Vera po ikën dhe emigrantët e lënë Shqipërinë në grupe, duke u shpërndarë në drejtime të paparathënshme kollaj. Është vera emigrante që i jep qendrorësi Shqipërisë më shumë se gjithçka tjetër. Por as nuk e bën dot europiane, as ia zgjidh dot problemet që ka. Sidomos tani që remitancat emigrante bien rregullisht çdo vit. Shqiptarët, siç pritet, ndryshojnë, brenda e jashtë Shqipërie. Largësia reale dhe e perceptuar mes dy grupeve po ashtu rritet; e bashkë me të edhe profilizimet paragjykuese që secili grup ngre për tjetrin.

Kujtoj që një gazetare e mprehtë e jona shkruante para pak vitesh për ta, me përçmim të kontrolluar e duke ndier gjynah të dukshëm: emigrantët që kthehen në Tiranë se si janë, se si duken, se si vishen… Dhe kish pjesërisht të drejtë, sido që, konstatuar dhe lënë me aq, nuk u bën drejtësi as emigrantëve e as atyre që nuk emigruan. Mjafton të bredhësh me sy hapur nëpër Tiranë (sidomos nëpër një pjesë të caktuar Tirane), që të vëresh se gazetarja ka vrojtuar dhe hedhur në letër një të vërtetë, por ama, që ka nevojë të analizohet, se ka brenda po aq të vërtetë, sa të pavërtetë.

Denigrimi i emigrantit në vendin pritës është universalisht i njohur. Më pak i njohur e i diskutuar është  përçmimi i tij në vendin e origjinës. Është i njohur p.sh. nënvlerësimi që shpreh italiani i mesëm (ose mikroborgjez) ndaj italo-amerikanit, shijes së tij të keqe, kuzhinës së përçudnuar, sjelljes së padenjë në nivel banaliteti, mungesës së sqimës e rafinimit. Nuk e dija më parë, por më ka qëlluar të dëgjoj gjuhë tejet përbuzëse nga gojët e kinezëve nga Kina Kontinentale ndaj atyre që kanë emigruar nëpër botë, për fshatarësinë e botëkuptimit të tyre, paaftësinë për të shijuar jetën, mentalitetin komunist e konservator në raport me kinezët modernë të zhvilluar “natyrshëm” në Kinën Popullore kthyer kapitaliste. Një amerikano-indiane ardhur në Shtetet e Bashkuara para dhjetë vjetësh për t’u martuar me një PhD Indian në fizikë, kur e pyeta si mund të gjeja një fustan të bukur Sari, më tha: “Mjafton të mos shkosh ta blesh në lagjet indiane të Amerikës. Shija e tyre ka ngelur 60 vjet mbrapa, dhe vishen e jetojnë siç bënin në kohën kur emigruan. Të vjen turp t’i shohësh e t’u rrish afër nëpër festa.” Ndërsa një shoqe në Prishtinë më thoshte se nuk jetohet në Prishtinë në verë, ngaqë e sulmon bagëtia e emigracionit nga Gjermania dhe Zvicra.

Emigracioni shqiptar (nga viset e Shqipërisë) është ende i ri e s’i ka bërë as 30 vjet. Megjithatë emigranti shqiptar është i kudogjendshëm nëpër botë, ka bërë eksperianca intensive ekzistenciale, dhe ka krijuar ndërkaq një profil të vetin, që herë përkon e herë jo me profilin që i vishet në Shqipëri. Si shihet ai brenda Shqipërisë sot? Po skicoj këtu disa besime themelore (të lehta e bisedore, jo bazuar në vjelje sistematike) sidomos brenda kryeqytetit shqiptar, lidhur me emigrantin, sido që disa janë kontradiktore mes tyre.

***

  • Janë injorantë dhe s’kuptojnë nga jeta.
  • Janë më të varfër edhe se ne.

