Veprat letrare kanë lindur si hije pa formë, në intimitetin e ndërgjegjes së shkrimtarit, të projektuara në të nga fuqia e kombinuar e të pandërgjegjshmes, e ndjeshmërisë së shkrimtarit ndaj botës rreth tij dhe e emocioneve të shkrimtarit. Dhe në këtë mjedis, poeti apo tregimtari, duke luftuar me fjalët, dalë nga dalë krijon formën, trupin, lëvizjen, ritmin, harmoninë dhe jetën. Një jetë artificiale, natyrisht, një jetë e imagjinuar, një jetë e përbërë nga gjuha, por prapë se prapë burrat dhe gratë e kërkojnë këtë jetë imagjinare. Disa shumë shpesh, të tjerët në mënyrë të herahershme, sepse jeta e vërtetë atyre u duket pak dhe nuk është në gjendje t'u ofrojë gjithçka që dëshirojnë. 

Letërsia nuk fillon të ekzistojë vetëm përmes punës së një individi të vetëm. Ajo ekziston vetëm kur përqafohet nga të tjerët dhe bëhet pjesë e jetës shoqërore dhe kur bëhet, falë leximit, një përvojë e ndarë mes shumë njerëzve. Ka edhe një arsye tjetër për t'i dhënë letërsisë një vend të rëndësishëm në jetën e kombeve. Pa të, mendja kritike, që është motori i vërtetë lëvizës i ndryshimit historik dhe mbrojtësi më i mirë i lirive, do të pësonte një humbje të pariparueshme. Kjo sepse krejt letërsia e mirë është radikale, dhe ngre pyetje radikale mbi botën në të cilën ne jetojmë. Në të gjithë tekstet e dëgjuar të letërsisë, shpesh edhe kur autori nuk e ka pasur aspak si synim, ekziston një tërheqje fatale. 

Letërsia nuk ka asgjë për t'u thënë atyre qenieve njerëzore që janë të kënaqura me atë që kanë, që ndihen mirë me jetën siç e jetojnë. Letërsia është ushqim për shpirtin rebel, lajmëtari i antikonformizmit, strehë për ata që kanë tepër shumë apo tepër pak në këtë jetë. Ne kërkojmë prehje në letërsi në mënyrë të mos jemi të palumtur dhe që të mos jemi të paplotë. Kalërimi në krah të Rosinantit kockë e lëkurë dhe të Kalorësit mendjeturbullt në fushat e Mançës, lundrimi në dete në shpinën e një balene me kapitenin Ahab, të pish arsenik me Ema Bovarinë dhe të bëhesh një insekt me Gregor Samsën, të gjitha këto janë mënyrat që ne kemi shpikur për të hequr nga trupi gjërat e padrejta dhe imponimet e kësaj jete të padrejtë, një jetë që na detyron të jemi gjithnjë i njëjti person, kur ne dëshirojmë të jemi shumë njerëz të ndryshëm, në mënyrë që të kënaqim dëshirat e shumta që kemi. 

Letërsia e paqëson këtë pakënaqësi të përjetshme vetëm në mënyrë të përkohshme, por pikërisht në këtë çast magjik, në këtë ndaljeje të përkohshme të jetës, iluzioni letrar na merr me vete dhe na çon përtej historisë dhe ne bëhemi qytetarë të një vendi pa kohë dhe, në këtë mënyrë, të pavdekshëm. Ne bëhemi më të pasur, më të ndërlikuar, më të lumtur, më të qartë dhe jetojmë gjithçka në mënyrë më të fuqishme në krahasim me rutinën shtrënguese të jetës sonë të përditshme. Kur e mbyllim librin dhe braktisim imagjinatën letrare, ne kthehemi në ekzistencën aktuale dhe e krahasojmë atë me tokën e shkëlqyer që sapo e kemi lënë pas. Çfarë zhgënjimi na pret. 

Por na pret edhe një përfundim i pamasë, pra që jeta e fantazuar e romanit është më e mirë, më e bukur dhe më e larmishme, më mirëkuptueshme dhe më e përsosur sesa jeta që ne jetojmë kur jemi zgjuar, një jetë e kushtëzuar nga kufizimet tona dhe nga mërzitia e kushteve në të cilat jetojmë. 
Në këtë mënyrë, letërsia e mirë, letërsia e vërtetë, është gjithnjë subversive, e papërkulshme, rebele. Një sfidë për atë që ekziston. 

