Dikujt mund t’i ketë bërë vaki t’i duket i dëgjuar fjalimi që kryeministri i dekretuar Edi Rama mbajti dje në Kuvendin e Shqipërisë gjatë prezantimit të programit, por mund të mos kujtohet se ku mund ta ketë dëgjuar atë. Ndoshta sepse duhet të kërkojë jo në skedarët e fjalimeve të hershme të Ramës, por në atë të kundërshtarit politik. Fjalimi që ish-kryeministri Sali Berisha mbajti kur u kthye në pushtet më 2005 është çuditërisht, ose jo, më i ngjashmi me atë të Ramës dje.

Ngjashmëritë nuk janë stilistike, ngjyrave apo fjalëve të zgjedhura. Duhet thënë kryesocialisti e zotëron shumë herë më mirë fjalën dhe njihet si publicist. Ndoshta për këtë ironia e tij u duk më therëse ndërsa u kujtoi demokratëve, sigurisht në formë hakmarrje sulmet që i kishin bërë kur e drejtonte partinë si kryebashkiak. “A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk ia ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pakursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë?”, tha Rama. Kjo e disa fjali të tjera bënë që opozita të braktisë seancën. I pari u ngrit nga vendi ish-kryeministri.

Në anën e tij më 9 shtator të 2005 ish-kryeministrit Berisha e akuzoi opozitën që kishte përballë në kuvend se ishte përfaqësuese e krimit të organizuar. “Më 3 korrik dhe 21 gusht shqiptarët, me përgjegjësi të lartë dhe guxim qytetar ata u ngritën dhe shembën bedenat e mafies dhe krimit të organizuar më të rrezikshëm në Europë…” thoshte Berisha ndërsa lexonte fjalimin prezantues të programit të qeverisjes. Sigurisht aludimet për opozitën e re si bartësja e më të keqes që i ka ndodhur vendit nuk thuheshin për herë të parë në sallë gjatë prezantimit të një qeverie. Kryeministrat shqiptarë, Rama më i fundit në listën e tyre, e kanë bërë rrugë që në fjalimet dhe programet më shumë vend t’i japin të shkuarës të cilën e nxijnë me qef të madh se sa asaj që ata do të bëjnë në qeverisje. Kjo, plus një liste të gjatë premtimesh që duket se kanë mbetur në vend që nga kohë që nuk mbahen mend, u japin dy fjalimeve një ngjashmëri jo fort të këndshme po të kemi parasysh se prej të sapoardhurve në pushtet pritet ndryshimi apo meqë e ata e quajnë ashtu “Rilindja”.

Sigurisht kjo nuk e justifikon largimin nga salla të opozitës së re që sa kohë ishte shumicë mbrojti deri në idhujtari jetën parlamentare pa bojkot madje duke fajësuar bojkotin për një mijë e një të zeza që u kishin kushtuar shtrenjt shqiptarëve. Opozita e re mund të ishte provokuar që dje nga prezenca në sallë e familjarëve të viktimave të 21 janarit që ajo e quan grusht shteti apo nga ish-të persekutuarit e grevës së urisë dhe vetëdjegies të cilët po ashtu njihen pasi ndërmorën deri hapa ekstremë kundër saj dhe që ndodheshin në lozha kur deri para pak kohësh shoqëroheshin në polici nëse i afroheshin kuvendit. Arsye të tjera për provokim mund të gjendeshin dhe kërkoheshin pa fund dhe në fakt opozitat në Shqipëria ashtu si ajo socialiste deri  kanë gjetur deri kleçka banale për të lënë sallë në një shumicë rastesh nga frika e rrjedhjes së votës në votime të fshehta.