Përgjithësimet paragjykuese më lart nënkuptojnë një raport të perceptuar të pabarabartë ku emigranti është nën nivelin e jo-emigrantit. Në çdo marrëdhënie shoqërore, një nga faktorët themelorë që krijon përçmim social është varfëria (dhe, si pasojë, pamundësia për edukim dhe rafinim). Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë janë me origjinë nga fshati, dhe nga pjesa më e dërrmuar e fshatit socialist e pas-socialist. Sido që jashtë mund të kenë gjetur punë dhe një strehë të jetueshme, emigranti mbetet i varfër dhe i vuajtur, dhe jo vetëm për vendin e huaj, por edhe për Shqipërinë. Sado që emigranti shqiptar është marrëzishëm kursimtar kudo që jeton, kamja i mbetet gjithnjë ëndërr. Jo-emigrantin shqiptar paragjykues që në fakt pret instinktivisht të shohë një “të jashtëm” nëpër rrugët e Tiranës, me lëkurë të kuruar, të sigurt ekonomikisht e të rafinuar në stil, pamja e emigrantit të ardhur në Shqipëri për pushime apo për hall, e befason, madje edhe e irriton. Sigurisht që jo-emigranti nuk bën krahasime me gjendjen paraprake të emigrantit. E pse t’i bëjë?! Ai ka sy në ballë dhe realiteti flet vetë! Atij vetë brenda Shqipërisë i duket se ka përparuar më shumë, ka një dyqan që e jep me qera, sido që vetë s’ka punë, ka shoqëri, kafen e mëngjesit e pi në klub, nuk para lodhet fort, është rrumbullakosur, dhe nga pasqyra i duket se rrobat firmato i rrinë shkëlqyeshëm. Po ky dreq emigranti, si s’u bë njeri pas kaq vjetësh jashtë?! Pse shkoi fare jashtë?! Jo-emigranti ka të deformuara jo vetëm pritshmëritë ndaj emigrantit, por edhe perceptimin për veten.

***

  • Është bërë kurrnac.
  • Janë fundi i kandarit atje ku janë, por vijnë këtu e të shesin edhe mend, pale!
  • Janë më keq se këta çeçenët e këtushëm.

Të treja shprehjet e kanë bazën në keqperceptimet që përmenda më lart. Emigranti që e fiton me shumë mundim paranë, e ka edhe më të mundimshme ta prishë atë; dhe emigranti e di mirë se, po të mos kishte nevoja të caktuara që e bënin të vinte në Shqipëri, as nuk do i diskutonte fare pushimet. Disa nga argëtimet e emigrantit, sido qoftë, nuk e marrin parasysh këtë konditë. Patriarkalizmi dhe provincializmi vdesin të fundit. Ndaj kur emigranti nga fshati djeg shaminë jashtë dritareve në vargun e makinave të dasmës që derdhen me hare kitsch nëpër rrugët kryesore të Tiranës me kameramanin që filmon harenë nga mbrapa, qytetari i Tiranës fyhet edhe më shumë sesa nga cingunllëku i emigrantit.

Për tiranasin, qoftë edhe atë që sapo është rehatuar në Tiranë, emigranti i ardhur që “ta shpif” me performancën e vet katundareske, është zaptues, s’ka vend në qytetin tonë kozmopolit. A nuk mund t’i ndalohej fare hyrja në të? Mentalitetet ndryshojnë tepër ngadalë, nga të dy krahët. Po të udhëtosh me emigrantë nëpër avionë e autobusë, e dallon menjëherë origjinën e emigrantit, dhe jo vetëm nga gjuha, por edhe nga sjellja e nga pamja. Emigrantët e vonë dhe ata më pleq, e tregojnë këtë “moshë” në çdo lëvizje. Brezat e rinj, sidomos ata që shkollohen mirë apo që lindin fare larg fshatit të vuajtur të origjinës, e tregojnë më pak ose aspak.

***

  • Shqipoja e ruan gjuhën e traditën!
  • Është ftilluar, edukuar, zbukuruar dhe ke qejf ta dëgjosh kur flet… është bërë për së mbari!
  • I ka në terezi ai punët e veta. Ka ikur e ka shpëtuar… Ç’të bëjmë ne, thuaj!
  • Është bërë ndryshe, si i hutuar e sikur ka rrëshkitur pak!

