Fshat i vjetër mbi kanavac të lagur

Në tufë mbërritën qen të velur me pasdite,
pakuitur hëna posi pë u hoq,
mbi plevica prishen bashka ari kallp,
nën heshtje brejtësish gri që s’e deshën grurin;
mëdysh një pothuaj: a të lerë dhiaret,
a më thellë të hyjë në faj hamullor.
Xhamat e akshamit tendosin një pritje
ciflash të fshehura në dëshirë për thyerje,
i ligu po përtohet, e liga pas oxhakut
prushin e dëllinjës ledhaton.
Po mendohen ftonjtë të verdhur si meitë,
aroma e fundit dhe shpirti s’u del,
një çentro i zverdh gjethet mbi sepet, një fat
gjithashtu s’e nxjerr kokën që nga vrima,
sy me qesëndi gëzofit për zi.
Mardhur e cijatur qerret marrë plevit
prej shkurti të hidhët që i çoi faiz
ditët me kallkan muajit tonë të skamur.
Një pemë ka vite që vazhdon e thyhet,
por krismën fundore nuk po ia dëgjoj,
vegon një dorë plake, murmurit hasete
e mllefe me shami e zanat xherahu
e jaki mëngjesi, fasha buta drite,
njëqind motra bardha me mjegulla përparsesh
vrapojnë aty pari me pushe luleshurdhash,
dhe gjurma faji jodesh që të ngatërrojnë
në punë motramëdha, me qerthuj natyrorë,
orë të plogëta gjyshërish që bien për çdo hënë
me pendule fati, lajmërojnë pa lajm,
pa habere ore që s’i solli viti,
pa sahat të lik, pa sherr mynafik.
Garza posi mbathje po mbështjellin krahë,
përqafime djathi e kullime mosi,
gjymtyrë të gjymta, sythe shkalafitur,
qershi në orvatje, zogj në dëshirore
me sqepat e uritur që gëlltisin ajër.
Një pemë ka vite që vazhdon e shqyhet
si sqetull prej krahu që përshëndet të vrarët
me lamtumirë të thatë ksilemash të egjeut,
dru me vaje lini fshehur nëpër nyje.
Oda gëlqerore sjellë nga shpellëbardha,
katrorët e xhamit frruajnë sy në bishte,
për ishte seç na ishte, përrallë arabishte,
gati për mëshirë të enjtur mbishartesash
kalemash të futur në plagë lineare,
ndërzim druri, supe lëvoresh të pavdira,
kur gjunj dalin krahëve, brryla në kërcinj,
gollganet nxjerrin kokat aty ku nuk duhet,
dhe platiten vdekur ku priten pa durim.
Nuk dimë dy eshtrat e pemës në do ngjiten,
me lastarë qan shkurti, me dënesa prrenjsh,
parathotë një njomje të re dhe të dhembur
nëpër trarë beqarë, që dyshojnë plloçat,
mos kanë krisa, plasa ky ka hyrë shiu
dhe e ka bërë udhë…
rënë në tjetër stinë, kur trarët ishin krahë
të pa shqyer ende pemësh të sinqerta…
Përcillet një mëshirë si miku në sinor,
me gëzim të errët siç ta jep keqardhja,
dhe vetëm keqardhja,
që thyhet pambarim si numër natyror
shisteve të fshatit me rrugë që ndërrojnë mendje
dhe stinë të paemra që gabojnë zogjtë.
Bren pa përfundim tenjë e thatë një zemër,
mal i shenjtë largohet, mbeten këtu veç kodra
të vrerëta - a thua u kanë ngrënë bukën
gomerët buzëbardhë, tek flinin në brinjët
e ckërkta e nuk ndjenin…
Maretë tkurrur - vajza që s’u pëlqyen kurrë,
hakmarrje rakishë fermentojnë mbrëmjes,
shqopat zhysin gishtat në glikonë blu
prej kumbullash me fat që mashtruan burrat,
u hynë në zahire, ku sëra s’ua lejonte.
Një urrejtje druri dhemb në eshtër gozhde,
një sharrë e lënduar kuit në musëndër,
nuk ka cicërima, troket rëndë qielli,
me myk prej sëpatash të mpira nga uria,
ashklat e pafund sëpata e druvarit
ia kafshon pasdites që qëlloi me nyje,
në zemrat e dardhëve gurë të mëdhenj,
në sepete pajash një kripë e dyshimtë,
vajzë e mullixhiut shkund një thes pa fund,
një miell të vjetër q’askush s’e gëzoi,
kuleçësh të rrëmbyer që buza dot s’i hëngri.
Çmenden ketrat brofur në lëndina lemzash
shelgjet nuk përfillin përroin e pavend,
një gëzim fejese rrëshqet nëpër grunjëra
me një bollë uji dhe lundërza të frikësuara,
thonë kanë parë dhelpra me bishte ndezur flakë
me vajgur përrallash, në grunjëra s’mbaron vala,
fejesat me shtatë shpirte bien prapë në këmbë,
mace që u qullën nga një qiell i zënë,
të ftohta e syzverdhur nga të dridhët muzgu,
astar i lëkurës rrëgjuar në ujë,
pisha lëshon tym, zjarri djeg veç sy,
si të përdhunuara, pa dashur mbarsen arat,
jetë kotiledone guxojnë nën lagështi…

Va

Asnjë lumë s’kalohet nga i njëjti njeri,
kuajt me barqe të lëpirë nga ujët
ndjejnë mosmirënjohjen
me zgjuarsi kali.
Po sjellin patate,
kohë amidoni,
kollë amidoni për jaka
këmishash
të ngrira nga frika:
lumenj të gabuar në shtretërit e duhur?

