Post mortum/ Si homazh në 6-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, botojmë një fragment nga libri i lënë dorëshkrim, i fundit i papërfunduar, “Saga e fëmijnisë”.

Jam lindun në mjedis të rruzullit toksor në nji familje blegtorësh gjysë-nomadë, por jo në nji grazhd bagtish: linda në nji pyll.

Nuk e mbaj ndërmend diten që kam le se nuk jam aqi mendëshem, e në të vertetë nuk e dij as sot, por kam besue symbyllas shka më kan thanë të tjerët. A asht e vertet historike kjo? Nuk e dij.

Për si kam ndigjue, ishte fundi i verës 1924. Familja si gjithmon kishte dalë me verue ndër bjeshkët e nalta të Shqipnisë e gjindej pranë nji liqeni alpin, aty ku kufizojshin Malsia e Madhe e Dukagjini. Vendi quhej “Tëthorja e Bogës” më nji naltësi mbi 1600 m.

Mbas mjesdite nana eme e pa se duhej gatue bukë tjeter, mbasi fëmijt e kishin mbarue. Tue kjenë se kunata e saj, nana Lulë, që ishte zojë shtëpie, kishte ra me pushue, dada (ëma e autorit, nusja e shtëpisë) muer tojen e e sakicen e vogel per me prë nji barrë dru aty poshtë në prozhmin (pyll i vogël ku priten dru, korije, zabel) mbi stanet e shaljanve. Mbasi bani nji barrë dru, ndersa po pregatitej me e lidhë, e kapen dhimba të forta. U kujtue mirë. Muer sakicen e vogel me vedi e hini aty mes shkurreve e kerkoi nji copë vend që të kishte sa ma shum dushk. Aty linda. Ajo me sakicen e vogel ma preu kerthizen e e lidhi, siç kishte ndimue kush e di sa herë gratë tjera n’aso rasash.

Mbasi më kishte lidhë në pështjellakun që zakonisht kanë gratë malcore, më muer e më çoi te barra e druve që kish pregatitë e, tue i u dukë teper të vrashta per trupin e njomë, preu do rrema të hollë ahit e i shtroi siper tyne. Mbi to më lidhi mue, vuni litarin në qafë e u ngarkue me barren e druve në shpinë, e me sakicen në dorë filloi kadalë-kadalë shtegun perpjetë me këthye te stani.

Kur mbrrijti nalt te stanet e pështeti me kujdes barren e druve aty te praku i naltë ku lëshojshin bucelat e ujit e mbasi më shtini mbrendë kthei e muer do dru, ndezi zjarmin, vuni nji kusi me ujë më vargue e u vu me gjetë nji kopajë druni, si ato që hapshin tamblin. Mandej, nxori nga thasi i madh i teshave të veta ato që kishte pregatitë per lindjen teme. Muer edhe peshqirin, lëshoi ujët e vokët në kopajë e kur më shtini mue aty mbrendë thonë se fillova me bertitë. Nanës Lulë që ishte shtri bri votërs i duel gjumi i mbasdites e tha:

- Nuse, po çka asht ky za?…

- Ka falë Zoti djalë!

- Djalë? Djalë!

E u çue brof pernjiherit e e pëveti me turr:

- Po ku? Kur? Kush të ndimoi?

- Nanë – sepse kshtu e thirrshim të gjithë si zojë shtëpie, nanë – un e kam pritë per disa dit ma vonë. Kur u shtrine bri votërs me pushue, un mora lakun e spaten e shkova atje poshtë per nji barrë dru, mbasi nuk kemi buk të gatëshme se e kanë mbarue femija. Kur bana gadi turren e druve ndjeva se filluen dhimbat. Kerkova aty në prozhem me gjetë nji skutë ma të butë. Aty ma fali Zoti e nuk pata kurrkend afer me më ndimue perveç Atij e Orve të ktyne bjeshkve.

- Ma lsho mue se po e laj vetë. Ti pregatit djepin!

- E kemi lanë me i punue djep të ri e nuk kemi.

- Si nuk e paskemi marrë djepin? Prit se tash po i a kerkoj Files, ajo e ka djalin dy vjetsh e mund të na e japin deri sa të punohet i joni. Mbasi Nana Lulë më lau e më shiu me peshqir, më puthi mirë e mirë e i a lshoi dadës në dorë:

- Zoti na e ruejt e Orët e ktyne bjeshkve. Duel para stanit e thirri:

- O File! File moj! O File Rrokja!.. Atëherë kur duel në derë i tha:

- Hajde se kam nji fjalë.

