Pse duhet ditur ç’është “Albania veneta”?

Është domosdoshmëri që në mbartjen e dijeve historiko-kulturore të çdo shqipfolësi të kihen njohuri për këtë emërtesë të rëndësishme historike, jo thjesht si terminologji, por si pjesë shumë e rëndësishme e rrugës që ka përshkuar kombi shqiptar. Për këtë periudhë, që përfshin Mesjetën e mesme e të vonë, të banorëve të Shqipërisë së Veriut, tashmë në shërbimin tonë janë shtuar dukshëm lëndë e studime, të cilat krijojnë mundësinë për të zgjeruar këndvështrimin e për të nxjerrë përfundime historike e sociale. Veçohen si prurje të reja të rëndësishme ato hulumtime të Giuseppe Valentini-t dhe studimet historike të Oliver Schmid-it, Luçia Nadin-it e Pëllumb Xhufit; bashkëpunimet e Institutit Italian të Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare; nëntë vëllimet e “Illyricum Sacrum” të përgatitura nga Daniele Farlati dhe Jakobo Coleti.

Albania veneta-Shqipëria venedikase përbën një tokë shqiptare të kafshuar e të shkëputur forcërisht nga trupi prej fqinjëve, plagët e të cilës, të lëpira prej më se 100 vjetësh, tashmë quhen të mbyllura. Njohja me Albania veneta merr kuptim sepse risjell në vëmendjen tonë të vërteta të pamohueshme në rrafshin e vlerave historike.

Pak gjeografi dhe hartografia

Pjesa e tokave të Shqipërisë së Veriut që morën emrin “Albania veneta”, shtrihen nga Lezha deri tej Grykës së Kotorrit, në Kastelnovo, afër Raguzës. Është një rrip bregdetar i Adriatikut Lindor, me një areal passhpinor etno-kulturor kryesisht shqiptar. Mbi bregdetin “Shqipëria venedikase”, që shtrihej për më shumë se 120 kilometra, ndodheshin portet e Ulqinit, Tivarit, Budvës, Perastit, Risanit, Kotorrit dhe Kastelnovos. Paksa në brendinë lindore, Shkodra, Shasi, Danja dhe Drishti.

Në hartat e Mesjetës dukshëm shihet se emërimi Albania, zë vend në veriun shqiptar. Për shkak të njohurive të mangëta mbi hartat e vjetra, në disa prej tyre, në pamjen e parë duket se kemi të bëjmë me ndonjë gabim të hartografit (shih ilustrimin, hartë e shek.XV), por duke ditur se hartat vetëm nga shek XIX janë përdorur si dredhi politike, ku me përjashtim të Shqipërisë që nuk kishte mundësi të shtypte të tilla, fqinjët serbë, bullgarë e grekë i përdornin ato të motivuar nga njëanshmëria, qartësohet se emërtimi Albania qëndron mbi veriun shqiptar më së miri. Hartat veneciane mbeten nga më të saktat e më se të paanshme.

Si dhe kur lindi emërtimi, “Albania veneta”

Duhet thënë që në fillim se termi i përket një territori shqiptar, ku Vendiku kish vendosur sundimin kolonial. “Kjo histori aq komplekse-shkruan Pierre Cabanas te Histori e Adriatikut-aq dramatike, me ngritje e rënie, përmbysje vlerash e popujsh…fillon të shfaqet nga koha kur konsolidohet Republika e Venedikut”. Deri më 1186, portet Adriatikase, Raguza, Kotorri, Tivari dhe Ulqini, ishin në zotërim të zhupanit të madh, Stefan Nemanja. Për pak vite u duk sikur Venediku e humbi kontrollin në bregun lindor të Adriatikut, por ai rikthehet aty kur sheh se shfaqet (1190) bërthama e një shteti shqiptar, Arbanoni, me shtrirje në brendësi, pa pasur ndonjë port-dalje në detin Adriatik. Pushteti autonom arbëror, ku sundon dinasti Gjin, u pa si kërcënim nga Republika e Venedikut për supremacinë e saj në det, ndaj në 1205, me synim që të mbajë çelësat e rrugëve tokësore drejt lindjes, krijoi dukatin e Durrësit. Fillon e merr rrugë Arbanoni venedikas.

