Nisim ta formulojmë veten edhe njëherë brenda kuadrit të Lindjes së numërueshme: shoqëri e kuotave gjinore të paarritshme, e statistikave të dhunës në familje, e numrit përherë të paregjistrueshëm të  vajzave të trafikuara, e numrit rekord të ministreve të gjinisë femërore, shifra që herë na bëjnë me turp e herë na ngazëllejnë të gjithëve në grup, si rasti i numrit të fundit, që shkaktoi gëzim harmonik në pozitë dhe opozitë. Aty ku nuk mjaftojnë shifrat tentojnë shembujt: një grua kryetare parlamenti në Shqipëri, një grua kryetare shteti në Kosovë, këtu një grua kryeprokurore, aty një deputete sypatrembur. Dikush më i kujdesshëm sugjeron një farë kritike cilësore: çfarë mashtrimi fshehin numrat?

Ergys Mërtiri në shkrimin e tij "Deputete apo showgirl?" ne gazeten e re "Fenix" ngre problemin e depërtimit të territorit politik nga një mediokritet i ri: vajzëria delikate. Autori merr shkas nga profili mediatik i Klajda Gjoshes, deputetes së ardhshme, ish zëvendës ministres, nënkryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe tashmë të projektuarës ministre të Integrimit Europian, profil që duke dashur të shesë kopje reviste, rrezikon të paraqesë ministren e ardhshme në trajtën e një çupëline si të tjerat, që flet për dashurinë, miqtë dhe gatimin dhe që pozon e buzeqeshur për aparatin fotografik. Artikulli përmend profilin e ngjashëm të ish prokurores së përgjithshme Ina Rama, fotot e shumta të së cilës pak meshkuj shqiptarë mund të mos i njohin nga afër. Deri këtu shqetësimi i ngritur duket i drejtë: çfarë përfaqësojnë dhe çfare modeli ofrojnë këto politikane për gratë dhe vajzat, cfarë ideje ushqejnë tek burrat dhe djemtë për gruan a sotshme dhe qasjen e saj ndaj pushtetit?

Ajo që artikulli i Mërtirit nuk trajton është lidhja mes profilit stërfemëror dhe përkushtimit e suksesit në punë; (mbase) duke dashur t'i shpëtojë akuzës për paragjykim, autori zgjedh të theksojë moshën e re si treguesin shqetësues. Askund në artikull nuk lind pyetja nëse këtu kemi të bëjme vallë me një mbigrua, që kohën, mendtë dhe trupin që i janë dhënë i shfrytëzon për të bërë dhe punë dhe jetë. Ajo që gjithashtu mungon në diskutim është mëmësia, si treguesi i tretë dhe në fakt ndoshta më i rëndësishmi përcaktues i ambicies dhe arritjes femërore në sferën publike. Nëse mosha e re i lejon asaj shpengimin, gjë që na lejon rrjedhimisht neve kritikën, cfarë do të ndodhë me Gjoshen kur, nëse, ajo bëhet nënë*?

Një nëse që mes nesh nuk trajtohet thuajse hiç. Shoqëria shqiptare akoma nuk është përballur me krizën e riprodhimit që kontinenti i vjetër mbulon me emigrantë, që emigrantët nga ana e tyre zgjidhin me një ndarje të caktuar gjinore të punës në familje. Tre pyetjet e ngritura në tre paragrafët e parë kërkojnë mbi të gjitha një sinqeritet në përgjigje nga femrat vetë, të cilat deri më tash nuk kanë treguar se si grup, përfaqësuar nga intelektualet dhe aktivistet mes tyre, kanë dëshirë të pyesin pyetjet e vështira që lidhen me ato vetë. Gratë tona të spikatura akoma merren veç me gratë e periferisë, gratë “e tjera”: të varfrat, të dhunuarat, gratë e fshatit. Mund të shkohet aq larg sa të sugjerohet se gratë mund të flasin vetëm për gratë e tjera po ashtu si burrat mund të flasin, në perspektivë gjinore, vetëm për të tjerat e tyre, gratë.

