Presidenti Bujar Nishani shprehet se nuk do të pengojë dekretimin e qeverisë së re të Edi Ramës. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ai thotë se nuk do të shfrytëzojë kohën maksimale që i jep Kushtetuta për dekretimin e emrave të rinj. Kreu i shtetit thotë gjithashtu se nuk do të pranojë propozimet për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kreun e SHISH, si dhe flet për takimet me Berishën, Bashën, Ramën e Metën pas zgjedhjeve.

A ka nevojë Kryeministri Berisha që t’ju paraqesë Juve dorëheqjen?

Natyrisht, procedura e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj do të ishte mirë të respektohej; kështu që çdo hap që ka të bëjë me një kalim normal të pushtetit, është një hap pozitiv dhe mund të aplikohet në Shqipëri.

Kur do ta dekretoni Kryeministrin e Ri të Shqipërisë? Kryeministri ndërkohë po bën disa mbledhje paralele kabineti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, pavarësisht se janë jozyrtare?

Unë nuk kam dekretuar ende asnjë qeveri të re, por siç jeni të njoftuar, unë kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit në datën 9 shtator…

Që është brenda limiteve ligjore.

Po, brenda limiteve ligjore. Në datën 7 shtator është dita e fundit e Kuvendit që mbylli sesionin parlamentar dhe, natyrisht, e gjykova të arsyeshme që pas ditës së diel, datë 8 shtator, 9 shtatori të ishte data më e përshtatshme që Kuvendi i ri të mblidhej, të kryente detyrimet e para të tij të zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë; menjëherë, pas kësaj date, unë pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin zyrtar…

Pas verifikimit të mandateve…

Pas verifikimit të mandateve për të emëruar Kryeministrin e ri. Me të ardhur propozimi zyrtar nga koalicioni fitues, natyrisht që Presidenti i Republikës do të dekretojë emërimin e Kryeministrit të ri.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ju keni 7 ditë kohë për ta dekretuar Kryeministrin e ri, zoti Nishani. Do ta shpenzoni komplet këtë periudhë kohore apo mendoni se mund të kryhet më shpejt?

Unë mendoj se nuk ka nevojë për asnjë lloj sforcimi të pamotivuar të konsumimit të kohës, koha është gjithnjë në dispozicion të funksionit dhe detyrës që kryen. Në çastin që funksioni, detyra dhe përgjegjësia janë të qarta për t’u ushtruar, ato duhet të ushtrohen në çastin më të parë të mundshëm.

Që do të thotë se Ju do ta dekretoni në çastin më të parë të mundshëm Kryeministrin e ri?

Pa diskutim.

Ju e dini shumë mirë se cilët janë ministrat e qeverisë së re…

Pa diskutim. Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të maxhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës.

Ç’domethënë “Janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës”?

Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga maxhoranca konkrete.

Mund të refuzoni për të dekretuar ndonjë emër të caktuar për arsye të informacioneve që Ju mund të merrni apo për mendimet që keni për një figurë?

Nëse do të ketë arsye kushtetuese, po.

A do të ndiqni për dekretimin e qeverisë të njëjtën rrugë të shpejtë si në dekretimin e Kryeministrit?

Pa diskutim që do të ndjek një rrugë normale; nuk ka asnjë arsye për të krijuar pengesa artificiale apo tejkalime artificiale të kohës.

A do t’u duhet kohë institucioneve të specializuara të “check”-ojnë dhe të sjellin një përgjigje për emrat e qeverisë së re?

Unë besoj që institucionet tona janë eficiente.

A do të kërkoni një verifikim edhe të Kryeministrit nga këto institucione?

Unë besoj që tashmë disa personalitete që janë aktivë në politikë dhe në drejtim të institucioneve kanë qenë ndërkohë të verifikuara.

A do të refuzonit Ju që të firmosnit në një rast të mundshëm, apo të refuzonit presionet që mund të keni për zëvendësimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme ose institucione të tjera të pavarura, që natyrisht, kësaj maxhorance që vjen, do t’i leverdiste t’i kishte të vetat?