Historiani Oliver Schmid, i vendos zanafillat e provincës venedike të Arbërisë, më 1392. Schmidi thotë: Arbëria Veriore u shndërrua në Arbëri venedike, sepse elitat shqiptare u detyruan e se nuk u mbeti alternativë tjetër politike veç Venedikut. Lidhjet e qëndrueshme të Republikës Serenissima me bregun lindor të Adriatikut, e posaçërisht me bregun shqiptar, njihen të kenë filluar në fundin e shek. XIV dhe fillim shek. XV, kohë kur perandoria detare vendosi sundimin e saj në Shqipërinë e Veriut. Historiani Bernard Doumere, shkruan tek “Adriatiku në shekujt XIII-XVIII”, se termi ”Shqipëri venedikase” është krijim i Serenissimas, në kuadrin historik të fillim shekullit të XV, kohë kur ajo i caktoi vetes një objektiv: t’i rivihet pushtimit të Dalmacisë. Ishte Dogja Antonio Venier, ai që vendosi rindërtimin e një perandorie të madhe koloniale të përtej detit, ”Actum de imperio credere”, përballë një kundërshtari që kërcënon gadishullin ilirik, sulltanit otoman.

Mes viteve 1392 e 1396, emërtimi “Shqipëri venedikase” i zotërimit të Republikës së Shën Markut në bregun lindor dalmat, zinte vend në dokumentet zyrtare. Dokumentet doganore të drithit e përmendin atë gjithnjë e më dendur, pasi Venediku pushtoi Lezhën, më 1393, Shkodrën e Drishtin më 1396; Durrësin, i cili nga viti 1398 i ishte dorëzuar Venedikut nga Topiajt dhe Ulqini, që u pushtua nga Venediku më 1405. Po tek “Adriatiku në shekujt XIII-XVIII” të Pierre Cabanes, autori Bernard Doumere citon një dokument të fund-shekullit XIV, ku “Senati u kërkon administratave të zotërimit kolonial Albania Veneta, të organizojnë shkëmbimin e drithërave për përfitim vetëm të metropolit”

Arbëria venedikase është pjesë e Arbërisë së Veriut të cilën, për shekujt XIV-XV, i pari që e paraqiti ishte albanologu gjerman, Karl Hopf. Emërtimi “Shqipëri venedike” rrodhi si pasojë e nevojës për t’u dalluar ky zotërim i tokave shqiptare nga trevat e tjera shqiptare që ndodheshin nën sundimin turk e që në harta, veprimtari të përditshme e dokumente tregtare, njiheshin me emrin “Albania Turke” dhe “Arbëri”, emër me të cilin njihej territori që përfshinte Vlorën, Himarën e Labërinë.

Albania veneta si njësi politike e veçuar

Prejardhja e emrit bën të njohur se në këtë trevë, me një rrip bregdetar që përfshin 5 porte e 7 qytete, është shuar jeta shoqërore e organizimi i Perandorisë Bizantine dhe është vendosur kultura dhe organizimi latin. Venediku, për një periudhë relativisht të gjatë në bashkëjetesë me Perandorinë Bizantine, mbi zotërimet e saj në detet Adriatik, Jon dhe Egje, ndërtoi perandorinë e saj. Adriatiku Lindor u kthye në një gjerdan qytetesh-porte, ku shquheshin Zara, Spalato, Shebeniku, Trogiri, Raguza, Kotorri dhe Ulqini. Vija bregdetare nga Gjiri i Kotorrit e deri në Lezhë dhe brendia tokësore që përfshinte krahun e majtë të Drinit, me qytetet mesjetare Sapa, Danja, Shasi, Sarda, Shati, Shkodra, Drishti, territori mbi Shkodër, deri në Zabljak, u quajtën “Shqipëri venedike”

Venetizimi i Dalmacisë dhe “Shqipërisë venedike” ishte përcaktues për fatin e popujve (shqiptar dhe sllav) që jetonin në rripin bregdetar të izoluar prej maleve në brendësi. Jetesa e tyre varej nga Venediku. Zotërimet “Albania veneta” marrin statuset e tyre në kufizimin kohor 1307-1449. “Nga korriku i vitit 1388-thotë historiani Ducellier-Serenissima fillon të ndërhyjë në Durrës, derisa Topiajt e dorëzuan. Më mirë…për një pension prej 700 dukatash, sesa ta shikonte qytetin në duart e osmanëve”