Provincë moniste

Pezm dritaresh,
mërzi kornizash me pjesëmarrje djerri,
vijnë fshatarë opakë me ca çizme qorre
dhe ëndrra pubertare për pjeshkë të fisme
dhe televizore
në zhaget e misërta.
Druhen e nuk flasin, dhe pastaj flasin
për gorica që të ngjajnë të thjeshtë.

Dhe mbesin tek goricat.

Nënshartesore  

Trungjet e qëndresës dherat njohin mirë,
hundëgjatët e nëntokës, por frutet nuk i dinë
qysh bëhen e si lidhen, sikur kashta kallzës
qumshtet nga brenda e bulat e gjinjta
lëngore s’ia kupton,
e as baluke gjatat që tunden nëpër fllade,

flokët e merakut flakur erës.

 

Trak truku i nallanes rrasave të mermerit:

M’e madhja lumturi është ajo e skllavit,
liria lumturinë e prish sikur ajri
plagën koreplasur që dhimbjen komposton,
zahire të sigurt për këtë jetë jallane,
ndaj s’gjen skllav të lumtur, lirinë si një virus
ata inkubojnë në indin e pejzat
thurëse të robërimit.

Grotesque

Ngrohtë në shpellën e gojës sate,
s’ka platon t’më nxjerrë që aty,
lagët në gojën e shpellës sate,
mbjellë dhëmbët e gjuhës sime...

Këlcyrë

Luftrat e sotme nuk prodhojnë më kombe faqezinj,
askush nuk mblon fëmijë nën kinda,
s'fluturojnë shenjtorë nëpër male,
boshi merr me vete vetëm bokërima,
lëmshe gjembash rrumbull me parim orteku.
Kreshta me ogurë të zinj po vetojnë
mes për mes një kënge me lakim përmeti
lagur me violi,
një kureshtje krimi pyet për shtëpinë:
ku e ke shtëpinë, moj vajzë, konakët
s'ti di,
byzylykë të ftohtë
mardhin në qeli.
Një hobe po rreket yjet t’i sëllojë
mëdyshur si teshtimë
kur s’do, në ballë qielle,
goliath nën vete qiella të na zërë,
vesh pa marrë në qe
e vogël a e madhè.

Raman

(vajzës 8 vjeç nga Jemeni që vdiq natën e dasmës së saj)

Një nuse tetëvjeçare si shkollë
e detyruar
qan përmbi lëndimin që po vjen,
që po vjen,
ajo e di,
e di,
e di,
pushi i lodrave që s’i pati
ende nuk guxon
të dalë e t’i shpërfaqet
gjëkundi
nëpër trup.

Jemeni lidh shami,
komb
e lemeri,
Gjak që s’do të ngrijë

kukurrece dasme sofrës shkapërderdhur,
Theret kudo, thikat
thërrasin fjalë gjaku,
Bën ngrohtë, çilimi
dhe kërthi çdo gjë
nën teh e rrezik.

Mbrëmje e pandryshkshme, parakrahë me qime
të formuara tersi,
dhën-dërr, gjën-dërr, dhën-dërr,
Daulle mongole
për vijim të racës
bien nëpër dasëm.

Xherah i dështuar,
çakija shikon vëngër,
futet në këllëf
i ngadaltë
tehu.
Vdiq,
vdiq…
ato duar
qimesh të mirëformuara –

Një vaginë fëmije ku urina shtangu
si një faj çarçafi,

mbi një çarçaf faji.

Bari trembet jashtë nga hapat e djerrit,
çarçafi qejfin
i mekur
prej tmerrit,

Një myshk i ri njolle nxiroset mu përmbi,
si djersë guri,
prapë që, o Zot, është jetë…

ngaqë lemeri.

Flash (sirian)

Një kokë u pre nën ulërimën
që tha të njëjtat fjalë si minarja:
vikamë therëse për një vetmi.

 

4 Komente

Ngrohtë në shpellën e gojës sate,
s’ka platon t’më nxjerrë që aty,
lagët në gojën e shpellës sate,
mbjellë dhëmbët e gjuhës sime...

 

bukur emo

falem!

do kisha veçuar krijimin per fatkeqen e vogel...nuk perqendrohem te lexoj te tjerat

Një nuse tetëvjeçare si shkollë
e detyruar
qan përmbi lëndimin që po vjen,
që po vjen,
ajo e di,
e di,
e di..

smileysmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).