Ndërsa ky grupim jo dhe aq homogjen, ndryshe nga dy grupet më parë, nënkupton ose barazi në nivelin e emigrantit dhe jo-emigrantit dhe një farë solidarizimi, ose perceptim të emigrantit si superior që herë shprehet me admirim e herë si sulm paksa inatçor ndaj tij. Nga ky vështrim, psh, tradita shqiptare që emigranti vazhdon ta mëtojë nga larg, jo vetëm shihet si pozitive, por akti i emigrantit vlerësohet si superior, idealist e atdhetar.

Por, tamam këtu emigranti shqiptar duket se nuk e justifikon besimin e jo-emigrantit.  Pavarësisht se emigrantët ruajnë lidhje të ngushta me familjet brenda Shqipërie, personalisht mendoj se jemi një grup lehtësisht i asimilueshëm sot. Ndryshe nga grupe të tjerë emigrantësh, si p.. kinezët që bëjnë një jetë kolektive etnike shumë intensive, shqiptarët e Shqipërisë nuk janë aq të lidhur dhe nuk i mbledh dot si grup as një institucion fetar. Lexoja një studim ekstensiv krahasues sociolinguistik të kryer nga Guus Extra dhe Kutlay Yagmur për minoritetet imigrante në Europë, nga i cili rezulton se minoritetet që e kanë ruajtur më pak gjuhën e vet në emigracion, janë: polakët, në vend të parë, dhe shqiptarët, në të dytin. Unë sinqerisht u befasova nga e dhëna, sido që arsyet që është kështu nuk mungojnë.

Rastet kur emigranti shihet pozitivisht e si i prosperuar lidhen me faktin se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë punë në vendet ku janë, kanë një lloj sigurie financiare e shëndetësore, dhe pensione, sido që modeste. Ata sot i kanë fëmijët të shkolluar apo nëpër shkolla, gjëra që jo-emigrantit në Shqipëri i japin halle të vazhdueshme. Shihet në këtë mënyrë sidomos emigranti shqiptar që la Shqipërinë, sidomos qyetet e mëdha, duke lënë aty një punë shumë të mirë, një edukim të admirueshëm dhe kushte materiale të rehatshme (e raste si këto ka plot, sido që nuk janë masive). Ky lloj emigranti, normalisht, ka tani në botë një punë dhe kushte edhe më të mira sesa ato që la në Shqipëri. Admirimi prej jo-emigrantit dashamir ndaj emigrantit, bazohet  sidomos në dinjitetin njerëzor real apo të perceptuar që bart ky lloj emigranti; përndryshe, këtij grupi qëllon që i përplaset në fytyrë fakti që po të mos kish emigruar,  në Shqipëri do kishte prosperuar më tepër. Parë ngushtë, kjo ide e jo-emigrantit mund të jetë krejt e saktë.

Por ky vështrim pozitiv prej jo-emigrantit më analitik, i drejtohet pjesërisht edhe emigrantit të varfër që deri para emigrimit jetonte në fshat, ruante e kujdesej për bagëti apo jepte mësim në shkollën e fshatit, i mungonte uji dhe banja brenda shtëpie, nuk imagjinonte dot as mundësinë për t’iu afruar Tiranës, e jo më kryeqyteteve të botës. Plot prej tyre sot punojnë fort në Amerikë e Evropë, ndihen krenarë për punët që bëjnë edhe kur janë të thjeshta, kanë shkolluar fëmijët dhe kanë avancuar në klasat e mesme të shoqërisë, dhe reflektojnë një respekt të ri e të risemantizuar ndaj vetes dhe shoqërisë.

