Njё vёshtrim i shkurtёr mbi poezinё e Arb Elos

 

I.

    Nuk dihet shumё, pёr tё mos thёnё asgjё, pёr poetin bashkёkohor tё mbiquajtur Arb Elo. Por ky poet, qё -- nisur nga pseudonimi letrar i pёrzgjedhur prej tij, si edhe nga pikёvёshtrimi qё paraqet nё poezitё e tij, -- ёshtё e qartё se ёshtё personazh burrёror, ka botuar tre vёllime me poezi nё kёto tre vitet e fundit. Nё to ai ka dёshmuar njё stil tё veçantё e krejt unik, figuracion tё zgjedhur e origjinal, njё simbolikё tё pasur, njё risi vargёzimi e tingёllimi e, mbi tё gjitha, njё tematikё sa origjinale aq edhe, nё njёfarё sensi, revolucionarizuese. Dalja nё dritё e njё poezie tё tillё, vetё shkrimi dhe botimi i saj, edhe pse prej njё autori anonim, ёshtё njё ngjarje pёr letrat shqipe tё kohёs kur jetojmё. Nё sa vijon do tё pёrdorim njё pёrqasje kryesisht tekstuale pёr leximin dhe interpretimin e kёsaj vepre poetike, pёrqasje tё cilёn Arb Elo e imponon edhe nёpёrmjet vetё faktit tё shkruarjes dhe botimit tё poezive tё tij me pseudonim, duke mos lёnё vend pёr interpretime biografike.

    Nё poezinё e Arb Elos ne dёshmojmё njё evoluim tё gjuhёs poetike sipas njё stili tё ri, me tё tjera shprehje, figura, imazhe e zёra nga ç’mund tё jemi mёsuar tё lexojmё nё letrat shqipe mё parё. Ky zhvillim ёshtё i nevojshёm si kёrkesё e kohёs dhe mund të jetë rrjedhojë sa e veçantisë sё talentit individual tё kёtij poeti, aq edhe e dinamikave tё zhvillimit intelektual e kulturor tё shqiptarёve nё shekullin e njëzetenjëtë. Por le t’i lёmё mёnjanё pёr njё çast konsideratat pёr talentin individual dhe tё fokusohemi tek momenti historik qё pёrkon me daljen nё dritё tё njё poezie, apo mё mirё tё themi tё njё poetike, tё tillё.

    Sot mund të flitet nё mёnyrё tё pёrgjithshme pёr njeriun postmodern, nё kuptimin e gjerё tё fjalёs, si dhe duke iu pёrmbajtur kronologjisё sё etapave kulturore tё Europёs. Por, nё kontekstin lokal tё zhvillimeve historike tё Shqipёrisё, na duhet ta identifikojmё subjektin e poezisё bashkёkohore si njeriu postkomunist. E pra, ky subjekt ndodhet nё njё gjendje ku tё gjitha strukturat e mёparshme politike, shoqёrore, e kulturore janё tё çmontuara. I çinstaluar nga kufijtё dhe pёrkufizimet e dhёna historike, aq mё tepёr prej atyre diktatoriale e tё imponuara, njeriu shqiptar postkomunist e gjeti veten papritur tё zhveshur nga limitet e njё shoqёrie tradicionale tё sё kaluarёs,  dhe u hodh nё hapёsira qё nuk i kish banuar mё parё. Ai e gjeti veten me kokёn zbuluar, ku lart shtrihej pafund qielli i hapur. Ndaj nuk ёshtё çudi qё liria e gjendur nё kёtё formё, si mbidozë anarkie, tё pёrjetohet si barrё e rёndё, e pambajtshme, e papёrballueshme pёr supet e njoma tё individit tashmё krejt tё vetmuar.

    Vёllimi mё i fundit me poezi i Elos, titulluar "Xixa të Zeza" (2013), pёrmban ndёr shumё tё tjera dhe poezinё me titull “Patёzot”, prej ku po shkёpusim kёtё meditim nё vargje mbi lirinё:

 

Dykëndëshit tonë me dheun i mungon një brinjë, 

 

Një tra na duhet të mbajmë mbi kokat tona, një tra çatie

për qiellin e rëndë, strehën e çarë prej nga pikon brenda

forcë mbrapsht rëndese mendimesh fluturake që shkojnë

si erë, herë nga ty tek unë e herë përkundër, ajo erë fryn

brenda frymë të lirë fati patëzot, fati të pazot lirie beronjë.

Jemi mure, ngritur për mbajtur brenda veten, atë mëdysh

ndajmë, është imja apo jotja fryma e patëzot, liria për uri?

 

    Paradoksi i lirisё ёshtё se sjell kthimin e ndёrgjegjes kah vetvetja, ku nё fokus parёsor nuk ёshtё mё bota rrethuese pasi universi global i postkomunizmit ёshtё njё hapёsirё pa sinore, pa “çati” pёrkufizuese, njё pafundësi kaotike ku fryn era e lirё e “fatit patёzot”. Nё poezinё e Arb Elos ndeshemi pikёrisht me njё ndёrgjegje tё tillё. Kёtu kemi tё bёjmё me njё poezi e cila ёshtё jo mё, dhe jo thjesht, reflektim mimetik i botёs sё jashtme; kёtu na jepet poezia jo thjesht si njё shfaje moderniste nё pёrgjigje tё njё moderniteti, tё njё aktualiteti tё pas-nёntёdhjetёs; por si njё reflektim i vetё mendjes. Kёtu kemi njё kthim tё tё gjithё prozhektorёve te vёzhgimit, ndjenjёs, e kuptimit tek vetvetja; njё shikim sё brendshmi, njё jetё e uni-it tё zhveshur nga shoqёria tradicionale, ndonёse jo, nё fakt, nga historia. Por pёr lidhjet historike do tё flasim pak mё tej.

    Vini re reflektimin e brendshёm tё vetvetes nё vargjet e mёposhtme, tё shkёputura nga poezia “Pamje anёsore” prej vёllimit "Mirazh" (2011):

 

Nё skaj tё mendjes

horizonti ёshtё veç njё pikё

nё fund tё fjalisё,

tunel qё lidh universet,

litar i parё nga poshtё,

ndёrsa ti hipёn nё stol,

thua tё fundit lamtumirё

e bebёzat zhduken nga ekrani,

Vetёm bardhё,

Mizё nё borё…

 

    Dhe gjithashtu vargjet e mёposhtme marrё nga poezia “Nё mes tё syve”, nga po i njёjti vёllim poetik:

 

Gjeta po tё njёjtёn guaskё nё breg, me nё mes perlёn,

Nё mes tё perlёs thёrrmijёn e rёrёs, n’mes tё thёrrmijёs

hiçёsinё, nё mes tё hiçit gjithçkanё pa fund, valёn, erёn,

ujёt, e s’hodha mё hije se hija isha unё, e flakёs, vetes,

e resё sё mendjes mbi liqen, babait, nёnёs dhe fёmijёs,

e shtatores qё kalbet nё diell…

 

    Ky vetёreflektim krijon njё rrafsh krejt tё ri poetik, njё praktikё vargjesh e cila na shfaqet si risi, ku e reja qё sjell mund tё na impresionojё si tё ishte njё anomali, apo edhe si tepri. Poezitё e Elos janё tё mbushura me njё det imazhesh e figurash saqё tё jetё krejt kollaj ta “pёrmbytin” shtratin e ndёrgjegjes sё lexuesit. Por, pёrtej vёshtirёsisё që shkon krah më krah me të tillë modernizëm në poetikë, pikёsёpari duhet kuptuar se, teksa e lexojmё, pёrballemi me njё “pёrmbytje” qё i ndodh ndёrgjegjes sё poetit, pёrpara se njё gjё e tillё t’i ndodhё ndёrgjegjes sё lexuesit. Kёtu kemi tё bёjmё me njё subjekt poetik tё mbuluar kokё e kёmbё nё ujёrat e thella tё vetvetes, pasi “përroi” i ndёrgjegjes sё kёsaj vetveteje moderne del vazhdimisht jashtë “shtratit” të traditës dhe derdhet përtej “brigjeve” shoqërore të jetёs tradicionale shumëshekullore, “brigje” të cilat, pas rënies së ledhit komunist dhe kalimit tё botёs shqiptare nё globalizёm, nuk mund të mbahen më në këmbë. Kёtu kemi, pra, ndёrgjegjen poetike të rёnduar nga pesha e lirisё e, pёr pasojё, dhe nga barra e vetes.

    Nё po tё njёjtёn logjikё, mendja poetike nuk shёrben mё pikёsёpari pёr tё pasqyruar botёn rrethuese. Fokusimi i brendshёm, ky pёrbrendёsim nёse mund ta quajmё kёshtu, qё konsiston nё kthimin e syrit tё brendshёm drejt vetvetes tё mbetur fillikat nёn qiellin e stёrmadh e tё paanё tё lirisё -- ku ajo, pra egoja subjektive, ёshtё e vetmja pikё referimi konstante, -- shpie detyrimisht nё vetёreflektim:

 

Mendoj diçka, pastaj njё tjetёr,

Pastaj mendoj nga vijnё mendimet,

Po dhe ky mendim ёshtё e ndihem

si hundё qё do tё nuhasё vetveten,

apo shikim i drejtuar nga brenda.

        (“Shuar”, Mirazh)

 

    Poezia nuk ёshtё mё njё pasqyrim i brendshёm i fenomeneve tё jashme; ajo ёshtё njё teatёr ku vetё mendja luan rolin dhe lojёn e vet. Kjo poezi ёshtё manifestim i mendjes dhe pikёrisht tek kjo vetёmjaftueshmёri e saj ajo gjen shprehjen mё tё fuqishme tё vargёzimit:

 

Tё njёjtat fjalё kam ndёr mend,

prapё, pastaj, tash, pёrpos, Hyj,

me to thur e thur si gishtat plaku,

qё prek rruzaren me po atё rrudhё.

