Të hënën e 16 shtatorit, më shumë se 600 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare do të nisin mësimin, 1346 shkolla në të gjithë vendin do të hapin dyert. Nga këto, 1028 janë shkolla fshati e shumë prej tyre nuk kanë dyer fare. Problemet e këtij fillimviti shkollor, vetëm janë trashur. Ka mungesa në tekste, prindër të hallakatur se ku t’i çojnë fëmijët e mësues të frikësuar për vendin e punës. Nga përtej disiplinave mësimore, ISHP vë alarmin për të dytin vit radhazi. Ndotja dhe toksinat 6 herë mbi normën. Fëmijët rrezikojnë shëndetin

Më pak se dhjetë ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor për arsimin 9-vjeçar tek ne. Të pa mësuar me rutinën, të meziçpritur për t’u kredhur në zhurmën e një oborri shkolle apo të një klase fillore, nxënësit e këtyre moshave, natyrshëm janë më entuziastët se të gjithë për fillimin e shkollës. Prandaj dhe dita e parë e këtij cikli tradicionalisht çel nga mëngjesi në pasdite. Po, edhe në pasdite, sepse mësimet me turne për fëmijët vazhdojnë ende. Edhe pse njoftohet se shkollat që rikonstruktohen nuk janë më një legjendë pa mbarim. Të paktën për Tiranën, sepse në rreth situata vazhdon të jetë për të vënë duart në kokë, edhe pse për këtë nuk jepen asgjëkund të dhëna konkrete në shifra e afate. 

Të hënën e 16 shtatorit, më shumë se 600 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare do të nisin mësimin. Nga këta 32 mijë janë nxënës të klasave të para. 1346 shkolla në të gjithë vendin do të hapin dyert. Nga këto, 1028 janë shkolla fshati dhe 128 janë shkolla jo publike. Mollë të ndaluara, por shpesh edhe të refuzuara këto të fundit nga prindërit. Të bukura nga jashtë e bosh brenda thonë.

 

Vit i ri, probleme të vjetra

Mund edhe të konsiderohej një rifillim për të gjithë, sepse vjeshta, shtatori vetë ta imponon këtë. Por ja që nuk është ende kështu për arsimin. Jo sepse nuk pason për të gjithë pas ca pushimeve shlodhëse, por sepse pak ose asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk ka kurrikula të reja e reforma në lëndët prioritare, sikundër ishte lajmëruar një vit më parë, nuk ka zhdukje të problematikës së teksteve shkollore, nuk ka kompensime në horizont për fëmijët rom e ata të shtresave në nevojë, nuk ka zgjidhje përfundimtare të çështjes së zhvillimit të mësimit me dy turne, nuk ende prindër të kënaqur që të kenë hequr dorë nga ryshfetet për ta regjistruar fëmijën e tyre në një shkollë më të mirë se ajo e lagjes ku banojnë dhe... ende askush nuk e ka vënë dorën në zemër për shkollat rrënojë të shumë fshatrave dhe rrugët e mundimit që i shpjenë fëmijët deri tek ato. 

Ka vetëm 1 mijë fëmijë më shumë që regjistrohen në klasën e parë dhe gjithë të tjerët që presin se ç’do iu sjellë ndryshe ky shtator. 

 

Pasiguria e mësuesve

Përballë të vegjëlve që pas blerjes së paketës së librave – herë të mangët e herë të plotë -, mjeteve ndihmëse, çantës e veshjes, e vetmja gjë për të cilën po mendojnë është buqeta e luleve për mësuesen, këto të fundit, nga ana e tyre, sidomos këtë vit preferojnë të mos flasin shumë. Në fakt nuk ka asgjë për të qenë diskretë, por parë me kutin e tyre... “Në një moment si ky, ku “gjërat” pritet të ndryshojnë për shumëkënd, nuk është çudi që maja e lapsit të kursejë edhe mësuesit”. Evisi, një mësuese e ciklit të ulët me disa vite përvojë në një prej 9-vjeçareve publike më me emër të Tiranës, e di mirë që e kuptojmë ku e ka fjalën, teksa përgjigjet e kriptuar. “Deri dje, na bënin rreshtore të dilnim të duartrokisnim etj. etj., tani duhet të rrimë e të presim se çdo bëhet më tej, pasi qeveritë të ndërrojnë stafetat...”, shton ajo duke mos e fshehur një ton besimi. Nuk është e vetmja. Edhe në një tjetër shkollë 9-vjeçare në zonën e ish-Bllokut që shkuam, mësueset ia pasonin radhën e fjalës njëra-tjetrës e si përfundim asnjëra s’tha asgjë. Dashamirëse, preferonin të shikonin punën që kishin përpara me listat e gjithçkaje t’i përgjigjeshin “po njësoj, njësoj si vitin e kaluar... Vazhdojmë normalisht regjistrimet, shpërndarjet didaktike, përgatitemi vetë... ç’të thuash. Të shohim tani. Ndryshimet s’i bëjmë ne...”. Është për të ardhur keq të kuptosh se sa të frikësuar janë akoma për vendet e punës me të cilat janë kërcënuar jo pak herë. 

