Njerëzit e medias e trajtojnë fotografinë si të barasvlershme me 1000 fjalë. Mirëpo shpesh harrohet ana tjetër – përtej fotografisë. Fotografia si riprodhim i një realiteti e ka pra edhe anën tjetër, historinë dhe gjenealogjinë e vet, rrethanat që e kanë prodhuar si ngjarje, pamje dhe imazh. Racizmi së bashku me etnonacionalizmin në Evropën Juglindore, pra edhe në hapësirat gjeografike shqiptare janë patologjitë shoqërore që e mbajnë në ngërç modernizmin dhe zhvillimin e këtyre shoqërive

Pamja tipike e një dasme nga fëmijëria ime që më ka mbetur në mendje dhe që nuk arrija t’i jepja një përgjigje atëbotë, është ajo kur kthehen sofrat, e para, e dyta, e treta; që atëherë kisha hetuar njëfarë komuniteti me disa rende “qytetare”. Në sofrën e tretë rëndom uleshin ca fukarenj dhe fëmijë.
Porse për romët me tupan e surle, që argëtonin dasmorët, nuk kishte një vend as në rendin e tretë “qytetar” të asaj shoqërie, që tash e vlerësoj thjesht  primitive!?
Mbaj mend që atyre u shtrohej një letër thasësh industrialë pas dere dhe ende me vringëllojnë në kafkë lugët e shkëlqyera si shpata betejash të harruara.
Kisha qejf të ulesha pranë tyre, t’i vështroja instrumentet e tyre muzikore dhe të dëgjoja çfarë thoshin. Ata nuk flisnin, nuk përbuznin.
Të gjithëve u drejtoheshin: “Po, zotni” dhe pas ndonjë shërbimi pasonte heshtja!?
Një fotolajm që u emetua në mediet shqiptare e që kishte për subjekt një politikan të ri shqiptar (ministrin Erion Veliaj) dhe një fëmijë (shtetas të tij) në të parë ishte shumë domethënës, me rrezatim humaniteti dhe shkonte përtej logjikës dhe imazhit të politikanit karagjoz e mendjemadh shqiptar. Sipërfaqësisht shprehte ndjesinë dhe frymën e re të një politikani ballkanik. Mirëpo në thelbin e vet fotografia si riprodhim i një realiteti e ka pra edhe anën tjetër, historinë dhe gjenealogjinë e vet, rrethanat që e kanë prodhuar si ngjarje, pamje dhe imazh.
Dhe vetë historia e këtij lajmi dhe kësaj  fotografie e bënte atë hipokrite dhe thjesht një lajm pa etikë. Pse?
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj, shihej tek e kishte dërguar në spitalin ushtarak të Tiranës me veturën e tij zyrtare një vogëlush, bashkështetas, i cili kohë më parë ishte aksidentuar, në ndërkohë që atij i ishte refuzuar ndihma mjekësore, me motivacione administrative por me prapavijë shumë të hapur raciste.
Vogëlushi ishte me përkatësi etnike rome.
Dhe pikërisht kjo ia heq lajmit etikën dhe e shndërron në propagandë!
Mirëpo Republika e Shqipërisë, ndonëse shtet kombëtar i shqiptarëve, është shtet qytetar i bazuar në demokracinë parlamentare dhe në të drejtat e njeriut dhe në barazinë e shtetasve. Kjo sanksionohet me neni 20 i cili thotë: “Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre”.
Në kreun I të Kushtetutës së Republikës (Parimet e Përgjithshme)  në nenin 15, paragrafi 1 thuhet:  “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”.
Kurse në nenin neni 18, paragrafi 2 thuhet: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”.
Nga kjo del se Republika e Shqipërisë de jure mbron shtetasit nga çfarëdolloj diskriminimi  racial, etnik e fetar. Mirëpo realiteti, si çdo kund në Evropën Juglindore është krejtësisht tjetër? Grupet e ndryshme etnike e kulturore jo që janë të diskriminuara, por nuk i gëzojnë as të drejtat elementare dhe sidomos jo katër liritë themeltare të proklamuara në fjalimin e tij inaugurues para 68 vjetësh nga presidenti amerikan Franklin Delano Roseewelt: 1. Liria e fjalës, 2. Liria e besimit; 3. Liria e të dëshiruarit (liria ekonomike) dhe 4. Liria nga frika. Dhe kjo është lehtë e vërejtur në shoqëritë e tranzicionit në Evropën Juglindore, pra edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Përse media duhej të trumbetonte dhe t’i jepte jehonë lajmit se vogëlushi në krahët e ministrit ishte i përkatësisë etnike rome?