Me to thur pёlhurё, tym, maska

tё mё shihni e mos t’mё njihni…

Vesha vetveten, dyfish si nyje,

u fsheha prej saj tok me hijen…

        (“Tё njёjtat”, Mirazh)

 

    I paraqesim kёto pёrsiatje paraprake e teorike pёr tё ofruar njё platformё orientuese mbi tё cilёn tё mund tё piketojmё disa kushte pёr njё lexim tё mundshёm tё kёtyre poezive. Risia radikale qё stili poetik i Arb Elos sjell, kёrkon njё ripёrshtatje tё mekanizmave interpretues tё dhёnё pёr lexuesin shqiptar. Rreziku pёr lexuesin e sotёm mbetet gjithmonё moskuptimi, apo edhe keqkuptimi, i tё resё nё letёrsinё bashkёkohore. Kjo pasi nё vijmё tek njё poezi e re, -- e aq mё tepёr kur bёhet fjalё pёr njё poezi novatore (jo thjesht “tё re”), -- me disa presupozime tё gatshme qё burojnё prej asocacioneve qё kemi formuar, si edhe prej zakoneve tё leximit me tё cilat jemi ushtruar, e qё rrjedhin prej traditёs tonё letrare nё gjuhёn shqipe. Por, po e theksoj qё nё fillim, nё poezinё e Arb Elos kemi tё bёjmё me njё fenomen tё ri letrar, njё zhvillim tё gjuhёs dhe tё mendimit shqip qё sinjalizon njё shkёputje prej traditёs poetike tё para nёntёdhjetёs. Kjo sigurisht qё nuk ndodh vetёm tek Arb Elo, por dhe tek shumё poetё tё tjerё shqiptarё tё brezit tё pas viteve nёntёdhjetё; çёshtja ёshtё se ndodh nё mёnyrё tё spikatur, e krejt tё veçantё, tek Elo. 

    Ky pёrbrendёsim i realitetit nё poezinё e Elos sjell krijimin e njё hapёsire tё pamatё cerebrale, ku universi nuk ёshtё mё thjesht diku jashtё atje si objekt kundrimi dhe reflektimi. Pёrkundrazi, universi shkrihet nё mendje dhe mendja shndёrrohet nё univers. Prandaj, ndonёse pёrmasat kozmike tё pranishme nё njё poezi kaq thellёsisht individuale dhe tё brendёsuar mund tё na duken si paradoks, ato nё fakt kanё plotёsisht kuptim. Pёrbrendёsimi i realitetit ka shpёnё nё manifestime tё botёs sё brendshme tё pёrmasave kozmike. Kufijtё mes universit dhe mendjes poetike, mes botёs dhe unit, mes objektit dhe subjektit nuk janё mё tё dallueshёm pasiqё, nё çdo rast, e para derdhet brenda sё dytёs dhe anasjelltas.

    Sё fundmi, duhet thёnё se kthimi i vizionit tё botёs nga brenda, pra tek vetvetja, si edhe shpalosja brenda mendjes poetike e njё hapёsire tё pamatё shpien nё mёnyrё tё pashmangshme nё pёrjetimin e kёtij pёrbrendёsimi si njё humnerё ekzistenciale, njё boshёsi qё rreket tё mbushet nga vizioni i vetes:

 

Sheh humnerёn 

e ajo tё ka parё ty, sytё e mi janё dy,

ajo veç njё ka, tё mitё, e sytё e mi

janё atёherё ninёzat e saj

nё syrin e saj me dy.

        (“Sytё e humnerёs”, Zero 3D, 2012) 

 

    Kёto karakteristika pёrkufizuese tё poetikёs sё Elos mishёrojnё natyrёn njёkohёsisht metafizike dhe moderniste tё njё pjese tё mirё tё poezive sё tij.

 

    II.

    Ndonёse pёrbrendёsimi poetik shkakton njё ndjesi universale nё veprёn poetike tё Arb Elos, ku subjekti shfaqet nё terma metafizikё e jo historikё, ka aty gjithashtu poezi qё e pёrcaktojnё ndёrgjegjen poetike nё njё kohё e nё njё vend tё dhёnё, sipas disa koordinatave historike qё janё karakteristike pёr Shqipёrinё postkomuniste. Emigrimi ёshtё njёri prej motiveve historikё qё pёrsёriten nё poezinё e Elos, duke i dhёnё kёshtu, tёrthorazi, njё shpjegim mё konkret abstragimeve mbi tёhuajzimin ndaj botёs qё vihet re nё vargjet e tij me natyrё metafizike.

    Tema e emigracionit shfaqet mjaft e mprehtё nё disa poezi tё caktuara, gjë që qё na shtyn tё mendojmё se, nё realitet, ёshtё kjo ndarje prej dheut mёmё qё pёrbёn traumёn fillestare prej nga burojnё shkaqet themelore tё transformimit tё njeriut shqiptar gjatё dy dekadave tё fundit, pёr tё mirё a pёr tё keq. Veçanёrisht e dhimbshme formёsohet kjo temё tek poezia mjaft e arrirё “Push plepash” (Zero 3D) – njё himn ky, sa i thjeshtё aq edhe brilant, kushtuar mёmёdheut.

    Nё dy strofat e para tё kёsaj poezie nis e sendёrtohet njё metaforё origjinale dhe e gjetur, e cila pastaj shtrihet mbi tёrё tekstin e vjershёs. Janё disa elementё qё e pёrbёjnё kёtё figurё specifike: imazhet e plepave nё verё, ato tё harabelave dhe tё foleve tё tyre, fёmija i vogёl qё luan nё lagjen e tij, si edhe imazhi i nёnёs i konceptuar si njё kujtim i vagullt fёmijnie, e qё vjen plot nostalgji prej thellёsisё sё viteve tё shkuara. Kёtё ndёrthurje disi tё pafajshme tё imazheve nё fjalё, tё pёrftuara prej kujtimeve tё fёmijnisё, e kris papritur njё incident, i pёrshkruar nё dy strofat e mёposhtme, e qё merr kuptim tё plotё vetёm mё pas, nё dy strofat e fundit tё poezisё, ku metafora plotёsohet e pёrmbushet krejt:

 

Push lёshonin plepat nё verё

e ndoshta e bёjnё ende edhe sot,

plepat ku harabelat ndreqnin foletё,

nga ku binin shpesh tё vegjlit,

e ne qё i gjenim…

 

I butё ish atёherё prehri i sime mёje,

mё tё mёdha qenё puthjet e saj,

mё e madhe bota, ndryshe ishte gjumi,

tjetёr duart, qё ia tregoja duke qarё kur vritesha,

ndryshe plagёt n’ato duar, duart qё zinin tё voglin

e zemra i rrihte, sqepi, qё s’ia nxinte thёrrimet,

qё ia koja se e doja, ndёrsa

xhamave pёrplasej e ёma

e cicёronte…

 

    Incidenti konsiston nё imazhin e zogut nёnё, e cila pёrplas flatrat me ankth e padurim pas xhamave tё dhomёs ku ka hyrё fёmija me harabelin e vogёl nё duar. Pёrzierja nё dukje rastёsore e imazheve  – pra, fёmijёs qё shkon me lot ndёr sy tek nёna e tij pasi ka vrarё duart teksa ёshtё rrёzuar nё lojё e sipёr nga njёra anё; dhe, nga ana tjetёr, imazhi i harabelit tё parritur qё ka rёnё aksidentalisht nga foleja e tij lart nё pemё, tё cilin e ёma e ka tё pamundur ta arrijё teksa ajo pёrplas flatrat dёshpёrimisht pas xhamit tё pathyeshёm tё dritares – pёrbёn njё vёnie efektive krah pёr krah tё kёtyre dy imazheve paralele tё cilat pёrcjellin idenё e ndarjes sё tё voglit, zog a njeri qoftё, prej krahёve tё nёnёs, ku “nёna” mund tё merret njёherёsh si koncept biologjik a patriotik, -- njё ndarje kjo qё vjen prej vendosjes sё njё pengese tё pakapёrcyeshme mes tyre. Figura qё pёrftohet pёrmbledh nё vetvete, metaforikisht, traumёn e emigrantit tё zhvendosur tashmё, fizikisht e shpirtёrisht, larg mёmёdheut:

 

O plagё e zemrёs sime,

ka ardhur vera prapё e na cicёrojnё

nga jashtё zogj tё tjerё, qё flenё fushave,

se tash ndryshe flasim, nё gjuhё tё huaja,

tё flas dhe nuk di a mё kupton, tё dёgjoj

e nuk di se kush po mё flet; grushtat

mё janё rritur e s’po di se si t’i ndreq

foletё bosh tё mendjes…

 

    Klithma “O plagё” qё del nga shpirti i emigrantit ёshtё klithma e tjetёrsimit, e peshёs sё rёndё tё largimit (pa kthim ndoshta?) prej origjinёs, prej gjuhёs, prej mendimit, prej vetvetes fillestare tё mbrujtur diku, para shumё kohёsh, diku larg tokёs sё huaj ku folёsi i kёsaj poezie gjendet tani. Ai ёshtё shndёrruar tashmё vetё nё zogun e vogёl dhe mёmёdheu ёshtё foleja e humbur, fole “nё gjoks” siç do ta quajё poeti disa vargje mё tutje, e prej ku zemra, “si plagё qё rrjedh akoma”, ka rёnё e ёshtё rrokullisur teposhtё, “si harabel i rrjepur, pa flatra”, njё imazh pёrmbyllёs ky qё nuk lё shpresё pёr shёrimin e traumёs sё ndarjes:

 

Qielli na ndan nga tjetri… pushi i reve,

qё lёshojnё ende tjetёrkund plepat,

tё prerё apo tё rritur ndёrkaq,

se tjetёr jemi bёrё, tjetёr ёshtё tash bota,

mё e vogёl, foletё i ndreqim nё gjoks e qё atje

na bie poshtё nga duart, si plagё qё rrjedh akoma,

si harabel i rrjepur, pa flatra,

zemra…

 

    Emigrimi ёshtё pёrmasё sa themelore aq dhe e pashlyeshme e tranzicionit shqiptar tё pas viteve nёntёdhjetё, pёrmasё kjo qё pёrkufizoi njё brez tё tёrё, njё narrativё pёrbashkuese pёr qindra mijёra shqiptarё tё shpёrndarё nё mbarё botёn nё kёta njёzetё e ca vjet. Eshtё kjo traumё e emigrimit e cila, bashkё me tranzicionin nga njё shoqёri provinciale e tradicionale nё globalizёm, na duket se qёndron nё themel tё pёrbrendёsimit tё vizionit poetik tё kёtij poeti, pёrbrendёsim i cili pёrbёn njё pёrkryerje tё tjetёrsimit tё nisur nё origjinёn e lёnies pas shpine tё vatrёs sё atdheut.