Shqiptarët e ”Albania venetos” dhe Republika e Raguzës

Njësia politike Shqipëria venedike jetoi në marrëdhënie të ngushta me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotëm sllav) që ndodhet paksa mbi Grykat e Kotorrit. “Raguza, ky qytet tregtar-thotë historiani Paolo Petta – ku mjaft familje fisnike ishin me prejardhje shqiptare dhe ku autoritetet bashkiake mbështetën vazhdimisht Skënderbeun dhe luftën e tij”, ishte e rrethuar nga një pari me origjinë tregtare që sundonin botën e detarëve, artizanëve e fshatarëve, (këta të fundit, kryesisht sllavë dhe shqiptarë që popullonin tokat përreth). Kjo republikë, sipas historianit Georges Castellan (Histori e Ballkanit), ishte e para në gadishullin ilirik që kishte hequr bujkrobërinë në vitin 1456.

Republika ishte themeluar në shek.X. Si fuqi rivale në dete, ajo kishte humbur betejat me Republikën e Venedikut dhe kishte firmosur një pakt bashkëjetese në kushtet e vasales. Nënshtrimi ndaj më të fortit e detyronte që t’i jepte simbolikisht në çdo tre vjet Republikës së Venedikut si dhuratë një kupë argjendi me vlerë 20 zekinta

Raguza-Dubrovniku i sotëm – u ishte nënshtruar turqve që më 1458, por më 1481 u bë qytet-shtet vasal i Portës, me detyrimin e pagesës së një haraçi prej 12500 dukat ar në vit. Vasaliteti zgjati tre shekuj e gjysmë. Statusin e saj si qendër e kulturës latine, porta nuk e cenoi. Nga Raguza, për në jug, fillonte rruga “Via de zenta”, që mbaronte në Shkodër. Në vitin 1450, nga arkivi i Dubrovnikut mbërrin e dhëna se Raguza kishte 6500 banorë brenda mureve dhe rreth 3 mijë në rrethinat.

“Në Raguzë – sipas Oliver Chaline – gjuhë e zakonshme përdorej sllavishtja dhe italishtja. Elita fliste e përdorte në dokumentet e saj latinishten, por nuk mund të përdorej për t’u marrë vesh me fshatarët dalmatë dhe malësorët shqiptarë. Bëhet fjalë për një trevë, nga na vjen një nga dëshmitë më të vjetra për shqiptarët e gjuhën e tyre. Është një dëshmi gjyqësore raguziane që e përmendim, sepse ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe. Ajo tregon arealin homogjen të popullatës shqiptare në passhpinën e malit që rrethon Raguzën, me emrin Shën Shirgj: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe”(Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca). Kjo dëshmi e nxjerrë nga analet raguziane, është bërë më 14 korrik të vitit 1284 dhe është i pari dokument për gjuhën shqipe e folësit e saj.

Albania Veneta, një histori bashkëjetese e shqiptarëve me Venedikun

Për Shqipërinë, Albania veneta ishte fillimi i një periudhe historike, kur gjithë Europa do mbetej me sytë mbërthyer te lufta titanike e Skënderbeut kundër një pushtuesi më të fortë e të egër. Nga ana e tyre, venecianët, duke njohur karakterin rebel e luftarak të shqiptarëve, i përdorën jo rrallë si mercenarë.

Historia e Shqipërisë venedikase vjen në unitet me historinë e shqiptarëve në të gjitha trevat. Kjo ishte një krahinë, nga ku – siç shkruan Luçia Nadin – “…familjet Patrice veneciane, i kishin fatet e tyre të lidhura me lindjen dhe posaçërisht me Shqipërinë, ku kishin hedhur rrënjë qysh në Mesjetë, nëpërmjet importit të mallrave të sjella nga zonat e brendshme me karvanë, udhëtimeve vajtje-ardhje të anijeve të mallrave, investimeve bujqësore në fushën bregdetare”.