 

Diskretë edhe nga MASH

E kotë besoj të shtojmë se një situatë e ngjashme kishte zaptuar edhe zyrat e MASH, ky një pjesë e mirë e stafit dytësor politik ka nisur prej ditësh të japë dorëheqjen. Të sjellshëm, por të rezervuar. Si ata që edhe pse nuk kanë nerv, nuk ta kanë shumë as ngenë. Çfarë sjell të re ky vit shkollor? A janë të gjitha tekstet, sipas paketave specifike të çdo shkolle? Po këto vetë, a janë rimëkëmbur krahasuar me një vit më parë? Çdo të bëhet me kategoritë në nevojë? Po me fëmijët e hallakatur të emigrantëve? Sikur u tha se sivjet do të ndryshonin “rrënjësisht” kurrikulat...? Pak fjalë për shumë të tilla, por asgjë në fakt nuk ka ndryshuar. “Kurrikulat janë po të njëjtat, nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor,  me përjashtim të njëfarë rëndësie më të madhe që i është dhënë gjuhës shqipe, por vetëm kaq”, na thonë shkurt nga zyrat e këshilltarëve në MASH, duke shtuar se gjendja dhe kushtet e shkollave paraqiten të përmirësuara. 

 

Tekstet, mungesat e përkohshme dhe çmimet 

Për tekstet nuk ka koment, edhe pse gjatë këtyre ditëve prindër e nxënës kanë njoftuar disa herë nëpër media mungesën e disa teksteve, në varësi të shkollave dhe paketave që ato kanë. “Çmimet janë diçka më të larta, por edhe kjo është një shtesë e pakonsiderueshme prej 200 – 1000 lekësh të vjetra për gjithë paketën. Mungojnë për momentin disa tekste, por kjo është çështje ditësh. Problem janë librat e anglishtes, por edhe kjo e përkohshme. Shpërndarja ka vijuar normalisht, me gjithë specifikat që kërkon reforma e altertekstit”, na tregon një prej librashitëseve në qendër.  

 

Kushtet nëpër shkolla

Kushtet në shkolla do t’i zbuloj padyshim stina e ftohtë që pritet. Për së jashtmi, shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit duken të gjitha të sistemuara. Të paktën sivjet problematika e rikonstruksioneve që i detyronte nxënësit të zhvendoseshin në ambiente alternative është minimizuar. Nga 72 shkolla, vetëm në 2 prej tyre nuk do të nisë mësimi pasi vijojnë ende punimet për rikonstruksion. Stafeta e zvarritjes i ka kaluar kopshteve e çerdheve. 

Por kjo është vetëm Tirana. Aty ku dora e përgjegjshmërisë ndaj institucioneve të tilla arsimore laton më me kujdes se kudo tjetër nëpër vend. Po dole më tej, në rrethe, fshatra të thella apo edhe të afërta, gjendja vazhdon të jetë e mjerë, siç ka qenë për vite e vite me radhë. Sa për të ardhur keq, aq edhe komike. 

Shpesh është denoncuar se kjo ndodh sidomos nëpër qarqe e lokalitete që qeverisen nga e majta, por në fakt, duhet pranuar se është gjendje e përgjithshme. 

Në Beratin e bukur muze, aq të dëshiruar për një rrugë, për vite e vite me radhë, në komunën e Rroshnikut 140 fëmijët e shkollës 9-vjeçare, edhe këtë vit do të grumbullohen në një godinë muret e së cilës mund t’i zënë poshtë nga momenti në moment. Po njësoj është edhe në shumë fshatra të Tiranës, komunës Dajt, të Elbasanit, Librazhdit, Pukës etj. 

 

Shkollat e preferuara

Por regjistrimet kanë filluar. Qysh prej 2 shtatorit prindërit kanë nxituar drejt dyerve të shkollave, të ngutur për gjetjen e teksteve, të hallakatur për shkollën që kërkojnë... Nëse i pari është problemi klasik i pak ditëve, një mision më vete mbetet regjistrimi në shkollën e preferuar. Prandaj nuk mungojnë edhe përplasjet e krijuara herë pas here mes prindërve që këmbëngulin të regjistrojnë fëmijët në shkollat më të mira dhe inspektorëve të arsimit që kërkojnë me detyrim respektimin e vendbanimit, kushti kryesor për tu regjistruar qoftë në shkollat 9-vjeçare, qoftë në ato të mesme.

Po çfarë është për ta një shkollë e mirë? “Një shkollë e sigurt nga jashtë e nga brenda. Çfarë s’po dëgjojmë sot. Përveç kësaj, të ketë mësues me përvojë e të përgjegjshëm, jo nga ata që i ka fut partia me mik. Të ketë program për zhvillimin e gjuhës së huaj dhe aktiviteteve sportive e kulturore. Një shkollë ku nuk shkon 40 numri i nxënësve në klasa, një shkollë ku nuk mungon ngrohja, kushtet higjieno sanitare, punonjësit social dhe stafi i përgjegjshëm drejtues...”. pretendimet e një prindi s’kanë të sosur ndoshta, por këto që thotë Bruna Dauti, nënë e dy fëmijëve, një në klasë të dytë e një në të gjashtën, janë ato më baziket. Vetëm se shtëpinë e ka në Unazë të Re e vajzën do ta regjistrojë në Lagjen Nr.5.

 

2 Komente

jemi jemi  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).