ngelur sic ka qene

Në kuadrin e reformave të shpallura nga qeveria e re për organizimin e sistemit të arsimit në vend, edhe drejtuesi i ri i Akademisë së Shkencave, z. Myzafer Korkuti, ka shpalosur në disa media synimet e tij për reformimin e sistemit të kërkimit shkencor (Gazeta Shqiptare, dt. 04.09.2013, & Revista Klan, 04.10.2013).

Pretendimet e z. Korkuti në lidhje me reformën e kaluar mund të përmblidhen si më poshtë:

  1. Riorganizimi i sistemit të kërkimit shkencor gjatë vitit 2006 ishte i gabuar;
  2. Reformat e realizuara ishin të ndryshme nga ato të propozuarat dhe të diskutuara në komunitetin shkencor;
  3. Kapacitetet e kërkimit shkencor në aspektin e personelit dhe të financimit u ulën ndjeshëm;
  4. Roli i Akademisë së Shkencës (ASH) u dobësua (sidomos prestigji i saj; “lavdia e ASH-ës”).

Synimet e tij në lidhje me reformën e propozuar janë:

  1. Të riorganizohet sërish sistemi i kërkimit shkencor në institute të pavarura kërkimi, duke i vendosur në varësi të ASH (argument për këtë është historiku i themelimit të akademisë nga institutet);
  2. Politikat e kërkimit shkencor të mos jenë në kompetencë të qeverisë por e ASH-ës (në fakt synimi është tepër i vagëllt për t’u perceptuar, pasi z. Korkuti argumenton duke u nisur nga emërtimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, me gjasa që i paska hequr vetes rolin e saj mbi shkencën);
  3. Rritjen e nivelit të kërkimit shkencor, matur kjo nëpërmjet botimeve, sidomos monografisë (e cila sipas autorit ka më pak gjasa të politizohet!?);
  4. Rritjen e presitigjit të ASH-ës, sidomos nëpërmjet botimit të një enciklopedie me tre vëllime në gjuhë të huaj.

Për këto synime z. Korkuti pretendon se gëzon edhe miratimin e qeverisë aktuale, duke cituar në njërën prej intervistave edhe objektivat e programit të qeverisë për rolin e ASH-ës: “Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor të zhvillimit të vendit, gjithashtu do t’i ofrohet mbështetje Akademisë së Shkencave për t’u bërë një forcë shtytëse e veprimtarisë kërkimore shkencore në vend dhe përfaqësuese e komunitetit shkencor”.

Reforma e sistemit të kërkimit shkencor që ai e quan të gabuar realizoi integrimin e instituteve të kërkimit në universitetet publike si departamente të disiplinave respektive, me qëllimet për të integruar kërkimin shkencor në procesin e mësimdhënies dhe përmirësuar kapacitetet manaxhuese të kërkimit duke qënë se bashkonte burimet dhe ekspertizën e universiteteve me ato të instituteve. Në kuadër të reformës u themeluan qendra ndëruniversitare si Qendra e Studimeve Albanologjike, të cilat kanë qëllim hulumtimin por edhe kualifikimin e hulumtusve të rinj.

II.

Në formulimin e politikave publike është interesante të hulumtohet mbi motivin e aktorëve kryesore të përfshirë. Motivet e aktorëve ndikojnë mbi përkufizimin e problemit, vendosjen e tij në agjendën e politikbërësve, përzgjedhjen e alternativave për zgjidhjen e problemit dhe së fundmi në zbatimin dhe vlerësimin e politikës.

P.sh. në politikat e burimeve njerëzore motivi kryesor i aktorëve në ristrukturimin e institucioneve është të zgjidhin problemin e besnikërisë së nëpunësve dhe të kontrollojnë shpërndarjen e burimeve (kush merr çfarë dhe sa). Në rastin e Shqipërisë, që është vend i vogël, me një administratë nën trysni të vazhdueshme financiare për t’u tkurrur dhe ku vendet e punës janë të pakta, sistemi partiak ka një rrjet të kufizuar në burime por të zgjeruar në shtrirje të shpërndarjes së të mirave publike. Sistemi partiak në Shqipëri është i interesuar të mbajë nën zotërim politik gjithçka të financuar nga financat publike, në mënyrë që të sigurojë dhe shpërblejë besnikërinë e pasuesve të vetë.

