Në këtë intervistë për gazetën « Shekulli », navigatori shkodran Ismet Teli me një eksperiencë afro 50-vjecare me marinën shqiptare, me një gjuhë të thjeshtë dhe praktike për lexuesin shpjegon arsyet e përmbytjeve të zonës së Shkodrës, jo vetëm vitet e fundit, por që nga shekulli i 19-të.

 Pse e përmbyt liqeni Shkodrën? A është i vjetër ky problem?

 Në vitet 1955-60 thellësia e tij ka qenë rreth 12. 8 metër, kurse me matjet që kam bërë në vitin 2008 më rezultoi rreth 7.6 metër. Pra, ka një humbje të konsiderueshme të volumit prej mëse 5 metër. Në qershor të vitit 1981, i ngarkuar nga Ministria e Komunikacionit, nëpërmjet Flotës Tregtare, kam sjellë një sondë në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Nga deti në Bunë e nëpër liqen janë bërë studimet. Sipas gjeologëve, që kanë bërë shpimet, rezulton se shtresat e tabanit të liqenit të Shkodrës janë shtuf, rërë deti dhe konifere. Në fillim të viteve '70 dhe më pas u bë problem rritja e barit në liqenin e Shkodrës dhe u hodh ideja që të korrej. U gjet një motorkorrëse uji dhe ai që korri barin u dekorua dhe mori çmimin e Republikës. Por, ky qe një dëm i madh që iu bë liqenit sepse duke u korrur ky bar mori një zhvillim rrënjësor dhe tash rrënjët e këtij bari janë shndërruar në plisa të fortë dhe e vetmja zgjidhje tani është shkulja e tij me rrënjë. Pra, që prej afro 40 vjetësh ky bar ka shkaktuar ndalimin dhe bllokimin e të gjithë prurjeve të ndotura sidomos aluvjonet që vijnë nga lumenjtë Moraca dhe Ceni duke u dekantuar në liqen. Kjo është arsyeja që liqeni i Shkodrës ka ardhur vazhdimisht duke u mbushur.

 Pra kemi ndotje të liqenit nga Mali i Zi....

Në një work-shop që u pat organizuar vitet e fundit në Shkodër, e vura në dukje këtë fenomen dhe plus kësaj edhe devijimin që iu pat bërë lumit Moraca që nga koha e Titos në ish-Jugosllavi. Kjo bëri që të gjitha prurjet e mbeturinave të kombinatit të aluminit atje të derdhen në liqenin e Shkodrës. Si pasojë e kësaj, në vitet 1996-97 kanë dalë në sipërfaqen e liqenit me mijëra ngjala të ngordhura. Për të gjithë kjo u konsiderua si enigmë, por unë e deklarova qysh në atë kohë se arsyeja e kësaj katastrofe në faunën e liqenit ishte oksidi i aluminit. Në vitin 2008 kam shkuar në kombinatin e aluminit ku punonin ende 4 mijë punëtorë nga 20 mijë që kishin qenë. Tani, nëse Liqeni i Shkodrës arrin që të kthehet në origjinë ose siç është quajtur këneta e Moracës, do të thotë se mushkëria e Shkodrës, që është liqeni, do të shkretohet.

Vijmë tani te pyetja më urgjente. Përse përmbytet Shkodra dhe cilat janë shkaqet?

Vijmë tani te përmbytjet. Buna nuk e mbyt kurrë Shkodrën. Arsyeja përse Shkodra përmbytet? Shkodra nuk është përmbytur vetëm vitet e fundit, por qysh në vitin 1856, 1859 kur u bashkuan Drini me Bunën. Po kështu, edhe në vitin 1905 ku pasqyrohet uji në pazarin e Shkodrës në një foto të Marubit. Më 1963 e kështu me radhë...Në vitin 1948 kur u mbyll kufiri me ish-Jugosllavinë nuk qarkullonin më anije në të dyja anët e Bunës, pra të kufirit. Kjo ndikoi në mbushjen e tabanit të Bunës. Po kështu, nuk u vu dorë as në pastrimin periodik të lumit Buna.

 Po hapja e portave të HEC-eve a shkakton përmbytje në Shkodër?

