A është altruizmi thjesht një interes personal i fshehtë? Dhe a mundet një ekuacion matematikor t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje?

Më 1968-n, një akademik pothuajse i panjohur në Britaninë e Madhe, shkoi në Universitetin College të Londrës dhe prezantoi para stafit një ekuacion aq mbresëlënës sa ata i ofruan menjëherë një pozicion nderi dhe çelësat për zyrën e tij të re. Emri i tij ishte Xhorxh Prajs (George Price), dhe ekuacioni i tij merrej me një problem që pati hutuar shkencëtarët që kur Çarls Darvin (Charles Darwin) publikoi kryeveprën e tij “Mbi origjinën e specieve” më shumë se një shekull më herët. Nëse ne jemi krijesa egoiste, të angazhuara në një betejë për mbijetesë, si shpjegohet që ne tregojmë altruizëm? Pse ne tregojmë përkujdesje ndaj të tjerëve me kosto për veten tonë?

Shumë teori janë ngritur që nga ajo kohë, ndërsa rrënjët e teorisë së Prajs gjenden herët në vitet 1950 te vepra e biologut evolucionar britanik KBS Haldane. I pyetur nëse ai do ta sakrifikonte jetën e vet për atë të një tjetri, ai tha se do ta bënte, por vetëm në kushte të caktuara.

“Unë mund të hiqja dorë nga jeta ime në këmbim të jetëve të dy vëllezërve apo tetë kushërinjve.”

Arsyetimi i Haldane ishte një shpjegim i thjeshtëzuar i një teorie që pati dominuar biologjinë evolucionare – teoria e “selektimit të përafërt”. Për shkak se ai ndante 50 për qind të përbërjes gjenetike me vëllezërit e tij dhe 12.5 për qind të secilit kushëri, gjenet e tij do të mbijetonin edhe nëse ai vdiste. U desh të vinte fillimi i viteve 1960, para se një shkencëtar tjetër Uilliam (William) Donald Hamilton ta popullarizonte këtë teori. Ai shkroi një ekuacion të thjeshtë për të shpjeguar se një organizëm do të demonstrojë sjellje vetësakrifikuese nëse kjo sjellje do të përforconte shanset riprodhuese të atyre me të cilët kishte lidhje të ngushta.

Më 1967-n, Prajs mbërriti në Londër nga Shtetet e Bashkuara, ku ai pati qenë një shkencëtar dhe gazetar, por nuk kishte eksperiencë në fushën e biologjisë evolucionare. Ai zbuloi teorinë e Hamiltonit në një bibliotekë publike dhe mendoi se mund të punonte për ta përmirësuar atë. Duke punuar i veçuar, ai e rishkroi ekuacionin në një mënyrë më të thjeshtë, por të kuptueshme nga më shumë njerëz. Ai shpjegoi marrëdhënien mes gjeneratave të ndryshme të popullsisë, që mund të përdoret për të demonstruar se si prevalenca e një tipari mund të ndryshojë me kalimin e kohës.

Megjithëse ishte një deklaratë goxha e thjeshtë, ajo nuk ishte shprehur kurrë në terma të qarta matematikore dhe stafi i Universitetit të Londrës e pranoi këtë si jashtëzakonisht origjinale. Një debat mbi rrënjët shkencore të altruizmit vijon të ekzistojë edhe në ditët tona, por seleksioni farefisnor mbetet një teori me ndikim të jashtëzakonshëm dhe kontributi i Prajs vlerësohet ende nga shumë njerëz edhe sot.

“Ai është referencë në një pjesë të konsiderueshme të kërkimit modern në biologjinë evolucionare”, thotë Andi (Andy) Gardner, një biolog evolucionar në Universitetin e Oksfordit, i cili përdor ekuacionin Prajs në pjesën më të madhe të punës së vet.

Oren Harman, i cili shkroi një biografi të Prajs më 2010-n, thotë se me këndvështrimin e tij pajtohet një pjesë e madhe e njerëzve të kësaj fushe.

“Megjithëse ka shumë prej tyre që nuk arrijnë të shohin përdorimin e saktë të ekuacionit, të tjerët mendojnë se ai është përshkrimi më i thjeshtë dhe i shkëlqyer i dinamikës së selektimit natyror.”