Venediku, shprehen historianët, mund të mbahej në “Shqipërinë venedike” vetëm falë vullnetit të mirë të popullsisë shqiptare, nënshtetas besnikë, që shihnin te republika një çlironjëse nga sundimi i egër sllav dhe mbrojtëse nga pushtuesit e rinj otomanë. Këshilli i Madh i tyre u dha qytetarinë më 1439 vëllezërve të Skënderbeut, Gjergj Stres Balshës dhe një numri të madh shqiptarësh të ardhur në Venedik pas pushtimit të Shkodrës. Këtu gjetën strehë një pjesë e të ikurve pas pushtimit turk, të cilët, si u integruan në bashkësinë e Venedikut, lanë në historinë e këtij qyteti emrin Alban në kisha, shkolla, rrugë e patricë si dhe një afresk kubeje të shekullit XVI në pallatin e Dozhëve, me pamje nga beteja për mbrojtjen e Shkodrës. Biri i Venedikut, Antonio Vivaldi, në kulmin e krijimtarisë i kushtoi Skënderbeut një dramë muzikore dhe, sipas historianit Gennaro Francione, te Katër Stinët Skënderbeu përfaqëson në frymëzim stinën e ringjalljes, pranverën.

Lundrimi dhe tregtia

Fuqia e Republikës së Shën Markut dhe Republikës tjetër mike, asaj të Shën Vlashit-Raguzës, qëndronte te zotërimi i anijeve të lundrimit. Epërsia e tyre detare arrin kulmin në shekullin XV. Më se 300 anije të Venedikut ishin pikëmbështetje për zotërimin e brigjeve të populluara dhe të pasura të Adriatikut Lindor. “Nga zotërimi i saj “Albania veneta”, Venediku merrte, thotë historiani Oliver Chaline, një numër të madh detarësh, pronarë anijesh, kapitenë dhe armatorë”. Veçohen sidomos ata të Kotorrit, ku gjenden një mori portesh natyrore. Në Grykat e Kotorrit, një numër gjiresh e kanalesh ujore, vendosur nën hijen e maleve, ishin mjaft të lakmuara për qëndrim portual dhe ankorim. Brenda këtij fjordi adriatikas lulëzonin portet e Castenovos, Risanos, Perostos dhe Kotorrit dhe anijet dilnin prej saj përmes grykës së fortifikuar të Kumborit.

Interesat e Venedikut për mbajtjen nën zotërim të Shqipërisë venedikase fillojnë nga sektori detar, i lidhur ngushtë kjo me ushtrinë. Kronikat e kohës vlerësojnë se nga rreth 25 mijë ushtarë që mbante Venediku, vetëm 5-6 mijë prej tyre ishin me kombësi venete. Të tjerët, kryesisht ishin shqiptarë dhe sllavë. Pason lidhja me zejtarët, ngjyrosësit, endësit, e mjeshtëri të tjera, zeje këto për të cilat në “Shqipërinë venedikase”, republika u fshinte taksat për 15 vjet, me të vetmin detyrim që prodhimet e tyre t’ua shisnin vetëm venedikasve. Shqiptarët janë të vendosur në pika kyçe të detarisë e të tregtisë deri brenda në Venedik, në lagjen “Te Engjëjt”. Në zotërimin venedikas, vendasit u punësuan në numër të madh edhe në administratë e polici. Profesor Pëllumb Xhufi na sjell shpjegimin bindës se të gjithë emrat e personave që gjenden në dokumentet mesjetare të Albania venetas, janë vetëm përkthime trajtash të shqipes.

Nga portet e Albania venetas merrnin rrugë një mori lëvizjesh import-eksporti. Kështu p.sh., Lezha, “syri i djathtë i Durrësit”, zotërim venedikas, nga 1393, kohë kur i kishin përfituar prej Dukagjinëve, sipas Oliver Schmid, kontrollonte tërë tregun e kripës për në Serbi. Nga portet e Grykës së Kotorrit, Tivarit dhe Ulqinit, rregullisht lëviznin prodhimet e minierave të metaleve të çmuara dhe plumbit, që vinin nga Novo Bërdo, Srebenica, Rudniku, Brescoa dhe Trepça. Nga Shkodra, përmes lumit të lundrueshëm Bunë, eksportohej për në Venedik, lëkurë, lëndë drusore, drithë, dyllë e mjaltë.

