Dy arkeologëve "të rinj" Elio Hobdarit dhe Jamarbër Buzos, që merren prej kohësh me qendrën arkeologjike të Amantias, s’u ka mbetur më asgjë të hulumtojnë, pasi kur kanë shkuar së fundmi në vendin e tyre të punës, kanë parë zallamahinë e fundit dhe grabitjen barbare të Amanties prej “thesarkërkuesve të padukshëm”. Nuk u ka mbetur asgjë, sot, përveçse të sensibilizojnë eprorët e tyre, hierarkinë e trashëgimisë, median, autoritetet lokale dhe policinë për barbarinë që po ndodh. Por, asgjë. Ndaj, Amantia, në një nga pikat e lumit të Vlorës, ashtu si shumë site antike në Shqipëri, po shkatërrohet frikshëm dhe pa kthim...

 

Ndërkohë që kryeministri i ri Edi Rama dhe shpura e tij bënte një konferencë shtypi për rigjetjen e shumë objekteve të Trashëgimisë Kulturore, dy arkeologët e një projekti për Amantian Elio Hobdari dhe Jamarbër Buzo, përpiqeshin të kontaktonin me ngulm zyrtarët e ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë për qendrën arkeologjike, objektin e punës së tyre. Ajo, së fundmi, është vënë në udhëkryq prej shkatërrimit total së të ashtuquajturëve “thesarkërkues”. Ani, edhe pse media e kish paralajmëruar katrahurën, zyrtarët nga të cilët prisnin përgjigje, qëndronin të gjithë te Galeria, ku kryeministri sapo kish shpallur ‘kryqëzatën’ e re ndaj armiqve të trashëgimisë...

...

Dy ditë më parë me një Mercedes-190 kishim marrë udhën drejt Amanties. Alarmi i Elios ishte i frikshëm.“Kanë shkatërruar gjithçka. Nuk kemi më, ku të punojmë. Ne ikim, ata vijnë dhe rrëmojnë varret. Kanë hedhur gurët e varreve. Gjithçka. Çfarë do mund të bëjmë?”. Po vimë dhe flasim më mirë, i jemi përgjigjur. Sakaq alarmi iu dha medies, që për fat e botoi. Zyrtarët e ministrisë? Panë si zakonisht njëri-tjetrin në sy. E çdo të bënin vallë tjetër? Tre ditë më vonë e pyes sërish Elion. “Asgjë...!”, më gjegjet. 

Makina devijon ngadalë. Në fund duhet të lësh pas rrugën kryesore apo atë që e njohin si Qafa e Luadhit-Amonicë. Frika e udhës apo dyshimi davaritet, kur dy arkeologët që punojnë për Amantien, na konfirmojnë se rruga tani është bajagi e mirë. Por, vetëm nga Kota deri më Plloçë, ku gjendet qyteti antik. Deri më aty, kur lë Babicën në periferitë e sotme të Vlorës e përshkon një udhë të këndshme ndanë një lumi, e plot vendeve të zhveshur dhe gropave jo aq të mëdha, Mercedesi e shtyn thjesht prej ngulmit të tij të markës së fabrikës. Një burrë që e marrim nga Babica e Poshtme dhe që na thotë se po plotëson në Kotë dokumentet e pensionit na bën ‘rikonjicionin’ e zonës. Do të bëjë muhabet, por se ka dëgjuar kurrë Amantien! Dokumentet i ka në Himarë, pensionin e bën në Kotë, vetë është nga një fshat tjetër, por banon në Babicë! Kaq, marr vesh nga ai. Ne, këtë vend, e njohim thjesht si Lumi i Vlorës apo më shkurt Labëria. Që nga librat tanë, kur lexon për ta, të vijnë përpara mendjes njerëzit e vrazhdë dhe trima të zonës, bëmat patetike, mikpritja dhe mishi i pjekur. Anipse, sot, territori me 58 fshatrat, është aq i largët për pjesën tjetër të vendit, sa të duket si shtet më vete. Jo më kot, fillon nga Kurveleshi i Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit, e vazhdon tutje deri në Myzeqenë e Vlorës, në një sipërfaqe gati 332 km2. Lumi i Vlorës ka shtatë komuna që të habisin me toponiminë e tyre shumë sllave: Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen. Si në jerm më vjen zëri i burrit, që vazhdon bisedën e tij të njëtrajtshme. Ka qëndruar dhe në Vuno! Ja mbërrijmë në Kotë, ndërsa burrin, tashmë duhet ta lemë. Dy djem, që po bëjnë matjen e udhës, i pyesim për Amantien!

