Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 116 se ndër aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e RSH bëjnë pjesë edhe “Aktet Normative të Këshillit të Ministrave”. Neni tjetër kushtetues, ai 101, përcakton se “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë  Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur.  Këto akte  humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”. Bazuar në këtë formulim kushtetues, nënkuptohet se aktet normative të KM janë akte të përkohshme, merren nën përgjegjësinë e qeverisë, plotësojnë periudhën e shkurtër pa parlament të mbledhur, fillojnë efektet përpara afatit 45 ditor dhe duhet me çdo kusht të votohen në parlament brenda kësaj periudhe.

Praktika shqiptare e tranzicionit tregon se Aktet Normative të KM janë përdorur gjerësisht, dhe në 95% të rasteve, në të njëjtat periudha kur parlamenti ka qenë në funksion, pra ka qenë i mbledhur. Pra, ato nuk kanë mbushur një boshllëk nga pamundësia e mbledhjes së parlamentit, por kanë ardhur si akte politike paralelisht me parlamentin, si imponim ndaj tij dhe vendosje të tij përpara faktit të kryer. Referuar të dhënave zyrtare midis viteve 1999 dhe 2012 janë aplikuar 106 raste të akteve normative të Këshillit të Ministrave. Në listën e Akteve Normative të KM bien në sy tri kategori vendimesh: në grupin e parë bëjnë pjesë disa akte që janë angazhime ndërkombëtare të Shqipërisë dhe që lidhen me angazhimet në NATO, në misione ndërkombëtare paqësore ose për dhënien e lejes për kalimin brenda territorit tonë të trupave të huaja. Në grupin e dytë bëjnë pjesë akte që lidhen me rregullime, ndryshime apo korrektime në Buxhetin e shtetit apo situate të jashtëzakonshme, siç janë përmbytjet në disa zona, kriza energjetike, etj. Pjesa më e madhe e tyre janë përdorur në raste të prag-fushatave elektorale, gjithsesi janë pjesë e vet-rregullimit financiar brenda qeverisë dhe përgjegjësive të saj kushtetuese. Në grupin e tretë bëjnë pjesë akte politike, kryesisht nisma politike elektorale apo akte politike provokuese ndaj palës tjetër politike. Këto të fundit përbëjnë edhe shqetësimin kryesor dhe trashëgiminë kritike të tranzicionit.

Sa herë mazhoranca ka dashur të zgjidhë në rrugën dhe afatin më të shkurtër një problem me ngarkesë politike, ka përdorur kompetencën kushtetuese të nxjerrjes së Akteve Normative të Këshillit të Ministrave. Kështu, sapo mazhoranca e djathtë erdhi në pushtet më 2005 nxiti aktin normativ për ndryshimin e ligjit mbi urbanistikën dhe shkatërrimin e mbikalimit të Bashkisë në vend-rrotullimin e njohur tek Zogu i Zi. Vendimi ishte tërësisht politik, u shoqërua me protesta dhe akuza të dyanshme, dhe në fund, mbikalimi u prish edhe pse gjykata kushtetuese më 2006 i dha të drejtë Bashkisë së Tiranës. Një tjetër rast politik i përdorimit të Aktit Normativ ishte ai për ndalimin e mjeteve motorike në det, aplikimi i blerjeve direkt në energjetikë, lirimi i banesave të ish pronarëve, ndryshimi i vazhdueshëm i praktikave të prokurimeve publike, vendimet me sfond klientelist mbi koncensionet, liberalizimi i procesit të legalizimit dhe hipotekimit në prag të fushatave elektorale, falje të borxheve apo kamatave gjithnjë në prag të fushatave zgjedhore, etj. Së fundi, Akti Normativ i KM u përdor nga mazhoranca e re edhe për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit mbi statusin e nëpunësit civil, miratuar me konsensus politik në maj 2013. Një shenjë se rotacioni politik nuk po bëhet ende rotacion në mentalitetin e sjelljes ndaj shtetit dhe përgjegjshmërinë publike të politikës.

