Ndonjë vit para çdo palë zgjedhjesh parlamentare në Shqipëri, hidhet për diskutim çështja e “polit të tretë”; ndryshe, një grupim politik alternativ ndaj dy kampeve kryesore, socialistëve dhe demokratëve. Thellë-thellë, kur rihapet kjo dosje, fshihet shpresa që ky pol imagjinar t’ua ngrijë buzëqeshjen dy partive të mëdha, pra të marrë votat e nevojshme për të qeverisur, duke e shkundur kësisoj bipolaritetin PS-PD dhe alternimin e tyre në pushtet. Deri më tani, pjesërisht këtë format e ka realizuar Lëvizja Socialiste për Integrim, por pa dalë asnjëherë jashtë ekuacionit të pjesëmarrjes në pushtet me njërën e tjetrën palë.

Nga ana tjetër, përvijimi i një “poli të tretë” ideal, në mendjet e ndjekësve aktivë të politikës dhe të interesuarve për mbarëvajtjen e demokracisë në këtë vend, është përgjithësisht një forcë e re politike, me njerëz të rinj dhe e “papërlyer” me partitë e mëdha, me “këta të vjetrit”. Por në mungesë të ideales, edhe forca të drejtuara nga politikanë me karrierë, që kanë gëzuar respekt në opinion, janë pritur me shpresë e ngazëllim nga segmente të ndryshme të popullsisë. Ishte e tillë LZHK-ja e Dashamir Shehit, u prit si e tillë vitin e kaluar edhe FRD-ja. Kornizën më afër optimumit të këyre pritshmërive, u duk se e kishte për ca muaj Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, por kjo kornizë mbeti bosh dhe nuk u mbush ndonjëherë me brumë idesh e programi.

Ngacmimin për këtë temë polesh të treta, në dukje në një kohë të papërshtatshme dhe jashtë aktualiteti, ta jep në fakt procesi zgjedhor brenda PD-së, ku drejtuesi i ri shihet dhe komentohet gjerësisht si një zgjatim rinor i kryetarit historik. Është ky emërim i Bashës me dëshirën e Berishës, çka për Fatos Lubonjën “legjitimon teatrin ku vetëm ndërrohen rolet një herë në tetë apo dymbëdhjetë vjet, pa ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve”. Ndaj, sipas publicistit të njohur, “dikush, qoftë brenda këtyre partive, qoftë jashtë, duhet të guxojë ta thyejë këtë rreth vicioz”. Rimarrja e këtij shqetësimi, edhe pse mund të ngjajë kondrapedal nga ana kalendarike, në fakt kryhet në kohën e duhur nga ana e Lubonjës. Qoftë edhe për shkak të sistemit zgjedhor apo për hir të rënies së gurëve të politikës në vendin e tyre, skena politike shqiptare duket e stërmbushur, por ka boshllëqe serioze. Mbase me thyerje të rrethit vicioz, Lubonja ka parasysh energji të reja politike si lëvizja e Grillos në Itali, apo zhvendosjet tektonike që pësoi skena politike greke. Një gjë e ngjashme nuk ka ndodhur këto 23 vjet tek ne. Çdo tentativë ka qenë ose iluzore, ose e kompromentuar që në origjinë.