 

Vijon

Në numrin e nesërm do lexoni:

• Pak fjalë për “Directorium ad passagium faciendum”

• Albania Veneta, zanafilla e shndërrimit të dialekteve në gjuhën shqipe

• Prerja e monedhave dhe emetimi “DALMAT ET ALBANIA”

• Fundi i Shqipërisë venedikase, shpërbërja

• Si u rrit dhe zgjerua Mali i Zi me tokat shqiptare, me ndihmën e Rusisë?

• Demografia e Arbërisë venedikase, passhpinës bregdetare të saj dhe asimilimi i shqiptarëve

18 Komente

 

  Ky eshte nje artikull shume interesant, i cili flet per nnje pune shume serioze te autorit, i cili pasion ka filateline, por krahas ketyre i eshte dashur qe te studioje shume, qofte edhe per historikun e tyre. Shkrimi tregon per nje pasion dhe seriozitet, ne ate qe perpiqesh te besh. Bajram Peçi, jo se eshte historian, por menyra dhe skrupuloziteti i veshtrimit te ngjarjeve dhe fenomeneve, e ben padyshim nje shembull edhe per ta. Per mua ishte nje befasi e kendeshme, pasi lexova diçka qe nuk e kisha lexuar me pare. Ja keshtu, secili nga ata qe mendojne qe dine diçka apo kane lexuar diçka me shume per nje problem apo ngjarje te caktuarr, duke e publikuar, i bejne nje sherbim shume te çmuar kombit dhe shoqerise. Ja per te tille njerez kemi nevoje.

Falenderoj adminet per postimin, dhe ftoj komunitetin peshkor per nje diskutim intelektual te ketij shkrimi.

Shkrimi mu duk mjaft real per sa kam degjuar dhe jam informuar modestisht ketu ne venezia,mbi rolin e Skenderbeut ne luften kunder turqve,ne mbeshtetjen qe ata i dhane per ta arritur kete qellim dhe mjerisht kur ai tashme i lodhur dhe i plakur ju kerkoi ndihme ata i kthyen kurrizin ne nje moment kur turqit ishin dobesuar pak dhe nuk perbenin me rrezik per venedikun, po ashtu permenden shqipetaret ne tregetine e mallrave.

pres me ininteres prurjen e dyte,,ju flm!
 

Shume interesante alidemso. Rrofsh per prurjen!

Une i kam shetit shume keto ane dhe toponimet ne shqip vazhdojne te jene prezente. Ne mos gaboj midis Tivarit dhe Budves eshte nje toponomin qe quhet Kufij. 

Por mua nje gje me beri pershtypje, sa te nxitum dhe paragjykus qe paskan qene ato Topijajt kundrejt turqeve! 

“Nga korriku i vitit 1388-thotë historiani Ducellier-Serenissima fillon të ndërhyjë në Durrës, derisa Topiajt e dorëzuan. Më mirë…për një pension prej 700 dukatash, sesa ta shikonte qytetin në duart e osmanëve"

Ja Rono, keto jane gjonat qe me intrigojne me shume..... eshte njesoj si Le Peni, qe e leshoi Parisin pa lufte.... edhe ai ashtu tha... me mire gjermanet se Parisin e shkaterruar....

alidemso, mu me duket se rasti i Le Penit me Parisin nuk eshte bash njisoj si rasti i Topise me Durresin. Do ishte e njejta nese Le Peni Parsin do e kish kalu ne sovranitetin e Anglise dhe te thoshte me mire ja jap Parisin angleseve se sa ta morin gjermonet. 

Problemi eshte se nese eshte e vertete ajo qe pretendojne shume shqiptare muslimon se turqit na qiten ne selamet athere Topia ja ka fut kot qe ja ka kalu Durresin Venedikasve. 

Jo, jo ate e di por behet fjale per nje paralelizem, ndoshta jo te qellluar ne shkak,  por ne preteks te njejte... e persa i perket bemes se Topise, behet fjale per shume me pare se te vinin turqit.... behet fjale per shkaterrimin e qytetit nen topat e Venedikut...

alidemso, ma boj hallall por me duket se e ke kuptu gabim. Sipas ati historianit te cituar Topia ja ka kalu Durresin Venedikut pikerisht kur e ka kuptu qe vet nuk e mbronte dot prej turqeve. Une per vete kshu e kutoj fjaline me poshte.

"Më mirë…për një pension prej 700 dukatash, sesa ta shikonte qytetin në duart e osmanëve"

Jo Le Pen por Peten ( Petain)

smiley gabimi im....