 

    III.

    Ka edhe njё kategori tjetёr poezish nё veprёn e Arb Elos, si pёr shembull “Banorёt e Ninives” (vёllimi Mirazh) apo “Horeb” (vёllimi Zero 3D), ku vizioni i tij poetik del pёrtej ndёrgjegjes individuale pёr tё projektuar njё ndёrgjegje shoqёrore qё, herё-herё, merr pёrmasa biblike. Kёtu shihet qartё estetizimi i njё bindjeje tё fortё se qytetёrimi urban ka pёsuar njё rёnie, drastike e tё pakthyeshme, prej njё gjendjeje fillestare pafajёsie. Zhvillimi i madh qё vjen prej investimit tё kapitalit, -- kuptuar kjo jo thjesht nё terma financiarё por dhe nё terma shoqёrorё, teknologjikё, politikё e humanё nё tёrёsi, -- paradoksalisht nuk ёshtё se shpie nё ndёrtimin e parajsёs mbi dhé, -- siç mund tё pritej prej idesё sё rritjes sё mirёqёnies urbane, -- por, pёrkundrazi, sjell çekuilibrimin e harmonisё sё njeriut me natyrёn dhe, detyrimisht, edhe me hyjin e natyrёs:

 

Malin e shenjtë
e copëtuan,
Me gurët ndërtuan
tempuj,
piramida,
mure,
statuja

E ç’të shohësh?
Antena e avionë,
kulla, tela, kamera,
tym, oxhakë, alienë,
vrima n’ajër, astronautë
me helmeta në hënë.

        (“Horeb”)

 

    Njё vёshtrim i shpejtё evolutiv ky, qё kap fillimet e qytetёrimit qё nga koha e faraonёve e qё arrin deri nё epokёn tonё teknologjike, ku njeriu lartёson vetveten dhe arrin tё pushtojё deri dhe hapёsirёn kozmike. Por ky qytetёrim tashmё global nuk rezulton tё shpjerё nё pёrmirёsim tё marrёdhёnieve shoqёrore midis njerёzve, pёrkundrazi. Ikja prej “malit tё shenjtё” ёshtё braktisja e ndjenjave humane, e vetё humanizmit si filozofi njerёzore, pasi akumulimi gjithnjё nё rritje i kapitalit dhe urbanizimit sjell humbjen e elementit tё dashurisё, deri edhe humbjen e vetё fokusit bazё tek faktori ‘njeri’, tek thelbi human i tij:

 

5000 gjuhё,

2 ditё pushim,

2 fёmijё,

2 duar herё 5 gishta,

Dhjetё dollarё ora,

Pesёdhjetё seksi,

Sytё i ngremё rrallё

nga pjatat, librat, tjetri,

llogaritё, varret, 

hapat, makina, udha,

pёr tё parё qiellin.”

        (“Horeb”)

 

    Disa tё dhёna bazё tё njeriut – gjuha, duart, gishtat, sytё – mbeten tё pandryshueshme, garantues tё njё ontologjie tё dhёnё prej gjenezёs nё “malin e shenjtё”, njё simbol ky qё shёrben si pёrkujtesё besnike e thelbit tё patjetёrsueshёm human. Por, nё kohёt moderne, qёllimi fillestar i kёtyre tё dhёnave ёshtё zhvendosur tek kapitali, numёrimi i parave, ndёrtimi material dhe teknologjia e qytetёrimit tonё, teksa nё zhvillim e sipёr humbet vizioni i dashurisё njerёzore e hyjnore, vizion i natyrshёm e organik ky qё ia lё vendin artificialitetit mediatik:

 

Eteri plot sinjale, pamje,

filma, luftё, drogё,

kurva, tiranё, idiotё

e njerёz qё nё tokё

nuk kanё se ç’hanё

        (“Horeb”)

 

    Ky shikim kozmik mbi qytetёrimin shpaloset nё formё mё tё plotё, e nga kёnde me pikёpamje mё specifike, nё poezinё e shkёlqyer “Banorёt e Ninives”, ku motivi biblik i qytetit qё rrezikon mallkimin e qiellit pёrditёsohet nё kontekstin e metropoleve modernё tё kohёs sonё, me imazhe e metafora tё stilit ekspresionist:

 

Krimb i sheshtё i rrugёs zgjatet murrmё,

bren fletёt qё mbinё dje t’urthit tё kёsaj dite,

Kujt pret, ulur pёrballё, tё lindё dielli nё perёndim,

qyteti i ngjan me peshkun vjellё nga qiejt,

me luspa ku akoma feksin jargё kozmike.

Asfalti sjell nё breg frymёt mbi valё pluhuri,

prej hiri krematorёsh…

                (“Banorёt e Ninives”)

 

    Ndonёse njё tufё imazhesh ndёrthurin fijet e tyre nё kёtё tekst, me njё dendёsi tё tillё brenda pak vargjesh qё i pёrgjigjet shtresёzimit shumёplanёsh tё qytetёrimit tё sotёm urban, secili prej kёtyre imazheve spikat me specifikёn e tij tё veçantё, si edhe me bagazhin aluziv qё sjell nё poemё. Rruga / bulevardi / autostrada qё normalisht i jep frymёmarrje transportit tё çdo qyteti duke shёrbyer si aks organizativ i jetёs sё tij materiale, pёrfytyrohet nё poemё si brejtёs i ditёve, njё qёnie konsumuese qё pёrpin vetё jetёn qё rrjedh nёpёr tё, duke evokuar kёshtu, ndonёse me njё sens tё ri, motivin e krimbit qё pёrpin bimën e Jonas nё mitin origjinal. Imazhi i peshkut tё ngordhur mbi dhé, “vjellё nga qiejtё”, pёrforcon dhe zgjeron idenё e aludimit alegorik tё titullit tё poemёs teksa ngjall ndёr mend detaje tё tjera tё mitit biblik tё profetit Jona, dёrguar prej Zotit pёr tё paralajmёruar popullatёn e qytetit tё lashtё Ninive rreth nevojёs pёr tё ndryshuar stilin e jetesёs sё tyre mёkatare e kёshtu tё shmangnin dёnimin prej qiellit. Veçse kёtu kemi tё bёjmё me njё gjetje befasuese teksa kёqyrim se si  imazhi i peshkut, qё nё historinё biblike ёshtё njё lloj balene qё gёlltit Jonёn pёrkohёsisht pёr ta “vjellё” atё mё pas, ёshtё kthyer sё prapthi: nё kёtё rast qielli ka “vjellё” peshkun, i cili simbolikisht bёhet vetё qyteti Ninive i kohёrave moderne, njё metropol i shekullit tonё i dergjur i pashpresё mbi dhé, teksa vetё simboli i shpёtimit nga mbytja nё mitin fillestar, pra peshku, tash na paraqitet i vdekur. “Jargёt kozmike” qё ende “feksin” mbi “luspat” e tij vulosin çfarёdolloj shprese se mund tё ketё shpёtim pёr qytetin modern pasi ky i fundit ёshtё i dёbuar simbolikisht prej vetё vendit nga ku pritet shpёtimi, prej qiellit. Si pёr tё vulosur mё tej akoma kёtё pёrshtypje tё vdekjes shpirtёrore, shfaqet nё vargun pasues aluzioni i “frymёve tё vdekura” qё janё “prej hiri krematorёsh” urbanё, ku “krematorёt” lehtёsisht mund tё lexohen si fabrika e uzina ku “shkrihen”, nё reminishencё tё fjalёve  tё Migjenit:

 

ndjesitё

trutё njerzore

n’apoteozёn e hekurit; shpirtёnt pёrshkohen nё tymore...

                (Migjeni, “Kanga e Pёrndimit”)

 

    Kёto frymёra qё i sjell nё breg “asfalti” – dhe ky njё imazh i pagabueshёm i urbanizimit modern – janё qytetarёt e kёsaj inferno-je moderne. 

    Qartёsisht, vizioni personal i “humnerёs” ёshtё projektuar tani mbi qytetin modern, ku humnera brenda vetes ia lё vendin humbёtirёs urbane. Eshtё e lehtё qё teksa mendja e lexuesit ndjek kёtё mori imazhesh sa origjinale aq dhe befasuese tё humbё nga fokusi vёzhguesin-flanneur, nё mendjen e tё cilit zhvillohet ky makth. E megjithatё ky vёzhgues ёshtё aty, i lajmёruar qysh nё krye tё herёs nё vargjet e fillimit tё poezisё nё fjalё, njё dёshmitar i palёvizur i lojёs sё pluhurit tё humbёtirёs mbi asfalt, po aq sa edhe dёshmitar i lojёs poetike tё mendjes sё tij:

 

Kujt pret, ulur pёrballё, tё lindё dielli nё perёndim

qyteti i ngjan me peshkun… 

                (“Banorёt e Ninives”)

 

    Kёtu kemi njё aludim me Jonan e dikurshёm i cili, siç na rrёfen tregimi biblik, doli prej Nineves dhe u ul diku jashtё qytetit qё tё shihte se ç’do t’i ndodhte banorёve tё atjeshёm pas predikimit tё tij. Por ky rrёfim (“Kujt pret” – pra, vёzhguesi!), aksidental e i pafajshёm nё dukje, hap portёn e mendjes ku boshёsia mbushet me atё humbёtirё urbane qё edhe e shkakton humnerёn e mendjes nё rradhё tё parё. Kjo ёshtё mendja e cila, e tёhuajzuar prej lirisё postmoderne, mbars vizione ndjellakeqe pёr urbanizimin teksa “humnera” i kthen sytё nga metropoli me tёrё uraganin intelektual tё saj. Kur lenteja e vёzhgimit zhvendoset nga ana materiale e qytetit nё vetё banorёt e tij, ata pёrshkruhen si frymё tё vdekura qё popullojnё kёtё inferno urbane, si njerёz pa identitet apo unikalitet individual, ndaj dhe na paraqiten me uniformitetin e sendёrtuar prej teknologjisё:

 

            … N’altarё vetёshёrbimi

i blatojnё vetes bustet thasё xhami e llamarine,

thasё metalikё konservash qё hapen nga brenda,

me pasqyra, nё rradhё pas shoshokut, i bёjnё hije tjetrit

e tjetri u bёn hije…

                (“Banorёt e Ninives”)

 

    Eshtё po ajo teknologji qё nxjerr nё seri makinat (kёta “thasё xhami e llamarine” qё janё si “thasё metalikё konservash qё hapen nga brenda”), e cila riprodhon nё po kёtё mёnyrё, si nё seri, individёt qё qarkullojnё brenda tyre. Janё kёta individё postmoderne tё uniformizuar qё  gjallojnё brenda produkteve tё teknologjisё sё sotme dhe:

 

nёn thasё ekranёsh ngjajnё

tё gjithё njёlloj nga larg, banorёt e Nineves…

                (“Banorёt e Ninives”)

 

    Gjetja e imazhit tё thasёve pёr tё identifikuar mveshjen e njeriut modern me zhguallin teknologjik nuk pёrbёn thjesht njё figurё estetikisht impresionuese e surreale, karakteristike  pёr stilin modernist nё pikturё e poezi, siç janё, tё themi, orёt e Dalisё apo kubizmi i Pikasos. Ajo ёshtё nё vazhdёn e kthimit me kokёposhtё tё motiveve tё mitit origjinal, ku banorёt e Nineves biblike vishen me thasё dhe mbulojnё veten me hi pёr tё agjёruar nё shenjё pendese pёrpara Zotit. Por, akoma mё tej, imazhet e thasёve, nё tёrё varietetin e tyre – xham, llamarinё, metal – sendёrgjojnё ndjesinё e mbylljes sё vetvetes moderne, shkёputjen e saj nga lidhjet organike e fillestare me natyrёn, me tё tjerёt, me hyjninё, -- gjёra tё cilat shpien, falё dominimit teknologjik nё mbarё botёn, nё njё paketim nё seri tё individёve modernё qё janё shndёrruar sakaq nё produkte tё sё njёjtёs fabrikё gjigande infernale, qenie tё konservuara prej tё cilave tharmi i shpirtit dhe i jetёs vetё, vetё kuptimёsia e saj origjinale, ёshtё bjerrё deri nё pikё tё fundit pёr t’ia lёnё vendin boshёsisё sё njё dehjeje ekranesh e cektёsisё sipёrfaqёsore qё kёta ekranё (TV, kompjuter, telefonё celularё, tableta) reflektojnё. Kёta individё pёrdorues tё mjeteve dixhitale tё komunikimit kanё mveshur tashmё, dashje pa dashje e nё mёnyrё tё pakthyeshme, imazhin dhe identitetin e ftohtё prej sendi tё pёrftuar prej vetё ekraneve mbi tё cilёt ata kundrojnё ditё e natё:

 

Sytё e zbёrdhylёt s’kanё det brenda, por shi,

gri tulaten pёllumbat e bebёzave atje,

duke pritur pranverёn, qё s’dihet nё do vijё.

Ekraneve engjёjt premtojnё botёn,

pёrtej mureve ndarёs, me mobilje, para, makina

femёr dhёmbёbardhё, e u thonё: “Merr!”

                (“Banorёt e Ninives”)

    Ky vetёdёnim i shoqёrisё sё konsumit, parё nё vargjet e mёsipёrme kryesisht pёrmes prizmit mediatik, ia lё vendin njё pёrpjekjeje nga ana e poetit pёr tё rrokur tёrё ontologjinё e kapitalit modern, njё qenie e stёrmadhe kjo e konstruktuar artificialisht e qё mbart brenda vetes farёn e shkatёrrimit tё vet eshkatollogjik:

 

Skёterra ёshtё po aty; betoni, xhami, zhurma

fantazmat qё u rrёfejnё hijeve ogure tё liga.

S’do zgjasё shumё e kjo botё do tё prishet,

si kullё e lartёsuar keq, me tavanin shpuar

nga oxhaqet, antenat, qё pёrzunё lejlekёt,

qё kur i shohin i marrin pёr alienё. Duket si

gjumё, por jo, jo, thotё spikerja e qesh nё ekran pёshtirё.

                    ("Banorёt e Ninives”)

 

    Imazhi qё rri si kurorё, e qё rrёzёllit zishёm, mbi kёtё ngrehinё fantazmagorike ёshtё plotёsimi, sipas formulёs Niçeane tё “vdekjes sё Zotit”, i atij inversionit tё narrativёs biblike qё iu bё nё fillim tё poemёs imazhit tё peshkut tё rёnё pёrdhé nga qielli:     

 

Edhe ca e do tё hyjё marsi, nga nёntori s’ka dritё

a thua se nё qiell po djegin kufomёn e Zotit,

Hiri i tij mbulon kёtё vend, rrugёt, kokat e njerёzve,

Sytё…

                    ("Banorёt e Ninives”)

 

    Ndёrsa “peshku” ёshtё kthyer nga simbol i shpresёs nё simbol tё dёnimit, pra nga balena qё shpёtoi Jonёn nga mbytja nё vetё “Niniven” moderne qё dergjet e vdekur nё urbanizmin e saj, koncepti i qenies hyjnore tё mitit biblik ёshtё zhbёrё nё kohёt modern duke lёnё pas vetёm njё shi tё hirtё zvetёnimi qё mbulon infrastrukturёn morale tё metropolit të epokës tonë. E ndёrsa “hiri” nё mitin origjinal pёrbёn njё simbol tё pёruljes njerёzore pёrpara hyjnisё sё kohёve tё lashta, nё kёtё rishkrim fantastik tё mitit qё Arb Elo pёrfytyron, vetё nocioni i hyjnisё shkrumbohet e bёhet hi, si ilustrim figurativ i realitetit shpirtёror postmodern.” Krematorёt urbanё janё zhvendosur -- nё njё trill tё imagjinatёs -- nё qiell, gjё e cila simbolizon jo realitetin e hyjnisё, si tё tillё, por kapacitet pagane tё mendjeve postmoderne qё popullojnё metropolin. Atmosfera danteske qё pёrçojnё imazhe tё tilla apokaliptike, si hamendёsimi i kobshёm mё lart, bёhet e plotё me pёrmbylljen e poemёs me disa metafora bodleriane tё metropolit ku, edhe njёherё, theksohet uniformiteti mbytёs i urbanizimit qё e kthen çdo njeri nё njё produkt, sipas njё shёmbёlltyre tё paracatuar teknologjikisht:

 

Dielli s’del mё, me gjak tё mjerёsh shkruhen lajmet,

e shpresё e tyre ёshtё si drita, qё vonon tё vijё,

qё s’shndrin, si fytyrat e zbehta nё turmё, mbushur

me dregёza gjaku, si sytё e ngrirё nё muzg,

bloza qё mbyt arsyen, tё vdekur e tё gjallё,

nё radhё pas shoshoqit, qё i bёjnё hije tjetrit

e tjetri u bёn hije, nёn thasё ekranesh ngjajnё

tё gjithё njёlloj nga larg, banorёt e Ninives…

                (“Banorёt e Ninives”)

  

    IV.

    Koha dhe vendi nuk na dalin pёr tё folur mё gjerёsisht mbi njё vepёr poetike si kjo e Arb Elos e cila pёrfshin nё vetvete shumё mё tepёr dritёhije e pasuri motivesh, figurash dhe simbolesh sesa ç’mund tё mbulojё njё vёshtrim i shpejtё kritik. Kёto tematika tё lirisё, pёrbrendёsimit, humnerёs, emigrimit e urbanizimit janё vetёm disa prej fijeve tё shndritshme qё mbajnё lidhur trupin e kёsaj vepre poetike, fije qё i gjykojmё esenciale dhe pёrkufizuese. 

    Sigurisht qё mund tё thuhet se poezia, si zhanёr, mbart vetiu subjektivizёm dhe patjetёr qё poezia e Arb Elos ka njё dozё tё lartё subjektivizmi. Vizioni i humnerёs sё mendjes apo vizioni i humbёtirёs urbane mund tё lexohen edhe si pasqyrime të njё drame personale apo tё njё pёrjetimi tё botёs me tone nihilizmi. E megjithatё, pёrtej dinamikave personale tё njё zёri poetik, ne gjejmё nё kёtё poezi njё simbolikё qё pёrputhet me transformimet kulturore e sociale tё viteve tё tranzicionit, transformime qё kanё sjellё gjendje tё reja shpirtёrore ndёr shqiptarё, ndonjёherё tepёr tё trazuara, si edhe njё imagjinatё individuale e kolektive e cila duhet pёrpunuar, pёrtypur, e menaxhuar kulturalisht. Nё momentet e tij mё tё mira Elo arrin ta bёjё kёtё artistikisht me njё sofistikim poetik, si edhe me njё kompleksitet gjuhe e mendimi, tё denja pёr poezinё moderne brenda kontureve tё modernizmit europian.

    Nёse jemi apo jo gati pёr njё sofistikim tё tillё modernist nё poezi, kёtё mund ta gjykojnё vetё lexuesit. Por nuk mundemi tё mos vemё nё dukje risinё dhe vlerat qё poezia e Arb Elos sjell nё letrat shqipe. Nё vargjet e tij ky poet ka trajtuar vizionin e vetvetes dhe tё botёs sipas mёnyrёs sё tij tё veçantё, por edhe nё pёrputhje me evoluimin historik tё shoqёrisё  tonё nё epokёn e globalizmit. E, nё proces e sipёr, ai ka dёshmuar se gjuha jonё e lashtё shqipe i ka tё tёra kapacitetet pёr t’u lёvruar nё njё zhargon postmodern, ku ligjёrimi poetik i Arb Elos rrjedh me atё masё bollёku gjuhёsor, dhe me atё lloj standarti nё vargёzim e figuracion, qё kanё karakterizuar historikisht traditёn tonё mё tё mirё poetike.