Asnjë presion nuk do të gjejnë te Presidenti i Republikës, por mjedis bashkëpunues.

Ndjekur nga jashtë, si një njeri që ka milituar në atë parti, a mendoni që ardhja e Bashës ishte një zgjidhje e mirë për Partinë Demokratike?

Gara ishte një moment shumë i rëndësishëm dhe shumë i mirë dhe unë besoj që, meqë po ma kërkoni dhe në gjykimin tim si qytetar i këtij vendi, besoj se ishte një vlerë e shtuar ajo garë dhe njerëzit që garuan janë njerëz me kontribute në Partinë Demokratike.

Ndërkohë ju keni takuar disa ditë para Metës, ndoshta një ditë nuk mund të jem i saktë, dhe kryetarin e opozitës e Kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, zotin Rama. Cila ka qenë biseda me zotin Rama? Ku konsistonte ajo?

Ka qenë një takim pozitiv. Gjithsesi, në po atë linjë dhe të takimit me zotin Meta, ndamë gjithashtu të njëjtën pikëpamje që bashkëpunimi midis institucioneve është një nevojë, është një domosdoshmëri, është një aset i kulturës politike, i kulturës institucionale, por dhe i etikës dhe i modelit civil të sjelljes së institucioneve dhe të drejtuesve të institucioneve. Në fund të fundit është një shërbim që i bëhet vendit dhe imazhit në tërësi të shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare sot është një shoqëri e emancipuar dhe kërkon me domosdoshmëri që këtë emancipim që ka shoqëria shqiptare apo, le të themi elita e saj, të reflektohet në radhë të parë në drejtuesit e institucioneve të tilla, që janë të përfshira në procesin e vendimmarrjes.

Në rast se marrëdhëniet mes jush do të tensionohen dhe ju keni sulme nga kjo maxhorancë, do të përgjigjeni si President i Republikës?

Presidenti i Republikës nga ana e tij nuk do të jetë asnjëherë iniciues i konflikteve. Së pari, nuk është në natyrën time, nuk është në bindjet e mia, nuk është në parimet e mia, nuk është në kulturën dhe etikën time gjenerimi i sjelljeve konfliktuale. Për më tepër që përtej formatit individual jep një dimension shumë më të rëndësishëm pozicioni institucional, ndaj Presidentit të Republikës nuk mund të jetë kurrë një njeri, i cili të prodhojë konflikte apo të sjellë elementë, të cilët gjenerojnë konflikt më pas. Presidenti i Republikës ka axhendën e tij. Presidenti i Republikës do të mbrojë dinjitetin dhe integritetin e institucionit, por edhe në tërësi do të jetë një zë shumë i fuqishëm në lidhje me të drejtat e qytetarëve, me të drejtat dhe liritë e institucioneve dhe me përmbushjen në fund të fundit të këtyre detyrave nga çdo institucion tjetër, në raport gjithmonë me qytetarin.

Standardet

“Unë besoj se i gjithë procesi, ashtu si ju iu adresuat para pak çastesh, fushata zgjedhore, angazhimi i qytetarëve ditën e zgjedhjeve, funksionimi i administratës zgjedhore, me përjashtim të rastit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ndenji i paplotësuar, veçanërisht mënyra e sjelljes së klasës politike pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ka qenë tregues i një pjekurie dhe maturie politike të Shqipërisë dhe institucioneve të saj”, tha Nishani.

Administrata

Lidhur me kërcënimet e administratës për largimet nga puna, Nishani tha se “unë do të kërkoja që ajo të mos ndihej e kërcënuar. Është e respektuar maksimalisht nga ligji dhe procedura, por edhe nga politika, meqë politika vjen në krye të punëve, edhe në udhëheqje të institucioneve. Unë desha të kthehem te pyetja juaj që kjo administratë civile e konsoliduar, pa dyshim, që e ndihmon kalimin e pushtetit në mënyrë normale”.