Pakënaqësia ndaj emigrantit të këtyre grupeve shprehet ndonjëherë edhe si një farë admirimi xheloz ndaj fatit të mirë të tjetrit “që ka shpëtuar” përballë fatit të keq të jo-emigrantit, dhe herë të tjera si kritikë ndaj një mënyre të re të sjelli të emigrantit, një lloj distancimi nga ngjarjet apo njerëzit përreth, një lloj psikopatie apo ikjeje nga fiqiri. Besoj se këto lloj sjelljesh janë të shpjegueshme me një lloj ndryshimi real të emigrantit nga influenca e mënyrës së re të jetesës në vendin pritës, me faktin që në vendin e ri shqiptari mësohet për herë të parë me vetminë dhe idenë e të qenit askush, ide që nuk e njihte as në lagjen e fashatit e as në atë të qytetit ku jetonte, ndaj edhe mëson të distancohet nga tjetri dhenga një lloj diskursi ngjitës. Por ky ndryshim nuk kalon pa u vënë re e gjykuar nga jo-emigranti. Por mund të jetë vërtet edhe rast i një lloj rënieje në depresion apo  “shkarjeje” psikologjike. Jo të gjithë emigrantët kanë jetë të qeta e të lumtura, rrethe sociale, dhe, në emigracion atë lloj jete do ta përballosh e do t’i gjesh zgjidhje në vetmi e pa ndihmë nga farefisi apo miqtë.

Nuk ka dyshim që përgjithësimet mbi emigrantët shpesh janë të pasakta ose vetëm pjesërisht të sakta, dhe pikësëpari, sepse nuk bëhet fjalë për një grup aq homogjen sa pritet e perceptohet, dhe, pikë së dyti, sepse mënyra se si perceptohet emigranti, është shpesh e painformuar dhe e pathelluar. Sido qoftë, të karakterizuarit e grupit të emigrantëve si të tillë, është në vetvete faktor unifikues, dhe dëshmon krijimin e dy entitetve me distancë në rritje mes shqiptarëve emigrantë dhe jo-emigrantë.  Teksa pritet që kjo distancë reale dhe e imagjinuar të rritet, ndërsa ndërkëmbiment social-kulturore mes dy grupeve të vazhdojnë, është mirë që mediat dhe institucionet të drejtojnë kulturën kolektive në kanale me sa më pak cliché e sa më shumë informacione shpjeguese konkrete, të ilustruara, por të palustruara.

31 Komente

Booo sa qeke lodh kot moj Eda.

E respektoj mendimin dhe analizen e autores por gjithesesi ne fund pata nje ndjesi shume pergjithesuese. Te gjithe ata qe kishin emigruar jashte vendit futen ne nje thes, ne nje pervoje, ne nje rrugetim dhe kane te njejten sjellje. Kjo eshte njesoj si te thuash qe Shqiperia dhe banoret brenda saj jane te gjthe nga Bathorja.

+1

Pikerisht, kete po mendoja dhe une. E ka leshuar doren me pergjithesime e hamendesime.

Autorja po ashtu eshte profesoreshe universiteti jashte shtetit dhe nuk ben te formuloje pergjithesime te supozuara te njerezve, te tipit "jane me keq se cecenet ketu" etj. Si studjuese e mirefillte asaj i takon te flase me 'data', pra me te dhena e statisktika, jo me hamendesime te llafeve te komshiut diku ne Tirane.

 Si studjuese e mirefillte asaj i takon te flase me 'data', pra me te dhena e statisktika.

Por autorja ka zgjedhur kete forme, dhe e ka bere te qarte qysh ne fillim: 

Po skicoj këtu disa besime themelore (të lehta e bisedore, jo bazuar në vjelje sistematike) sidomos brenda kryeqytetit shqiptar, lidhur me emigrantin, sido që disa janë kontradiktore mes tyre.

Po ashtu, une nuk jam ne dijeni qe te kete te dhena apo statistika mbi paragjykimet ne Shqiperi, te cfaredo lloji.  E them kete jo vetem per kete fenomen, por edhe te tjere.  Ndoshta dikush mund te me korrigjoje por s'jam ne dijeni qe ekzistojne sondazhe te kesaj natyre.  

Ama mund fare mire qe kritika te shtrohet ne nje forme tjeter: paragjykimet, perfshi ketu edhe te llafeve te komshiut, apo te shoqerise ne kafe, a perbejne nje shqetesim social qe duhet adresuar.  

"Por autorja ka zgjedhur kete forme, dhe e ka bere te qarte qysh ne fillim"

Fakti qe e thote kete qysh ne fillim nuk e justifikon metodologjine (approach) e saj ne kete shkrim. Te nxjerresh konkluzione bazuar teresisht ne te dhena bisedore (anecdotal) eshte e parekomendueshme.