Por, sistemi partiak është i kufizuar në realizimin e synimeve të tij nga kuadri normativ që ruan të drejtat e punëmarrësve dhe nga rezistenca e strukturave aktuale për ndryshim. P.sh. në Shqipëri, edhe gjykatat, zakonisht të përfolura për korrupsion në lidhje me luftën ndaj krimit në çështjet penale, janë pozicionuar qartazi në favor të të drejtave të punëmarrësve në konfliktet e shumta gjyqësore ndaj vendimeve të pajustifikuara të pushimeve nga puna në sektorin publik. Ndërsa drejtuesit e rinj të institucioneve hasin vështirësi në ekzekutimin e autoritetit të tyre kur përballen me interesat e strukturave të vjetra, vështirësi që variojnë nga pengesa artificiale ligjore (interpretime apo praktika të gabuara të zbatimit të ligjit) deri tek vonesat në realizimin e urdhërave.

Për të anashkaluar normat dhe të drejtat e punëmarrësve në sektorin publik, e zgjidhur problemin e besnikërisë dhe të rezistencës me vartësit apo agjencitë publike, politikbërësit ndërmarrin reforma strukturore. Reformat strukturore synojnë një tjetër shpërndarje të kompetencave dhe autoriteteve, duke mundësuar kështu dobësimin e strukturave të vjetra dhe anashkalimin e kuadrit normativ për pushimin apo rekrutimin e punonjësve në sektorin publik.

III

Cili është pra motivi i z. Korkuti dhe qeverisë së re (nëse do të bazoheshim në interpretimin e programit nga z. Korkuti)? Z. Korkuti shprehet se është i pakënaqur me varësinë e hulumtuesve, dikur punonjës së instituteve, ndaj rektorëve të universitetit, dhe së dyti, ai mendon se në Shqipëri është bërë problem politizimi i studimeve shkencore, e për këtë duhen mbështetur kërkimet monografike. Sipas z. Korkuti në artikullin e Gazetës Shqiptare “çu] cenua pavarësia e instituteve duke u hequr të drejtën e firmës e vulën, për çdo veprimtari të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, duke i kthyer ato në departamente.” Pra, për z. Korkuti, problemi kryesor është kontrolli i personelit (“firmës e vulës”), çfarë më sipër u cilësua si një prej motiveve kryesore që fshihet pas reformave strukturore.

Nuk përjashtohet që motivi kryesor pas reformës së vitit 2006 për institutin e albanologjisë të ketë qenë pikërisht vendosja nën hyqmin politik të institutit (nisur ndoshta edhe nga interesi direkt personal i z. A. Malltezi), apo dëshirat e ndonjë rektori për të kontrolluar institutin e tij të dikurshëm në rastin e shkëputjes së ndonjë instituti nga Ash-ja. Ose që pas shkëputjes së Fakultetit të Mjekësisë nga UT-ja dhe themelimit të Universitetit të Mjekësisë të kenë qenë motive të dobëta në lojë, shpërblimi i shefave të njësive me tituj, apo orekse të ngjashme. Por, meqë nuk kam diçka të ngjashme të shkruar mbi motivin e asaj reforme, është më mirë të fokusohemi tek ndikimi i reformës mbi cilësinë e kërkimit shkencor në vend.

Sidoqoftë, është e rëndëishme të kuptohet se, reformat gjejnë një sërë aleatësh e bashkëpunëtorësh nga sektorët e përfshirë, të cilët vijnë në tavolinë gjithsekush me motivet të ndryshme. P.sh. universitetet publike, lexo rektorët, ishin të interesuara për integrimin e instituteve të kërkimit në universitetet e tyre, jo vetëm për të thithur me shumë fonde kërkimi nga qeveria, por edhe për të kontrolluar shpërndarjen e favoreve në tarafet e hulumtuesve.

Ndërsa synim i hartuesve të politikave ka qenë thjeshtë një shpërndarje efikase e financimit publik për shkencën, integrimi i hulumtimit me proceset e mësimdhënies (e gjithçka që pason si aktualizimi i dijes, njohja e studentëve me metodat bashkëkohore të kërkimit etj.), përmirësimi i kapaciteteve hulumtuese për të konkurruar në nivelin ndërkombëtar, si p.sh. për përthithjen e fondeve ndërkombëtare të kërkimit (programet FP7 etj.) dhe përqëndrimi i burimeve në disiplina të kërkimit bazik ku studiuesit shqiptarë mund të kontribuojnë thelbësisht.