Izolimi

Po. Është këtë udhë, vetëm se kthehu majtas, shpjegon më i gjindshmi. Harroji tabelat apo ndonjë identifikim për qytetin antik. Habitshmërisht edhe pse socialistët i kanë mëshuar shumë veçimit, nuk më duken aq shumë të ndarë. Apeli elektoral i Fatmir Toçit, megjithë predispozitën e mirë, më duket pak i stisur. Me rrugën e re që shkon përtej Plloçës dhe që është asfaltuar mbesin dhe vetëm 15 deri në 20 km larg prej daljes nga Borshi ose Himara. Të mendosh, dikur, që të shkonin në det, atyre do t’iu duhej të bënin 100 deri në 150 kilometra. Por, nëse veçimi trajtohet si politik, zona ka ruajtur bukuritë natyrore, ku pak pyjet e mbetura, malet, fushat e ngushta dhe traditat në gatime i bëjnë ende kuriozë njerëzit. Ah, po dhe lapidaret. Udha gjarpëron bukur por na duhet të pyesim sërish. Kur e marrim vesh përfundimisht se ku është Amantia, atëherë t’i ke mundësi të bësh përsiatje: p.sh. shikon se banorët kanë ndryshuar jetesën. Nuk mbillet grurë si në kohën e kooperativave, por foragjere dhe një pjesë e tokave janë të papunuara. Emigracioni, kudo, edhe këtu e ka shteruar popullsinë aktive. Mbase, kjo rrugë ka të ngjarë ta ndryshojë të gjithën...

 

Amantia 

Arrijmë. Në fakt, jemi në Plloçë afër lapidarit, atje ku Land Rover-i i arkeologjisë po pret gazetarët. Janë dy korrespondentë lokalë nga Vlora që punojnë për TopCh dhe Vizionin. Kaq. Nga Tirana s’begenis askush tjetër. Akoma kam në vesh zërin e Elios, pak orë më parë: “Hajde! Po vjedhin për ditë. S’kemi më mundësi të bëjmë asgjë. Është tmerr”. Kujtoj se Amantia ka emër të madh, por që 35 km larg nga Vlora më janë dukur qindra, pasi më kanë trembur shpesh me udhën. Tani pas gati 40 minutash udhë dhe veshkave të trandura, shikoj atë që është promovuar si pikë turistike që prej vitit 2005, kohë nga e cila ajo funksionon si Park Kombëtar. Elio dhe Jamarbëri kanë lënë Land Roverin dhe presin, që një mjegull e madhe, që lundron mbi qytezën antike, të ikë. Pak minuta më vonë, pasi kemi ndërruar më të fundit lajme, marrim udhën, që darovitja e reve të na kapë në zonën e dëmtuar. Rruga bëhet me këmbë. Të vjen të qeshësh, kur kujton se lapidarët i kanë kthyer në vende identifikimi: “Festa e Amantias 2012”, “AMANTJA”. Zhgarravina është e dyta pas një guri  “Tabelë rrugore”! Kurse, me ngjyra të kuqe të zbërdhylyra dhe disa germa shkatarraqe lexohet  diku më pas:“100 m larg Amantja”  dhe  “D. 2 Qershor”. Kemi gjetur dy shkopinj të stërmëdhenj, kurse Elio dhe Jamarbëri bëjnë mikpritësin dhe udhërrëfyesin për të na përcjellë drejt “Varrit të Çifutit”, njërit prej objekteve më të shkatërruar. Pse çifut, i them Elios. “Kështu e kanë identifikuar banorët. Jo sigurisht s’ka lidhje me hebrenj” Ndoshta këtë rrugë bën fillimisht arkeologët që e zbuluan 70 vjet më parë qytetin: Frano Prendi, Hasan Ceka e Skënder Anamali. Ata udhëhoqën gërmimet që nisën në vitin 1949 deri në 1956. 

Ne përshkojmë udhën, futur mes shkurreve prralli, ku shpesh ngatërrohemi dhe mbesim në prag rrëzimi, derisa në mes të një shpati mali shfaqet varri. Nëse je një rastësor e nuk kupton asgjë nga arkeologjia, atëherë thua: Epo mirë çfarë është atëherë? Në fakt, kur të mësohen sytë e kupton. Varrit monumental, i janë hequr gurët, ndërsa kanë gërmuar brenda të gjejnë inventarin.