Për ta bërë më të fuqishëm lajmin dhe për ta ngjyrosur atë me humanitetin e ministrit ndaj romëve apo thjesht si propagandë e Qeverisë së re shqiptare, si mekanizëm për imazhin e saj të mirë?
Me këtë rast përdoret media, që në mënyrë të nënvetëdijshme e pranon se diskriminimi në këtë vend është i hapur.
Më parë, 36 familje shqiptare me rrënjë rome ishin zhvendosur nga shteti me masa represive nga një lokacion për t’i hedhur në rrugë. Në këtë histori shfaqet Elidoni i aksidentuar, të cilin e ëma e kishte dërguar për mjekim por i ishte refuzuar shërbimi, kështu që vetë ministri i Mirëqenies sociale dhe i Rinisë, me veturën e tij zyrtare e kishte dërguar atë në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë trajtimin e duhur. Ky është lajmi, në të parë inspirues.
Por a duhet që gjithnjë të qëllojë afër një ministër, sado i frymës së re dhe sado human (në këtë rast këto cilësi as që  mund t’i mohohen ministrit Veliaj)  për t’i dhënë shërbime mjekësore një fëmije?
Posaçërisht nëse ai është me përkatësi etnike rome!?
Në ndërkohë ministri Veliaj paskësh premtuar zgjidhje për 36 familjet rome, porse zgjidhja nuk është gjetur ende, derisa po shkruaj këtë kolumne.
Mirëpo historia e abuzimit me romët në Shqipëri është e gjatë dhe vjen deri në ditët e sotme.
Sipas një raporti të Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) të vitit 1997, evidentohen raste të diskriminimit jo vetëm simbolik por edhe faktik, madje ndër më mizoret të trajtimit të romëve. Që nga mohimi i së drejtës për jetë – vrasjeve makabre (ndezje me benzinë) e një të riu rom nga katër të rinj shqiptarë dhe, për ironi prokuroria nuk e cilëson krim klasik i motivuar nga urrejtja raciale porse e cilëson si “zënkë mes adoleshentësh”, e deri tek mohimi i një procesi gjyqësor të ligjshëm dhe ofrimi i mjeteve juridike, ngase avokatët refuzojnë ta mbrojnë një rom!?
Janë shënuar edhe vdekje nga rrahjet brutale të policisë; kërkim dhe marrje me zor e parave, privim nga pronat e luajtshme në mënyrë joligjore; ndalime dhe arrestime arbitrare. P.sh. kur policia kërkon një të dyshuar rom dhe nuk e gjen, atëherë merren pengje familjarët, mbahen më shumë se tre muaj paligjshëm dhe askush nuk jep llogari.
Diskriminimi është i përditshëm dhe shkon përtej logjikës së pamundësisë së shtetit për të kontrolluar “rregullin e kaosit” sipas të cilit rëndom jetojnë romët në Shqipëri. Një rom i ka thënë ERRC-së se sa herë që ndodh një problem në qytet, policia së pari shkon tek ata, i bastis, maltreton, rrah dhe paragjykon si kriminelë të mundshëm!
E të mos flasim për diskriminim në punësim e arsimim, në ushtri dhe nga organet lokale të pushtetit.
Në anën tjetër, subjektet e ndryshme politike në kontinuitet e manipulojnë votën e romëve, duke filluar nga premtimet për punësim deri tek blerja e saj me një shumë simbolike parash.
Sa i përket abuzimit emotiv ose simbolik, Shqipëria nuk veçohet nga fqinjët e parë, si Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Serbia, por as nga Bullgaria, Rumania, Çekia etj.
P.sh. ERRC-ja vëren se romët në Shqipëri trajtohen me emërtime joqytetare dhe në baza raciste, si fise nomade, ndër të cilat shquhen meckara, kabuzie, cergara ose skodrara dhe kurtofa.
Romët në Shqipëri përfshihen kryesisht në emërtimin racist si arixhinj.
Racizmi ndaj romëve nis me gjuhën dhe kodekset popullore dhe përfundon në shkelje drastike të të drejtave të njeriut.
