Simboli i flamurit tonë kombëtar ka ngjallur natyrisht, veç respektit të thellë të çdo shqiptari që e do vendin e vet dhe nuk e shet atë, edhe një «mister», që ndokush me sinqeritet e pohon kur shkruan se : “Pse është me dy koka shqiponjë mbi flamur ? Kjo më ka intriguar qysh në fëmijëri.” – përfundon ajo.

Kush nuk ka folur për shqiponjën me dy krerë! Dhe me të drejtë kjo çështje ka tërhequr në histori refleksionet e thella të burrave të politikës, të drejtuesve të lëvizjeve kombëtare, të poetëve, shkrimtarëve, publicistëve si edhe të studjuesve.

Pse me dy krera? Ka pasur edhe që e kanë pohuar disi me ndrojtje këtë fakt sepse nuk kanë dashur që simboli ynë kombëtar të jetë me dy koka, sepse kanë pasur frikën e legjitimuar se mos është shenjë mungese identiteti, shenjë skizofrenie, dyfishimi të personalitetit. Mos e kemi të shkruar në flamur përçarjen tonë të famshme? Do të ishte si ndonjë makth që do të na ndiqte si mallkim gjithë jetën!!!

Disa japin shpjegime historike. Dhe kanë deridiku të drejtë. Por, historia mund të shpjegojë disi prejardhjen e një simboli, por jo gjithmonë kuptimin e tij. Ne psh mund të shpjegojmë historinë e prejardhjes ta zemë të ideve të Platonit, por prejardhja nuk shpjegon kuptimin e tyre, ndonëse ajo mund ta lehtësojë atë. Ka simbole që merren nga e kaluara, por bashkëkohësit i japin një kuptim tjetër simbolit te huazuar nga e kaluara.

Aq më shumë që simboli i shqiponjës mbi flamur ka kaluar periudha të ndryshme historike, duke ardhur nga Mesjeta, ndofta edhe më larg akoma, duke përshkruar kultura romake, helene, byzantine, osmane, për të ardhur në shekullin e XX kur ky simbol u ngjit në flamurin kombëtar të shtetit tone. Historia nuk është ajo që më intereson këtu, edhe sepse breza të ndryshëm nuk dihet se në çfarë mënyre konkrete e kanë përvetësuar simbolin e shqiponjës.

Por ka edhe shpjegime që vështirë se ta mbushin mendjen. Ca thonë se është simboli i ndarjes ose i bashkimit Veri – Jug. E dyshimtë, sepse ky symbol ka përshkruar periudha historike ku ndarja Jug – Veri, për aq sa ka qenë e shkruar kulturalisht apo në dialekte, etj., nuk ka përbërë ndonjë problem. Duhet të ketë një komb dhe një shtet për të folur pastaj për pjesët e ndryshme të tij. Disa thonë se është një vështrim nga Roma e një vështrim nga Bizanti!!! E dyshimtë që një symbol të adoptohet kur nuk tregon një përkatësi te qartë në një botë ku perandoritë, zonat e ndikimit fetar, janë në kundërshti me njera tjetrën. Mbi të gjitha këto janë supozime, interpretime, ndofta pak ose shumë pak të sakta, debate që koha i mban gjallë dhe nuk kanë fund.

Aq më pak ndarja Shqiëri – Kosovë kishte ndonjë kuptim simbolik shekuj më parë. Mos ta mendojmë historinë duke projektuar atje të sotmen

Unë nisem nga semiologjia për te gjykuar simbolin e shqiponjës mbi flamur, nga psikanaliza, nga teoritë e komunikimit dhe jo thjesht nga historia qe sado me vlerë deritani nuk ka arritur të na jape një version përfundimtar, ose të besueshëm për kuptimin e shenjës “shqiponjë” mbi flamur.

Prej vitesh si kushdo edhe unë mendoj : Po pse me dy koka, pse me dy krerë ? Nga njëra anë i rrit përmasën mistike sikurse është simbolika kombëtare e fuqishme, por nga ana tjetër rrit shkallën e pakuptueshmërisë që krijon efekte largimi simbolik.

Pse me dy krerë?

Pasi bën njëmilion herë këtë pyetje, logjika të shkon ta zëvendësosh me një pyetje tjetër : A janë vallë dy krerë? A kemi shqiponjën me dy krerë si symbol në flamur?

Mua më shumë më duket se nuk e kemi sesa e kemi.

Teoritë e komunikimit simbolik, shprehen se shpjegimi i një simboli të figurshëm duhet nisur nga periferia e tij. Është periferia që shpjegon qendrën e simbolit dhe jo qendra që shpjegon periferinë. Për të shpjeguar kokën duhet nisur ndoshta nga bishti.