Kështu, duke lënë mënjanë përplasjen frontale bipolare të shtatë viteve të para pluraliste, partia e Genc Pollos (PDR) në vitin 1999 u duk fillimisht si alternativë e besueshme ndaj PD-së së Berishës, edhe pse një krijesë e stimuluar nga Fatos Nano. Ishin bashkë me të Shehi, Xhaferri, Ndoka etj, por secili u largua ose drejt një partie të re, ose drejt PD-së. Teksa pak vite më vonë, LSI-ja po ngrinte strukturat e saj të reja, një erë e freskët fryu në skenën publike shqiptare; këtë rradhë nga një organizatë rinore si Mjaft, që po denonconte shpërdorimet, gafat dhe gabimet e qeverisë Nano, duke ngjallur simpati në popull. Por nuk do të kalonte shumë dhe kjo lëvizje do të “zbulohej” si një ndihmëse e një tjetër guri të rëndësishëm në skakierën tonë politike; kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Dhe vijmë tek AK-ja e Spahiut, asokohe nënkryetar i KLD-së, që duhet thënë se i zuri pak pa mendje aktorët e tjerë: Kjo, sepse i ra një muzike të re në diskursin politik, patriotizmit, kombëtarizmit dhe interesave kombëtare përkundrejt një klase politike të zhytur në “pragmatizëm”, apo thënë ndryshe në afera dhe korrupsion. Por AK u ra aq fort dhe aq stonueshëm këtyre veglave, saqë arriti të prodhojë efektin e kundërt. Ky fast food populist u konsumua deri në fund, me negociatat e dështuara për aleancë me PS-në; gjatë të cilave, siç denoncoi volitshëm Rama, Spahiu paskësh kërkuar si kandidate në listat e PS-së, shoqet e biznesmenëve që kishin financuar AK-në. Sa për FRD-në e Bamir Topit, në këto kushte paszgjedhore, duket se ambicia e saj më e madhe është të shndërrohet në njëfarë LSI-je për PD-në.

Atëherë si mund të thyhet ky “rreth vicioz” dykampesh, që thith në vorbullën e vet çdo syth të ri politik? Kushti i parë është që forca e re hipotetike, të përbëhet nga njerëz tërësisht të papërlyer dhe pa të shkuar kompromentuese partiake apo institucionale. Pa ish presidentë që flasin me heshtje, apo ish krerë drejtësie që pak para se të lenë postin, denoncojnë drejtësinë. Nga individë me integritet dhe me intelekt, që dinë të bashkëpunojnë, si me njëri-tjetrin për një alternativë të qartë politike, ashtu dhe me elektoratin e gjerë. E nëse Lubonja pret që dikush ta thyejë rrethin vicioz, do ishte e udhës të jepte edhe ndihmesën e vet konkrete. Kush mendon se është herët, gabohet. Është vonë.

3 Komente

lubonja pret

ja edhe nje cike se do ta marre ate  rrethin vicioz lubonja e do ta beje cope!

pa u zhdukur nga skena politiko-shoqerore lubonja ,berisha ,meta  e gjithe plehrat e ''integrimit'',ne do te vazhdojme te kemi rrogat me te uleta ne evrope e demokraci ne fukarallek nuk ka.

pa u c'jevgjitezuar nuk ka mireqenie dhe dinjitet.  ndryshimi nuk vjen nga bythlepiresit e sistemit.

Lubonja vetem bla bla bla se nuk ka as force as kapacitet te krijoje nje force te trete ne Shqiperi Mendoj se tashme forca e trete eshte krijuar ajo ashte LSI- dhe kam mendimin se ne zhgjedhjet e 2017 do te jete nje nga forcat kryesore per pushtet

Autori beri mire qe e hapi kete teme, veç ai harroi Sovranin/Votuesin , i cili e sheh se ter keta qe dalin ter pompozitet nuk kane shum vlera. Ne fillim Sovrani (jo 100% , por pjesa e shendoshe e saj) sheh ter entuziazem te rinjte qe dalin, mirpo keta te rinj seç firasin a bejne ca gabime te renda, si Mjaft, LSI, AKZ, FRD, etj. dhe Sovrani (kur sheh firasjen, budallepsjen, makinacionet e tyre) heq dore prej ketyre, dhe i drejtohet njeres prej dy partive te medha, atje ku e sheh te arsyeshme apo sipas interesave ekonomike. Nje pjese tjeter e Sovranit , rri , nuk voton apo i ve kryq te gjithve, kuptohet i zhgenjyer tashme. Po te shohi Sovrani nje force me integritet, nje njeri te pamanipulueshem, Sovrani (ndoshta jo te gjithe) ia japin voten me kenaqesi, sepse ne brendesine e njeriut te ndershem kane ngelur akoma vlera, vlera qe ata duan te dalin ne pah. 

Te gjitha forcat qe permenda dhe te tjera, e kane patur mundesine te formojne polin e trete, pol qe ne çdo kohe mund te merrte mbi 10% deri ne 30% , por ato kane preferuar te perlyen me dy forcat kryesore, gje qe iu ka prishur ca imazhin e tyre. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).