Vajzëria delikate e kopertinave dhe e ekraneve – të mos harrojmë zëdhëneset e bukura për shtyp ose veshjen me anë të asaj të fjalës së atij – gëlon në territorin e gruas-vajzë, që i merr borxh kohën gruas-nënë, asaj që sot i hekuros këmishën dhe asaj që një ditë ajo vetë ëndërron të jetë. Gruaja-vajzë shkakton një ankth të ri në gruan-nënë, duke i kujtuar kësaj njëherazi kohën e humbur dhe konkurrenten e padrejtë, sepse ende pa përgjegjësi të mëdha, të parapëlqyer prej meshkujve prej lehtësisë së këndshme të të qenit. Nuk është rastësore që mes grave të politikës shqiptare nuk sheh atë kalim stafete, atë marrëdhënie mësues-nxënës apo babë-bir që gjen tek politikanët meshkuj. Ministret dhe deputetet tona janë, si të thuash, pa pasardhëse.

Më sipër kam cilësuar se media "rrezikon të paraqesë" një faqe të caktuar të realitetit femëror, sepse pakkush merret me atë që gjërat rrezikojnë të jenë. Sikur kryeministri i ardhshëm i Shqipërise të kërkonte për ministre gjashtë gra që nuk i dedikohen përditë dhe seriozisht grimit, garderobës, krehjes së nxehtë të flokëve, mirëmbajtjes së formës fizike, shqetësimeve dashurore e miqësore dhe elementeve të tjera të ndërtimit dhe paketimit të feminilitetit, ai do ta kishte vërtet të vështirë të gjente qoftë edhe një. Dhe nëse atë do ta gjente, kori i esteteve do të kundërshtonte: ç'është ky burrë? Sot edhe kur evitojmë të kujtojmë krimet e diktaturës, nuk harrojmë të përçmojme estetikisht enverizmin sepse "gratë na i bëri burra". Televizioni, kinemaja, kopertinat dhe në thelb të tyre produktet ndjellëse që na ofron konsumerizmi si ideologji dominuese krijojnë kushtet optimale që objektifikimi i gruas të bëhet nën iluzionin e subjektifikimit të vullnetshëm dhe të rishpikjes së vetes nëpërmjet cdo fytyre, lëkure, veshjeje të re.

Duke qenë kritika e përqëndruar mbi shoqërinë e spektaklit dhe peshën e pabarabartë që mbajnë femrat në të, krijohet ideja se krejt gratë e politikës janë krejt shfaqje. Rrjedhimisht, përsa i përket formimit profesional të deputeteve në parlamentin shqiptar, mund të vijë si surprizë që rreth gjysma e tyre vijnë nga fushat e drejtësisë dhe ekonomisë, dy janë mjeke, një informaticiene, një gjuhëtare, një historiane dhe një e specializuar në filozofi. Është më mbresëlënës fakti që dicka më pak se gjysma e grave deputete në legjislaturën aktuale, 10 nga 22, kanë gradën shkencore “doktor(eshë)”, po aq kanë kryer specializime pasuniversitare, e vetëm dy aktoret Bulku e Xhuvani nuk deklarojnë të jenë arsimuar më tej. Ndërkaq, ndër meshkujt e parlamentit grada shkencore kanë vetëm 23, pra rreth 20 përqind e tyre. Deputetë të paspecializuar në studime të mëtejshme numërohen 44, ose 37 përqind.

Qeveria e ardhshme, sipas listës së bërë të ditur nga kryetari i ardhshëm i saj, përfshin përtej raportit rekord gjinor një tjetër surprizë: Mimi Kodheli në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Cudia zbutet kur vlerëson se Kodheli është drejtuese dhe financiere me karrierë të gjatë dhe se Mbrojtja shqiptare ka probleme të mirëfillta financiare me detyrimet që lindin prej anëtarësisë në NATO, me historinë e palavdishme të tenderave dhe shitblerjeve të ushqimit, armatimit, helikopterëve dhe territorit, ndërkohë që mbrojtjen, atë të vërtetën, e kemi tashmë në duar të sigurta aleate. Ajo që nuk ndryshon është fytyra femërore e Ministrisë se Integrimit Europian, duke iu përgjigjur kësisoj kërkesave evropiane për përmirësim të treguesve gjinorë me një statistike mbresëlënëse: 100% e integrimit euro-atlantik në dorë të grave.

Meqë raportuesit ndërkombëtarë sa herë na numërojnë përherë harrojnë të na tregojnë parametrat e tyre, pak shqiptarë e dinë se ne Bashkimin Evropian vetëm 24 përqind e deputeteve në parlamentet kombëtare janë gra dhe vetëm 26 përqind e ministrave i përkasin kësaj gjinie. Në fushën e biznesit të dhënat janë akoma më pak shpresëdhënëse: vetëm 3 përqind e kryetareve të bordeve drejtuese të firmave të mëdha evropiane jane gra dhe gratë zënë vetëm 16 përqind të vendeve në këto borde. Nëse dikush beson se integrimi evropian do të na zgjidhë problemet e ekuilibrave gjinorë, ky dikush në një të kaluar mund të kishte besuar edhe se komunizmi do të zhbënte vetvetiu nevojën për një lëvizje feministe.

