Autori i ka strukturuar këto hipoteza fillimisht në ‘Manufacturing Consent: The Political Economy of the Mass Media’ (1988) së bashku me Edward Herman, për t’i sintetizuar dhe argumentuar në dekadat pasuese përmes veprave, konferencave e intervistave të shumta. Ata ngelen mjaft aktuale edhe sot, veçanërisht për vende si Shqipëria ku pushteti i mediave është haptazi më i joshuri nga grupet e interesit dhe ku serioziteti e profesionalizmi nuk kanë qenë ndonjëherë karakteristikë e tyre. Secili nga lexuesit do të gjejë ne keto strategji sintetike një pjesë të mediave shqiptare dhe të programeve të tyre trash, me të cilat kontribuojnë në varfërimin e racionalitetit publik.   

1. Strategjia e shpërqendrimit

Është element i hershëm i kontrollit shoqërorë që konsiston në shmangien e vëmendjes së publikut nga çështjet e rëndësishme, nga problemet shoqërore serioze, dhe nga ndryshimet e ndërmarra prej elitave ekonomiko-politike, përmes teknikës së përmbytjes me informacione të parëndësishme.

2. Strategjia e krijimit të problemeve dhe e ofrimit të zgjidhjeve

Ky mekanizëm quhet ndryshe “problem-reagim-zgjidhje”. Krijohet një problem, një situatë që parashikon prodhimin e një reagimi të publikut, në mënyrë që ky të jetë justifikimi i masave pasuese. Për shembull: indiferenca përballë shpeshtimit të dhunës urbane ose organizmi i atentateve të përgjakshme, për rrjedhojë populli do të kërkojë ligje më të ashpra në favor të sigurisë dhe në kurriz të lirive. Apo sajimi i një krize ekonomike për t’i bërë të pranueshme, si e “keqe e domosdoshme”, reduktimin e shërbimeve publike dhe tkurrjen e të drejtave sociale.

3. Strategjia e përshkallëzimit

Për ta bërë të pranueshme një masë të papranueshme mjafton aplikimi gradual, përse jo, për vite me radhë. Në këtë mënyrë u imponuan gjate viteve ’80-‘90 kushte socio-ekonomike të reja, siç është neoliberalizmi: minimizimi i rolit të Shtetit, privatizimi, paqëndrueshmëria e tregut të punës, fleksibiliteti, papunësia masive, pagat aspak dinjitoze. Pra, shumë ndryshime, që të aplikuara njëherazi do të kishin shkaktuar një revolucion.

4. Strategjia e shtyrjes së zgjidhjes

Parashikon prezantimin e masave si “të dhimbshme por të domosdoshme”. Këto shoqërohen me konsensusin publik, ndërsa hyrja e tyre në fuqi shtyhet në të ardhmen, pasi është më i lehtë pranimi i një sakrifice në të ardhmen se sa në çast. Përveç kësaj, masa ka tendencën e shpresës naive tek “ndryshimi pozitiv në të ardhmen”, që sakrifica e kërkuar mund të evitohet. Kjo i jep kohë më shumë publikut për t’u ambientuar me ndryshimin dhe, natyrisht, për t’u dorëzuar përballë sakrificës, si e domosdoshme.

5. Strategjia e trajtimit të publikun si fëmijë

Pjesa dërrmuese e reklamave përdor diskutime, argumente, personazhe dhe një intonacion fëmijëror, shpesh herë afër dobësisë, sikur spektatori të ishte foshnje ose i mangët në tru. Sa më shumë që tentohet gënjimi i spektatorit aq më shumë përdoret toni foshnjarak. Përse? Nëse dikush i drejtohet një personi sikur ky të ishte 12 vjeç, atëherë, në bazë të sugjestionit, personi në fjale do të përgjigjet ose do të reagojë pa frymën e duhur kritike, sikur të ishte fëmijë.

6. Strategjia e përdorimit të sferës emocionale më shumë se reflektimin

Shfrytëzimi i emocioneve është një teknikë klasike që prodhon qark te shkurtër në analizën racionale dhe kritike të individit. Gjithashtu, ky mjet hap portat e aksesit tek pavetëdija, për të rrënjosur ide, dëshira, ndjesi frike, kompulsione dhe sjellje.

7. Strategjia e izolimi të publikut në injorancë dhe mediokritet

Cilësia e edukimit që i jepet shtresave të ulëta duhet të jete më e varfra dhe më rëndomta e mundshme, në mënyrë që hendeqet e paditurisë në piramidën sociale të mos mbushen kurrë nga shtresa e ulët.

8. Strategjia e stimulimit të vetëkënaqësisë dhe mediokritetit

Injoranca, vulgariteti, budallallëku shndërrohen në modë dhe vlerë. Kujtoni për një çast modelin “big brother” ku mund të bëhesh i famshëm, e për rrjedhojë i pasur, i ndjekur, i imituar, i adhuruar, etj., pa nevojën e diturisë, zhvillimit të intelektit, të ndonjë aftësie, talenti apo profesioni, pa nevojën e etikës, edukatës, normave shoqërore të pranuara si normalitet.

9. Strategjia e nxitjes së vetëfajësimit   

Individi edukohet të fajësojë veten për çdo problem: mungesa ose dobësia e inteligjencës, forcës, karakterit, vullnetit, etj., janë disa nga rrugët e vetëfajësimit. Kështu, në vend të rebelimit nga sistemit mbytës ekonomik, ndaj pushteteve të tjera të forta, individi fajëson veten deri në depresion, duke frenuar reagimin.

10. Strategjia e njohjes se individit më mirë sa ç’e njeh individi veten

Zhvillimet e shkencave humane të 50 viteve të fundit i kanë dhënë mundësi elitave dominuese të njohin aftësitë psiko-fizike të individëve, sjelljet e tyre sociale, zgjedhjet racionale, e kështu me radhë. Kjo do të thotë se në shumicën e rasteve sistemi ushtron një kontroll më të madh mbi individin se vetë ky i fundit mbi vetveten.

 

E-Zani

7 Komente

bukur naimo

Pika 8  - shume aktuale

i ka qare te 10-ta.smiley

e si i bohet hallit???????????????????????????????????

10 strategji  ( jam e bindur se ka edhe shume te tjera) me te njejtin qellim - perfitimin duke u perdorur si vegel nga te privilegjuarit , me ndonje perqindje te vogel tek tuk paksa informuese po dhe ajo perdoret per te drejtuar vemendjen ne nje problem te dores se dyte .

pavarsisht se publiku e perveteson si strategji informimi dhe sherbimi

pika e dyte e zbatuar me se miri nga propaganda Ramiste duke ia atribuar ne menyre false, te gjitha problemet Berishes. kesisoj duke dal mesia Rama si problemezgjidhesi.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).