Sipas ERRC-së, një shqiptar i Dumresë e ka për zakon të thotë për miqtë (krushqinë)  “me nder, po vijnë arixhinjtë”; “me nder, si një mëhallë jevgjish”, shprehet një amvisë tiranase për një katund të mbajtur keq: “A duhet pritur ndonjë gjë prej arixhinjve”?- pyet një dibran.
Një frikacak përshkruhet si “një arixhi në shtatë breza” etj. Vrasja e një arixhiu sipas këtij raporti nuk është theksuar ndonjëherë të jetë trajtuar si vrasje e një shtetasi, as nga organet e ndjekjes.
Sikur në rastin kur e vranë të riun Fatmir Haxhiu në Tiranë, vrasësit i kishin thënë “arixhi i qelbur” etj. dhe siç  u theksua më lart, vrasja ishte cilësuar si zënkë adoleshentësh, por jo si krim klasik.
Statistikat zyrtare flasin së këndejmi për më pak se 1000 romë në Shqipëri (sic!), ndërsa shifrat e ERRC-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kulturore e etnike thonë se në Shqipëri jetojnë mbi 120 mijë romë.
Romët dhe jevgjit perceptohen nga shumica si të dallueshëm. Por edhe ata vetë e bëjnë shpesh këtë dallim. Për një rom jevgjit nuk ka gjuhë dhe nuk e mban traditën, ai martohet me një të bardhë dhe flet shqip, ndërsa për jevgjit, romët janë primitivë, (gabelë) nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë, derisa veten e quajnë “qenie humane” dhe para administratës thjesht shqiptarë!
Në këtë sfond të trishtë, ministri Veliaj duhet të përballet me këto fakte, të bëjë të pamundshmen për ta ndërruar frymën e konstitucionit shpirtëror të shoqërisë shqiptare ndaj romëve dhe ta ndërrojë fytyrën e shtetit ndaj tyre, para se të fotografohet me një vogëlush rom në grykë!
Nisur nga këto argumente, lajmi dhe fotografia e Erion Veliajt më janë dukur të pështira, hipokrite dhe mediatikisht pa etikë profesionale!
Në anën tjetër në Kosovë është një situatë edhe më tragjike. Romët rëndom ia kanë  mbajtur anën kastës apo etnisë dominuese në shoqëri.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë romët kryesisht ishin përdorur si vegla në duart e pushtetit fashist të Milosheviçit, por aty-këtu, paradoksalisht, kishte edhe romë që i ishin bashkuar UÇK-së.
Dhe pas luftës romët kryesisht janë përzënë nga Kosova të përbuzur si armiq, ose kanë ikur vetë me armikun!?
Ata që kanë mbetur, kryesisht mbaheshin në disa kampe si ai i Plemetinit, që ka ekzistuar deri në vitin 2007, pastaj një në Mitrovicë të veriut etj.
Këto kampe janë cilësuar si “turpi i Kosovës” dhe pasojat e tyre në imazhin e shtetit nuk janë eliminuar ende.
Përderisa në Shqipëri diktatori Enver Hoxha mëtonte ta krijonte një komb unik shqiptar, jo përmes integrimit në shoqëri, por përmes mohimit të identitetit të veçantë, së paku kampe përqendrimi nuk ishin vendosur.
Kurse regjimi i Kosovës nominalisht shtet multietnik dhe qytetar, kishte vendosur dhe mbajtur të tilla!?
Edhe pas heqjes së kampeve dhe ndërtimit të ndonjë banese kolektive, romët në Kosovë janë tërësisht të diskriminuar në jetën sociale, ndonëse barazia e tyre është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet aktuale.
Më pak para ligjit dhe në shkollim sesa në punësim e shërbime shëndetësore, si dhe në shërbime juridike.
E sa i përket dhunës simbolike, të përmendim vetëm dy raste emblematike: Adem Demaçi që vlen si lider i të drejtave të njeriut në Evropën Juglindore, duke bërë fjalë për skenën politike pati deklaruar: “Mos të bëhemi si magjuptë” – ndërkaq lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” ka qenë i pranishëm në Tiranë, kur ishte linçuar një muzikant i përkatësisë rome në një kafene dhe ai nuk kishte reaguar fare, duke e përcjellë skenën e dhunës me gjakftohtësi të pamatshme!