Por a ka nevojë sistemi i kërkimit shkencor për një tjetër reformë? Paçka motiveve të aktorëve të ndryshëm, publikut duhet t’i interesojë domosdoshmëria e reformës; shkurt thënë: si e legjitimojnë aktorët politikë ndërhyrjen e tyre në gjendjen aktuale? Media nuk duhet të përqëndrohet në motivet e aktorëve, por në cilësinë e justifikimit dhe të argumenteve që ofrohen.

Vlerësimi i suksesit të një politike publike bëhet duke marrë parasysh efektet e synuara (të qëllimta) dhe të paqëllimta të politikës së zbatuar. P.sh. qeveria ndërhyn ndjeshëm në organizimin e hierarkisë së komunitetit akademik në Shqipëri, siç janë format e promovimit akademik për titujt Dr. apo Prof., pasi komuniteti ynë akademik nuk mund të sigurojë cilësinë minimale të kritereve të njohjes së meritave akademike. Por, nisma e qeverisë për të futur p.sh. kriterin e “publikimit në revista me impakt faktor” si kusht për promovim, e ndërkombëtarizuar disi hulumtimin shkencor në vend, ka dështuar totalisht në zbatimin e saj në universitete dhe madje ka rritur vrullin e akademikëve për të përfituar tituj të pamerituar. Nëse qeveria nuk është në gjendje të sigurojë zbatimin e një politikë të caktuar, është më mirë të mos ta ketë këtë politikë, sidomos kur behët fjala për rregullimin e një veprimtarie të caktuar, pasi vetëm sa shton “fajtorët” e minon vullnetin për realizimin e një kuadri të zbatueshëm normativ.

IV

Cila pra është gjendja e kërkimit shkencor pas 2008 (viti kur u zbatua reforma) që justifikon këtë reformë?

Për lexuesin është mirë të kuptojë se sistemi i kërkimit shkencor është i organizuar në: (1) universitete; (2) qendrat ndëruniversitare; (3) institutet kërkimore në varësi të ministrive të linjës; (4) në qendrat e ekselencës, të pakrijuara ende; (5) në sektorin privat (firma, OJQ). Për koordinimin e përpjekjeve të këtyre institucioneve në tërheqjen e administrimin e fondeve vendase edhe të huaja, qeveria krijoi Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit të drejtuar famëkeqësisht nga z. Ylli Pango. Kuadri ligjor është ligji i arsimit të lartë (2007), ligji mbi akademinë e shkencave (2006) dhe ligji për shkencën dhe zhvillimin teknologjik (1994), që nuk ka gjetur ndonjëherë zbatim.

Për t’i dhëne një pasqyrë lexuesit mbi gjendjen aktuale po mjaftohem me përdorimin e disa treguesve që janë të gjindshëm nëpër internet: numri i projekteve ndërkombëtare, niveli i botimeve shkencore dhe financimi.

Sipas një studimi bibliometrik nga Banka Botërore (SCIMAGO, 2013, i papublikuar) Shqipëria ka një rritje të publikimeve në revista ndërkombëtare, nga 46 në vitin 2003, në 201 në vitin 2010. Shqipëria është në vendin e pestë nga fundi në renditjen e vendeve të Evropës Lindore. Publikimet për çdo 1000 banorë janë rritur nga 0 në vitin 2003, në 121 në vitin 2010 (falë statistikave për ulje të popullsisë).

Cilësia e kërkimit shkencor, matur sipas impaktit të citimit dhe citimeve për publikim, ka shënuar një rritje të ndjeshme nga 2003 deri në 2008. Është ulur gjatë 2009-10, por në total Shqipëeria ka një impakt prej 0.72 (normalized impact score), pas Serbisë (0.74) në rajon. Numri mesatar i citimeve për publikim është 4.03 për periudhën 2003-2010, relativisht i lartë për rajonin, por ende i ulët për vendet e EU-së që sipas disiplinave variojnë nga 18 në mjekësi, në 54 në shkencat humanitare.