Prania ose jo në këtë rast do ishte thjeshtë çështje mirësjelljeje siç e sheh ambasador i SHBA, por nga ana tjetër megjithë zotimet në fjalime për trajtim të barabartë as Berisha dje dhe as Rama sot nuk duket se kanë ndërmend të heqin dorë nga sulmi ndaj kundërshtarëve në minorancë. Ky i fundit ndërsa premtonte pikërisht respekt për opozitën dhe trajtim ndryshe të saj, e shoqëronte këtë me akuza për mënyrën se si ish shumica kishte drejtuar deri atë ditë kuvendin apo edhe punët e vendit. Nuk është e mundur të thuhet se sa për qind të fjalimeve të Ramës 2013 dhe Berishës 2005 zë akuza ndaj ish-shumicës, por me sy të lirë duket se në fjalime ato zënë rreth gjysmën e asaj që thuhet duke ia lënë pjesës tjetër premtimeve për ndryshime. Të dyja këto pjesë përtej fjalëve të zgjedhura ngjasojnë te Rama dhe Berisha. Të dyja palët akuzojnë të shkuarën për korrupsion. Berisha përdorte shifra “400 për qind më shumë se në 1996” thoshte ai duke vënë për krahasim qeverisjen e tij të parë. Apo që: “E kanë lidhur dhe po e mbysin” Shqipërinë siç thotë Rama në fjalën e tij të djeshme. Kjo nuk është e vetmja ngjashmëri, që sidoqoftë mund të provojë se korrupsioni mbetet problem njësoj si në 2005. Premtimet për të zhdukur varfërinë, punësimin, ujin dhe deri për urinë gjenden në të dyja fjalimet që në të njëjtën masë ja vënë fajin për gjendjen katastrofike (fjalët e përdorura janë mjerim, katastrofë, analfabetizëm, migjeniane, vdekje, vrasje)  paraardhësve në pushtet. Analisti Fatos Lubonja e ka parë këtë si një formë për të shmangur përgjegjësitë në të ardhmen. Një justifikim i vjetër e gjetëm shumë keq, zero, prandaj kaq mundëm të bëjmë.

Të dy kanë premtuar transparencë dhe të dy kanë fajësuar qeverisjet në largim si mohuese të kësaj të drejte. Më shumë fjalimet ngjajnë në pjesën kur e shohin zgjedhjen e tyre në krye të vendit si diçka historike.  “Më 3 korrik shqiptarët në bashkimin e tyre realizuan një mrekulli të vërtetë kombëtare dhe kjo jo se sollën Sali Berishën në pushtet, jo dhe jo. Mrekullia shqiptare e 3 korrikut ishte zhbllokimi i rotacionit politik…”, thoshte Berisha në 2005. “…se thellësinë e fitores së 23 qershorit, njësoj si atë të marsit ’92, nuk e përcaktoi dëshira për t’u ndërruar njerëzve vendet në këto karrige. As dëshira për të ndërruar kryeministrat e ministrat apo partitë e djathta e të majta, me njëra-tjetrën në pushtet. Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë”, thoshte Rama dje pak a shumë nga e njëjta foltore. Përmendja këtu e 92’ vitit simbol të demokratëve duket se ishte një nga arsyet e tjera të braktisjes së sallës.

Të dy po ashtu e quajnë zgjedhjen një përpjekje heroike në një luftë të pabarabartë me pushttin manipulatorë. “…vuri në jetë një proces elektoral që megjithë institucionet groteske dhe prirjen tradicionale të pushtetit për të manipuluar rezultatin u kthye në erën imponuese të një ndryshimi të paqtë po radikal”, tha Rama dje. Ndërsa Berisha në 2005 e shihte si ngritje: “mbi makinerinë gjigande të mashtrimit, të falsifikimit të certifikatave, listave të votimit të shtetit të sistemit të korrupsionit dhe votuan ndryshimin”. Të dy kanë premtuar sjellje ndryshe ndaj opozitës, por që kanë dështuar ta bëjnë këtë që në fjalimet e tyre të para në kuvend.  Këto sigurisht nuk janë ngjashmëritë e vetme, fjalimet përshkruhen nga një linjë dhe intonacion i ngjashëm. Fjalët e ndryshme dhe stili dhe ndonjëherë edhe gjetjet letrare të ndalojnë të thuash se Rama është kopjac, por të paktën në fjalimin e parë si kryeministër ( i dekretuar) ai nuk duket se ndryshon aq shumë sa thotë nga paraardhësi i tij. Nga ana tjetër të dëgjonte këtë formë të foluri duhej të ishte e mjaftueshme edhe për zotin Berisha, për të mos bërë sikur opozita sulmohej dhe fyhej për herë të parë ashpër në kuvend.

7 Komente

Dmth Zeri i Popullit do behet gazeta Rilindja?

E ke vene re qe edhe kur bejne seks, te gjithe po me nje brime i bien fyellit. Si nuk u merziten mer jahu. 

Si sasi  nuk e ke tamam, por  ama, ... je ...i paudhe PF

Si duket ekipi keshillmor apo redaktor smiley punon per te dyja partite. 

Edi Rama me sa duket nuk ja ka paguar akoma 'invoice' - in  Alastair Campbell per fjalimin e pas - zgjedhjeve. Keshtu qe kete rradhe u la on its own devices.

Eshte kryministri qe do perfaqsoje shqiptaret per nja kater vjet. Dhe keta shqiptare jane shumica arrogante, inatcore, hakmarres, dhe jotolerante. I perfaqson shume mire.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).