Shkodra nuk u përmbyt nga hidrocentralet. Duhet të dini se kur niveli i ujërave në hidrocentrale arrin kuotën maksimale është e detyrueshme hapja e portave dhe nuk do t'ia dijë kush se kush është pozita dhe kush opozita. Më mirë të përmbyten disa fshatra sesa të kemi katastrofë kombëtare të hidrocentraleve më të mëdhenj që ende i kemi. Tani në ish portin e Zusit kemi një lartësi të tabanit të Bunës prej 5,5 deri në 7,5 metër mbi nivelin e detit. C'farë ndodh? Vjen Drini, shkarkimet dhe meqë në këtë pjesë të ngritur nuk mund të dalë, kthehet duke u përplasur mbrapsht me Bunën. Këtu është fjala për pikun e shkarkimeve. Buna duhet të përballojë 19 mijë e 663 kilometër katrorë që është ujëmbledhësi i Shkodrës, i cili në nyjë hidrike është liqeni, Buna, Kiri dhe Drini. Të gjithë prurjet, që nga Sarajeva, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia duhet t'i përballojë Buna. Mesa jam i informuar, po të hapen shkarkuesit e Vaut të Dejës, prurjet shkojnë deri në 7 mijë metra ujë në sekondë. Përveç kësaj Buna kalon në 10 pika të vështira nga Zusi te Ada, në grykëderdhjen e saj në Adriatik. Janë më shumë se 5 milionë metër kub dhe që janë hedhur gjithsej në këto pika nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe pjesërisht edhe nga fenomenet natyrore, të cilat duhen hequr urgjentisht. Kjo sjell përmbytjet të cilat në Shkodër janë të mundshme nga nëntori deri në fund të marsit. Ky është pak a shumë shpjegimi se përse përmbytet Shkodra në këto 150 vjetët e fundit.

 Në përmbytjet e fundit të vitit 2010 dhe fillimit 2011 ju me idetë që keni dhënë kontribuuat në stabilizimin e shpejtë të nivelit të ujit që kishte pushtuar edhe disa lagje të Shkodrës. Si ndodhi konkretisht?

 Unë dhashë kontributin tim profesional në dhjetor 2010 kur në Shkodër uji përparoi edhe në disa lagje. Pata përkrahje nga Kryeministri i asaj kohe të cilit i dërgova edhe mesazh pasi mora pjesë në mbledhjen e qeverisë këtu në Prefekturën e Shkodrës. Unë i dhashë orientimin dhe Kryeministri më dëgjoi dhe vuri në lëvizje instrumentet e nevojshme logjistike. Pas kësaj niveli i ujit ra për vetëm 54 orë. 2 dragat që u sollën menjëherë, sipas udhëzimeve të mia, kanë çarë mëse 180 mijë metër kub për kaq kohë, pra për 54 orë dhe kjo çoi në rënien e nivelit të Bunës si pasojë e frymëmarrjes që iu bë në grykëderdhje. Janë prurjet detare ato që e mbushin grykëderdhjen e Bunës edhe pse ajo mund të pastrohet. Me kaq eksperiencë komunikimi që pata me Kryeministrin në përmbytjet e fundit, qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se ai është i keqinformuar për situatën teknike në Shkodër. Ai erdhi vetë me çizme te draga. Por, të dhënat teknike dyshoj se nuk ia kanë përcjellë atij.

Marinari që ndihmon Shkodrën?

 “Në radhë të parë jam shkodran dhe përfaqësoj brezin e 14-të si detar nga familja ime dhe unë e kam mbyllur me këtë profesion”, shprehet me krenari Ismet Teli. “Kam punuar 47 vjet si detar me marinën tregtare. Ndër të gjithë vendet ku kam qenë kam marrë shënime rreth një mijë faqe. Është një eksperiencë shumë e gjatë. Është detyrë morale e çdo shkodrani që të kontribuojë për Shkodrën. Meqë kam qenë që nga Kina, Singapor, Indi, vendet afrikane dhe në Europë deri në Norvegji mund t'ju them se vendi më favorizuar nga natyra është Mesdheu. Jo për tu mburrur, por në Mesdhe vendi më i favorizuar nga natyra është Shkodra. Arsyeja ? Më gjeni një qytet në botë që ka 3 lumenj, bregdet, një liqen dhe një perlë malore”-flet me pasion Teli.

Kur Buna ishte e lundrueshme

Mund ta shpëtojmë njëherë e mirë Shkodrën nga përmbytjet, duke e thelluar, pastruar dhe duke shkurtuar distancën e lumit, shprehet ideatori i thellimit Të Bunës, Ismet Teli. Në këtë mënyrë, jo vetëm shmanget dalja e lumit nga shtrati, por do të krijohej edhe një port. Buna jo vetëm që mund të thellohet, por edhe mundet të bëhet i mundur kalimi i anijeve për tregti e turizëm, siç ka qenë dikur. Minimumi i tabanit të Bunës i matur tani është 2m e 14 cm mbi nivelin e detit dhe kjo lejon të thellohet me 8 m, në gjerësi 200 m. Në qoftë se Buna shkon aty ku duhet, e jo të devijojë. Pra, nga mbi 41 km që është, bëhet 25 km. Ajo përballon prurje mbi 5900 m3 ujë në sekondë, sepse aktualisht Buna ka katër starte, por duke i eliminuar, rritet shpejtësia. Me rezerva mund të përballojë deri në 7000 m3 ujë në sekondë.

Siç dihet, lumi Buna ka qenë i lundrueshëm dhe është rrahur nga shumë anije tregtare të huaja që vinin në Shkodër nëpërmjet detit Adriatik. Meqë jeni detar prej shumz brezash a mund të na shpjegoni diçka më konkretisht rreth kësaj teme?