 

Autori ёshtё Doktorant për letërsi në SH.B.A.

Marrë nga "Fenix"

59 Komente

Faleminderit, Primo! Nje vemendje  profesionale ndaj  artit te mirefillte poetik te  Arb Elo-s qe  vjen ne kohen e duhur.

" ka botuar tre vёllime me poezi nё kёto tre vitet e fundit. Nё to ai ka dёshmuar njё stil tё veçantё e krejt unik, figuracion tё zgjedhur e origjinal, njё simbolikё tё pasur, njё risi vargёzimi e tingёllimi e, mbi tё gjitha, njё tematikё sa origjinale aq edhe, nё njёfarё sensi, revolucionarizuese. Dalja nё dritё e njё poezie tё tillё, vetё shkrimi dhe botimi i saj, edhe pse prej njё autori anonim, ёshtё njё ngjarje pёr letrat shqipe tё kohёs kur jetojmё. "

Sakte. +1.

Arb elos bën poezi të mira ato që kam lexuar më pëlqejnë.

Ndoshta nuk është lehtë të bësh analiza  por duke parë se autori ësht doktorant për letërsi them se ka bërë një analiz të dobët nën nivelin e një maturanti që ka qef letërsinë. Fjalë të përgjithshme dhe më e keqja atë që çdo maturanti i thuhet mos e bëj spjegimin e teksit.

Për vargun, stilin, metaforat e figurat asnjë gjë,rrymën që përqafon(nqs përqafon a shpreh një rrymë poetike) nga ndryshon nga poezit e poetëve të tjerë; ku qëndron novatorja apo risia. Asgjë nga kto ,veç pohimit që janë poezi novatore,e disa përqasjeve të përgjithshme  teorike.

Për vargun, stilin, metaforat e figurat asnjë gjë

Si keshtu? Aty jane paragraf mbas paragrafi ku shikohen me lupe imazhe, metafora, simbole e me the te thashe! Aq sa ti vete pak me siper ankohesh per "spjegimin e tekstit".

Pastaj dhe kete:

"dhe më e keqja atë që çdo maturanti i thuhet mos e bëj spjegimin e teksit"

 

Jo ore. Ku qenka shkruar ky postulat, ne murin e ndonje gjimnazi ne Kine? Se ne gjimnazet ne Shqiperi u marrin frymen nxenesve me analize teksti. Dhe cfare e keqje e supozuar vjen nga shpjegimi i tekstit sipas kesaj ideje? 

Ku janvargu , stili etj etj,poe   lexoj dhe një herë etj. teksin as vet autori s'di ta spjegojë shpesh herë dhe kuptimi ndaj tij duhet të jet i lirë. analiza e një poezie është shumë më shumë se spjegimi i teksit. postulati ësht se  spjegimi i teksit nuk quhet analizë por zbërthim për ata që "se kuptojnë dot", nejse "halli hallit nuk i ngjan"smiley   

Njeriu gezohet kur lexon reflektime mbi nje poezi, te cilen e cmon. Besoj edhe per nje lloj ballafaqimi me reflektimin e vet. Nuk me pelqeu, me thene te drejten. Per shembull, "moderniteti" eshte nje fjale qe eshte perdorur pa kujdes, me nje lloj lehtesie qe s'e pres nga nje njeri i profesionit. Shume peshe i jepet kontekstit historik, nderkohe qe autori e pranon qe s'ka koordinata per poetin, kurse anashkalohet krejtesisht konteksti i historise se poezise. 

Nga ana tjeter, cmoj perpjekjen dhe dashamiresine e autorit.

 

Edhe mua m'u duk disi i paqarte nocioni i modernitetit ne kete shkrim, apo me mire te them m'u duk se ishte me e qarte ne koken e autorit sesa per ne lexuesit. Por po mendoja se ne pjesen I u ka meshuar disa nocioneve kyce tek te cilat ai ndoshta sheh "modernizmin" e poezise ne fjale, per te cilen flet. Nocione si vetvetja, ndergjegja, perbrendesimi, vetereflektimi i mendjes... kalimi qe thote per shoqerine shqiptare prej jetes tradicionale ne globalizem, pas renies se komunizmit (do ishte interesante, mendoj, te diskutohej se sa "modernist" ose jo ishte komunizmi yne duke hequr paralele me modernitetitn e botes se lire). Prandaj them se me duket se duke i vene ne pah keto fenomene autori e merr si te mireqene se ne ato konsiston modernizmi i poezise.

Ti Finisterre do kishe zgjedhur termin "posmodernitet"? Per kersheri pyes.

Po si te them? Mund edhe te kisha zgjedhur termin "poezi moderniste", porse do te me ishte dashur te shpjegoja mire e mire pse e gjeja moderniste nje poezi qe s'ka lindur ne fillim te shekullit te kaluar, dhe pasazhi mbi shoqerine post-komuniste nuk mjafton. I bie qe gjithe letersia e Lindjes qenka modernizem, po qe se e varim pallton thjesht tek ndryshimi i sistemit. As "nocione si vetvetja, ndergjegja, perbrendesimi, vetereflektimi i mendjes" nuk mjaftojne... Jo, s'me duket se mund te merret e mireqene pra perkatesia moderniste.

Personalisht pastaj, e shikoj poezine e Arb Elos si poezi te shkruar ne kuader te te ashtuquajturit "fund i historise", ose me mire pikerisht nje cast perpara sesa levizjet politiko-ekonomike anembane globit te hidhnin poshte tezen "optimiste" te "njeriut te fundit" te Fukujames. Arb Elo, poeti dhe personazhi, eshte disfatisti i pare, por jo ngaqe s'di c'te beje me lirine qe eshte dhene papritur, por ngaqe e di (sepse poeti "e di": Io so, thote Pasolini) qe liria eshte prej natyres se vet e veshtire dhe shumefaqeshe. E kshu me radhe ne kete drejtim te reflektimit kritik.

Po me intereson njecik kjo ideja e nje periodizimi, te themi, te letersise sone. Ke te drejte kur ngre pyetjen (e nenkuptuar) nese modernizmi ne poezine tone ka lindur qe para nje shekulli apo po vjen tani, pra ne tranzicionin shqiptar (qe duket se eshte pozicioni i shkrimit me lart). Se shkrimi permend shkarazi dhe Dali e Pikaso gje qe i bie se, te pakten ne poezi, tani po fryjne erera te tilla (kubizmi, ekspresionizmi etj etj). Dhe po ta mendosh pak, zhvillime te tilla ne letersi nuk jane tek ne aq te prera e te qarta sa c'i ka pasur Europa. Per mu Migjeni eshte pika e pare e modernizmit ne poezine shqipe. Por cfare vijon pas tij? Kadareja deri diku me ndikimet qe deshmon prej Majakovskit rus. Sinqerisht qe gje tjeter s'me bie nder mend qe ta kategorizoja si "moderniste" ne poezi. Po, nga ana tjeter, as me kete pozicionin e nenkuptuar ne shkrim nuk jam, se ashtu i bie qe A. Elo e te tjere qe shkruajne sot po qemtokan te vazhdojne nje tradite te shkeputur diku nga vitet '30! 

Vitet 30? Shko, shko edhe nje çike me perpara, ne kohen e Hasan Zyko Kamberit.

Per Magus: Ka qene nje grup i mire poetesh ne vitet 80 me Mimoza Ahmetin, Ndoc Papleka, Besnik Mustafaj, Prec Zogaj,qe permbushin fort mire kriteret e te qenit poete moderne. Nuk flas ne ere, kam lexuar vellime te tyre, shume shume te mira per kohen atehere dhe per sot. 

sorry, harrova Moikom Zeqon dhe Fatos Arapin. Poete te formuar dhe shume te mire te dy.

Flm Av per kete info. Nuk i njoh veprat e tyre, me pak perjashtim per Ahmetin dhe Arapin. A mund ta zgjerosh pak idene se cfare karakteristikash (ne stil, figuracion, tematike) mendon se i bejne "moderniste" keta poete? (jo thjesht "modern", there is obviously a difference here).

Cfare me eshte duk "moderniste" tek Ahmeti ka qene me teper aspekti feminist i vepres se saj. Psh ne nje vellim ka te beje me borebardhen dhe shtate xhuxhat (me duket se titullohej "Ne mbreterine e xhuxhave"). Ajo kish bere nje rikonceptim te mitit te borebardhes per ta sjelle ne situatat ku femra (e ngritur, e shkolluar) e gjen veten ne Shqiperine moderne. Me kujtoi dicka si "Cinderella" te Anne Sexton. Prandaj, ne kete prizem, me pelqeu pjesa III me lart ku shtjellohet rikonfigurimi qe Elo i ka bere mitit te Ninives.

Magus, kam diku nje poeme te Paplekes te shkruar me dore ne fakt. Do mundohem ta sjell. Eshte pa frike e shkruar para 87. 

I quajta moderne per ti dalluar nga keta postmodernistet. Duke rezervuar te drejten e pasaktesive sepse ka gati 15 vjet qe nuk merrem me pune te kritikes letrare (qe by the way nuk se e kam shume qejf), them se tendenca per te trajtuar tema universale sidomos permes interpretimit te miteve, greke ose romake apo dhe te folklorit tone, lirshmeria ndaj struktures se ngurte te rimes, simbolizmi etj i ben keta poete moderne. A kane qene te vonuar? Sigurisht, por po te mbajme parasysh kohen, them se kane qene nje frymemarrje e shendetshme ne qiellin shqiptar te asaj kohe.

ps: postmodernizmi ne letersi megjithe lirine e pakufi qe percjell, eshte ne fakt shenje krize ne poezi. 

Shiko Av, eshte e qarte qe na mungon nje histori e letersise e ketyre 30 viteve te fundit (duke futur edhe vitet '80 ne kete mes, meqe po flasim). Pra na mungon nje harte ku te tregohen disa te dhena baze per zhvillimet me te spikatura ne poezi te pakten. Sa pe nje shembull te mjegulles qe rrethon gjithe kete periudhe: tani po me vjen nder mend, nuk di se si e qysh, poeti Frederik Rreshpja. Per bese se nuk kam lexuar ndonje poezi te tij. Mirepo mbaj mend perpara disa vitesh flitej shume per te ne shtypin shqiptar. Dhe e lartesonin/rekomandonin shume. Sidoqofte puna me te, une si lexues nuk e kam idene se ku hyn ai si poet, apo si perkatesi ndaj nje periudhe a rryme letrare. 

