Shqipëroi Aida Bode

 

Vdiqa gur

Gur vdiqa dhe bimë u ringjalla;

Bimë vdiqa dhe kafshë u ringjalla;

Kafshë vdiqa dhe njeri u ringjalla.

Ç’mund të kem frikë? Ç’kam humbur duke vdekur?

 

Moment lumturie

Një moment lumturie

unë dhe ti ulur në verandë

në dukje dy, por një shpirt, ti dhe unë.

Ndjejmë rrjedhën e ujit të jetës këtu

unë dhe ti, me bukurinë e kopshtit

dhe zogjtë që këndojnë.

Yjet do të na shohin,

dhe ne do t’u tregojmë

se si është të jesh i hollë si hënë e harkuar.

Ti dhe unë të pavetë, do të jemi bashkë

të paprekur nga hamendësitë, ti dhe unë.

Papagajtë e qiellit do të hanë sheqer

ndërsa ne do të qeshim të sëbashku, unë dhe ti

Një trajtë mbi këtë tokë,

dhe tjetër trajtë në një tokë të ëmbël e të pakohë.

 

Çlirohu

Thyeji zinxhirët,

bir, çlirohu!

Dhe sa gjatë do të skllavërohesh

nga argjendi dhe ari?

Derdhe oqeanin

në një kanë,a mund të mbajë më shumë

sesa ngarkësen e një dite?

 

Filxhani është si një sy i pangopur

asnjëherë s’mbushet,

vetëm guaska e lumtur mund të mbajë perla!

 

Dhurata

Nuk mund ta dish sa shumë kam kërkuar

të gjej një dhuratë për ty.

Asgjë s’dukej e mirë.

Ç’kuptim ka të sjell ar

në një minierë ari apo ujë në oqean?

Çdo gjë që gjeja ishte

si të sillja erëza në Orient.

Nuk ka vlerë të të jap zemrën dhe shpirtin

pasi ti i ke ato.

Kështu të solla një pasqyrë.

Shiko veten dhe kujtomë mua.

 

Trëndafili

Ç’iu pëshpërit trëndafilit

dhe ia hapi petalet;

mbrëmë

iu pëshpërit dhe zemrës sime.

 

Kur është ftohtë

Kur është ftohtë dhe bie shi

ti je më e bukur

dhe dëbora më sjell më pranë buzëve të tua.

E fshehta e brendshme, ajo që s’lind kurrë,

ti je freskia, dhe unë jam me ty tani.

Nuk i shpjegoj dot vajtje ardhjet,

dhe papritur jam

askund përsëri. Brenda madhështisë.

 

Hutuar dhe përhumbur

Përsëri jam nxehur

shpirti tënd më ka bërë që në çdo

nyje që ti lidh, unë thyhem, nga shpirti tënd.

Jam si qiell, si hënë, si një qiri pranë shkëlqimit tënd;

Jam gjithë arsyeja, gjithë dashuria, gjithë shpirti, pranë shpirtit tënd.

 

Ngazëllimi im është vepra jote, thumbi i gjëmbit tënd,

në çdo anë që ta kthesh fytyrën,

e kthej dhe unë me shpirtin tënd.

Fola gabim,

nuk është çudi të lajthis në këtë gjëndje që jam

pasi në këtë çast nuk dalloj dot kupën nga vera, nga shpirti tënd.

Jam ai i çmenduri në pranga që lidh

“djajtë”, unë, i çmenduri, jam një Solomon me “djajtë”

nga shpirti tënd.

 

Çfarëdo trajte veç asaj të dashurisë që ngre kryet nga

zemra, sakaq e dëboj nga oborri i zemrës

me shpirtin tënd.

Eja, ti që ke ikur, sepse ç’largohet

kthehet përsëri, por ti s’je e tillë

me shpirtin tim, e as unë me shpirtin tënd.

 

Mosbesuese, mos e streho dyshimin në shpirtin tënd, pasi do të të recitoj

të fshehtën e fatit tënd, me shpirtin tënd.