Por vetë Prajs filloi të shohë se komplikimet e punës së tij qenë shumë të vështira për t’u marrë, sipas Harman. Nëse altruizmi ishte thjesht një përpjekje për të siguruar mbijetesën e gjeneve të vetë altruistit, a mund të konsiderohet në fund të fundit altruizëm? Lee Dugatkin, profesor i biologjisë në Universitetin e Luisvilit, mendon se ishte pikërisht ky faktori që shkaktoi ndryshime të mëdha te vetë autori Prajs. “Kjo ishte çfarë e bindi atë të vijonte”, thotë ai. “Ai ra në depresion kur zbuloi se Hamilton kishte të drejtë.”

Në verën e vitit 1970, Prajs u bë një kristian i devotshëm dhe filloi një projekt radikal – vuri veten në dispozicion të shërbimit ndaj të tjerëve.

“Ai u përpoq të demonstronte se qeniet njerëzore janë të vetmet specie që mund të mposhtin natyrën e vet. Ai u përpoq ta demonstronte këtë, duke u bërë personalisht një altruist i pastër pa interes vetjak”, thotë Harman. Prajs filloi t’u japë para njerëzve të pastrehë dhe ftoi shumë prej tyre që të jetonin bashkë me të në apartamentin e tij. Sjellja e tij gjithnjë e më e hallakatur e la pa asnjë grosh në xhep. Në fund e la apartamentin dhe u zhvendos në një shtëpi të thjeshtë fshati. Nuk është pranuar nga të gjithë se ishte ekuacioni që ai vetë zbuloi, që solli edhe rënien e tij – shumë argumentojnë se ai kishte shenja të qarta të problemeve mendore që më herët. Dhe në dimrin e vitit 1975, Prajs vrau veten. Për Harman, dy ngjarjet janë tërësisht të ndërthurura. “Unë mendoj se Xhorxhi vrau veten për shkak të interpretimit që i dha ekuacionit që vetë pati krijuar, i cili fokusohet te problemi në shkallën më të lartë.”

Historia e Prajs është përplot me tragjedi, por a ka nevojë vepra e tij shkencore të interpretohet thjesht si një anë e errët dhe depresionuese e natyrës njerëzore? Samir Okasha, profesor i filozofisë së shkencës në Universitetin e Bristolit, mendon se jo. “Ideja që teoria evolucionare tregon që altruizmi është interes vetjak i fshehur, është sipas mendimit tij, diçka e diskutueshme.” Sjellja në disa specie kafshësh është me të vërtetë e përcaktuar nga gjenet, thotë ai, por me njerëzit “me siguri që kjo nuk është e vërtetë”. Ai argumenton se kultura na bën ne të ndryshëm nga kafshët në këtë aspekt, dhe vëren mospërputhjen e stërmadhe të normave shoqërore në vende të ndryshme dhe në periudha të shkurtra kohore.

“Ne kemi parë ndryshime dramatike përgjatë periudhave të caktuara, fjala vjen, 300-vjeçare, të cilat nuk shpjegohen dot nga gjenetika”, thotë ai.

Hartman nuk është gjithashtu dakord me interpretimin që Prajs i dha vetë punës së vet. “Nuk është domosdoshmërish një konkluzion logjik. Ishte konkluzioni që ai vetë nxori, konkluzioni që i shqetësoi mendjen, por ajo që e çoi atë drejt të kuptuarit të tmerrshëm të sjelljes sonë si kafshë, nuk është domosdoshmërisht e vërtetë për mirësinë në botë.

Nëse ne duam të kuptojmë sjelljen, biologjia është një pjesë e saj – ajo duhet të jetë domosdoshmërish. Por ajo nuk është kurrë një shpjegim tërësor dhe gjithëpërfshirës për kompleksitetin dhe madhështinë e sjelljes njerëzore.” Gardner mendon se është gjithmonë e mundshme për të arsyetuar se njerëzit po përpiqen të mbrojnë dhe riprodhojnë materialin e tyre gjenetik. “Por kjo jo domosdoshmërish është gjithmonë egoiste”, thotë ai. “Ka hapësirë për altruizëm në këtë arsyetim.”

 

Artikulli origjinal BBC News: Does it matter why we help others?

12 Komente

Nuk është domosdoshmërish një konkluzion logjik. 

Sepse rastesia eshte me e rendesishme se sa logjika. Dhe rastesia perballohet me mire, bile nxirren perfitime prej saj kur je ne shoqeri. 

Ktu flitet për altruizëm ekstrem(deri në vdekje) e biologjik dhe jo për altruizëm shoqëror.