Komshinjte e mi ne Tirane p.sh. flasin me shume vleresim per emigrantet dhe nje artikull tjeter mund te shkruhej duke ngritur pergjithesime te nje prizmi pozitiv. How about that? Anecdotal evidence.

Komshinjte e tu ne tirane njofin si emigrante ish-komshinjte e vet ne tirane qe kan ik, jane shkollu me shume, jane eduku me shume dhe sa here vine sjellin nje vlere te shtuar per shoqerine, sikur minimumi pritjen ne semafor. Ndersa kjo autorja e shkruan diku qe kjo lloj klisheje eshte krijuar kryesisht nga fshataret qe para se te iknik e kishin dhe halen 50 metra larg shpise dhe kur vijne jane me derra sec ishin kur kane ik. Nese e kthen ne analize te paster statistikore keta jane me shume se ata te paret per vete strukturen e popullsise rurale vs urbane qe ka pas dikur. Po nejse, ti per vete i dole te keqes perpara qe kur the "komshinjte e mi ne tirane" kshuqe tani ne te gjithe e dime qe ti kur vjen nuk e mbush ashensorin me levozhga farash luledielli dhe nuk i vervit lekurat e shalqinit ne det, rrjedhimisht autorja nuk e ka me ty smiley

 

+ smiley

E respektoj mendimin dhe analizen e autores por gjithesesi ne fund pata nje ndjesi shume pergjithesuese. Te gjithe ata qe kishin emigruar jashte vendit futen ne nje thes, ne nje pervoje, ne nje rrugetim dhe kane te njejten sjellje.

Por autorja thote se:

Nuk ka dyshim që përgjithësimet mbi emigrantët shpesh janë të pasakta ose vetëm pjesërisht të sakta, dhe pikësëpari, sepse nuk bëhet fjalë për një grup aq homogjen sa pritet e perceptohet, dhe, pikë së dyti, sepse mënyra se si perceptohet emigranti, është shpesh e painformuar dhe e pathelluar.

Ne pergjithesi per fenomenin trajtuar ne artikull, peshqit shpresoj te jene te vetedijshem kur "hedhin gurin e pare."  Ndoshta ne realitet ashtu sic thote dhe autorja, pergjithesimet jane te pasakta, ose dhe jo aq te mprehta.  Ndersa ne diskursin peshkor perleshjet, paragjykimet, pergjithesimet, nuk jane aspak te panjohura.  

Na i paska qa' tane hallet ,inxhe per inxhe....per argumentin do sillja ketu ate qe thote PF...Siper aeroportit aty ku dikur mund te kete qene lavdi ppsh,te shkruhet: U bone ti....smiley

Hajt mo, artikull buono per Albania, me me tha njera, keshtu thone, kjo dihet, etj. 

Emigracioni ka bere boten, po dhe Shqiperine. Pas 90tes pa emigracionin nuk e di ca do vinte mbas barit. Parja e tyre ka mbajt dhe vazhdon te mbaje vatanin (bashke me barin e Lazaratit). Pa cyt qitapin e hapjes se syve .. Emigrantet jane ura me e mire me boten, pa harruar dhe ministrine e integrimit.

E paske bo telef emigracionin italian, kinez e indian. Duket qe baske bredh shume. 

fakti qe shqiptaret gjykojne stilin e veshjes flet shume. Flet qe gjithe problemet dhe rrjedhimisht dhe vemendja e tyre po shkon drejt alta modes dmth se problemet e tjera jane nji kujtim i keq qe i perkasin te shkuares.

