Përreth ka kaq dyer të heshtura

 

"Njerëzit s‘kanë lindur 

                           akoma

         është ende herët“

                         Rembo

 

Mbi lumenjtë e tu prej gjaku

në skutat e panjohura të trupit

rrëzohen shëmbëllime qiejsh të pastër

të gjërave të përkohshme e të paprekshme.

E ti rilind e vdes në të njëjtat brigje

prej gurrë harrimesh jetëshkurtra.

 

Thërrime të qenies tënde shpërndahen nëpër pyje

copëza gjaku e heshtja ndër plagë e shpella

ku rrinë të fshehur gjysmëqenie të çuditshme

që rreken të ndërtojnë ekzistencën,

e cila humb ngjyrën e perceptueshme prej retinës

                                                  humnerë ngjyrash 

abstrakte,

ku nganjëherë vijnë e çlodhen 

galaktikat e lodhura nga përjetësia.

 

Thjeshtësi e humbjes

 

Është vërtet një boshllëk i rëndë

i thatë, i thellë, kumbues,

i thjeshtë si vetmi gri,

kjo këngë e humbjes gjethe e bardhë tymi

që del kaq e paqartë nga mua

e si erë e uritur më heq nga trupi

këto gjethe të kalbura,

fytyra të stinës së vdekur,

siç po bën ky plak i vetmuar me

pllakat e çatisë së vjetër.

 

Varreza

 

Në fund të mjegullës po krijohem,

prapë, hije prej hëne i vetes sime

që, megjithatë, do t‘i mungojë kjo pjesë e imja

strehuar tek bredhi, varrezë tingujsh

Bashkë me klithmën e paklithur të hënës

tumor i pandjeshëm në lëndën gri të mjegullës.

 

*marrë nga vëllimi i parë me poezi i autorit "Qytetërime të përkohshme", 1995

 

Përthyerja e kujtesës në poezinë e Gentian Çoçolit

nga Agron Gjekmarkaj

Adorno, prej kohësh ka shprehur mendimin se format e artit janë shenja krejt të veçanta që tregojnë në mënyrë origjinale, dhe më mirë se dokumentet, historinë e njeriut. Natyrisht, kjo vlen edhe për poezinë. Tri vëllimet poetike të Gentian Çoçolit, “Qytetërime të përkohshme”, “Perimetri i hirit” dhe “Dheu njerëzor”, të botuar përkatësisht në vitet 1996, 2001, 2006 janë “dokumenti” i njeriut poet i identifikuar me kohën absolute, e cila përfshin çdo kohë, një kohë që na hedh herë pas here në epoka të ndryshme të zhvillimit njerëzor. Natyra e poezisë është si natyra e engjëjve: e padeshifruar. Megjithatë, nuk reshtim së kërkuari për të kuptuar se nga cilat hapësira buron ajo për të mbërritur tek ne…

Nga lexime të mbivendosura për një poezi polivalente si ajo e Çoçolit, kuptojmë se për të darovitur sadopak një enigmë të tillë, duhet të ndjekim me kujdes ciklet e kujtesës, shtresëzimet e saj si përthyerje mitologjike, kulturore apo ndjesore. Çoçoli rindërton një botë të zhdukur, që në kujtesë rikthehet dhe ribëhet e tashme. Ai e përmbledh eksperiencën, nuk e imiton atë. Kujtesa shfaqet si një mekanizëm që të përfshin dhe të obligon për të tentuar një shkrirje të elementeve të intimitetit me natyrën. Mënyra se si këto harmonizohen, si ndërvaren, si shndërrohen në mikrokozmose, të cilat gjallnimin domosdoshmërisht e marrin nga uni, të bën të mendosh që horizontalisht kujtesa të lidh me bashkëkohësinë, ndërsa vertikalisht me historinë. Kjo lidhje bëhet nëpërmjet gjuhës, sepse poezia është së pari gjuhë, e siç thotë për librin “Perimetri i hirit” Mark Marku: “Thënë shqip, ajo që ishte kujtesë shndërrohet në poetikë”. Kujtesa dhe poezia shkojnë krah për krah. Këtë fenomen, i cili  shoqëron çdo vëllim të poetit, grekët e vjetër e quanin  mnemozinë. Poezia nuk është “logos”, d.m.th. racionalizëm. Ajo realizohet  përmes aftësisë së vazhdueshme të të habiturit me një kërshëri  dhe naivitet fëmijëror, deri sa arrin në një shfaqje irracionale dhe intuitave, e cila e çon drejt thelbit sekret të gjërave. Poezia e realizon njohjen nëpërmjet fantazisë, e cila është prodhuese imazhesh. Shumë krijime të Çoçolit të çojnë në këtë përkufizim paskolian, ndonëse konsiderohet si më “irlandezi” i poetëve të sotëm bashkëkohorë shqiptarë. Ndoshta struktura baladike e poezisë dhe tharmi prej sage të ysht në kërkim ngjashmërish me poezinë bashkëkohore irlandeze. Gjithashtu, së paku në dukje, me këtë poezi e afron bashkëbisedimi filozofik me përfaqësuesit e miteve të gjenezës, në kërkim të një primitiviteti spontan nën trysninë e së përditshmes. Por, kjo është më shumë formë, përkatësisht në lojën stilistike, e cila i jep mundësi shtrirjeje një mendimi të shumëdegëzuar që rrok skaje të ekzistencës dhe shtresa të kulturës.