Interesant permbledhja. Mund te ishte ndalur pak me sgume mbi princet, familje shqiptare dhe aleancat me venedikun. Lucia Nadin eshte studiuesja qe ka nxjerre ne drite Statutet e Shkodres.

Hunter, pjesa e dyte eshte me perfaqesuese ndaj kur ta lexosh edhe te, atehere do te duhet te nxjerrresh nje konkluzion tjeter. Nuk behet fjale per emra fisnikesh, po behet fjale per admministrim shqiptar nen venetikun, behet fjale per para te prera per Albanine... po neser....

Flm smiley Venediku kane qene tregtare dhe kerkonin pika strategjike per mbrojtjen e rrugeve te anijeve. Nuk i interesonte te sundonin, pushtonin, prandaj lejonin administrim lokal. Si dhe vete stili i tyre ka qene shume liberal per kohen, prandaj eshte e kuptueshme ajo shprehja e Topise per Durresin qe citon Roni.

une jam shume kurioz te di se cili ka qene ndikimi i venedikut per shkaterrimin e gjuhes shqipe dhe popullimin e zones me sllave. sepse, kur ne shekullin e 13 e ka marre venediku ka qene shqiptare zona, kur e ka dorzu ne shekullin e 18 ka qene sllave ne pjesen me te madhe te saj. 

pse asnje shkrim nuk e ve ne dukje. dhe sa per informacion, fisniket shqiptare te shkodres kane qene kunder skenderbeut, dhe jo pro sic duam ta japim ketu. edhe ata te drishtit dhe te dejes. lufte mesjete e eger. 

Venedikasit kane nderhyre pak ne jeten e qyteteve, sepse si tregtare i interesonte te kishin pika mbeshtetje per anijet e tyre. Dmth stili i tyre ishte i nje pushtuesi qe kerkon me shume aleancen dhe sigurine se sa sundimin. Sdq Venediku nuk ka leshuar zonen ne shek 18 sepse qe ne shekullin 15 eshte bere vasal i Perandorise Osmane. 

 Kendshikim Interesant .Ne se do te zgjidhe dhe disa Pyetje , edhe pse pa shume dokumente , tabloja per nje " Albani Venetikase " mund te formoje nje Teze jo pa perfundime per rrolin e banoreve te perketej Adriatikut te Sotem .

Se pari vezhguesi Peci mundet te pyeste ...C'mund te ishin tjeter keto Troje ne vitet qe sjell , pervecse nje vazhdimesi e Zotrimeve per " Mare Nostrum " Sepse ne fund te fundit duhet te dale nga Cfare perfaqesonte Venettiku ne ate KOHE ? Se keshtu sic e ka na del Historia e Venetikut ne Albanie me duket !

Se dyti ..e perse te mjaftohej deri ne ato Zoterime dhe te mos shtrihej me tej per te kapur Otranton ? Te kujt ishin ato troje aleate te Skanderbegut me vone dhe sipas Shkinaks armiq te Anadollakeve Turkoshake verior ? 

Plus qe ka nje dokument i cili permend edhe Kaninen si Zotrim( Vasal )  rreth vitit 1205 .

Mendoj se perkthime me shprehjen "drithrat " me origjine nga "Albania Venetta " duhet te kete kuptim Urra - Patrioti aq me teper kur lexojme si argument nje futjakots sidomos me Vite te famshmin Oliver spekulator ne interpetim Shm...t !

Drizo, Shmiti duhet vleresu per ato qe i ka te drejta dhe duhet sha per ato qe i ka gabim. Per mua personalisht, megjithe kufizimet e veta, ai mbetet sot per sot historiani me ne ze qe punon per historine e Shqiperise...

 ke harruar te shtosh : 'bashke me Lubonjen'.

Kur te lexosh vepren e tij te fundit "Shqiptaret" besoj ke per te menduar se nuk punon per historine e Shqiperise.

Schmitt-i mund te vleresohet vetem per vepren "Arberia venetike".

ps - kush eshte autori i ketij shkrimi?  pyes sepse ve re qe shkruan Shmid ne vend te Shmit, ose permend Shasi e Shati si toponime te vecanta kur eshte e njejta gje. Mund te jete amator po ka bere pune te mire.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).