj. Nderkoh qe une e dija si nje sajt te sakt e te rregullt. 

po  vone e mesove mo Pjero,  nderkoh qe kolegu Umberto, e ka shkruar kete artikull qe ne 2009..smiley

 

Shkrim i vitit 2009, por aktual

E pashe qe ishte shkruar me 2009 por sot e lexova smiley

wikipedia mbahet me pune vullnetare dhe asnjere keta te punes vullnetare nuk jane me te diturit, por me te zellshmit. kryesisht jane studente qe paragjykimet e tyre i marrin per ideale.

njeriu behet i ditur kur eshte natyre dembele por me vullnet. 

Dembel me vullnet si perkthehet ne frengjisht?

damlla..smiley

gjeni

wikipedia beri gjithe boten lemsh. vetem per shqiperine te lexosh, gjen shume pasaktesira. ketu shihet qe eshte jo vetem e pasakte por edhe e rrezikeshme. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).