 

*Në SHBA një profesoreshë e Universitetit të Princeton-it hapi për publikun e gjerë një debat më parë të trajtuar veç në intimitetin e vetes dhe grupeve feministe mbi vështirësitë e të qenit grua e suksesshme në karrierë dhe të qenit njëkohësisht nënë kur mendohet se ky rol i dyfishtë është tashmë normë plotësisht e arritshme. Ajo sugjeron se firmat amerikane dhe shteti amerikan duhet të marrin parasysh me anë politikash të qarta vështirësitë fizike dhe detyrimin moral të të qenit nënë e mirë ndërkohë që vetë gratë duhet të njohin dhe pranojnë vështirësitë dhe të ndërtojnë prioritete të sinqerta. Në kontrast, një drejtoreshë e suksesshme e firmës Facebook këshillon që gratë të mos kërkojnë ndonjë trajtim shoqëror me përparësi, por të synojnë me ambicie dhe dinakëri të shfrytëzojnë stereotipet gjinore në funksion të suksesit të tyre në karrierë. Një kritikë e thjeshtë e këtij qëndrimi gjendet këtu. Ndërkohë në arenën shqiptare e vetmja tentativë për të folur për përkatësinë e dyfishtë të gruas ndaj familjes dhe karrierës ka qenë fushata jetëshkurtër e kryeparlamentares Topalli parrulla anglisht e së cilës, “I love mom”, arriti të shkaktojë vetëm të qeshura (estetike?) mbivendosur akuzës për oportunizëm të trashë politik.

18 Komente

Shkri shume i mire ,komplimente Tropizma.Shkruar a regola d'arte.Tashti ,vajzuken ,deputete te ardhshme po e djegin....me nje fjale...njezet vjeçe nuk eshte ende e zonja ,nuk ka pase kohe me u ba...i mungon pergatitja.Fytyra e bukur nuk thote asgje,do shese ndonje kopje me shume....Modeli shte i shtremberne Shqiperi...kUr edhe Ina Ramen e kthyen ose me mire ashtu ishte se askush nuk e detyroi te pozonte me zor ne nje sex simbol.Modeli i femres punetore,inteligjente,sobria(si i thone ne shqip)pa miklime prej maceje te çoroditun qe ka humb shpine...nuk ispirojne asnje besim ...

Ne fillim Zoti krijoi Adamin dhe kjo e rendoi edhe me shume balancen e kuotes gjinore. Kjo nuk dukej si gje e mire.... "Te behet Eva!" tha Zoti. Dhe Eva u be. Dhe ja ku balanca gjinore shkoi menjehere 33% ne favor te grave. "Kjo si e mire me duket" tha Zoti duke ia ngulur syte Eves, "po prape nuk flas dot pa e provuar."

"Artikulli përmend profilin e ngjashëm të ish prokurores së përgjithshme Ina Rama, fotot e shumta të së cilës pak meshkuj shqiptarë mund të mos i njohin nga afër. "

Ja, per ket ja vlente te lexohej!!!! Une lexova versionin e djeshem; a ka noi ndryshim? 

Me nje lexim te shpejtë (as linqet nuk ia hapa dot),  do me vinte keq te nxitohesha ta vleresoja me ndonje epitet sepse besoj se do t'i ulja vleren (e shumeaneshme) qe ka si pjese/shkrim (me vjen keq edhe per cilesimin shkrim, se me duket e varfer si fjale).

Per te qendruar vetem tek problematika e shumte qe sjell (pa folur per stilin e te tjera elemente e vecori sh. te mira ne te) po them se vecoj:

" vetë gratë duhet të njohin dhe pranojnë vështirësitë dhe të ndërtojnë prioritete të sinqerta"

Gjithashtu, do thosha se problemet e femres/gruas ne Shq. jane aq te thella, shqetesuese, saqe te flasesh per 'to si ketu me lart, nuk eshte më ceshtje feminizmi, por nje problem social.

 

Trop, faleminderit per prurjen. 