Nqse do e shifja nga nje kendveshtrim me serioz pastaj kisha per te thene se ne thelb kemi ngel nji komb ku argetimi i preferuar i kohes eshte pergojimi i tjetrit dhe kjo eshte shprehje tipike e mentalitetit provincial. Sepse ne nji metropol te zhvilluar, gjeja e fundit qe i ben pershtypje dikujt, eshte menyra se si vishet tjetri...
Mu m'duket se autorja eshte perpjek me kot me gjet linja krahasimi mes sjelljes se italianeve dhe shqiptareve dhe c'eshte me e keqja, e ka bere kte duke sjelle si shembuj thenie delenxhinjsh e dembelesh qe si pasion te vetem duket se kane kalimin e kohes neper kafene

Tamam... ne nje qytet te madhe asnjeri nuk interesohet nga je, si je veshur, e sa para ke... keto gjera thjesht tregojne sesa provincial akoma dhe Tirana ka mbetur....

respublica e ma veten kshu, si organ ntelenktual i shtypit medemek. shtyll e menimit teorik shqiptar, te emigrum, te pa emigrum, dhe gjys te emigrum. c'me lazem boto kto muabete per kafe me pak... smiley

cudi si lirohet dora sa vje puna per treg shqiptar lexuesish. apo e shkrun edhe kte te cv-ja pjesa "publikime" zonja? smiley

dio mio, tha, mes ketyre injoranteve do me shkoje jeta mua... po nje shishe nga parisi ta kishe ruajtur per mua... triste domenikaaa....

gjuha kozmopilite e autores se shkrimit duhet ta bente aleate me nje pjese emigrantesh te tipit '' mimoza llastica''.

kategoria e emigranteve shqiptare qe duhet te ''perqeshej'' eshte kategoria e atyre qe bejne sikur s'dine shqip.keta jane karagjoze qe kane  ngjashmeri te larte me ''integrimsat'' e shqiperise. kjo kategori eshte ajo qe u thote femijeve ne plazhet shqiptare ''ela edho'' ose'' kam on beibi''.

shkrim i sfercuar integrimsash te lodhur.

Artikulli seç kishte ca pergjithsime qe qendronin tek disa njerez e disa emigrante. Piksepari, koncepti i njerzeve brenda (atje ne Shqiperi) eshte se, emigrantet jetojne ne lluks, fitojne parane shpejt e kollaj, nderkoh qe e verteta eshte krejt ndryshe. Kete gje, shum familjare atje brenda, e mesuan kur dolen per te vizituar njerzit e tyre ne perendim. Emigranti vishet thjeshte, dhe i duket (atyre brenda) sikur i ka ngel ora ne diten qe eshte nisur, por ne fakt nuk eshte keshtu, nga aparanca edhe mund te duket keshtu, por nga brendesia, nga mentaliteti, emigranti ka fituar e permisuar me shume se ata brenda. Kuptohet qe ka dhe emigrante qe nuk ndryshojne, por keta jane pak. Ata brenda, ju duket se emigrantet kursejne, por eshte dukja, emigranti nuk ia kursen barkut ushqimin dhe pirje se keto jane te lira ne perendim, emigranti nuk shet pordh si ata brenda, kjo vjen jo vetem se emigranti ka respekt per lekun, e di si fitohet, e di si mbrohet, dhe ka fituar goxha eksperience ne perendim. 

 

•Janë injorantë dhe s’kuptojnë nga jeta.
 •Janë më të varfër edhe se ne.

Është bërë kurrnac.
 •Janë fundi i kandarit atje ku janë, por vijnë këtu e të shesin edhe mend, pale!
 •Janë më keq se këta çeçenët e këtushëm.

 

Shqipoja e ruan gjuhën e traditën!
Është ftilluar, edukuar, zbukuruar dhe ke qejf ta dëgjosh kur flet… është bërë për së mbari!
I ka në terezi ai punët e veta. Ka ikur e ka shpëtuar… Ç’të bëjmë ne, thuaj!
Është bërë ndryshe, si i hutuar e sikur ka rrëshkitur pak!

 

Emigrantët në Albania smiley

 

Nuk i ka dhe aq gabim autorja pergjithesimet qe ka sjelle,mbasi nje pjese e shqiptareve mendojne ashtu per ne,personalisht nuk merzitem,ç'do gje eshte relative,mund edhe te mburrem per ç'ka kam mesuar nga ky qyteterim i lashte ; e rendesishme eshte mos tjetersohesh por te mbash kembet ne toke e te shkrihesh me njerezit qe do dhe te duan,duke bere kujdes mos nenvlehtesosh edhe progresin e tyre!