Si të mos ndihemi të mashtruar pasi lexojmë "Luftën dhe paqen" ose "Në kërkim të kohëve të humbura" dhe kthehemi në botën tonë të gjërave pa rëndësi, të kufijve dhe ndalimeve që ndodhen kudo dhe në çdo hap të ndotë dhe shkatërrojë iluzionet tona? Edhe më shumë sesa për të mbajtur në këmbë vazhdimësinë e kulturës dhe për të pasuruar gjuhën, letërsia kontribuon në përparimin njerëzor është duke na kujtuar (pa qëllim, në shumicën e rasteve) që kjo botë është ndërtuar keq dhe se ata që pretendojnë të kundërtën, të fuqishmit dhe fatlumët, janë duke gënjyer, por edhe që bota mund të përmirësohet në mënyrë që t'u ngjajë më shumë botëve që janë në gjendje të krijojnë imagjinata dhe gjuha jonë. Ky është kontributi më i madh i letërsisë. Një shoqëri e lirë dhe demokratike duhet të ketë qytetarë të përgjegjshëm dhe kritikë, të ndërgjegjshëm se bota ku ne jetojmë duhet ekzaminuar vazhdimisht dhe për nevojën për t'u përpjekur, ndonëse kjo është një detyrë gjithnjë e më e pamundur, për ta bërë që kjo botë të ngjajë sa më shumë me botën ku ne do të donim të banonim. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të nxitur pakënaqësinë me ekzistencën sesa leximi i një letërsie të mirë, s'ka mënyrë më të mirë për të formuar qytetarë kritikë dhe të pavarur që nuk do të manipulohen nga ata që i qeverisin dhe që janë të pajisur me një lëvizshmëri e shkathtësi të përhershme shpirtërore dhe një imagjinatë plot jetë. 

Gjithsesi, ta quash letërsinë seduktive sepse ajo ndjeshmëron ndërgjegjen e lexuesit në raport me papërsosmërinë e botës, nuk do të thotë, siç duket se mendojnë institucionet fetare dhe qeveritë kur vendosin censurën, që shkrimet letrare do të provokojnë turbullira të menjëhershme shoqërore dhe do të përshpejtojnë revolucione. Efektet sociale dhe politike të një poezie, një vepre muzikore apo një romani nuk mund të parashikohen, sepse ato nuk janë vepra të bëra në mënyrë kolektive dhe të provuara (përjetuara) në mënyrë kolektive. 

Ato janë të krijuara nga individë dhe janë lexuar po nga individë, të cilët ndryshojnë shumë mes tyre nga përfundimet që nxjerrin nga shkrimet apo leximet e tyre. Për këtë arsye, është e vështirë, apo madje e pamundur, të përcaktosh korniza të sakta. Për më tepër, pasojat shoqërore të një vepre të letërsisë mund të kenë të bëjnë pak me cilësinë e saj estetike. Një roman mediokër i Harriet Biçer Stoui (Harriet Beecher Stowe) besohet se ka luajtur një rol vendimtar në rritjen e ndërgjegjes shoqërore dhe politike mbi tmerret e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Fakti se këto efekte të letërsisë janë të vështirë për t'u identifikuar nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë. Rëndësi ka fakti se ato janë efekte të krijuara nga veprime të qytetarëve personalitetet e të cilëve janë formuar pjesërisht nga librat. 

Letërsia e mirë, ndërkohë që e lehtëson përkohësisht njeriun nga pakënaqësitë, në të vërtetë e rrit këtë të fundit duke zhvilluar një sjellje kritike dhe jokonformiste ndaj jetës. Madje, mund të arrihet të thuhet se letërsia i bën qeniet njerëzore më shumë të predispozuara që të jenë të palumtura. Për të jetuar i pakënaqur dhe në luftë me ekzistencën, do të thotë të kërkosh gjëra që ndoshta mund të mos jenë aty, të dënosh veten për të luftuar beteja të kota, si betejat që koloneli Aureliano Buenda zhvilloi në "Njëqind vjet vetmi", duke e ditur fare mirë se do t'i humbiste ato të gjitha. 

E gjitha kjo mund të jetë e vërtetë. Sërish, është gjithashtu e vërtetë që pa rebelimin nga mediokriteti dhe varfërisë së jetës, ne do të ishim ende duke jetuar në gjendje primitive dhe historia do të kishte ndaluar. Individi autonom nuk do të ishte krijuar dot, shkenca dhe teknologjia nuk do të kishin bërë përpara, të drejtat njerëzore nuk do të ishin njohur, liria nuk do të kishte ekzistuar. Të gjitha këto gjëra janë pjella të palumturisë, të veprimeve sfiduese ndaj një jete të quajtur sit ë pamjaftueshme dhe të patolerueshme. Sepse kjo frymë që e quan jetën ashtu siç është dhe, ashtu si hulumtimet e çmeritura të Don Kishotit, çmenduria e të cilit vinte nga leximi i librave, letërsia ka shërbyer si nxitje e madhe. 