Po ndalem ne disa pika qe jane trajtuar ne artikull:

Mediat: Nuk eshte fenomen unik shqiptar qe femra te suksesshme, ne politike, biznes te intervistohen ne revista mode.  (Lidhja mund te behet me konsumimin ne mase, audienca etj.) Pa hyre ne diskutimin per kete fenomen ne pergjithesi, problemi eshte qe ne Shqiperi kopjohet shemtuar dhe me nje nivel te ulet profesional nga mediat. Si cdo gje tjeter. Nje shembull: pak dite pas zgjedhjeve m'u dha rasti te shihja ne TV nje interviste te deputetes Mimoza Hafizi.  Nuk e di si do te jete karriera e saj politike, por me aq sa e kam lexuar/degjuar, nje femer qe te ndjell respekt.  Intervistuesja nga ana tjeter, nuk kam fjale ta pershkruaj mungesen e saj profesionale.  Ishte merita e Hafizit, qe e ndodhur ngushte nga disa pyetje (thene troc pyetje debile) i anashkaloi me qetesi ose u pergjigj brenda kornizave te saj e jo te intervistueses.  

Pra, kur na duhet te adresojme kete fenonem, them se hapat e para drejt nje permiresimi duhet te jene te mediat.  Por pa ia kaluar komplet fajin medias, shtoj se nese ne mediat vizive e intervistuara i ka mundesite me te kufizuara te imponoje platformen e saj, ne shtyp barren dhe pergjigjesine e ka me te madhe. 

Mbi femrat velina-pon pon te politikes: Nje fenomen qe e kemi hasur heperhe ne permasa te medha nga pushteti ne ikje.  (Mertiri ne nje artikull tjeter "follow-up" permend Seserin ne kete kategori, por une s'do e cilesoja si te tille.)  Te shohim nese do vazhdoje ky fenomen. Sistemi i politikes ne Shqiperi ku meritokracia eshte zero ka prodhuar gjithefare perbindash, velin-izmi nje prej tyre dhe jo me pak shqetesues.    

Mbi diskutimin karriere-nene: Eshte veshtire te ngrihen paralele midis US (fusnota) dhe Shqiperise per shume arsye, por nje rast i rralle ndoshta qe mund te themi se ne kete fushe mund te permendet Shqiperia si me pozitive.  Leja e lindjes relativisht e gjate ne krahasim me US (por me e ulet se ne Gjermani psh) dhe nje sistem mbeshtetes (familja etj) krijojne me pak presione.

Ka shume per te shtuar e shpresoj qe me shume aspekte te dalin ne diskutim. Po: le te shohim pertej shifrave. Ndryshimet te behen, te kerkohen, te formulohen nga vete femrat e jo vetem per femrat. 

Nuk e kam lexu kete interviste me Hafizinn.Une e njoh mire.Nuk ka si behet grua ma zonje e ma profesioniste.E mrekullueshme ,disponibile e shume e talentuar ne matematike.Nje gru punetore te zoti.Nuk e shoh shume adapt politikisht,ne kuptimin qe eshte kaq persembari qe veshtire do bente kompromise qe politika shpesh i kerkon.E shihja shume mire si ministre arsimi.eshte si te them ,qyprillinjte e Shqiperise ,njerez te midisit te pangaterruar me asnje sistem.I ajti saj ishte drejtor shkolle,edhe sot kujtohet me nostalgji ne Shkoder

Shume ceshtje jane cekur , qe nga kariera, familja  e deri tek cilesia e perfaqsimit politik te gjinise femrore.Dmth si ai lojtari cirkut qe mban ne ajer shume topa duke xhongluar e duke mos lene te bjeri asnje ne toke. Zgjerimi fushes se pamjes ka privuar depertimin me ne thellesi per nje apo dy problematika.Pra vete artikullshkruesit duhet te kuptojne veshtiresite e trajteses dhe te vendosin prioritete te sinqerta.

Shembulli i sjelle i K.Gjoshes eshte domethenes. Ja vlen te merresh me te, pertej idividit , si fenomen, aq me teper qe rasti i saj eshte bere vizibel me brutalitet nga media.Foton e saj e shikon te udhetoje nga nje kopertine ne tjeteren, nga nje gazete ne tjetren. Nuk eshte rasti i pare por ndoshta me i fresket i nje kariere rrufe nga Bashkia tek Partia e qe kendej ke Ministria. Cfare eshte kjo, nje gjeni si perfaqsuese e gjinise se saj? Nje dilome e marre jashte eshte celsi suksesit te saj? Apo dora magjike e kuotve te detyruesheme gjinore? Apo fijet nepotike qe shperfillin konkurencen, meritokracine, kontributet dhe fabrikojne e pompojne supervlera?