Kur erdh ajo më muer në krah tue bertitë:

- Rueje Zot! Rueje Krisht! Rueje Ora e ktyne bjeshkve!

Filja pruni djepin e më lidhen. Dada e mbuloi djepin me nji copë mëndafshi të qendisun.

Thonë se Nana Lulë hoq keq me i a mbushë mendjen dadës që të merrte dyshekun e të shtrihej afër djepit në njanin krah të votërs. Nderkaq Nana Lulë kish qitë buken me u pjekë nen kaki.

Nuk vonoi shum e Pashko Toma bashkë me Gjokë Doden, dajen e vet, këthehen prej Grykës Lugje më kual të shalës e siç e kishte zakon thirri:

- Nuse! Nuse, merri kualët!

Në vend të dadës duel nana Lulë e i tha:

- Myzhde! Na ka le djalë!

Pashko Toma e Gjokë Doda hine në stan, i u aviten djepit e i thane nanës Lulë:

- Zgidhe! Due me i parrushin!… Marshallah! Marshallah!

Duelen të dy para stanit e i pari shprazi pesë fushekë mauzerit e fillë mbas tij, po aq, edhe Gjokë Doda. Malet ushtuen.

- Çka a pushka more!…- duelen e pëveten njerz nga stanet per rreth liqenit.

- Ooo në Gjekmarkaj ka le nji djalë!..

Atëherë edhe nga dy stana tjera shungulluen nga pesë pushkë.

N’atë kohë filluen me ardhë delet prej kulloset e u panë kah shumohen gjithnji në atë shpatin mbi liqë. Nuk vonoi e fllluen me u ndigjue cigaret e dhive.Të parët që mbërrijten nder stane kjenë qenët e berrave, që kerkojshin edhe shperblimin e ditës, nji copë bukë ose nji qull. Tue u avitë mbramja berret filluen me ra në fushen pranë liqenit e pritshin me u mjelë e me hi në shtrungë e cila xente ma shum se trimij dele. E mbasi ato kullotshin të gjith bashkë, dallim kishin ngjyren e kuqe, të zezë ose jeshile që u vehej o në krye ose më shpinë, se per tjeter jetojshin si nji familje e madhe. Ndersa dhitë, shyqyr që ishin ma pak, se ato grindeshin e shtyheshin, edhe ato që ishin të njajtes tufë; prandej sejcili stan u kishte ba vathin në vedi.

Kur mbërrijten të gjithë çobanët që kishin pushkë, e mueren vesht se në Gjekmarkaj kish lë djalë, i shprazen sejcili ka pesë fushekë. Nderkaq mueren mjelcat prej druni e burra e gra u vunë me i mjelë delet, që tashma e kishin shterrë mjaft tamlin; gratë e fëmijt e mdhaj i grahshin ndersa delet kalojshin me radhë permes çetës së njerzve që i mjelshin. Në ketë veprim merrshin pjesë të gjithë njerzët e burrit, perveç fëmijve të cilët kishin dalë te nji shkamb aty mbas staneve e ishin rreshtue të gjithë djelmët në garë se kush e hedh shurren ma larg, ndersa vajzat e asajë moshë ikshin me inad mbasi nuk mund merrshin pjesë në atë garë aq të bukur.

Zakonisht ata, mbas asaj gare, merrshin nga nanat nji kashatë bukë e bijshin me fjetë, por atë natë jo. Burrat e bunit i mueren, mbasi ndrynë delet në shtrungë, e i rreshtuen persri aty në atë curr ku kishin ba garen e parë e tash do të fillojshin garen e dytë: me qitë pushkë. Per fat të keq pushka kishte nji ves se ajo lëvizte kur shprazej. Prandej me fëmijt e vogjel nuk kishte rregull. Ta kemi para syshë se edhe armët e burrave të bunit nuk ishin dy njisoj: kishte mauzer Nemcjet, maliher Junanit, petica malazeze e taljane të gjata. Jo vetëm krismat e tyne por as ngjyrat e predhave nuk ishin njisoj. Ata shprazeshin pa rregull prej fëmijve. Nga stanet e shaljanve u ndie zani:

- Çasht pushka moreej!