Le të provojmë një ribërje (rikonstruktim) historike fantastike. Le të imagjinojmë një botë pa letërsi, një njerëzim që nuk ka lexuar poema apo romane. Në këtë lloj njerëzimi të vyshkur, me leksikun e tij të varfër në të cilin britmat dhe gjestet prej majmunësh, do të mbizotëronin ndaj fjalëve, disa lloj cilësimesh e vlerësimesh nuk do të ekzistonin. Këto cilësime përfshijnë: donkishoteske, kafkiane, rabëleiane, oruelliane, sadiste dhe mazokiste, të gjitha fjalë me origjinë letrare. Të jemi të qartë, do të kishim sërish të sëmurë mendorë dhe viktima të paranojës e komplekseve të persekutimit, si dhe njerëz me orekse jo të zakonshëm dhe eksese të tmerrshme, po ashtu dykëmbësh që kënaqen duke shkaktuar apo pësuar dhimbje. Por, ne nuk do të kishim mundur të mësonim sesi të shikonim përtej këtyre skajeve (ekstremiteteve) të sjelljeve që janë të ndaluara nga normat e kulturës sonë, karakteristika thelbësore të gjendjes njerëzore. 

Ne nuk do të kishim zbuluar aftësitë apo cenet tona, pasi vetëm talenti i Servantesit, Kafkës, Rabëlesë, Oruellit, De Sadesë dhe Zaher-Mazokut na i kanë zbuluar. Kur doli në dritë romani "Don Kishoti i Mançës", lexuesit e tij të parë u tallën me këtë ëndërrimtar ekstravagant, po ashtu siç bënë edhe me personazhet e tjerë të veprës. Sot ne e dimë se këmbëngulja e Kalorësit të fytyrës së vrerosur për të parë gjigandë aty ku ishin mullinjtë e erës dhe për t'u sjellë në një mënyrë që duket absurde, është në të vërtetë forma më e lartë e zemërgjerësisë (gjenerozitetit) dhe një mënyrë proteste mbi të këqijat e kësaj bote, me shpresën për ta ndryshuar atë. 

Vetë konceptet tona të idealit dhe të idealizmit, kaq shumë të mveshura me konotacion të moralit pozitiv, nuk do të kishin qenë kështu siç janë, nuk do të ishin vlera të qarta dhe të respektuara, nëse nuk do të ishin mishëruar në protagonistët e një romani përmes forcës bindëse të një gjenie si Servantesi. 
E njëjta gjë mund të thuhet për femrën e vogël dhe pragmatiste donkishoteske, Ema Bovari, e cila luftoi me zjarr për të jetuar jetën e shkëlqyer të pasionit dhe luksit të cilën ajo e njohu nëpërmjet romaneve. Si një flutur, ajo iu afrua flakës më shumë sesa duhet dhe u dogj në zjarr ... 
Shpikjet e të gjithë krijuesve të mëdhenj të letërsisë na hapin sytë për të parë aspektet e panjohur të gjendjes në të cilën ne jetojmë. Kjo na e bën të mundur që të eksplorojmë dhe të kuptojmë më thellësisht ferrin e zakonshëm të jetës njerëzore. 

Kur ne themi "borgesiane", fjala menjëherë bën që mendja jonë të largohet nga rendi racional i realitetit dhe të hyjë në një univers fantastik, një konstruksion i rreptë dhe elegant mendor, thuajse gjithnjë me labirinte dhe mistere, dhe të mbushur me referenca dhe aludime letrare, identitetet e të cilëve nuk janë të huaj për ne, sepse aty ne njohim dëshirat e fshehta dhe të vërtetat intime të personaliteteve tona që janë formuar vetëm falë krijimit letrat të Horge Luis Borgesit. 

Fjala "kafkiane" na vjen në mendje, ashtu si mekanizmi i fokusimit të atyre kamerave të vjetra, sa herë që ndihemi të rrezikuar si individë të pambrojtur, nga makinat shtypëse të pushtetit që kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe padrejtësi në botën moderne; nga regjimet autoritare, nga partitë vertikale, nga kleri jotolerant, nga burokratët asfiksues. Pa historitë e shkurtra dhe romanet e këtij hebreu të shqetësuar të Pragës, që shkroi në gjermanisht dhe jetoi gjithnjë në vrojtim, ne nuk do të kishim qenë në gjendje të kuptonim ndjenjën e pafuqisë së individit të izoluar, ose terrorin e minoriteteve të diskriminuara dhe të persekutuara, përballë pushteteve të plotfuqishëm që mund t'i shtypin dhe t'i zhdukin pa ua parë as fytyrat xhelatëve të tyre. 