Disiplinat ku hulumtuesit shqiptarë kanë rezultuar të suksesshëm janë: shkencat humane, shkencat e tokës, ekonomik dhe ekonometrik, shkencat ambientaliste, imunologji & mikrobiologji, infermieri dhe psikologji. Citimet më të shumta shenjohen në neurologji, biokimi, gjenetik dhe biologji molekulare, si edhe në imunologji dhe mikrobiologji.

Institucionet më efikase në kërkimin shkencor janë universitetet me 60% të totalit të prodhuar, qendrat spitalore dhe sektori shëndetësor me 20%, dhe qeveria me 15%. Universiteti i Tiranës, Spitali i Nënë Terezës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës gjenerojnë pjesën më të madhe të volumit të kërkimit, me UPT që kryeson në numrin e citimeve.

Në dimensionin e ndërkombëtarizimit Shqipëria gjatë 2003-10 ka qenë e suksesshme, me 60% të publikimeve me bashkëpunim ndërkombëtar, më lartë se vendet e rajonit dhe vendet e EU-së (rreth 50-45%). Shkencëtarët tanë bashkëpunojnë shumë pak me vendet e rajonit, dhe më së shumti me hulumtues nga Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, Franca, Spanja, SHBA dhe Japonia.

Numri i projekteve Tempus ku institucionet e arsimit të lartë kanë marrë pjesë si koordinator (përfitues direkt të fondeve) luhaten në 2-3 në vit, ose si pjesëmarrës (përfitues indirekt të projektit, më pak përfitime finanicare por mundësi për mobilitet) lëvizin nga viti 2008 (28 projekte), 2009 (32), 2010 (23) deri në vitin 2011 (28). Për krahasim Serbia shënon 12 deri në 27 projekte si koordinatore, dhe 66 deri në 74 projekte si bashkëpunëtore.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian (2012) vërehet se ka patur progres të kufizuar në politikat kërkimore dhe inovative, sidomos në lidhje me integrimin në Zonën Evropiane të Kërkimit. Numri i aplikimeve në FP7 (Framework Program 7) është rritur, por jo numri i projekteve të aprovuara për financim.

Sipas strategjisë së kërkimit shkencor dhe inovacionit të qeverisë së mëparshme, financimi i kërkimit shkencor rezulton të jetë realisht i ulët, rreth 0.2% i PBB-së, në krahasim me synimin e qeverisë për 0.6% të PBB-së (krahaso me mesataretn e EU-27 për 1.9% të PBB-së apo USA rreth 2%).

V.

Nga vlerësimi i situatës mund të nxirren disa konkluzione. Së pari, përqëndrimi i burimeve njerëzore dhe financiare në universitetet publike ka rezultuar i efektshëm (jo modoemos i suksesshëm në lidhje me synimet e qeverisë), pasqyruar kjo në volumin dhe cilësinë e kërkimit shkencor në vend. Së dyti, përqëndrimi në disa disiplina, siç mund të vërehet nga suksesi i UPT-ës, është mëse i nevojshëm për Shqipërinë e vogël, me burime të kufizuara financiare e prioritete të tjera zhvillimi. Së treti, thirrjet për reformim, pavarësisht modelit të ndjekur (kërkimit shkencor në institute të pavarura, apo të integruara në universitete) duhen shoqëruar me burime financiare të nevojshme.

Përfundimisht, duhet që politikbërësit të kuptojnë se reformat strukturore që premtohen nuk mund të jenë fasadë për rishpërndarje çifligjesh nëpër komunitetin akademik në Shqipëri, ku gjithsekush mendon se meriton zotërimin e vetë, qoftë ky një institut apo agjenci etj. Politikat e burimeve njerëzore nuk duhen ndjekur në kurrizin e interesit publik, sidomos kur vijnë me një kosto të madhe. E së fundi, gjithsekush ka të drejtë të shprehë opinionin e vetë, por minimalisht ta argumentojë me prova bindëse për publikun e gjerë. Politikat publike, pse cënojnë interesin e një komuniteti të gjerë, duhet të bazohen mbi një gjykim realist të kapaciteteve hartuese e zbatuese.

14 Komente

Akademia e Shkencave, ka nevojen paresore te rangut te pare, perjashtimin e " akademikeve " te bere per merita partiake dhe per asnje grosh pune per studime te thelluara shkencore.
Kollaj pastaj se e gjejne vete akademiket si duhet bere reforma ne Akademi.