11 Komente

ndërkaq lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” ka qenë i pranishëm në Tiranë, kur ishte linçuar një muzikant i përkatësisë rome në një kafene dhe ai nuk kishte reaguar fare, duke e përcjellë skenën e dhunës me gjakftohtësi të pamatshme!

ca ti thuash ketij njeriu.  njehere mbron serbet,njehere arixhinjte.,ndersa shqiptaret i ka armiq konstante.  nemesis nga te gjitha anet,,  kombi kosovar andej,arbanitasit etnik por me kombesi greke andej,, urraaa

nga nje ane mire bejne me keto pickime se shqipot jane trashur e pergjumur rrezikshem

nese autori i shkrimit eshte Halil Matoshi, Shkelzen Maliqi, apo Fatos Lubonja, dihet automatikisht qe pruresi me i pare te PPU eshte Shvejku..smiley

faleminderit per prurjen Shvejku!smiley

Puuuuu kush flet per etike! Po ik o Halil se me njerez si ty eshte per ta bo oksigjenin me tollon!

Se pari Albini nuk ka qene fare prezent te Tirana Ekspres kur ai kongetari rom hongri shpulle. E dyta ai hongri shpulle dhe shume mire ju be se po kendonte nje kenge qe kendohej nga paramilitaret serbe kur masakronin shqiptaret, dhe kur ju kerku me miresjellje qe te mos e kendonte, u pergjigj me prodhe qe kendonte car t'i dote trapi. Edhe ai qe i gjujti u soll sic ja desh trapi. Pra ai nuk u qellu fare se ishte rom, por thjesht se ishte aq budalla sa nuk kuptote se nuk mund te kendote ne mes te Tirones konge qe njerzve u kujtojne vuajtjet cnjerzore. Pra njesoj do ishte rraf (mos me keq) po te kish qene biond me sy bojeqielli.

Sa per kulturen e kur..ve qe perhapin propaganden dezinformuese te lubonjave, halilve etj, ai cuni qe e ka rraf ate debilin, me eshte lut edhe mua qe te shkoj te T.E. ate nate, me disa shoke tanet te VV. Dhe duke pas parasysh manine time per te ndjek koncertet ka perdor pikerisht argumentin qe atje do kish nje koncert me muzike rome. Pra jo vetem qe nuk kishte asgje me romet por po i bente edhe reklame koncertit. 

Nejse kur..t nuk kane me car bejne si te perkushtuar ne sy te te jashtmve dhe sajojne pislliqe si keto. Pastaj me nje gure vrasin dy zogj se edhe hakmerren per denigrimin qe i ben ketyre kur..ve VV dhe simpatizantet e saj.

Sa per Veliajn, xhesti i tij me duket shume simbolik dhe i dobishem. A ka perfitu politikisht? Ndoshta po por impakti i xhestit te tij me duket shume me pozitiv per shoqerine se sa shqetesimi se mos e ka bere per te perfitu (qe ngelet nje supozim). 