Bjeshkët e qeta shungulluen.

- O sër shyqyr sekalë nji djalë në Gjekmarkaj moreëj!

Nga stanet e shaljanve u ndigjuen vetem dy të shtime pushke.

Atë natë të gjithë burrat e bunit u mblodhen në Pashkatomaj. Petulla, raki, mjaltë e mazë.

- Gjokë – i thotë axha dajës së vet – neser shko në Bogë e blej pesë kile raki.

Mandej i u suell djalit të vet Ndue Pashkut e i tha:

- Nesër do të shkosh në gerdhatë e ke me i thanë Gjetos: myzhde, ka le djalë!…

Kur këthei Gjokë Doda prej Boget,ku kishte pru pesë shishe raki, ishte po thuej mjesdita e gjet mbrendë në stan pesë burra shaljanë që po folshin me Pashko Tomen:

- Asha Zoten – tha Çun Nika i Lekajve – kur ranë mbramë ato pushkë edhe u bamë marak; sot nuk ka qeveri e gjithkush ban çka të duen.

Menduem se kanë ardhë komitat më bunin tuej. Kur erdhen gratë e çobania, na kallxuen se kishin pa nji këmishë dragoni mbi nji shkurre ahi. Edhe sot më nade kur i malluen dhitë në atë ashten e kronit, thanë se kishin pa nji shqype që vijte drejt flakurim nga qetat e Bigës së Gimaj, dergue drejt prej Orës së Shalës. Ajo kish marrë ate këmishen e dragonit dhe po i a dergote Orës së madhe të Bigës së Gimajve, që asht Ora e të gjitha bjeshkve të Shqipnisë.

E mandej tha:

- O Pashko Toma, ndigjo çka po të thotë Çun Nika i Lekajve të Shalës: pasha Zotin në toprak sot të ka le nji dragua e rueje mirë e mos ta gjejë gja. e ligë sepse Zoti e din mirë se me çfarë kulshedret të idhtë ka me i ra me luftue, por me ndimë të Zotit e të Orve të këtyne bjeshkve ka me fitue.

- Mana, more Çun Nika, ty të lumtë goja, se mirë ke folë gjithmonë e mirë po flet edhe sot. Ishalla djalin e ruen Zoti e ne na ka le në toprak e i gëzohena sa s’ban. Por nuk ka gjasë se lën dragua. Kanë pasë thanë edhe per gjyshin tem Gjekë Markun se asht kenë dragua, por sa kje gjallë nuk i din kush se ka ba ndoj punë per seri, perveç pasunisë që asht kenë si mali me borë.

- O Pashko Toma, ti je burrë Malcie e do t’i dijsh ma mirë se na rodet e Drangojve. Ata janë njerz të mirë e të zgjedhun per mirë, prandaj kurr nuk i bajnë kuj keq perveç të keqit. Un kam njoftë nji burrë drangua që gjatë jetës, per inade të kqija, shtatë herë i kishin vu pritat per me e vra e ai kishte kalue pritat pa e pa e pa e ndie se Orët e kishin ndore14. O Pashko Toma, a e din si u ndertue Ura e Shalës në Breg të Lumit? Po ta kalfxoj vetë qi e kam jetue. Mjeshtrat që kishin marrë mbi vedi ndertimin e urës, kishin ba muret, kishin pre landen dhe e kishin ulë zhargue deri te vendi ku do të qitej ura. Atë ditë që do të qitej ura kishin thirrë gjashtdhetepesë burra Shalet, ata ma të fuqishmit. Sejcili trup molike15 ishte nga tridhetë hapa i gjatë dhe i trashë aq sa nuk mund e perfshijshin dy burra pash në pash. Gjithkund ndër trupen të molikave kishin ngulë kllapa hekuri punue prej kovaçve, që t’u lehtësote barren e randë. U rreshtuen burrat e Shalës në dy krahat e molikës së madhe: “hop, hop… nji, dy, tri!… Hoop burra!…”, por trupi i molikës nuk luete vendit. N’atë kohë qe se po ulet shpatit Vocerr Bala i Pecaj, ishte nisë me shkue te miqët e vet në Nenmavriq.

- Vocerr Bala – i thane burrat e Shalës – a po na ndimon paksa?

