Perandoria Osmane", botimi i Halil Inalcik u dedikohet tre shekujve të artë të perandorisë që u shtri në tri kontinente. Edvin Cami, përkthyes i veprës, ndan me ne disa prej detajeve: vendin që zë Shqipëria në të, rolin që patën shqiptarët, emrat më të njohur me origjinë arbërore dhe raportet pushtues-i pushtuar. Nga ana tjetër, ka interes edhe për procesin vendimmarrës të sulltanit, këndvështrimi mbi betejën e Kosovës. 

"Perandoria Osmane" është libri i sapobotuar i historianit të famshëm turk, Halil Inalcik. Mbi ç'kohë fokusohet ai? 
Sikurse shprehet në nëntitull, vepra përqendrohet në periudhën klasike të shtetit osman, mes viteve 1300-1600. Është kjo koha në të cilën shteti osman lindi e u rrit nga një principatë e vogël kufitare, duke u zhvilluar përmes ekspansionit deri në nivelin e një perandorie të shtrirë në tri kontinente dhe duke njohur shkëlqimin e zakonshëm për një perandori të këtyre përmasave. Pas viteve 1600 nis kurba rënëse, që nuk është pjesë e veprës në fjalë. 

Cili është vendi që zë Shqipëria e kohës në të? 

Është, natyrisht, një vend modest. Duke pasur parasysh mungesën e një vetëdijeje për kombin si të tillë përpara Revolucionit Francez, më shumë sesa për Shqipërinë, në këtë kohë mund të flitet për troje shqiptare. Në rrethanat e kohës, identitetet fetare ishin parësoret, të pasuara, ndoshta, nga identitete fisnore e krahinore. Vetëdija për një identitet kombëtar shqiptar është natyrshëm më e vonë se kjo periudhë. Gjithsesi, trojet shqiptare dhe zhvillimet në to janë të pranishme në vepër. Përpjekjet e Skënderbeut për pavarësi prej Portës së Lartë janë të pasqyruara. Natyrisht, lëvizje të tilla që karakterizoheshin nga rebelimi ndaj sulltanit dhe bashkëpunimi me armiqtë e tij nuk janë "ekskluzivitet" i shqiptarëve, por si ato vërehen të shumta në kohë e hapësira të ndryshme nga Rumelia në Anadoll e Persi, ndërsa Porta ishte vazhdimisht e angazhuar në shtypjen e këtyre lëvizjeve. 
A flitet në libër për betejën e famshme të Kosovës më 1389? Çfarë thuhet për të? (Serbia e përdor si argument për trojet në Kosovë këtë betejë). 
Po, përfshihet shkurtimisht. Po jua citoj: "Ndërsa Murati ishte i zënë me çështjet e Anadollit, Serbia, Bullgaria dhe Bosnja u bashkuan kundër tij në Ballkan dhe një ushtri osmane u mund në Ploshnik prej boshnjakëve në vitin 1388, por një fushatë rrufe në po atë vit e detyroi Bullgarinë danubiane të nënshtrohet. Në pranverën pas kësaj, Murati kaloi në Evropë me forca ndihmëse të siguruara nga princërit vasalë dhe më 15 qershor 1389 mposhti ushtritë e bashkërenduara serbe e boshnjake në një betejë të ashpër në Fushë-Kosovë. Fitorja vendosi përfundimisht sundimin osman në Ballkan". Kjo është paraqitja e ftohtë e fakteve pa koment. Më pas, nëse në Serbi u pëlqen të kujtojnë lavdishëm një betejë që pohojnë ta kenë humbur, kjo përbën një ironi më vete. 

Si trajtohen figurat historike shqiptare? 

Natyrshëm, përmenden Qyprilinjtë, si një dinasti shqiptarësh që qeverisën për disa breza shtetin osman nga pozita e kryevezirit duke dhënë kontribute të veçanta e të çmuara për shtetin. Përmendet Ibrahim Pashai, kryeveziri i Sulejmanit të Madhërishëm, me gatishmërinë e tij për të vepruar shpesh "pa u konsultuar", çka edhe e çoi në ndëshkim. Përmendet Skënderbeu, natyrisht, për të cilin thuhet se, i mbështetur nga Venediku, Papa dhe Mbreti i Aragonit, si dhe nga krerë vendës që ishin bashkuar me të, ushtroi një qëndresë të suksesshme ndaj shtetit osman. Por duhet të ritheksoj se në kuadrin e një shteti të përmasave perandorake, shqiptarët janë vetëm një pjesë e vogël e së tërës. 

Si konsiderohet Shqipëria? E pushtuar, nën sundim, nën 'menaxhim'? 

Në të gjitha rastet e ekspansionit të shtetit osman përmes veprimit ushtarak, autori flet për marrje nën kontroll të territorit përmes pushtimit. Pas kësaj, flitet për qeverisje përmes dinastish apo prijësish vendës vasalë dhe më pas përshkruhet se, kryesisht për shkak të rebelimeve të vazhdueshme, territoret vihen nën administrimin e drejtpërdrejtë osman. Kjo duket se vlen edhe për rastin e trojeve shqiptare. 

Cili ishte ndikimi i haremit në vendimmarrje? 