Dituria eshte privilegj i atyre qe e zoterojne ate, dhe si privilegj perben nje "çiflig" qe jo ndokush mund ta zoteroje, prandaj edhe ndarja e ketyre "çifligjeve" i duhet lene ne dore te diturve. Te tjeret do te benin mire te shikonin pune e hyzmetqarit.

+++ Po ore, vazhdon populizmi si qemoti. Dacibaout te pakten kishin transparencen se ishin me emer dhe mbiemer, fletrrufete e sotme nje zot e di se pse shkruhen, vetem per qellime parimore jo. Dhe cka eshte mysybet fare eshte se sancopancot e mbajne veten per donkishot.

prandaj eshte zgjedhur fjala ciflig, qe simbolizon pronen e trasheguar apo te shperndare nga nje autoritet me legjitimet hyjnor ose thjeshte "force", ndersa ne akademi "zoterimet" ndahen ne saj te meritave akademike sic eshte kerkimi..

por meqe nuk kemi kerkim shkencor, por vetem aspirant per cifligje, ti usta mire ben qe te na tregosh vendin se cilet jane te diturit... per me teper kur mendon se shkence sot prodhojne vetem "akademiket" (kjo race e shpikur ne bodrumet e partise komuniste te asaj kohe per te imituar Francen apo Angline e shekullit te 18)

Bulkthi eshte autori apo eshte postuesi?

Bulkthi eshte postuesi

xhaxhai.wordpress.com eshte burimi, dhe Kapedani autori

thanks smiley

Qarte! Nuk ka nevoje te te lexosh diagonalisht Ty, per nje arsye te thejshte: Vertikalisht je bindes dhe i qarte ( madje, pa te te ngritur veshet, shkrimi yt me pelqeu! Ka ato mangesite e veta, sidomos kur e ngaterron kete ceshtje me politikat publike, por kjo eshte rrjedhoje e atyre mekateve qe rrendom bejne "shkronjesit" shqiptare teksa kopjone fragmente nga "shkronjesit" e huaj, ne menyren me mizore).

 

Per hater te se vertetes-Midis meje dhe teje ka nje ndryshim thelbesor: Une e dua kamarierin,  kuzhinierin, varremihesin, peshkatarin a gazetarin!

Per hater te mendimit qe ti po lyp ketu-Kjo ceshtje nuk duhet gdhendur si objektiv i nje Politike Publike! Perse?

Ironizova foton e ASH pak me larte, por Akademiku Korturi nuk po kerkon thjesht nje lemoshe nga ekzekutivi "i aksioneve te medha" per te restauruar folezen e "5 kllockave shterpe"; Qellimi i Akademikut Korturi eshte ta ktheje kete ceshtje ne nje objektiv te Politikave Publike ( gabim te cilin, padashje e ke bere edhe ti ), revan ky qe do e coje kete ceshtje drejt ligjvenesit. Atehere do te jete shume vone! Sistemi I tanishem organizativ I kerkimit shkencor eshte frytdhenes ( e ke shpejguar edhe ti me fakte dhe detaje e nuk is vlen te zgjatem ketu). Kjo ceshtje duhet te kete vetem nje dere hyrese: ate te gjyqesorit!

kur sokratin e rrahen ne treg, me siguri ka thene - me mirre te me rrahin se t'u degjoje argumentet

I nderuari Mik,

Ti s'je Sokrati!

patjeter, por behej llaf per pazarin.. eshte vendi dajakut dhe jo i shkembimit te ideve 

te shohim se mos ky i poezise rend te gjej dic tjeter qe ta gudulise perseri

Hahaha me kujtove nje varg te Dylan tek Endrra e 115-te ku thote

Une i thashe - "Ti e di qe dhe Jezuin s'e pranuan"

Ai me tha- "Ti nuk je Ai" smiley

Reforma qe u ju be Akademise nuk ishte ashtu bosh ne kuptim por si perhere dhe cdo reforme ne ndonje fushe tjeter hasi ne nje resistenz boshe dhe pakutptim te nje grupi personesh qe kane nje edukim asocial bolsheviko sllavist te latuar me ndonje gjasme doktorate ne France apo Itali mos flas per keto arrixhinjte e jugut me memrin greqi. E them kete sepse reforma u be ne baze te pervojave te reformave qe ishin bere ne hapsiren gjermane.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).