Përcaktimi "oruellian", një kushëri i parë i atij "kafkian", i bën jehonë ankthit të tmerrshëm, ndjenjës së absurditetit të skajshëm, që u krijua nga diktaturat totalitare të shekullit të 20-të, diktaturat më të sofistikuara, më të pashpirt dhe më absolute në histori, në kontrollin e veprimeve dhe mendimeve e pjesëtarëve të shoqërisë. Me "1984", Xhorxh Oruelli, përshkroi në mënyrë të ftohtë dhe papushim, një njerëzim të nënshtruar Vëllait të Madh (Big Brother), një zot absolut që, përmes një kombinimi efikas të terrorit dhe teknologjisë, eliminoi liritë, spontanitetin dhe barazinë dhe e ktheu shoqërinë në një grumbull robotësh. Në këtë botë ëndrrash të këqija, edhe gjuha i bindet pushtetit dhe është kthyer në një shabllon manipulues, të spastruar nga çdo veçanti njerëzore dhe subjektivitet, e shndërruar në një zinxhir përsëritjesh si papagall të klisheve, që garantojnë skllavërinë e individit ndaj sistemit. Është e vërtetë që profecia djallëzore e 1984-ës nuk ia doli dhe komunizmi totalitar në Bashkimin Sovjetik u shemb po ashtu si fashizmi totalitar në Gjermani dhe vendet e tjera. Po ashtu, shumë shpejt nisi të degjeneronte në Kinë dhe në vendet anakronike si Kuba e Koreja e Veriut. Por, rreziku nuk është i shmangur plotësisht dhe fjala "oruelliane" vazhdon të përshkruajë rrezikun dhe të na ndihmojë që ne ta kuptojmë atë ... Në jorealitetin e letërsisë, gënjeshtrat e letërsisë janë gjithashtu një mjet i çmuar për njohjen e realiteteve më të fshehta njerëzore. Të vërtetat që zbulohen në këtë mënyrë nuk janë gjithmonë të bukura dhe ndodh që imazhi i vetvetes që shohim në pasqyrën e romaneve dhe poemave është imazhi i një monstre. 

Kjo ndodh kur ne lexojmë shkrimet për kafshërinë e frikshme seksuale të De Sadesë (De Sade), ose dhimbjen e errët dhe sakrificat brutale që mbushin librat e mallkuar të Zaher-Mazokut (Sacher-Masoch) dhe Batajit (Bataille). 

Hera-herës, spektakli është kaq i furishëm dhe kafshëror saqë bëhet i parezistueshëm. E prapë se prapë, gjëja më e keqe në ato faqe nuk është gjaku, poshtërimi, dashuria e ulët për torturë; më i keq është zbulimi se kjo dhunë dhe këto tepri nuk janë të huaja për ne, se ato janë një pjesë që ndodhet në thellësi të njerëzimit. 

Këta monstra të etur për gjëra të ndaluara janë të fshehur në thellësitë më të errëta të qenies sonë; dhe që nga errësira që jetojnë kërkojnë një rast të përshtatshëm për të treguar se ekzistojnë, për të imponuar dëshirën e dëshirës së pakontrolluar që shkatërron racionalitetin, bashkësinë dhe vetë ekzistencën. 

Dhe nuk ishte shkenca që rendi e para në këto vise pa pikë drite të mendjes njerëzore dhe zbuloi fuqinë shkatërruese dhe vetëshkatërruese që gjithashtu i jep formë asaj. Ishte letërsia që e bëri këtë zbulim. Një botë pa letërsi do të kishte qenë pjesërisht e verbër ndaj këtyre thellësive të tmerrshme, të cilat ne kemi nevojë urgjente që t'i shohim. E paqytetëruar, barbare, djerrë ndaj ndjeshmërisë dhe e pagdhendur në të folur, injorante dhe instinktive, e papërshtatshme për pasion dhe e egër në dashuri, kjo botë pa letërsi, ky tmerr që unë jam duke përshkruar, do të kishte si kolona bazë: konformizmin dhe nënshtrimin universal të racës njerëzore ndaj pushtetit. Në këtë kuptim, ajo do të kishte qenë një botë thjesht kafshërore. Instinktet bazike do të përcaktonin praktikën ditore të jetës, të karakterizuar nga lufta për mbijetesë dhe nga frika për të panjohurën e, po ashtu, nga kënaqja e nevojave fizike. 
Nuk do të kishte aty vend për shpirtin. Në këtë botë, për më tepër, monotonia shtypëse e të jetuarit do të ishte e shoqëruar nga hija djallëzore e pesimizmit, nga ndjenja se jeta njerëzore është kjo që shihet, ashtu siç duhet të jetë dhe se gjithnjë ka qenë kështu, pra që akush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë. 