Mertiri e le te flasi permes intervistes se saj pa  bere ndonje analize te plote. Kurse tropizma shkon me tej, ne thelbin e problemit, ne tensionin qe shoqeron sot femren moderne raporti familje -kariere. Nga intervista del se Gjosha na qenkerka nje supergrua qe ben edhe zv/ministren, edhe te dashuren,edhe shoqen, edhe mikeshen, qe gjen kohe per gjithcka dhe ..asnje stres, tension, ankese.

Mundesia e pare eshte se funksioni i zv/ministrit  ne administraten shqiptare eshte nje vend pellumbash epellumbeshash, sa me u gjet kola ne pune e me shijue benefitet e pushtetit.Po kur te behet nene- pyet tropizma, kaq e kollajte do jete kariera, kaq lehte mund te mbahen tre kunguj mbi shpine, kungulli kariere, kungulli femije dhe kungulli burre? Me duket e drejte pergjigjia e Mondes:  keto tensione , aq stresuese ne perendim, ketu zbuten sepse pas nje gruaje ne kariere eshte nje familje qe obligohet..ose grate e karieres jane agjente te punesimit te grave te vobekta si kujdestare femijesh. Ose kjo grua nuk tregohet e sinqerte ne interviste dhe pozon anen e saj te ndritshme, ku gjithcka funksionon...duke u bere artikuluese e postfeminizmit te rrejshem:yes, sot nje grua mund te kete gjithcka! 

 

Habia qe shoqeron emrimin e M.Kodhelit ne krye te dikasterit te mbrojtjes eshte shprehje e stereotipizimit te femrave ne role/funksione tradicionale gjinore dhe "natyrore " si mjeke, mesuese, rrobaqepse, infermiere. Per femrat ne politike propozohet klisheja: te jene sa me feminile,  te qeta, me zerin soft , mace te buta me thonj te kuruar, engjej veshur firmato, ne kontrast me modelin e mashullirizimit te femrores (rasti Topalli).  Kerkesa  se   femrat "nuk duhet te sillen si meshkuj",  steriotipizon femren si krijese inferiore dhe thelbin e qenies se saj e shikon tek feminiliteti trupor dhe  verbal.Prej ketej dhe femrat e kopertinave, duke persfshire dhe politikanet apo ish prokuroren qe pozonte si modele, nuk jane gje tjeter vecse trupa te percaktuar nga sexi tyre dhe fabrikuar nga ideologjia e individualizmit konsumerist.Trupi i nenshtrohet teknologjise se pushtetit kurse gjinia manifestohet si konstrukt kulturor. 

Monda, Spiritus, ceshtja e medias dhe ceshtja e memesise qe te dyja kerkojne trajtime serioze dhe te gjata, une ketu po perpiqesha te beja nje panorame, duke dhene shembuj per gjerat qe thuhen por sidomos per gjerat qe nuk thuhen. Sigurisht, eshte vecanerisht e veshtire te flasesh per ate qe nuk thuhet, se meqe nuk thuhet, me cilat fjale do ta thuash? Ky eshte problem i vertete, si te gjesh fjalet qe nuk jane thene, imazhet qe nuk jane fotografuar, numrat qe nuk dihen dhe emrat qe numrat fshehin. Rama thote se do te binjakezoje INSTAT-in me nje moter te madhe evropiane - ver re humorin sasior - qasje eshte edhe ajo, ne vazhden e binjakezimeve te tjera televizive, universitare, me radhe (por kush perkthen?) Sidoqofte premtoj se do te shkruaj me gjate per ato dy pika, gje qe jeni te lutur ta beni edhe ju.

Gjithe te tjeret faleminderit qe me lexuat.

Nuk mora asnje gje vesh! Ku eshte problemi dhe per cfare shqetesohet autorja? Vetem nje gje eshte e qarte, levdatat per Edi Ramen qe ja paska kaluar edhe Evropes per punen e grave ne poste ministrore dhe qe paska vene Mimi Kodhelin MM, ne nje post aspak te pershtatshem per te por feministja me siper thote qe qenka bash per ate post.

Shkrim qe ngre disa pika te rendesishme, pare keto nga nje kend me i mprehte e me ndryshe nga c'flitet zakonisht per femren ne Shqiperi.