Sot shoh tek-tuk neper faqe shtypi online se permendet Prec Zogaj. Prape nuk shoh se ku e qysh kategorizohet. E ndoshta vete rrethanat e kohes tone jane kunder kategorizimeve apo eshte thjesht efekti i bashkohesise (contemporaneity). Por prape them se mungon "harta" e poezise se pas nentedhjetes.

Mire, e kuptoj. Ajo qe desha te them eshte se poezia sot, apo ajo e viteve 90, shume here perfytyrohet sikur ka lindur si rrufe ne qiell te kthjellet. Nuk eshte e vertete, pra, asgje nuk lind ne truall bosh. Terreni eshte pergatitur para viteve 90. Cdo teze tjeter eshte komplet qesharake. 

Rreshpja per mua, eshte poet i pakohe, modern dhe i vjeter njekohesisht. Lirik i shkelqyer. A ka ndonje difekt? po, ndoshta mund te kish pasur me teper larmi tematike, por edhe shume faj nuk i ve dot, kur merr parasysh cfare kalvari ka kaluar.

Ja dhe poezia e Ndoc Paplekes:

 

Te lutem, Kolomb, vazhdoje udhetimin tend

 

Te lutem, Kolomb, vazhdoje udhetimin tend

perkulu i shqetsuar mbi harte, fergello

si gjilpera magnetike e busulles.

Lekundu midis deshperimit e shpreses si anija

qe perpelitet midis dallgeve te oqeanit.

Veshtroje horizontin me ngulm. Mbushi faqet e ditarit

me dyshimet dhe ankthin e thelle

Mendo cdo dite per vdekjen, enderro

cdo nate per triumfin.

Hidhi te vdekurit ne det qe t’i hane peshkaqenet

Harroji barin dhe zogjte. Harroji rrekete

qe gurgullojne ne shpatet e malit

Harroje token e forte ku mbeshteten rrenjet

e pemeve dhe kembet e hijshme te valltareve.

Mbylli veshet te mos degjosh renkimin e oqeanit

britmat e shokeve qe te luten te kthehesh

Mbaji syte hapur edhe kur fle, qe te shpetosh nga thikat

dhe plumbat e komplotisteve.

Perfytyro vise perrallore, male me ar, qytete safiri,

Perfytyro qe je zbulues I nje hapesire me te madhe

se perandorite e lashta.

 

Perfytyro c’te duash, Kolomb, por mbylli veshet

te mos degjosh thirrjen: Toke!… toke!..

Me kete thirrje merr fund lundrimi yt. Tani

s’do te jesh me detar: do te jesh skllav.

 

Jep urdher te ngrene spirancen. Mos zbrit ne shkallet

e anijes : Ti nuk po zbret ne breg, por ne burgun tend.

Vargonjte e spirances do te shndrrohen

ne kurora mbreterore, ne shufra floriri, ne pranga…

O, ti vure kemben ne breg dhe pushove se qeni

Kolomb!

(shkruar para vitit 87)

 

ps: Tani perfytyro ta lexoje kete poezi ne nje nate vjeshte te 1988. Dmth shpresoj te kesh ndonje ide mbi ndjesine qe do merrje kur e sheh kete poeme te lidhur me sfondin kohor qe i perket.

 

 

 

E bukur kjo e Paplekes. Thanx for sharing!

Eshte vertet e bukur, shume profesionale, e pjekur dhe rezistente ndaj kohes. 

Te po ketij niveli ka pas poezine Prec Zogaj tek vellimi " E pakryer". Po ashtu Besniku. Mimoza tek "Behu i bukur". Te gjitha keto para 90, pra. Kane patur nje frymemarrje te cuditshme, mungese egoizmi, e shkruar me ethe, me ankth, me nje sintetizem te habitshem, shkruar mes rrezikut, si dashurite e fshehta, ndaj dhe te mrekullueshme. Ne mendimin tim gjithnje, poezia e sodit eshte shum difektoze per shkak te unit me tepri ne te. Une, une, une... I, I, I smiley... I-phone, I-pad...e qarte, produkt i kohes.

flmnd per biseden, shume kenaqesi kjo shkeputje.

 shkurt, qarte, sakte smiley

Shume e bukur. Thanks for sharing. Dikush thote se jemi vertet gjalle vetem ne momentet kur improvizojme. Vertet jashte kohes.

Nje xhiro e shpejte ne avangarda eshte bere menjehere pas '90-s, si me thene nje rifitim i kohes se humbur (relativ edhe ky), mirepo s'ka kuptim me te flitet per modernizem ne kulturen shqipe te 2010-s. Rishpikja e ujit te ngrohte ka kuptim ne nje komunitet te mbyllur, perndryshe cdo rishpikje e ujit te ngrohte do te ishte nje ricitim dhe do te duhej trajtuar si i tille.

Ka dhe nje pikepamje tjeter Finisterre, sipas se ciles modernizmi i nisur si levizje para nje shekulli nuk ka shterruar ende. Dhe se edhe postmodernja eshte nje nga fazat e modernes dhe se ne jemi akoma duke konsumuar ate estetike se ciles iu hodhen bazat ketu e 100 vjet perpara.

Nese nje teze e tille ka ndonje te vertete atehere i bie qe edhe uje i ngrohte eshte ende relevant, sado qe nuk rishpiket dot.

Nuk po hedh poshte pikepamjen e autorit te shkrimit: po kerkoj qe ajo te qartesohet si e tille dhe te mbeshtetet me mire. 

Si edhe, po shpreh c'mendoj vete per poezine e Arb Elos.

Po, ok. Gjithsesi them se shkuam larg temes ketu, pasi mesa e kuptoj ky nuk po merret me vendosjen e Arb ne histori e as me historine e letersise shqipe si te tille. Artikulli merret me te tjera gjera, ku vargjet konkrete kane me teper vlere sesa pergjithesimet e koncepteve apo termave.

Flm Finisterre per bashkebisedimin, ishte edukativ ne ca lloj menyrash, perfshi dhe nderhyrjet e Av.

Ky shkrim i ketij kritikut, kursesi nuk mund t'a maresh seriozisht...

 

E ku na qenka risia e ketij poeti e vlerat???!

 

Sa paska ciceruar ne poezine shqipe e beka bam.., risi, qe te besh risi duhet te besh revolucion!!!!

 

Sidoqofte urime poetit te ri!

Kritikut apo artikullshshkruesit i themi ndal, mos tejkalo cakun...!

 Analiza me duket interesante, perkunder ndonje komenti qe e konsideron si analize maturantesh. Qasja eshte me teper sociologjike , permbajtesore dhe fare pak preken "risite" "moderniste" te stilit, gjuhes, vargezimit. 

Autori shkrimit nxiton qe ne fillim te na njftoje se kemi te bejme me nje risi, me nje autor revolucionarizues te poezise postmoderne shqipe, na lajmeron per nje ngjarje. Mund te jete dhe keshtu por kjo do te donte nje qasje tjeter, nje analize krahasuese dhe nje inkursion ne rrjedhat e poezise shqipe, se paku nga Migjeni e kendej. Fatkeqsisht eshte abuzuar kaq shume me percaktime te tilla si "risi", "revulucionarizues", "ze origjinal".Vete Mirazhi (A.E) mese nje here e ka denoncuar kete dukuri ketu ne ppu e tani e shikon veten te futur ne kete klishe kritikesh.

Vendosja e krijimtarise poetike te A.E ne kontekstin e postkomunizmit dhe  globalizmit me duket pikenisje mire per te mbritur ne vetedijen e autorit dhe pasqyre-poezise e tij plot labirinthe, hera hares hermetike, me nota pesimiste, fataliste, te kthyer nga vetvetja e mbyllur ne vetvete. Nga sa kam lexuar prej poezive te tij , tre gjera duket e e kane shenjeuar ate:

- antikomunisti i kryqezuar ne kryqin e kohes,

-njeriu i lire i burgosur ne kujtese 

-metafiziku qe ka rigjetur qiellin e mohuar por jo (te)Zotin

Poezia eshte e stilit meditativo-filozofik dhe si e tille nuk eshte nje shteg i parrahur ne poezine shqipe, qofte dhe te asaj para 90-es. Kuptimi vetes, jetes, vdekjes, kohes, gjuhes, qenies jane boshtet ku vertiten ciklet poetike .Kjo zhytje obsesive ne vetvete dhe cperfaqja e nje vetedije te tronditur nga shqetsime individuale apo te kohes dhe kujtimeve,ndoshta perbejne risine dhe dallueshmerin si profil poetik. Per nga tematika, autori i perngjan nje urithi te strukur ne (nen)vetedije si per t'ju larguar nje bote ne te cilen nuk ndihet rehat.

   

smiley

per spiritus, Av, finisterre, Magus

flm, nje kenaqesi

Te lutem, Kolomb, vazhdoje udhetimin tend

perkulu i shqetsuar mbi harte, fergello

si gjilpera magnetike e busulles.

Lekundu midis deshperimit e shpreses si anija

qe perpelitet midis dallgeve te oqeanit.

Veshtroje horizontin me ngulm.

dmth kjo pelqehet unanimisht... Atehere ka tek une me siguri dicka qe nuk shkon. Shtoj qe per vitin kur eshte shkruar, eshte OK.

S'e di per te tjeret, mua me pelqen ne teresi. Shkruar me guxim poetik dhe politik; poezi per misionin e poetit ne kete jete apo pergjegjesise qytetare per fatet e grupit e me gjere. 

