Kreu i Bashkisë së Tiranës  inauguroi sot nisjen e punimeve për zgjatimin e Bulevardit të Tiranës, duke e cilësuar këtë si një ditë historike. Në fjalën e tij, Basha siguroi pronarët e tokave, që kanë protestuar në këto dy ditë, se do të dëgjojë çdo pretendim të tyre dhe do të korrigjojë çdo shpronësim.

“Eshtë një ditë historike, pasi thyejmë kufinjtë dhe kryeqyteti merr frymë lirisht. Nisim një korridor të ri zhvillimi dhe punësimi për Tiranën, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimit dhe argëtimit. Dy vjet më parë e premtuam këtë projekt sot po mbajmë premtimin. Kur e shpallëm si prioritet strategjik, shumëkush ishte skeptik, nuk e kam fjalën për ata që janë kundër zhvillimit, por për ata qytetarë që vërtetë dyshonin. Bulevardi i ri po nis dhe po merr jetë.”- theksoi kryebashkiaku Basha.

Ne nuk jemi politikanë të fjalëve dhe premtimeve boshe, vijoi më tej Basha, ndërsa theksoi se me nisjen e punimeve do të krijohen mijëra vende pune, si dhe do të ketë risi të pangjashme në rajon nga ana arkitekturore.  Bulevardin, shtoi kreu i Bashkisë, do të nxjerrë nga varfëria këtë pjesë të Tiranës.

Ai falënderoi të gjithë financuesit e projektit që bënë të mundur nisjen kaq shpejt të punimeve, në veçanti qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha, sipas Bashës, për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë këtij projekti.

***

“Copri Construction Enterprises LLW” është kompania kuvajtiane që është përzgjedhur mes 3 të tjerave gjithashtu të huaja. Janë 61 milionë euro që do të përdoren për këtë projekt strategjik. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit, përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia”. “Krahas zhvillimit ekonomik të zonës, krijimit të vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit dhe zhvillimit të projekteve të reja përgjatë këtij korridori, ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke e vendosur Tiranën në trajektoren e zhvillimit të një qyteti modern europian, ku punohet dhe jetohet më mirë”, ka bërë me dije Bashkia e Tiranës. Projekti për bulevardin, i realizuar nga studio arkitekturore “Grimshaw Architects”, përfshin edhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Do të ndërtohen dhe sistemohen skarpatat e lumit. Përgjatë lumit të Tiranës do të krijohen zona rekreative. Zbatimi i këtij objekti përfshin ndërtimin e disa urave mbi këtë lumë, i cili do të bëjë lidhjen midis pjesës jugore me asaj veriore, duke krijuar njëkohësisht mundësinë e zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të tyre. Aktualisht, lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).