Eshte e qarte, mendoj, se ka ne opinion publik sot nje pritshmeri me te larte per evoluimin dhe perparimin social te gruas se c'ka patur tradicionalisht ne Shqiperi. E megjithate, te pakten sic e shoh une, kjo pritshmeri shoqerohet me habine, deri diku, dhe me zhgenjimin qe pse gjerat ne kete plan nuk ndryshojne me nje ritem proporcional ndaj ngritjes konstante, dhe disi rituale, te zerit per te drejtat e grave. Mua personalisht diskursi feminist ne Shqiperi me jep ndjesine e xhirimit te gomave te makines ne vend, circles in she sand, perseritje te te njejtave principe te importuara pa dogane nga perendimi, you get the idea. E kam fjalen, vit per vit degjojme te ngrihet kjo ceshtje si problem diskutimi ne studiot e TV, opinionistet bejne artikujt e rradhes ne gazeta, grate politikane dalin neper forume e mitingje duke promovuar x apo y kauze te gjinise ne fjale dhe ne fund jeta vazhdon si perhera ne Shqiperi, me njemije halle e ku gruaja, si kategori gjinore e sociale, mbetet pak a shume aty ku ka qene tash sa mot.

Ne kemi nje tradite shqiptare, te vecante e sipas menyres tone, te vendit te gruas ne shoqeri (ne shoqerine maskiliste) e qe nuk percaktohet kollaj sipas perkufizimeve perendimore te feminizmit. Anglezes Edith Durham i beri pershtypje kjo gje para njeqind vjetesh, kur dhe shkroi sa vijon:

 “She speaks freely to the men; is often very bright and intelligent, and her opinion may be asked and taken” (libri High Albania, 1909).

Me "she" e ka fjalen per femren malesore ne pergjithesi. Por sigurisht se kjo eshte vetem nje nga rastet e rralla ne vepren e Durhamit ku antropologia feministe pergezon komunitetin shqiptar nga kjo ane. Ne shumicen e rasteve, e s'kish si te ishte ndryshe, ajo i jep reston mentalitetit maskilist e kanunor qe e shihte gruan si prone, si "wicked" prej natyre, si inferiore etj. etj. Shume uje ka rrjedhur ne njeqind vjet histori e shume gjera kane ndryshuar, pse jo per mire. E megjithate, prapeseprape ja ku jemi.

 

  

 

Keshtu qe thoni ju shoqe e shoke, qe s'thate asgje...

Nese grate ne politike sot do bejne ndonje ndryshim, qofte per apektin e vendit te gruas ne shoqeri e qofte per vete politiken, ato duhet te ofrojne nje sjellje dhe imazh te ndryshem nga c'kane ofruar derime tani burrat ne politike, te cilet kane dominuar dhe vazhdojne te dominojne lidershipin shteteror. Pra, nese tipare negative, qe tashme jane formesuar edhe si stereotipe, te politikes ne Shqiperi kane marre vulen maskiliste si "made of men", atehere grate kane shansin qe t'i shmangen ketyre dukurive dhe te ofrojne nje alternative, e cila para se te jete thjesht gjinore, duhet te jete morale. Nese intrigat, genjeshtrat, mitmarrja, taraflleku e fodulleku jane bere karakteristikat perkufizuese te tipit politik (dhe shihen, ipso facto, si vese maskiliste, sepse politikanet kane qene ne pjesen derrmuese burra, historikisht), atehere grate duhen te shkeputen, ne menyre koshiente e strategjike, nga keto dukuri. Vetem nese grate ne politike ofrojne nje rol dhe imazh jokorruptiv ato mund t'i ngrene shume vlerat vetes, por edhe gjinise, ne sy te nje publiku e votuesi teper te lodhur e te acaruar me plaget qe politika i shkakton vendit. Thjesht shtimi i numrit te vajzave e  grave, si perqindje e statistika, nuk mjafton.

Nje pyetje kyc, ne kete plan, qe shkrimi me siper shtron eshte kjo:

çfarë përfaqësojnë dhe çfare modeli ofrojnë këto politikane për gratë dhe vajzat, cfarë ideje ushqejnë tek burrat dhe djemtë për gruan a sotshme dhe qasjen e saj ndaj pushtetit? 