Te Çoçoli, ashtu siç e ekspozon poezia e tij, “fuqia e të habiturit” shfaqet mbresëlënëse si ndjeshmëri naive a kërkim me një kuriozitet që të bën të dihasësh nga rëndja. E tillë rezulton ajo, qoftë kur i qaset fëmijërisë si burrë, qoftë kur e sheh botën si fëmijë, sepse “na shtyn mosha të zbresim gjer këtu poshtë ku jeton përroi”, i cili s’është tjetër veç përroi i ndërgjegjes, që moshat i alternon e po ashtu këndpamjet mbi njeriun, vendin dhe botën. Eksperiencën estetike e ndikon qoftë kur shfaqet nën siglën e Homerit, qoftë të bashkëkohësit Parid Teferiçit, të cilit edhe i kushtohet një poezi si alterego intelektuale, e gjetur në kaosin e një bote me të cilën nuk identifikohet. Eksperienca njerëzore jo, i mjafton e vetja, si laborator reflektues, si model i lënë aty në tekst pa kurajën për t’ua ofruar të tjerëve. E merr veç kushdo. Poezia është një aktivitet publik, ndonëse krijohet tejet privatisht. Por, ky funksion i poezisë për t’u ushtruar e shijuar po publikisht kërkon kushte specifike. Për fat të keq, funksioni publik i poezisë nuk mund të realizohet plotësisht në rrethanat e  tregut të sotëm letrar dhe jo vetëm letrar shqiptar. Në këtë kontekst, poezia e Gentian Çoçolit është “mall” që nuk e gjen në treg, ashtu siç nuk e gjen kurrë në qendër të vëmendjes autorin e saj, i cili e zë kohën duke limuar kujtesën. Nga një punë e tillë nuk nxjerr vetëm kafe të hidhura Gjirokastre, dylbi që e shohin botën vetëm nga lart, imazhe fluide lënde për metafizikë, por edhe lule guri që plazmojnë një lirizëm, i cili shënjon postmodernitetin e poezisë shqipe. Viola është në qendër të tij, qoftë kur kujtesa përthyhet, qoftë kur vjen lineare si shenjë identifikuese, le të themi si Elsa te Pol Elyari, apo Matilda te Neruda.

Marrë nga "Panorama"

Ilustrimi: Giulio Turcato "Rovine di Varsavia"

8 Komente

Njerëzit s‘kanë lindur

akoma

është ende herët“

Rembo

Kjo me kujtoi nje shoqe ne universitet qe perseriste shpesh kete pjese. Interesante

rrofsh qe e ndave dhe me ne kete kujtim!

Bën të pyes se kur dhe në çfarë fakulteti ka ndodhur kjo me këtë shoqen? Pasi libri është botim i 95-ës e asokohe nuk ishte përkthyer Rembo në shqip.

rreth 95-98-tes , s'me kujtohet saktesisht, po c'rendesi ka , thjesht me kujtoi nje shoqen time , nuk dyshoj qe ajo e ka lexu nga Rembo , sa per sqarim dmth , bile te tjeret qeshnin me te sepse u dukej qesharake kjo , si ne shkolle hesapi cdo gje merrej me te tallme  gjate bisedash smiley

ah harrova, fakulteti gjuhe-letersise, aleksander xhuvani smiley

Ishte Diogjeni qe kerkonte njeriun....

 Në këtë kontekst, poezia e Gentian Çoçolit është “mall” që nuk e gjen në treg,

"mall" ka sa te duash ne Lazarat. 

Nuk e dime  se  c'ore e keqe  ne  zeval  te  delirit i ka shtyre autorin Cocol dhe  kritikun Gjekmarkaj  te besojne se  vargjet e  cituara ne krye  te  postimit  i perkasin Rembose. Me  siguri e kane me te thene, se  askund  te  Remboja  nuk  ka  vargje  te tilla. Duket  ashiqare  qe  dikush  i ka genjyer. Dhe kjo ne rastin me te mire. Mbetet ne nderin e tyre  te na bindin per te kunderten. Nuk do na trishtonte  shume kjo gje, nese nuk do dinim  emrin e  "Rembose"  se vertete qe  na ka rastisur te jete  edhe nga anet  tona memedhetare.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).