Ohh well... we have learned to ignore too! smiley

shtohen shum kto artikuj ne vere...vjen nga momenti i perballjes vjetore - ca ke bo, si e ke bo, akoma s'e ke bo blah blah blah 

shqipria bahce me plehra eshte...e dime tashme

ja nje taksonomi qe s'te shpie asgjekundi

Është bërë kurrnac.
Janë fundi i kandarit atje ku janë, por vijnë këtu e të shesin edhe mend, pale!
Janë më keq se këta çeçenët e këtushëm"

Duroni edhe disa vjet kur prinderit e emigranteve dalengadale do ndahen nga jeta e bashke me ta do te ike edhe 90% e arsyes qe emigrantet kthehen ne vendin e tyre.Snobat qe iu nxjerrin gjuhen emigranteve do ta kene shqiperine te teren per vete ta dhjesin e menderosin me keq se c'kane bere deri me sot.

 

 

un kom pershtypjen qe n'shqipri paragjykimi ndaj emigrantit qendron ke xhepi.me i fjal hiq familjen e ngusht, per te tjeret je bankomat ku i vetmi kusht per te terheq lek -qerasje,eshte njohjasmiley te tjerat jan si historia e dhelpres me rrushin.

emigranti fshatar esht tjeter gjo,e ka si status mburrjensmiley

p.s: kenaqsin me t'modhe e kom  kur fusin doren n'xhep dhe bojn sikur dun me pagusmileyun i lejsha gjithmon t'pagujshin.nuk e bojn mosmiley

ja qe u gjeta nje here dakort me ty smiley,tesh edhe nerastin e vleresimit negativ,meskin i tipit u bone ti,ose edhe asht ba rob perssembari ka vu mend ka nje baze qe nga shqiperia niset çdokush me nje te kaluar negative...pra u bane edhe ti pra ishe ai qe ....zhelemel ,i pabuks,ose u ba njiri ka vu mend se ne shqiperi kjo nuk mund te ndodhe,pra nje autostime per veten ne"qiell"....

Merre me long se mishi u mbaru ..keshtu me duket ky lloj artikulli !!!

E them kete sepse nisem nga faktet qe ka sjell ketu per "asimilimin" e te huajve ne Amerike !!!
 

Po kjo foto nga "Titaniku " ësht marrë?

kush e ka ate fotografine e asaj faturres me nje shkrim dore ciper nga nji emigrant anonim, t'a hudhi pa u qelle. smiley

p.s.

per ne emigrantet, qe na ka lone gjuha shqipe mrapa, zahmet nanjoni nga juve qe shkruni nga shqipnia, me na shpjegu ca do me thone 'fundi i kandarit'. 

 

"vrima e fundit e kavallit".

kandari ka pas tjeter gjo; por jo vrime. perkundrazi.

pra vrima duhet te jete nji zhvillim post-91, nga shqiptaret e rinj.

me qe jemi ke novitetet e shqipes, pavarsisht idiotlliqeve qe shkrujne keto gazetaret shqiptare...

para ca diteve rastisa me ca kalamoj shqiptare qe kane ardhe ktej per vizite ke robt e vet. 

smart phone-ve i thojshin telefona t'holle.

t'holle si permasa mendoj, por edhe si kapacitet, qe e ka mendjen e holle.... 

m'pelqeu si zgjedhje fjalesh nga kalamojt pa pordhe dhe pa komplekse qe po rriten tashi ne shqipni, dhe bona nijet ta ndaj me ty emo, po s'kishte rastis.

e bukur ee.

Për mrokllën me mjaft kënaqsi smiley :

"Fundi i kandarit" është shprehje e vjetër ashtu si dhe "vrima e fundit e kavallit" ; tregon se ai të cilit i vihet epiteti ësht bosh pa peshë (në një vend, çështje apo ambjent shoqëror). Sa më afër aksit mbajtës  të jetë koqja e kanarit aq më pak peshon malli. Në fund(ngjit me aksin) tregon hiç, pra s'peshon asgjë.Kurse brima e fundit e kavallit e mbyll apo e hap s'ndryshon gjë melodinë që luan me fyll

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).