19 Komente

Ore qe kur u bo president ky Jari, a e kane ftuar per ndonje vizite kreret e larte drejtues te perendimit? Apo e ftojne por ky i thote se osht me raport mjekesor?

BERBERO STE PASH ANDEJ NGA LLOGARAJA smiley

Nuk ka nevoje me shku te gjithe. Ja ishe ti, me perfaqeson edhe mua, apo jo?

Mire, intervista e Presidentit me pelqeu, tregon dhe nje here qe ai eshte njeri i qete dhe i kompromiseve politike, gje qe ndikon qe gjakrat te mos marrin perpjet, siç merrshin me perpara kur Buall Mavria drejtonte. 

Pse Pjer, ke menimin qe sot "drejton" ky ....nishan ?

Pavarsisht se kush drejton, ky te pakten tregohen nje person qe i permbahet ligjit dhe unitetit, kjo ka rendesi. 

Pjer, mos ore burre!

Sa keq qe e sheh nje problem Grave, e  sheh nga nje kend-veshtrim dhe nje fjalie/konkluzioni nuk i sheh nentekstin. Ai njeri qe sheh nga nje kend-veshtrim, pa u hedhur ne pozicione te tjera, nuk e sheh mire se per ke eshte fjala/goditja. Une e di qe nuk drejton ai, por kjo nuk ngre peshe ne skene. 

Ja cili eshte Nishoni i ketij qe e mbron....

...........Bujar Nishani firmosi me qetësi letrën që i vuri para Sali Berisha. Injoroi SHBA dhe detyrimin ligjor që ka për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Por gjeti një arsyetim një muaj më vonë. Më 20 shtator, në një intervistë të tij në “Opinion”, ai shpjegoi pse kishte firmosur: “Shërbimi Informativ, si një agjenci që merret tërësisht me çështjet e sigurisë kombëtare, të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë së një vendi, dhe e Kryeministrit si kreu i ekzekutivit, është pjesë e vlerësimit edhe në ligj të Kryeministrit të vendit, dhe Kryeministri i vendit i kërkoi Presidentit të Republikës të lironte nga detyra ish- drejtorin dhe të emëronte një drejtor të ri” (Bujar Nishani, “Opinion”, 20 shtator 2012)..............

..Një vit më pas, po në “Opinion”, Bujar Nishani, i pyetur për mundësinë e emërimit të një kryetari të ri të SHISH nga shumica e re, u shpreh se “asnjë presion nuk do të gjejë ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës” (Bujar Nishani, “Opinion”, 5 shtator 2013).

Pra, nëse një vit më parë Presidenti i Republikës kur firmoste kishte parasysh të mos bllokonte dhe pengonte vullnetin e kryeministrit, një vit më vonë paska parasysh të rezistojë ndaj çdo vullneti të kryeministrit të ri, të cilin e paragjykon duke e quajtur dhe presion.

Alidemso, Per skenaret qe pregatisin sherbimet e fshehta, qarqet prane qeverive, Presidenti nuk mban shum pergjegjesi, se jane ato qe ngaterrojne vendim-marrsit ne shum raste (ke rastin e Bushit dhe te tjerve) . 

Sa libra te verdhe qe ke lexu mer Pjer..... te kom zili....

 I kam lexu te gjitha ngjyrat, kjo eshte ajo qe nuk kupton. 

Pjero, vertet qe paske qen i pakuptushem... si nuk e paskam dit.....???? lum ata qe te kuptojne se mesojne shume prej teje....smiley

eh mer Grave ku ke mberrit..... sa poshte ke ra....

E ee se aty po i rruhet atyne , i dekreto apo nuk i dekreto ti.

Berisha ja shveshi te gjitha fuqite ligjore Bamkes dikur, derisa e shendrroi postin e presidentit ne kukull dhe pasojat e atyre vendimeve do ti kuptoje tashme ky marjoneta e Berishes

Jo po ti dekorosh. Ne te thame ti diskreditosh jo ti dekretosh, aò.

T'i degjenerosh fare. smiley

Deshifroja içik se i pask humb shifratori ktija smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).