Zoti na ka dhënë një liqen dhe e bija e tij është lumi Buna. Në vitin 1818, në lumin Buna ishte porti i Obotit i cili së bashku me portin e Ulqinit kishin rreth 400 anije me rreth 4 mijë e 500 punëtorë. Asnjë port në Europën e asaj kohe nuk ka pasur kaq shumë anije dhe punëtorë. Mua më dhemb Shkodra sepse ka qenë kryeqendra e Ballkanit dhe duhet të rikthehet aty ku ka qenë. Të gjithë portet më gjigante në Europë janë në lumenj. Ia nisim nga Petërburgu i Rusisë, në Norvegji, në Oslo, në Bistola ka 2 porte gjigante. Po kështu në Roterdam, Bordo dhe Tamizi që ka me dhjetëra porte. Po të shkojmë në grykëderdhjen e Bunës në Adriatik nga Ada e deri në anën tonë janë rreth 400 metër distancë me një thellësi prej rreth 5. 9 metër. Këtë matje unë e kam bërë me sondë dore. Pas mëse 600 metrash në drejtim të detit, thellësia e Bunës arrin në 18 metër dhe në vijim deri në 60 metër. Për ta thelluar Bunën duhet të ndërhyjë gjeoshkenca. Thellësia në grykën e Bunës ku ka shkëmb gëlqeror është 32 metër, ku bashkohet Drini me Bunën është 41 metër dhe po kaq tek ura e re.

13 Komente

rrofsh meto

Pse do vazhdokan permbytjet dhe pas ikjes se Berishes? smiley

Duhet ta shpetosh Shkodren nga njerezit me sakte.

Shkodra nuk është përmbytur vetëm vitet e fundit, por qysh në vitin 1856, 1859 kur u bashkuan Drini me Bunën. Po kështu, edhe në vitin 1905 ku pasqyrohet uji në pazarin e Shkodrës në një foto të Marubit. Më 1963 e kështu me radhë...Në vitin 1948 kur u mbyll kufiri me ish-Jugosllavinë nuk qarkullonin më anije në të dyja anët e Bunës, pra të kufirit. Kjo ndikoi në mbushjen e tabanit të Bunës. Po kështu, nuk u vu dorë as në pastrimin periodik të lumit Buna.

E pamundur! Eshte vertetuar katerpeshkerisht qe Shkodren e permbyti Berisha me doren e tij.

Ja kto njerez jane thesar qe duhen shfrytezuar sa jane akoma gjalle. Vecse keto nuk jane dhe aq te mire kur vjen puna me shkrujt nje CV...

+1

smiley

eshte mitoman pf,zbuloi ujin e nxehte. nuk ka shkodran qe nuk i di nga sa thuhet

Artikullin e lexova me nje fryme apo me fryme te ngrire smiley per vet faktin se keto tema qe i perkasin edhe ekonomise, jo vetem gjeo-fizikes, gjeollogjise, marines detare, mjedisit, etj, me terheqin. Ajo qe me beri pershtypje ketu, ishte; 

" .... Unë dhashë kontributin tim profesional në dhjetor 2010 kur në Shkodër uji përparoi edhe në disa lagje. Pata përkrahje nga Kryeministri i asaj kohe të cilit i dërgova edhe mesazh pasi mora pjesë në mbledhjen e qeverisë këtu në Prefekturën e Shkodrës. Unë i dhashë orientimin dhe Kryeministri më dëgjoi dhe vuri në lëvizje instrumentet e nevojshme logjistike. Pas kësaj niveli i ujit ra për vetëm 54 orë. 2 dragat që u sollën menjëherë, sipas udhëzimeve të mia, kanë çarë mëse 180 mijë metër kub për kaq kohë, pra për 54 orë dhe kjo çoi në rënien e nivelit të Bunës si pasojë e frymëmarrjes që iu bë në grykëderdhje. Janë prurjet detare ato që e mbushin grykëderdhjen e Bunës edhe pse ajo mund të pastrohet. Me kaq eksperiencë komunikimi që pata me Kryeministrin në përmbytjet e fundit, qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se ai është i keqinformuar për situatën teknike në Shkodër. Ai erdhi vetë me çizme te draga. Por, të dhënat teknike dyshoj se nuk ia kanë përcjellë atij..." 

  Mendoj se kjo pjese mund te diskutohet si teme me vehte smiley nese adminet jane dakord smiley

Po jo ore cfare arsyesh shkencore jepni ju, fajin e kishte Berisha. Ishte Berisha ai qe e mbushi liqenin e Shkodres me dhera dhe me pas solli shirat, per te permbytur Shkodren. Kete e ka provuar dhe vete P(i)S-ja.

smiley

o zot çar mileti qe jemi,po ja qe bota rrotullohet.....

Merr Lopaten dhe fillo e thelloje , ne spo te pengojme.

shpetoje kush po te ndalon smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).