E drejta e aplikimit të Aktit Normativ të KM është përdorur edhe si mjet presioni mbi palën politike në minorancë apo pushtete të tjera, sa herë mazhoranca ka ndeshur në pengesë në parlament (probleme në administrimin e votave apo shanse për debat të fortë politik) apo reagim publik. Rastet më të bujshme kanë qenë kërcënimet e PD për akte normative të KSH për heqjen e imunitetit, për hapjen e dosjeve, ndryshimet në Konferencën Gjyqësore, etj. Presioni shpesh funksionoi ose ia arriti të tërheqë vëmendjen e publikut nga tematika të tjera më të rëndësishme, edhe pse praktikisht KM nuk e avancoi nismën dhe aktet normative të saj u panë si mjete të tejkaluara.

Në thelb, tendenca e mazhorancave për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për vendimmarrje përmes akteve normative të KM përbën një zgjidhje kushtetuese, por me ngarkesë të theksuar politike dhe me interesa të njëanshme politike. Vetë fakti se Aktet Normative të KM ndodhin paralelisht me punimet e parlamentit janë një tregues domethënëse. Fakti tjetër se zakonisht konsumohet deri në 40-44 ditë kalimi i tyre në parlament, kur de facto, pasojat e aktit janë ezauruar, apo kur me qëllim tejkalohet afati ligjor duke i bërë të pavlefshme ato, ndërkohë që efekti politik e publik është konsumuar, - janë gjithashtu tregues domethënës. Edhe fakti se këto akte kanë ngarkesë të theksuar politike ose elektorale, dhe se për miratimin e tyre duhen shumicë e thjeshtë (71) vota edhe kur bëhet fjalë për ndërhyrje në ligje organike apo të shumicës së cilësuar.- lë shteg për debat, mban në këmbë debatin politik dhe përbën argument për investim të rasteve në Gjykatën Kushtetuese.

Cila mbetet zgjidhje? Vendimi me votë? Jo. Dihet përfundimi, shumë retorikë, mungesë reflektimi të dyanshëm dhe votim formal. Vazhdimi i traditës abuzive? Jo. Në politikë gjithnjë vendosin integriteti, vullneti dhe kultura politike e atyre që kanë në dorë vendimmarrjen. I njëjti vlerësim vlen edhe këtu. Hartuesit e kushtetutës dhe doktrinat kushtetuese e shohin rolin dhe peshën e Aktit Normativ të KM si dritare zgjidhjeje ligjore në rastet e situatave të jashtëzakonshme apo periudhave kur parlamenti e ka të pamundur të mblidhet. Këtë trajtë dhe kuptim duhet të marrë ai edhe në praktikën shqiptare. Marrja e pushtetit të përkohshëm të legjislativit nga pushteti ekzekutiv nuk mund të jetë periodik, i shpeshtë dhe praktikë rutinore. Nëse kjo vijon të ndodhë dëmtohet dukshëm sistemi qeverisës, parimi i balancës/ndarjes së pushteteve dhe bie ndjeshëm pesha specifike e institucionit të parlamentit. Politika ka përgjegjësinë të gjejë zgjidhje optimale ligjore pa përdorur in extremis praktika të tilla daljeje dhe konfirmimi të pafuqisë politike për zgjidhje kompromisi, dialogu efektiv e bashkëpunimi institucional. Vendi ku merren vendime me rëndësi është parlamenti, - aty ndodhet vullneti i shprehur me votë i qytetarëve, aty ekzistojnë mekanizma monitorimi, transparence dhe vendimi mbi bazën e votës së lirë, aty qeveria nuk drejton por është nën kontroll e vëzhgim, aty partitë kanë përfaqësuesit e tyre dhe aty merr jetë e vlerë të veçantë çdo germë kushtetuese dhe nocion (i munguar) i demokracisë funksionale.

1 Komente

Shume shkrim i mire per te njohur ne thellesi disa veprime kushtetuese, qe megjithese ligjore jane deridiku abuzive dhe shpesh arogante. Thanks per mundimin nga autori dhe per sjelljen ketu ne blog.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).