Jashtë dashurisë së Sham-e Tabrizit

nëpërmjet zgjimit natës që ngrihet,

si një grimcë pluhuri rrotullohem e përhumbem, nga shpirti tënd

 

*Shënim: Tahmuras, njihet si “lidhësi i djajve”, ai ishte sundimtari që arriti t’i nënshtronte. Në mënyrë që të ruanin jetët e tyre, djajtë premtuan t’i mësonin njeriut artin e çmuar të të shkruarit. Kështu njerëzimi mësoi alfabetet e ndryshme duke përfshirë atë arabik, kinez, grek, Persian dhe sogdian.

 

E di

E di

nuk ka asnjë rrugë tjetër

përveçse të braktis veten

në përqafimin tënd

 

Pa vend

Nuk jam nga lindja apo nga perëndimi,

as nga oqeani apo nga dheu.

Vendi im është pa vend,

gjurmë e pagjurmësisë.

 

Humb në thirrje

Zot, tha Davidi, meqë nuk të duhemi,

atëherë pse krijove këto dy botë?

 

Realiteti u përgjegj: o i burgosur i kohës,

Unë isha thesari i fshehtë i mirësisë dhe bujarisë,

dhe dëshirova që ky thesar të njihej

e kështu krijova një pasqyrë: fytyra e saj e ndritshme, zemra;

kurrizi i errët, bota;

kurrizi do të të kënaqte nëse nuk do të shihje fytyrën.

 

A ka mundur ndokush të bëjë pasqyrë me baltë dhe kashtë?

E megjithatë të pastrojë baltën dhe kashtën,

dhe pasqyra mund të shfaqet.

 

Derisa lëngu të fermentohet në kade,

nuk është verë. Në do që zemrën ta kesh të drejtë

duhet të punosh pak.

 

Mbreti iu drejtua shpirtit të mishit tim:

U ktheve ashtu siç ike.

Ku janë gjurmët e dhuratave të mia?

 

Ne e dimë se alkemia e kthen bakrin në ar.

Dielli nuk do kurorë apo rrobë nga hiri i Perëndisë.

Ai është kapele mbi kokën e njëqind burrave tullacë

mbulesë për dhjetë që ishin të lakuriqtë.

 

Jezusi i hipi një mushke përulësisht, o bir!

Si mundet zefiri të ngasë një mushkë?

Frymë, gjej udhën tënde, ndërsa kërkon thjeshtësinë si një rrjedhë.

Arsyeja shtron shtegun e vetëmohimit drejt amëshimit.

 

Kujtoje aq shumë Perëndinë sa të harrosh veten.

Lerë thirrësin dhe të thirrurin të përzhduken

Humb në thirrje.

 

http://gazeta-nacional.com/?p=6001

3 Komente

... Jezusi i hipi një mushke përulësisht, o bir!...

 

Duhet të qe jo mushkë, por gomar.

 

Jesus sat humbly on the back of an ass, my child!
How could a zephyr ride an ass?
Spirit, find your way, in seeking lowness like a stream.
Reason, tread the path of selflessness into eternity.

*e marr si të dhënë që përkthimi është nga anglishtja

 

 

U bëra edhe unë kurioze për punë të gomarit, por meqë nuk di persisht m'u desh të mbështetesha tek fakti që sipas biblës që njohim, bëhet fjalë pikërisht për gomarin (lexova edhe që ka një episod të ngjashëm me prof. Muhamet hipur mbi gomar), ndërkohë që ndonjë përkthyes mistrec i Rumiut ka dashur të bëjë lidhjen me Davidin dhe mushkën e tij kurorëzuese të Solomonit, pra duke e deklaruar simbolikisht Krishtin mbret të asaj linje.

Më bëri gjithashtu përshtypje përdorimi i të Palindurit dhe pasqyrës meqë po lexoja për to nga pikëpamja e një tradite tjetër.

Mirë a keq përkthimi, rëndësi ka që disa ide dhe imazhe kanë ngelur me kë e ka lexuar.

Rumi smiley......nje nga preferencat e mia

flm per prurjen

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).