" Sa per Veliajn, xhesti i tij me duket shume simbolik dhe i dobishem." e drejte kjo! Fotografia e Veliajt me vogelushin eshte nje shembull i mire. Po ashtu, te gjithe shembujt qe ka sjelle Matoshi dhe qe denoncojne gjendjen mjerane te komunitetit Rom nuk jane te zmadhuara...por lidhja qe u ka bere H.Matoshi  " si mize pa koke "

 

Ne nje artikull ishin kapur/futur disa subjekte, me nje montim pak si artificial, se tjeter gje ishte subjekti i pare, tjeter i dyti e tjeter i treti, pavarsisht se brenda ishte elementi rom/cigan. 

" Racizmi ndaj romëve nis me gjuhën dhe kodekset popullore dhe përfundon në shkelje drastike të të drejtave të njeriut." ka nje fare te drejte Halil Matoshi ketu, sepse eshte e vertete: Ne hapesire dhe kohe gjuha, gdhend mendimet.

 

 

Jemi  shume te tronditur  nga  kjo fotografi qe flet  sa  nje mije thashetheme. Thellesisht te prekur nga  gjesti  fisnik i ketij burri  te rralle. Sidomos kur shohim delikatesen me te cilen e mban trupin e drobitur  te  femijes rom. Mjafton te  shihet  perkulja  e  trupit te ministrit  dhe  veshtrimi i tij  i perqendruar ne bebezat  akoma me jete  te  femijes rom. Kemisha e bardhe  e ministrit ne sintoni me allcine e kembes  krijon kontrastin e duhur  me  tisin brun natyral te lekures se femijes.

Por  i ka shpetuar nje hollesi e vogel  grupit regjizorial te kesaj fotoje monumentale:  femija  eshte minoren dhe nuk mund te fotografohet pa lejen e prinderve  te  tij. Eshte  veprim i jashteligjshem  fotografimi i nje minoreni dhe berja  publike e fotos po ashtu . Eshte abuzim i denueshem ne baze  te  cdo ligji te  mediave  apo  shoqerive te  botes  se  civilizuar. "Sigurisht Ministri  yne  zemerbardhe i di keto por fajin e ka  Makiaveli", mermerit doraci qe sapo ka mbaruar  se lexuari "Princin".

"Nisur nga këto argumente, lajmi dhe fotografia e Erion Veliajt më janë dukur të pështira, hipokrite dhe mediatikisht pa etikë profesionale!"

E para fare meso se c'do te thote argument, sepse nuk e ke idene bazuar ne ato qe shkruan. E dyta, nese ti nje dite te mire do te marresh nje femije rom ne krahet e tua e ta dergosh ne spital, do te japesh shembullin me te mire - po deshe dil ne foto po deshe jo nuk ka rendesi. Ka shume familje dhe femije rome lypsa, gjithe qendren e Tiranes plot e ke. 

Por derisa sa ta besh kete gje ngelesh njeriu i peshtire, hipokrit dhe mediatikisht pa etike profesionale. 

 

Shume llafe te harxhuara per nje njeri ordinder, nuk ja vle me u marr kaq shume me kete tipin. Nje nivel me Mero Bazen eshte ne servilizmin e tij, asgje me shume. 

Veliaj s'duhej ta kishte bere kete veprim dhe pike. Asnje gje nuk zgjidh dhe askujt nuk i ndihmon konkretisht pervecse NDOSHTA atij minorenit. 

Ky akt eshte i peshtire sepse NUK eshte spontan. Rruget e Tiranes kane qene gjithmon plot me femij rom. Tani i dhembi zemra me shume Erionit, dhe ku qelloi ky fotograf tamam kur po dilte ky nga makina. Keto jane palacolleqe te nje politikani medioker si Veliaj.

Ka dicka hyjnore ne kte fotografi. Rastesisht me kujton kte Madonna and Child nga Duccio, veper e cila ndikoi ne menyre rrenjesore #Rilindjen italiane. God bless you Mr. Qyrku.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).