Jemi në një rrugë mjaft të njohur

të ndarë

dhe përkarshi mbetemi

unë e ti

asnjë tjetër nuk na vë re

por të gjithë presin finalen

do zihemi

do puthemi

do presim darkën

lakuriq

 

Askush nuk të dhuron 

dy mollë të kalbura

ose duhet të aktrosh

ose duhet të çalosh

si një betejë që duhet

ta fitosh

 

Në ç'do udhëkryq

ka një mendim tjetër

ndërsa në një katërkëndësh

ka fëmijë me sy tmerrësisht

të çjerrë

që kur i mbyllin

gdhendin brenda një hendek

të pakalueshëm

 

Mos i vrisni drerët

ç'do të djelë

apo çdo mëngjes mesjave

edhe sikur t'ju paguajnë

ç'do një grosh

pendimin

 

Të tjera çukitje

kërkon kjo fillim vjeshte

e përthyer

e bërë një bisht fshese

për udhë

merimangash

 

Ngado të vozisim

përpara ç'do pentagramësh

ka një Andi Kananaj

me një rrudhë kocke

ka edhe Arbër Zaimi

edhe Leart Kola

të gjithë të kthyer

nga mision

i përkryer

 

Por ne jemi si re

presim të buçasim

1 Komente

E paske djegur fundin, xha Tani. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).