Arçi asht nji bubuzhel i cili kujton se asht mishërimi i shpirtit të nji poeti të vargjeve të lira; kësi sa bjen nata ai fillon të rrahë me të madhe makinën e shkrimit me krijimet e tij të ditës.

Bashkëbiseduesja e tij besnike përgjatë këtyne netëve të gjata s’asht kush tjetër veçse macja Mihitabel, e cila gjithashtu mendon se ash mishërimi i mbretneshës Kleopatra.

Sëbashku ata janë dy krijimet humoristike të Dom Marquis.

Teksti i nji buburreci siç mund te merret me mend asht pak i çrregullt e diqysh i drejtëpërdrejtë; atij i duhet të hidhet sa nga nji tastjere në tjetrën pa i kushtue shumë kujdes e nge rregullave e shenjave të drejtëshkrimit.

Don Marquis botoi këte poezi në 1927, gjatë viteve të randa të prohibicionit.

Archy and Mihitabel

 

Arçi interviston nji faraon

 

bos shkova  

në  muzeun metropolitan

dhe intervistova mumjen

e faraonit egjyptian

si më urdhnove

 

hë çkemi

naltmadhni lëkurë terun

i them un

 

tungjatë

kacabun picirruk

kambë hallakatun

thotë ai
 

madhni e kahmotçme

i them un

ç lakmie ia vutë synin

asaj kohe të hershme
 

o insekt gazetaruc

qi si hyn në punë njenit

thotë përthamja mbretnore

në të njethtë moshë time

qeshë tepër hijerandë

me i shkue pas kotësive

si lakmija

ne çunat e përkedhelun

të sirasë seti

qemë tepër kryenaltë

me lypë ambicje

e shtyshim kohën tonë

tue kue ibisa

e  porositun piramida

qi na i bishin mandej në shpia

ama  ta kisha dhe nji herë jetën

me jetue prej fillimi

do ti jepsha gjithë ketij pretendimi

nji hokë mbretnore

e veten do ta pajtojsha në punë

në nji punishte birre
 

o tush rrapatush

i them un

me duket se vej re në fjalë tueja

njifarë note  

pezmatimi

 

po jam idhueshëm

thotë syprania sy gërdhoqe

jam aq idhueshëm

sa dhe kanga

e çakallit sudanez

qi asht tue këklishë

për hanën e kuqe si gjaku

qi se mbërrin dot me e shqye

 

për çka e vrisni mendjen

kaq  shumë

me përgjërim aty në heshtje

ma  çel zemnen mue

i them un

franxhollë e thekme

 

mendoj për birrë

grima ime endacake

për  birrë thotë ai
 

këtu iu jap shumë të drejtë

thatsina juej mretnore them une
 

çerri  im i cimrak

thot ai

duhet të jesh

ma kokëulun  

përballë   

kësaj pafundsie shkretimi

arç i vogël

katërdhjetë shekuj etje

të kundrojnë prej tërmaje
 

oh pasha isisin

e orisin

thotë stafidhja princnore

e pasha pishin e pëtushin e pëtahun

pasha librin e shenjt perembru

e të tanë zotnat

qi sundojn prej katarktit te epërm të nilit

e deri në grykëderdhje të duodenumit

jam i eshkët

jam i eshkët sa dhe

goja e mëngjesit tjetër

të shkretinës së harbueme

aq i eshkët sa dhe thundrat

e gamiljes prej timbaktuje

zgrep surrat vogël

jam aq i eshkët sa zemra

e nji stuhije rane

në mesditën e ferrit

për katërmijë vjet u enda

sa kësaj e asaj ane

me silic në gurmaz

si me çakëll gushe

tue mendue

mendue   

mendue  

për birrë
 

thatësinë  hyjnore

i them unë

përskuqje imperiale

mos iu ndal mendimit

merluc i tërun krype

s’ka ligj kundra tij

kësaj ane

nëse nuk bëzan fort për te

jo ende
 

çfarësoj vendi asht ky

pyet hoshafka plakarushe

 

lumnia ime e thekrueme

ky  asht nji vend i pa birrë

i them un
 

eh pike e zezë thotë zharitja mbretnore

më patën thanë sa hera

armiqt politik në vendin tim 

se nji ditë do te kisha përfundue në ferr

e siç duket spaskan gabue
 

e  me këto fjalë të pashpresa

shkrumbi fatzi

u kollë fort prej marazi

e mu përpara syve të mi

u shkërmoq në pluhun e ashkla

zaten qe hera e parë

qi vrojta 

kollën shkimë

sargofagut brenda

 

bos i dashtun tash qi po hidhem e përdridhem

po ndie disfarësoj tragjedish

qi na kanë ranë mbi krye

për vete do të doja

veç nji mik zemërmirë

qi  kur ti bie udha këndejta 

të më dhantojë nji miraz me pije 
 

qe lum miku për arrdhjen

e dytë të Gambrinit

 

arçi

 

 

Shënime

Dinastia Seti – dinastia e nantë e Egjyptit 1292 – 1189 PK.

Ibisi- zog me sqep të gjatë e të kërrusun i përnderuem shumë në Egjyptin e lashtë

Isisi, Osiri – Perendi ne Egjyptin e lashtë

Gambrini – Gambrinus, mbret i Flandisë, i njoftun gjithashtu si shenjti i birrës.

 

përkthimi, piktura v-bey

7 Komente

Përkthim i bukur ( nga cila gjuhë ?) beu fashatit.

Flandisë-- Flandrës.

 

 

Flandisht di vetem njoni di ktuna, po s'e ka shok Gambrinin po Lambrinin.

Nji ku e ke origjinalin.

http://donmarquis.wikispaces.com/archy+i...

Un do t'i kisha shtu edhe 1 krahasim per dryness.

Dry as a nun's crotch!!!

 

Bej, falemnderit për përcjelljen dhe për punën me përkthimin, nuk mundem të ndalem më gjatë për përgëzime apo sugjerime, disa gjëra janë shumë të vështira për t'u përkthyer si për shembull "boot legacy" apo "put the cough into sarcophagus", por Doni qenka vërtet kënaqësi në tërësi dhe me shprehje si "my reverend juicelessness".

i papam Bej, valutë smiley

te lumt dora bej. e kam lexu me shum knaqesi.

Falimderit dhe juve.

E gudita pak andej ka fundi, tashi m'duket ok.

 

Flandisht di vetem njoni di ktuna, po s'e ka shok Gambrinin po Lambrinin.

E ke gabim Bej ky që di flamisht ësht dishepull i Gambrinussmiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).