Recensioni për botimin
Arratisje nga Lindja Botimi III

Libri i Enis Sulstarovës, “Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja”, është një nga veprat e pakta studimore shqiptare që tashmë ka krijuar një rreth lexuesish besnikë apo “ndjekësish”. Ai ka stimuluar, kuriozuar dhe nxitur një sërë studentësh, studiuesish dhe intelektualësh që ta marrin seriozisht fenomenin e orientalizmit shqiptar. Në fakt, Arratisja është vepra që e ka futur konceptin e ligjërimit orientalist në debatin publik dhe akademik shqiptar. 

Nga kjo pikëpamje ajo përbën një nga studimet e pakta klasike të njëzet viteve të fundit në Akademinë shqiptare. Jo vetëm sepse solli një risi në fushën e shkencave sociale shqiptare, por, mbi të gjitha, sepse është një punim shkencor serioz. Në fushën e shkencave sociale shqiptare, Arratisja është një nga kritikat e pakta shkencore që i bëhet ligjërimit publik shqiptar. Dhe me kritikë nuk kemi parasysh thjesht denoncimin e elitës apo shoqërisë shqiptare në përgjithësi, kjo ndodh rëndom dhe rëndomtë në hapësirën tonë publike. Kritika në rastin e Arratisjes nënkupton një analizë sistematike të rolit të ligjërimit orientalist në ndërtimin e identiteteve politike dhe shoqërore që na ndihmon jo vetëm ta kritikojmë, por edhe ta kuptojmë më mirë shoqërinë shqiptare.

Është kjo arsyeja themelore se përse ribotimi librit të Enis Sulstarovës, “Arratisje nga Lindja: Nga Naimi te Kadareja” është një ngjarje pozitive si për fushën akademike, edhe për hapësirën publike shqiptare. Më konkretisht mendoj se janë tri arsyet se përse botimi i tretë i Arratisjes është një lajm i mirë si për ne lexuesit e vjetër, edhe për lexuesit e tij të rinj. Së pari, “Arratisja” është bërë tashmë një tekst klasik për këdo që është i interesuar të kuptojë zhvillimet politike dhe shoqërore shqiptare në njëzet vitet e fundit. Sulstarova me studimin e tij mbi orientalizmin shqiptar ka hapur një fushë studimore sa të parrahur, aq dhe të domosdoshme.

Pothuajse asnjë nga ngjarjet apo debatet e rëndësishme shqiptare të njëzet viteve të fundit, por edhe më parë, nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të ligjërimit orientalist shqiptar. Demokratizimi, integrimi në Bashkimin Europian, zhvillimi ekonomik dhe social, debati rreth feve shqiptare, të gjitha këto procese janë formësuar nën ndikimin imediat të një ligjërimi mjaft të gjerë orientalist, në thelb të të cilit qëndron përplasja Lindje – Perëndim. Në këtë ligjërim Shqipëria artikulohet si një vend që vazhdimisht përpiqet të çlirohet dhe pastrohet nga Lindja, për t’u bërë denjësisht pjesë e Perëndimit. Dokumentimi sistematik i këtij ligjërimi, theksimi i rëndësisë së tij në identitetin shqiptar, si dhe kritika që Suslstarova i bën ligjërimit orientalist shqiptar, e bëjnë veprën e tij “Arratisje nga Lindja” një nga studimet më serioze të njëzet viteve të fundit nga gjenerata e re e studiuesve shqiptarë. Së dyti, fakti që “Arratisja” botohet për herë të tretë, tregon se edhe në sferën akademike dhe publike shqiptare vlerësohen veprat serioze.

Ky është një lajm i mirë, sidomos për studiuesit e rinj që shpesh mund të dekurajohen nga plagjiatura që shpesh ka njollosur fushën e botimeve akademike në fillimet e tranzicionit, apo nga komercialiteti i tepërt dhe niveli sipërfaqësor i mjaft studimeve sociale dhe historike shqiptare sot. Nëse në studimet e së kaluarës komuniste rigoroziteti shkencor mbytej nga thatësira konceptuale e marksizëm-leninizmit shqiptar, sot mungesa e dimensionit shkencor apo analitik kompensohet me marketing. Kjo ka bërë që lidhja gjithnjë e më e dobët mes cilësisë dhe suksesit në treg të tretet edhe më tej. Ribotimi i tretë i Arratisjes tregon se edhe në tregun akademik shqiptar cilësia mund të mbijetojë, edhe pse mund të mos triumfojë si “best seller”. 

Së fundi, pasurimi i botimit të tretë me material të ri dhe të përditësuar është një lajm i mirë si për ne lexuesit e vjetër, edhe për lexuesit e rinj të Arratisjes. Në këtë botim të tretë Sulstarova ka ripunuar kapitullin teorik duke qartësuar më tej jo vetëm kuptimin e ligjërimit orientalist në veprën e tij, por dhe qasjen që ai ka ndjekur për ta analizuar këtë ligjërim. Ndaj ky kapitull është mjaft i vlefshëm për të gjithë ata studiues të rinj që duan të përdorin analizën e ligjërimit në studimet e tyre, apo që duan ta hulumtojnë ligjërimin orientalist në aspekte të tjera të shoqërisë shqiptare. 

Përditësimi i veprës, nga ana tjetër, tregon rëndësinë e analizës dhe kritikës të ligjërimit orientalist në të tashmen. Analizimi i shembujve të rinj të ligjërimit orientalist që ende e varfërojnë debatin tonë publik, është një tjetër dëshmi e aktualitetit dhe rëndësisë së librit “Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja”.

3 Komente

Sikur te kishte ca me shume Shqiperia cuna si Enisi dhe Kajsiu!

Edhe pa këto qeveria është goxha e fryme o Saraç, pastaj varjua, tifoza të Bashkisë janë smileysmiley

njerez si sulstarova duhet te shfaqen me shume ne shtypin shqiptar  se na mbyten mediokret e c'kombetarizuar si ljubo&co

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).