Vargu i pare eshte shume i mire, intim dhe ngacmues. Kolombi me rrezikun e vetarrestit ne cdo moment, eshte gjetje e shkelqyer. Ndonje perseritje moralizuese apo retorike e tepert aty ketu, gjera te vogla qe zhbehen dhe shperblehen me mbylljen. 

kurioz per uni-n ku eshte aspirant per doktor letersie autori. jo per gje, por nisur edhe nga shkrime te shenasi rames apo te eda derhemit (nje zaloshnja nuk po e zeme ne hesap), keto universitetet (kollegjet, me sakte graduate school) jo teknike te USA po paraqiten ne nje drite aspak te mire. une nuk i njoh nga brenda, se nuk me ka cuar puna atje, por di te them qe shkolla teknike pasuniversitare e USA nuk eshte keshtu.

Te guxoshe te beshe analizen, dmth kritiken e nje poezie,mbi te gjitha duhet nje guxim i cartur dhe qe ta them edhe me mire, pa pike e presje duhet te jeshe pak i shkare nga trute.Sepse kam lexuar nje thenie te Senekes;.. " Na duhet nje jete e tere, per te kuptuar poetet..."
Pse nuk ngjan ky lloj guximi me ngjitjen dhe pastaj zbritjen, ne nje humnere te thepisur?Nuk duhet shume, por fare pake mungese kujdesi a humbje ekuilibri dhe... E ke te sigurte deshtimin ne permbushjen e qellimit.
Te gjeshe shtegun nga i cili autori ka arritur " tek maja" qe rrezellit, te shtrohesh kembekryq, ne nje bisede te ngrohet, miqesire me poetin, si me nje shok te vjeter ushtrie, perpara nje gote, pe pikes se pare "Skrapari", duhet te jeshe nje cike magjistar, qe dhe merr vesh nga fryma e Perendise.....Ndryshe do thuash plot nga keto qe ka thene ky " zanataliu", qe mua nuk me bind se thote tamam nga ato qe ka thene shpirti i ketij poeti interesant.
Ne se nuk gaboj, se qe ta them shkoqur i lexova disa here vargjet, ky poet ka shkruar me lot djaloshari, duke hapur kanaten e nje zemre te lenduar.Me ngjan si veprim magjie qe cimbis, ne se nuk pickon trurin dhe zemren te lexuesit te cdo brezi.
Nuk e di por pse xhanem, " zanataliu" , nuk eshte cimbisur per te thene mire, keto qe une i thashe kaqe keq...!

Poezia  e Arbelos  eshte  krejtesisht e ndryshme nga  Agolli, Arapi, Spahiu,Londo, Mustafaj, Zogaj, Zeqo, Zhiti, Papleka, Gjetja, Rreshpja, Camaj, Podrimja, Belliu, Hatibi, Zekthi, Tefereci, Tufa, Dedja, Cocoli e qindra  poete te tjere  shqiptare  te se djeshmes e  te sotmes. Eshte  e ndryshme nga te gjitha  poezite qe na  serviren cdo dite  blogjeve e forumeve  virtual nga poete  te njohur e te panjohur te ketyre  dy dekadave  te fundit. Pa  pasur  frike se e teprojme, themi  se figuracionin artistik dhe gjuhen e imazheve  qe ka  poezia e Arbelo  nuk e ka  e tere  poezia  shqipe e marre sebashku.

Le  te  shtjellojme  fillimisht  disa konsiderata  filozofike per  krjimtarine e Arbelo-s. Si  poet  idealist  Arbelo  ve ne dyshim idealizmin problematik  te   Dekartit qe  thote “une jam”. Arbelo  thote  “une jam ai qe s’jam”. Idealizmi i tij ka dicka kantiane,  empirike, kur  e  shpall   ekzistencen e objekteve  dhe te vetes  si dicka jashte vetes , te dyshimte, e kesisoj edhe te rreme, e pse jo edhe  te  pamundshme.

Arbelo eshte  poet mirefilli ekzistencialist, pa asnje dyshim i vetmi i ketij lloji ne letrat shqipe qe pas  Migjenit e deri sot. Ndryshe nga  ekzistencializmi i Kafkes ku individi i viktimizuar kerkon rrugedalje, te  Arbelo  shohim dicka  te  perafert me ekzistencializmin e Kamyse. Arbelo  beson se kerkimi i njeriut i eshte lene absurditetit te jetes, bota  eshte e erret e  zymte, pa shkelqim, beson se vdekja, tmerri, ashpersia, indiferenca  dhe krimi jane  sivellezer  me  te drejta te njejta  jete mbi toke.

Sartri  shkruante  "njeriu eshte i denuar me liri". Pra askush nuk ka mundesi t'i shpetoje  lirise se vet dhe Arbelo ne krijimtarine e tij e  ka kuptuar  kete qe ne krye  te heres. Ne   krijimtarine   e  tij Arb Elo jo rralle ve ne pikepyetje tradicionet judeo-kristiane.

-vazhdon-

..." une jam ai qe s'jam.... " Sartri

Edhe asgjeja (nothingness)  eshte themelore ne filozofine  e  Arbelo-s. Përderisa nuk ka nje baze ku mbeshtetet jeta, nuk ka diçka racionale ne themel, apo nuk ka nje arsye a qellim te caktuar prej Zotit apo dikujt tjetër, jeta vete behet qellimi i jetes  dhe ky fakt duhet pranuar me gjithe vetmine, deshperimin, angushine, merzine qe mund te shkaktoje.

“Ekzistenca paraprin esencen” e  Sartrit  gjen shpalosje te plote ne  vargjet e  Arbelo-s. Nuk eshte qenia dhe pastaj njeriu, por qenia vjen në bote me ane te  ideve dhe virulences se subjektivitetit njerëzor, nese  do huazonim  fjalet e dikujt tjeter.

Vargu i shembellen prozes. Nje teknike mjeshtrore  te poezia e Arbelo-s  eshte renditja e fjaleve pas nje perzgjedhje  skrupuloze te tingellimit  te tyre duke krijuar  nje atmosfere te veçante  liturgjike dhe ritmi te brendshem shpesh mahnitese. Nje  godine, meqe  ketu  i kane qejf  krahasimet e poezive me  godina, ku cdo tulle  eshte vene nje here e pergjithmone sakte  dhe bukur  ne vendin e duhur nga dora e brishte e nje arkitekti  e jo nga  dora e sigurte, por e ngurte e nje matematicieni.

Poezia  e  Arbelo  eshte e ndryshme  nga  ajo  qe  u shkruajt ne vitet  30te  e  qe  arriti kulmin me  poezine  e realizmit  kritik  qe kulmoi me  Migjenin. Pse? Sepse i mungon militantizmi apo angazhimi  social, elementi denoncues  i shoqerise, elementi i protestes individuale, i mungon thirrja per  te  goditur male qe  s’bezajne”  apo per te ndertuar ndonje “bote te re”.  Arbelos  duket qe  aq  i ben per  male  apo bote te tilla. Por  megjithate  te  dy keta  poete, njeri  me i njohuri  poet  shqiptar  e tjetri,  nje  i panjohur i madh,  i lidh  ekzistencializmi  i  artit  te tyre.

-vazhdon-

 Qe  te  dy  jane ekzistencialiste, e ndoshta te vetmit  poete  te tille shqiptare. Qe  te dy perdorin terminologji  pothuajse  te njejte  filozofike  dhe estetike. Te  dy  ndodhen mes dyzimesh e dilemash te lidhura  ngushtesisht me qenien. Dilema “ose…ose”, paradoksi, tragjikomedia, tjetersimi, makthi, kriza, instinkti, ankthi, deshperimi, pesimizmi, jeta, vdekja irracionalja  jane  te gjitha  permasa  te paradigms ekzistencialiste te  Kierkegardit, filozofi e te cilit mendojme se ka ndikuar  dukeshem te  te  dy poetet e marre ne shqyrtim, Migjeni e  Arbelo. Te mendimi i tyre filozofik  kemi ndjere po ashtu  ndikime  nga  Shopenhauer  dhe Nitce.

Tërësia e Migjenit e ka emrin “ankth ekzistencial”, ku ngërthehet dilema “ç’jemi ne?”. Teresia  e  Arbelos e ka emrin “vetedije ekzistenciale” ku ngerthehet  dualizmi “jam dhe s’jam”

Si Migjeni, edhe Arbelo  eshte metafizik. Jo rralle  ne poezine e tij gjejme arketipet biblike  dhe pertej ne  libra  te tjere te shenjte  te filozofise se Lindjes se Larget, por,  si ekzistencialist i  mire  qe  eshte,  qendron mbi anen religjioze te  ceshtjes.Fuqia krijuese spontane dhe erudicioni i tij estetik e kulturor e bejne  te afte te shmange didaskalizmin dhe moralizimet bajate, qe jane aq  te shpeshta edhe ne poezine e sotme shqipe. Poezise se tij ai i mvesh nje pathos elegant estetik, thellesi vrojtimi dhe nje ekspresivitet te pazakonte  mendimesh.

 

kam frike se krahasimin me migjenin,  vete poeti do e vendoste si parodi te tema pa censure

Nuk  dime  ku e pate krahasimin e  Arbelo  me Migjenin. Ne nuk besojme  qe ne art  ka shkalle  hierarkie  dhe grada. Pasi  shpalosem disa nga  dallimet mes vepres  se shkruar te te dyve , ne sollem ne vemendje edhe  ekzistencializmin qe krijmtarite e tyre e kane te perbashket, nje  gje  qe me pak perpjekje mund ta kishit bere edhe ju Flo, qofte edhe si parodi.

 

takeiteasy, e vleresoj mjaft poezine e arbelos sa per te mos e parodizuar

por sinqerisht fare, jam e mendimit se superlativa te tilla ne te berit e kritikes i bejne me shume dem poetit

Flo, nuk mendojme se jane superlativa. Me vetedije te plote, si qenie  te vdekshme qe jemi, mund t'i kemi lejuar  vetes ndonje  ekzagjerim ne entuziazmin qe na  kapllon perballe dickaje te bukur ne  komentet  e mesiperme, por  ne nuk mund te  vleresojme duke cvleresuar. Nuk do  ta benim as per ty.

sidoqofte doja ta dije (ose ta dinit-meqe ti zakonisht shprehesh ne veten e pare shumes smiley ), se nderhyrja ime ishte teper dashamirese, dhe se gjithashtu komentet tuaja i lexoJME me shume endje smiley

yeah, we know  that smiley

Nderkohe qe mendimin dhe analizen e paangazhuar, po e quaj, te takeiteasyt une e kuptova mjaft, po ju kerkoj edhe juve, me lutje te bashkengjitur, qe per hire te diskutimit dhe perhapjes se ideve, ta ne thoni se perse mendoni siç shkruani me larte.