Siç pohon autori, haremi ishte hapësira e rezervuar për gratë dhe familjen e sulltanit. Ai formonte një Pallat brenda Pallatit. Edhe brenda haremit kishte një organizim hierarkik. Pra, haremi nuk duhet parë me një sy orientalist, si një mjedis orgjitik ku skllave të zhveshura argëtojnë sulltanin. Ndikimi i haremit ka qenë i ndryshëm në periudha të ndryshme, ndërsa ka njohur edhe një kulm të tijin gjatë epokës së cilësuar me emërtimin "Sulltanati i Grave". Kujtoj, për shembull, se në vitin 1535, bashkëshortja e Sulejmanit të Madhërishëm, ukrainasja Hurrem Sulltana, e transferoi haremin nga Pallati i Vjetër në Pallatin e ri dhe ushtroi një ndikim të madh në politikë. Madje, ajo siguroi edhe ekzekutimin e rivalit të djalit të saj, Mustafait, për t'i hapur të birit rrugën drejt fronit. 

Nga kush ndikohej në fakt sulltani? 

Zyrtarisht, sulltani drejtonte një institucion dhe si i tillë konsultohej. Pranë tij ishin kryeveziri, ndërsa edhe Divani Perandorak, që diskutonte në prani të tij, i siguronte një nivel të caktuar këshillimi. Përtej institucioneve formale, natyrisht që edhe ajo që përmendëm më sipër, pra ndikimi i grave të haremit, në kohë e periudha të caktuara, kishte rolin e vet. Jo më kot, për shembull, sulltan Selimi do të shkruante vargjet: 

Luanët teksa dridheshin kthetrave të mia, 
Përballë një sy-drenushe fati më robëroi. 

A ishte vërtetë besimtar Sulltani dhe vartësit e tij, apo feja përdorej si arsye për mësymje? 

Është e vështirë të jepet një përgjigje e përgjithësuar për këtë, duke pasur parasysh qindra vite e breza sundimtarësh dhe njerëzish që kanë drejtuar një perandori të ngritur mbi një ideologji zyrtare fetare. Duke dashur të mos vëmë në dyshim besimin e askujt, pasi besimi i përket intimitetit dhe botës së brendshme të njeriut, mund të themi, gjithsesi se, në përpjekjen për t'i njohur nga frytet apo veprat e tyre, jo të gjithë sulltanët apo administratorët e perandorisë kanë treguar gjithmonë të njëjtin përkushtim edhe në çështje të Fesë. Ndërsa mësymja apo ekspansioni ishin pjesë e mendësisë së kohës dhe osmanët nuk dilnin jashtë kësaj mendësie. Sot, format e krijimit të ndërvarësisë së vendeve të vogla në marrëdhënie me vendet e mëdha janë më të sofistikuara dhe lufta përdoret më rrallë. Në atë kohë, kjo ndodhte më shpesh. 

Sa e vështirë ishte për ju të përkthyerit e këtij libri? 

Veshtirësitë në përkthimin e veprave të tilla qëndrojnë kryesisht në saktësimin e toponimeve dhe të homonimeve. Ka tradita të ndryshme të përdorimit të emrave të vendeve e të njerëzve në gjuhë të ndryshme, ndërsa në shqip jo gjithmonë kemi përdorim të njësuar të këtyre emërtimeve. Për këtë falënderoj në mënyrë të veçantë redaktoren Jeta Hamzallari, që ka bërë një punë shumë të mirë për të plotësuar dobësitë e mia në këtë drejtim, duke shqyrtuar një literaturë të gjerë në shqip për të saktësuar, sidomos në harta e tregues, toponimet dhe homonimet e përdorura.

10 Komente

Pershendetje Shvejk...

Luanët teksa dridheshin kthetrave të mia, 
Përballë një sy-drenushe fati më robëroi. 

ah drenushat e sulltanit...

Paskan vuajtur dhe sulltanet nga roberia. Ate qe te ben Ajo s'ta ben as perandoria smiley

kot s'thone me mire syri, more syri...smiley
 

n'fakt i ngeli robinjave qe robinjezoheshin nga roberuesi sulltan smiley

eh mer sulltan thuaj, ne kete dynja lahen haqet, roberove sa deshe dhe ty te roberuan. Kthehemi tek Ajo qe s'fal.  smiley

Pergezime profesor Camit per kete perkthim. Jam kurioz te di sa do jene shitjet... a lexon kush libra te tille historike ne Shqiperi apo botohen vetem per nje rreth te ngyshte historianesh dhe letraresh?

Armir, në Shqipëri librat historikë që na kapin prej bishti edhe ne blihen me vrap. Shtoji kësaj edhe interesin për telenovelat sulltanike dhe ja ku u dyfishua numri i blerësve.

Intervista më duket e kthjellët dhe e shtruar (gjithmonë habitem unë kur lexoj të tilla në shqip) megjithëse në ndonjë vend bën deklarata titull-ushqese të guximshme dhe të paqarta (flet asisoj për identitetin libri apo Cami?) 

Camin e kam lexuar  me kënaqësi si përkthyes të Hesses.

" ....Për këtë falënderoj në mënyrë të veçantë redaktoren Jeta Hamzallari, që ka bërë një punë shumë të mirë..." 

 

 E cila vjen nga fisi i Hamzave , do thosh Beluli smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).