Kemi dy bishta apo një bisht të hapur në dy anet e tij, në mënyrë simetrike? Të gjitha versionet e simbolit të shqiponjës tregojnë se bishti është një, por i hapur, i « çarë » në dysh. Përndryshe bishti i një zogu fluturues, sikurse edhe i shqiponjës, nuk mund të qendrojë ashtu i hapur. Po, trupi, kraharori, ta zemë, pjesa e barkut, është e hapur në dysh, apo është një e tëre, e mbyllur ? Si veshtirë që zogu të ketë atë trup të gjerë dhe të rëndë, sepse do të ishte si një « aeroplanmbajtëse » ushtarake. Edhe trupi është i hapur në dysh në mënyrë simetrike. Në ndonjë version aq e dukshme është kjo, saqë shqiponjën e kanë paraqitur edhe me forma të organeve të brendshme te cilat janë të hapura simetrikisht në dy anët.

Nëse pranohet kjo hapje simetrike dhe simbolike e trupit të shqiponjës, atëhere kësaj logjike i shkohet deri në fund. Edhe në nivelin e kokës, nuk kemi dy krerë, por kemi një kokë të vetme te hapur në dy pjesë. Pra shqiponja nuk duket aspak me dy krerë, nuk ka ndonjë mutacion sikur të kishte jetuar mbi oxhakun e metalurgjikut, por është thjesht me një krye, me një kokë, në përputhje me ligjet e natyrës dhe të logjikës njerëzore. Koka ështe e ndarë në mënyrë simetrike, është ndarë në dy pjesë.

Dale mos u nxito ! - të thotë arësyeja. Atëhere pse nuk ka katër këmbë, pra dy këmbët e hapura që do të jepinin katër forma këmbësh? Pyetje e mire, por që e ka një përgjigje. Sepse simetria është bërë në formën e saj më të përkryer, sipas një aksi vertikal, dhe jo sipas akseve oblike, meqënëse kjo do ta prishte simetrinë. Nëse një shpend e ndajmë vertikalisht në dy pjesë simetrike, e sigurt që ky “operacion” nuk përfshin këmbët. Pra edhe argumenti kundërshtues bie.

Edhe qafa janë dy, pra nuk është një qafë që mban dy koka. Organikisht plotësohet argumenti se kemi një hapje simetrike të zogut madhështor dhe jo një zog fatkeq në mutacion biologjik dhe me nënkuptime psikologjike jo fort shpresëdhënëse.

Pse është “hapur” simboli i shqiponjës në dy pjesë simetrike? Teoritë e shënjave mund të na ndihmojnë.

E para, sepse simetria rreth një aksi ka qenë prej mijra vitesh dhe në kultura të ndryshme si parimi i harmonisë perfekte dhe i së bukurës sublime. Shihni dhe sot sesa simetrike, të ndara në dy pjesë, i kemi shtëpitë, veturat, shishet e qumështit, etj.

Së dyti, nëse koka do të paraqitej si një njësi unike ajo do të binte në kundërshti estetike, jo simetri, me flatrat e hapura të shqiponjës, të cilat i japin asaj madhështinë e duhur. Koka do të ishte shumë e vogël para pjesës tjetër të simbolit gjigand. Aq më shumë nuk do të dinte nga të kthehej. Kurse simetria i jep shqiponjës palëvizshmëri, dhe qetësia absolute, moslëvizja, është prej mijra vitesh, kulimi i përsosmërisë.
Së treti, koka e hapur në mënyrë simetrike harmonizohet në një plan me dy dimensione, sepse po të ishte njësh, pra një kokë, do ta bënte të detyrueshme paraqitjen e saj me reflekset e dimensionit të tretë, pra do ta jepte shqiponjën në një hapësirë tridimensionale.
Shtrirja e kokës në dy pjesë simetrike e vizaton kokën në një plan dhe jo në hapësirë kubike. Në këtë mënyrë shqiponja integrohet, shkruhet, tërësisht në planin e flamurit dhe nuk del prej tij. Po të shohin në disa simbole popujsh të tjerë pikërisht dalja e qafës dhe kokës së shqiponjës jashtë planit dy-dimensional e shkëput në mënyrë fatkeqe atë nga sfondi i vet. Jam shokuar një ditë kur në një lokal në Tiranë pashë një shqiponjë të balsamosur me dy koka. Ishte e tmerrshme dhe më ngjalli ndjenjë tërheqje. Shqiponja me tre përmasa dhe me dy koka është një zog me mutacione. Shqiponja e flamurit nuk mund të dalë me tre dimensione pa u përçudnuar, prandaj edhe replika e saj në hyrje të Tiranës është filozofiksht e gabuar, pavarësisht dëshirës së mirë, për t’a “ngjallur” ate.