“Varri i Çifutit”, aktualisht objekt i punës së dy arkeologëve është dëmtuar aq rëndë, saqë tashmë mendohet të jetë krejt i parekuperueshëm në tërësinë e tij si monument. “Thesarkërkuesit” shqiptarë ka kohë që nuk ndalen. Varfëria, makutëria dhe ndoshta dezinformomi që vlen për të shkatërruar trashëgiminë tonë është i frikshëm. Kanë punuar ngeshëm, ndërsa një paketë ‘Slim’, tregon se ”thesaristët” kanë punuar shtruar. Arkeologët na thonë bisedat gati qesharake që ndërrojnë me policin e zonës. Fotot, i bëjmë në kënde të vogla, sepse i tillë është vendi mbi gurët e mëdhenj të rrëzuar dhe gropës, që duket sikur e ka rrëmitur një kafshëz. Në shumicën e rasteve për këto punë makabre futen fëmijë! “E di sa duhet tani për t’i ngritur këto gurë, disafish i asaj që kemi kërkuar”, më thonë dy arkeologët me trishtim.

Në bisedë, Elio më thotë se ka parë nga fshatarë, që i mbajnë të fotografuar në celularë monedhat e gjetura, nga ku kushdo, që ka pak vullnet edhe mund të hedhë dritë për “thesarkërkuesit”. “Por, kur denoncojmë, askush nuk dëgjon”, shton Elio. Fshati është armiqësuar disi, pasi të gjithë duan të jenë pjesë e projektit. Që do të thotë: të gjithë duan të punojnë, të nxjerrin ndonjë Lek apo duhet të bujtsh tek ata, që të të marrin ndonjë pare!! Dy arkeologët janë të vetëm dhe s’kanë kohë për begenisje. Kanë kohë vetëm të merren me projektin e Amanties, ku duan të trajtojnë zonifikimin arkeologjik  dhe inventarin e monumenteve në këtë sit. Por, në këtë qytet, me këtë shtrirje, që e kuptojmë kur shkojmë në varrin tjetër, më duket realisht mision i pamundur. Paradoksalisht, edhe varri tjetër është i sapogërrmuar. Edhe ky i shekullit të IV dhe III p. Krishtit. Dheu i freskët nuk të gënjen aspak. Arkeologët shohin njëri-tjetrin me sy: Ja e shihni! Kemi ecur në një si bokërrimë, një pjesë të udhës me makinë. Nëse je i vetëm, ky vend s’përbën asnjë interes dhe më shumë akoma, s’ke asnjë shenjë identifikimi se ku ecën. Varri i dytë është gërmuar sërish dhe nga vrima e vogël, duket se janë futur fëmijë për të eksploruar. 

“Deri tani janë vëzhguar sektorët e nekropolit në verilindje, juglindje (Bregu i Varreve) dhe jug (Vërri dhe Vrakal), si dhe pjesërisht sipërfaqja brenda fortifikimit”, shkruhet në projektin e tyre. Arkeologët duken të dorëzuar ndërsa ne nga mungesa e mirëmbajtjes, konfirmojmë se misioni i tyre është gati hipotetik. Nuk mjafton më vullneti, por duhet edhe shumë më tepër. Dhe, kjo mungon sot krejtësisht. “Nëse nuk do të na thoshin diçka këta, është e vështirë të kuptosh shkatërrimin”, më thotë një nga djemtë gazetarë, që po rregullon kamerën të filmojë varrin. I jap të drejtë, pasi dhe me formim historik, në këtë tollovi, s’më “bën” aq shumë përshtypje. Në fakt, literatura të impresionon. Mjeshtrit e vjetër gjetën muret rrethuese të Akropolit dhe portave të qytetit, stadiumin, tempullin e Afërditës, nekropolin me varret monumentale, kishën e ndërtuar në shekullin I pas Krishtit etj. Por, stadiumi me të 17 shkallët në pjesën ballore, 8 shkallët në pjesën lindore dhe 4-6 shkallët në atë jugore, ndërtuar në shekullin III para Krishtit, ka një bukuri, vetëm në pjesën ku qëndron dhe nuk të grish për asgjë. Po afron sërish një mjegull e dendur. Që fillimisht mbulon fushën e improvizuar të futbollit, pranë stadiumit antik dhe vazhdon më poshtë. Një tip tabele e zbardhuar diku, jep disa elementë.  Më kot, një nga djemtë mundohet ta zbërthejë,  kurse arkeologët na ndijnë me ato që dinë. Stadiumi, mbetur, prej mijëra vjetësh përballë sfidës me kohën, ka rezistuar edhe pse platformat e stadiumit duken të hepuara nga sfida me natyrën. E quajnë ”Gropa e Kovaçit”, më thotë një nga burrat.