Bunker.

Mendoj se paragrafi këtu shpreh kjartë atë që tha Flo
Si Migjeni, edhe Arbelo  eshte metafizik. Jo rralle  ne poezine e tij gjejme arketipet biblike  dhe pertej ne  libra  te tjere te shenjte  te filozofise se Lindjes se Larget, por,  si ekzistencialist i  mire  qe  eshte,  qendron mbi anen religjioze te  ceshtjes.

 

Shume modestisht nje nderhyrje e vogel ne kete debat teper interesant e te kualifikuar.

 Besoj se av ka te drejte kur kujton se : "Ajo qe desha te them eshte se poezia sot, apo ajo e viteve 90, shume here perfytyrohet sikur ka lindur si rrufe ne qiell te kthjellet. Nuk eshte e vertete, pra, asgje nuk lind ne truall bosh. Terreni eshte pergatitur para viteve 90. Cdo teze tjeter eshte komplet qesharake." (av)

 Me poshte nje prove, qe nuk eshte ne konflikt interesi:

."... Xhevahir Spahiu (b. 1945), one of the most forceful, vociferous and talented poets of modern Albania, a voice of survival. During the 1973 Purge of the Liberals, dictator Enver Hoxha referred to Spahiu by name for having composed the poem Jetë (Life). This poem contained the lines Jam ai qe s’kam qenë, do të jem ai që nuk jam (I am who I have not been, I shall be who I am not), which were reminiscent, though by pure coincidence, of a line by French philosopher Jean-Paul Sartre. Although the poet had never had the opportunity of enjoying the forbidden fruits of the late French philosopher (as had the Albanian dictator obviously), he was condemned as an existentialist which was tantamount to high treason. He survived only by the skin of his teeth, by channelling his passions into appropriate revolutionary fervour. After a few years he was allowed to publish once again. Now that the red tide has receded, Spahiu goes about his poet’s business and is quite content to do so. He is also currently head of the Albanian Writers’ Union, or what remains of it."

 Kritika e P.Gjonit me duket ne nje stil te vjeter per nje poet , qe me te drejte pretendohet per nje stil te ri. Kurse ajo e takeiteasy , megjithe formulimin impresiv,ka nevoje te argumentohet.

Loloto, e konsiderojme me vlere nderhyrjen tuaj per ate pjese qe ka  te beje me komentet tona dhe vertet  ka nevoje te argumentohet e ilustruar me vargje nga vete  tekstet  e  ketij poeti, gje qe e kemi menduar ta bejme  pak me vone po ketu.

Jemi ne dijeni te shkendijes  ekzistencialiste te  poezise "problematike" te  Xh.Spahiut te cituar ne paragrafin tuaj, dhe jemi te vetedijshem qe shkendija  te tjera te  ekzistencializmit ka pasur edhe ne autore te ndryshem si psh  S.Spase (romani 'Pse", edhe pse ne kete bashkebisedim  po shqyrtojme  poezi). Te  Arbelo ekzistencializmi nuk eshte nje shkendije, por eshte e tere  flaka  qe buron nga  ai lloj prushi poetik, nese  do  shpreheshim me  gjuhen prometeane te  zjarrfikesve.

 Por pervec  Arbelo nuk dime  ndonje  autor tjeter shqiptar  krijimtaria  totale e te cilit te  jete  ekzistenciale, nje gjendje e perhershme ekzistenciale. Edhe mund te kete. Aq me mire per letrat poetike  shqipe nese ka.  Ne besojme ne relativizmin e  gjerave.

Faleminderit per link-un. E lexuam dhe tek-tuk shijuam. Mes  poezive, kryesisht te nivelit medioker, te brezit  te tij, te Xh. Spahiu  ka edhe poezi cerebrale qe e vecojne nga shume poete te tjere te "artikuluar" shqiptare. Po  per ceshtjen e shkendijes qe thame me lart, nuk nderruam mendje edhe pas leximit. Jane  dy poete krejt  te ndryshem nga njeri tjetri jo vetem ne forme,  por  edhe ne  filozofine  qe percjellin, e sidomos ne menyren se  si e percjellin. Mendojme se pikerisht  ekzistencializmi  i ndan, por  meqe  sapo na njoftuan se  dreka  eshte gati, mbetet  per ndonje here tjeter  si diskutim.

  ..bon appetit,zoteri !   Ta hash ne kohe eshte nje pune fort me mend.  Dhe sigurisht te shijoni  gjykimet a paragjykimet tuaja eshte po aq relaksuese. Sidomos pas nje dreke te dhjamur e pikerisht para fillimit te kotjes. Cok gjyzel- sic thone turqit .

Nderkaq ne po presim taven me argumenta per te deklaruar shijet tona. Besojme se kur te na bjere rruga prape ketej , diç do jete katranosur...

Dukesh i uritur, Loloto, dhe sipas gjasave,  per nje imam bajalldi, por zakonisht ne kujdesemi per shendetin  e  te uriturve ne menyren  tone me low  cholesterol diet qe  nuk perfshin katranin  si perberes.

Mos u shqetesoni ju lutem per gjera te vogla, as per imam e as per kunguj turshi,ruajini energjite tuaja , ju presin pune te mbedha...

Arb Elos

Qielli na ndan nga tjetri… pushi i reve,

qё lёshojnё ende tjetёrkund plepat,

tё prerё apo tё rritur ndёrkaq,

se tjetёr jemi bёrё, tjetёr ёshtё tash bota,

mё e vogёl, foletё i ndreqim nё gjoks e qё atje

na bie poshtё nga duart, si plagё qё rrjedh akoma,

si harabel i rrjepur, pa flatra,

zemra

_

Xhevair Spahiu

Ku po shkon?

As te gjalle
as te vdekur s’ju presin.
Endrra e juaj e pare dritheron
si nje yll i pafat neper mjegull.

Klithin brigjet,
shpirtrat tuaj si shpende te plagosur vertiten.
Nga dhembja drejt dhembjes si dhembje shtegtoni.

_

 Ky poeti i para 90 tes sikur nuk ndrshon shume nga ai poeti postkomunist, bile mua me duket shume here me lart, me i kuptueshem edhe per brezin postkomunist! 

ilirjan, nuk e paskesha lexuar kete perle te Arbelos, faleminderit qe e solle

eshte shume here me elegante, e thelle, delikate... dhe shume me e larte artistikisht se kjo e Spahiut

flo duhet ta kishe lexuar, une ketu e gjeta.  ne qe lexojme ndonjehere poezy per qef na pelqejne me shume keto qe nuk jane elegante smiley , por terheqese. 

smiley

Nuk behen ne kete menyre krahasimet mes poeteve, por sidoqofte nese krahasim te tille do te na duhej te benim, Spahiu para '90-s bente poezi te ngjashme me kete me poshte dhe jo me ate qe ke sjelle ti ketu. Keto punet me shpirtra dhe dhembje s'para i toleronte shume realizmi socialist. Shume-shume ndonje marsh me Kolomb e ndonje lirike romantike te tipit "rane gjethet dhe m'u kujtove ti", perndryshe lexuesi merrej akoma me mistiken dashurore te Poradecit (meqe bie fjala Arb Elo me duket prej se njejtes gjedhe formale), priste si ngjarje publikimin e Duarve te lira te Paul Eluard-it (diku nga 1987-a) dhe lexonte si kulm te modernes poezine qe vinte nga Kosova.

 

Xhevahir Spahiu

Emigrant

Iku dhembja thane,
Iku llumi,
llumi ne fund te filxahnit,
Dhe fjala mori dhene….

Po kafene, kush e piu kafene?

 

Shume-shume ndonje marsh me Kolomb
 

smiley anes e pas anes o.

Me fal, po vertet nuk ishte kunder teje, as ne menyre te terthorte jo. Nuk me pelqen absolutisht ajo lloj poezie, por gje pa zarar besoj, edhe sepse Paplekes i kam lexuar poezi me te pelqyeshme (per mua) diku nga vitet '96- '97. 

 

Tani pa u sperdredhur shume neper ndjesa te pandjera: ajo poeme nuk u soll si kryeveper, thjesht per te treguar se moderniteti nuk lindi pas 90-es. nderhyrja ime ne kete teme u be pa deshire; s'para kam qejf ta ha sapunin per djathe.  nuk eshte gjithashtu absolutisht shija ime kjo poezi qe diskutoni ju me kaq zell e megjithate let it be.  Cfare eshte e padurueshme te riciklohet here pas here ne kete blog, eshte tendenca per te mohuar e perqeshur nje tradite te tere, sepse medemek e reja revolucionare na u ndjeka ngushte. Self pity.

Eshte vone ketej dhe edhe une ndonje deshire ta ngas kete bisede s'kam, por tradita s'ka asnje nevoje per aprovimin e Peshkut pa uje, meqe ka qene mainstream per pesedhjete vjet dhe ne nje menyre a ne nje tjeter ka ende pushtet. 

  nuk desha ti krahasoja po lexova me siper komentet e lolotos dhe takeiteasyit  se te dy poetet ndahen ne egzistencializem. por edhe poetet e para 90es  te nivelit  Spahiut, psh,  nuk ishin dhe aq inferior ne shprehjen e shume `izmave` desha me theksu.

. keto poezite e fundit te Spahiut te pas 90es tregojne se brenda tij vertet ka thesare poetesh te mirfillte 

Po kafene, kush e piu kafene?

Saliu me shoke, Ilir Meta ect..ata qe gjeten ameriken aty! smiley

Dita e shpetimit

 

Trishtimi hon i asaj dite.

Astronomet shpallen te verteten e madhe:
Toka – nje planet si te tjeret.

Ate dite te hidhur
fatbardhe
nisi udhetimi
drejt
tokave
prej fjale.

Shenja te mira. Po rruga
e gjate,  shume e gjate. Rruga humbet
dhe mbeten vetem shenjat

 Xhevair Spahiu

-

 Nje poezi egzistencialiste. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).