Së katërti, duke e paraqitur në dy dimensione dhe jo në tre, ne nuk kemi më një shenjë të ndërtuar në formën e një modeli real tredimensional në miniature, por kemi një shenjë analoge abstrakte, pra një nivel kulturor dhe abstragues më të lartë sikur të kishim pasur një shqiponjë me një kokë të nxjerrë si reliev vizatimor. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se jo vetëm shqiponja nuk është dykrenore, besoj, por edhe se simboli në fjalë është i nivelit të dytë te abstraksionit, sikurse shpjegon Roland Barthes, është shenja e shenjës, pra një vizatim gjeometrik dypërmasor i një simboli tridimensional.

Së pesti, çdo amator i kubizmit tani e njeh çështjen, fakt i dy qafave dhe dy kokave në një symbol viziv, nuk do të thotë se ka dy koka dhe dy qafa. Poashtu sikurse te pikturat e Pikasos, vizatimi i dy syve në të njejtën profil faqeje, përshembull, nuk do të thotë aspak se njeriu është me dy sy në të njejtën faqe, por se vizatimi apo piktura i ka paraqitur ata parë nga pikëpamje të ndryshme.

Së gjashti, për rrjedhojë, simboli i shqiponjës të disekuar është një symbol që thyen ligjet e optikës të objekteve tredimensionale, të cilët nga një pozicion nuk mund të zbulohen në të gjitha faqet e tyre përpara syrit. Kurse shqiponjën tone e sheh nga të gjitha anët. Atë nuk e dallon madje nëse e sheh nga përpara apo nga pas, nga e majta apo nga e djathta. Ajo ka një simetri perfekte, ajo shihet njësoj nga të gjitha pozicionet, pavarësisht se në çfarë pike ndodhet vëzhguesi i saj, ajo ka një pozicion “mbretëror”, “perandorak”, me një fjalë është një symbol që është i barabartë me të gjithë, iu takon të gjithëve, sikurse është kombi dhe duhet të jetë shteti i tij. Iluzioni i dy krerëve nuk është veçse mundësia që ka vëzhguesi për ta parë të gjithë zogun symbol në një plan dypërmasor, por pa humbur asnjë profil dhe pamje të tij.

Po përse kemi dashur më shumë të shohim një shqiponjë dykrerëshe dhe jo një shqiponjë me kokë të hapur në mënyrë simetrike si trupin e saj? Sepse këtu na ndihmon psikanaliza, nje trup të hapur pranohet, por “çarja” e kokës tregon një goditje, tregon mbarim, tregon një gjendje fundi tragjik. Deri te trupi syri ynë sheh atë që duhet të shohë, te koka syri bllokohet dhe nuk sheh hapje simetrike të objektit, por dy koka. Vështrimi dyzohet, i dyfishon objektet, jemi ne që e dyfishojmë objektin, kurse ai mbetet një si nga qafa e poshtë ashtu edhe nga qafa e lart.

Shpirti ynë nuk pranon një simbol me kokë “të hapur”. Kjo traumë duhet kaluar duke parë atje jo një symbol të shkallës ë pare në tredimensione, por një simbol abstrakt, në dy dimensione, një kokë të pare nga të gjitha anët njësoj. I madhi filozof i ngjyrave dhe formave, Kandiskij, na meson se duke qenë viktima të syrit, ne kujtojmë se riprodhimi në letër apo beze i objekteve të jashtëm ashtu sikurse i sheh ata syri është realist. Iluzion – shkruan ai. Pamja e syrit është një nga pafund pamjet që mund të na japi një objekt. Këtej lindi edhe piktura abstraksioniste që iu ikën ligjeve organike të qenieve biologjike.

Po nga kjo pikëpamje, një shqiponjë e vizatuar si me dy krerë është me realiste se e vizatuar me një kokë, sepse me “dy” krerë, pra me një kokë, por të riprodhuar dy here simetrikisht simboli bëhet i vëshgueshëm njëherësh nga të gjitha anët duke mundur ligjet optike të parjes së objekteve me tripërmasa ose të figurave me trepërmasa.

Duke bërë këtë shpjegim, ne e tejkalojmë traumën psikologjike të “kokës së çarë në dysh”, çka na ka detyruar të pranojmë shqiponjën me dy krerë si simboli mbi flamurin tone kombëtar. Sipas meje, është një shqiponjë me një kokë, por e vizatuar, e pikturuar, e qendisur, pra e konceptuar sipas rregullave të shpirti dhe jo sipas ligjeve të syrit.

Shqiponja njëkrenore.
Perandorakja.
E palëvizshmja.
Harmonia perfekte.
E barabarta me të gjithë.
Drejtësia absolute.

 

(Të drejtat e ribotimit në letër të rezervuara, të shpërndarjes në Internet janë te lira)

3 Komente

Mua më shumë më duket se nuk e kemi sesa e kemi.

Dmth shqipes se shkrete i paskan bere dissection. Qekemi jo vetem kombi me i vjeter po paskemi shpik dhe anatomine. 

" ... dhe jo ipas ligjeve te syrit.." Mbush faqe ore Artan se kush i lexon nga keto qe keput !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).