Sic po thoja, per mendimin tim, modeli duhet te jete moralisht ndryshe, dhe jo thjesht ndryshim estetik apo gjinor (te tipit, femra eshte me e bute nga natyra, ka finese, instinktet e saj si nene nuk e lejojne qe... etj. etj. -- klishe qe i kemi pare e degjuar dhe qe s'pine shume uje).

Ndoshta e gjithe kjo do te thote qe te kerkosh shume prej grave. Epo, nese e kane seriozisht emancipimin dhe ngritjen e gruas si kauze atehere duhet qe seriozisht te tregojne dallim nga burrat. Radikalizimi i diskursit nuk con gjekundi pa patur vepra te grave ne qeveri e politike qe te flasin vete se c'te mire sjell femra ne lidership.

 

 

Magus, mbase edhe s'e kam kuptuar mire, por me duket pak si kontradiktore ideja qe edhe pse morali (edhe ai politik) s'ka prapashtese gjinore: 

atehere grate duhen te shkeputen, ne menyre koshiente e strategjike, nga keto dukuri. Vetem nese grate ne politike ofrojne nje rol dhe imazh jokorruptiv ato mund t'i ngrene shume vlerat vetes, por edhe gjinise, ne sy te nje publiku e votuesi teper te lodhur e te acaruar me plaget qe politika i shkakton vendit.

 

Nese e kuptova dhe une pyetjen tende, them se pergjigja gjendet tek termi kyc "ne menyre strategjike". Pra, pare nga ana historike (tradita) apo nga pikepamje humaniste (njeriu si kategori, pa bere dallim mashkull a femer), atehere po, morali publik/politik s'ka gjini. Por nese formojme nje vizion te gruas si qenie me nje moral shoqeror/politik te caktuar dhe te ndryshem nga ai i burrit, atehere mund ta perdorim kete filozofi per te propaganduar ate axhende gjinore qe kerkohet. Ne kete kontekst, "strategjike" do te thote qe nuk perftohet "natyrshem", apo nga tradita, por eshte miremenduar qe ne fillim si program dhe me synime te qarta se c'don te arrije.

Ja nje pyetje ne dukje bazike, por qe s'di te kete nje pergjigje te sakte ne shoqerine tone pasi ndoshta as nuk konceptohet ndarja strategjike e moralit: cili eshte morali femeror sot ne politike? Se ne e njohim shume mire moralin mashkullor qe, ne anen e vet me te erret, na shfaqet si burim i korrupsionit. Atehere cfare alternative morale do sjellin grate ne politike, cfare ndryshimi do bejne qe s'e kemi pare nga burrat? Alternativa duhet konceptuar si e planifikuar, pra strategjike. Ajo nuk mund te vije ne menyre pasive, duke shpresuar tek "natyra" (me e bute, e kujdesshme, si prej nene etj.) e gruas. Po qe per "te natyrshmen" ne do vazhdojme te lexojme ne gazeta e revista mbi recetat e preferuara te gatimit te zonjes X ne qeveri, apo vakancat speciale te zonjushes Y prej partise ne opozite. Keto jane gjera te pritshme, por jo strategjike.

p.s.: Edhe vete mua si burre nuk me vjen mire qe ta quaj moralin politik (me mire te themi "imoralitetin politik") te sotem ne Shqiperi si "mashkullor". Shume thjesht mund te pergjithesohej si korrupsion i te gjitheve, pa dallim burra a gra. Megjithate, fakti qe burrat kane patur dominim absolut ne ate fushe te shpie afer ketij konkluzioni, pra qe morali eshte, nder te tjera, edhe gjinor. Po keshtu qe kultura jone ka qene tradicionalisht patriarkale, nisur nga familja e fisi e deri tek klanet e qeverite, edhe kjo deshmon per sensin gjinor te filozofise morale, ne politike e kudo gjetke. Une vete kam akoma shume shpresa se burrat mund te bejne gjera te medha ne Shqiperi, por kjo eshte nje teme tjeter. Nuk eshte se e shoh si te pandreqshem moralin mashkullor atje, por ketu po flasim per grate. Cfare ofrojne grate qe eshte ndryshe?

 

Une do thosha se pjesa me e madhe e aktivitetit emancipues te femres ne Shq. mbetet e kufizuar dhe e nje cilesie te dobet. Them se perfaqesohet kryesisht nga kerkesa per arritje profesionale, karriere, biznesi, politike si qellim ne vetvete, ose mbetet ne rangun e sherbimeve sociale ndaj segmentit te grave te periferise (‘te tjerat’- sic thuhet ne shkrimin opinion).