- Po un jam i vogel, por po u ndimoj me sa fuqi që më ka dhanë Zoti.

Tue mos pasë ma kllapa hekuri ai i ngjiti bash më krye, ku trupi i molikës ishte ma i trashë. “Hop! Hop! Hop, nji, dy, tri!”. E trupi i molikës u çue në hava e burrat e Shalës e vunë aty ku i kishin lanë vendin mjeshtrat. Po ashtu vepruen edhe me tri trupat e mdhaj të molikave e mbasi i vunë në vende të caktueme e kuptoi tanë Shala se Vocerr Bala ishte kenë dragua. E kam njoftë edhe un, e thojshin per te se saherë në qiellë luftojshin ernat e retë me njana tjetren e u dridhshin bjeshkët e nalta prej gjamëve e bumbullimave Vocerr Balen e kapte gjumi i dekës se delte me luftue me kulshedrat që mos të damtojnë robninë e gjallë.

Erdh koha e nanë Lula pruni sofren e rrumbullakët dhe shishen e rakisë, pruni petulla e mjaltë e djathë të njomë. Pesë shaljanët u ulen më sofer e simbas zakonit banë edhe urimet. Ndersa po pijshin axha i u suell njanit prej atyne shaljanve e i tha:

- O Nik Delia, ty të ka dalë zani per mjeshter drunit; a thue mundesh me na punue nji djep sa ma parë se ket ku asht lidhë djali e kemi marrë uha.

- Djep kerkon ti? Mbas dy ditësh ta bjen këtu Nik Delia nji djep që s’e ka kund shojn e tij; krejt drrasë skuqi të pishës, që me të rrnue treqind vjet e të shkruem me shkrola si s’i'a shef kund shoqin në botë.

 

11 Komente

 Flm per prurjen. Jane pasuri rrefime te tilla me arome Bjeshke. Shume e bukur. U prehte ne paqe At Zef Pllumi:
 

pasha Zotin në toprak sot të ka le nji dragua e rueje mirë e mos ta gjejë gja. e ligë sepse Zoti e din mirë se me çfarë kulshedret të idhtë ka me i ra me luftue, por me ndimë të Zotit e të Orve të këtyne bjeshkve ka me fitue.

Sic duket paskan pas nje jete te pasur, te lire e te dlire malcort tane para se ti civilizonte partia. 

Gjuhe e pasur e melodioze kjo qe ka perdorur At Zef Pllumi. U prehte ne paqe!

 i embel rrefimi,ka fjale qe s'i kuptoj psh -prozhem,toprak - ndonje ndihme? flm!

Prozhem shpjegohet ne kllapa ne tregim. Korije.

Toprak - territor/ toke e familjes.

toprak- ne te dyja rastet ka kuptimin " mbi dhe" , " mes te gjalleve, jo mes te kallurve " ( ne nje shembull tjeter metaforik)

prozhem-anat, por ketu po hamendesoj nuk e di me siguri

 Ju flm Etnik dhe Fjala!smiley

Zgidhe! Due me i pa rrushin!… Marshallah! Marshallah! hahahaha

faleminderit per prurjen al.

sa e embel dhe e paqte

gati te ben ta deshirosh at lloj jete

sa shume i eshte largu natyres dhe zakoneve te thjeshta njeriu i sotem smiley

sa shume i eshte largu natyres dhe zakoneve te thjeshta njeriu i sotem

Edhe me lind,s'lindin ma ne pyll,po me cezarian ! smiley

Faleminderit per kete prurje. Spikat ambelsia e dialketit geg. Pershkrimi na jep nje tablo te jetes se malsorve te atyre viseve, me pune, mundim sidomos per grate. Por, edhe me keto jeta e tyre e thjeshte tingellon ne harmoni e paqe me njeri-tjetrin e shoqerine qe i rrethonte. Eshte interesante sesi lajmerimi i djalit behej me ane te shkreptimes se pushkes. Dhe pastaj, menyra e te festuarit me raki, mjalte dhe petulla. smiley
 

Faleminderit komentuesve, sigurisht unë s'bëra asgje veçse me ndihmen e moderatoreve hodha shkrimin e njerit prej më të ''lavdishmëve'' të keqtrajtuar brutalisht nga regjimi i kohes, dhe njerit prej shumë shkruesve të letërsisë shqipe bashkohore..Ju falenderoj!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).