 

Shkatërrimi

Sa mendoj për emrin e kovaçit dhe etimologjinë e tij këtu, më shkon një pyetje tjetër në mëndje: Dhe si mund të ruhet, i pyes djemtë, atje ku na dhëmb. Ngrenë supet. Nga qendra ende s’po u përgjigjet askush. “Sa të ikim ne, ata do të vazhdojnë më thonë me keqardhje”. Është si film. Vinë menjëherë sa largohen arkeologët, të ashtuquajturit “thesarkërkues”, që punojnë të patrazuar. Në fakt, problemi i arkeologëve është ai që e tregon realisht shtetin shqiptar të dorëzuar jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht para vrasësve të monumenteve. E jo vetëm që s’kanë më fuqi, por “thesarkërkuesit” shqiptarë po kalojnë në rrezikshmëri, sepse dukshëm po përdoren nga keqbërës të vetëdijshëm që duan shkatërrojnë pakthim kujtesën kombëtare. Dhe, ata ç’duhet të bëjnë? Të sensibilizojnë apo thjesht të pajtohen me situatën! Këtu është mëdyshja e tyre. Në këtë rast të fundit s’kanë hezituar, por kanë vënë alarmin kudo nëpër rrethe shkencore dhe në autoritetet lokale dhe ato të policisë. 

“Nga gërmimet voluminoze me mjete të mekanizuara këtu po vazhdohet me gërmime masive nga individë që përveç grabitjes po shkatërrojnë monumente edhe aty ku kjo nuk sjell një përfitim. Problemi është që kjo po bëhet kulturë dhe komuniteti ndjehet si në vitet më të errëta të Shqipërisë ku shteti është krejt absent”, më lajmëroi Elio, një ditë më parë në një bisedë telefonike. Të vjen të qeshësh me pyetjet e policisë që bëjnë pyetje, por edhe indiferenca e fshatarëve, që e dinë deh i njohin besoj shkatërruesit, por që për ‘solidaritet’ s’flasin. Të kenë frikë vallë, apo punojnë të gjithë, apo s’u intereson fare! Vandalët vazhdojnë, kurse traditat dhe trimëria e njerëzve të zonës më bjerret. U shkon më shumë, në këtë rast, hajnia, për të cilën e kanë krenari lokale. Për arkeologët, një nga shkaqet kryesore të kësaj katrahure mbetet pa asnjë dyshim edhe prania e kantiereve të ndërtimit të dy rrugëve, Kotë – Ploçë dhe Ploçë – Amonicë. E kush do të pyesë për këtë park gjigand, gjurmët e të cilit përfshijnë një sipërfaqe prej 15ha. Askush. Këtë e gjykoj nga infrastruktura e sotme: Asnjë tabelë, asnjë udhëzim, veç një tabelë në tokë dhe rrethimit të prishur.

...

Kthehemi. Për fat, alarmi për Amantien është botuar në një gazetë e përditshme dhe në një site, por njerëzit e metropolit, e kanë mendjen te emërimet e reja. Kurse burokratët e kulturës te ministria e re dhe tek zhurma mediatike e ikonave. Çfarë do ndodhë me Amantian? Kujtoj një shprehje që më duket më e gjetura për situata të tilla: Zoti e ruan Shqipërinë! Po, e mbase, Zoti hedh ndonjë sy dhe për Amantien. Një shiu i sikletshëm fillon por pak nga pak bëhet më i shtruar. Elion dhe Jamarbërin e lemë në shtëpinë e një fshatari, ku bujtin prej kohësh. Është vjeshta e dytë. Viti 2013.

 

7 Komente

c'q'temen...

Shtet i pjerdhur, çon dy arkeologe, pa roje, ne vend qe te çoje nje grup arkeologesh se bashku me studendet e arkeologjise, plus dhe ushtare qe te ruajne naten. Kam vene re se ne Shqiperi po ndizet dhe ushqehet nje psikollogji e demshme per vendin, ku thuhet; Shteti s'po ben gje per ne, pse ne duhet te mendojme per shtetin. Dhe nen kete psikollogji, shum njerez gjejne te drejten te shkaterrojne çdo gje, me pretekstin se duhet te jetojne, te hane.  Nga nje ane duket se kane te drejte, por nga ana tjeter nuk e mendojne se kjo gje shkaterron çdo gje, çdo virtyt, shkaterron brezin e ri. 

Pjer, une them se ti urgjentisht duhet te fillosh shperndarjen e kopjeve falas te VQ-se neper zonat rurale, para se ai vend te marre fund perfundimisht.

PF e ke pare ate filmin shqiptar me ate kengetaren ne 1936, ku donte ti dhuronte lule, dhe se çfar tha ai. 

si ndihet me zeri as Auron Tares  per keto  temat arkeologjike,  si ka mundesi?!smiley

Ska-"ndal", edhe pse eshte ndrruar qeveria! Ne Shqiperi nuk ke ku ta fillosh "Rilindjen" duket sikur nuk do te kete ringjallje pa vendos nje Diktature te ligjit! ! 

siti antiksmiley

o ben nano lubonja andoni,na keni care makinen me keto fjale!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).