Kur dikush imagjinon një botë të tillë, atij i vijnë në mendje pamje të njerëzve primitivë me rroba të shkurtra, i vijnë ndër mend bashkësitë e vogla magjiko-fetare që jetojnë në skaj të modernitetit në Amerikën Latine, Oqeani apo Afrikë. Por, unë kam ndër mend një tjetër pamje. Tmerri për të cilin po ngre alarmin nuk është rezultat i nënzhvillimit, por mbizhvillimit, zhvillimit të tepërt. Si rezultat i teknologjisë dhe nënshtrimit tonë ndaj saj, ne mund të imagjinojmë një shoqëri të së ardhmes të mbushur me ekranë kompjuterësh dhe folës, pa libra, ose një shoqëri në të cilën, librat, veprat letrare janë bërë ashtu si alkimia në kohën e fizikës, një kuriozitet arkaik praktikuar në katakombet e civilizimit mediatik nga një pakicë neurotike. 

Kam frikë se kjo botë kibernetike, pavarësisht nga zhvillimi dhe fuqia e saj, nga standardet e larta të jetesës dhe arritjeve shkencore, do të bëhet thellësisht e pacivilizuar dhe e pashpirt, një njerëzim i dorëzuar ndaj robotëve të postletërsisë që kanë dhënë dorëheqje nga liria. Ka një probabilitet të lartë që kjo utopi makabre të ndodhë. Fundi i historisë sonë, fundi i historisë ende nuk është shkruar dhe nuk është i paracaktuar. E ardhmja jonë varet tërësisht nga vizioni dhe vullneti ynë. Por, nëse duam të shmangim varfërimin e imagjinatës sonë dhe zhdukjen e asaj aftësie të çmuar për të qenë të pakënaqur, aftësi që zhvillon ndjeshmërinë tonë dhe na mëson të flasim rrjedhshëm dhe fort dhe nëse nuk duam dobësimin e lirisë sonë, atëherë ne duhet të veprojmë. Më saktësisht, ne duhet të lexojmë. 

Asgjë më shumë sesa literatura nuk na mëson të shikojmë, brenda diferencave etnike dhe kulturore, pasurinë e trashëgimisë njerëzore, dhe të vlerësojmë këto diferenca si shprehje e krijimtarisë së larmishme, shumëfytyrëshe të njerëzimit. Leximi i letërsisë së mirë është një përvojë kënaqësie padyshim, por është edhe një përvojë që na mëson çfarë jemi dhe si jemi, në integritetin dhe papërsosmërinë tonë njerëzore, me veprimet tona, ëndrrat tona dhe fantazmat tona, të veçuar dhe në marrëdhëniet që na lidhin me të tjerët, në mënyrën sesi dukemi në publik dhe në thellësitë sekrete të ndërgjegjes sonë.

 

Përktheu Bledar Kuka

Marrë nga Milosao 

7 Komente

faleminderit rhea

Sa keq qe ka vetem nje koment smiley

 

kjo do te ishte nje teme e mire per te biseduar ne menyre te civilizuar mbi ato qe po... bisedoni (le te themi) tek tema e Hatibit

Nje  material  i mrekullueshem, ku nuk dime cilin paragraf  te  citojme me pare. Megjithate:

Letërsia nuk ka asgjë për t'u thënë atyre qenieve njerëzore që janë të kënaqura me atë që kanë, që ndihen mirë me jetën siç e jetojnë. Letërsia është ushqim për shpirtin rebel, lajmëtari i antikonformizmit, strehë për ata që kanë tepër shumë apo tepër pak në këtë jetë.

 

Flo, "artikull shume i gjate, per mendje te shkurtera", pati thene njehere ne nje situate te  ngjajshme  ai qe hiqet si kurd ne kohen e lire.

 

   urojme qe te jete i njejti personazh i cili ne kohen e lire hiqet edhe si dorac me penison ivaliditeti smiley

Edukate morale mbi letersine, m'u duk ky shkrim. Gjynah, te ulet nje njeri i mencur te shkruaje kaq bajatisht dhe per me keq shume te paverteta qe e bejne dhe qesharak vende vende. Humbje kohe. 

 

hmm shume e cuditshme kjo nderhyrja jote

 

apo e ke me faktin qe e kane pelqyer parafolesit? avaz i vjeter ketu ne peshk

? me ngaterron me tjeter njeri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).