Gjeja eshte nje e tere. Ndarja ne shtresa eshte artificiale, e sajuar nga studiuesit per lehtesine e tyre. Natyra nuk ka nevoje per shtresa te funksionoje.

Ekuacioni, nuk mund ti jape pergjigje nje fenomeni te tille tek njerzit, por ai (ekuacioni) mund te krijohet, per te shpjeguar simbolikisht copezat qe formojne teresine dhe varesine nga njera-tjetra. 

Sa per teorine e relativitetit qe rendom thuhet shpesh se ishte Ajshtanji qe e zbuloi, apo qe e quajne si teoria e tij, ketu ka nje gabim kryekeput, nje fakt i sjelle kokposhte, se kete teori Ajshtanji veç e perdori ne teorite e tij, por jo se e zbuloi ai, se per teorine e relativitetit kane folur me kohe para qindra vjeteve filozofe te ndryshem, ku me te spikaturit ishin Marksi me Engelsin. Ata folen shume per kete teori, ku thoni se ajo qe neve mund te na duket apo e perceptojme si te mire, te tjeret e shikojne apo perceptojne si te keqe, apo ajo qe per nje njeri eshte diçka e shpejte, per nje tjeter eshte diçka e ngadalte. Ajo qe per nje njeri eshte e madhe, per nje tjeter eshte vogel. Per kete teori, te relativitetit, te shikimit e perceptimit te gjerave, me vone folen edhe filozofe te tjere, nderkoh qe Ajshtanji e morri te gateshme si koncept dhe e zhvilloi ne teorine e tij te shpejtesise se drites e te tjera fenomeve te fizikes. 

dua te bie dakort me ty i dashur Pjer po nuk mundem. Per arsyen e thjeshte se gjithcka eshte relative dhe kendveshtrimi i secilit eshte shume i rendsishem per te percaktuar se si e shofim temen. Edhe debatin e shofim ne funksion te ktij kendveshtrimi relativ. Nuk e di ca mendon. Flm!

Ajshtanji veç e perdori ne teorite e tij, por jo se e zbuloi ai, se per teorine e relativitetit kane folur me kohe para qindra vjeteve filozofe te ndryshem, ku me te spikaturit ishin Marksi me Engelsin. Ata folen shume per kete teori, ku thoni se ajo qe neve mund te na duket apo e perceptojme si te mire, te tjeret e shikojne apo perceptojne si te keqe, apo ajo qe per nje njeri eshte diçka e shpejte, per nje tjeter eshte diçka e ngadalte.

Kjo o pjer shkon para Marksit dhe Engels, edhte Xhon Loku qe na e sjell permes cilesive parsore dhe dytesore te sendit. Psh cilesia paresore e nje mole jane pesha, volumi, diametri etj qe jane objektive. ndersa cilesi dytesore si shija, ngjyra etj jane subjektive dhe si te tilla relative ne perceptim. Kto mund ti kete shpre edhe ndonje filozof i meparshe, ndersa ajnshtajni te teoria e tij provoi qe edhe cilesite paresore jane relative, pra pesha e nje molle nuk eshte e njejte si ne dege, si ne hene si ne lartesine 0 nga toka. Sigurisht qe fokus i Ajnshtajnit ishte revizionimi i fizikes Njutoniane qe kishte ligje fizike absolute te aplikueshme ne cdo pike te universit. 

eh mer plak. Hajde baba te te tregoj arat - i thone ksaj

gjithmone me perulje, pastaj edhe ne e kam gabim Pjeri me fal se e kupton se ishte thesht nje shperthim rinor. 

pse sterio smiley po pikerisht kete po them dhe une qe Ajshtanji e zhvilloi ne Fizike kete teori. Mirpo intelektualucet, gazetarucet, qe nuk kishin lexuar asnje filozof, ia veshen Ajshtanjit kete teori. 

Natyrisht i dashur, m'varet se si e sheh, dhe kjo perben relativitetin e gjerave, per te cilen diskutuan nje here Marksi me Engelsin. Duke debatuar mbi disa fenomene, si ato politike, si ato ekonomike, M dhe E dolen ne konkluzionin se gjerat jane relative ne kete bote, se m'varet pikerisht nga ç'pozicion e sheh. 

se na ben te ndihemi te rendesishem, mendoj.

altruismi kryesisht eshte efekt anesor i iluzionit se jeta mbart kuptim 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).