Estabilishmenti politik i Republikës së Serbisë me lojën rreth zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës e ka sfiduar seriozisht jo vetëm Marrëveshjen e 19 prillit (pos nëse kryeministri i Kosovës ia ka ngulë thikën prapa shpine popullit të Kosovës), por edhe shpërfaq sy bote mosekzistencën në Serbi të një minimumi vullneti politik për implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Paramendojeni sikur në Luginë të Preshevës të aplikonte për regjistrim në KQZ një Listë Qytetare, Parti ose koalicion me emërtimet “Për Preshevën e bashkuar me Kosovën” ose
“Lista për Shqipërinë etnike”; s’do koment, se nuk do të regjistrohej, madje organizatorët do të arrestoheshin brenda në orën fiks 24 të afatit të fundit për regjistrim!?
Lista “Srbija” si surrogat i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) që paskësh aplikuar në KQZ pesë në 24, për të garuar në zgjedhjet lokale kosovare (si dhe Lista Qytetare e Oliver
Ivanoviçit me të njëjtin emër) jo që është një provokim i radhës – porse ajo i tejkalon këto caqe – ngase bie në kundërshtim me tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit
- në bazë të të cilave presidenti Marti Ahtisaari hartoi Planin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe që u pranua gjerësisht nga Grupi i Kontaktit: 1) Nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999; 2) Nuk ka ndarje të Kosovës dhe 3) Nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër; parime këto të adoptuara në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 1 dhe 3. Neni 1 (Përkufizimi i Shtetit) thotë: 1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm; Ndërsa Neni 3: Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Ndërkohë që Republika e Kosovës nuk ka ende Ligj për partitë politike, megjithatë këtë fushë e rregullon Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht ai për zgjedhjet lokale si dhe klauzola e Rregullores së UNMIK-ut 2004/11 se në cilat raste një parti politike, ose nismë qytetare nuk mund të regjistrohet në Zyrën për regjistrimin e partive politike dhe në KQZ për garën zgjedhore;
Në demokraci programet dhe veprimtaria e partive politike nuk guxojnë të jenë të orientuara në drejtim të shkatërrimit me dhunë të rregullimit kushtetues, nxitjes ose thirrjes në agresion luftarak dhe në nxitjen e urrejtjes nacionale, fetare ose racore dhe pa durueshmërinë ndërqytetare.
Për Max Weber-in  partitë janë fëmijë të demokracisë dhe të së drejtës së përgjithshme zgjedhore. Partia politike është organizim i përhershëm politik i qytetarëve me ide të njëjta, të cilët në mënyrë demokratike luftojnë për pushtet ose për ndikim në pushtet. Kjo do të thotë se Republika e Serbisë, me emrin dhe fytyrën e saj po hyn në garë për pushtet politik në një vend sovran.

Praktikat më të mira të ligjeve për partitë politike në rajonin e Europës Juglindore dhe më gjerë përmbajnë edhe klauzolën se kur një partie politike i ndalohet regjistrimi, si në rastet: 1) partia është krijuar jashtë territorit të shtetit; (në rastin e listës “Srbija”, ajo është ideuar, formuar dhe programuar në Beograd, përkatësisht sipas programit të Partisë Socialiste të Serbisë të kryeministrit serb Ivica Daçiç)
2) në dokumentet e themelimit të saj shprehet nxitja dhe përkrahja e urrejtjes racore fetare, krahinore ose etnike; (Në pamundësi që të kemi qasje në dokumentet bazë të listës “Srbija” ne mund ta komentojmë vetëm emërtimin e saj, që për rrethanat postkonfliktuale paraqet urrejtje nacionale dhe mosdurim etnik.)
3) mbështetet në metoda totalitariste, si dhe ka karakter të fshehtë; (Objektivisht lista “Srbija” është mekanizëm i aparatit shtetëror të Serbisë në Kosovë dhe njëherësh e ndërlidhur me konspiracion – shërbimet serbe të inteligjencës në bashkëveprim me strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë në territorin e Kosovës – në veri të saj dhe së këndejmi mund të konkludohet se ka karakter të fshehtë.)
Po ashtu në Kapitullin III të Kushtetutës së Kosovës: Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, Neni 57 (Parimet e Përgjithshme), në nenin 3 thuhet se: Pjesëtarët e komuniteteve do të kenë të drejtë që të shprehin, të avancojnë dhe të zhvillojnë
lirisht identitetin dhe atributet e tyre si komunitet. Kurse në nenin 4 thuhet: Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me ligjin e Republikës së Kosovës dhe nuk i cenon të drejtat e të tjerëve.
Përderisa Ligji për zgjedhjet komunale ose mutatis mutandis Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në nenin 64, për përgjegjësitë dhe funksionet e KQZ-së, nën e) thotë:
KQZ-ja përpilon dhe miraton fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore; gjë që edhe e bëri duke u bazuar në një kompromis politik dhe duke mënjanuar “Republikën” nga fletëvotimet; por emërtimet e listave qytetare, koalicioneve ose partive politike me emra të një shteti tjetër, ose emërtime që ngjallin urrejtje ndëretnike, se në rastin e listës “Srbija” nuk mund të jenë objekt të kurrfarë kompromisi brenda territorit të Republikës së Kosovës. Prandaj KQZ-ja duhet që në afat ligjor të kërkojë nga to ndryshimin e emërtimeve, ose të mos e lejojë garimin e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit, përndryshe kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës (Neni 1 dhe 2- përkufizimi i shtetit dhe sovraniteti) dhe Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, si dhe shkelje e  Rregullores 2004/11 të UNMIK-ut për partitë politike, e cila në nenin 4 (arsyet për refuzimin e regjistrimit) thotë: Zyra e refuzon kërkesën e partisë politike për regjistrim nëse: (a) Dokumentet e regjistrimit, duke përfshirë edhe statutin e partisë, nuk i plotësojnë kërkesat e kësaj Rregulloreje ose janë në kundërshtim me ligjin në fuqi;
(c) Partia paraqitet për regjistrim me emër, me akronim ose simbol që, sipas mendimit të Zyrës, ka gjasa të nxisë urrejtje apo dhunë ndërgrupore, etnike  apo religjioze.
Pranimi nga KQZ-ja dhe institucionet e Kosovës të këtij emërtimi në garën zgjedhore në Republikën e Kosovës, jo vetëm që zhvlerëson Republikën, por është përfundimisht pranim i vasalitetit ndaj Serbisë dhe njëherësh shënon akt të tradhtisë kombëtare!

8 Komente

Veshtire me lexu kur fjalia fillon me "establishmenti".

Me ke lexuar mendjen. 

Kujdes ju te dy smiley se kan filluar dosjet, dhe mund te klasifikoheni si te degjeneruar smiley

Pjer, hera e pare qe je me gjysme faze vonese. Une jam listuar. 

Pjer, na ler aman se na kaloi jeta me dosje.

Ee, kur u regjistrova ne azil ketu, Lirika, dosja ime ishte vetem fleta e regjistrimit, fotot, gishtrinjte, dhe pas 6 muajsh, kur dola nga kampi, dosja ime ishte nje 3 vellime smiley si duket kishin regjistruar ter bisedat e mia, ter ankesat e mia, nje biografi e tere qe do ta kishte zili edhe sigurimi i shtetit smiley

Me llogjiken e halilit bazuar ne marreveshjen ahtisari i bie qe edhe vetvendosja s'duhet te marri pjese ne zgjedhje se kerkon bashkimin me Shqiperine. Mire halilo, vazhdo

Halil ca lista shkjau po te kercenojne  sovranitetin e shtetit te Kosoves ? smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).