E ngjarë në Korçë

S’kam për të harruar kurrë në jetën time tmerrin dhe frikën që kam ndjerë aty e 12 vjet përpara kur isha i vogël dhe veja në shkollë. Ishte më të ngrysur, qytetarët ngjiteshin nga tregu nëpër shtëpi, kur u dëgjuan këmbanat e Mitropolisë të binin me rëmbim të madh, si për të dhënë lajmin se një rrezik i madh i afrohej qytetit të Korçës. U gëzova së pari duke besuar që ishte ndonjë e kremte edhe do të mos venim të nesërmet në shkollë, po ai gaz i përnjëhershëm m’u kthye në tmerr edhe dridhesha si purteka kur dëgjova tim atë të kërkonte armët edhe nënën të bërtiste: “Ne korbat ç’e keqe e madhe erdhi përmbi ne?!” Atëhere mësova që këmbanat, kur binin natën, ishin, shenjë që qyteti ishte në rrezik. Ati, si mori armët, shkoi me vrap në Mitropoli edhe unë me shumë lutje që i bëra nënës edhe me gjithë tmerrin që ndjeja, shkova që të mësoja shkakun e rrezikut. Si dola përjashta vështrova një lëvizje, që s’e kisha parë tjetër herë, burrat të armatosur vraponin në Mitropoli, gratë mblidhnin fëmijët brenda si për t’i mbrojtur nga ndonjë rrezik i madh. Me të arritur në Mitropoli vështrova gjithë qytetin të mbledhur duke pritur me padurim të mësonin, shkakun, andaj duke mos ditur të vërtetën, shpifnin çfarëdo që u shkonte nër mend. Ca thoshin që vjen kapedan Kajoja me 250 shokë për të bërë plaçkë Korçën, ca thoshin që vjen Ismail Dardusha me 500 shpirt hajdutë për të rrëmbyer, edhe ca të zgjuar grekomanë thoshin që vinin Evzonët e Greqisë që të na shpëtojnë nga thonjtë e Halldupit!!! Këto fliteshin e shumë të këtilla duke dhënë secilido mendjen e tij.

Vetëm i shenjtëruari dhespot nuk çante kryet për tmerrin e popullit, po vështronte të zbrazte të shtatën qelqe me verë të zezë pranë së bukurës dhaskaleshë Evdhoksi, dhe vetëm atëhere, kur i thanë që populli pret me padurim e solli ndërmend që kishte për të bërë punë. Andaj, me gjithë helmin që ndjente se i prishën dëfrimin, doli përjashta edhe u tha “O të bekuar të Krishtit! Sonte është një e kremte fort e madhe, meqenëqë sonte kemi për të kthyer në krishërim nga Papistan!” Me të dëgjuar këtë të re të pashpresuar edhe të pangjarë në Shqipëri, (burrat) u kthyen nëpër shtëpi të linin armët dhe të qetësonin gratë dhe fëmijët dhe të ktheheshin bashkë në kishe që të vështronin atë që nuk e kishin parë ose dëgjuar gjer atëhere: Një Papistan! Andaj në pak kohë kisha edhe oborri u mbushën si kurrë ndonjëherë duke pritur me padurim e duke shtyrë njëri-tjetrin që të vështronin Papistanë!!!

I gjori Kristo Oparaku!.. Sikur e kam në sy edhe sot, me një fytyrë si të dalë nga varri të verdhë dyllë, me kryet varur, lotët i derdheshin çurk, si lumë... s’kishte fuqi të qëndronte në këmbë. Ky ishte Papistani! Tani duhej të kthehej në udhë të drejtë në fenë e parë që kishte, të krishterimit, që të fitonte parajsën, por që të kthehej në këtë udhë duhej të bënte 100 metani (përlutje) të puthtë gjithë konizmat e kishës, ta lyente dhespoti me miro të shenjtëruar se vetëm atëhere mund të quhej i krishterë. Edhe ikur duhej t’i duronte gjithë këto i gjori Kristo? Kur djali i tij i dashur ishte i vdekur në shtëpi...

Meqenëqë dëshironte gjuhën e kombit të vet edhe meqënëqë vinte në shkollat e shqipes ku dëgjonte fjalën e zotit në gjuhën e vet, prandaj e quanin Papistan, Kristo Oparakun! Ndaj për dhespotin ishte një rast i mirë të mos i mbulonte(varroste) djalin Kristos që të prapësonte shqiptarët nga qëllimi i tyre, e të rrëfente ç’mund të bënin inkuizitorët e Fanarit! I mërzitur nga këto të ngjara dola që atëhere nga shkolla me qëllim që të punoj për Shqipërinë pa le të më quanin Papistan ata të Fanarit .

 

                                                            “Kalendari Kombiar”, 1906, fq. 90-92

* papistan- njeri pa fe, heretik.

4 Komente

Pikture shume e bukur dhe pakez e trishte e nje Shqiperie qe nuk duhet harruar.

Ne nder te gjithe Papistaneve se paku.

Nuk eshte perralle o admin por nje ngjarje e dhimbshme dhe e vertete.

 

Kete mendova dhe une, mu duk si diçka e ndodhur. 

He peshku? E moret dozen e anti-helenizmit per sot? Sollet kete shkrimin e ketij kriptoislamikut, Gramenos? Ata AiA jane lule para ketij, po ju vazhdoni bejini qejfin vetes.

Na acaruat nervat! Po i fus nja dy kenge greke andej nga tralalaja te ul tensionin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).