Nderkohe qe ne grupin e pakte femeror qe arrin te ngreje aspirata edhe ne nivel emancipues, pjesa me cilesore e aktivitetit, mbetet sporadike e vetmitare. Ky artikull me duket nje shembull i mire psh. me problematikat qe ve ne dukje.

Ja nje tjeter psh:

“  Tre pyetjet e ngritura në tre paragrafët e parë kërkojnë mbi të gjitha një sinqeritet në përgjigje nga femrat vetë, të cilat deri më tash nuk kanë treguar se si grup, përfaqësuar nga intelektualet dhe aktivistet mes tyre, kanë dëshirë të pyesin pyetjet e vështira që lidhen me ato vetë.”

Sic e pranon autorja, identifikimi i mire i pyetjeve qe duhen bere, zbulimi i te padukshmes, eshte e rendesishme ama edhe e veshtire. Por nga kjo duhet filluar.

Ne lidhje me produktivitetin ne komente mendoj se u tha qe problematike eshte e disafishte dhe ky opinion ishte perpjekje per nje panorame. Them se trajtime te plota apo ndonje konkluzion nuk mund te priten ne kete rast, mgjqe edhe mund te ndodhe. Dmth me c’kam pare ne kete faqe, eshte shpesh ceshtje “ndodhjeje” / rastesie angazhimi i mire dhe i kanalizuar te diskutimeve. Por nese duam me shume, ndoshta mund te konsiderohet nje monitorim me specifik i diskutimeve.

boring...

Në fushën e biznesit të dhënat janë akoma më pak shpresëdhënëse: vetëm 3 përqind e kryetareve të bordeve drejtuese të firmave të mëdha evropiane jane gra dhe gratë zënë vetëm 16 përqind të vendeve në këto borde.

Thjeshte, sakte dhe bukur. Debati u mbyll! Gruuuuua u be gjella? smiley

Tepro ti e di fort mire qe une nuk kom asnje pasion per angazhimin tend ne kete fushe. Ndoshta ngaqe nuk kam kam pa ndonje rast flagrant te diskriminimit te femrave, sidomos ne karriere, kshu qe s'di fare car me te thone. Ama nje gje eshte e sigurte, shumica e drejtuesve ne pergjithesi kane preferenca per seksin e kundert kur marrin dike ne pune.

Ky rasti qe ti jep me lart per kryetaret e bordeve eshte dhe nuk eshte domethenes. Ne poste te tilla arrijne njerez qe vijne nga shkolla shume te mira ose biznesi ose shkencash. Nuk di te them raportin ne shkollat e biznesit, po ne mbare universitetin tone mbante ere testosterone (70 000 bashke me pedagoget dhe stafin, mbi 70% ishin meshkuj). Shumica prej nesh dreken e hanim ne mensen e nje universiteti shkencash shoqerore qe kishim afer. (Xhibi dil nga mendja ime te lutem!) Aty meshkujt ishin specie ne zhdukje. Nje ish e dashura ime kishte vetem 3 meshkuj ne nje klase me 30 e ca studente. 

Persa i perket politikes, me perjashtim te ndonje aktivistie per te drejtat e femrave (vite me pare) une nuk mbaj mend asnje kontribut te vecante te politikaneve qe te lidhet me faktin qe ishin femra. 

Nuk dua fare t'i diskutoj statistikat e "shkollimit" te politikaneve (me ë dhe e) ne Shqiperi persa kohe nje pjese e tyre marrin letra bakalli neper universitete private. Ama dua qe te me gjesh ndonje statistike se sa % e femrave qe jane me te shkolluara se burrat e tyre (ne nivel universitar jo krahasim njoni 3 klase e tjetra 5) divorcohen nga burrat brenda pak vitesh. Ne rrethin tim miqesor rezulton pothuajse 100%. Biles mund te te jap disa raste kur keto zonjat shkollat i kane bere fale sakrificave dhe djerses se burrave. Sapo kane hedhur lumin i kane dhjere kalin. Nderkohe qe e kunderta nuk ndodh pothuajse kurre. Nuk po e them kete per te thene qe nuk duhet te shkollohen femrat (se gati je me te keqkuptu ti smiley) po per te tregu qe edhe femrat ne sjelljen e tyre i ngjajne me shume asaj qe kerkon ajo drejtoresha e Facebook se sa atij modelit te nenshtrimit dhe viktimes qe na paraqitet rendom.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).